Sunday, December 18, 2016

Fati i Luginës së Preshevës u "vulos" në Bruksel!



Shkruan: Nehat Hyseni 

Problemet lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, Muri dhe problemet tjera lidhur me urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe harresa e plotë e çështjes diskriminuese të shqiptarve në Luginë të Preshevës, janë disa nga problemet kryesore që aktualisht e karakterizojnë skenën politike të Republikës së Kosovës dhe më gjerë.

Rrjedhimisht, fara e tradhëtisë kombëtare, që është mbjellur në Bruksel nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, më 19 prill 2013, ishte thikë pas shpine Kosovës dhe ardhmërisë së saj.
Kjo Marrëveshje e lidhur midis Thaçit e Daçiqit, me ndërmjetësimin e komisioneres së lartë të Unionit Europian,  baroneshës Catherinë Ashton, u nënshkrua pa kurrëfarë parimesh e kriteresh kombëtare e shtetërore të Kosovës, për sigurimin e pozitës së privilegjuar të serbëve të Kosovës, pa respektimin e parimit të reciprocitetit dhe kushtëzimin, pa përfilljen elementare, madje as pa  përmendjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës! 
Në Bruksel nuk u përfill fare as vullneti politik i shqiptarve të Luginës së Preshevës i shprehur në Referendumin e 1 e 2 marsit 1992 për Autonomi politike e territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën!
Me këtë akt antikosovar dhe antishqiptar, Hashim Thaçi e vulosi fatin ogurzi të shqiptarve të Luginës së Preshevës, duke treguar urrejtje të tërbuar dhe mospërfije ndaj kësaj pjese të shqiptarisë! 
Por, njëkohësisht, me këtë akt antikombëtar, sa duket, u vendos edhe për ndarjen e veriut të Kosovës me kufirin në lumin Ibër dhe u vulos definitivisht edhe fati i Republikës së Kosovës.
Për të mos mbetur mbrapa tradhëtisë së Thaçit, kryeministri 
Mustafa e rikonfirmoi atë me nënshkrimin e Marrëveshjes së 15 gushtit 2015 me  Vuçiqin, me ndërmjetësimin e komisioneres së lartë të  BE-së, zonjês Frederica Mogherini. 
Pra, fati i fundit të Kosovës unike dhe i shqiptarve të Luginës së Preshevës u  vulos me këto dy marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, kurse pasojat e tyre po i vuajmë tani e sa kohë dhe, sa duket, do t'i vuajmë deri në pafundësi.
Kësaj tradhëtie kombëtare i ka ndihmuar edhe "biznespolitika" e matrapazëve të Luginës së Preshevës, pjesë e të cilës ishte edhe Jonuz Musliu, i cili vazhdon me demagogjinë "patriotike", duke qenë në koalicion qeverisës lokal madje edhe me partinë e "Sveti Savës"! 

Ai dikur, për tu treguar "shqiptar i madh", kishte deklaruar se është për bashkimin e Luginës së Preshevës me Shqipërinë, duke harruar se kemi ndërmjet Maqedoninë dhe Kosovën.
 Se është i pa sinqertë e demagog i pandreqshëm, Jonuz Musliu e tregoi veten edhe ma tradhëtinë e paturpëshme ndaj lapidarit të UÇPMB-së, më 20 janar 2013, kur pati premtuar se "me 500 ushtarë do ta mbrojë lapidarin", kurse kur u paraqit xhandarmeria serbe, ai dhe "ushtarët" e tij, as që u pa fare për ta mbrojtur e për t'i dalur zot lapidarit! 
Prandaj, edhe kërcnimi i tij se do e ndërtoj një mur në Luginë të Preshevës, konsideroj se, ashtu si edhe premtimet e kërcnimet e tij për mbrojtjen e lapidarit,  nuk duhet marrë seriozisht.
 Ato duhet kuptuar si pjesë e retorikës demagogjike që kanë për qëllim faktorizimin e tyre politik që do i siguroj rrogë të majme dhe të mirat dhe rehatinë e luksin që ia mundëson performansa e tillë e ushtrimit të politikbërjes demagogjike në emër të një pjese të shqiptarve në Serbi.
Prandaj, druaj se ëndrra për reciprocitetin midis shqiptarve të Luginës së Preshevës me serbët e Kosovës është varrosur përfundimisht në Bruksel, nga Thaçi e Mustafa, ashtu si edhe ëndrra për bashkimin e Mitrovicës dhe veriut të Kosovës nën sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës.

Wednesday, December 14, 2016

Cunami politik në Maqedoni






Shkruan: Nehat Hyseni 

Termeti politik i shkaktuar nga "bombat" e kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaevit, që i sheshuan të palarat dhe ndyrësirat e prapaskenave të pista të kolaboracionizmit poshtrues e servilë të kampusit politik të shqiptarve me diktatorucin e flliqtë e primitiv të VMRO-së, Nikolla Gruevskin, në zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare të 11 dhjetorit 2016 solli "cunamin" elektoral që, sa duket gëlltiti dhe përmbysi PDSH-në e mafiozit të gërditshëm Menduh Thaçit, si dhe përgjysmoi mbështetjen dhe fuqinë politike të folkloristit arkaik, BDI-së Ali Ahmetit.
Pra, efekti i këtij "termeti" apo lëkundjeje të fuqishme të skenës politike në përgjithësi në IRJ të Maqedonisë, shkaktoi "cunami" politik përbiu sistemin autokratik e shovinist të VMRO - së të Nikolla Gruevskit, si dhe faktorin e vjetër politik : Ahmeti - Thaçi, si dy "patronë" të historisë 25 vjeçare të skenës politike të shqiptarve në Maqedoni, që e ruajtën me xhelozi e fanatizëm primitiv pozitën margjinalizuese e poshtruese të shqiptarve në skenën politike të kësaj republike të brishtë dhe shumë halle e probleme identitare e të demokracisë në Ballkan.

Ndryshimet reale në skenën politike të Maqedonisë nuk mundën t'i sjellin maqedonët pa votën e shqiptarve. 
Prandaj, mbi pesëdhjetë mijë vota të shqiptarve për LSDM-në e Zaevit, e zvogëluan  fuqinë politike të autokratucit Gruevski, duke krijuar raportin 51 kundrejt 49 deputetëve të LSDM-së.

Dhe ky êshtë një sukses i madh, por, megjithatë i pamjaftueshëm për ta bërë ndryshimin e shumëpritur. 
Kjo do të thotë se vetëm raundi i parë i kësaj fitoreje është arritur, me votën e drejtpërdrejtë të shqiptarve.
 Kurse, raundi i dytë dhe vendimtar pritet natyrshëm të ndodhë me formimin e qeverisë dhe mazhorancës qeverisëse që do të ndodhë me koalicionin e ri qeverisës, pa VMRO-në fashiste, antieuropiane e antiamerikane dhe proruruse të Nikolla Gruevskit. 
Ndërkaq, partitë politike shqiptare morën vetë 20, nga 29 deputetë që kishin, meqë vota e shqiptarve u shpërnda në pesë lista votuese, nga të cillat BDI fitoi gjysmën, dmth 10 deputetë, Lëvizja Besa 5, Aleanca për shqiptarët e Selajdin Skelën 3 dhe PDSH e Menduh Thaçit mori 2 deputetë, kurse PPD si partia më e vjetër e shqiptarve në Maqedoni, mbeti pa asnjë mandat!
Mesazhi i votës së shqiptarve duhet lexuar e kuptuar drejtë dhe qartë: se shqiptarët e Maqedonisë kërkojnë ndryshime dhe ndëshkuan sjelljen arrogante, banditeske e mafioze të Menduh Thaçit, si dhe performancën shterpe e monopoliste të BDI-së së Ali Ahmetit.
Suksesi i Lëvizjes Besa, sa duket, shumêkend e ka befasuar, edhepse realisht ishte i pritshëm njê rezultat i tillë, si një shpresë e re, e ndryshme nga llumi i skenës së vjetër politike, që dominoi skenën politike shterpe e vendnumêruese të shqiptarve  të Maqedonisë për një çerekshekull të pluralizmit politik.
Pra, zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare të 11 dhjetorit 2016 kanë krijuar mundësinë reale të përmbysjes së regjimit ultrashovinist, diktatorial, autokratik e fashist të VMROsë së Nikolla Gruevskit, si dhe hoqën nga skena politike llumin politik e demagogjik të Menduh Thaçit dhe tarafit të tij mafioz. 
Por, ato i dhanë një grusht të fortë edhe politikës shterpe e servile të BDI-së së Ali Ahmetit, duke i hapur vend dhe rrugë Lëvizjes Besa, si parti e re, si dhe Aleancës së shqiptarve në Maqedoni.





Thursday, December 8, 2016

Kosova republikë e "analfabetëve funksionalë"!


Shkruan: Nehat Hyseni

Rezultatet e testit botëror të nxënësve 15 vjeçarë "PISA" 2016 për dituri, Kosovën e radhisin pothuajse në vendin e fundit, me "77% analfabetë funksional"! 
Kjo do të thotë se vetëm 23% të nxënësve kanë "kaluar", kurse 77% kanë "ngelur", që i bie se jemi shtet i "ngelafçave".
Shyqyr zotit që u mbajt ky testim dhe "na boni sytë sabah"! Prandaj, e falemnderojmë përzemërsisht PISA-n, që jo vetëm që ma e bëri të qartë se ku jemi realisht si komb, si shtet e si shoqëri në botën e sotme. Me demek, në fund të fundit.
Por, rëndësia e PISA-s nuk konsiston vetëm në qartësimin e vendit të arsimit të Republikes së Kosovës në botë, por edhe të ekonomisë, gjyqësisë, politikës e shoqërisë sonë në përgjithësi.

Sikur të ishte mbajtur një testim i ngjash në këto sfera, rezultatet sigurisht se nuk do ishin më të mira. 
Përkundrazi, jam i bindur se do ishin edhe më katastrofale!
Tek e fundit, populli i Kosovës e tregoi me ekzodin e madh të para një viti se "Kosova e lirë dhe e pavarur" është bërë vend pothuajse i pamundur për të jetuar, duke e detyruar popullin për t'ia mësyrë madje edhe dyerve të "hasmit" shekullorë për të shpëtuar nga katandisja si është më zi e tragjike e atdheut të tyre, ku është vrarë çdo shpresë për një jetë më të dinjitetëshme dhe më të denjë, për jetë normale e civilizuese. 
Kush na e vrau shpresën?
Sigurisht se na e vranë të "merituarit", që për çdo ditë na i mbushin ekranet televizive, gazetat e mediat tjera dhe na shurdhojnë veshët e na nxijnë jetën me deklaratat banditeske për "Kosovën e lirë...", që janë bërë sheikë të Ballkanit, milionerë e madje edhe miliarderë, që para luftës ishin leckamanë e analfabetë, kurse tani janë bërë doktorë shkencash, profesorë e politikanë. 
Por, mbi të gjithat: "patriotë", që krijuan dinasti politike e pseudointelektuale, duke u pajisur vet dhe familjarët e tyre me diploma të shkollës fillore, të mesme dhe me diploma fakulteti e me magjistratura e doktoratura, pa e mësuar së paku ta shkruajnë emrin e vet pa gabime.
Pra, në "Kosovën e lirë dhe të pavarur" u krijua klasa politike ose oligarkia politiko-ekonomike e financiare, e bazuar në krim dhe metoda mafioze e kriminale të qeverisjes së këtij vendi.
Tmerri dhe fatkeqësia më e madhe e jona qëndron në faktin se pikërisht këta "analfabetë funksionalë", që ia kanë zënë frymën ardhmërisë së shqiptarve, e sidomos të rinjëve, të cilëve u ka vdekur madje edhe ajo që thonë se vdes e fundit: shpresa se ndonjëherë do të bëhet mirë.

Vuajtja shekullore e jona nga Turqia pesëqind vjet dhe nga Serbia një shekull, sa duket, nuk përfunduan me çlirimin e Kosovës nga NATO dhe rrezistenca e lufta e gjithëpopullore e shqiptarve për liri. 
Druajmë se para vetes kemi betejën ndoshta më të vështirë të historisë tonë të shumëvuajtur kombëtare: betejën me "çlirimtarët" dhe me "patriotët" milionerë që na kanē zënë frymën dhe mundësinë për ta përparuar këtë vend të bekuar.
Rasti i zgjedhjeve të jashtëzakonëshme lokale në këtë fundvit në Drenas, tregon se deri ku ka arritur papërgjegjësia, paturpësia dhe pafytyrësia kriminale dhe jomoraliteti e mosdinjiteti i kreut shtetëror të Reblikës së Kosovës.
Ato zgjedhje, në "parantezë" kishin organizimin e drekës për arsimtarët e komunës së Drenasit, me para të taksapaguesve, nga Presidenti. Në botën e civilizuar, ky quhet korruptim klasik i votës së lirë dhe shndërrim kriminal i personelit arsimorë në ithëtarë dhe besnikë të politikës, si votues e jo si edukues dhe arsimues të gjeneratave të reja, në frymën dhe moralin e demokracisë së përparuar të botës së civilizuar. Pastaj, vizitat përditëshme nëpër odat e Drenasit dhe fshatrave të tij e maskarallëqet e kryeparlamentarit dhe të kryeministrit, me refrenin dhe demagogjinë primitive të pafund "për të mirën e Kosovës", flasin qartë se deri ku e kanë katranosur, përdhosur e deklasuar ata moralin politik, kombëtar e njerëzor të "Kosovës së lirë e të pavarur"!