Friday, December 22, 2017

Skandali me “Planin Aksional”, APN dhe mesel(e)ja e “khanziriun”-it apo mishit të derrit


IMG_1689.jpeg

Shkruan: Nehat Hyseni 


Komuna e Preshevës, aktualisht, në këto ditë të acarrit dimëror dhe në vigjilie të festave të fundvitit dhe të vitit të ri, pikërisht në ditën e Kërshëndellave, më 24 dhjetor 2017, do të ketë votimet për zgjedhjen e përbërjes së re të Asambleistëve, dmth të Kuvendit Komunal.

Karakteristikë e veçantë e kësaj fushate është se garojnë numri rekord prej dhjetë partive e subjekteve të ndryshme politike të shqiptarve, që mezi arrijmë t’i numërojmë, të regjistruara e të paregjistruara, që garojnë me shtatë lista zgjedhore dhe me disa koalicione parazgjedhore.

Fushata parazgjedhore, si dhe gjendja politike në Preshevë është e tensionuar maksimalisht, për hirë të së vërtetës, gjatë tërë vitit 2017, kryesisht nga arroganca dhe agresiviteti i shfrenuar i APN-së, që i ka shpallur luftë politikbërjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës, duke mohuar Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, luftën e UÇPMB-së dhe të gjitha veprimtaritë e deritanishme patriotike të shqiptarve. 


Prishja e koalicionit APN-PVD 


Kulmi i tensioneve politike midis koalicionit qeverisës APN-PVD u arrit në fundvitin e kaluar, kur Shqiprim Arifi, kryetar i APN-së dhe si kryetar i komunës së Preshevës, në mënyrë klandestine dhe me arrogancë banditeske, synoi që t’ia imponoj Këshillit Komunal një projekt, të hartuar nga Beogradi, “Planin Aksional Lokal (2017-2021)” për kolonizimin e Preshevës me serbë, apo kriminelë të shpërngulur nga luftërat Kroacia, Bosna dhe Kosova, të cilët për shkak se kanë bërë krime dhe për arsye të tjera, nuk mund të kthehen në vendlindjet e tyre.

 Gjithashtu, më këtë Plan Aksional parashihet vendosja në Preshevë edhe të një numri të konsiderueshëm të refugjatëve nga Afganistani, Siria, Iraku, etj., për të cilët përcaktohet obligimi i komunës së Preshevës që t’ua ndaj ngastrat, t’ua ndërtoj shtëpitë, t’i “akomodoj dhe t’i integroj”, si dhe t’i punësoj.


Si plasi ky skandal?


Skandali reth “Planit Aksional Lokal”, që është hartuar në Beograd, i ishte imponuar edhe Riza Halimit, kryetar i PVD-së dhe asokohe kryetar i komunës së Preshevës, edhepse i përmsave shumë më të vogla, para pesëmbëdhjetë vitesh, meqë asokohe nuk kishte ndodhur akoma lufta në Bosne dhe në Kosovë, si dhe lufta në Siri dhe Irak dhe nuk kishte valë refugjatësh nga Lindja e Afërtë dhe nga Lindja e Mesme.

Asokohe, në Planin e tillë Aksional për serbizimin e komunës së Preshevës insistohej që kolonët e serbë nga Kroacia të vendoseshin në “vendbanime të urbanizuara”, dmth në qytet dhe pjesërisht në Stacionin Hekurudhor, që është vendbanim i urbanizuar, i banuar me popullatë të koncentruar serbe, një lloj i Fushë Kosovës së Prishtinës, si lokacion ku është e vendosur pothuajse e tërë ndërrmarrësia socialiste apo shtetërore. 

Madje, në kohën e regjimit fashist të Sllobodan Millosheviqit filloi të qarkulloj edhe ideja për ndarjen e Preshevës në dy komuna: në komunën “perëndimore”, të banuar pothuajse 100%, dmth ekskluzivisht me shqiptarë, me selinë aktuale, dmth qytetin e Preshevës, për të cilin asokohe Serbia llogariste edhe në përkrahjen e shqiptarve, meqë pretendonte se me këtë do të krijohej iluzioni i përmbushjes së kërkesave të kahëmotëshme dhe dëshirat e shqiptarve për bashkim më Kosovën, që ishte edhe kauzë e Referendumit dhe Luftës së UÇPMB-së gjatë vitit 2000-2001.

Natyrisht se komuna “lindore”, me seli në Stacionin Hekurudhor, do të përfshinte Cakanocin dhe pothuajse të gjitha fshatrat e pjesës lindore, dmth nën hekurudhë dhe autostradë, apo në lindje të Korridorit 10, si aset gjeostrategjik kombëtar me rëndësi të jashtëzakonëshme për Serbinë dhe për gjeopolitikën rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, kjo ide e regjimit të Millosheviqit dhe pasuesve të tij, llogariste edhe në mbështetje të partive të politikbërjes së shqiptarve në Luginë të Preshevës, meqë nxiste emocionet dhe iluzionet për “Bashkim me Kosovën”, duke krijuar alibi dhe pretekst të shkëlqyer që Serbia t’i akuzoj shqiptarët e Luginës së Preshevës para faktorit ndërkombëtar se “shqiptarët në Serbi nuk janë të diskriminuar” dhe se nuk kërkojnë të drejtat që atyre u garantohen me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. 

Por, “shqiptarët e jugut të Serbisë kërkojnë ndryshimin e kufijve mdërshtetërorë dhe destabilizimin e rajonit të Ballkanit”, arsyetohej Serbia para ambasadave të shteteve demokratike në Beograd dhe para opinionit ndërkombëtar.

Serbia, duke keqpërdorur dhe përdhosur ndjenjat patriotike dhe sublime të shqiptarve të Luginës së Preshevës për bashkimi me Kosovën, që ishin deklaruar edhe me Referendum, ushqente këtë iluzion, duke siguruar mbështetjen popullore për politikbërjen që premtonte kinse “Bashkim me Kosovën “. 

Pra, Serbia realizonte me sukses balancën midis interesave strategjike të saja, shtetërore e pansllaviste, duke dirigjuar dhe duke orientuar nga Beogradi skenën dhe kahet e politikbërjes së pavarur të shqiptarve në Luginë të Preshevës,  në drejtimin e dëshiruar, duke komprometuar dhe minuar çdo tentativë institucionale të politikbërjes së shqiptarve për zgjidhjen e problemeve dhe për realizimin e të drejtave kombëtare të tyre në Serbi.

Në kushtet e mospërfilljes reale të kauzës kombëtare dhe të gjendjes alarmante të shqiptarve të Luginës së Preshevës nga Tirana dhe Prishtina, Serbisë i janë lënë duartë plotësisht të lira për të vepruar sipas interasave të saja antishqiptare e anticivilizuese ndaj kësaj pjese të Shqiptarisë!


Misionarët 


Kështu, Serbia e Aleksandar Vuçiqit, duke stimuluar, nxitur dhe duke trajnuar e financuar persona dhe parti politike shqiptare, për realizimin e synimeve dhe pretendimeve të kahëmotëshme gjenocidale ndaj shqiptarve dhe për ndryshimin e strukturës etnike të Luginës, me fokus të veçantë në komunën e Preshevës, si lidere dhe si strumbullare e politikbërjes së pavarur të shqiptarve në Serbi, i ka shpallur luftë të ashpër partive politike “të vjetra”, duke mbështetur dhe financuar nga “fonde të zeza”, mbështetjen nga radhët e politikbërjes aktuale të shqiptarve për Planin Aksional Lokal, dmth për ndryshimin e strukturës etnike të  komunës Preshevës dhe Luginës, me koalicionit e pashpallur APN-SNS.


“Khanziriun”-it apo mishit të derrit


Në gjuhën arabe “khanziriun” (خنزيري) i thonë derrit, kurse “lahm khanziriun” (لحم خنزير) i thonë mishit të derrit, që sipas fesë islame, të cilës i përkasin pothuajse të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, është i ndaluar për ta konzumuar myslimanët. Pra, ngrënia, madje edhe vetëm prekja e mishit të derrit, është tabu ose “haram” për myslimanët.

Ky fakt është i njohur për të gjithë myslimanët kudo në botë. 

Prandaj edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe kjo është ditur dhe e respektojnë me devotshmëri e vigjilencë të veçantë.

Por, ajo që më shtyri t’i rrekem kësaj teme të mirënjohur nga të gjithë dhe me plotë të drejtë do të thotë ndokush nga lexuesit e nderuar se unë këtu nuk po e “zbuloj Amerikën”. 

Po, lexuesë të nderuar, keni plotësisht të drejtë!

Por, arsyeja e drejtpërdrejtë që më shtyri që ta bëjë një “sqarim” të kësaj çështjeje është pikërisht Plani Aksional i Beogradit, për kolonizimin e Preshevës me serbë dhe për ndryshimin e strukturës etnike të Luginës.

Po çfarë lidhje paska “khanziriun” apo konzumimi i mishit të derrit dhe Plani Aksional?

Natyrisht se nuk ka kurrëfarë lidhjeje midis tabusë apo “haramit” të konzumimit të mishit të derrit dhe Planit Aksional, aq shumë të përfolur gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale të 24 dhjetorit 2017 në Preshevë.

Por, ajo që më shtyri për t’i bërë këto krahasime ka të bëjë me besimin dhe devotshmërinë ndaj një kauze apo ideologjie, qoftë kombëtare, fetare, etj.

Të kuptohemi dhe të sqarohemi deri në fund, miq të nderuar se unë këtu, ju them me sinqeritetin më të madh se nuk kam për qëllim të predikoj fenë, e aq më pak të luaj rolin e predikuesit islamik.

Përkundrazi!

Por, hutia që pretendohet t’u imponohet qytetarëve të Luginës së Preshevës, kryesisht nga APN-SNS-i dhe ndonjë aleati tjetër të tyre ideologjik, që sillen si “maca nën sofër”, duke pritur që të përfitojnë ndonjë trohë buke, apo ndonjë asht për ta lëpirë nga zgjedhjet e 24 dhjetorit.


“Plani Aksional “ si “narezaku” jugosllav?


Meqë RSFJ e Titos kishte raporte shumë të mira me vendet arabe, shumë ndërmarrje dhe punëtorë ishin punësuar në Lindjen e Afërt, në Libi, Irak, etj., edhe një bashkëvendas preshevar, si mjeshtër i hidroizolimit, kishte punuar në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar në Irak.

Në kushte të vështira klimatike të motin e nxehtë e përvëlues që mbretëronte atje , me temperatura të padurueshme, firmat jugosllave kishin punësuar edhe fuqinë e pakualifikuar, por shumë të lirë vendase.

Punëtorët jugosllavë, shumica të krishterë ortodoksë, por kishte edhe katolikë nga Kroacia dhe Sllovenia, ushqeheshin për “marendë” në vendet e punës në kantieret e ndërtimit, kryesisht me mish derri, sidomos me “narezakun” famoz të prodhuesve jugosllavë.

Duke e ditur se myslimanët vendas e kanë të ndaluar, ata qëllimisht ua ofronin punëtorëve vendës konzervat me mish derri, të cilët e refuzonin, duke bërtitur “haram”, “haram”!

Por, jugosllavët me djallëzi dashakeqe e tendencioze u “sqaronin” atyre: “no hanziriun”, “jedi, jedi” (“jo derri, ha, ha”).

Kurse, punëtorët vendës, thatanikë dhe dukshëm të paushqyer, tregonin me gisht konzervën e “narezakut”, ku ishte fotografia e kokës së derrit dhe teksti i shkruar i përmbajtjes së saj.

Atëherë, vazhdonte tregimin mjeshtri shqiptar nga Presheva, jugosllavët u “sqaronin”: “leysa, leysa, no, no hanziriun, akela, jedi, jedi!”... (jo derri, ha, ha...).

Pas këtyre “sqarimeve” të punëtorëve jugosllavë, thoshte preshevari, fillonin “dilemat” tek punëtorët myslimanë vendas:

Vallë, a t’i besonin ata myslimanë të vobektë, të paushqyer mirë dhe të ndjerë, syve të tyre dhe fotografisë së qartë të derrit në konzervën e “narezakut” jugosllav dhe të mbeteshin të uritur, apo t’i besonin veshëve të tyre së çfarë u thoshin dhe i bindnin ata me “sqarimet” e tyre djallëzore?!

Kjo “dilemë hamletiane”, tregonte ky preshevar, nga punëtorët myslimanë vendas “zgjidhej”, duke i ndarë në dy grupe, apo taborre të ashpërsuara midis veti myslimanët vendës:

Në njërin taborr ishin ata të cilët, si myslimanë devotshëm, ishin të vendosur dhe kategorikisht refuzonin “narezakun” duke bërtitur se është haram, duke mos u besuar fjalëve të jugosllavëve, por syve të tyre, që ashiqare dhe shumë qartë shihej nga fotografia në të. Kuptohet se këta e refuzonin konzumin e këtij mishi të derrit dhe u sugjeronin që edhe myslimanët e tjerë, kategorikisht ta refuzojnë!

Kurse, nga ana tjetër ishte grupin i të luhatshmëve, të cilët donin që t’u besonin “sqarimeve” të jugosllavëve se, përkundrejt që është fotografia e derrit, megjithatë, ata nuk u besonin syve, por u besonin veshëve të tyre, pra fjalëve të jugosllavëve dhe mbushnin barkun e ngopeshin me mish derri nga “narezakut” jugosllav.


Kujt do t’i besojnë preshevarët?


Tani, kur jemi vetëm pak ditë para 24 dhjetorit, kur qytetarët e komunës së Preshevës do të dalin në zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale, realisht, ata do të deklarohen midis dy opsioneve kryesore, si një Referendum i Dytë i tyre: “Pro” dhe “Kundër” kolonizimit të Preshevës me serbë dhe refugjatë të tjerë, duke ia ndryshuar përgjithmonë dhe në mënyrë të pakthyese strukturën etnike kësaj komune dhe Luginës së Preshevës.

Kështu, mbase do të “zgjidhej” çështja e shqiptarve në Luginë të Preshevës, sipas diktatit të koalicionit APN-SNS dhe do i sigurohej rrugëtimi i qetë drejtë anëtarësimit të saj në Unionin Europian dhe i pa brenga, obligime e telashe për plotësimin e kërkesave të vendosur e këmbëngulëse të “politikbërjes së vjetër”, të cilën, sipas misionarëve të Serbisë që janë futur si “kali i Trojës” brenda politikbërjes së pavarur të shqiptarve, për të na “sqaruar” se “Plani Aksional” nuk është projekt i regjimit antishqiptar të Serbisë për ndryshimin e strukturës etnike të Preshevës, ashtu siç nuk ishte “narezaku” Jugosllav me përbërje të mishit të derrit, që është kundër parimeve fetare myslimanë, ashtu siç është Plani Aksional, projekt antishqiptar i Serbisë, për kolonizimin dhe shkombëtarizimin e kësaj pjese Shqiptarisë.

Në pyetjen se, vallë, kujt duhet realisht t’i besojnë preshevarët dhe kë ta votojnë më 24 dhjetor, kemi vetëm një përgjigje. Të gjithë ata që i besojnë syve të vet, do të votojnë kundër “Planit Aksional” për kolonizimin e Preshevës me serbë dhe ndryshimin të strukturës së saj etnike, dmth kundër koalicionit APN-SNS dhe satelitëve të tyre.

Kurse, ata të cilët nuk u besojnë asaj që po shihet ashiqare si politik antishqiptare, por u besojnë veshëve të tyre, se çfarë po u thonë e po u “sqarojnë” misionarët e Serbisë, të cilët pohojnë të kundërtën, ata do të votojnë të kundërtën. Sikur, puna e “narezakut”!

Ndërkohë, duhet sqaruar se, sipas parimeve islame dhe ligjëratave të hoxhallarëve gjithandej, thuhet se mjafton vetëm dyshimi i bazuar se një ushqim ka përmbajtje të mishit të derrit, që të deklarohet si tabu apo “haram” për ta konzumuar.

Kurse, krerët e APN-SNS-it dhe satelitëve të fshehtë të tyre, mohojnë dyshimet dhe argumentimet tona eksplicite, të bazuara në atë se çfarë shkruhet “e zeza mbi të bardhë”. në 49 faqet e “Planit Aksional”, ku parashihet qartë projekti makabër për shkombëtarizimin e kësaj pjese të Shqiptarisë!

Shpresojmë dhe besojmë fuqimisht se preshevarët do t’i thonë jo këtij Plani dhe vasalëve të Serbisë, në zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale, të dielën, më 24 dhjetor 2017.

Me fat!!!

Pasqyrë e rezultateve të pritëshme nga Zgjedhjet e parakohëshme lokale të 24 dhjetorit 2017



APN .........     9

PDSH .......    9

UDSH........    1

LR PDSH ..     4

PVD  ........    10

BDL-NRP...     2

Lista serbe     2                                   

PD ............     1

-——————

Gjithsej         38


Thursday, December 21, 2017

“Evliaja” i Vuçiqit për serbizimin e Preshevës!



     

         “Fanatizëm n’paç për fé,

            Atdhetar i drejt nuk je”

            Hilë Mosi (1885-1933)

IMG_1689.jpeg

Shkruan: Nehat Hyseni 


Në kushtet e realitetit skajshmërisht të hidhur, si komuniteti aktualisht më i diskriminuar në Europë, preshevarët zhvilluan fushatën intensive parazgjedhore gjatë dy javëve të kaluara dhe më 24 dhjetor do të dalin në votime, për t’ua dhënë verdiktin atyre që u besuan.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës gjënden si në “gojë të ujkut, nga agresiviteti Serbi-rus dhe antishqiptar, i cili, siç thonë preshevarët, “uji flen, por Serbia nuk flen”.

Në rrugëtimin e saj drejtë anëtarësimit në BE, me mbështetjen e fuqishme të Babës Rus, Serbia ka arritur suksese të jashtëzakonëshme që ta mbaj fuqishëm serbizmin në Kosovë dhe ta rrezikoj për vdekje shqiptarizmin në Luginë të Preshevës.

Kurse, Shqipëria gjatë kësaj kohe po e aplikon “shpikjen” e Albin Kurtit, hedhjen e tymit në Parlament dhe rrëmujën e paparë, për ta penguar zgjedhjen e prokurores, si gjënë më të rëndësishme në këtë botë, meqë ajo do vendosë se kujt do “fusë”, e kë do e kursej në arenën e gladiatorëve të establishmentit politik shqiptarë.

Ndërkaq, skena e politikbërjes kosovare gjendet para realitetit të Qeverisë në këmbë të qelqëta dhe kryeministrit që vetëdeklarohet si “macë”, si dhe një lider politik, Albin Kurti është i burgosur dhe shpallet nga bashkëpartiakja e tij si lider i m*tit.

Preshevarët, pra, të gjendur në sendviç midis makinerisë agresive serboruse dhe tymnajës e rrëmujës së vazhdueshme politike në Kosovë e Shqipëri, kërkojnë shpëtim.

Prandaj, si prej qiellit piku “shpresa” që na solli Presidenti Aleksandar Vuçiq tre vite më parë, filialën e partisë së vet, SNS-it, Shqiprim Arifin e trajnuar si agjent të vetin, për ta sjellë “ndryshimin” në Luginë të Preshevës.


“Evliaja” e Livoçit 


Mjerisht, në gjendjen e pashpresë dhe skajshmërisht të zymtë, njerëzit fillojnë të besojnë në “mrekulli”. 

Para shumë vitesh, në viset shqiptare gjithandej, por edhe tek preshevarët ishin përhapur lajmet për “evliatë”, të cilët e shihnin pacientin, pa e pyetur fare, menjëherë e diagnostikonin dhe ua gjenin “ilaçin”. 

“Evliaja” e Livoçit dhe “evlia” të tjerë asokohe ishin bërë shumë të popullarizuar, me shumë autoritet, gati hyjnor!

Njerëzit i konsideronin dhe respektonin si perëndi, apo si “të dërguar të Zotit, me fuqi dhe aftësi çudibërëse mbinjerëzore.

Kolonat e gjata të hallexhinjëve para dyerve të “evliave” ishin të pafund, madje njerëzit kalonin natën duke pritur për mos ta humbur radhën në kërkim të “shpëtimit”.

Por, për befasinë dhe dëshprimin e të gjithëve, një ditë doli lajmi se “Evliaja” e Livoçit dhe disa të tjerë u burgosën, meqë u mor vesh se paskan qenë mashtrues?!

Zhgënjimi dhe dëshprimi i popullatës dhe hallexhinjëve ishte i madh, madje I pafund. Dikujt i dhimbësej fati i keq i atyre njerëzve “hyjnorë”, por të gjithëve pikëllimin dhe dhëmbjen më të madhe atyre ua solli humbja e shpresës se më një prekje dore, dmth me një magji do merrnin fund të gjitha brengat dhe hallet e tyre.


Mrekullia e “bioenergjisë”


Pas “evliave” kaluan shumë vite dhe u paraqitë “mrekullia e dytë”, kësaj here më e sofistikuar, meqë ishte e përzier edhe me elemente shkencore të mjekësisë. 

Pra, na u paraqit mrekullia e “bioenergjisë”!

Brenda natës u zbuluan vetitë “çudibërëse” të shumë personave se kishin aftësi të shërimit të shumë sëmundjeve, pa e prekur fare pacientin.

Vazhduan kolonat e gjata të pritjes para dyerve të këtyre njerëzve për t’u shëruar me këtë “mrekulli”. 

Madje, shumë njerëz filluan të dyshojnë se edhe ata vet posedonin “aftësi” të tilla enigmatike. 

Por edhe kësaj “mrekullisë” së bioenergjisë, ashtu si “evliave”, i erdhi fundi dhe u harruan.


Në pritje të “shpëtimtarit”


Por, hallet e preshevarëve nuk pushuan.

Madje ato, pamëshirshëm, vetëm sa shtohen,pafundësisht!

 Ashtu si edhe zhgënjimet e të rinjëve se do të vijnë ditë më të mira. 

Sidomos kur u pa puna se Lugina e Preshevës edhe pas luftës së ‘99-tës në Kosovë dhe luftës së UÇPMB-së (2000-2001) mbeti nën Serbi dhe nuk u realizua deklarimi në Referendumin e 1992, as për Autonomi e as për bashkim me Kosovën, si dhe mospërfshirja e çështjes së shqiptarve të Luginës në Dialogun e Brukselit. Madje nuk u përfshinë dhe nuk u përmendën fare në Marrëveshjen e 19 prillit 2013, si dhe në atë të 25 gushtit 2015.

Zhgënjimi dhe dëshprimi i  preshevarëve akoma më shumë u shtua. Ekzodi i tyre drejtë Europës dhe Kosovës, pas viteve 199-2001, mori sërish intensitet dhe boshatisja e Luginës së Preshevës, pas gëlltitjes së Medvegjës, rrezikon gjithënjë e më shumë Bujanocin dhe Preshevën.

Në këtë situatë të vështirë dhe skajshmërisht të pashpresë, na erdhi “mrekullia” tjetër, kësaj radhe jo në mjekësi, por në politikbërjen preshevare.

Si i porositur nga qielli, nga Gjermania na erdhi vehabisti dhe selefisti islamik, i tarafit të atyre që hodhën bomba dhe bënë masakra në Bruksel, Paris, dhe po e tmerrojnë për çdo ditë e më shumë Europën më sulmet e tyre terroriste.


“Evliaja” preshevar


 Shqiprim Arifi, i cili si “evlia” na u paraqit në skenën e politikbërjes preshevare kah mesi i vitit 2015, si “mrekulli” e radhës, por jo vetëm në mjekësi ku bashkëshortja e tij bënë “çudira”, por edhe në politikë.

Ashtu siç “evlijatë” dikur sfiduan mjekësinë, e cila sipas tyre ishte e “pasuksesëshme” meqë nuk i kishte çrrënjosur të gjitha sëmundjet dhe nuk i kishte zgjidhur të gjitha hallet e tyre, Shqiprim Arifi me qortim dhe mllef e drejtoi gishtin kah partitë shqiptare të Luginës së Preshevës, si fajtore për gjendjen diskriminuese të shqiptarve në Luginë të Preshevës.

Sikur “evliaja” e shquar e Livoçit dikur, por dhe “Burdushi” sot në Kosovë, që është edhe yll mediatik, meqë bënë 

“mrekulli”, edhe Shqiprim Arifi është bërë “yll” i vërtetë mediatik në mediat e Beogradit dhe në tërë Serbinë. 

Fotografia e Shqiprim Arifit me frizurën e tij karakteristike, bukvalisht i ka uzurpuar faqet e para të gazetave serbe, me deklaratat dhe premtimet e tia pompoze, se do e “dërgoj në pension politikbërjen e vjetër 27 vjeçare” të shqiptarve të Luginës së Preshevës”.

Natyrisht se, si çdo “evlia” edhe Shqiprim Arifi ka aftësi çudibërëse, të “mrekullibërjes” dhe ka bindur shumë njerëz hallexhinjë, sidomos një pjesë të rinisë, por dhe ambasadat e shteteve demokratike në Beograd, se fajin për gjendjen e mjerë dhe diskriminuese të shqiptarve në Luginë të Preshevës, nuk e ka Serbia, por “fajin e kanë partitë e vjetra”, të cilët “nuk janë lojalë ndaj Serbisë” dhe “problemet e shqiptarve dojnë t’i zgjidhin me Tiranën e Prishtinën, e jo me Beogradin”.

 Prandaj, Referendumi, lufta e UÇMB-së dhe rrezistenca kombëtare e shqiptarve, sipas tij , ishte e gabueshme!

Shqiprim Arifi këmbëngul se Plani Aksional Lokal (2017-2021) i hartuar nga Qeveria e Serbisë në Beograd, për kolonizimin e Preshevës me kriminelë serbë të ikur nga luftërat serbe në Kroaci, Bosne e Kosovë dhe me refugjatë të tjerë, duhet miratuar. 


Stop, Planit Aksional!


Ai këtë dokument për serbizimin e Preshevës e ka nënshkruar, që shkaktoi edhe prishjen e koalicionit qeverisës APN-PVD dhe është në pritje të zgjedhjeve të 24 dhjetorit, për ta realizuar këtë projekt makabër e antishqiptar, që pretendon ndryshimin e strukturës etnike të Preshevës dhe Luginës.

Aftësia “mrekullibërëse” e Shqiprim Arifit, si “evlia” i Vuçiqit, ka premtuar se do e bëjë “popllavë” Preshevën!

Zgjedhjet e 24 dhjetorit janë shpallur si “Referendum i Dytë” i preshevarëve, përballë APN-së dhe kryetarit të saj, Shqiprim Arifit, kundër Planit Aksional të Qeverisë së Serbisë për serbizimin e Preshevës dhe partive që janë kundër.

Shpresojmë dhe urojmë që të fitoj kësaj radhe opsioni politik i udhëhequr nga femra e parë kandidate për kryetare të komunës në historinë e Luginës së Preshevës dhe ndër të rallat në mbarë Shqiptarinë, e cila do i prijë me sukses dhe dinjitet koalicionit paszgjedhor të qeverisjes së Komunës së Preshevës, në mandatin e ardhshëm katërvjeçar (2017-2021), duke stopuar dhe pamundësuar implementimin e synimeve antishqiptare e pansllaviste të SNS-it dhe regjimit të Serbisë për ndryshimin e strukturës kombëtare dhe rikolonizimin me serbë të Komunës së Preshevës.












Sunday, December 17, 2017

Si don ta bëjë “ndryshimin” APN në komunën e Preshevës?


Shkruan: Nehat Hyseni 

Po, është e vërtetë se Shqiprim Arifi pretendon që ta “ndryshoj gjendjen” në Luginë të Preshevës. 
Natyrisht, sipas Planit Aksional dhe ta kolonizoj me serbë.
Prandaj, detyrë e tij është kthimi 30 vjet mbrapa, dmth në kohën e Sllobodan Millosheviqit, që i bie në vitin 1987.
Asokohe nuk kishte parti politike shqiptare, kurse beteja kombëtare zhvillohej brenda LK. 
Pasuan përjashtimet nga LK dhe nga puna gjithandej në Kosovë, por dhe në Preshevë nga Q.A.“Skënderbeu” u përjashtuan 36 profesorë dhe drejtori Riza Halimi.
Këta profesorë të përjashtuar nga puna formuan partitë politike të shqiptarve: PVD Riza Halimi, profesor i fizikës dhe nga SHPD më vonë doli PDSH-Ali Ahmedi, profesor i biologjisë.
Kështu, politikbërja e shqiptarve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës u bë e pavarur nga Leskovci e Beogradi.
Pikërisht kjo po i dhem Serbisë dhd solli Shqiprim Arifin dhe APN-në, për ta dërguar “në pension” këtë politikbërje të pavarur të Shqiptarve nga Serbia.
APN dhe Shqiprim Arifi është personi ideal: si vehabist dhe ekstremist islamik, ai është më i përshtatshëm për këtë mision serbo-rus në Luginë të Preshevës.

Pse?

Sepse, si i tillë që është, Shqiprim Arifi më lehtë depërton edhe në xhamia, në mjediset tons ku shqiptarët janë pothuajse të gjithë myslimanë, si dhe kur të kryhet misioni i tij, dmth kolonizimi i Luginës së Preshevës me serbë dhe ndryshimi i strukturës kombëtare të saj, Shqiprim Arifi është lehtë të hiqet nga skena politike, duke u akuzuar si radikalist islamik i proviniencës xhihadiste që po e terrorizon Europën me sulme me bomba  dhe vrasje masovike në Bruksel, Paris, Gjermani, etj.
Pra, pasi ta kryej misionin e tij, si “limon i shtrydhur” dhe i panevojshëm për Serbinë, do të jetë shumë më lehtë të hiqet nga skena politike. 
Madje shumë më lehtë se që ishte për Millosheviqitn heqja e Rrahman Morinës me “sulmin në zemër” gjatë mbledhjes së LK, të cilën e kryesonte ai.
Asokohe Rrahman Morina mendonte se ne shqiptarët e kishim gabim dhe na thoshte se kemi “me ia pa sherrin” politikës së Ibrahim Rugovës dhe kokëfortësisë tonë dhe refuzimit të politikës së Serbisë së Millosheviqit, ashtu siç po na thotë e po na kërcënohet sot Shqiprim Arifi, se do të na “dërgoj në pension”, madje edhe se do ta burgosë zonjën Ardita Sinani, duke u mbështetur nga regjimi antishqiptar i Vuçiqit, pjesë e të cilës është.

Wednesday, December 13, 2017

Zgjedhjet lokale të 24 dhjetorit, referendum për ruajtjen e substancës kombëtare të shqiptarve në Luginë të Preshevës



IMG_1689.jpeg

Shkruan: Nehat Hyseni 


Në komunën e Preshevës, pas suspendimit të Kuvendit dhe shkarkimit të kryetares legjitime të komunës, zonjës Ardita Sinani, me dekretin e Qeverisë së Serbisë të 14 shtatorit 2017, janë shpallur zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale për datën 24 dhjetor 2017.

Në këto zgjedhje marrin pjesë gjithsej 16 parti dhe subjekte politike dhe garojnë me tetë lista zgjedhore. 

Shqiptarë do të garojnë me dhjetë parti dhe subjekte politike, në shtatë lista zgjedhore.

Kurse, gjashtë partitë dhe subjekte politike të serbëve të komunës së Preshevës,  kësaj radhe, ashtu sikur serbët e Kosovës në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017, do të marrin pjesë në zgjedhje me një listë të vetme dhe unike.

Lista Srpska preshevare, zyrtarisht quhet “Lista Aleksandar Vučić-Za jedinstvenu Srbiju” (“Lista Aleksandar Vuçiq-për Serbinë unike”) dhe përbëhet nga gjashtë parti politike të serbëve, të cilët përbëjnë reth 5% të popullatës së komunën së Preshevës: SNS, PUPS, SPS, “Serbia e Bashkuar”, SRS dhe “Lëvizja e Socialistëve” dhe garojnë me gjithsej trembëdhjetë kandidatë për Asamblenë komunale.

Radhitja zyrtare nga Komisioni Komunal i zgjedhjeve i listave zgjedhore të pjesëmarrësve në zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale të 24 dhjetorit, është si vijon:

1. Alternativa për ndryshim – APN

2. Partia Demokratike Shqiptare – PDSH

3. Unioni Demokratik i Shqiptarëve – UDSH

4. Lëvizja për Reforma e PDSH – LRPDSH

5. Partia për Veprim Demokratik – PVD

6. Bashkimi Demokratik i Luginës – BDL

7. Lista serbe e përbërë nga gjashtë parti politike serbe: SNS, PUPS, SPS, Serbia e Bashkuar, SRS dhe Lëvizja e Socialistëve dhe

8. Partia Demokratike – PD


Duhet theksuar se deri te shpërbërja e Kuvendit Komunal të Preshevës erdhi me bllokimin e punës nga APN e Shqiprim Arifit dhe PDSH e Ragmi Mustafës dhe me shkarkimin e kryetares Ardita Sinani, me dekret nga Qeveria e Serbisë.

Mollë sherri midis asambleistëve komunalë ishte Plani Aksional i Qeverisë së Serbisë për kolonizimin e Preshevës me kolonë serbë dhe refugjatë të tjerë, me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike të kësaj komune me shumicë shqiptare në Serbi.

Prandaj, edhepse garojnë dhjetë parti politike të shqiptarve në shtatë lista zgjedhore, megjithatë, kemi të bëjmë me dy blloqe, apo opcione kryesore politike: “Pro” dhe “kundër” Planit Aksional Lokal të Qeverisë së Serbisë.

Aktualisht, vetëm APN, si filialë apo degë e SNS-it të Presidentit  aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është me këmbëngulje dhe arrogancë në mbrojtje të këtij Plani dhe është e sponzorizuar fuqishëm dhe me presione, shantazhe e agresivitet të paskrupulltë nga Qeveria e Serbisë.

Për këtë qëllim edhe është emëruar Shqiprim Arifi, bashkë me bashkëpartiakun e tij të devotshëm, Armend Aliun dhe me një anëtar serb të SNS-it, në Organin e Përkohshëm apo Masat e dhunëshme të Serbisë në Komunën e Preshevës.

Vlerësohet se asnjëherë deri më tani, në 27 vjet të pluralizmit politik, Serbia kurrë nuk ka qenë më agresive ndaj politikbërjes së pavarur të shqiptarve në Luginë, e sidomos në Luginë të Preshevës. 

Kështu, Shqiprim Arifit Serbia ia ka lënë duartë e lira që ta shfrytëzoj buxhetin komunal prej reth shtatë milion eurosh për blerjen dhe korruptimin e votës së lirë të shqiptarve të komunës së Preshevës.

Rrufeshëm, në mbështetje nga Serbia, janë dhënë tendera pa kurrëfarë procedure në vlerë prej 720 mijë eurosh për rrugën “Karposh” në gjatësi prej një kilometri, edhepse vlera reale e tregut është reth 400 mijë euro, që do të thotë se janë abuzuar reth 320 mijë euro dhe kanë përfunduar në xhepat e këtij shqipfolësi, që preshevarët po e quajnë Rrahman Morinë i Luginës së Preshevës.

Pastaj, gjatë fushatës janë harxhuar 125 mijë euro, pa procedurë tenderimi dhe po përdoren për blerjen dhe korruptimin e votës së lirë të qytetarëve të komunës së Preshevës. 

Lista e abuzimeve me paratë e taksapaguesve preshevarë është e gjatë dhe veprimet kundërligjore e abuzimet, si dhe keqpërdorimet kundërligjore me pushtetin lokal, sipas disa vlerësimeve, ato ia kalojnë madje edhe atyre të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, të 5 korrikut 1990, kur u suprimua Kuvendi i KSA të Kosovës dhe udhëheqësia e menaxhmenti i ndërmarrjeve shoqërore e publike anembanë Kosovës.

Prandaj, zgjedhjet e 24 dhjetorit në komunën e Preshevës janë cilësuar si referendum i shqiptarve të kësaj komune kundër serbizimit të dhunshëm dhe ruajtjes së substancës kombëtare të shqiptarve në Luginën e Preshevës, që me votën e lirë të tyre më 24 dhjetor  të shpëtojnë  nga agresiviteti i tmerrshëm serbo-rus, që kësaj radhe po ushtrohet me një parti politike shqiptare dhe me disa bashkëpunëtorë e emisarë serbo-rus, që janë futur si “kali i Trojës” brenda politikbërjes së pavarur të shqiptarve të kësaj pjese të Shqiptarisë.



Sunday, December 3, 2017

Misioni special i APN-së dhe Shqiprim Arifit për rikolonizimin e Preshevës me serbë e refugjatë të tjerë Shkruan: Nehat Hyseni Shqiprim Arifi, një gastarbajter nga fshati Tërnavë i komunës së Preshevës, nga ortaku i tij serb biznesor në Gjermani e Sllovaki, i cili tani është funksionar i lartë në SNS-in e Presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sa duket, ka marrë mision për spastrimin etnik të Luginës së Preshevës dhe të rikolonizimit të saj me serbë dhe refugjatë të tjerë nga Lindja e Afërt dhe nga Lindja e Mesme. Për këtë qëllim, sa duket, janë investuar miliona dollarë nga qarqe të dyshimta nga Lindja e Afërt dhe bota arabe (Arabia Saudite, Katari, etj.), nga Serbia dhe nga menaxhimi mafioz dhe abuzimi me buxhetin komunal dhe me paranë e taksapaguesve preshevarë. Vetëm portalit “presheva.com” i janë ndarë reth 30.000 euro për pajisje që do i mundësojnë emitimin e lajmeve “live”, si dhe reth 23.000 euro (2.700.000 dinarë), për propagandë, në misionin e tyre për ndryshimin e strukturës etnike të komunës së Preshevës, që është e banuar me shumicë shqiptare mbi 90%. Prandaj, me makinerinë e tyre të gënjeshtrave, ata bënë përpjekje të dështuar për kinse demantimin e misionit për rikolonizimin e Preshevës me serbë e refugjatë të tjerë. Por, “Plani Aksional Lokal 2017-2021” nuk ka kurrëfarë lidhje me investimet 30 milionë dollarëshe Amerikane në Beograd, për ndërtimin e shtëpive dhe kushteve jetësore për refugjatë. Sepse, në Preshevë investimet prej 1 milion e 170 mijë eurosh, i siguron Serbia në periudhën 2017-2021, ekskluzivisht për ndërtimin e shtëpive dhe banesave të tyre në komunën e Preshevës. Kuptohet se, meqë bëhet fjalë për (ri) kolonizim, truallin për shtëpitë e refugjatëve në Preshevë atyre ua siguron komuna, falas, pa asnjë cent, ashtu si ka vepruar Mbretëria SKS dhe Jugosllavia e Titos (1918-1966), kur serbëve nga rethi i Pçinjës, Vranjës, Bujanocit, por dhe nga Hercegovina, u siguronte shtëpitë dhe nga 5 hektarë tokë pjellore, secilës familje të kolonëve serbë që vendisej në komunën e Preshevës dhe atë të Bujanocit e Medvegjës. Natyrisht se këta refugjatë-kolonë serbë shteti i vendoste në shtëpitë dhe pronat e shqiptarve të vrarë e të persekutuar, si dhe të dëbuar për Turqi, me presione, maltretime e persekutime të paskrupullta (më gjërësisht, shih: Mr. Nehat Hyseni: “O kolonizaciji Preševa Srbima”-www.B92.com, www.nehathyseni.com). Kurse, punësimin dhe shkollimin e fëmijëve të refugjatëve, sipas Planit Aksional Lokal që don të na imponoj Serbia me anë të Shqiprim Arifit, obligohet ta bëjë komuna e Preshevës nga buxheti i saj. Gjithësesi, vendosja e kolonëve refugjatë, nga Qeveria e Serbisë synohet që të realizohet me shlyerjen nga evidenca civile të shqiptarve që gjënden në punë dhe qëndrim të përkohshëm në Europë, si dhe në Kosovë dhe që pastaj t’i vendosë në shtëpitë dhe pronat e tyre serbët nga Kroacia, Bosna dhe Kosova, si dhe me refugjatë nga Afganistani, Sitia, Iraku, etj. Prandaj, Serbia me propagandën e Shqiprim Arifit, tani, pasi që ky e ka nënshkruar këtë dokument të hartuar në Beograd nga Qeveria e Serbisë, propagandon kinse “punësim e zhvillim”, që realisht është parapërgatitje e terrenit politik për të rënë në “karremin” e Serbisë, me anën e Shqiprim Arifit & Company, si “njerëz të mirë” të sajë, ose si “kali i Trojës”, për ta rrënuar “kalanë” e politikbërjes të shqiptarve të Luginës së Preshevës, të pavarur e të pandikuar nga Serbia. Pra, ky është Plani makabër antishqiptar që e ka nënshkruar me dorë të vet Shqiprim Arifi dhe po përpiqet që me çdo kusht dhe me kërcnime nga më të ndryshmet, të na imponoj implementimin e tij! Ky krim makabër antishqiptar i tij, i mbështetur nga Serbia, synon të arsyetohet me trillime dhe gënjeshtra mafioze, duke i poshtruar preshevarët dhe shqiptarët si “popull naiv” dhe “i prapambetur”, që nuk po e ditka se çfarë krimi po i përgatitet, duke i çuar ata si “cjapi te kasapi”, me fjalë “të ëmbla”, si dhe duke na servirur spastrimin etnik të Luginës së Preshevës, për ta gëlltitur më lehtë atë si “helmin me mjaltë”!