Thursday, August 31, 2017

Vajtimet e Isës, mëkatet e Albinit dhe shpresat e Ramushit


Shkruan: Nehat Hyseni


Në këtë vakuum institucional, të krijuar nga ambiciet e paskrupullta të koalicionit PAN për pushtet, pa votën e shumicës së shqiptarve, Republika e Kosovës si shtet, po rrezikohet seriozisht nga "fëmijtë" e vet, të pangopshëm për pushtet.

Pothuajse tre muaj që kanë kaluar nga zgjedhjet e 11 qershorit dhe ata të cilët e shpallën veten si "çlirimtarë", janë tubuar në koalicionin PAN dhe janë duke e mallkuar veten dhe Kushtetutën e Kosovës, pse nuk ditën t'ia sigurojnë vetes të drejtën e përjetëshme për ta qeverisur Kosovën. Prandaj, me krizë politike dhe me bllokadë institucionale po detyrohen që ta përmirësojnë këtë "gabim" të tyre, që po i bënë nervoz dhe po i detyron që ta drejtojnë gishtin në Kuvend dhe botërisht të na kërcënojnë: se "nuk e dini se me kë keni punë"?!

Sikur dëshirojnë të na thonë se "Serbia është e fortë dhe nuk mundëm të çlirohemi pa bombardimet e NATO-s nga qielli, por ama Kosovën mund ta bllokojmë e ta shkatërrojmë pa ndihmën dhe pa lejen e askujt"!

Realisht, ne po bindemi gjithënjë e më tepër se ata këtë po e bëjnë për çdo ditë e më tepër. 

Me makinacione e obstrukcione të panumërta shtetbllokuese, në emër të vendit dhe "për të mirën e Kosovës"!

 Madje edhe atëherë kur nuk i kanë numrat dhe kryeparlamentarin e kryeministrin dhe Qeverinë e re duan ta votojnë me votat e pakicës shqiptare dhe minoriteteve, kundër shumicës shqiptare.

Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së dhe kryeministri aktual "në detyrë", akademik Isa Mustafa, në vlugun e negociatave për koalicionin e mundshëm LAA-LVV për krijimin e shumicës shqiptare prej 61 deputetëve, që me votat e minoriteteve do formonin "shumicën e kualifikuar" prej 81 deputetëve, ose 2/3 e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, na u paraqit befasisht në opinion me ankesat e vajtimet e panumërta ndaj "mëkateve" të LVV-së dhe kandidatit të saj për kryeministër, z. Albin Kurti!

Automatikisht, ky veprim i Isës ngjalli shpresat e PAN-it dhe të z. Haradinaj dhe llogaritja e tij në AKR-në e Behgjet e Pacollit.

Me këtë rast, askush mbase nuk i konteston shumicën e ankesave të Isa Mustafës. 

Por, një mori ankesash dhe vajtimesh të tij, sidomos në këtë momentum politik, thënë më së buti, duhet kritikuar.

Sepse, pa marrë parasysh (pa) vërtetësinë e këtyre ankesave, megjithatë edhe Isa Mustafa nuk është pa "mëkate" nga e kaluara e tij politike. Konsiderojmë se tani nuk është koha e duhur që të merremi me gjërat që na largojnë nga afrimi, mirëbesimi dhe ndërtimi i koalicionit të mundshëm LAA-LVV, që aktualisht po konsiderohet si "dritë në fund të tunelit".

Andaj, e porosisim Isa Mustafën dhe mbështetësit e tij: groposini "sopatat" dhe jepni frymë pajtimit politik për ndërtimin e vendit dhe për dalje nga kriza politike aktuale.

Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova ishte personi më i sulmuar dhe më i atakuar madhe edhe fizikisht në historinë e shtetndërtimit të Kosovës. Madje edhe nga "sankcionet" e Qeverisë Bukoshi dhe nga bllokada financiare e ministrisë së financave që drejtohej nga juz. Mustafa! 

 Presidenti Rugova kurrë nuk u ankua dhe i qëndroi stoikisht dhe me dinjitet e durim të pafund të gjitha sfida e sulmeve e atentateve të panumërta. Qoftë nga "miqtë" apo nga armiqtë e përbetuar të tij.

Prandaj, i nderuari z. Mustafa, nuk janë të hijëshme dhe të pranueshme, e aq më pak është e arsyeshme dhe në frymën  "rugoviane" ankesat dhe akuzat tuaja.

 Si lider aktual i LDK-së së Ibrahim Rugovës, ju duhet ta respektoni dhe të performoni sipas filozofisë politike Rugoviane, e jo ta përvetësoni ate për qëllime tuaja politike e njerëzore.

 As ju dhe as familja e Presidentit Rugova nuk duds he nuk guxoni të thirreni në autoritetin dhe veprën e trashëgiminë morale e politike të Presidentit Rugova, për t'i arsyetuar veprimet dhe gabimet  tuaja.

Ndërkaq, për kanditatin e LVV-së për kryeministër, z. Albin Kurti kemi një porosi. 

Z. Kurti, ju vendosët kravata, e ndryshuat pamjen apo "lukun" rebel të mëparshëm dhe fituat në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit, si parti e parë në Kosovë.

 Por, për t'u bërë kryeministër, ju duhet të ndryshoni edhe sjelljet tuaja dhe të pë përkuleni me respekt e dinjitet para figurës dhe veprës së pavdekëshme të Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugovës; të betoheni se do të respektoni flamurin dhe Sovranitetin e Pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Poqese nuk jeni të gatshëm, ju lutemi, harrone postin e kryeministrit dhe përgatituni për të qenë në opozitë, deri në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare!





Wednesday, August 30, 2017

Kryeministër i ardhshëm i Kosovës, vetëm ai që përkulet para figurës së Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugovës!




Shkruan: Nehat Hyseni


Kriza politike aktuale dhe bllokada institucionale, e krijuar nga dhunimi i paskrupullt dhe i pashpirt nga koalicioni PAN, nën ambrellën e të cilit janë grumbulluar autorët e pothuajse të gjitha krimeve dhe dhunimeve e plaçkitjeve dhe të kapjes së shtetit, mund të tejkalohet vetëm me një bashkëpunim dhe kompromis të sinqertë midis LVV-së, që ka 32 deputetë dhe koalicionit LAA, me 29 deputetë. 

Së bashku LVV dhe LAA, pra kanë gjithsej 61 deputetë shqiptarë, dmth shumicën e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sepse, siç e dijmë mirë se edhe në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit, agjendë kryesore e Lëvizjes Vetëvendosje ishte lufta kundër PDK-së, si prijëse e koalicionit PAN dhe Kadri Veselit si kryetar dhe përfaqësues i tyre.

Nga ana tjetër, koalicioni LAA, që përfshinte LDK-në, AKR-në dhe Alternativën, fokusin e fushatës e kishin orientuar kundër koalicionit PAN dhe Kadri Veselit, i cili konsiderohej si fajtori kryesor për prishjen e koalicionit qeverisës LDK-PDK, që u krijua pas prishjes së koalicionit paszgjedhor VLAN, që u krijua pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, që përfshinte LDK-në, LVV-në, AAK-në dhe Nismën dhe kishin në fokus të fushatës parazgjedhore luftën kundër PDK-së dhe Hashim Thaçit.

 Por, ky koalicion doli i pasuksesshëm, ose të themi më saktë, i humbur në luftën politike e juridike kundër PDK-së, meqë e kishte Gjykatën Kushtetuese dhe kryetarin e saj Enver Hasanin në shërbim të disiplinuar e të devotshëm të interesave grupore e private, dmth. personale, Hashim Thaçit dhe tarafit të tij politik, mafioz e antidemokratik, të kapjes së shtetit dhe institucioneve demokratike e shtetërore të Republikës së Kosovës.

Pra, në fushatën parazgjedhore të 2014-tës, PDK dhe Hashim Thaçi ishin cilësuar si e "keqja" e Kosovës dhe si burim i të gjitha aktiviteve kriminale e banditeske të kapjes së shtetit dhe si të tillë e bojkotonin të gjithë: LDK, LVV, AAK dhe Nisma, (VLAN), duke u betuar për "viat e kuqe" ndaj PDK-së.

Por, pas gati gjashtë muaj qëndrese, në pamundësi për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe të Qeverisë nga radhët e tyre, ky koalicion u prishë me kalimin e LDK-së me 32 deputetët e saj nga gjithsej 66 të koalicionit VLAN, në koalicion me PDK-në.

Kjo "besëthyerje" dhe "tradhëti" e LDK-së dhe kryetarit të saj, asokohe shkaktoi dridhje dhe zhgënjim të madh në LAN, dmth në pjesën e mbetur të koalicionit VLAN dhe tek populli i Kosovës, që u kishte besuar se do e fitonin betejën kundër qeverisjes së keqe e banditeske të PDK-së dhe Hashim Thaçit.

Atëbotë ishin shumë të zhurmshëm kundër kësaj tradhëtie Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, por dhe një pjesë e aktivistëve e veprimtarëve të dalluar edhe të LDK-së, si psh. Vjollca Osmani, Arben Gashi, Adem Salihaj e të tjerë.

Pasojë, apo më mirë me thënë "fatura politike" e kësaj "tradhëtie" të LDK-së dhe kryettarit të saj, Isa Mustafës, ishin humbja e 9 (nëntë) deputetëve të LDK-së, dmth humbja e reth 30% të votave në zgjedhjet e 11 qershorit 2017 krahasuar me ato të 8 qershorit 2014. 

Pra, LDK dhe Isa Musa u ndëshkuan me votë të munguar nga populli i Kosovës në këto zgjedhje, madje edhe më keq edhe PDK: nga 33 deputetë të fituar në zgjedhjet e 8 qershorit 2014, mbeti me vetëm 22 deputetë në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, që i bie se humbi 11 ulëse në Parlamentin e Kosovës, ose reth 1/3 e deputetëve të saj. Ndëshkimi i popullit me votë  ndaj PDK-së dhe Kadri Veselit, pra, ishte edhe më i rëndë se sa ndaj LDK-së.

Kurse, AAK e Ramushi Haradinajt, edhepse pritej dhe shpresohej se do të del si parti e parë, për shkak se kishte. kabdidatin e saj për kryeministër, megjithatë ajo nuk shënoi rritje dhe mbeti aty ku ishte edhe më parë, dmth si parti e katërt.

 Ndërkaq, Nisma e Fatmir Limajt , falë qëndrimit të tij të rezervuar ndaj PDK-së dhe Kadri Veselit, shënoi një rritje simbolike me një deputet, dmth nga 6 deputetë që i kishte, tani i bëri gjithsej shtatë deputetë. 

Figura më tragjike morale dhe më kundërthënëse, madje kontraverze e skenës politike të Republikës së Kosovës, gjatë fushatës parazgjedhore dhe pas zgjedhjeve të 11 qershorit, pa dyshim është kryerari i AAK-së dhe kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, z. Ramush Haradinaj.

 Mjafton që t'i merr inçizimet filmike nga deklaratat e tija të panumërta gjatë fushatës parazgjedhore të 2014-tës dhe pas zgjedhjeve, si pjesë e koalicionit paszgjedhor VLAN dhe të ulet diku z. Haradinaj i vetëm, i shoqëruar vetëm për vetëm me ndërgjegjen e tij njerëzore, kombëtare e prej luftëtari të dikurshëm të lirisë, para dëshmorëve dhe para Zotit dhe të jep vet vlerësimet e tia për vlerat e tia si politikan e si njeri. Jemi të sigurtë se do të vërej se z. Haradinaj i 2014-tës është diametralisht i ndryshëm, i kundërt dhe nuk ka asgjë të përbashkët me z. Haradinaj të 2017-tës. 

Atë që e kritikoi dhe e "pështyu" z.Haradinaj me të drejtë gjatë viteve të kaluara, ai u këthye kundër vetvetes dhe e  "lëpiu" me bashkimin e tij në koalicionin PAN.

 Të jemi të sinqertë, askush nuk është duke e ditur se cili është realisht Ramush Haradinaj i vërtetë dhe për cilat vlera politike e morale angazhohet ai, sinqerisht, si njeri dhe si politikan?

 Për pushtet, dmth për postin e kryeministrit, me çdo kusht, qoftë edhe në pazarllëk të pistë edhe me Listën Srpska, apo për shtet e mirëqenie të popullit të Kosovës?! 

Vallë, sikur të ishin gjallë dëshmorët e lirisë, si do ta kuptonin dhe a do ta miratonin këtë veprim makabër?

Prandaj, mbase do ishte zgjidhja më e mirë që AAK me 11 deputetët e saj dhe Nisma me 7 deputetë, kësaj radhe të bashkohen me Vetëvendosjen (32) dhe me LAA-në (29) dhe të krijojnë sërish koalicionin e madh VLAN, me gjithsej 79 deputetëve shqiptarë, që së vashku me minoritet (20), do i bënin 99 deputetë dhe do i hynin me përkushtim ndryshimeve kushtetuese dhe bërjes reale të Republikës së Kosovës, të denjë për të jetuar dhe si shtet stabil, të fortë e të respektuar në botë.

Sa i përket LDK-së dhe popullit të Kosovës, posti i kryeministrit është e parëndësishme se kujt i përket. 

Por, meqë Albin Kurti dhe LVV morën më shumë vota në zgjedhjet e 11 qershorit, poqese deklarohet dhe betohet publikisht se respekton filozofinë politike dhe figurën e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugovës, ai do e meritoj dhe realisht atij do i takoj posti i kryeministrit të Republikës së Kosovës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2017-2021.

Në të kundërtën, dmth poqese AAK dhe Nisma vazhdojnë të mbeten brenda koalicionit PAN dhe presin që me bashkëngjitjen eventuale të AKR-së me 4 deputetë, të krijojnë gjithsej 43 deputetë shqiptarë dhe me 20 votat e minoriteteve do të kishin gjithsej 63 deputetë dhe do krijonin një mazhorancë të brishtë dhe një Qeveri me "këmbë të qelqëta", të varur direkt nga tekat, interesat dhe nga vullneti politik të Listës Srpska dhe nga Beogradi.

Realisht, një qeveri e tillë, e formuar nga pakica shqiptare do ishte si qeveri "kuislinge" dhe e papranueshme për popullin shumicë të Kosovës. Kurse, partitë e tilla politike shqiptare dhe lidershipin e tyre, do i komprometoj dhe do i shporrë definitivisht nga skena politike e Republikës së Kosovës.






Dialogu i Brukselit është ngritur në nivel presidentësh?



Shkruan: Nehat Hyseni


Presidenti Thaçi dhe Vuçiqi, kanë paralajmëruar këto ditë takimin në Bruksel, me ndërmjetësimin e komisioneres së lartë të BE-së, zonjës Frederica Mogherini, për arritje të marrëveshjes për vazhdimin e Dialogut Kosovë 

  • Serbi. 

Pauza apo ndërprerja e stërzgjatur disamuajshe e këtij dialogu ka ndodhur për shkak të shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës më 10 maj 2017 dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare më 11 qershor. 

Meqë akoma nuk është konstituuar Kuvendi dhe nuk është formuar Qeveria e Kosovës, mandati i ekipit negociator të Kosovës ka skaduar dhe pritet që me tejkalimin e krizës politike aktuale dhe me zgjedhjen e institucioneve përkatëse do të formohet edhe ekipi i ri negociator.

Mirëpo, bie në sy një "rastësi", apo koincidencë se pikêrisht Hashim Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si kryeministër dhe Aleksandar Vuçiqi si kryeministër i Serbisë, kanë nënshkruar Marrëveshjen e parë Kosovë-Serbi, më 19 prill 2013.

Me atë Marrëveshje të pafavorëshme dhe fatzezë për kombin shqiptar dhe për Kosovën, z.Thaçi në mënyrë skajshmërisht diletante dhe të papërgjegjëshme ka nënshkruar de facto kapitulimin e Kosovës ndaj Serbisë, duke ia vënë themelet Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që realisht paraqet thikë pas shpine, apo si "kunxhi i Nasradinit" ndaj Pavarësisë dhe Sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës në komunat me shumicë serbe. Gjithashtu, me atë Marrëveshje makabre e antishqiptare janë përfshirë vetëm obligimet e shtetit të Kosovës ndaj minoriteteve dhe posaçërisht ndaj serbëve të Kosovës, duke mos i përfshirë dhe mos i përfillur fare të drejtat e shqiptarve në Serbi, dmth në Luginë të Preshevës sipas parimit të reciprocitetit midis tyre.

Andaj, Dialogu i Brukselit, që tani është duke u zhvilluar në nivel presidentësh, duhet ndryshuar dhe ridizajnuar radikalisht dhe duhet përshtatur interesave tona vitale shtetërore e kombëtare dhe Kushtetutës së Kosovës.

Monday, August 28, 2017

Koalicioni PAN është përgjegjës për krizën politike aktuale dhe për bllokadën institucionale të Republikës së Kosovës



Shkruan: Nehat Hyseni


Si të shpëtojmë dhe të dalim faqebardhë nga kriza politike aktuale dhe nga bllokada instucionale, është bërë preokupim kryesor i qytetarëve të shtetit më të ri dhe më të izoluar të Europës, Republikës së Kosovës.

 Të pamësuar në demokraci dhe në pamundësi që të na çlironin nga Serbia fashiste e gjenocidale e Millosheviqit, "çlirimtarët" tanë, pa bombardimet e NATO-s 18 vjet më parë, Republika e Kosovës aktualisht është peng dhe e robëruar pikërisht prej tyre.

Edhepse nuk ditën, apo nuk mundën që me luftë të na çlirojnë nga Serbia, "krahu i luftës", i grumbulluar kësaj here në koalicionin PAN ia arriti që ta bllokoj Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj, sa herë që kishte nevojë. 

Pra, edhepse nuk ditën e nuk mundën sa duhet të luftojnë, sa duket, ata ia kanë marrë dorën taktikave e marifetllëqeve dhe lojrave të pista politike, që të na bllokojnë.

Fillimisht u kujdesën që ta hartojnë një Kushtetutë "sui generis", me demek "veç dynjasë", për ta ngatërruar mozomakeq e për ta bërë lëmsh, për faqe të zezë këtë vend të bekuar, jofunksional dhe të ngatërruar e të nemur dhe të dënuar për të qenë vazhdimisht në krizë.

Madje, në krizë të dyfishtë: politike dhe institucionale.

Ky taraf politik i "çlirimtarëve", i tubuar në koalicionin PAN, e ka fituar të drejtën e përjetëshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, por jo dhe mundësinë, meqë nuk i ka numrat", deklaroi përfaqësuesi i tyre, Enver Hoxhaj, në vazhdimin e gjashtë me radhë të Mbledhjes konstituive të 24 gushtit 2017. Dhe për këtë i ka fajet populli i Kosovës, meqë nuk diti apo mbase nuk dashti "të votoj si duhet".

 Sepse, sikur ta votonte koalicionin PAN "si duhet", tani ata do i kishin numrat dhe pa kurrëfar problemi do e zgjidhnin kryeparlamentarin dhe Qeverinë e re të Kosovës, me Ramush Haradinajn si kryeministër.

Sikur të ishte Kushtetuta "si duhet", apo sikur të ishte populli "si duhet", tani do e kishim situatë politike të zgjidhur. 

Pra, Kushtetuta ja një "defekt" serioz, meqë nuk e ka përcaktuar edhe emrin e kryeparlamentarit dhe të kryeministrit, pavarësisht "numrave". 

Sepse, sipas PAN-it, vetëm atëherë nuk do të kishim kriza politike e bllokada institucionale, kurse Republika e Kosovës do ishte shtet funksional e "demokratik"!

Pra, kriza politike dhe bllokada institucionale aktuale është imponuar artificialisht dhe padrejtësisht nga koalicioni PAN, me bekimin dhe dirigjimin e heshtur nga prapaskena të Presidentit Hashim Thaçi dhe me zbatimin e devotshëm dhe të paskrupullt nga Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, ka pasoja të rrezikëshme dhe komprometuese për ekonominë e vendit dhe për imazhin e shtetit të Kosovës në botë.

Gjithësesi, koalicioni PAN është përgjegjës dhe duhet ta ndërpresë dhunimin e demokracisë dhe të praktikave të mirëfillta politike europiane, duke e zhbllokuar skenën politike aktuale dhe duke i hapur rrugë zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe Qeverisë së re e institucioneve të Republikës ë Kosovës.



Sunday, August 27, 2017

Dilema e superpatriotëve feja apo kombi, xhamia apo shkolla?



Shkruan: Nehat Hyseni


Kohëve të fundit është duke u zhvilluar, ose më sakt, pretendohet të na imponohet një debat i nxehtë "superpatriotik", me tendencë dhe pretendime dashakeqe, duke na imponuar dilemën artificiale midis shqiptarve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës lidhur me atë se:

"Çka na duhet më së shumti: xhamia apo shkolla"?

Madje, janë imponuar disa "superpatriotë" kujdestarë me shpikje "gjeniale" dhe me porosi "superpatriotike", se "nuk na duhen kisha e as xhamia, se feja e jonë është shqiptaria"!

Pra, kjo i bie se duhet të zgjedhim midis objekteve fetare, pra kishave e xhamiave dhe shkollave. 

Sepse, të dyjat, dmth. feja dhe kombi, xhamiat dhe shkollat, sipas këtyre "superpatriotëve", nuk mund të bashkëjetojnë dhe se nuk paraqesin dy shtylla të fuqishme të shoqërisë njerëzore në përgjidhë dhe të shqiptarve në veçanti!

Kështu na thonë "superpatriotët", të cilët me "gjenialitetin" e tyre zbuluan se edhe Krishti na qenka shqiptar. 

Rrjedhimisht, kush nuk e beson këtë "të vërtetë", definitivisht është tradhëtar!

Madje, shkojnë edhe më larg dhe pohojnë se "të krishterët shqiptarë janë patriotë, meqë nuk e kanë ndërruar fenë" dhe se prej se është kurdisur dynjaja ka ekzistuar krishterizmi, me demek shqiptarët, sepse krishterizmi, sipas tyre është sinonim i shqiptarizmit. 

Po e përsërisim, që të mos harrojmë të vërtetën e zbuluar nga këta "supershqiptarë", se Krishti ka qenë shqiptarë edhepse plisin ia paskan rrëmbyer diku tradhëtarët. 

Sa i përket shqiptarve myslimanë, këta janë tradhëtarë që e harruan "fenë e të parëve" dhe u bënë "turqë" e "arabë". Për dallim nga shqiptarët e krishterë, të cilët ishin dhe mbetën "trima e patriotë"!

Kështu e thonë, apo e nënkuptojnë pandërprerë "superpatriotët" kujdestarë, ditë e natë nëpër media e rrjete sociale.

"Superpatriotët" pyesin se si ka mundësi, vallë, që dikush të shkoj në xhami dhe të falet e t'i lutet Allahut, të agjinoj ramazanin e të falet dhe festoj bajramin, të pres kurban e të shkoj në haxhillëk e të vizitoj Qaben dhe të jetë patriot shqiptar?!

Ky "diskurs religjioz" i "superpatriotëve", pra, karakterizohet me shtruarjen e problemit të ballafaqimit të identitetit fetar, sidomos të atij mysliman dhe identitetit kombëtar, duke na përkujtuar vitet e socializmit dhe ideologjisë komuniste në krye me Enver Hoxhën "andej", si dhe me Titon "këndej" gardhit.

Komunizmi, si ideologji "progresive", i kishte shpallur luftë të pakompris ideologjisë "prapanike" dhe "dogmave fetare", që sipas babait të socializmit shkencor, Karl Marksit (1818-1883), quhej "opium" për popullin dhe si burim i tjetërsimit dhe prapambeturisë së njerëzimit.

Prandaj, Enver Hoxha, si "progresist" e "revolucionar" që ishte, në vitin 1967 ndërseu "rininë revolucionare" në aksionin famëkeq të rrënimit të kishave dhe xhamive anembanë Shqipërisë, si burim i "prapambeturisë" dhe "paditurisë" dhe të regresit.

Kështu, Shqipëria u shpall si vendi i parë ateist në botë!

Të bindur se e tërë bota është mashtruar dhe droguar me "opium" religjioz dhe me besimin në Zot, komunistët shqiptarë ishin të bindur se e kishin gjetur shkaktarin dhe fajtorin e prapambetjes së njerëzimit në përgjithësi dhe të Shqipërisë e shqiptarve në veçanti.

Prandaj, kur e tërë bota mbeti në "terr" dhe në "injorancë fetare", Shqipëria dhe shqiptarët, të parët në botë u "zgjuan" nga kjo drogë dhe nga ky "opium" dhe hapën rrugën që të vetshpallen si populli më progresiv dhe më përparimtar në botë, me xhaxhain Enver në krye, si ideologun dhe prijësin "gjenial", më përparimtar, dmth progresiv dhe më të ditur në botë!

Natyrisht se këto pallavra e broçkulla komuniste prodhuan varfëri shpirtërore e materiale ekstreme dhe sistem totalitar e diktaturë , që me vdekjen e Enver Hoxhës dhe me rënien e socializmit si sistem totalitar të bazuar në ideologjinë totalitare dhe ateiste, përfundoi në mjerim dhe shpërtheu në ekzod të papaparë drejt botës së "prapambetur" e të droguar nga "opiumi religjioz" dhe nga besimi në Zot.

 Pra, ekzodi drejtë vendeve kapitaliste të Europës perëndimore, "të droguar" nga besimi në zot dhe religjioni, për dallim nga "kokat e kthjellëta" socialiste e komuniste, dmth. enveriste.


Saturday, August 26, 2017

Koalicioni LAA-LVV, i pamundur pa respektimin e figurës së Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugovës!




Shkruan: Nehat Hyseni


Pas vendosjes së kravatës nga Albin Kurti dhe deputetët e aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, që me cinizëm dhe frustrim të papërmbajtur, në momentin e krizës emocionale e morale për shkak të pamundësisë së tij për t'u ulur në karrigën e kryeparlamentarit dhe për ta shndërruar në cirk Parlamentin, nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i tendosur maksimalisht ai e quajti "shenjë të borgjezisë".

Por, ai nuk u ndal vetëm me kaq dhe ngatërroi edhe gjuhën amëtare dhe filloi të dërdëllisë "jerëm" dofarë "znaçka", duke u shërbyer kështu me gjuhën e mbështetësve të tij të Listës Srpska, me votën "besnike" të të cilëve ia kanë mësyrë postit të kryetarit të Kuvendit dhe të kryeministrit dhe krijimin e Qeverisë së re dhe institucioneve të reja, për ta qeverisur Republikën e Kosovës në mandatin e ardhshëm katër vjeçar 2017-2021.

Por, meqë fjala e urtë popullore thotë se "rrena i ka këmbët e shkurta", pohimi se PAN-i i" ka numrat" dmth 61 vota, me gojën e nënkryetarit të saj Enver Hoxhaj, në vazhdimin e gjashtë të mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 24 gusht 2017, u konfirmua se nuk i kanë numrat. 

Por, edhepse e thënë me cinizëm e dashakeqësi evidente, megjithatë "kravatizimi" apo "kollarizimi" i Lëvizjes Vetëvendosje doli si veprim i qëlluar dhe jashtëzakonisht i suksesshëm, meqë shënuan  fitore kolosale dhe rritje reth 120% më shumë krahasuare zgjedhjet paraprake.

Kjo ishte dëshmi se, për dallim nga dashakeqësia e z. Veseli dhe tarafit të tij politik, populli i Kosovës e vlerësoi shumë lartë he e mbështeti këtë ndryshim dhe e kuptoi se Lëvizja Vetëvendosje po shndërrohet në parti politike serioze, kurse kreu i saj udhëheqës po shndërroheshin në politikanë seriozë, duke i braktisur veprimet e dhunëshme, gazin lotësjellës dhe maskarallëqet e tjera dhe sjelljet e pahijëshme e rebele.

Prandaj, askush nuk ka arsye që të mos e mbështes këtë "metamorfozë" të Vetëvendosjes dhe kandidatit të saj për kryeministër, Albin Kurtit dhe bashkëpartiakëve të tjerë të tij.

Por, konsiderojmë se, edhepse LVV morën 32 deputetë, megjithatë kjo nuk do i mjaftoj Albin Kurtit të bëhet kryeministër!

Pse?

Sepse, askush deri më sot në Kosovën e pasluftës, duke filluar me të ndjerin Dr. Bajram Rexhepin si kryeministër i parë i "Kosovës së lirë", pastaj Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi dhe kuptohet edhe Isa Mustafa, pa asnjë përjashtim, nuk kanë mundur të ulen në këtë post pa e nderuar e respektuar për së gjalli dhe pa u përkulur tek varri i Kryetarit të parë dhe themeluesit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Presidentit Historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës!

Prandaj, edhe Albin Kurti nuk mund të bëjë përjashtim!

Sepse, LDK pa filozofinë politike të Ibrahim Rugovës, që paraqet vizionin e përjetshëm dhe fudamental idelogjik mbi të cilin mbështetet programi politik i kësaj partie.

Poqese Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk e respektojnë figurën e Ibrahim Rugovës dhe nuk tregojnë gadishmëri dhe vendosmëri për respekt ndaj "Rugovizmit" si filozofi bazë e programit politik dhe veprimit të LDK-së, druaj se koalicioni eventual LVV-LAA do të ishte i pasinqertë dhe i paperspektivë.

Rjedhimisht edhe Qeveria LVV-LAA do të ishte jostabile dhe joefikase, e padenjë dhe e paaftë për t'i realizuar premtimet parazgjedhore dhe qëllimet programore të asnjërës parti dhe të qeverisë me sukses vendin në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

 Në të kundërtën, pra në rast të mungesës së gadishmërisë së sinqertë për respektim reciprok dhe implementim të vlerave fudamentale ideologjike e politike të palëve të koalicionit, atëherë mbase do të ishte më mirë që të shpallen  zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare për 22 tetor 2017, dmth së bashku me zgjedhjet lokale.

Friday, August 25, 2017

Pse Ramushi dhe Albini nuk duhet të zgjidhen kryeministër të Kosovës?



Shkruan: Nehat Hyseni


Ekstremizmi dhe radikalizmi i pashembulltë i përdorimit të dhunës, si mjet dhe mënyrë për marrje të pushtetit, në Kosovën e pasluftës ishte praktikë e "krahut të luftës", dmth PDK-së, AAK-së dhe Nismës, që formuan koalicionin parazgjedhor PAN, për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017. 

Numri i vrasjeve politike, dhunimeve dhe atentateve e shantazhimeve të tyre ishte tejet i madh. 

Mjerisht, shumica prej atyre akteve kriminale e makabre mbetën edhe sot e kësaj dite të pazbardhura dhe vrasësit e kriminelët, si dhe porositësit e tyre, mbetën të lirë dhe të pandëshkuar. 

Ata nuk hezituan që t'i kurdisin atentate të shumëta madje as Presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës. 

Pra, viktimë e dhunës dhe kreve të tyre makabre ishin kryesisht deputetët dhe aktivistët më të devotshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por, sa duket, filozofinë dhe mendësinë e përdorimit "revolucionar" të dhunës, që sipas doktrinës marksiste-leniniste-staliniste, paraqet rrugë të vetme për marrje të pushtetit, e aplikuan skajshmërisht edhe Lëvizja Vetëvendosja. 

Kurse, viktimë e tyre ishin gjithashtu aktivistët e LDK-së dhe institucionet e Republikës së Kosovës. 

Por, shumë herë u sulmua egërsisht dhe u dëmtua seriozisht edhe prona shtetërore dhe ajo private, sidomos gjatë protestave dhe demostratave të tyre shkatërrimtare.

Përmasat e kësaj dhune ishin të paimagjinueshme, duke mos kursyer fare as sallën e Kuvendit të Kosovës, me hedhjen e gazit lotësjellës dhe duke e sulmuar fizikisht dhe duke e gjuantur me vezë dhe me gjëra të forta edhe kryeministrin Isa Mustafa.

Pra, mund të konkludojmë se PAN-i dhe Vetëvendosja ishin parti politike të dhunëshme, që dëmtuan rënd skenën politike vendore dhe imazhin demokratik të Republikës së Kosovës në botë.

Prandaj, tani kur kemi krizë politike dhe bllokadë institucionale që është shkaktuar nga pamundësia e zgjedhjes së Kadri Veselit, kryetar të Kuvendit për shkak të mungesës së votave dhe "vijave të kuqe" të LAA-së dhe Vetëvendosjes ndaj kësaj figure të errët politike. Rrjedhimisht, as Ramush Haradinaj si kandidat i koalicionit PAN me 39 deputetë nuk ka gjasa reale për t'u votuar për këtë post.

Ndërkaq, Vetëvendosja me 32 deputetë nuk ka mundësi pa mbështetjen e koalicionit LAA që ka 29 deputetë dhe së bashku përbëjnë shumicën e mjaftueshme prej 61 deputetëve që edhe pa votën e minoriteteve ta zgjedhin kryeministrin dhe qeverinë.

Duke marrë parasysh rethanat e përmendura, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje do ishte korrekte të bëjnë një kompromis dhe postin e kryeministrit t'ia lënë LAA-së.

Kështu, jo vetëm që do të vihej deri diku në vend drejtësia politike për shkak të sjelljes  dhe të kaluarës problematike, por edhe do të zgjidhej kriza aktuale dhe bllokada politike, si dhe jeta institucionale e Republikës së Kosovës.



Thursday, August 24, 2017

Sipas PAN-it, numri baraz i deputetëve të Kuvendit të Kosovës: 60 "patriotë" dhe 60 shqiptarë me "znaçka"!



Shkruan: Nehat Hyseni 


Vazhdimi pa rezultat i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 24 gusht 2017, paraqet një situatë absurde dhe konfirmon pohimet e gjithëmotshëm antishqiptarë se nuk jemi të aftë për shtet.

Mjerisht, mendësia e tregimit të "muskujve" se sa janë të fuqishëm individët si puna e Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt, paraqet dëshmi se sa i brishtë, i pafuqishëm dhe i kapur skajshmërisht është shteti i Republikës së Kosovës. Këta "patriotë" me këmbëngulje dojnë të na dëshmojnë se shteti janë Ramushi e Kadriu, si dhe se ky shtet është populli. Sepse, populli i Kosovës është "jopatriot", i paaftë dhe i padijshëm. 

Prandaj edhe është i padinjitetshëm për ta respektuar.

 Ata pyesin: Kush jeni ju që mund të dushoni në pagabueshmërinë dhe "patriotizmin" e kapove të shtetit të Republikës së Kosovës? 

Ky popull, që është i stërmbushur me aq shumë tradhëtarë, si ka mundësi "t'ia tregoj babës megjet? 

Kush është populli dhe sa vlerë ka vota e tij e çmendur që nuk iu dha "patriotëve", por tradhëtarëve me "znaçka"? 

Me të drejtë pyesin "patriotët"!

Mbase ndokush merr guximin dhe (paturpësisht) pyet se kush janë këta "patriotë" që pohojnë se i kanë 60 vota, dmth gjysmën e 120 deputetëve të Parlamentit të Kosovës?

Përgjigja, nëse guxojmë fare të përgjigjemi, është: PAN-i me 39 deputetë, ose me 32,5% dhe Lista Srpska me minoritetet me 21 deputetë, ose 17,5, përbëjnë gjithsej 60 deputetë, ose fiks 50% të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që do të thotë se u mungon vetëm edhe një deputet "patriot" për ta zgjedhur Kadri Veselin kryetar të Kuvendit dhe Ramush Haradinajn kryeministër të Kosovës.

Natyrisht se, sipas PAN-it, nuk duhet të ket keqkuptime se si është e mundur që Lista Srpska, që siç dihet është e zgjedhur me dirigjim nga Beogradi dhe Vuçiqi, si pasardhës i Sheshelit dhe Daçiqi, si pasardhës i Millosheviqit. 

Sepse, këtu nuk është me rëndësi shteti i Kosovës, por individët "patriotë" dhe kush ua jep votën këtyre dy individëve, sipas tyre, realisht ia jep edhe Kosovës!

Prandaj, populli i "padijshëm" i Kosovës mund të bëjë "budallallallëk" edhe më të madh poqese shprehë dyshimin edhe më të vogël ndaj deputetëve "patriotë" të Listës Srpska dhe minoriteteve dhe, ruana zot, poqese u beson 32 deputetëve të Vetëvendosjes dhe 29 deputetëve të LAA-së. Sepse, këta, sipas PAN-it, na qenkan deputetë shqiptarë me "znaçka" dhe janë kundër interesave të Kosovës! 

Kurse, deputetët e Listës Srpska dhe minoriteteve janë, sipas PAN-it, "patriotë" dhe do t'i ndihmojnë Republikës së Kosovës për marrje të "vendimeve të mëdha" dhe të "guximëshme".

Prandaj, e falemnderojmë shukri PAN-in për këtë zbulim epokal që do na kthjellë mendjen që të ruhemi nga "shqiptarët me znaçka", që janë "tradhëtarë" dhe t'i mbështesim deputetët "patriotë" të Listës Srpska dhe minoriteteve të tjera. 

Tek e fundit, vallë, a nuk na ka mësuar Xhaxhai Enver dikur për "vëllezërit" rusë e kinezë dhe për "miqtë kosovarë"?! 

Pra, kjo është "formula e shpëtimit" e ofruar nga PAN-i, që duhet ta nxjerrë nga kriza politike aktuale Kosovën dhe që pretendon me çdo kusht që ta qeverisë Republikën e Kosovës, me Kadri Veselin si kryeparlamentar dhe Ramush Haradinajn si kryeministër, në mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2017-2021.

Tuesday, August 22, 2017

Shitja patriotike e AKR-së dhe Behgjet Pacollit PAN-it



Shkruan: Nehat Hyseni


Sa duket, AKR ka vendosur definitivisht që ti bashkohet PAN-it, si dhe ta votoj kandidatin e tyre, Kadri Veselin për  kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Ky hap i AKR-së dhe presidentit të saj, Behgjet Pacollit, në mbledhjen konstituive të 24 gushtit 2017, sigurisht se do i zhgënjej thellë simpatizantët e kësaj partie e të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, e sidomos popullin e Kosovës që në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017 votuan kundër krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit nga klani "Pronto" dhe për ndryshime radikale. 

Se AKR-së dhe Behgjet Pacollit kurrë nuk mund t'i besohet, këte e kemi ditur të gjithë, edhepse disa filluan t'i besojnë gënjeshtrave, deklaratave dhe premtimeve boshe e të pasinqerta të tij.

Si "balon provues" ai e kishte hedhur kandidatin humbës të garës për kryetar komune të Ferizajit, këngëtarin Labinot Tahiri.

Si biznesmen i dëshmuar, Behgjet Pacolli din se si t'ia rrisë pazarin partisë së tij, që dikur ishte e madhe dhe serioze dhe shumë shpejtë e humbi mbështetjen e votuesve, duke u shndërruar në parti xhuxhe, të paperspektivë dhe para shuarjes definitive.

AKR dikur u formua kryesisht nga elektorati i LDK-së, të cilit besonin se z.Pacolli do ta zhvilloj Kosovën, meqë është i pasur dhe biznesmenë e nuk do të kishte nevojë ta vidhte 

e ta shes Kosovën siç vepron klasa e leckamanëve të dikurshëm dhe milionerëve aktual e "Kosovës së lirë" qe 18 vjet pas luftës. 

Por, shumë shpejtë u pa puna se motivacioni i vetëm i tij ishte gllabërimi i pasurive dhe ekonomisë kosovare dhe shndërrimi i paskrupulkt i saj në pronë private të "Boss-it".

Pra, AKR është parti e interesit pasurimit personal e privat të Behgjet Pacollit, pa ideologji dhe program kombëtar. 

Prandaj dhe realisht kjo parti cilësohet si parti private që synon pushtetin për shtimin e pasurisë së pronarit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Meqë kriza aktuale e "numrave" ia rriti dukshëm vlerën e (4) votave të partisë së tij, z.Pacolli vlerësoi se ishte "çmimi i duhur" dhe pas shumë lujatjesh, ai ia shiti PAN-it. 

Se për çfarë çmimi apo kushtet realisht bëhet fjalë, mbase këtë do ta mësojmë më vonë. Sigurisht se ka të bëjë me poste dhe kompetenca nga lëmi i ekonomisë, ku levërdia është e madhe dhe mundësitë e përfitimeve financiare dhe të shtimit marramendës të "Boss-it" realisht janë të mëdha. Kurse, arsyetimi i tij para mediave është se po e bëjnë "për Kosovën", që paraqet deklarim sa komik poaq edhe tragjik për Republikën e Kosovës.

Pse?

Sepse, z.Pacolli me shkëputjen e tij nga koacioni LAA, vrau shpresën për krijimin e koalicionit LAA-VV që do krijonin shumicën prej 61 deputetësh shqiptarë dhe me minoritetet do krijonin shumicën e kualifikuar me mbi 81 deputetë, që do i mjaftonin për ndryshin e Kushtetutës dhe për marrje të vendineve kapitale pa votat e opozitës (PAN-it).

Pra, kështu Behgjet Pacolli u shkëputë nga shumica shqiptare dhe do të mundësoj krijimin e Qeverisë nga pakica shqiptare PAN me 39 deputetë dhe me minoritet e AKR-në do i kishin 63 ose 64 deputetë gjithsej, që do të mundësoj formimin e Qeverisë së varur nga Lista Srpska dhe minoritet tjera.

 Kjo pozitë është ideale për z. Pacolli për shkak të lidhjeve dhe bizneseve e interesave të tija të shumta me Beogradin e Vuçiqit dhe me Moskën e Putinit.

Me "ringjalljen" e këtyre jaranive dhe miqësive të tia të vjetra me Serbinë dhe Rusinë, z. Pacolli do i ndihmoj marrjes dhe realizimit të të ashtuquajturave "vendime të mëdha" të PAN-it dhe do vihej në pozitën ndërmjetësuese Prishtinë-Beograd-Moskë "për zgjidhjen e çështjes së Kosovës".

Njëkohësisht do ta

mbronte nga rreziku i burgosjeve e arrestimeve eventuale kreun e PAN-ik nga Gjykata Speciale, duke e siguruar rritjen me ritëm kolosal dhe të paparë të pasurisë private të tij për shërbimet e këtilla "patriotike" ndaj atdheut.




Sunday, August 20, 2017

Vendimet e mëdha të PAN-it, SNS-i i Vuçiqit dhe zgjidhja e çështjes së Kosovës



Shkruan: Nehat Hyseni


Qeveria Mustafa, e koalicionit qeverisës LDK-PDK u rrëzua më 10 maj 2017, me "arsyetimin" krtetarit tē PDK-së, Kadri Veselit se "nuk ishte e aftë për marrje" të të ashtuquajturave "vendime të mëdha".

Deri në këto momente askush në Republikën e Kosovës, mbase, nuk e din se çka kishte menduar z. Veseli me këtë shpikje të tij, edhepse u stërpërsërit shumë herë nga bashkëpartiakët e tij si "argument" për domosdoshmërinë e shpërbërjes së Kuvendit dhe Qeverisë Mustafa dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare më 11 qershor 2017.

"Dashakeqët" dhe analistët e pabindur politik sqaruan se qëllimi i Kadri Veselit dhe partisë së tij kishte të bënte me faktin se LDK ishte "shtrydhur si limoni" dhe nuk i nevoitej më Kosovës (lexo: PDK-së), meqë me votën e saj, Hashim Thaçi tanimë ishte bërë President në mbledhjen e 26 shkurtit 2016, në kushte të protestave gjithëpopullore, të cilave u doli zot "politikisht" Lëvizja Vetëvendosje.

Nga ky moment, sa duket, PDK e Kadri Veselit mendoi se e "kaloi lumin" dhe i tha publikisht  LDK-së, si i thotë fjala popullore, ta "dh..fsha atin"!

Prandaj, u bë shpikja "gjeniale" kinse Qeveria Mustafa nuk është e aftë për marrje të "vendimeve të mëdha"?!

Por, dorën në zemër, askush në Kosovë dhe më gjërë, as nga shqiptarët e as nga ndërkombëtarët nuk e kuptoi fare se për çfarë saktësisht e kishte fjalën Kadri Veseli?

Prandaj, në raste të tilla, kur askush nuk kupton asgjë, atëherë zakonisht ndodhë që, meqë u vie turp të mos kuptojnë dhe ta vëjnë në pikëpyetje aftësinë e tyre personale e institucionale për ta kuptuar "të vërtetën" e thënë publikisht, zyrtarisht e institucionalisht nga lideri i këtillë, atëherë secilit nuk i mbetet tjetër, pos që të "nënkuptoj" gjithçka. 

Kështu, disa nënkuptuan" demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke e fajësuar LDK-në dhe Isa Mustafën se "nuk është i aftë për vendime të mëdha".

Por, dreq o punë, akoma pa e formuluar qartë "dyshimin" e këtillë, atyre iu kujtua e vërteta e hidhur se kjo vlente realisht më shumë për PDK-në se se sa për LDK-në!

Disa të tjerë ishin të prirur t'i besonin Hashim Thaçit dhe betimit të tij publik se "do ta transformoj FSK-në dhe do ta formoj Ushtrinë e Kosovës me çdo kusht". Në të kundërtën, ai u betua publikisht se "do të jap dorëheqje nga posti i Presidentit dhe nga politika"!

Obobooo! 

Natyrisht se të gjithë kosovarët, pa dallim partiak e ideologjik, i kapi paniku i dyfishtë: 

Vallë, si do t'ia dalim pa Hashim Thaçin President? 

Kurse, të tjerët ishin tmerruar se si i bëhet halli që të vendosim kundër ShBA-ve dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë për formimin e Ushtrisë, apo Forcave të armatosura të Kosovës (FAK) pa ndryshimet përkatëse në Kushtetutën e Kosovës?!

Si do t'ia dalim të vetëm kundër Amerikës dhe partnerëve të tjerë strategjik e miqëve ndërkombëtarë?

Pra, edhepse të gjithë e dinin realitetin e kaçikut politik dhe fatin e këtyre "betimeve ultimative", megjithatë pak a shumë të gjithë heshtën.

Edhe ata që i besuan

dhe ata që nuk i besuan sinqeritetit të tij.

Aq më pak i besuanmundësisë reale të realizimit të atyre "premtimeve".

Ndërkaq, rastësisht ose jo, në radhët e politikbërjes së "fqinjit tonë verior", Serbisë, Presidenti Aleksandar Vuçiq, me rastin e fjalimit të tij inaugurues më 31 maj 2017, solemnisht deklaroi se "ka ardhur koha e vendimeve të mëdha për zgjidhjen e problemit të Kosovës"!

Meqë Partia Përparimtare Serbe (Srpska Napredna Stranka - SNS), kryetar i së cilës është edhe si President, sepse ia lejon Kushtetuta e Serbisë, ka shumicën absolute të Parlamentit, shumicën e ministrive dhe kryeministrin, fuqia politike e tij realisht është e madhe.

 Mbase, ai është politikani më i fuqishishëm i Serbisë pas Sllobodan Millosheviqit.

Prandaj edhe besueshmëria ndaj deklaratave të tia politike është e madhe, sidomos kur deklaron se "ka ardhur koha për vendime të mëdha për Kosovën", pikërisht në kohën e kulmit të fushatës parazgjedhore, 11 ditë para mbajtjes së tyre në Kosovë!

Por, edhepse PDK për herë të parë pa Hashim Thaçin, me Kadri Veselin në krye, sipas tyre u përgatitën mirë me koalicionin parazgjedhor PAN (PDK-AAK-Nisma), si "krah i luftës" dhe "i aftë për marrje të vendimeve të mëdha" dhe llogaritej se në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 8 qershorit 2014 të kishte mbi 50% të votave, që do i mjaftonin për ta fituar postin edhe postin e kryeministrit në Kosovë, ashtu si SNS-i i Vuçiqit në Serbi, megjithatë ndodhi "çudia" e pabesueshme dhe PAN fitoi vetëm 39 deputetë shqiptarë, kundrejt VV me 32 dhe koalicionit LAA (LDK-AKR-Alternativa) me 29 deputetë shqiptarë, dmth 39 përkundrejt 61 deputetëve shqiptarë. Natyrisht, kjo u kuptua si "katastrofë e vërtetë" e PDK-së.

Por, zotërinjtë e PAN-it edhe përkundrejt kësaj humbje katastrofale e deklarojnë veten  paturpësisht dhe sillen si "fitues" të zgjedhjeve të 11 qershorit dhe kanë bllokuar zgjedhjen e instituciove të Kosovës.

Duke i falemnderuar aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës të vitit 2014 dhe "meritave" të veçanta të ishkryetarit të saj, Enver Hasanit, e drejta ekskluzive e propozimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës u është siguruar si monopol politik dhe rrjedhimisht edhe si mundësi shtetbllokimi të vendit. 

E gjithë kjo anomali është duke ndodhur me ndihmën e deputetëve të minoriteteve, të cilët janë "uzurpuar" nga koalicioni PAN.

Prandaj, Lista Srpska e dirigjuar nga Beogradi dhe deputetët e tjerë të minoriteteve nuk mund të thuhet se janë neutral. Përkundrazi, ata e treguan qartë veten se nga janë në të gjitha mbledhjet e deritanishme të Kuvendit të Kosovës, që nga 3 gushti 2017.

Pretendimet e PAN-it dhe të Ramush Haradinajt për postin e Kryeministrit me pakicën shqiptare dhe me minoritetet do të ishte e varur funksionalisht dhe praktikisht nga Vuçiqi dhe mbase do të bashkëpunonin për marrje të "vendimeve të mëdha" dhe zgjidhjes së problemeve të Republikës së Kosovës sipas vullnetit dhe diktatit politik të Beogradit.

Poqese minoritetet do e kishin me seriozitet deklarimin e tyre se do të jenë "me ata të cilët do ta kenë shumicën", atëherë ata do të radhiteshin me LAA dhe VV, që i kanë 61 deputetë dhe realisht paraqesin shumicën absolute të  deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilëve u përket e drejta demokratike për formimin e institucioneve dhe për qeverisjen e Republikës së Kosovës në mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2017-2021.





Sunday, August 13, 2017

Rugovizmi shtetbllokues i hienave politike të Kosovës



Shkruan: Nehat Hyseni


Lotë krokodili për Presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 11 qershorit janë duke derdhur   hienat e çmendura dhe të tërbuara për pushtet, si "burim hyjnor" për pasurim, abuzim të pafund dhe përdhosje vlerash civilizuese e shtetndërtuese, dinjitetit njerëzor e moral.

Matrapazët dhe mjeranët e ndryshëm, si dhe kriminelët e shumtë e banditët politikë, që paturpësisht pretendojnë të na imponohen si "patriotë" e "luftëtarë" i janë turrur të shkretës deputete Teutë Rugova, të cilën e kanë vënë në siklet midis vëllaut kriminel për shlyerjen e mëkateve dhe abuzimeve me ligjin dhe për "shpëtimin" e tij nga drejtësia e ligji, në njerën anë, si dhe figurës legjendare të babait të saj dhe trashëgimisë politike e filozofike të "Rugovizmit".

E zënë "pisk", midis vëllaut të gjallë dhe babait të vdekur, nën trysninë e "hienave", sa duket, ajo tani më zgjodhi "shpëtimin" e vëllaut dhe i futi thikë pas shpine trashëgimisë politike e morale të Babait të saj legjendar, që gjithënjë e më shumë po quhet "Baba i Republikës së Kosovës".

Po të ishte e mundur që të ringjallej Ibrahim Rugova, këta "mbrojtës" aktualë, do të merrnin mundimin sërish t'i kurdisnin atentate dhe mbase edhe shumë e shumë tentativa për ta vrarë. 

Natyrisht, duke e "hedhur gurin,", apo minat dhe mjetet e ndryshme vrastare dhe duke e mëshefur dorën, madje edhe duke u përgatitur për të satën herë për ta "vajtuar".

Kuptohet, për ta vajtuar me "lotë krokodili"!

Pikërisht ashtu si vepruan këta politikbërës dhe banditë kriminelë në të kaluarën!

Edhe këta "rugovistët" e pas zgjedhjeve të 11 qershorit 017, që po i pret Gjykata Speciale, si "shpata e Demokleut". Llogaridhënia po i pret për krime të pafund të kryera në "Kosovën e lirë", por dhe para saj.

 Por dhe për shumë krime e abuzime të mbetura në tentativë!

Këta janë duke "vajtuar" me të madhe, madje me "trishtim" të madh "për Kosovën" dhe druajmë se do ta vërshoj e do ta përmbysë Kosovën në këto ditë përvluese të gushtit,  vala e "lotëve të krokodilit" prej tyre.

Me demek, njohësit e rethanave politike dhe intelektualët e mirëfilltë na porosisin që të mos çuditemi, se kështu e kanë "marksistat e leninistat" dhe stalinistat e enveristat e dikurshëm dhe pasardhësit e tyre, dmth aparatçikët e "Kosovës së lirë" e të "Pavarur", që na udhëhoqën qe 18 vjet.

Këta e bastardhuan shijen e "Kosovës së lirë" dhe na gërditën shtetin e pavarësinë, si dhe ëndrrën për normalitet dhe për radhitje në radhën e familjes demokratike të kombeve të qytetruara.

Meqë e komprometuan dhe katranosën pamëshirshëm, për faqe të zezë, aftësinë tonë për shtet të civilizuar, tani synojnë ta bllokojnë formimin e institucioneve dhe qeverisjen normale me mashtrimin e paskrupullt, kinse e kanë gjysmën e deputetëve (60), duke i llogaritur edhe minoritetet. Sipas kësaj logjike, LAA dhe Vetëvendosja do t'i ket 81 deputetë, ose 2/3 e Parlamentit të Kosovës, ose shumicën e kualifikuar.

Pra, poqese deklarohet se koalicioni PAN i ka 60, atëherë LAa dhe VV i kanë 81 deputetë.

Prandaj, duhet thënë troç, se aktualisht Kosovën e ka bllokuar pakica e deputetëve shqiptarë në krye me PDK-në, ashtu si ishte rasti edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonëshme parlamentare të vitit 2014.

Nuk duhet të kemi iluzione se do të shofim zhbllokim të situatës as në ditët më vijim.

Zgjidhje e vetme mbeten zgjedhjet e reja, të jashtëzakonshme parlamentare, që do të mbaheshin së bashku më zgjedhjet lokale, në të cilat pritet se do të krijohet diferenca e mjaftueshme me koalicione parazgjedhore që do krijoni "fituesin", të cilit do i takoj posti i kryeparlamentarit dhe i kryeministrit.

Ndërkaq, legjislaturës së re do i takoj obligimi i ndryshimit të kësaj dreq Kushtetuta, që me argatllëkun e djallit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe ish kryetari i saj, e kanë bllokuar dhe e kanë shndërruar Republikën e Kosovës në shtet jofunksional, të gjykuar në krizë permanente dhe të përherëshme politike e institucionale.