Friday, July 28, 2017

Adem Selimi (Gllavica), bashkëluftëtar dhe mik i ngushtë i Profesor Ibrahim Kelmendit



Shkruan: Nehat Hyseni


Adem Selimi (Gllavica) është figurë historike, patriot dhe intelektual me nam, i cili kontribuoi me pushkë dhe me penë për kauzën kombëtare. Roli i tij është kolosal në organizimin politiko-ushtarak të shqiptarve gjatë viteve dramatike 1943-1945 të LDB-së në Kosovë.

Adem Gllavica ishte shoku më i ngushtë i Profesor Ibrahim Kelmendi nga Presheva, që nga bankat shkollore në Medresenë e Madhe të Mbretit Aleksandar Karagjorgjeviq në Shkup (1930-1938), pastaj në Zagreb si studentë, gjatë punës si profesor në gjimnazin "Sami Frashëri" në Prishtinë; si anëtarë dhe aktistë të devotshëm të Ballit Kombëtar, NDSH-së, luftês në Preshevë, Ferizaj dhe në mbarë Kosovën; si anëtarë e veprimtarë të rëndësishëm të Lidhjes së Dytë të Prizrenit; në kalimin e kufirit dhe shpërnguljen me luftë dhe kalimin e kufirit më 31 dhjetor 1945 në Greqi; qëndrimin 4 vjet në Greqi; shpërnguljen në Gjermani në kuadër të organizatës "Shqipnija e Lirë"; kundërshtimin e përbashkët të dërgimit të diverzantëve kosovarë për rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ata shkonin si "qeni në rrush", meqë zbuloheshin lehtë nga Sigurimi Shtetëror i Shqipërisë  për shkak të dialektit të së folmes kosovare, që dallon nga e folmja e Shqipêrisë dhe mosaftësimit të mjaftueshëm, njohurive dhe aftësive ushtarake tejet modeste të tyre, etj; 

Natyrisht se Adem Selimi (Gllavica) dhe Profesor Ibrahim kelmendi, si intelektualë të mirëfilltë, veprimtarë e luftëtarë të devotshëm për kauzën kombëtare të shqiptarve në atë kohë të rrezikëshme dhe vendimtare për fatin historik të shqiptarve në ish Jugosllavi, refuzuan dhe madje protestuan ashpër kundër sakrifikimit dhe flijimit të kotë jetës së të rinjëve shqiptarë.

Për këtë arsye, kërkesa e tyre për shkuarje në Amerikë në vitin 1952, ku kishte shumë shqiptarë, u refuzua nga autoritetet amerikane.

Prandaj, ata së bashku detyrohen të shkojnë në Australi, me një anije të vjetër norvegjeze, e cila pas defekteve e prishjeve të shumëta, pas 5 javësh udhëtimi, mezi arrin në Australi.

Profesor Ibrahim Kelmendi vdiq në Melbourne të Australisë, më 24 janar 1979 dhe nuk la pasardhës, meqë nuk pati fëmijë me bashkëshorten e tij të devotêshme, zonjën Geraldina.

Në shenjë respekti ndaj veprimtarisë së tij heroike, Shkolla Fillore Qendrore e Preshevës mban me krenari emrin "Profesor Ibrahim Kelmendi".

Konsideroj se nisma për vendosjen e bustës së Adem Gllavicës në Ferizaj, duhet mbështetur, si dhe emërtimi i ndonjë shkolle apo institucioni publik me emrin e tij, që do i bënte nderë atyre dhe do e respektonte dhe nderonte këtë figurë madhështore të historisë kombëtare shqiptare, në veçanti Ferizajin me rethinë.





Metamorfoza e Albin Kurtit: nga "rrebeli nevrik", në "zotëri me kollare"



Shkruan: Nehat Hyseni


Situata e krijuar pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017 është tejet interesante, meqë ka gjasa reale që të ndërpritet maratona e deritanishme e PDK-së në pushtet. 

Por, janë krijuar mundësi reale që Vetëvendosja, e cila doli si parti e parë nga këto zgjedhje, që së bashku me koalicionin LDK-AKR-Alternativa, të qeverisë Republikën e Kosovës në mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2017-2021, me Albin Kurtin apo me Avdulla Hotin kryeministër.

Meqë Vetëvendosja asnjëherë deri më tani nuk ka qeverisur pushtetin qendror, kjo ishte arsyeja kryesore që ia siguroi vendin e parë si parti.

 Por, pas përfundimit të zgjedhjeve, shtrohet domosdoshmërisht pyetja se, vallë, si do të duket kjo parti në pushtet?

A do t'i përmbahen kursit të politikës ektremiste, që realisht ua solli fitoren atyre, apo do ta ndryshojnë atë radikalisht, ashtu si vepruan edhe me ndryshimin radikal të dukjes së

tyre, duke vendosur kollare (kravata) dhe rroba "fringo", si dhe dhe sjelljet rrebeluese në manire pak a shumë byrokratike.

Pra, në Kosovë është praktikë e zakonëshme që partitë politike të pësojnë metamorfozë të jashtëzakonëshme dhe radikale me ardhjen e tyre në pushtet.

Mjafton ta rikujtojmë Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn para 18 vjetësh. 

Derisa i pari, dmth Hashim Thaçi kishte pamjen e një "fëmije nga fshati", të vuajtur nga vobektësia dhe jeta e vështirë, sikur të nxirrej nga jetimorja, që linte përshtypjen e trishtueshme se nuk din as mirësjelljet elementare të botës së qytetëruar. 

Ngjashëm me pamjen e egër të një provincialisti të rrebeluar, Hashim Thaçi kishte edhe idetë rrebeluese e kryengritëse, që ishin më tepër kundër profesorit dhe akademikut të kulturuar e të iluminuar, Dr. Ibrahim Rugovës dhe politikës së tij pacifiste. 

Por, me ardhjen e tij në pushtet, Thaçi ndryshoi radikalisht, duke u bërë servil ndaj Serbisë dhe duke i harruar premtimet e tia "revolucionare". 

Pra, Hashim Thaçi në pushtet nuk kishte kurrëfarë lidhje me Hashimin e dikurshëm sa i përket "revolucionaritetit" të tij!Kurse, atij i mbeti vetëm lidhja e tij me krimin dhe me kriminalitetin si zanat parësor.

Sa i përket Ramush Haradinajt, edhe ai asokohe ishte shumë i ngjajshëm me Hashim Thaçin. Druanim se që të dytë, me ecjen e tyre sikur të shkelnin nëpër ara e brigje, duke i ruajtur dhentë diku, dmth larg jetës së qytetëruar. 

Por, siç u pa puna, pas luftës, këta u "qytetëruan"!

Ashtu si edhe ideologjia e tyre politike e dikurëshme.

Albin Kurti gjatë fushatës ishte i transformuar pothuajse tërësisht. 

Shpeshëherë na duhej t'i fërkonim e t'i fshinim sytë se, vallë a ishte Albini rrebel i dikurshëm apo ndokush tjetër? 

Ai shumë tema "të nxehëta" gjatë fushatës, kësaj here i anashkaloi me elokuencë dhe me një elegancë të madhe.

 Natyrisht se, poqese bëhet kryeministër Albin Kurti, tanimë "zotëri me kollare", realisht ka pak gjasa të ket lidhje të fuqishme me Albinin "rrebel" të dikurshëm. 

Prandaj, nuk presim se ai do të harxhoj shumë energji që të merret me idenë e bashkimit kombëtar, edhepse ai atë ide nuk pritet se do e braktisë realisht. 

Jo për faktin se mendon dhe shpreson se do ta realizoj apo jo bashkimin kombëtar, sa për nevojën e shfrytëzimit të kësaj ideje apo kauze, si "xhoker" dhe "azil shpëtimtar", në situata sfidash të pakalueshme, për ta zhvendosur vëmendjen e publikut nga dështimet dhe keqqeverisja eventuale e tij apo e qeverisë së tij.

Thursday, July 27, 2017

Autokratizmi aziatik apo demokracia europiane?



Shkruan: Nehat Hyseni


Udhëkryqi politik në të cilin aktualisht gjendemi para mbajtjes së Mbledhjes Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të legjislaturës së re, të pestës me radhë nga paslufta, që është caktuar për datën 3 gusht 2017, (e enjte), na imponohet si dilemë hamletiane e shtetndërtimit tonë midis: autokratizmit aziatik apo demokracisë europiane?

Republika e Kosovës është duke u përballur seriozisht me frymën absolutiste dhe skajshmërisht autoritariste të interpretimit të vullnetit politik të Sovranit, dmth të votuesit, të shprehur në zgjedhje. 

Ky avaz i uzurpimit të të drejtës së "leximit" të papërgjegjshëm të votës së lirë, pothuajse është bërë "pronë" e patjetërsueshme  dhe e drejtë e uzurpuar  e lidershipit të (keq) qeverisjes së Republikës së Kosovës në periudhën e pasluftës, duke prodhuar një sistem politik autokratik të tipit aziatik, krejtësisht të ndryshëm dhe në kundërshtim e konfrontim implicit me parimet themelore dhe me vlerat e mirëfillta të demokracisë europiane.

Kjo klasë politike, kryesisht përfshinë PDK-në me satelitët e saj, si dhe pjesërisht edhe LDK-në, që me disa përhashtime të vogla e qeverisën mozomakeq Kosovën pothuajse 18 vjet të "lirisë" dhe pavarësisë.

Natyrisht se populli i Kosovës "nuk han bar", por i ndëshkoi me votë në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017, duke krijuar një renditje të re të forcave politike me Vetëvendosjen në krye dhe me LDK-në e PDK-në larg pas saj.

Por, këtë realitet politik dhe verdiktin e popullit, me papërgjegjësi ekstreme synon ta sfidoj Presidenti Thaçi, duke u përpjekur paturpësosht që koalicionin PAN, si pakicë shqiptare, ta katapultoj këmbëngulësisht në pushtet, qoftë edhe duke krijuar mazhorancë qeverisëse dhe Qeverinë e re të Republikës së Kosovës plotësisht të varur nga Lista Srpska dhe nga Beogradi.

Ky rrezik është real dhe e rrezikon seriozisht Sovranitetin territorial e politik dhe Pavarësinë e Kosovës, për interesa meskine të bandës politike të PAN-it.

Me moton se "institucionet e nuk duhet të qeverisen nga ata që kanë kundër shtetësisë së Kosovës", Presidenti Thaçi është vënë në shërbim të humbësve të zgjedhjeve të 11 qershorit.

 Kështu, ai e ka humbur paanësinë e domosdoshme politike që ia imponon Kushtetuta e Republikës së Kosovës institucionit të Presidentit, që aktualisht e ushtron.

Duke e shkelur dhe shpërfillur Kushtetutën, për interesa të ngushta të koalicionit PAN, që ai kokëfortësisht e quan "fitues" të zgjedhjeve, edhepse paraqet realisht humbësit e tyre, meqë për krijimin e mazhorancës së re qeverisëse nuk mjafton "fituesi relativ" dmth 39 deputetët e koalicionit PAN, por është i domosdoshëm "fituesi absolut", dmth LAA dhe Vetëvendosja, si koalicion i pashpallur paszgjedhor, që ka 61 deputetë shqiptarë dhe paraqet garancë të një performanëse të pashantazhuar nga politika e Beogradit.

Populli i Kosovës PDK-në e Hashim Thaçit, të udhëhequr aktualisht nga Kadri Veseli, e vlerësoi si të keqen e këtij vendi dhe humbësen më të madhe të këtyre zgjedhjeve, duke e radhitur madje në vendin e tretë. 

Por, me uzurpimin e pushtetit edhe kundër verdiktit popullor, si dhe me përpjekjet e tyre të paskrupullta, ata synojnë për ta shmangur ose për ta shtyrë rrezikun nga përballja me drejtësinë dhe me ngritjen e aktakuzave të pritura nga Gjykata Speciale, që qëndron tani më e ngritur mbi kokat e bandës kriminale në politikbërjen e këtij vendi, si Shpata e Demokleut".

Mbase, është koha e fundit e shkapjes së shtetit nga mafia politike e deritanishme, që me metoda aziatike ka krijuar një pushtet autoritar deri në absurd, duke shkatërruar vlerat themelore të demokracisë europiane dhe perspektivën euroatlantike të këtij vendi, që do vijë në shprehje me rastin e mbajtjes së mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, si dhe të krijimit të Qeverisë së re.

 

Tuesday, July 25, 2017

Tyrylyly-të ogurzeza të Presidentit



Shkruan: Nehat Hyseni


Emisioni humoristik i TV Top Chanel "Portokalli", dikur e kishte personazhin e doktorit psikopat, i cili "pacientëve" të tij, në pamundësi që t'u ndihmonte duke u përcaktuar diagnozën përkatëse, si parakusht për t'i caktuar terapinë dhe medikamentet adekuate për t'i kuruar dhe shëruar, atij i pështjellohej tmerrësisht çdo gjë dhe i shndërrohej në kaos të vërtetë, duke përfunduar domosdoshmërisht çdo herë në "tyrylyly".

Druajmë se kjo gjendje është duke i ndodhur Republikës së Kosovës aktualisht, por edhe më parë. 

Pra, ekziston një kaos trishtues i shkaktuar prej paaftësisë së lidershipit aktual të Republikës, në krye me Presidentin Hashim Thaçi, të të kuptuarit të mirëfilltë dhe të drejtë dhe diagnostikimit adekuat të situatës politike aktuale e shoqërore në Kosovë. 

Prandaj, e gjitha domosdoshmërisht përfundon në "tyryryly"!

E tillë është situata me ftesën e Presidentit për konsultim të partive politike e 24 korrikut 2017, për caktimin e mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 3 gusht 2017. 

Në këtë mbledhje nuk morën pjesë përfaqësuesit Vesvendosjes dhe të koalicionit LAA, të cilët kanë gjithsej 61 deputetë shqiptarë dhe përbëjnë shumicën e mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, madje edhe pa minoritetet.

Kurse, përfaqësuesi i koalicionit PAN, Enver Hoxhaj deklaroi se i kanë numrat, edhepse ky koalicion i ka vetëm 39 deputetë dhe nuk mund të krijojnë mazhorancë qeverisëse as me minoritetet dhe Listën Srpska, të dirigjuar nga Beogradi.

 Prandaj, deklarata e tillë nuk mund të kuptohet ndryshe, veç si një "tyrylyly" e tij.

Ndërkaq, Presidenti Thaçi deklaron se "nuk duhet t'i ipet pushteti atyre të cilët ishin kundër institucioneve të Kosovës"!

Kjo do të thotë se Hashim Thaçi harron se është President dhe flet si përfaqësues i koalicionit PAN, të cilit mundohet t'ia siguroj pushtetin dhe qeverisjen e Republikës së Kosovës në mandatin e ardhshëm katër vjeçar. 

Kjo është një "tyrylyly" e madhe e z. Thaçi!

 Sepse, ai harron se kundër institucioneve të Kosovës ishin edhe AAK e Nisma si opozitë në mandatin e kaluar 2013-2017, meqë kanë marrë pjesë në hedhjen e gazit lotësjellës në Parlament së bashku me Vetëvendosjen.

"Tyrylylytë" ogurzeza të Hashim Thaçit si President i Republikës së Kosovës janë të mëdha dhe pafundësisht të shumta, që i kanë sjellur shumë të këqia këtij vendi. 

Ndërkaq, deklarimi i tij për formimin e ushtrisë së Kosovës është një "tyrylyly" e stërmadhe e tij, ashtu si edhe tentativa e tij e paskrupullt për krijimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës me pakicën shqiptare dhe minoritetet.

 Me këtë Qeveri ai don me qeverisë Kosovën duke u varur nga Beogradi, jo vetëm për krijimin e ushtrisë, por edhe për çdo imtësi reth funksionimit të përditshëm të qeverisjes së ardhëshme të Republikës së Kosovës.





Saturday, July 22, 2017

Rugovizmin duhet mbrojtur nga manipulatorët!



Shkruan: Nehat Hyseni


Deputetja Teuta Rugova, e bija biologjike e Presidentit historik, Dr.Ibrahim Rugovës dëshmoi këto ditë, ashtu si kohë më parë edhe vëllai i sajë, Ukë Rugova se përveç lidhjes biologjike me të atin, asgjë tjetër nuk i bashkon.

Përkundrazi!

Këta vetëm sa e dëmtojnë dhe synojnë që ta rrënojnë nga themeli trashëgiminë politike e morale të kolosit të politikbërjes shqiptare në fundshekullin XX dhe në fillimshekullin XXI.

Kjo na kujton fjalën e urtë dhe kuptimplotë të Lekë Dukagjinit, se "nga Skenderi del Beteri", si dhe se "nga Beteri del Skenderi"!

Prandaj, na rezulton se figurën historike të Presidentit Ibrahim Rugova duhet ruajtur e duhet mbrojtur me vendosmëri dhe devotshmëri të plotë, gjithënjë dhe kudo nga vet trashëgimtarët e tij biologjik dhe nga matrapazët politik, që figurën e Babait shpirtëror e moral të Kosovës dhe të mbarë Shqiptarisë, me arrogancë të madhe dhe paturpësisht synojnë ta denigrojnë, kompromitojnë dhe ta shesin për interesa të tyre meskine, kontrabanduese e të ulëta, në emër të "Rugovizmit"!

Këta janë faqja e zezë dhe turpi i Kosovës!

Asnjëri nga ata, si i biri, poashtu edhe e bija e Presidentit Rugova, nuk ishin për faqe të bardhë dhe nuk u dëshmuan si deputet në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, mbase është koha e fundit të ndahet "shapi prej sheqerit" dhe të distancohemi qartë dhe pa ekuivoke, për ta ndarë dhe për ta ruajtur trashëgiminë politike e morale të figurës së Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugovës nga këta manipulues e kalkulantë të pacipë dhe nga këta manipulatorë të pandreqshëm.

Edhepse unë personalisht dikur kam qenë pro angazhimit politik të trashëgimtarve biologjik të Presidentit Rugova, sidomos të djalit të tij të madh, Mendim Rugovës, si dhe kam votuar për kandidaten Teuta Rugova për deputete, sjellja e fundit e pamoralëshme dhe e turpëshme ndaj besimit tonë, lidhur me krijimin e Qeverisë së re të dalur nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017, na ka zhgënjyer dhe na ka trishtuar tmerrësisht.

Kjo sjellje e tyre dhe gënjeshtra e pafytyrësia e tyre dhe manipulimi me "Rugovizmin", për interesa personale, për hesape dhe pazare të pamoralëshme politike na i ka hapur sytë si kurrë më parë për moralin e munguar të tyre politik, si dhe se këta, mjerisht, nuk kanë asgjë të përbashkët me vizionin dhe me filozofinë politike e morale të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugovës dhe me "Rugovizmin"!


Tuesday, July 18, 2017

          Kushtrim Aliu - Kelmendi

                 ( In memoriam)


           (1961-2017)

Larg nga vendlindja e tij, Presheva, ditën e martë, më 18 korrik 2017, ndërroi jetë Kushtrim Aliu - Kelmendi.


Ngushëllime familjes, mbarë farefisit, miqëve, shokëve dhe dashamirëve për vdekjen e herëshme dhe humbjen e parakohëshme të Kushtrimit Aliut - Kelmendi.

Kushtrimi lindi para 56 vjetësh në Preshevë dhe rrjedh nga një familje me tradita patriotike që i dha shumë kauzës kombëtare të shqiptarve të Preshevës dhe mbarë kombit shqiptar, me shumë sakrifica dhe vuajtje të pafund.

Nëna e Kushtrimit ishte një heroinë e vërtetë, e cila me stoicizëm të pashoq dhe me përkushtim e devotshmëri epike u ballafaqua me sfidat e shumëta në jetë,

Kurse, babai Fehmi Kelmendi ishte atdhetar i flakët dhe intelektual i devotshëm, i cili një jetë të tërë ia përkushtoi si profesor i historisë, edukimit të brezave të shumtë duke i frymëzuar e mësuar për historinë tonë kombëtare dhe për historinë botërore të popujve të civilizuar e me kulturë të gjërë. Veprimtarinë e tij patriotike e intelektuale e vazhdoi edhe në diasporë, deri në moshën 85 vjeçare, që u shua me nderë, nam e dinjitet para dy vitesh, në mërgim.

Kushtrimin e kisha nxënës në klasën e III-të dhe të IV-të në Gjimnazin "Skënderbeu" në Preshevë, gjatë viteve 1978-1980 dhe ishte nxënës i shkëlqyer, i zoti dhe jashtëzakonisht dinamik. Por, mbi të gjithat, ishte i dashur dhe simpatik.


Kushtrimi ishte një djalë i ri kur mori rrugën e gurbetit në Europë, në Francë, ku edhe ndërroi jetë, sot më 18 korrik 2017, me mall të pashuar për familjen, vendlindjen dhe kombin.

Me këtë rast të dhëmbjes së pafund, familjes së tij dhe farefisit, miqëve e shokëve dhe dashamirëve të shumtë i shprehë pikëllimin tim të thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta.

I lehtë i qoftë dheu i vendlindjes, Preshevës së tij të dashur!

Zoti i Madhëruar e shpërbleftë me Xhenet!