Saturday, February 10, 2018

Pse është e papranueshme për shqiptarë ideja e Daçiqit për “shkëmbim territoresh”?


IMG_2068.jpeg

Shkruan: Nehat Hyseni 


Ideja për “shkëmbim territoresh” midis Serbisë dhe Kosovës është përmendur, sa e di unë, nga kosovarët vetëm nga Rexhep Qosja dhe eventualisht aty-këtu nga ndonjë mbështetës i tij. 

Kurse, nga pala serbe kjo çështje është inicuar zyrtarisht nga Ivica Daçiq në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel , i cili asokohe ishte kryeministër i Serbisë dhe shef i delegacionit negocius të Serbisë.

Kjo ide konsiston kinse në shkëmbimin e territorit të veriut të Kosovës, dmth Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Kosovës, që përbën reth 18% të territorit të Republikës së Kosovës, me territorin e Komunës së Preshevës (264 km2), një pjesë të Komunës së Bujanocit dhe Medvegjës, dmth fshatrat e banuar me shqiptarë.

Sigurisht se për shqiptarët e Luginës së Preshevës, dmth të komunës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, që përbëjnë reth 1250 km2, duke përfshirë edhe fshatrat serbe.

problemi më i madh dhe pengesë të pakapërcyeshme paraqet fakti se të gjithë serbët e Kosovës nuk janë të përqëndruar në një territor kompakt që ka kontinuitet etnik me Serbinë, ashtu siç kanë shqiptarët e Luginës së Preshevës kontinuitet etnik dhe territorial me Republikën e Kosovës.

Kuptohet se këtu bëjnë përjashtim vetëm serbët e veriut të Kosovës, dmth katër komunat m’atanë Ibrit dhe Mitrovica veriore, të cilët përbëjnë vetëm reth 40% të serbëve të Kosovës, që kanë kontinuitet etnik dhe territorial me Serbinë. 

Kurse, reth 60% e serbëve është e shpërndarë në gjashtë komuna të tjera serbe gjithandej nëpër territorin e Republikës së Kosovës, si enklava të shpërndara dhe të shkëputura mes veti, pa kontinuitet etnik-territorial në Serbisnë, dmth sikur “lëkura e leopardit”.

Prandaj, ky fakt e bënë shkëmbimin eventual të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë më të ndërlikuar.

Rrjedhimisht, edhe oferta e palës serbe me Daçiqin jo vetëm që nuk është e sinqertë, por edhe është e dëmshme për Republikën e Kosovës, si dhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Pse është i dëmshëm shkëmbimi i territoreve për Republikën e Kosovës?

Sepse, Serbia me djallëzi dashakeqe synon ndarjen e veriut të Kosovës, matanë lumir të Ibrit dhe bashkëngjitjen e pakusht të saj me Serbinë, duke përfshirë edhe liqenin e Gazivodës, si resursin më të madh ujor të Republikës së Kosovës.

Kurse për pjesën e enklavave serbe, të shpërndara gjithandej nëpër Kosovë, Serbia pretendon që të bëjë marrëveshje për shkëmbim eventual territoresh.

Pse është i dëmshëm shkëmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë për Luginën e Preshevës?

Sepse, ky projekt i Serbisë parasheh ndarjen e territorit të Komunës së Preshevë gati përgjysmë, më vijën e hekurudhës, dmth Korridorit X (Dhjetë), që përfshinë edhe Autostradën E-17, si aset me rëndësi Kapitale gjeostrategjike e gjeopolitike për Serbinë dhe për Ballkanin Perëndimor, duke i lënë një mori fshatrash shqiptare dhe ato serbe, si dhe pjesën lindore dhe malin Rujan, jashtë, dmth në Serbi.

Kurse, në komunën e Bujanocit mbi gjysma e territorit do të mbetej jasht. 

Ndërsa, nga komuna e Medvegjës do të përfshihej vetëm reth 1/4, apo në rastin më optimist, vetëm 1/3 e territorit të kësaj komune.

Pra, me shkëmbimin eventual të territoreve, nga 1250 km2 të Luginës së Preshevës, Republikës së Kosovës do i bashkëngjiteshin vetëm reth 500-600 km2.

Kurse, reth 4-5 fishë më tepër territor të Kosovës do i bashkëngjitej Serbisë!

Duhet theksuar se në Luginë të Preshevës, ideja serbe e ishkryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiqit, i cili është edhe kryetar i SPS-it, dmth partisë politike të themeluar nga kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviqi, që e shtroi me insistim në tryezën e bisedeve të Brukselit në vitin 2013, por kjo ide u refuzua kategorikisht nga pala kosovare dhe nga ndërmjetësuesja e BE-së, Komisienerja e lartë, baronesha Catherine Ashton, por gjeti mbështetje tek disa parti politike shqiptare, në krye me PDSH-në e Ragmi Mustafës.

Këta pretendonin që këtë ide serbe ta lidhnin me vullnetin politik të shqiptarve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992. Ky ishte një keqpërdorim flagrant dhe i papërgjegjshëm i Referendumit, që realisht çonte ujë në mullirin e politikbërjes antishqiptare të Serbisë, për qëllimet e tyre kundër sovranitetit territorial dhe kundër Pavarësisë së Kosovës, që synonte ndarjen e saj, duke synuar që t’ia shkëpusë një pjesë të madhe të territorit të saj dhe bashkëngjitjen e pjesës perëndimore, dmth të terrenit më pasiv të Luginës së Preshevës, pa përfshierjen e Korridorit X në kuadër të saj.

Gjithësesi, shqiptarët e Luginës së Preshevës synojnë bashkimin me Kosovën, por jo me çdo kusht dhe kurrësesi jo në dëm të interesave të Kosovës dhe atyre kombëtare. Por, ata synojnë që kjo dëshirë dhe ju vullnet i tyre legjitim, i shprehur edhe në Referendum, të realizohet në koordinim dhe në harmoni me Kosovën, Shqipërinë dhe na faktorin ndërkombëtar, sipas parimit të reciprocitetit dhe duke i respektuar interesat e secilës palë, dmth pa i dëmtuar interesat vitale të secilës palë negociuese.

Pengesë të madhe në këtë drejtim paraqet imponimi i Planit Aksional Lokal (2017-2021) nga Serbia, për kolonizimin e Komunës së Preshevës me refugjatë serbë nga luftërat në Kroatien, Bosne dhe me serbë të ikur nga Republika e Kosovës, për shkak të krimeve ndaj shqiptarve, si dhe në refugjatë nga Sora, Iraku, Afganistani, etj., të hartuar nga Qeveria e Serbisë.

Ky Plan makabër e antishqiptar, mjerisht, që ka hasur në mbështetje edhe nga APN, si parti politike shqiptare që është në koalicion me SNS të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe në mbështetje të plotë politike, financiare dhe institucionale nga Qevera e Serbisë.

Wednesday, February 7, 2018

Vetëm protestat “revolucionare” mund ta shpëtojnë Lëvizjen “Vetëvendosje”!


IMG_1983.jpeg

Shkruan: Nehat Hyseni 


Lëvizja Vetëvendosje u krijua fillimisht si një lëvizje politike e padefinuar ideologjikisht, që për objektiv të veprimit politik kishte mësyerjen kundër regjimit politik të Kosovës së pasluftës.

 Kulmin e kësaj “mësyerje” kundër pushtetit ajo e arriti në protestat kundër Qeverisë së Isa Mustafës, në koalicionin PDK-LDK, duke arritur përmasa që i tejkalonin kufijtë më ekstrem të protestave të tilla, që realisht kishin elemente të kryengritjes popullore. 

Policia e Kosovës u gjuajt me gurë e mjete të tjera të rrezikëshme e vdekjeprurëse, që plagosën rëndë shumë pjesëtarë të policisë, si dhe demoluan e shkatërruan pronën dhe asetet publike e private, duke mos hezituar që t’i thejnë xhamat, t’i hedhin ngjyrë për ta shëmtuar si është më zi dhe në fund edhe e gjuajtën me granata dore dhe is vunë zjarrin dhe tentuan që ta djegin ndërtesën e Kuvendit dhe atë të Qeverisë së Kosovës. 

Kurse, ndaj policisë gjuajtën “koktejë mollotovi” e çka jo, për ta penguar në vendosjen e rendit, që është detyrë themelore kushtetuese e ligjore e saj. 

Natyrisht se në krye të atyre protestave qëndronte Albin Kurti me Visar Ymeri, Dardan Molliqajn dhe të tjerët, të cilët haptas deklaronin qëllimin e tyre “për ta nxjerrë kryeministrin Mustafa nga zyra“!

Pra, synonin rrëzimin e Qeverisë Mustafa, si legjitime dhe vendosjen e pushtetit të rrugës!

Me fjalë të tjera, ata synonin hiç më pak së grushtshtetin, ose siç deklaronte asokohe Albin Kurti, qëllimi apo objektivi politik i tyre ishte rrëzimi i “Republikës së Dytë” nga pushteti dhe vendosja e pushtetit të të ri “popullit”, dmth. vendosjen e “Republikës së Tretë” me Albin Kurtin në krye të saj.

Lëvizja Vetëvendosje ishte shndërruar në një forcë militante ekstreme, revolucionare, që synonte rrëzimin e pushtetit me dhunë, për të vendosur pushtetin e drejtësisë sociale e politike në vend, meqë pretendonin se Kosova kishte marrë “rrugën e gabuar” të keqqeverisjes, pabarazisë sociale dhe krimit.

Me fjalë të tjera, ato protesta shikoheshin si një “revolucion socialist” që kishte për objektiv rrënimin e borgjezisë së pasluftës nga pushteti dhe vendosjen e pushtetit “social”(ist), dmth ardhjen e një regjimi të ekstremit të majtë, pak a shumë i ngjajshëm me revolucionet socialiste në botë, që nën flamurin e drejtësisë sociale, kishin joshur masat e gjëra popullore, rininë revolucionare dhe fshatarësinë për ardhje në pushtet, i cili shumë shpejtë u shndërrua gjithëkund në diktaturë të egër komuniste dhe në regjim totalitar. 

Prandaj edhe “demokracia” sui generis e brendëshme e Vetëvendosjes, si edhe tek revolucionet socialiste (komuniste) karakterizohej si e tillë.

Albin Kurti apstenoi nga rikandidimi për kryetar partie para 3-4 vitesh, pikërisht për të dërguar një mesazh shoqërisë kosovare të egalitarizmit të tillë, që realisht i karakterizon partitë e ekstremit të majtë kudo në botë gjatë parapërgatitjes së revolucineve dhe rrëzimit të “regjimeve antipopullore”, për të vendosur “pushtetin popullor” dhe drejtësisë sociale.

Natyrisht se një ideologji e tillë ultramajtiste e Vetëvendosjes, e udhëhequr nga revolucionari Albin Kurti, i cili besonte fuqishëm dhe e deklaronte publikisht besimin e tij në fuqinë e protestave dhe të uraganit shkarërrimtar e vdekjeprurës të masave të pakënaqura e të mllefosura popullore, ndihej i fuqishëm dhe krenarë duke qëndruar (si komandant) në ballë të atyre protestave. Sidomos kundër Qeverisë së LDK-istit Isa Mustafa.

Efektet e këtij revolucionariteti dhe atyre protestave shkatërrimtare të udhëqura e të frymëzuara nga Vetëvendosja dhe Albin Kurti & Company ishin të mëdha. 

Si rezultat i drejtëpërdrejtë i tyre, Lëvizja “Vetëvendosje” shënoi rritje të jashtëzakonëshme në zgjedhjet e parakohêshme parlamentare të 11 qershorit 2017, duke e dyfishuar votën e tyre.

Duhet theksuar se dikund kah maji i vitit 2017, kishte ndodhur një ndryshim radikal në “lukun” e lidershipit të Vetëvendosjes: kravatizimi apo kollarizimi i saj. Në këtë kohë për herë të parë Albin Kurti dhe udhëheqësia e ngushtë e saj, u paraqitën në publik me kollar (kravata)! 

Kjo ishte një befasi e madhe për opinionin, por, njëkohësisht paraqiste një sinjal të qartë se brendapërbrenda këtij subjekti politik, që deri atëherë ishte “as mish e as peshk “, dmth as parti e as lëvizje popullore, po ziente diçka e madhe, dmth një “ndryshim i madh”!

Pikërisht në këtë kohë kishin filluar mospajtimet brenda lidershipit të Vetëvendosjes, fillimisht midis Dardan Molliqajt, Visar Ymerit dhe grupit kundër ri kandidimit të Albin Kurtit për kryetar të VV-së. Realisht, këta ishin kundër kultit të personalitetit të Albin Kurtit, i cili ishte stërfuqizuar nga protestat e përmendura.

 Prandaj, Albini nuk shikohej më si një lider që pretendonte të shitej si “i pari ndër të barabartit”, por si person tepër i fuqishëm, si lider me prirje totalitare, ose si një diktator i ardhshëm i tipit që prodhuan  revolucionet socialiste në të kaluarën e hidhur ish-socialiste (komuniste), pasojat negative të të cilëve po i vuajmë edhe sot e kësaj dite.

Fitorja e madhe e Vetëvendosjes në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017, pra, shënuan kulmin e fuqisë politike të saj, meqë arriti të fitoj 32 mandate të deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe doli si parti e parë.

Por, njëkohësisht, këto zgjedhje paraqitën edhe fillimin e fundit të saj. 

Sepse, burokratizimi i lidershipit të saj, i simbolizuar me vendosjen e kravatave, realisht pretendonte t’i fshihëte vlimet e brendëshme, të cilat do të shpërthenin fuqishëm, si vullkan i pandalshëm, vetëm pas “sms”it famoz të deputetes Aida Dërguti, në dhjetorin e vitit 2017.

Kam përshtypjen se Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti personalisht, nuk mund të qëndrojnë në skenën politike të Kosovës pa protesta, ashtu sikur që aeroplani nuk mund të qëndroj në ajër pa fluturuar. Ose, si peshku pa ujë.

Sepse, atyre u nevoiten protestat, madje u nevoiten protesta “revolucionare”, me fuqi të madhe rrënuese e shkatërruese. 

Sa më të mëdha dhe më shkatërruese që të jenë protestat, aq më i madh do të jetë edhe “argumenti” për rrënimin e pushtetit të “Republikës së Dytë” dhe për vendosjen e “Republikës së Tretë”, si regjim i “barazisë dhe drejtësisë sociale” dhe diktaturës personale të Albin Kurtit. 

Rrjedhimisht, mbase ky do ishte edhe shpëtimi nga fundosja (e pashmangëshme) politike e Lëvizjes Vetëvendosje?!


Sunday, February 4, 2018

Rekordi i kobshëm i korruptimit të votës së lirë dhe sfidat aktuale të preshevarëve


IMG_2063.jpeg



IMG_1983.jpeg

Shkruan: Nehat Hyseni 


Uragani i “revolucionit islamik” në Luginë dhe në komunën e Preshevës filloi stuhishëm para tre vitesh, paralelisht me Lëvizjen “Besa” në Maqedoni. 

Me shumë para e përplot “humanitet”, si dhe me xhihadizëm “revolucionar”, ata paralajmëruan epokën e revolucionit islamik në këtë pjesë të gjeografisë shqiptare në Serbinë jugore dhe në Maqedoninë perëndimore.

“Organizatat humanitare” më burime enigmatike të financimit ishin celula themelore e veprimit të tyre “humanitär”, që së shpejti u konvertua në veprimtari militante të proviniensës militantiste të islamit politik, duke hasur në teeren të përshtatshëm të veprimit në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, si dhe në Kumanovë, Shkup, Tetovë e Gostivar por dhe në vise të tjera të banuara me shqiptarë.

Yryshi i tyre drejtë pushtetit ishte i suksesshëm fillimisht. Sepse ata shikoheshin si shpresë ideale drejtë “progresit”, për këtë pjesë të shqiptarve, të harruar nga Tirana e Prishtina dhe të denigruar nga presionet e reprezaliet e shfrenuara antishqiptare të shovinizmit sllavo-maqedon e serbo-rus me anë të pushtetit represiv.

Prandaj, një pjesë e shqiptarve filluan t’i kthehen radikalizmit islamik, si reagim ndaj dhunës shtetërore të regjimit antishqiptar.

Në rethana të tilla na u paraqitën, pra, Alternativa për Ndryshim në Luginë të Preshevës dhe Lëvizja “Besa” në Maqedoni, duke arriti suksese të befasishme në zgjedhjet lokale të 24 prillit 2016 në komunën e Preshevës.

Por, mendësia xhihadiste afro-aziatike e qeverisjes së APN-së dhe Shqiprim Arifit, nuk u tolerua pafundësisht nga PVD, si partner koalicioni në komunën e Preshevës dhe më 10 mars 2017 u formua koalicioni i t’i qeverisës PVD -Grupi LRPDSH, më zonjën Ardita Sinani kryetare të komunës.

Por, askush nuk kishte pandehur së me këtë veprim do të revoltohej dhe do të tërbohej Serbia, si dhe do të reagoj ashpër vet Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 10 prill në një konferencë për shtyp në Leskovc.

Kështu, të mbështetur nga Serbia, APN e shpërfaqi mentalitetin e saj mesjetar dhe arrogancën ekstremiste e destruktive, duke shfaqur fytyrën e vërtetë anticivilizuese të bllokimit të funksionimit të Kuvendit të Komunës së Preshevës.

Prandaj, Qeveria e Serbisë, më 14 shtatorit 2017, për habinë e të gjithëve, emëroi Shqiprim Arifin kryetar të Organit të Përkohshëm, me dy anëtarë të APN-së dhe një të SNS-it, dmth partisë së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 

Në këtë mënyrë, regjimi antishqiptar i Serbisë e shkarkoi kryetaren legjitime, zonjën Ardita Sinani dhe emëroi vasalin e vet politik, si kryetar të dhunshëm të Komunës së Preshevës.

Me këtë veprim antishqiptar, Serbia ia la në dorë buxhetin komunal APN-së, për të abuzuar në mënyrë ekstreme me tendera dhe me paranë e taksapaguesve preshevarë, për pasurim personal e partial, si dhe për blerjen e votës së lirë në zgjedhjet e parakohëshme lokale të 24 dhjetorit 2017, si dhe në rivotimin e 28 janarit 2018 në njësinë zgjedhore numër 5.

Sipas disa ekspertëve financiarë lokalë, llogaritet se nga APN  janë abuzuar mbi tre milion euro nga buxheti komunal për blerjen e votës së qytetarëve të kësaj komune. 

Kjo i bie se për 15 mandatet e fituara, APN dyshohet të ketë paguar mbi 450 euro për një votë, ose reth 200 mijë euro për një këshilltar!!!

Poqese vërtetohen dyshimet e këtilla reth abuzimeve për blerjen e votës, atëherë Presheva do të shënonte një rekord të kobshëm  kriminal, që duhet të vihet para drejtësisë dhe të merr ndëshkimin e merituar, sipas ligjit.

Prandaj, është më se i domosdoshëm një auditim i brendshëm financuar, nga një kompani profesionale dhe e paanëshme, i  menaxhmentit dhe funksionimit të administratës së Kuvendit Komunal të Preshevës për vitin 2016 e deri në fund të mandatit të Organit të Përkohshëm, dmth të zgjedhjes së kryetarit të Komunës në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të parakohëshme lokale të 24 dhjetorit 2017 dhe rivotimit të 28 janarit 2018.

Qytetarët e Komunës së Preshevës kanë të drejtë të kërkojnë që të zbardhen prapaskenat e keqpërdorimeve dhe abuzimeve me buxhetin për qëllime korruptive të blerjes së votës së lirë dhe vullnetit politik të tyre për të ardhur në pushtet në mënyrë abuzive dhe joligjore, manse edhe kriminale. 

Sepse, para zgjedhjeve, në mënyrë joligjore, pa kurrëfarë procedurash ligjore u shpenzuan miliona euro për “asfalltim ekspres” dhe rregullimit me kubëza betoni, si dhe vendosjen e shtyllave elektrike e ndriçimit elektrik të rrugëve e rrugicave, madje dhe oborreve të shtëpive private. Sidomos në ato lahme e vendbanime ku llogaritej se do të votonin për parti të tjera. Kështu u vepruar më disa rrugica në fshatin Zhunicë, në Norçë, Miratoc, Corroticë dhe në shumë venvotime në Preshevë, ku disa familje që kishin votuar tradicionalisht për PVD-në, BDL-në apo PDSH-në, ata brenda natës mdryshuan qëndrim.

Ndërkaq, edhepse dyshohet se APN me SNS-in abuzuan aq rëndë, është çudi e madhe së si nuk arritën që së paku 60-70% të votave nuk i fituan qysh më 24 dhjetor 2017 dhe u detyruan që të bëjnë  kalkulime djallëzore në rivotimin e 28 janarit 2018 në njësinë zgjedhore numër 5, duke ia dhuruar listës serbe 41 vota, me qëllim të eliminimit të UDSH-së-Naser Azirit dhe ia mundësuan kalimin e pragut zgjedhor Listës serbe dhe fitoren e dy këshillëtarve serbë, si partnerë të qeverisjes në Organin e Përkohshëm.

Në këtë mënyrë ata llogaritën dhe ia dolën që t’u merren dy mandate shqiptarve, një LR PDSH dhe një UDSH-së dhe me marrëveshje sekrete nga prapaskena, ia mundësuan serbëve dy mandatet e përmendura, duke shpresuar të krijojnë shumicë qeverisëse prej 20 këshilltarëve: APN (15) + LR PDSH (3) + Lista serbe (2).

Në të kundërtën, poqese APN nuk do merrej vesh më Listën serbe për dhurimin e votave të përmendura, serbët edhe kësaj radhe nuk do të hynin në Kuvend dhe rezultati do të mbetej baraz, 19:19, që do të thotë se do të shkonim në zgjedhje të reja lokale.

Natyrisht se, sipas taktikës së kaherëshme antishqiptare të Serbisë, APN si vasale e SNS-it, e hudhi gurin dhe “e mëshefi dorën”, duke i akuzuar partitë tjera të shqiptarve për këtë “tradhëti kombëtare”?!

Realisht, APN është e interesuar që me ndihmën eventuale të tre këshillëtarëve të LR PDSH-së, të hyjë në koalicion me Listën serbe, për ta qeverisur komunën e Preshevës në mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2018-2022, të varur nga vullneti politik i (dy) këshillëtarëve serbë.

Kurse, në anën tjetër kemi: PDSH (11) + PVD (6) + BDL (1) = 18 këshilltarë shqiptarë, që me LR PDSH (3) do të krijonin mazhotancën prej 21 këshillëtarëve shqiptarë, të cilët do të mund ta qeverisnin komunën e Preshevës të pavarur dhe të pakushtëzuar e të pashantazhuar nga Lista serbe.

Rrjedhimisht, çështja është në vullnetin e LR PDSH-së se a do t’i bashkëngjitet APN-së dhe së bashku me serbët ta formojnë shumicën qeverisëse, apo do i bashkëngjitet partive politike të shqiptarve dhe do e qeverisin komunën e Preshevës në periudhën 2018-2022 nga koalicioni qeverisës i shqiptarve.

Pra, mbetet të shihet se a do të formohet koalicioni më APN dhe Listën serbe, i cili objektiv politik kryesor ka përcaktuar realizimin e Planit Aksional (2017-2021) të Qeverisë së Serbisë për kolonizimin e Preshevës me serbë, apo do të ndodhë e kundërta, dmth formimi i koalicionit qeverisës të shumicës shqiptare, që është kategorikisht kundër këtij Plani.