Wednesday, May 31, 2017

Cili do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës?



Shkruan: Nehat Hyseni

Sot, më 31 maj 2017, në Republikën e Kosovës fillon zyrtarisht fushata parazgjedhore, për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017.

Për këto zgjedhje kemi në ofertë tre kandidat për postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, të cilët janë mjaft ndryshëm mes veti: 

Ramush Haradinaj, apo "Rambo", si kandidat i koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, dmth. i atyre që deri dje i ka pështyrë më së shumti dhe që i ka fajsuar për qeverisje kriminale si "e keqja e Kosovës"!

Ky koalicion që u formua me shpejtësi të rrufeshme, si reagim i trishtuar nga frika dhe paniku i krijuar në "mesnatën e pokerit politik" të 16 majit 2017, nga formimi i koalicionit parazgjedhor LDK-AKR-Alternativa, i cili u formua pak orë para tyre.

Pra, AAK dhe Ramush Haradinaj ka vendosur koalicion me këta "të këqinjtë e Kosovës", siç i quante vite me radhë.

Meqë kanë vendosur që ta kandidojnë ate pë kryeministër, Ramushi na thotë se këtë po e bënë për qëllimin e vetdeklaruar të tij "për të mirën e Kosovës".

Me demek, Ramushi don me e "ndreqë" Kosovën, pikërisht me ata që e kanë "prishur" e përdhosur pamëshirshëm deri tani dhe që kanë deklaruar "Fillimin e ri", me politikanët apo "ujqit" e vjetër!

Duke qenë se kjo filozofi politike e Ramushit për ta "ndrequr" Kosovën me ata që janë "e keqja e Kosovës", do ta ketë shumë vështirë t'ia sqaroj votuesve këtë "iluzionizëm" politik të ndërtimit të "mirëqenies" së Kosovës pikërisht me ata që e kanë katandisur këtë vend të bekuar? Mbase me "abrakadadabra"!

Pastaj, mbetet enigmatike çështja se si do ta rregulloj punën e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që tani është bërë kufi me NATO-n për shkak të aderimit të këtij shteti në këtë aleancë politiko-ushtarake euro-atlantike?

Prap me "abrakadabra"?!Enigmatike dhe e paqartë na është fakti se, vallë, çfarë kryeministri na ofrohet Ramush Haradinaj? 

Si implementues apo zbatues i politikave të Kadri Veselit, siç e tha publikisht Hajredin Kuqi, që i bie të veproj siç i thotë shefi apo bossi Kadri Veseli. 

Kjo i bie se "daullen do e mbaj Ramushi, por atij do t'i bie Kadriu"?!

 Se çfarë "melodie" apo kakofonie politike do të krijohej poqese eventualisht ai fiton në zgjedhjet e 11 qershorit, kjo mbetet të shihet.

Kurse, Albin Kurti si kandidat i Vetëvendosjes për kryeministër të Kosovës, ka ndryshuar pamjen, apo siç thonë në Shqipëri, ka ndryshuar "lukun"!

Ai ka vendosur kollare (kravatë), të përshtatur me rrobat e tia të përzgjedhura me shije profesionale, duke na u paraqitur krejtësisht ndryshe nga Albini që e kemi parë deri më tani: me nam e me nishan!

Na detyroi t'i fërkojmë sytë e t'i pastrojmë syzat, për ta kthjelluar shikimin dhe për të parë më mirë, se vallë a është ky ai çuni rrebel që gjuante me gurë qeverinë dhe i thërriste popullin për ta "shporrur" ish kryeministrin Mustafa nga zyra me dhunë; që organizonte protesta të dhunëshme nëpër rrugët e Prishtinës, me kokteje mollotovi dhe me gurë; a është ky personi që ishte në ballë të turmave të tërbuara që ia vunë flakën ndërtesës së Qeverisë, dëmtuan ndërtesën e Kuvendit të Kosovës nga jashtë dhe që hodhi gaz lotësjellës brenda sallës, duke e bllokuar dhe paralizuar punën e legjislativit gjatë një periudhe të gjatë kohore. 

Figura e Albin Kurtit si kryeministër i ardhshëm i Kosovës na duket tejet enigmatike, mbase edhe më tepër se e Ramush Haradinajt, se si do të dukej realisht një person i tillë në postin e kryeministrit?

A do të ishte, vallë, AlbinKurti një kryeministër që mban gaz lotësjellës në xhepa, si "zgjidhje" për problemet eventuale për të cilët nuk do të gjente zgjidhje në takimet me diplomatë të huaj, apo në seancat e Kuvendit të Kosovës, në rast se nuk miratohen propozimet apo projektligjet e qeverisë së tij?

Një mori pyetjesh na vijnë në mendje si probleme që me figurën dhe karakterin e tij që jemi mësuar ta shohim në publik, si dhe më këmbëngulësinë dhe kryeneçësin e pafund të tij, se si do t'ia dalë në post të tillë të lartë politik me plotë sfida e probleme që kërkojnë personalitet të sofistikuar dhe të aftë për kompromise të domosdoshme, që mund të bijnë ndesh me bindjet dhe karakterin e tij karakteristik tejet të ngurtë. 

Pak a shumë, votuesit kosovarë Albin Kurtin gjithënjë e më tepër e perceptojnë si një "Çe Gevarë" të Kosovës!

Profili politik i kandidatit të tretë, nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa është profesori universitar dhe ministri i financave në Qeverinë Mustafa. Prof.dr. Avdulla Hoti, është krejtësisht i ndryshëm nga dy kandidatët e parë. 

Si person jokarizmatik, i ardhur nga bota akademike dhe si karakter i qetë, shikohet më tepër si një ekspert dhe teknokrat, se sa një politikan i mirëfilltë.

Njohuritë e tij profesionale e shkencore për problematikat financiare dhe premtimet për rrithe rekorde të buxhetit të Kosovës dhe të pagave e pensioneve, si dhe të pakos sociale: pushimit të lehonisë së paguar 12 muajshe, sigurimit shëndetësor e social dhe ngritje të standardit jetësor në Kosovë.

Për dallim nga Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti, që realisht posedojnë njohuri tejet modeste nga ekonomia, Prof.dr. Avdulla Hoti është ekspert i kalibrit të lartë shkencor e profesional, i cili deri në detaje sqaron programin e vet parazgjedhor dhe e ka absolutisht të qartë vizionin e tij politik, që ka si objektiv themelor ngritjen e standardit jetësor dhe të mirëqenies së popullit të Kosovës.

Mbetet të shihet se në fushatën parazgjedhore dhjetëditore, se cili prej prej koalicioneve parazgjedhore dhe partive politike, rrjedhimisht cili prej këtyre kandidatëve do ta fitoj besimin e votuesve të Republikës së Kosovës për qeverisje në mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2017-2021.

Urojmë fushatë të civilizuar dhe të qetë dhe që të fitojnë më të mirët!


Tuesday, May 30, 2017

Mëkatet e politikbërjes kosovare ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës



Shkruan: Nehat Hyseni 


Raporti i reciprocitetit të të drejtave të shqiptarve në Serbi, përkatësisht në Luginë të Preshevës me të drejtat e serbëve në Kosovë nuk është vendosur asnjëherë pas luftës së vitit 1999, kur u çlirua Kosova nga Serbia, kurse Lugina e Preshevës mbeti nën Serbi.

Kjo gjendje e padrejtë dhe diskriminuese ndaj kësaj pjese të shqiptarisë pritej që të përmirësohej, por shpresat shumë shpejt u shuan. 

Prandaj, shqiptarët e Luginës së Preshevës i kapën sërish armët në vitin 2000-2001, me qlim që ta realizonin vullnetin politik të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 "Për Autonomi Politike Territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën". 

Por, nuk ia arritën realizimit të këtij synimi dhe vullneti politik. Marrëveshja e Konçulit e vitit 2001, me të cilën iu dha fund luftës së UÇPMB-së në Luginë të Preshevës, ishte e disfavorëshme për shqiptarët dhe u nënshkrua në shpejtësi dhe në mënyrë të papërgjegjëshme nga pala shqiptare.

Prandaj, zullumi shtetëror i Serbisë ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës u shtua edhe m  tepër, duke shkaktuar shpërnguljen e madhe të shqiptarve në Kosovë, Maqedoni, në Turqi dhe në Europë e gjithandej nër botë.

Nga Medvegja u shpërngulën mbi 90% e shqiptarve, nga Bujanoci reth 45-50%, kurse nga Presheva reth 35-40% e shqiptarve.

Për të qenë tragjedia edhe më e madhe e këtyre shqiptarve të shkretë, Kosova e sapoçliruar nga Serbia, jo vetëm që nuk i ndohmoi vëllezërit e tyre në Luginë të Preshevës, por veproi edhe më zi, duke u vendosur pengesa e barriera të shumta në qarkullim me Kosovën. Fillimisht u vendos taksa kufitare për hyrje në Kosovë prej 60 eurosh për një veturë. Pastaj u zvogëlua në 40 dhe në fund në 20 euro. 

Kjo taksë kufitare ia vështirësoi në masë të jashtëzakonëshme jetën edhe ashtu të vështirë dhe i mllefosi e zhgënjeu tmerrësisht shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës dhe e përjetonin si plaçkitje e padrejtë dhe skajshmërisht e panderëshme.

Sikur nuk mjaftuan këto barriera dhe, Kosova bëri krimin tjetër të pafalshëm antishqiptar e antikombëtar, duke u vendosur kufizime apo të ashtuquajturat "kuota" për regjistrim të studentëve shqiptarë nga Lugina në universitetet e Kosovës. 

Ky ishte një diskriminim dhe turp i paparë dhe ka mbetur si njollë në historinë e Kosovës, e cila u përjetua dhe u vuajt shumë rënd nga shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Por, vula e tradhëtisë kombëtare ndaj shqiptarve të kësaj ane u vendos në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me nënshkrimin e Marrëveshjes së 19 prillit 2013 nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiqi, me ndërmjetësimin e komisioneres së lartë të Unionit Europian, baroneshës Catherine Ashton.

Kjo ishte një marrëveshje makabër, për faqe të zezë, që i tradhëtoi pabesisht, jo vetëm shqiptarët e Luginës së Preshevës, por dhe Republikën e Kosovës dhe mbarë Shqiptarinë.

Për nga dëmi i shkaktuar dhe në kontekstin e rethanat aktuale, ky akt tradhëtie i Hashim Thaçit në dialogun e Brukselit, si dhe raporti i tij ndaj çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës ia kalon veprave makabre të komunistëve shqiptarë Fadil Hoxhës, Azem Vllasit dhe të tjerëve.

Sepse, derisa komunistët shqiptarë ishin nën tutelën e UDB-së famëkeqe serbe, Hashim Thaçi dhe klasa politike e tanishme këto veprime i bëri në Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Duhet theksuar se njësoj veproi edhe Isa Mustafa, i cili si kryeministër i Kosovës, nënshkroi Marrëveshjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel më Aleksandar Vuçiqin dhe më ndërmjetësimin e Frederica Mogherinit si komisionere e lartë e BE-së.

Prandaj, deklaratat e premtimet e Ramush Haradinajt në garën e  tij për postin e kryeministrit nuk duhet marrë seriozisht. 

Sepse, ai nuk flet për këto mëkate të politikbërjes kosovare ndaj Luginës së Preshevës. 

Pastaj, ai meqë synon që me votat e klanit "pronto" të bëhet kryeministër, do të obligohet që ta vazhdoj një politikë të tillë. Poqese nuk tregohet i dëgjueshëm në zbatimin e disiplinuar të vendimeve të Kadri Veselit, sigurisht se do të shkarkohet nga posti i kryeministrit, ashtu si u veprua edhe me qeverinë e Isa Mustafës.

Prandaj, logjikisht, nuk presim nga Ramush Haradinaj, që të bëjë ndonjë mrekulli. 

Mbase, Ramush Haradinaj, poqese i fiton zgjedhjet koalicioni PDK-AAK-Nisma, do të hyj në historinë e Republikës së Kosovës si "fillim i ri" i politikës së vjetër në mandatin katërvjeçar 2017-2021, me detyra e obligime të shumta mdaj klaneve e tarafeve politike që, eventualisht, do ta sjellin në pushtet, kurse shqiptarve të Luginës së Preshevës dhe të Republikës së Kosovës do t'u premtuat një "ardhmëri e lumtur", në realitetin e së tanishmes së hidhur, që len pafundësisht shumë për të dëshiruar.

Sunday, May 28, 2017

Kollarizimi apo burokratizimi i Vetëvendosjes?



Shkruan: Nehat Hyseni


Gara parazgjedhore për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017 ka filluar moti kohë para fillimit zyrtar të saj.

Këto aktivitete aktualisht nga disa media u emërtuan si "parafushatë parazgjedhore", që pa modesti, mund të quhet si "shpikje kosovare". 

Pra, kjo paraqet një "inovacion" dhe kontribut praktikës politike dhe shkencave politike botërore. 

Si "dhuratë" falas nga Kosova!

Por, këtu nuk përfundon dot "kontributi" i realitetin politik kosovar ndaj përvojave botërore në këtë lëmi.

Mbase, as skeptikët më të mëdhenjë nuk kanë mundur ta parashikojnë, e aq më pak ta besojnë "mrekullinë" që po ndodhë para syve tanë, në këtë "parafushatë" parazgjedhore. 

E kjo "mrekulli" ka të bëjë me faktin se Vetëvendosja na ka servuar dy risi kolosale:

Risia e parë ka të bëjë me shndërrimin e saj nga Lëvizja në parti politike. 

Kjo do të thotë se tani e tutje nuk do e quajmë më "Lëvizja Vetëvendosje", por "Partia Vetëvendosje". 

Sigurisht se ky ndryshim nuk është vetëm formal!

Përkundrazi!

Vetëvendosja ka shënuar një ndryshim radikal, "brenda natës". 

Madje, mund të thuhet se ka shënuar një transformim apo metamorfozë të vërtetë organizative e konceptuale.

Sepse, dallimi midis "lëvizjes" dhe "partisë" politike qëndron në faktin se e para, dmth "lëvizja" paraqet bashkim njerëzish dhe veprimtarësh me ideologji dhe bindje të ndryshme politike, të cilët, pra, pa marrë parasysh bindjet e ndryshme politike, i bashkon veprimi apo veprimet e përbashkëta praktike, për një qëllim apo objektiv politik, shoqëror, social apo politik konkret, si psh. ndërrimi i rektorit të UP-së, ndryshimi i politikave regjistruese të studentëve të rinjë, përmirësimi i kushteve studentore, rritja e pagave, etj. 

Veprimtarët e çfarëdo lëvizje shoqërore ose politike, pra jo domosdoshmërisht kanë bindje të njejta ideologjike, psh. të djathta apo të majta ose të qendrës, të qendrës së majtë apo të qendrës së djathtë, etj. Kurse, tani, me shndërrimin e Lëvizjes Vetëvendosje në parti politike, ndryshon puna!

Sepse, profili i saj i deklaruar ideologjik është i majtë, i tipit socialdemokrat. 

Kjo do të thotë se, tani e tutje, në Vetëvendosje nuk do të ketë më vend për personat me bindje ideologjike djathtiste. Gjithashtu, disiplina ideologjike dhe vepruese e brendëshme vihet në binarë kierarkik dhe instalohet institucioni i obligimit të zbatimit të domosdoshëm të vendimeve partiake nga të gjithë bartësit e funksioneve partiake dhe institucionale e ekzekutive nga kjo parti.

 Pra, pak a shumë mund të themi se Vetëvendosja ka hyrë në një fazë të re të aktivitetit të saj politik, më shndërrimin e saj në parti politike. 

Sepse, lëvizja politike nuk lufton për pushtet, meqë ajo, siç thamë, ka për objektiv realizimin e një kauze apo objektivi konkret. 

Kurse, partia politike ka për objektiv dhe synim pushtetin!

Edhepse Vetëvendosja edhe si lëvizje që ishte, realisht ka vepruar si parti politike, meqë ka marrë pjesë në zgjedhje lokale e parlamentare dhe ka faruar për pushtet. 

Por, megjithatë ka pasur një filozofi politike të lëvizjes shoqërore, herë-herë me karakteristika të theksuara anarkiste. 

Pra, mbase ishte "as mish, as peshk", dmth. as lëvizje e mirëfilltë politike e as parti politike me tamam.

Risia apo "mrekullia" e dytë që po ndodhë aktualisht në skenën politike kosovare gjatë kësaj parafushate parazgjedhore, është vënia e kollareve për herë të parë nga kryetari Visar Ymeri dhe nga kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurtit. 

Por edhe të shumë aktivistëve të tjerë, si psh. Shpend Ahmeti dhe të tjerët.

Kjo gjë më parë, kurrë, jo vetëm që nuk kishte ndodhur , por realisht as që mund të merrej me mend! 

Dhe ky ndryshim në veshjen e tyre ka mesazh dhe simbolikë të fuqishme dhe eksplicite se Vetëvendosja është duke pësuar transformim radikal edhe në veprimtarinë praktike të saj.

 Ky fenomen, mbase, mund të quhet si "kollarizim" apo byrokratizim i Vetëvendosjes?!

Pse po ndodhë kështu aktualisht në partinë Vetëvendosje?

Pra, ku qëndron arsyeja e vërtetë e këtij ndryshimi?

Pra, pse kandidati për kryeministër i kësaj partie, Albin Kurti dhe Visar Ymeri si kryetar partie, për herë të parë po paraqiten me kollare, ose janë "kollarizuar"?

Sepse, ia kanë mësyrë seriozisht, madje me çdo kusht pushtetit, neqë janë bezdisur nga humbjet e deritanishme, përveç  fitores së vetme dhe diskutabile në komunën e Prishtinës.

Qoftë edhe me ndryshimin e "lukut", si dhe filozofisë, bindjeve e qëndrimeve të tyre politike, si psh ndaj him it dhe flamurit të Republikes së Kosovës, të cilët nuk i pranonin fare. 

Me rastin e intonimit të himnit nuk ngriteshin në këmbë për ta respektuar. 

Kurse, flamurin e madh të Kosovës, te rethrotullimi në hyrje të Prishtinës, militantët e tyre e kishin zëvendësuar me flamurin kombëtar.

Nuk e kemi të qartë se si do të dukej vallë Albin Kurti si kryeministër i Kosovës, poqese eventualisht i fiton zgjedhjet?

A do t'i mbushë xhepat me petarde e gaz lotësjellës apo spreja verbues, që do i përdorë në rastet kur nuk do i shkonin punët si duhet në Bruksel apo me partnerët e vet bashkëqeverisës në Prishtinë?

Realisht, kjo mbetet të shihet pas zgjedhjeve të 11 qershorit.



Friday, May 26, 2017

Çështjen e rrënimit të objekteve fetare islame në Serbi duhet ngritur në KS të OKB-së dhe në dialogun e Brukselit


Shkruan: Nehat Hyseni


Qeveria e Serbisë është tërbuar në urrejtjen e saj primitive, jonjerëzore e jocivilizuese kundër objekteve islame, që paraqet vazhdimësi dhe është në kontinuitet të plotë antiislamik e anticivizues të  regjimit fashist të diktatorit antishqiptar e antimysliman, "kasapit të Ballkanit", Sllobodan Millosheviqit.

Rrënimi i objektit të xhamisë në Zemun pole, ditën e premte, më 26 maj 2017, paraqet akt makabër antimysliman e racist 

të diskriminimit dhe terrorit shtetëror të Serbisë kundër civilizimit islam dhe myslimanizmit në përgjithësi!

Ky akt anticivilizues i shtetit të Serbisë, është bërë në këtë ditë të madhe dhe të shenjtë për myslimanët e mbarë botës, në vigjilie të muajit të shenjtë të Ramazanit, muajit të shpalljes së Kur'anit Famëlartë, si dhe të agjërimit, lutjeve e ibadeteve dhe paraqet mesazh të qartë anticivilizues, shovinist e racist kundër komunitetit mysliman në Serbi, kundër islamit si fe dhe ndaj myslimanizmit si civilizim botëror. 

Prandaj, duhet reaguar ashpër!

Me kundërshtimin e vendosur kundër këtij veprimi kriminal të Serbisë, që duhet ngritur në nivelet më të larta botërore. 

Është obligim elementar, njerëzor e fetar i Bashkësisë Islame të Serbisë që të reagoj dhe protestoj fuqishëm tek Qeveria e Serbisë, për këtë vandalizëm kriminal, antimysliman e anticivilizues të institucioneve shtetërore, që është kryer qëllimisht para fillimit të muajit të Ramazanit.

Posaçërisht kanë obligim hoxhallarët dhe imamët e Luginës së Preshevës që të reagojnë lidhur me këtë akt qyqar dhe barbar të Qeverisë së Serbisë dhe të organizojnë protesta në shenjë mbështetjeje dhe solidarizimi me myslimanët e Zemunit.

Duhet kapërcyer dhe zgjidhur definitivisht, tani, në fillim të këtij Muaji të Bekuar, rrëmuja aktuale dhe hallakama e turpëshme e kaosit dhe ç'organizimit të shkaktuar nga ekzistimi i katër bashkësive islame në Luginë të Preshevës, që veprojnë si katër parti të ndryshme politike.

 Ky kaos ka krijuar mosdurim dhe rivalitet ekstrem midis hoxhallarëve dhe imamëve në Luginë të Preshevës, duke i harruar obligimet e tyre reale para Zotit dhe para xhematit e myslimanëve. 

Të bashkuar dhe unikë, urgjentisht duhet dërguar një protestë Qeverisë së Serbisë, Presidentit, BI të Serbisë dhe një mesazh solidarizimi e mbështetjeje vēllazërore komunitetit mysliman të Zemunit.

Meqë, myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi është dekoruar me medale të argjent, më 15 shkurt 2017 nga Presidenti Tomisllav Nikoliq, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, pas këtij akti barbar, duhet vlerësuar se, vallë, a ia vlen dot që një shqiptar dhe hoxhë të mbajë një dekoratë nga Presidenti i shtetit që shtetasve të vet myslimanë ua rrënon objektet fetare?

Refuzimi publik apo kthimi i kësaj medaleje do të ishte veprimi i duhur, një akt dinjitoz dhe do të paraqes një akt moral të solidarizimit me komunitetin mysliman të Zemunit.

Gjithashtu, edhe Bashkësia Islame e Kosovës nuk guxon të rrij anash.

 Përkundrazi!

Nevoitet një reagim adektuat dhe protestë e hapur dhe solidarizim i BIK-ut, duke insistuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës që ta ngris këtë çështje në Këshilin e Sigurimit të OKB-së dhe në dialogun e Brukselit.

Ligjërata e parë e imamëve nëpër xhamia të Luginës së Preshevës, para faljes së teravive, duhet kushtuar solidarizimit dhe mbështetjes së fuqishme e dinjitoze ndaj këtyre myslimanëve të shkretë të Zemunit!

Ata kanë mbetur pa kulm mbi kokë, që të falen dhe t'i luten Zotit në rrugë!

Është i domosdoshëm solidarizimi dhe mbështetja jonë e fuqishme në ruajtjen dhe mbrojtjen e objekteve dhe vlerave fetare e kombëtare myslimane, si dhe vlerave të të gjitha religjioneve e civilizimeve të tjera tek ne dhe kudo në botë!

Thursday, May 25, 2017

Ujku don mjegull, ose dy ish-at e komunës së Preshevës!




Shkruan: Nehat Hyseni


"Ujku don mjegull"!

Kështu thotë fjala e urtë popullore.

Por, vallë pse don ujku mjegull?

Këtë nuk na e thotë dot fjala e urtë popullore!

Mbase na len që vet ta gjejmë?

Mund të duket kjo punë e vështirë, madјe shpeshëherë edhe e pamundur. 

Sikur puna e Shqiprim Arifit dhe Ragmi Mustafës, ose dy "ish-ave" të Preshevës.

 Më sakt: dy ish-kryetarve të komunës së Preshevës. 

"Ish"-i i parë, Ragmi Mustafa ishte 12 vjet, kurse "ish-i" i dytë, dmth Shqiprim Arifi, ishte gjithsej 9 muaj kryetar. 

Saktësisht sa i duhet një foshnje të qëndroj në barkun e nënës, derisa të del në "selamet". 

Dhe nga 10 marsi 2017 është shkarkuar dhe është bërë "ish kryetar".

Meritë e pamohueshme "ish"-it të dytë, dmth Shqiprim Arifit është se me PVD-në e Riza Halimit e rrëzoi nga karriga e kryetarit të komunës së Preshevës, Ragmi Mustafën, i cili e kishte pasë dhënë betimin solemnisht para miletit se do të qëndroj "edhe 400 vjet" në atë post!

Hata e madhe ndodhi në Preshevë në zgjedhjet lokale të 24 prillit 2016, që herifit ia prishën ëndrrën shekullore, ose më sakt: 400 vjeçare të qëndrimit në pushtet.

Shyqyr Zotit!

Sepse, e pati shtyrë në siklet shkencën e mjekësisë, madje të përmasa botërore e planetare! 

Si me ia sigurua jetën edhe 4 shekuj, dmth aq kohë sa po e don populli i Preshevës Ragmi Mustafën dhe ia paska pasë premtuar votën atij për kryetar të komunës. 

Haj medet!

Sa shumë premtime, dashuri e mbështetje e këtij mileti për Ragmiun!

Por, fatkeqësisht, jeta apo "ymri" na qenka i shkurtër!

Madje shumë më i shkurtër se dashuria e popullit të Preshevës për Ragmiun.

Mjerisht, nga mjekësia botërore apo planetare, edhe përkundrejt premtimeve të Ragmiut për t'i korruptuar me vaj, sheqer e me gjëra të tjera dhe para të majme, që ia kishin "siguruar" atij premtimin e votuesve të mandatit 400 vjeçar të qëndrimit në pushtet si kryetar i komunës së Preshevës.

Për fat të keq, shkenca e mjekësisë, edhepse e joshur me paret dhe ryshfetin e majëm, qenka treguar e paaftë dhe e pa zonja për një arritje të tillë joshëse. 

Andaj, meqë shkenca dështoi për t'ia zgjatur jetën Ragmi Mustafës për 400 vjet, dmth konform votës së premtuar nga populli, atij nuk i kishte mbetur tjetër rrugë, pos t'i drejtohet Burdushit, apo iluzionistëve të tjerë për ta arritur këtë objektiv të "vockël" të tij.

Natyrisht, që të mos i shkoj huq dashuria e pafund popullore dhe premtimet e votuesve preshevarë për ta pasur ate kryetar.

Sido që të jet puna, dëmi do të ishte tepër i madh poqese nuk e shpikin ndonjë "hajmali" apo ndonjë mundësi tjetër për t'ia zgjatur jetën edhe për katër shekuj Ragmi Mustafës.

Për ta "shpëtuar" Preshevën!

Po, po, për popullin e Preshevës ai e ka hallin!

 Se për veti nuk ka problem.

 Sepse, ia ka siguruar jetën vetes dhe nipave e stërnipave edhe për një mijë vjet.

Me 12 vjet të qëndrimit në pushtet, e me "sakrificat" e tij për popullin e Preshevës. 

Duke i ndihmuar vetes, si dhe kusherijve të tij pafundësisht të shumtë. 

Por, sa duket, i mbetën planifikimet në gjysmë!

Për popullin, nuk i mbeti kohë.

Meqë 12 vjet ishte kohë e shkurtër për të menduar edhe për veti, për kusheri e "akraba", edhe për komunën dhe për popullin e Preshevës. 

S'ka faj herifi, nga me ia mbajtë më parë?

"Ma ngat gusha se fusha", thotë fjala e urtë preshevare.

Por, poqese arrihet "objektivi" që t'i shtohet jeta atij edhe për 400 vjet, do ta shoh bota se kush është realisht Ragmi Mustafa!

Prandaj, i bëjë thirrje popullit të Preshevës që të lutet me çka ka.

 Dikush me "hajmalia", me "sehire" ose magji e me çka ka, t'i lutemi Zotit që t'ia shtoj "ymrin" më të dashurit të vet, së paku edhe 4 shekuj. 

Për ta "shpëtuar" e "lulëzuar" Preshevën!

Deri atëherë, Ragmi Mustafa se bashku me "ish kryetarin", apo shkurt: "ish"-in tjetër, kanë vendosur që në mbledhjet e Kuvendit të Komunës së Preshevës të hedhin "mjegull".

Pra, nuk do ta kopjojnë Vetëvendosjen e Albin Kurtin  për të hedhur gaz lotësjellës e sprej verbues dhe marifetllëqe të tjera. 

Por vetëm "mjegull". Së paku deri sa të "shërohet" e ta marrë veten nga "nokauti" politik nga partia e tij. 

Ose më saktë: nga disa "tradhëtarë" bashkëpartiak, që janë 2/3 e këshilltarëve komunalë.

Të cilët janë "tradhëtarë"!

Sepse, nuk e votuan Ragmi Mustafën për kryetar të PDSH-së! 

Për "qëllime karrieriste"!

Prandaj, edhepse Ragmi Mustafa ka mbetur si pakicë prej 1/3 përball shumicës partiake dhe të këshilltarëve komunal prej 2/3, ose 3 këshilltarë përball 9 këshilltarëve që janë kundër Ragmiut.

Natyrisht se mandatet janë të PDSH-së dhe partia është pronë private e Ragmi Mustafës, i cili do të jetë edhe 400 vjet kryetar i PDSH-së. 

Kaq i ka "premtuar" populli i Preshevës se do t'ia jep votën për kryetar të Komunës. Prandaj, logjikisht i bie se duhet të jetë edhe kryetar i PDSH-së. Kështu që këta këshilltarë duhet t'ia kthejnë "pronarit" mandatet. Sa më parë, aq më mirë! 

Mbase, derisa të vendosin për ta bërë një veprim të tillë, duhet ta dëgjojnë atë për ta prishur koalicionin me PVD-në dhe "për të krijuar koalicion qeverisës me APN-në e Shqiprim Arifit, porositë në seancën e 24 majit të kuvendit komunal, porositë Ragmi Mustafa.

Derisa "ish"-i i parë, Ragmi Mustafa 12 vjet na shiti "patriotizëm" duke u përpjekur që t'i bashkohemi projektit politik të Daçiqit për "shkëmbim territoresh" dhe për ndarjen e Kosovës, si dhe dekoroi me Mirënjohje apo "Zahvalnicë Vuçiqin!

"Ish"-i i dytë, Shqipërim Arifi na e shpalli Referendumin si "gabim", ndërsa i fajësoi shqiptarët për ngecje zhvillimore dhe lavdëroi Serbinë dhe Vuçiqin "për ndihmën" ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës!

Kështu që, realisht na doli se s'ka lidhje pse Shqiprimi ia "mori" postin e kryetarit Ragmiut, mbase për shkak të misionit të përmendur të Serbisë ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës.

Prandaj, nuk u ka mbetur tjetër dhe vlerësojnë se, me rëndësi është që të krijojnë "mjegull" në Kuvend, Ragmi Mustafa bashkë me "ish"-in tjetër, Shqiprim Arifin.

Sepse, këta "ujqë" të vjetër, në këtë mënyrë e bllokojnë punën e kuvendit, duke e marrë fjalën "deri në mëngjez" "ish"-i i parë, Ragmi Mustafa, të cilin akoma pa shkuar në vend, e zëvendëson "ish"-i i dytë në foltore, Shqiprim Arifi. Pafundësisht dhe në vazhdimësi e bllokojnë punën e Kuvendit Komunal të Preshevës. 

Meqë, thonë se "ashtu e don puna"! 

Sepse, "ujku don mjegull"!






Poshtë shqiptarët! Rroftë "kombi kosovar"!



Shkruan: Nehat Hyseni


Trendi i fundit i modës së skenës aktuale të politikbërjes kosovare para zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017, është padyshim shndërrimi apo konvertimi i analistëve, gazetarëve e intelektualëve të ndryshëm, "të pavarur", në politikanë dhe pretendentë të posteve politike në kuadër të partive dhe koalicioneve parazgjedhore, dmth në persona "të varur".

 Sepse, u "fejuan" me parti politike duke ua ofruar atyre "virgjërinë" ideologjike, që tani e tutje do të obligohen vazhdimisht ta konformojnë ndaj patronëve apo shefave të tyre politikë, në këmbim të futjes së tyre në politikë dhe "veshjes" me pushtet.

"Zhvirgjëruesit" e tyre janë, pra "bosët", të cilët kërkojnë lojalitet dhe besueshmëri të pafund ndaj "kauzave" politike që pretendojnë, siç u shpreh kryeparlamentari i deridjeshëm. Që e prishi koalicionin qeverisës PDK-LDK dhe e rrënoi Qeverinë Mustafa, për t'u bërë vet kryeministër.

Por, "plani i shpisë", sa duket, nuk iu përputh me "pazarin e çarshisë" dhe e uli pazarin përtokë, duke u pajtuar me gjendjen "më mirë pak se aspak". 

Dhe kjo "pak" na doli "boll" për Ramush Haradinajn, që e mori atë që Kadri Veseli e dëshiroi për vete, por dështoi dikund rrugës.

Por, megjithatë, ai akoma pa filluar zyrtarisht fushata parazgjedhore, nuk hezitoi që t'i premtoj votuesve se do ta bëjnë "Kosovën si Zvicra"! 

Premtim se jo mahi! 

Pra, të mos keqkuptohemi dhe nesër ta keqinterpretojnë kundërshtarët dashakeq: "si Zvicra!"

Jo si Austria, Gjermania, Italia, Franca, etj., që janë më të "pazhvilluar". 

Por, z.Veseli na premton hiç ma pak se, si Zvicra, që është më e zhvilluara dhe më e pasura prej të gjithëve!

Natyrisht, poqese fiton koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma.

Sepse, ky koalicion në radhët e veta i ka tani Arbana Xharrën dhe Halil Matoshin.

Derisa Arbana nuk i ka lënë vend në Kosovë moralit politik, si vlerë e pretenduar aq shumë, dikur në shkrimet e saj, që na thoshte për çdo ditë të lume se po rrezikohet e po nëpërkëmbet si është më zi, pikërisht nga kjo parti ku ajo aderoi dhe prej aty po e gjuan Vetëvendosjen për "milionat" Vetëvendosjen dhe Lumir Abdixhikun, pse aderoi në LDK.

 Mbase, ajo po e kryen punën e vet, për ta fituar rrogën "hallall".

Kurse, Halil Matoshi aderoi në AAK, që garon me PDK-në, siç na thoshte dikur, si "burim i krimit dhe së keqes" në Kosovë, që me vite na përsëriste në televizion si "analist i pavarur". 

Edhe Halil Matoshi si Arbana Xharra, na e dëshmoi në vepër se promovimi publik i vlerave të caktuara dhe morali politik nuk ka rëndësi fare në Kosovë.

 Por, me rëndësi fundamentale është vetëm se kush paguan dhe sa paguan.

Të tjerat pak rëndësi kanë.

 Mbase nuk kanë rëndësi fare?!

Meqë Halil Matoshi tani e ka bërë shpinën e fortë, mund ta realizoj projektin e tij për kombin kosovar, duke e spastruar Republikën e Kosovës nga shqiptarët, si "element i rrezikshëm dhe destruktiv" që ishin dikur me "nacionalizëm dhe irredentizëm"dhe tani paraqesin rrezik me idetë e tyre "të çoroditura" për bashkim kombëtar. 

Prandaj, poshtë shqiptarët, si "element destabilizues" në Ballkan!

Rrofshin "kosovarët" (e Nexhit dhe Halilit), si  "faktor stabilizues" në rajon!

Si analist politik Halil Matoshi deri tani nuk kishte fuqi politike ta realizoj këtë vizion politik "largpamës", por tani si pjesë e koalicionit të "të fortëve", pas zgjedhjeve të 11 qershorit, mbase do ta realizoj praktikisht dhe do ta "shpëtoj" Kosovën. 

Me kombin kosovar, që do ta zhvilloj Kosovën e do ta bëjë "si Zvicra" dhe do ta stabilizoj Ballkanin!





Wednesday, May 24, 2017

Zeqirja Ejupi-Zeqa, simbol i "Rilindjes" në Luginë të Preshevës



      Zeqirja Ejupi - Zeqa

           (1954 - 2017)


"Emrin e Rilindjes deri sa të jem gjallë s'e kam ndërmend ta hjekë nga kioska, edhepse disa herë më kanë bërë presion që ta heq!"   (Zeqirja Ejupi -Zeqa)


Me dhëmbje të madhe e morëm lajmin e hidhur se sot, më 23 maj 2017, ndërroi jetë miku jonë i madh, simboli i "Rilindjes" dhe "ikona e Preshevës". 



Zemra e njeriut që e gjithë Presheva e ka njohur dhe e ka dashur përzemërsisht, pushoi së rrahuri ditën e martë.

Në moshën 63 vjeçare, Zeqirja Ejupi - Zeqa, pas një vuajtje të gjatë me sëmundjen e zemrës, u transferua në amshim.

Me dhëmbje të madhe i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, farefisit, miqëve dhe shokëve të tij të shumtë.

Ngushëllime të gjithë shqiptarve të Luginës së Preshevës, shokëve e shoqeve dhe kolegëve të tij nga ish kolektivi i "Rilindjes dhe të gjithë dashamirëve të gazetave, revistave, të lajmit dhe fjalës shqipe!

Zeqirja Ejupi-Zeqa ishte "ikonë" e Çarshisë së Preshevës.

Si punëtor i "Rilindjes", Zeqa i shërbeu me dekada publikut preshevarë, intelektualve dhe rinisë, duke i përballuar në mënyrë stoike, sypatrembur e me guxim dhe vendosmëri të paluhatëshme, sfidat dhe vështirësitë e ndryshme në sigurimin e shtypit ditor, gazetave e revistave në gjuhën shqipe nga Prishtina. 

Kiosku i vetëm "Rilindjes", në qendër të Preshevës, ishte dhe mbeti një "dritare" dhe lidhje intelektuale e shpirtërore e Preshevës me Prishtinën dhe Kosovën. 

Mbi dyzet vjet, Zeqa me devotshmëri, përkushtim të pashoq dhe me sakrifica të mëdha e furnizoi Preshevën me gazeta, revista libra dhe me shtypin ditor, duke u detyruar shpeshëherë sidomos pas vitit 1999 t'i fusë "kaçak", dmth pa lejen e Serbisë. 

Për këtë arsye Zeqa shumë herë ishte maltretuar, rrahur dhe ftuar shpeshë në "biseda informative" në polici.

"Duhej bajagi njëfarë trimërie këtu, sepse duhej të furnizohej Lugina e Preshevës me gazeta shqipe. Bile shpeshëherë ka ndodhur që kemi hangër dajak, sepse dihet dikush dëshironte që Luginën ta mbante në terr informativ", thoshte Zeqa.

Për kontributin dhe punën e tij të palodhëshme, si dhe për misionin patriotik prej militanti ndaj shtypit shqiptar, Zeqirja Ejupi në vitin 1982 është shpërblyer nga Redaksia e “Rilindjes” me  mirënhoje, duke e vlerësuar lartë kontributin e tij të madh kauzës kombëtare.

Vdekja e parakohëshme e Zeqës na pikëlloi pafundësisht shumë!

Zeqirja Ejupi-Zeqa do të mbetet i pavdekshëm në kujtimet tona!

Kiosku i tij i "Rilindjes" do të mbetet si përmendore që do të na kujtoj me mburrje dhe krenari, Zeqën si figurë që la gjurmë të pashlyeshme me dekada të tëra në jetën preshevare.

Krenaria për veprën e lavdishme jetësore të Zeqirja Ejupit-Zeqës, për të cilën e falemnderojmë pafundësisht shumë, duhet t'i shërbej si ngushëllim e shërim më i mirë i dhëmbjes dhe pikëllimit të madh familjes, miqëve dhe shokëve e dashamirëve të shumtë të tij.

Lavdi e pafund i qoftë jetës dhe veprës së lavdishme, madhështore e krenare të Zeqirja Ejupit-Zeqës!

I lehtë i qoftë dheu i vendlindjes së tij të dashur, Preshevës, që aq shumë e deshti!

Zoti i Madhëruar e shpërbleftë me Xhenet!

Tuesday, May 23, 2017

Imoraliteti i fushatës parazgjedhore




Shkruan: Nehat Hyseni


Ethet parazgjedhore e kanë mbërthyer keq Kosovën! 

Si asnjëherë më parë, gazetarët dhe analistët politik, profesorët e artistët me nam, si "të pavarur", iu kanë turrur partive dhe koalicioneve garuese për zgjedhjet e 11 qershorit 2017. Apo më saktë, partitë e koalicionet ia kanë mësyrë atyre në këtë garë të paskrupullt, duke u shtyrë se kush do i fusë i pari në "rrjetin" e tyre garues drejtë pushtetit.

Paradoksalisht, në mjerimin tonë ballkanik të izolimit e enklavizimit mitik nga bota e civilizuar europerëndimore e euroatlantike, profesioni i politikanit këtu është më i kërkuari.

 Madje edhe biznesmenët dhe miliarderët e përmasave europiane, si puna e Behgjet Pacollit dhe të tjerët, nuk shkapen nga politika. 

Kurrësesi!

 Ia kanë mësyrë politikës si "shpëtimtare" dhe Zot në realitetin e mjeruar kosovar!

Në këtë "hallakamë" të turrit drejt pushtetit, si viktimë e parë tragjike edhe kësaj radhe e ka pësuar morali dhe dinjiteti politik, që gjithmonë ka qenë "mall deficitar" tek ne mburravecët dhe moralizuesit e pandreqshëm dhe të pafund, me tërë arsenalin tonë të jomoralitetit e demagogjisë së pafund.

 Korruptimi publik i votës së lirë të qytetarëve ka filluar moti kohë, sidomos me uzurpimin e mediave.

Sa i tmerrshëm dhe i paskrupullt është ky realitet i hidhur, shihet dhe përjetohet e "konzumohet" nga populli i mjerë, në televizionet e paguara me pare të veta, që pa pushim reklamojnë njerëzit, apo familjarët e vet, prindërit e të cilëve "punojnë për Kosovën"! Në "Kosovën e lirë dhe të Pavarur"! 

Por, edhe televizionet "e pavarura" kryejnë shërbimin e vet në funksion të këtij imoraliteti, me "paanshmërinë" e tyre "alla-batonhaxhiu" në TV Klan Kosova, që caktojnë "analiste" politike Besa Luzhën, si e "pavarur" dhe si "eksperte", e cila e vlerëson dhe komenton "profesionalisht" debatin e garuesve politikë! 

Edhepse dihet botërisht dhe zyrtarisht se ajo është më "e varur" politikisht nga Vetëvendosja, madje edhe më shumë se vet Albin Kurti. 

Prandaj edhe me "paanësinë" e saj, si "eksperte" e vlerësoi dhe lavdëroi publikisht, kend tjetër pos Dardan Molliqajn nga "Vetëvendosja".

Haj medet!

 A ka mbetur fare moral dhe deri ku vallë janë kufijtë e idiotizmit publik që na servohet pamëshirshëm?

Kurse, televizioni publik, "RTK1" i paguar me pare të buxhetit të Kosovës, menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 11 qershorit, na paraqitej me reklamën e Kadri Veselit, e stërpërsëritur në top termine, sa shumë i ka kontribuar Kosovës dhe si e lavdërojnë familjarët e tij.

Natyrisht se kjo mund të ndodhë vetëm në Kosovë dhe askund tjetër në Europë. Mbase, paraqet turp dhe akt të papranueshëm e jocivilizues edhe në sistemet diktatoriale të Lindjes së Afërt dhe të Mesme.

Kurse, sa i përket fushatës parazgjedhore, ajo ka filluar shumë kohë më parë, edhepse akoma nuk ka filluar "zyrtarisht". 

Madje, mund të themi se, realisht fushata kurrë nuk pushon në Kosovës dhe zhvillohet edhe prej atyre që me Kushtetutë e kanë të ndaluar, si puna e Presidentit, i cili gjatë tërë mandatit të tij nuk ka udhëtuar jashtë shtetit, sikur të ishte mbyllur dhe izoluar në kafaz. 

Kurse, tani, përnjëherë u bë "i gjallë", duke i realizuar madje dy vizita të njëpasnjëshme! Hajde për hajr! Mashallah!

Se na pati hyrë frika se nuk po guxon me dalë jashtë, edhepse nuk gjëndet në listat e Interpolit si Ramush Haradinaj dhe shokët tjerë tjerë të tij "të luftës".

 Por, druajmë se, meqë i ka kthyer shigjetat kundër BE-së, mbase Kosova do t'i lëshoj fletëarrestet në Interpol edhepse nuk është anëtar. Mbase kundër presidentit të sapozgjedhur të Francës, Macron, si hakmarrje ndaj burgosjes së Ramush Haradinajt!

 Meqë dyshimet janë se aktakuza e tillë mund të jetë "sponzoruar" nga Kosova, zyrtarët europian mund të "flejnë dathë" dhe t'i mbyllin veshët ndaj kundërakuzave kosovare, se për gjithëçka i ka fajet BE.

 Sepse, sipas pushtetmbajtësve tanë Kosova nuk ka korrupcion, por është vetëm "percecion", dmth ashtu "po i duket" zyrtarëve europian. 

Kurse, kauza e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi do të zgjidhet lehtë, meqë edhe ashtu e kreu misionin e vet për rrëzimin e Qeverisë Mustafa. 

Nuk e dijmë se si do t'ia bëjnë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, apo "Zajednicën", sidomos këtë duhet të na sqaroj Albin Kurti në fushatën e tij për kryeministër.

Por, mbi të gjithat, mbi këtë klasë politike aktuale të Kosovës, që është duke garuar për zgjedhjet nacionale të 11 qershorit 2017, e sidomos koalicionin e "krahut të luftës" PDK-AAK-Nisma, e presin ngritja e aktakuzave nga Gjykata Speciale, si "Shpata e Demokleut", që pritet të heqë shumë koka politike, që do e diktoj në masë të konsiderueshme skenën e politikbërjes kosovare në nandatin e ardhshshëm katërvjeçar 2017-2021, si dhe situatën e zgjedhjeve lokale që na presin kah fundi i këtij viti kalendarik.


Sunday, May 21, 2017

Aventura e papërgjegjëshme dhe e dëmshme e Nexhmedin Spahiut në Beograd




Shkruan: Nehat Hyseni


Deklaratat e papërgjegjëshme dhe pjesëmarrja aventuriere e donkishoteske e Nexhmedin Spahiut në një emision televiziv në Beograd, me Ivica Daçiqin dhe komandantin e policisë serbe që komandoi njësitin dhe udhëhoqi aksionin policor serb 19 vjet më parë në masakrën e Reçakut, janë të padenja dhe meritojnë kritikë publike. 

Sepse, i tejkalojnë caqet dhe limitet e arsyes së shëndoshë njerëzore, intelektuale e kombëtare.

Pikësëpari, z. Spahiu nuk është dashur kurrësesi t'ia lejoj vetes "luksin e tepruar" që të merr pjesë në një emision, madje duke u prezentuar si profesor universiteti në Prishtinë, e jo si analist politik, ku ishte plotësisht i pabarabartë profesionalisht me një gjeneral policie dhe me një eksponent dhe pasues zyrtar e arrogant të politikës  së Sllobodan Millosheviqit në Qeverinë e Serbisë. 

Sepse, nuk kishte si të përfundoj ndryshe, pos si dekor shqiptar para opinionit serb për plasimin e dezinformatave dhe pretendimit serb për shpalljen e masakrës së Reçakut si "gënjeshtër" dhe të mikut të madh të Kosovës dhe shqiptarve, z.William Walker si "gënjeshtar dhe manipulator" që e paska "mashtruar opinionin" lidhur me këtë të ngjarje, që shërbeu si pretekst i intervenimit ushtarak të NATO-s dhe i bombardimeve të caqeve ushtarake serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Në emisionin 45 minutësh, Nexhmedin Spahiu e mori fjalën gjithsej 5-6 minuta dhe nuk dinte fare nga t'ia mbante. Ishte i hutuar plotësisht, madje, meqë e humbi fillin e mendimit, iu desht Daçiqit t'ia përkujtoj se ku kishte mbetur. 

Pra, ishte i hutuar, plotësisht i papërgatitur për këtë emision dhe, meqë nuk arriti t'i kundërpërgjigjej sadopak gënjeshtrave të tyre lidhur me masakrën e Reçakut, si dhe nismën dhe aktivitetin e tij për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Spahiu William Walkerin e paraqiti si "matuf në pension", i cili ka humbur aftësinë për punë dhe për të menduar e rezonuar drejtë.

Ndërkaq, deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, se poqese Shqipërisë nuk i hapet rruga e negocimit për anërësim në BE, shqiptarët do t'i kthehen integrimeve të vogla në Ballkan, duke aluduar në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Nexhmedin Spahiu na befasoi dhe tmerroi me përgjigjen se "Edi Rama ka qenë i droguar" kur e ka bërë një deklaratë të tillë! 

Mbase, qëndrimi i Spahiut dhe gjendja shëndetësore e tij gjatë emisionit linte përshtypjen se mund të kishte siklet të madh apo probleme shëndetësore, që mund të lidheshin me drogën apo diçka të ngjajëshme.

Njësoj u përgjigj edhe lidhur me deklarimet e Presidentit të Kosovës për bashkim kombëtar.

E vetmja "pikë e ndritur" në emision, mbase mund të merret përgjigja adekuate ndaj akuzave kundër deklaratave të Ramush Haradinajt pas lirimit të tij nga gjykata e Parisit, lidhur me atë se poqese Serbia e kërkon veriun e Kosovës, atëherë shqiptarët do të kërkonin pjesën e tyre deri në Nish.

Përgjigja e z.Spahiu ishte se nuk duhet t'i kthehemi historisë së para 20 vjetëve lidhur me veriu i Kosovës, ashtu si edhe e tërë Kosova asokohe ishte pjesë e Serbisë, si dhe historisë së para 140 vjetëve kur Nishi ishte i shqiptarve. 

Kulmi i papërgjegjësisë së z. Spahiu ishte komenti i tij lidhur me vendimin e Kuvendit të Kosovës për ndërprerjen e dialogut Kosovë- Serbi në Bruksel, pas ndalimit të Ramush Haradinajt në Francë, në bazë të aktakuzës së Serbisë në Interpol, duke e quajtur si vendim të papërgjegjshëm.

Pra, pjesëmarrja inferiore dhe e papërgatitur në emisionin e përmendur televiziv në Beograd la përshtypje të hidhur dhe la shije të keqe tek shqiptarët. 

Si e tillë, pra ishte pakrahasimisht e  dëmshme krahasuar ne pretendimet eventuale të tij për ndonjë kontribut në këtë drejtim kurrësesi nuk e ndihmon kauzën kombëtare të shqiptarve në Ballkan. Përkundrazi, me pretendimin e shqiptarizimit të tezave antishqiptare të Serbisë, si psh. atë se "në Shqipëri dhe Kosovë jetojnë dy kombe të ndryshme", vërtetë paraqet arrogancë dhe diletantizëm e papërgjegjësi ekstreme.

Sepse, teza e tij mbi të ashtuquajturin kombin kosovar, realisht paraqet "përkthim" në shqip të tezës serbe mbi ekzistimin e "dy kombeve të ndryshme të shqiptarve" në Ballkan, duke emërtuar ne Kushtetutën e parë të Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë (RFPJ-së) emërtimin "šiptari" për shqiptarët në ish Jugosllavi, dmth. në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës. 

Kurse, për shqiptarët e Shqipërisë, emërtimin "albanci". 

Pra, nevojat politike e pragmatike të Jugosllavisë socialiste të Josip Broz Titos ishin që shqiptarët e Shqipërisë dhe ata në Jugosllavi t'i paraqiste si "dy kombe" të ndryshme, ashtu siç po vepron Nexhmedin Spahiu pas vitit 1999 në Kosovë me pretendimet dhe përpjekjet e tij këmbëngulëse e aventuriere për të na bindur neve dhe opinionin ndërkombëtar me tezën serbosllave, por tani të përkthyer shqip prej tij, mbi ekzistimin e "dy kombeve të mdryshme": të shqiptarve në Shqipëri (albanci) dhe "kosovarëve" (šiptari) në Kosovë.

Pra, dallimi midis teorisë serbosllave dhe asaj të Nexhmedin Spahiut mbi ekzistimin e dy kombeve të ndryshme shqiptare në Ballkan qëndron në emërtim të ndryshëm të tyre.

Derisa e para, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera të ish Jugosllavisë i quante "šiptari", Nexhmedin Spahiu i quan "komb kosovar", duke i veçuar këta nga shqiptarët e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të zi dhe të Luginës së Preshevës.

Prandaj, kjo "teori" serbosllave e Nexhmedin Spahiut mbi "dy kombe" shqiptare, u mirëprit jashtëzakonisht mirë në Serbi. Madje, Daçiqi ia tërhoqi vërejtjen z.Spahiu se do të kundërshtohej e kritikohej ashpër në Prishtinë.

Nuk dua që të keqkuptohem se jam kundër pjesëmarrjes së intelektualëve shqiptarë në mediat serbe, e as të z. Spahiu në një emision televiziv serb në Beograd e gjithandej në Serbi. Përkundrazi!

Por, jam i mendimit se duhet parapërgatitur mirë e mirë para se të merret një vendim i tillë. Sepse, realisht, akoma nuk ekziston atmosferë normale tek ato dhe në përgjithësi tek opinioni në Serbi dhe mund t'i shfrytëzojnë pjesëmarrësit eventual shqiptarë në ato emisione vetëm si "dekor" dhe justifikim të politikave të tyre antishqiptare. 

Aq më tepër kur pjesëmarrësit e tillë shqiptarë nuk janë ekspertë dhe njohës të mirëfilltë të fushës dhe temave që janë objekt trajtimi të emisioneve përkatës.

Por, mbi të gjithat, ata duhet të jenë të përgatitur edhe psikikisht e emocionalisht për përballje të denjë me fakte e argumentim të mirëfilltë shkencor e profesional.

Përndryshe, do të lënë shijen e keqe të një aventure të papërgjegjëshme dhe të dëmshme ndaj kauzës dhe interesave tona kombëtare para opinionit antishqiptar të Serbisë, por dhe para opinionit demokratik euroatlantik miqëve tanë ndërkombëtarë.

Vërshimi i shkrimeve bombastike në faqet e para të gazetave serbe, sidomos të "shtypit të verdhë" e "bulivardesk" me deklaratat skajshmërisht të papërgjegjëshme dhe të tmerrëshme të Nexhmedin Spahiut, se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është i "droguar", etj. dëshmojnë dëmet e mëdha dhe të paimagjinueshme që i ka shkaktuar imazhit të Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe çështjes shqiptare në Ballkan.