Wednesday, September 27, 2017

Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi neglizhojnë hyrjen e Misionit sekret rus në Kosovë?!



Shkruan: Nehat Hyseni


Agjenturat serbo-ruse janë fuqizuar sërish në Ballkanin Perëndimor, dmth në Kosovë, Maqedoni, në Luginë të Preshevës, në Mal të Zi dhe në Shqipëri.

Diktatori i Rusisë, ish KGB-isti apo "UDB-ashi" sipas fjalorit tonë politik, është i vendosur që ta rikthej Perandorinë pansllaviste ruse në trojet shqiptare në Ballkan, duke pretenduar që ta sfidoj ndikimin amerikan në këto troje.

Ngjarjet kriminale të agjentëve rusë para dy vitesh në Mal të Zi dështuan në përpjekjen për ta rrëzuar qeverinë malazeze të Gjukanoviqit, të njohur si proamerikane dhe vendosjen me dhunë të regjimit prorus të serbëve të Malit të Zi.

Gjithashtu edhe në Maqedoni, ngjarjet e dhunëshme në ndërtesën e Parlamentit, me rastin e zgjedhjes së kryetarit të parë shqiptar të Kuvendit të Maqedonisë, z.Talat Xhaferi ishin vepër e agjentëve serbë e rusë.

Meqë shqiptarët janë vlerësuar si populli më proamerikan në rajon dhe në botë, agjenturat proruse janë të mbështetura nga nacionalistët dhe shovinistët e kriminelët serbë e maqedonë, si dhe nga partitë e tyre nacionaliste e antishqiptare, nga Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit, DSS-i i Vojisllav Koshtunicës dhe nga partitë tjera shoviniste.

 Mjerisht, edhe partitë në pushtet në Serbi, si psh. SNS-i i Presidentit Aleksandar Vuçiq, SPS-i i Sllobodan Millosheviqit i pasuar nga Ivica Daçiqi, etj., si dhe VMRO e Nikolla Gruevskit në Maqedoni, janë dëshmuar si agjentura pansllaviste ruse në Ballkan.

"Sihariqi" i pabesueshëm ndodhi edhe në Republikën e Kosovës, sidomos pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit dhe formimit të Qeverisë Haradinaj dhe koalicionit qeverisës PANA-Lista Srpska, të varur nga Beogradi dhe Moska.

Askush, madje as më skeptikët nuk kanë mundur ta besonin kohë më parë se do të ndodhë që ecuria e mbledhjeve të Kuvendit do të varet nga konsultimet e Listës Srpska me Beogradin dhe Moskën!

Pra, ky është bërë realitet i hidhur i atyre që deri dje kishin përdorur retorikën politike dhe ndërtuan karriera politike dhe morën pushtetin pikërisht me "patriotizmin" dhe me  floskulat e pallavrat e tyre "nacionaliste".

Lufta e egër për pushtet, sa duket ia ka rrënuar shanset dhe mundësitë reale Republikës së Kosovës dhe kanë sfiduar rënd ëndrrat tona shekullore për t'u bërë shtet.

Kështu, aktin makabër të nënshkrimit nga Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe Branimir Neshiq, shefi i zyrës rajonale për OJQ-Ballkan si “mision humanitar rus”, të një "Memorandumi bashkëpunimi", me pretendimin, kinse "për të ndihmuar serbët e Kosovës". 

Ky Mision rus, pra, është i kamufluar pas emërtimimit si  "organizatë humanitare", sipas këtij memorandumi dhe pretendon se "do t'i ndihmojë serbët e Kosovës, në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe asistencës sociale". 

Natyrisht se nuk kemi as më të voglin dyshim se ky "mision humanitar", realisht, mund të përdoret edhe si mision spiunazhi, meqë financohet direkt nga fondet Moskës. Sepse,

Rusia dhe Serbia kanë vepruar njësoj edhe me "Qendrën Humanitare Ruse" në qytetin e Nishit. 

Ndërkaq, reagimet dhe kundërshtimet nga Qeveria amerikane ishin njëkohësisht edhe akuza të drejtpërdrejta ndaj Rusisë dhe Serbisë, se kjo qendër nuk kishte të bënte me aktivitete humanitare, por "po vepronte si një qendër e Shërbimit sekret rus, për të penguar interesat amerikane në Ballkan". 

Me rastin e nënshkrimit të këtij "Memorandumi", që u realizua së bashku me shefin e Zyrës serbe për Kosovën, u tha se "misioni humanitar rus punon me ndihmën dhe mbështetjen e  Rusisë", që siç e dijmë,  është e udhëhequr nga pretendimet pansllaviste dhe nga dora e hekurt e diktatorit Vlladimir Putin.

Edhepse këtë ngjarje të tmerrëshme kundër sovranitetitetit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës e publikuan të gjitha mediat lokale e rajonale, megjithatë mungoi reagimi zyrtar i Qeverisë, Presidencës dhe Kuvendit të Kosovës?!

Sa duket, ata janë të zënë me "punë më të mëdha", reth fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, të cilat, sa duket, sipas tyre janë vlerësuar si më të rëndësishme se sovraniteti dhe siguria e këtij vendi!



Monday, September 25, 2017

Si dhe pse u shkarkua kryetarja Ardita Sinani nga Qeveria e Serbisë?



Shkruan: Nehat Hyseni


Kryetarja e Komunës së Preshevës, zonja e nderuar Ardita Sinani (PVD), u shkarkua nga ky post me vendimin e Qeverisë së Serbisë, të 15 shtatorit 2017, dhe në vend të saj u caktua "Organi i Përkohshëm", me Shqiprim Arifin (APN), si kryetar.


"Hillary Clinton" e Luginës së Preshevës


Zgjedhja e zonjës Ardita Sinani në postin e Kryetares së Komunës së Preshevës, më 10 mars 2017, bëri jehonë dhe publicitet jashtëzakonisht të madh, të paparë ndonjërë më parë në historinë politike të Preshevës, si në shtypin dhe mediat shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, poashtu edhe në mediat rajonale e europiane. 

Disa media franceze, si dhe mediat e Europës Juglindore, Ardita Sinanin e quajtën "Hillary Clinton" e Luginës së Preshevës.

Pra, zgjedhja e merituar e zonjës Sinani ishte një veprim i qëlluar dhe paraqiti surprizë jashtëzakonisht pozitive, meqë ishte e vetmja grua kryetare e Komunës edhe në tërë Serbinë dhe ishte një leksion i mirë afirmativ edhe për emancipimin e femrës shqiptare dhe barazinë e saj në shoqëri, si vlerë e pretenduar europiane, sidomos nga popujt e Ballkanit.


Kryetarja e parë femër në historinë e Luginës së Preshevës


Zonja Ardita Sinani është kryetarja e parë shqiptare në historinë e Luginës së Preshevës apo Kosovës Lindore, dmth. Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si komuna të banuara me shumicë shqiptare në Serbi, ashtu siç është zonja Mimoza Kusari-Lila, kryetare e parë grua, e komunës së Gjakovës, në Kosovë.

Përndryshe, Ardita Sinani, ka lindur 15 nëntor 1980, në Preshevë. 

Profesoreshë dhe eksperte e shkëlqyer e ekonomisë 


Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Preshevë, kurse në Fakultetin Ekonomik- dega Menaxhment dhe Informatikë, në Prishtinë, ka diplomuar me sukses të shkëqyeshëm në vitin 2003.

Punoi fillimisht si profesoreshë në gjimnazin e  komunës së Bujanocit, pastaj në administratën komunale të Preshevës udhëhoqi sektorin e zhvillimit ekonomik dhe tregoi aftësi të jashtëzakonëshme sidomos në bashkëpunim me USAID-in dhe me Programin e CHF-së, si dhe me Grupin EEE, për identifikimin  e prioriteteve zhvillimore dhe implementimin e suksesshëm të tyre në Komunën e Preshevës.


Kontributi i madh për Grupin EEE të CHF-it 


Gjithashtu, zonja Ardita Sinani ka dhënë kontribut të madh edhe reth hartimit të Planit Afatmesëm zhvillimor të Komunës së Preshevës për periudhën 2008-2015, si dhe në trajnimin e suksesshëm të stafit të administratës komunale për certifikimin me ISO standardin 9001, si njëra nga dhjetë komunat e Europës Juglindore, që u financuan nga USAID-CHF-i, kurse u realizuan nga IMSP nga Beogradi, nën udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e përkushtuar dhe me kompetencë të lartë profesionale të Prof. Dr. Edita Kastratoviq.

Unë, si koordinator që isha i Grupit EEE të CHF-it 2002-2008, si dhe stafi i zyres tonë në Preshevë, por edhe Drejtoria e USAID-it (CHF) në Beograd, shprehë me konsideratë të lartë falemnderime dhe mirënjohje të sinqertë për kontributin e çmuar të zonjës Ardita Sinani, si eksperte brilante e ekonomisë dhe si bashkëpunëtore e shkëlqyeshme dhe maksimalisht korrekte dhe e përkushtuar.


Zbulimi i krimit dhe korrupcionit


Ardita Sinani, si eksperte e shkëlqyer dhe si pedagoge, që nga dita e parë në postin e kryetares së komunës së Preshevës, bëri kthesë radikale në qeverisjen lokale.

Menjëherë angazhoi ekspertë të fushës financiare për të parë obligimet e komunës ndaj ndërmarrjeve kontraktuese, si dhe gjendjen e realizimit të punëve të kontraktuara në terren.

Rezultatet ishin alarmante! Qeverisja e papërgjegjëshme nëntëmujote e APN-së dhe Shqiprim Arifit kishin abuzime të pafund dhe keqpërdorime e makinacione korruptive nga më të ndryshmet. 

Vetëm me një tender, ata synonin reth 220 mijë euro t'i përvetësonin në mënyrë abuzive! 

Pra, rezultoi se Shqiprim Arifi kishte udhëhequr një bandë kriminale dipas ligjeve të mafisë e "nëntokës"!

Meqë zbardhja dhe zbulimi i këtyre abuzimeve kishte marrë drejtimin e duhur, Shqiprim Arifi, me mbështetjen direkte të Presidentit të Serbisë, dy muaj pas shkarkimit të tij, më 10 maj 2017, në Leskovc, Aleksandar Vuçiqi e lavdëron dhe e ngritë në qiell Shqiprim Arifin, pikërisht në kohën kur ishin zbuluar dhe kur ishte bërë zbardhja e krimeve të tij, nga institucionet kompetente.


Bllokada me mbështetje të Qeverisë së Serbisë


Prandaj, u bë e qartë se kryetarja Ardita Sinani, në luftën e saj të pakompromis, kishte përballë Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Qeverinë e udhëhequr nga e preferuara e tij, Ana Bërnabiq.

Gjatë kësaj kohe, mbledhjet e Kuvendit Komunal ishin shndërruar në ferr të vërtetë!

Shqiprim Arifi dhe banda e tij nuk respektonin asnjë procedurë reth ecurisë së mbledhjeve, duke nxitur e provokuar me ngulm konflikte dhe gjakderdhje me pasoja të paimagjinueshme.

Pra, u pa puna se Serbia kishte aleatin apo agjenturën e vet politike në këtë komunë, që do të bllokonte deri në pafundësi zhvillimin e demokracisë dhe ecurinë normale të funksionimit të pushtetit lokal.


Misioni antishqiptar


Diverzioni antishqiptar i Qeverisë së Serbisë mori epilogun me shkarkimin e kryetares së komunës Ardita Sinanit, me vendimin e 15 shtatorit 2017, dhe me emërimin e Organit të Përkohshëm nga premierja Ana Bërnabiq, me Shqiprim Arifin si kryetar të këtij organi, si dhe me vendosjen e raportit diskriminues 3:2, në favor të pakicës APN-SNS, me 11, kundër shumicës me 27 këshillëtarë të PDSH-PVD-së.

Kështu Qeveria e Serbisë e stopoi luftën kundër krimit e korrupsionit në komunën e Preshevës dhe e riinstaloi njeriun e besueshëm të vet nga radhët e shqiptarve të kësaj treve.

Pra, Qeveria e Serbisë me anë të APN-së dhe Shqiprim Arifit si person i besueshëm i Serbisë, me mision special në Luginë të Preshevës është instrument për realizimin e projekteve antishqiptare serbe, që nga "Naçertania" e Garashaninit e deri në ditët e sotme, sa duket, nuk kanë hequr dorë nga synimet dhe pretendimet e tyre makabre për spastrimin etnik të Luginës së Preshevës nga shqiptarët.







Fati i Qeverisë Haradinaj varet nga rezultati i zgjedhjeve lokale të 22 tetorit




Shkruan: Nehat Hyseni


Java e parë e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017, pëfundoi.

Në këto zgjedhje garojnë reth 7000 kandidatë për asambletë komunale në 38 komunat e Republikes së Kosovës dhe 200 kandidatë për kryetarë komune.

Kjo i bie se për një mandat këshilltari komunal, garojnë 184 kandidatë. 

Kurse, për postin e kryetarit të komunës garojnë reth 5,3 kandidatë.

Pra, është ofertë relativisht e lartë dhe interesim i madh për poste politike në pushtetet vendore.

Megjithatë, tubimet e mbajtura gjatë kësaj jave tregojnë se, përveç familjarëve dhe mbështetësve e simpatizantëve të ngushtë të kandidatëve në garë, në tubime nuk kemi pjesëmarrje masive dhe interesim të madh të elektoratit.

Arsyet për këtë mosinteresim evident  të elektoratit, mbase duhet kërkuar në mosbesimin e votuesve ndaj premtimeve boshe dhe "gënjeshtrave të ëmbla" të kandidatëve dhe realitetit gjithënjë e më të hidhur dhe të papersektivë për gjenerarat e reja dhe të padenjë për të jetuar.

Mirëqenie e popullatës dhe cilësia e jetesës gjithënjë e më tepër po degradihet dhe shpërthimi i sërishëm i ekzodit drejtë vendeve europiane aktualisht është duke u mbajtur me mjete represive dhe me ndalesa të ndryshme administrative.

Ndërkaq, gara kryesore edhe në këto zgjedhje, sikur në ato të vitit 2013, do të zhvillohet midis LDK-së dhe Vetëvendosjes për komunën e Prishtinës. 

Por, risi e këtyre zgjedhjeve lokale do të jetë edhe rivaliteti i madh dhe gara e ngushtë midis LDK-së edhe në Gjilan e Ferizaj, mbase edhe në Prizren. 

Pikërisht, ky rivalitet midis këtyre dy partive dhe ambiciet e pretendimet e tyre për t'i qeverisur këto komuna, realisht ishin pengesë për arritjen e koalicionit parazgjedher, si pandan i PAN-it, por dhe të koalicionit paszgjedhor, për t'i dhënë fund keqqeverisjes shumëvjeçare të PDK-së.

Prandaj, zgjedhja lokale të 22 tetorit kanë rëndësi të madhe dhe do të shërbejnë si testim i fuqisë elektorale, sidomos të Vetëvendosjes, për t'u parë se a do të vazhdoj apo jo trendi i rritjes së saj i arritur në zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare të 11 qershorit.

Poqese rikonfirmohet trendi i tillë i rritjes, atëherë është e pritëshme rënia e menjëherëshme e Qeveria Haradinaj dhe koalicionit PANA-Lista Srpska, mbase edhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonëshme parlamentare në muajtë e parë të vitit të ardhshëm kalendarik.


Sunday, September 24, 2017

Zgjedhjet lokale të 22 tetorit si testim për zgjedhje të reja parlamentare?!


Shkruan: Nehat Hyseni


Zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017, realisht, ishin pasojë e ambicieve të tepruara e megalomane, politike e karrieriste të Kadri Veselit, si lider i ri i PDK-së, i cili erdhi në krye të kësaj partie, meqë Hashim Thaçi, me votat e LDK-së, në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, më 26 shkurt 2016, u zgjodh President i Kosovës për mandatin pesëvjeçar 2016-2021.

 Sapo u zgjodh Hashim Thaçi President, LDK ishte e panevojëshme. Kurse, Kadri Veselit nuk i mjaftonte posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, por synonte pushtetin elkzekutiv, aty ku janë paratë, dmth  "kuletën" e shtetit, postin e kryeministrit.

Këto ambicie, kryeparlamentari Veseli i arsyetonte me retorikë "patriotike", kinse Qeveria e Isa Mustafës nuk ishte e aftë dhe e guximëshme  për marrje të "vendimeve të mëdha"!

Por, "pazari i shpisë", nuk i doli në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, PDK-së dhe Kadri Veselit, meqë pësuan rënie drastike.

Ndërkaq, zgjedhjet lokale të 22 tetorit, sa duket, Vetëvendosjes dhe LDK-së do t'i shërbejnë si matje apo testim i fuqisë së tyre elektorale, por edhe si sinjal i fortë e indikator real për fatin e Qeverisë Haradinaj dhe të koalicionit PANA-Lista Srpska.

Prandaj, angazhimi i partive politike në fushatën parazgjedhore për këto zgjedhje lokale do të jetë shumë më i madh. 

Madje, kryeministri Haradinaj e filloi këtë fushatë në mënyrë krejtësisht të çuditëshme dhe të papranueshme për një shtet normal dhe për njē demokraci deri diku të konsoliduar. Haradinaj po sillet si pronar dhe patron i Kosovës, që tani i ka mbetur vetëm edhe fitorja nëpër komuna dhe do e shpallë pushtetin e tij absolut si mbret i Kosovës, duke harruar i shkreti se sa e brishtë është mazhoranca që e solli atë në pushtet. 

Për më tepër, jeta e Qeverisë së tij është e lidhur dhe e varur tmerrësisht nga disponimi i shtetit armik të Republikës së Kosovës. 

Mjafton një "tërmet" politik minimal dhe Qeveria Haradinaj do të rrëzohet menjëherë. Sidomos gara lokale me PDK-në, si rivale e saj në disa komuna, por dhe nga zbythja e Qeverisë Haradinaj në planin ndërkombëtar, me tërheqjen e kandidaturës së Republikës së Kosovës për pranim në Interpol, dështimi më se i sigurtë i Demarkacionit dhe formimi i premtuar i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, zor se do të mbulohen me kinse forminin e Ushtrisë së Kosovës, me premtimin e ndryshimit të vetëm një germe, nga FSK, në FAK.

Pritshmëritë janë se Vetëvendosja do i fitoj dhjetë komuna dhe, mbase, do e rikonfirmoj veten si partia më e madhe e Kosovës. 

Poqese ndodhë kjo realisht, atëherë Ramush Haradinaj dhe Qeveria e tij duhet t'i paketojnë plaçkat!

Kurse, Kuvendi i Kosovës ose do të krijoj mazhorancë të re qeverisëse, ose do të shpërbëhet dhe do të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare, në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm kalendarik.



Lugina e Preshevës gjendet "në gojë të ujkut"!



Shkruan: Nehat Hyseni 


Lugina e Preshevës gjëndet "në gojë të ujkut" dhe para sfidave e presioneve dramatike nga Qeveria e  Serbisë dhe nga SNS-i, partia e Presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 


Aleanca sekrete APN-SNS, bllokuese e kuvendit


Me "sponzorizimin" dhe nxitjen e konflikteve politike midis shqiptarve, si dhe me mbështetjen dhe nxitjen e Alternatives për Ndryshim të Shqiprim Arifit, realisht Serbia e ka bllokuar punën dhe funksionimin të Kuvendit të Komunës së Preshevës, duke imponuar shpërbërjen e Kuvendit të Komunës së Preshevës, meqë më 24 gusht 2017 u bënë tre muaj të plota të kësaj bllokade të punës së Kuvendit të Komunës së Preshevës.

Hapi tjetër i radhës së veprimit antishqiptar të aleancës APN-SNS ishte vendimi i Qeverisë së Serbisë për shpërbërjen e kuvendit dhe vendosjen e "Organit të Përkohshëm" i 15 shtatorit 2017, i nënshkruar nga premierja Ana Bërnabiq, me të cilin shkarkohet kryetarja e komunës së Preshevës, zonja Ardita Sinani (PVD).

Dyshimet e kahëmotshme dhe zërat konfidenciale reth ekzistimit të aleancës sekrete të APN-së dhe lidhjes së ngushtë e misterioze të Shqiprim Arifit me Aleksandar Vuçiqin dhe partinë tij SNS-in, morën fund me vendimin e përmendur të Qeverisë së Serbisë, me të cilin Aleancës APN-SNS i caktohen tre vende në Organin e Përkohshëm, edhepse përbënin vetëm 23% të Kuvendit, me 11 përkundrejt 27 këshilltarëve të PDSH-PVD-BDL-UDSH-së, të cilëve i caktoi vetëm dy vende! Në këtë mënyrë, pra, APN-SNS-it iu sigurua majorizimi apo mazhoranca antishqiptare në raportin 3:2.

Natyrisht, kryetar u caktua Shqiprim Arifi, i preferuari dhe i besuari i Aleksandar Vuçiqit dhe politikave serbe në Luginë të Preshevës, "meritat" e të cilit i theksoi dhe lavdëroi publikisht kohë më parë Presidenti i Serbisë në Leskovc.

Pushteti paralel antishqiptar i SNS-it në Bujanoc

Serbia pretendon haptas edhe për vendosjen e pushtetit politik paralel në komunën e Bujanocit,  që udhëhiqet nga kryetari i komunës Shaip Kamberi  nga Partia për Veprim Demokratik. 

Me anë të të ashtuquajturit "Aktiv Ekonomik" dhe me veprimet tinzare të deputetit të SNS-it në Parlamentin e Serbisë, pretendohet të sfidohet pushteti lokal i kësaj komune të banuar me shumicë shqiptare.


Blerja e lojalitetit shqiptar 


Investimet e Qeverisë serbe në "blerjen e lojalitetit" dhe besnikërisë ndaj regjimit të Serbisë të partive politike dhe liderëve të caktuar politikë, aktualisht paraqet formë dhe pamje të jashtme pak më të ndryshme, por me esencë dhe përbërje të njejtë sikur në të kaluarën.

Në periudhën dyzetepesë vjeçare 1945-1990, komunistët ishin zbatues të politikës serbe ndaj shqiptarve, nëpërmjet partisë-shtet, dmth PKJ-LKJ-së. 

Natyrisht, regjimi serb i keqpërdorte edhe disa nga hoxhallarët për qëllimet e veta antishqiptare, duke i bërë vegël dhe instrument kundër shkollimit dhe emancipimit kombëtar, si dhe argat të devotshëm të pushtetit për nxitjen e shpërnguljes së shqiptarve në Turqi, me moton: "mos me ndejtë ndër shka", si dhe për t'u deklaruar shqiptarët me përkatësi kombëtare si turqë.

Kurse, sa i përket komunistëve shqiptarë, pas rënies së UDB-së dhe Aleksandar Rankoviqit në vitin 1966, Serbisë "i dolën prej dorës" shqiptarët. 


Rikthimi i kontrollit serb mbi politikbërjen e shqiptarve


Por, megjithatë, kontrolli i Serbisë ndaj shqiptarve, edhepse i dobësuar, vazhdoi deri në vitet 90-ta të shekullit të kaluar.

Regjimi i Millosheviqit, i ndihmuar nga bandat kriminale të Vojisllav Sheshelit, bëri kërdi mbi shqiptarët, por dhe ndaj kroatëve, e sidomos ndaj boshnjakëve apo myslimanëve në Bosne.

Ndërkaq, SNS-i i Aleksandar Vuçiqit, që është edhe President i Serbisë, është pasues i Partisë Radikale të Sheshelit. 

Por, meqë deklaroi qëndrimin "proeuropian", Aleksandar Vuçiq u "shkëput" nga SRS-i i Sheshelit, si antieuropian, antimysliman e antishqiptar i sëmurë dhe  patologjik.

Aktualisht, SNS-i dhe Aleksandar Vuçiq si kryetar i kësaj partie, ushtron pushtetin absolut në Serbi, meqë udhëheq Qeverinë, Kuvendin e Serbisë dhe Presidencën e  këtij shteti dhe paraqet pushtet absolut dhe diktaturë të re totalitare në Serbi. 

Pra, Aleksandar Vuçiqi dhe partia e tij SNS-i, aktualisht paraqesin forcën më të fuqishme, absolute e totalitare në Serbi, që nga koha e Sllobodan Millosheviqit dhe partisë së tij nacional-socialiste, SPS-in famëkeq, që solli deri te luftërat e përgjakëshme dhe shpërbërja e Jugosllavisë.


Tradhëtitë "për të mirën e shqiptarve"


Paradoksalisht, asokohe ishin inkuadruar edhe disa "shqiptarë të ndershëm" në radhët e SPS-it, ashtu sikur ishin rekrutuar gjatë Luftës së Dytë Botërore disa të tillë edhe në radhët e çetnikëve gjakatar të ministrit të mbrojtjes së Mbretërisë së Jugosllavisë, Drazha Mihajlloviqit.

Ata tradhëtarë, kriminelë e mjeranë nga radhët e pakëta të shqiptarve, asokohe pretendonin se këtë po e bënin "për të mirën e shqiptarve", ashtu siç pretendonin edhe shqiptarët tradhëtarë në radhët e SPS-it të Sllobodan Millosheviqit, si dhe tani argatët e politikës antishqiptare e gjenocidale të SNS-it të Aleksandar Vuçiqit.


Thursday, September 21, 2017

Makinacionet antishqiptare të Qeverisë së Serbisë ndaj komunës së Preshevës



Shkruan: Nehat Hyseni


Premierja e Serbisë, Ana Bërnabiq, është fajtore kryesore  për rrëmujën dhe destabilitetin e krijuar politik në komunën e Preshevës.

Si vegël politike e SNS-it të Presidentit Aleksandar Vuçiq, ajo është shndërruar në avokate të APN-së së Shqiprim Arifit në Preshevë, duke e imponuar në mënyrë të papranueshme diktatin politik të Beogradit në komunën Preshevës.

Diskriminim joligjor e antishqiptar

Ky vendim makabër e plangprishës i Qeverisë së Serbisë është thellësisht antishqiptar dhe joligjor dhe në mënyrë barbare ka shkelur paturpësisht moralin politik dhe parimet themelore të demokracisë, shtetit juridik dhe sundimit të së drejtës.

Në pyetjet direkte të gazetarëve  (më 20 shtator) reth skandalit politik antishqiptar dhe vendimit antiligjor  të Qeverisë Serbisë, të 15 shtatorit 2017, për emërimin skandaloz të Shqiprim Arifit kryetar dhe anëtarëve të Organit të Përkohshëm në komunën e Preshevës, për përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonëshme lokale, pas shpërbërjes së Kuvendit Komunal të Preshevës. 

Në këtë OP emërohet edhe një anëtar i APN-së (11) dhe njëri nga SNS-i, dmth i partisë së Vuçiqit, që nuk kishte asnjë këshilltar në kuvendin komunal, duke e diskriminuar shumicën prej 27 këshilltarve shqiptarë nga PDSH dhe PVD.


Metodat Millosheviqiane


Me këtë veprim diskriminues, Qeveria e Serbisë ka vepruar sikur regjimi fashist i Sllobodan Millosheviqit gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar në Kosovë, kur kuadrot serbe zgjidheshin me 5% të votave (serbe), që "përfaqësonin" shumicën (shqiptare) prej 95% të popullatës së Kosovës.


"Shqiptarët e ndershëm"


Kurse, APN e Shqiprim Arifit dhe SNS-i i Vuçiqit përbëjnë pakicën prej vetëm 23%, kundrejt 77% që i kanë PDSH dhe PVD. 

Për këtë arsye, në Preshevë Shqiprim Arifin kanë filluar ta quajnë "Sejdo Bajramoviq", kurse udhëheqësinë e APN-së si lojale ndaj SNS-it, ose si "shqiptarë të ndershëm", gjithashtu si term i përdorur nga regjimi i Millosheviqit, për shqiptarët të cilët asokohe ishin rrjeshtuar në krah të regjimit antishqiptar e gjenocidal të asaj kohe, që solli deri tek luftërat e përgjakëshme dhe intervenimi i NATO-s.

Josinqeriteti dhe të pavërtetat e premieres

"Ne kemi qenë të obliguar që t'i vendosim Masat e Përkohëshme dhe shpresoj se kjo do të rregullohet me zgjedhjet lokale konform asaj çka qytetarët e Preshevës realisht dëshirojnë", përgjigjet premierja Bërnabiq në pyetjet e gazetarëve.

Kurse, atë që "realisht dëshirojnë" qytetarët e komunës së Preshevës e kanë shprehur me votë në zgjedhjet lokale të 24 prillit 2017 dhe shumica prej 77% është diskriminuar nga pakica prej 13%, me këtë vendim diskriminues, antiligjor dhe tmerrësisht antishqiptar e anticivilizues dhe të papranueshëm të Qeverisë së Serbisë.

Ndërkaq, deklarimi i premieres se "Qeveria nuk përzihet" në punët e Kuvendit të Komunës së Preshevës, mjerisht, paraqet një të pavërtetë dhe gënjeshtër të kulluar.

Imponim flagrant i Beogradit

Qeveria e Serbisë është përzier në mënyrë flagrante, madje është implikuar si është më keq, në mënyrë të palejueshme e skandaloze dhe ka hedhur zjarr, duke e destabilizuar skajshmërisht situatën dhe stabilitetin politik në këtë komunë me shumicë shqiptare.


Protesta gjithëpopullore


Gjatë ditëve të ardhëshme, sipas deklaratave të kryetares Ardita Sinani, të shkarkuar padrejtësisht nga Qeveria e Serbisë dhe nga premierja Ana Bërnabiq, se janë shkaktuar pakënaqësi të mëdha dhe se do të organizohen protesta e revoltë gjithëpopullore, kundër këtyre makinacioneve antishqiptare të Beogradit dhe kundër servilizmit të turpshëm të APN-së dhe Shqiprim Arifit.

Me këtë vendim skandaloz, Qeveria e Serbisë dëshmon vazhdimësinë e politikës diskriminuese ndaj komunës së Preshevës, që është me popullsi shumicë shqiptare, me metodat  të aplikuara dhe me makinacione të përdorura në kohën e regjimit të Millosheviqit, si dhe me qasjen sipas ideologjisë dhe retorikës antishqiptare të Vojisllav Sheshelit, të cilët përfunduan në Gjykatën e Hagës.

Wednesday, September 20, 2017

Çka po ndodhë aktualisht në komunën e Preshevës?



Shkruan: Nehat Hyseni


Komuna e Preshevës është komuna më jugore e Serbisë, që kufizohet në jug me Maqedoninë dhe komunën e Kumanovës dhe në perëndim kufizohet me Kosovën dhe komunën e Gjilanit.

Territori i kësaj komune shtrihet në një sipërfaqe prej 265 km2, dhe përbëhet 60 % nga terreni malor, me malet "Rujan" në lindje dhe masivin e maleve të Karadakut, në perëndim, që e ndajnë nga Kosova.

 Në tërë këtë territor kodrinor-malor,  që kap mbi gjysmën e territorit të komunës, jetojnë vetëm rreth 10% e popullsisë së Preshevës.

Kurse, 40% e territorit të kësaj komune është fushor, me tokë të plleshme, ku jetojnë reth 90% e popullsisë së saj.


Ekzodi masiv i shqiptarve 


Presheva aktualisht ka reth 45 mijë banorë, meqë opullsia e saj gjatë dekadave të fundit në vazhdimësi është zvogëluar për shkak të shpërnguljeve dhe ekzodit masiv të shqiptarve drejtë Kosovës, Europës Perëndimore, etj.

Përbërja nacionale e komunës së Preshevës është, reth 93% shqiptarë dhe 7% e përbëjnë serbët, romët, etj. dhe kjo komunë ka më së tepërmi shqiptarë në Serbi, madje ka më tepër shqiptarë se dy komunat tjera, dmth Bujanoci dhe Medvegja së bashku. 


Pse emërtimi "Luginë e Preshevës"?


Prandaj, nga viti 2000, si emërues të përbashkët për këto tri komuna në Serbi, të banuara me shqiptarë, fillimisht nga ShBA-të e pastaj edhe nga vendet e BE-së dhe të tjerët, filluan ta përdorin emërtimin "Luginë e Preshevës". 

Kurse, shqiptarët më tepër e parapëlqejnë emërtimin "Kosovë Lindore". 

Ndërkaq, Serbisë zyrtare, sa duket, nuk i pëlqejnë asnjëri nga këta dy emërtime dhe këto komuna i quan si "komuna të Serbisë Jugore", duke u përpjekur që me çdo kusht ta kamufloj dhe ta mëshef përbërjen joserbe të këtyre komunave dhe veçantitë e këtij rajoni të banuar me shumicë shqiptare, që gjatë historisë emërtohej si "Rajon i Moravicës". 


Referendumi për Autonomi


Rrjedhimisht, shqiptarët e këtyre tri komunave e ndiejnë se paraqesin rajon me karakteristika të veçanta kulturore, politike e kombëtare, për ruajtjen, kultivimin dhe mbrojtjen e të cilave ata organizuan dhe realizuan me sukses Referendumin për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, më 1 dhe 2 mars 1992. 

Pra, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës konsiderojnë se mënyra më e mirë për ruajtjen e qenies së tyre kombëtare dhe të drejtave e lirive të tyre si shqiptarë në Serbi është Autonomia Politike e Territoriale.


Presheva zëvendëson Leskovcin 


Duhet theksuar se deri në vendosjen e sistemit shumëpartiak, apo pluralizmit politik në Serbi në vitet e 90-a të shekullit XX, Presheva, Bujanoci e Medvegja kontrolloheshin politikisht nga qendra e vendosjes në Leskovc, si seli e të ashtuquajturit Regjion i Moravës Jugore, me 13 komuna, ku përfshiheshin edhe tri komunat e Luginës së Preshevës.

Por, me vendosjen e pluralizmit politik, që mundësoi formimin e partive politike shqiptare, u bë edhe zhvendosja e qendrës politike për shqiptarët në Serbi, nga Leskovci në Preshevë.


Agjenturat ruso-serbe


Prandaj, që nga ajo kohë, Serbia përpiqet me të gjitha mjetet që ta pengoj aktivitetin dhe funksionimin e pavarur politik të shqiptarve, duke u fokusuar sidomos në thyerjen e unitetit politik e funksional të veprimit të shqiptarve në Preshevë, por edhe në Bujanoc e Medvegjë. 

Për këtë arsye, Beogradi dhe Moska janë të shqetësuar dhe për ta ndryshuar e sfiduar këtë realitet të pafavorshëm, Serbia dhe agjenturat e ndryshme antishqiptare ruse e serbe, janë ngritur në aksion dhe janë vënë në veprim tejet agresiv.


Si po e realizon ndikimin e vet Serbia në Luginë të Preshevës?


Kryesisht duke ushtruar ndikimin e vet tek disa imamë e hoxhallarë, si dhe tek politikanët e partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës, duke pamundësuar unitetin dhe veprimin e përbashkët të tyre në të mirë të popullatës shqiptare në Serbi.


Përçarja e hoxhallarëve 


Hoxhallarët janë aq shumë të përçarë midis vetit, sa që pjesa e imamëve që funksionojnë në kuadër të Bashkësive Islame të lidhura me Serbinë, nuk hezitojnë t'i kërcnojnë dhe madje edhe t'i denoncojnë në Qeverinë e Serbisë imamët që janë të lidhur dhe funksionojnë në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, që realisht paraqesin shumicën e imamëve të Luginës së Preshevës.


Përçarja politike e shqiptarve 


Ndërkaq, sa i përket ndikimit të saj kundër unitetit politik të shqiptarve në Luginë të Preshevës, Serbia u kujdes qysh në fillimet e pluralizmit ose sistemit shumëpartiak në vitet e 90-ta, duke nxitur formimin e partisë së dytë politike shqiptare në gjysmën e dytë të vitit 1990, për ta sfiduar Partinë për Veprim Demokratik, si parti të parë politike të shqiptarve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Sukseset e destruktivitetit antishqiptar të Serbisë në përçarjen e hoxhallarëve dhe politikanëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, pra, ishte në të kaluarën tepër i madh, që ka pasur efekte të rrezikëshme dhe reflektime jashtëzakonisht të dëmshme e denigruese në mirëqenien e shqiptarve në këtë pjesë të gjeografisë tonë kombëtare.


Joshja e hoxhallarëve dhe politikanëve


Hoxhallarët të cilët janë joshur nga benefitet e ndryshme që po ia ofron atyre Serbia, janë bërë vegël e Serbisë, madje edhe më keq se paraardhësit e tyre gjatë kohës së Aleksandar Rankoviqit dhe në Mbretërinë e Jugosllavisë, duke e ndihmuar pushtetin në aksionin shtetërorë për dhpërnguljen e shqiptarve në Turqi.

Në anën tjetër, Serbia vazhdimisht i ka joshur politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës kundër njëri-tjetrit, duke e destabilizuar funksionimin stabil dhe efikas të Kuvendit të Komunës së Preshevës, i cili është i përbërë nga 38 këshilltarë, të gjithë (100%) shqiptarë!

Në vitin 2005, PDSH e Ragmi Mustafës prganizoi votimin popullor për dhkarkimin e Kryetarit të Komunës së Preshevës, Riza Halimit. 


Aleanca antishqiptare APN-SNS

Kurse, në vitet e fundit, pas zgjedhjeve lokale të 24 prillit 2016, APN e Shqipfim Arifit, gastarbajter shqiptar i ardhur nga Gjermania, me ndihmën e fuqishme dhe të vendosur të Qeverisë ë Serbisë dhe premieres Bërnabiq, me mbështetjen e hapur të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë bllokuar plotësisht funksionimin e Kuvendit të Komunës, duke shpërndarë atë dhe duke imponuar shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale.

Arroganca e paskrupulltë dhe agresive antishqiptare e qeverisë serbe shkon deri në ekstrem, duke imponuar dominimin absolut të aleatëve antishqiptarë APN-SNS në Organin e Përkohshëm për përgatitjen e zgjedhjeve, me tre anëtarë të tyre, kundër PVD-PDSH, me vetëm dy anëtarë, edhepse këta e përbëjnë shumicën prej 77% të këshilltarve të Kuvendit të Komunës së Preshevës!








Monday, September 18, 2017

Si po e destabilizon Serbia Luginën e Preshevës?



Shkruan: Nehat Hyseni


Lugina e Preshevës është në zor të madh dhe në gjendje alarmante nga agresiviteti shtetëror i Qeverisë së Serbisë dhe nga kryeministrja Ana Bërnabiq, si dhe Presidenti Aleksandar Vuçiq.

Premierja Bërnabiq është e preferuara politike e Vuçiqit, i cili është pinjoll i Partisë Radikale Serbe të vojvodës Vojisllav Sheshel, procesi i gjykimit të të cilit akoma nuk ka përfunduar në Tribunalin (Gjykatën) Ndërkombëtar për krime lufte në Hagë.

Dikur Serbia pretendonte që me anë të Partisë dhe më vonë Lidhjes së Komunistëve, t'i zbatonte politikat e veta antishqiptare tek trevat e banuara me shqiptarë. 


Destruktiviteti i Serbisë tek hoxhallarët e Luginës 


Ndërsa tani, Serbia është duke e rikthyer "jaraninë e vjetër" në mesin e hoxhallarëve bashkëpunues, të cilët nuk ngurron madje t'i dekoroj e shpërblej me Mirënjohje e Dekorata shtetërore, si dhe me shpërblime e ndihma në të holla e privilegje të ndryshme për "kontributin" e tyre. 

Suksesi i Qeverisë së Serbisë në përçarjen e imamëve e hoxhallarëve të Luginës ë Preshevës, dmth të Preshevës, Buhanocit e Medvegjës është tmerrësisht i madh dhe me pasoja katastrofale.

Pra, sot në vend që ta kemi një Bashkësi Islame të vetme dhe unike, si dikur, tani i kemi gjithsej katër Bashkësi Islame. Disa prej tyre janë të lidhura direkt me Serbinë, disa nëpërmes BI të Sanxhakut në Novi Pazar, si dhe pjesa më e nadhe e imamëve dhe hoxhallarëve të Luginës janë të lidhur dhe aktivitetin e vet fetar e zhvillojnë brenda Bashkësisë Islame të Kosovës, me seli në Prishtinë.

Duhet theksuar se këta të fundit sulmohen, atakohen e paditen vazhdimisht kolegët e tyre të lidhur me Qeverinë e Serbisë, të cilët mbajnë edhe monopolin apo të drejtën ekskluzive për caktimin e kuadrit mësimor të mësim-besimit islam nëpër shkollat publike të Luginës së Preshevës.

Prandaj, vetëm hoxhallarët e "përshtatshëm", mund të punojnë si mësimdhënës të kësaj lënde dhe të punësohen e të sigurojnë të ardhura për vete dhe familjet e tyre.


APN dhe SNS-i si aleatë antishqiptarë


Forma tjetër e ndikimit destruktiv e antishqiptar të Qeverisë së Serbisë ndaj organizimit dhe veprimit të mirëfilltë kombëtar të shqiptarve të Luginës së Preshevës është edhe mbështetja e radikalizmit islamik dhe vehabizmit të "importuar" nga diaspora shqiptare, kryesisht në Europën Perëndimore, nga Gjermania, Zvicra, etj.

Kështu, para dy-tre vitesh nga Gjermania na arriti si "parashutë", ose si thonë preshevarët, "na piku nga qielli" Shqiprim Arifi, i cili ishte tejet agresiv dhe i zëshëm, duke bërtitur si i çmendur:

"Nuk i ka fajet Serbia për diskriminimin e shqiptarve të Luginës së Preshevës, por fajet i kan vet shqiptarët dhe partitë e tyre politike, sepse nuk po bashkëpunojnë me Serbinë"!

Kështu bërtiste Shqiprim Arifi sa kishte fuqi para përfaqësuesve ndërkombëtarë, ambasadave të BE-së e të shteteve të tjera në Beograd, si kryetar i Alternativës për Ndryshim, si parti politike të cilën e formoi brenda natës.

Pra, dy shtylla ishin kryesore të Shqiprim Arifit: radikalizimi fanatik i besimtarve shqiptarë, myslimanë dhe akuza kundër të gjitha partive politike të shqiptarve të Luginës, si dhe lavdratat e pakursyera dhe ngritja në qiell e Serbisë, si "shtet demokratik".


Armiqë të përbetuar kundër Referendumit 


Pastaj, Shqiprim Arifi e sulmoi në mënyrë të paskrupulltë Referendumin 

"për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën", të 1 e 2 marsit 1992, të cilin ai e cilësoi si akt "separatist" dhe shqiptarët i quajti si "nacionalistë"?!

Në mënyrë të rrufeshme, si asnjëherë më parë, APN e Shqiprim Arifit fitoi 11 ulëse në Kuvendin Komunal të Preshevës në zgjedhjet lokale të 24 prillit 2016, doli si parti e dytë dhe në koalicion me PVD-në arriti të bëhet kryetar i Komunës së Preshevës.

Por, së shpejti dolën në shesh veprimet makabre dhe performanca korruptive e Shqiprim Arifit dhe manipulimet ekstreme, si dhe flirtimet antishqiptare me qarqet ekstremiste dhe Qeverinë e Serbisë, në dëm të shqiptarve.


Makinacionet korruptive


Shqiprim Arifi, meqë ishte mësuar me manipulime kriminale dhe korruptive me ndihma humanitare, si aktivist i organizatave shumë të dyshimta, që e "katapultua" ate në pushtet, ai me arrogancë e paturpësi nxorri nga sirtarët projekte të cilët i kishte mbuluar pluhuri dhe i vendosi në agjendë politike, duke ia dhuruar ato si peshqesh, pa konkurim tenderues sipas procedurës ligjore, një firme aleate të tij, për shumën astronomike me 26 milion dinarë (220 mijë euro) tejkalim të buxhetit të paraparë për rrugën "Karposh" në Preshevë. Kjo ishte një aferë korruptive, i kapur "me presh në dorë"  në vepër!

Por, për çudi, Qeveria e Serbisë nuk reagoi?!

Kurse, sikur ta kishte bërë një gjë të tillë ndokush nga partitë tjera shqiptare, do të burgosej automatikisht dhe policia e Serbisë do ia vente prangat në zyre dhe aty për aty do e arrestonte!

Por, Shqiprim Arifin askush nuk e "trazoi", madje as qimja prej kresë nuk i mungoi!

Prandaj, koalicioni APN-PVD më tutje ishte i pamundur dhe më 10 mars 2017, u krijua mazhoranca e re qeverisëse e katër partive/ PVD (10), PDSH e Reformuar (9), BDL (2) dhe UDSH (1), dmth me 22 nga gjithsej 38 këshilltarë që i ka Kuvendi Komunal i Preshevës. Kurse, Ardita Sinani, nga radhët e PVD-së u zgjidh kryetare e komunës.

Vetëm për një muaj ditë nga zgjedhja e saj, kryetarja Ardita Sinani arriti t'i tejkaloj të gjitha rezultatet e Shqiprim Arifit, madje me implikime dhe shpenzime buxhetore shumëfishë më të vogla.


Bllokimi i punës së Kuvendit 


Por, arroganca e paparë e APN-së së Shqiprim Arifit në Preshevë dhe sjellja e tij kriminale mbledhjet e Kuvendit të Komunës së Preshevës rrezikonin të shndërrohen në arenë konflikti dhe gjakëderdhje me përmasa të paimagjinueshme e katastrofale, derisa ia arritën qëllimit të tyre final për bllokimin e punës dhe shpërbërjen e Kuvendit.


Majorizimi antishqiptar: APN-SNS(3), dhe PVD e PDSH (2)


Kurse, Qeveria e Serbisë, me vendimin e saj të 15 shtatorit 2017, për habinë e të gjithëve, Shqiprim Arifin e caktoi kryetar të Organit të Përkohshëm, Armend Aliun nga partia e tij, dhe një serb, anëtar të SNS-it të Aleksander Vuçiqit dmth tre anëtarë të tij, kundër dy anëtarve të tjerë: Ardita Sinanit nga PVD dhe Ragmi Mustafës nga PDSH.

Sipas këtij vendimi makabër të Qeverisë së Serbisë, në OP 27 këshilltarët shqiptarë do të  kryesohen dhe do të dominohen nga pakica prej 11 këshilltarëve (APN-SNS), dmth pakica prej 23%, përkundrejt shumicës prej 77%, duke e suguruar kështu ndikimin absolut të Qeverisë dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit në përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonëshme lokale për Kuvendin e Komunës së Preshevës!


Pushteti paralel serb në komunën e Bujanocit


Por, SNS-i dhe Aleksandar Vuçiqi nuk janë duke qëndruar duarkryq as në komunën e Bujanocit, e cila udhëhiqet nga kryetari Shaip Kamberi (PVD), duke krijuar pushtetin paralel në  Komunë të Bujanocit, me të ashtuquajturin "Aktiv Ekonomik", i cili do e anashkalonte pushtetin komunal, të udhëhequr nga mazhoranca e partive politike shqiptare dhe do lidhej direkt me pushtetin qendror të Serbisë!

Pra, Shqiprim Arifi, i cili kohë më parë kishte firmë të përbashkët dhe ishte ortak me një serb, të afërt me SNS-in dhe me përfaqësitë diplomatike të Serbisë, në Gjermani, në komunën e Preshevës, nga njëra anë, si si dhe deputeti serb i SNS-it të Aleksandar Vuçiqit me tentativën e tij për ta instaluar pushtetin paralel serb, përkundrejt mazhorancës së partive politike shqiptare në komunën e Bujanocit, nga ana tjetër, aktualisht janë duke hedhur zjarr dhe duke e destabilizuar tmerrësisht situatën politike në Luginë të Preshevës.


Saturday, September 16, 2017

Sfidat e Qeverisë Haradinaj dhe perspektiva e dyshimtë e koalicionit PANA-"Lista Srpska"


Shkruan: Nehat Hyseni


Kryeministri Ramush Haradinaj dhe qeveria e tij, si rezultat i Koalicionit PANA-"Lista Srpska", do të mbahen në mend për mbështetjen minimale nga Kuvendi i Kosovës, në seancën e 9 shtatorit 2017, si dhe për kredibilitetin e munguar moral dhe besimit të popullit shumicë, dmth shqiptarve të Republikës së Kosovë.

Pra, kjo Qeveri u krijua me mbështetjen e pakicës shqiptare të Koalicionit PANA dhe "Listës Srpska", dmth. me bekimin e Beogradit. 

Prandaj, në sytë e shqiptarve të Kosovës dhe mbarë shqiptarisë, dramaciteti i ndërprerjes së seancës nga Kadri Veseli, për t'i pritur si "shpëtimtarë" deputetët e "Listës Srpska" nga konsultimi i tyre me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd, dmth nga kryeqyteti i shtetit që e konsiderojmë "armik". 

Realisht, autoriteti i Ramush Haradinajt tek shqiptarët, për shkak të ecurisë së tij fanatike dhe pa skrupulla drejtë postit të kryeministrit, aktualisht është në pikën më të ulët, dmth minimal te shumica e shqiptarve të Kosovës. 

Rrugëtimi jo i lavdishëm i z.Haradinaj drejt këtij posti,

bashkë me Koalicionin PANA-"Lista Srpska" dhe krahëpërkrahë me PDK-në dhe Kadri Veselin, që kohë më parë i quante si "e keqja e Kosovës", në sytë e popullit shumicë të Kosovës, por edhe tek të gjithë shqiptarët kudo që janë, ka krijuar shije të hidhur dhe të papëlqyer deri në ekstrem. Madje edhe votimi i Qeverisë së tij në Kuvendin e Kosovës u bë në limitet e "vijës së kuqe" të minimumit prej 61 votash nga 120 deputetë, në sallën e boshatisur dhe zgjedhjen e bojkotuar nga shumica e deputetëve shqiptarë.

I vetëdijshëm për mungesën drastike të fuqisë politike, kryeministri Haradinaj, sapo e filloi punën i tregoi "muskujt" fizikë, duke e shkelmuar derën e zyres së ministrave, duke e shkatërruar atë plotësisht. Natyrisht, këtë demonstrim të forcës së tij fizike, kryeministri Haradinaj e kishte shoqëruar edhe me të sharë "allashqiptarçe" me nanë e robë..."

Qeveria Haradinaj, që nga mbledhja e parë shkarkoi kryetarin e komisionit z.Murat Mehaj, për të cilin thuhet se është njeri i Hashim Thaçit dhe emëroi Shpejtim Bulliqin nga LDK-ja, kryetar të komisionit për demarkimin e kufirit shtetëror midis Republikes së Kosovës me Malin e Zi, i cili ishte përkrahës dhe njihet si njeri i z. Haradinaj.

Mbase, z. Haradinaj me këtë gjest kishte për qëllim që të përballet me sfidën e tij të parë politike, që e kishte shfrytëzuar si kauzë patriotike dhe bashkë me Vetëvendosjen dhe një pjesë të deputetëve të LDK-së e të PDK-së, kishin arritur ta bllokojnë miratimin e Marrëveshjes për Demarkacionin, që ishte caktuar nga Unioni Europian, si kusht për liberalizimin e vizave. 

Madje, bllokimi i kësaj pike të rëndësishme kishte arritur që ta bllokoj punën e Parlamentit dhe me propozimin formal të Nismës dhe me përkrahjen e PDK-së dhe Vetëvendosjes, arritën ta shpërndajnë Kuvendin e Kosovës, ta rrëzojnë Qeverinë e Zisa Mustafës dhe t'i shpallin zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017.

Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është sfida kryesore e Qeverisë Haradinaj. 

Sepse, qëndrimi i tij partiak e personal bie ndesh me atë të BE-së dhe të SHBA-ve. 

Ky fakt ia "përkujtoi" njëri nga gazetarët gjatë një konference për mediat, që i solli nervozë të konsiderueshme kryeministrit Haradinaj dhe sjellje arrogante, të padenjë për postin e lartë shtetëror që ushtron aktualisht.

Mbase, pikërisht çështja e Demarkacionit mund ta ndajë AAK-në dhe z.Haradinaj nga Koalicioni PANA-"Lista Srpska" dhe së bashku me "Nismën" e Fatmir Limajt të bashkohen me Vetëvendosjen dhe LDK-në dhe të krijojnë koalicionin e madh: VV (32) + LA (27) + AAK (11) + Nisma (7) = mazhorancën prej 77 deputetëve shqiptarë.

Kurse, së bashku me opozitën (20), do e krijonin mazhorancën më të madhe qeverisëse, prej 97 deputetësh, në historinë politike të Republikës së Kosovës, që nga paslufta e vitit 1999 e deri më sot.

Rrjedhimisht, PDK do të mbetej në opozitë dhe do të realizoheshin objektivat politike dhe premtimet e fushatës parazgjedhore të Vetëvendosjes dhe të LA-së, si dhe do të shpërbëhej Koalicioni PANA-"Lista Srpska", që realisht është i urryer nga populli shumicë i Kosovës, meqë varet nga diktati politik i Beogradit.