Friday, October 26, 2018

“Dy budallë vlejnë më shumë se një i mençur”!

IMG_2068.jpeg

Shkruan: Nehat Hyseni 


Po e filloj këtë artikull me proverbin e njohur popullor:

 “Kur udhëheq i keqi, 

popullin e merr dreqi”!

Thuase ky proverb është sajuar enkas për ta përshkruar gjendjen e krijuar në pushtetin lokal, që u instalua nga zgjedhjet lokale të 24 dhjetorit 2017 në Komunën e Preshevës, që u mbajtën pas vendosjes së të ashtuquajturit “Organ i Përkohshëm”, dmth Masave të dhunëshme nga Qeveria e Serbisë, më 15 shtator 2017 dhe me dekret qeveritar u shkarkua Kryetarja e Komunës, zonja Ardita Sinani, nga Partia për Veprim Demokratik dhe u instalua Shqiprim Arifi me SNS-in e Aleksandar Vuçiqit në krye të kësaj komune me shumicë shqiptare (mbi 90%) në Serbi.

Serbia postmillosheviqiane e Aleksandar Vuçiqit nuk ishte aspak e kënaqur me partitë e vjetra politike të shqiptarve: PVD-në dhe PDSH-në, të cilat e organizuan dhe udhëhoqën me sukses Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 në Luginë të Preshevës, “Për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Realisht, ai e kishte halë në sy Riza Halimin, i cili i priu organizimit të politikbërjes së pavarur të shqiptarve nga Beogradi dhe Leskovci, si dhe kryetarin e PDSH-së, Ragmi Mustafën.

Prandaj, në kuzhinat xhihadiste të shqiptarve në Gjermani, SNS-i  i Aleksandar Vuçiqit, investoi shuma marramendëse financiare dhe logjistikën shtetërore serbe për rrëzimin e “politikbërjes së vjetër” të shqiptarve të Luginës dhe për “dërgimin e tyre në pension”.

Prandaj, Serbia nuk kurseu para në zgjedhjet e 24 dhjetorit 2017, duke “investuar” mbi 250 mijë euro për një këshilltar të APN-së Shqiprim Arifit, të cilin do ta instaloj si vasal apo argat besnik të vetin në Komunën e Preshevës.

Gjatë dhjetë muajve të bashkëqeverisjes së tyre më SNS-in e Serbisë, komuna e Preshevës është sjellur buzë greminës, me kuadrot analfabetë, joprofesionalë e muxhahedinë, të cilët në mënyrë të verbër dhe të paskrupulltë janë vënë në shërbim të politikbërjes antishqiptare e anticivilizuese të Serbisë dhe kanë stërmbushur Administratën komunale me militantë islamikë, që sa duket janë në shërbim të misionit serbo-rus, deri në shpërnguljen e shqiptarve të fundit nga pjesë e gjeografisë shqiptare.

Seanca e VIII-të e Kuvendit Komunal e 26 tetorit 2018 dëshmoi se në mënyrë banditeske dhe paushalle ata kanë eliminuar plotësisht ekspertët dhe profesionistët më të aftë dhe më me përvojë dhe i kanë vendosur bashibozukët, analfabetët dhe kuadrot militantiste, kryesisht ekstremistë islamik dhe me mision antishqiptar.

Kështu, ata vendosën që të mos e mbështesin Shtëpinë Informative- RTV Preshevën dhe 26 gazetarë dhe punëtorë të tjerë i kanë lënë pa rroga një vit të tërë, meqë pretendojnë se ata e mbështesin “politikbërjen e vjetër”. 

Ky degradim kriminal i këtyre shqipfolësve me mision të verbër antishqiptar e  serbo-rus, 

u pa edhe gjatë marrjes së vendimit kundërligjor për vazhdimin e mandatit edhe për një vit të ushtruesit të drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Moravica”, i cili është një person pa kualifikim përkatës, joprofesional dhe i pa ditur, prandaj ka punësuar një pensionist 75 vjeçar, serb nga Vranja, të cilin e paguan në mënyrë të kundërligjshme komuna reth 800 euro në muaj, nga buxheti, dmth me paratë e taksapaguesve preshevarë. 

Ky analfabet është i njohur me veprime kriminale të shpërdorimit të parasë publike për blerjen e pushtetit APN-SNS, për çka duhet të përgjigjet para ligjit dhe para popullit.

Por, kulmi i cinizmit antishqiptar e jocivilizues u arrit me rastin e refuzimit të Raportit të punës së Çerdhes së fëmijëve parashkollorë “8 Marsi”, i cili ishte maksimalisht korrekt dhe gjithëpërfshirës. 

Kurse, drejtoresha e këtij institucioni parashkollor, një zonjë e nderuar dhe shumë e respektuar nga qytetarët e kësaj komune, u sulmua pa kurrëfarë të drejte dhe fakti e argumenti, në mënyrë shizofrenike e paranojake nga një këshilltare militante e këtij koalicioni të turpshëm e antishqiptar, pa fije turpi dhe pa konsiderata njerëzore e civilizuese.

Mjerisht, në rastin e pushtetit lokal të Komunës së Preshevës vlen thënia e gjeniut gjerman, Albert Ajnshtajn, se:

“Demokracia është sistem politik në të cilin dy budallë vlejnë më tepër se një i mençur”!









Sunday, October 21, 2018

Misioni antishqiptar serbo-rus në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar të Shqiptarve në Serbi 

IMG_2068.jpeg

Shkruan: Nehat Hyseni


Pas dështimit të përmbysjes së pushtetit legjitim e proeuropian në Mal të Zi, si dhe fushatës së egër antiamerikane e anti europiane gjatë referendumit të 30 shtatorit 2018, në Maqedoni dhe “korrigjimit” të tij që pasoi me votimin pro të 2/3  më 19 tetor në Parlament, mësyerja Serbo-Ruse është orientuar dhe mobilizuar në Luginën e Preshevës.

Pra, më 4 nëntor 2018 do të mbahen zgjedhjet për legjislaturën e tretë me radhë për Këshillin Nacional të Shqiptarve në Serbi. 

Dihet mirëfilli fakti se mbi 100.000 (njëqind mijë) shqiptarë aktualisht jetojnë në Serbi, pjesa më e madhe e të cilëve jetojnë në tri komuna kufitare me Kosovën: në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Presheva dhe Bujanoci, që përbëjnë dy komuna me shumicë shqiptare dhe pushteti lokal qeveriset prej tyre. 

Këto dy komuna kanë rënë nën Serbi nga vjeshta e vitit 1912, dmth së bashku me Kosovën, me Luftën e Parë Ballkanike dhe kanë kaluar 106 vjet të plota, kurse Kosova reth 87 vjet (1912-1999), nën regjimin e egër, jocivilizues, barbar e gjenocidal të Serbisë.

Kurse, Medvegja ka rënë nën regjimin e Serbisë 140 vjet më parë, dmth nga Lufta Ruso-Turke e vitit 1876-1878, kur ushtria turke pëson disfatë dhe Serbia bënë spastrimin etnik të reth 750 fshatrave e qyteteve të banuara me shumicë shqiptare në Serbi.

Pas Luftës së vitit 1999 në Kosovë dhe Luftës së UÇPMB-së 2000-2001 në Luginë të Preshevës, pushtetin lokal e fituan edhe shqiptarët e Komunës së Bujanocit, kurse shqiptarët e Komunës së Preshevës që nga viti 1992 qeverisnin me pushtetin lokal.

Meqë komuna e Medvegjës, në kohërat më të mira kishte reth 1/3 e popullatës së kësaj komune, ata nuk e kanë arritur shumicën asnjëherë, sidomos pas shpërnguljeve të mëdha të shqiptarve pas vitit 1999. Prandaj, ata mezi arrijnë që ta kenë postin e zëvendëskryetarit në Komunë.

Pikësynim kryesor i Serbisë gjithëmonë ka qenë që ta pamundësoj ose ta relativizoj e ta sfidoj maksimalisht organizimin e pavarur politik të shqiptarve në Serbi, që me vendosjen e sistemit pluralist, dmth shumëpartiak, udhëhiqej nga partitë politike shqiptare, të prira nga PVD e Riza Halimit, që shtrihej me organizim të parë të mirëfilltë politik në tërë Luginën, 

të pavarur nga Beogradi e Leskovci.

Në këtë drejtim, Serbia nuk ka pushuar asnjëherë së vepruari me tërë aparaturën shtypëse shtetërore, dmth me policinë, gjyqësinë dhe gjykatat e ligjet diskriminuese e antishqiptare, por dhe me politikën akuzuese se “shqiptarët paraqesin element të rrezikshëm ndaj shtetit”, duke bërë çmos për t’i anatemuar dhe për t’i akuzuar për çdo gjë. 

Në rend të parë, Serbisë i pengonte në mënyrë ekstreme uniteti i veprimit politik të shqiptarve. Prandaj, me oferta dhe me trysni të ndryshme, sipas metodës së “shkopit dhe karrotës (štap i šargarepa), nxiste përçarjen dhe pretendonte t’ia fusë thikën mes veti shqiptarve. Sidomos gjatë periudhës së fundit, dmth pas hapjes së bisedimeve për pranimin e Serbisë në BE, kur i ishin shtruar shumë detyra dhe obligime për plotësimin e standardeve, ndër të cilat është Kapitulli 23 dhe 35, që përcaktojnë obligimet e Serbisë ndaj të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare, aë aktualisht përbëjnë mbi një milion banorë, apo reth 13% të popullatës së Serbisë, që janë të organizuar në 21 Këshilla Kombëtare.

Hapi i parë destruktiv i Qeverisë neoshesheliste të Aleksandar Vuçiqit ishte keqpërdorimi i bojkotimit të Regjistrimit të Popullsisë të vitit 2011 prej shqiptarve të Luginës së Preshevës, për t’i degraduar institucionet e drejtësisë, duke i abroguar gjykatat dhe prokuroritë, pastaj edhe ato ekonomike, duke i mbyllur të gjitha bankat komerciale e afariste, me përjashtim të njërës prej tyre, e cila është e afërtë me pushtetin dhe aplikon tarifa enorme plaçkitëse e diskriminuese ndaj popullatës dhe bizneseve e subjekteve afariste, meqë ka pozitë monopoliste, sidomos në Preshevë.

Terrenin politik për këto masa diskriminuese ndaj shqiptarve në Luginë të Preshevës, Serbia e kishte përgatitur sidomos gjatë periudhës pas themelimit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarve në zgjedhjet e 6 qershorit 2010.

Asokohe, shqiptarët ishin të ndarë, meqë vetëm PVD dhe UDSH morën pjesë në këto zgjedhje, kurse PDSH dhe partitë “satelite” reth saj, i bojkotuan.

 Por, meqë për zgjedhjet e dyta për Këshillin Kombëtar morën pjesë të gjitha partitë shqiptare, Serbia e reduktoi numrin e këshilltarëve të KKSH-së, nga 29, në 15, dmth e përgjysmoi, duke e përgjysmuar edhe buxhetin, dmth fincimin e KKSH-së, me arsyetimin banal e fashist, se në Serbi jetojnë vetëm 5809 shqiptarë, bazuar në regjistrimin e bojkotuar të shqiptarve të vitit 2011.

Kështu, Serbia i radhiti shqiptarët me pakicat kombëtare që kanë më pak se 10 mijë pjesëtarë, duke i degraduar e diskriminuar ata skajshmërisht!

Por, as kjo nuk i mjaftoi Qeverisë Neoshesheliste të SNS-it të Aleksandar Vuçiqit në Beograd dhe paralelisht përgatiti rrënimin e pushtetit lokal në Preshevë, duke e shkarkuar kryetaren e Komunës, zonjën Ardita Sinani dhe vendosi masat e dhunëshme me “Organin e Përkohshëm” APN-SNS, në krye me argatin e vet të devotshëm antishqiptar, Shqiprim Arifin, të cilin e financoi dhe mbështeti në mënyrë të paskrupulltë edhe financiarisht për t’i blerë zgjedhjet e ardhëshme lokale, duke e siguruar koalicionin bashkëqeverisës APN-SNS.

Ndërkaq, tani Serbia për zgjedhjet e treta për KKSH të 4 nëntorit 2018, është kujdesur që ta përdor të ashtuquajturën “Amza e Shqiptarve” me seli në Novi Sad, të dirigjuar nga SNS-i  i Aleksandar Vuçiqit, si dhe me njëfarë biznesmeni nga Medvegja, që për këto zgjedhje ka dalur si “i pavarur”, dhe ka sponzoruar disa media tezën se “KKSH-në kësaj radhe duhet ta udhëheq Medvegja”.

Natyrisht se atyre u bashkangjitet edhe koalicioni APN-SNS i Preshevës dhe u është sugjeruar nga Beogradi që ta mbajnë sekret, meqë pretendojnë në votat e shqiptarve në këto tri komuna, por edhe në votat e shqiptarve të shpërndarë gjithandej nëpër Serbi.

Qëllimi kryesor i tyre do të jetë ndryshimi i pamjes së Flamurit tonë kombëtar, duke vendosur përmbajtje të reja dhe duke e gjymtyar e përdhosur atë, synojnë që ta bëjnë të papërdorshëm dhe praktikisht të ndaluar për përdorim nga shqiptarët e Luginës, duke i fajësuar pastaj ata se “vullnetarisht kanë hequr dorë nga përdorimi i simboleve kombëtare shqiptare”.

Pastaj, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe informin arsimin shqip do ta degradojnë dhe ta vejnë nën tutelën e regjimit antishqiptar e anticivilizues të Serbisë dhe njëkohësisht, me ndihmën e disa subjekteve politike të shqiptarve të Luginës pretendojnë që të mbeten të pandëshkuar nga Unioni Europian, anëtarë të të cilit Serbia synon të bëhet, duke i diskriminuar e duke i shtypur sistematikisht shqiptarët.