Monday, October 24, 2016

NEZAQETE HYSENI (OSMANI)


    (IN MEMORIAM)



     ( 3.12.1935 - 25.10.2015 )


Sot, më 25 tetor 2016 u bë një vit i plotë nga ikja në Përjetësi e nënës tonë të madhe dhe gjyshes shumë të dashur e të respektuar, Nezaqete Hyseni (Osmani).

E lindur dhe e rritur në një familje me tradita të mëdha e të lavdishme  intelektuale e patriotike, me histori të bujëshme sakrifice, shqetësimesh e trishtimesh të pafund, kaçakllëku e rrezistence të vendosur që nga stërgjyshi i saj, Osman Efendiu, i cili ishte avokat me nam në Vilajetin e Kosovës. 

Aktiviteti dhe përkushtimi i tij patriotik deri në sakrifikim në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive  të cunguara të shqiptarve nën regjimin e Perandorisë Osmane, e mbulojnë me lavdi dhe nam këtë figurë të çmuar intelektuale e kombëtare shqiptare. 

Kurse, gjyshi i saj, Shaip Efendiu ishte gjithashtu jurist i diplomuar dhe ishte gjykatës në Kazanë e Preshevës (1848-1912), i cili këtë detyrë e kreu me përgjegjësi e devotshmëri të lartë njerëzore e kombëtare. 

Prandaj, regjimi i Nikolla Pashiqit të Serbisë, që u instalua pas Luftës së parë dhe të dytë Ballkanike, që masakroi pamëshirshëm me pretendime të shfarosjes së shqiptarve për t'ua marrë tokat dhe shtëpitë e pasuritë, duke i dëbuar gjithandej nëpër botë. 

Këtë gjendje të tmerrëshme e gjenocidale ndaj shqiptarve të pafajshëm, gjykatësi Shaip Efendiu nuk kishte mundur ta toleroj pa ua dhënë denimin e merituar kriminelëve.

Asokohe, Ai i kishte dënuar me vdekje dhe kishte urdhëruar ekzekutimin e disa serbëve, në burgun pas ndërtesës së Kuvendit të Komunës së Preshevës, që kishin kryer krime mbi shqiptarët e pafajshëm.

 Për këtë arsye, Shaip Efendiun regjimi i asaj kohe i Serbisë e dënon me vdekje!

 Mirëpo, ai heroikisht i ikë ekzekutimit në momentet e fundit, në vitin 1916, dhe së bashku me djalin e madh Osmanin, shpërngulet në Diari Bekir, në Anadoll të Turqisë, duke lënë gruan Naxhijen me tre djemtë: Abdullahun, Tefikun dhe Ibrahimin.

Dora e zezë dhe kriminale e Serbisë do ta gjej dhe ekzekutoj  pamëshirshëm atje, tre vjet më vonë Shaip Efendiun me djalin Osmanin 18 vjeçar, duke i lënë jetimë gruan dhe tre djemtë.

Lufta e Dytë Botërore ishte e tmerrëshme për të gjithë shqiptarët. Por, për familjen e Nënës Nezaqete ishte edhe më e trishtueshme, meqë kishin "kaçak" xhaxhain e saj, Ibrahim Kelmendin, i cili ishte komandant i Luftës dhe rrezistencës së armatosur të NDSH-së, pas kapitulimit të Bullgarisë fashiste në vjeshtën e vitit 1944.

 Sidomos është e njohur Lufta e Bajramit e shtatorit 1944, kur shqiptarët e organizuar dhe të udhëhequr mirë i shpëtuan mrekullisht masakrimit të tyre nga forcat sllavokomuniste e çetnike, kur ata kishin mësyrë "t'ua hajmë sillën e bajramit dhe t'ua çnderojmë gratë!". 

Siç dihet, shqiptarët korrën fitore të madhe dhe sidomos në lumin e Raincës, u shpartalluan deri në asgjësim të plotë forcat e tërbuara serbe.

Profesor Ibrahim Kelmendi me përfundimin e LDB-së, bashkë me Luan Gashin, Adem Gllavicën, Hysen Tërpezën dhe me shumë patriotë e intelektualë të tjerë të NDSH-së, do të shpërngulet për Greqi, pastaj për një kohë të shkurtër do t'i dërgojnë në Gjermani, dhe pastaj për Melbourne të Australisë, ku nuk do të pushoj së vepruari deri në fund të jetës së tij, më 14 janar 1979.

Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë patriotike e intelektuale të tij, Shkolla Fillore Qendrore e Preshevës me katër paralelet e ndara të saj, sot me krenari e dinjitet mban emrin "Profesor Ibrahim Kelmendi".

Abdulla Osmani, gjyshi jonë kishte mbetur fëmiu më i madh në familje, që kishin mbetur herët jetim dhe ai u kujdes për mirëmbajtjen e familjes dhe për shkollimin e vëllazërve Tefikut dhe Ibrahimit në Medresenë e Madhe (Velika Medresa) në Shkup, kurse të Ibrahimit edhe në studime në Beograd, Zagreb dhe në Perugja të Italisë. 

Si burrë i urtë që ishte, Abdullahu edhe sot e kësaj dite, 57 vjet pas vdekjes së tij, përmendet me admirim për kontributin çmuar me mençurinë dhe urtësinë e tij në pajtesa dhe në falje gjaqesh e ngatërresash, në atë kohë kur nuk kishte gjykata të mirëfillta në regjimet antipopullore e antishqiptare.

Nana Nezaqete me shumë dashuri e emocione, si dhe me një aftësi të spikatur narrative na rrëfente momente të pafund vuajtjesh, rreziqesh familjare dhe bastisjesh të egra të ushtrisë sllavokomuniste në shtëpinë e tyre, duke kontrolluar në çdo kohë, ditën e natën dhe duke hedhur anë e kënd teshat dhe orenditê e shtëpisë.

 Tregimet e saj, ne si fëmijë i dëgjonim me interesim të madh dhe kujdeseshim që të mos na shpëtoj asnjë detaj. 

Vetëm lotët dhe dënesja në vaj ia ndëprente herë pas here rrëfimin e nanës, pas të cilës edhe nuk i mbanim lotët. 

Prej saj kemi mësuar se për shqiptarët e Preshevës nuk ishte shumë me rëndësi orientimi i tyre ideologjik, se a ishin komunistë apo nacionalistë. 

Sepse, për regjimin antishqiptar të Serbisë me rëndësi ishte vetëm se ata ishin shqiptarë, të cilët i shikonte me mosbesim dhe me dyshime, qofshin ata madje edhe komunistë të devotshëm. 

Kështu, tregonte nëna Nezaqete sa e sa herë për takimet e shpeshëta që i bënin në oborr, nën dyertë e mëdha të shtëpisë së tyre në rrugën e Gjilanit, në orët e mbrëmjes e deri natën vonë, në terr, me Abdulla Krashnicën dhe Selim Selimin, duke biseduar për fatin e Preshevës dhe të Luginës. Pra, edhepse Ibrahim Kelmendi ishte aktivist i devotshëm i NDSH-së, ose "nacionalist", siç i quanin atëherë, kurse këta ishin komunistë, megjithatë bashkëpunimi i ngushtë midis tyre nuk ka munguar në ato kohë të rrezikëshme për ekzistencën e shqiptarve.

Pastaj, tregonte nëna për varrimin e Abdulla Krashnicës, më 15 janar 1945, kur si nxënëse e shkollës së parë shqipe që ishte hapur në "Villa Letafet", kishin marrë phesë në ceremoninë e varrimit, me ç'rast, sipas zakonit të atëhershëm u paskan dhuruar edhe para. 

Me tu kthyer në shtëpi, nana i kishte gjetur dyertë e shtëpisë të hapura "krahëmkrah", meqë sapo ishin bastisur, kurse në pleme (plevicë), si kaçak ishte strehuar axha i saj, Ibrahim Kelmendi, i cili "mbante në dorë mindilin dhe herë mas here i fshinte lotët. Më kishte pa

nëpër plasa të derës së plemes se ishna unë edhe më thirri aty mbremda: "Nezaqet, eja axhës, kallxom a e vorrosët Abdullahin?" Po, i thashë axho. "A pat kallaballëk", më veti. Masherri ishte aty i thashë edhe axho na dhanë edhe pare neve nxansave. Atëherë vazhdoi të hecke poshtë e naltë me nervozë edhe i fshini lotët me mindil dhe tue dënesë, bërtiti: "Më dhimbet Abdullahi sepse e ka pasë nana njo, djalë hasreti". Pastaj i boni edhe disa hapa edhe kthye me nervozë:

 "I kom thonë se kthehet komunisti e i han nji nga nji, të gjithë"!

Nga ky rrëfim autentik i nanës, si histori e gjallë që ishte, si dhe nga shumë e shumë rrëfime të pafund të nanës kam mësuar anën tjetër të realitetit dhe të së vërtetës autentike të fatit të shqiptarve, që nuk kam mundur ta mësoj nga askush tjetër, az nga shkolla e fakulteti, as nga ligjëratat, shtypi dhe librat, por vetëm nga goja e saj e ëmbël dhe nga mbamëndja e saj e kthjellët deri në ditët e fundit të jetës së saj të vështirë, por dhe krenare.

Historia e hidhur e familjes së nanës tonë, sikur nuk kishte fund!

 Tragjedia e vdekjes së papritur, tragjike dhe shumë të dyshimtë, e djalit të axhës, Qenan Shaipi, më 12 mars 1976, në delegacionin me Kryetarin e RSFJ-së Josip Broz Titon në Kankun të Meksikës, ishte haraçi i fundit në gjak që kjo familje ia pagoi regjimit antishqiptar të Serbisë dhe të Jugosllavisë, ashtu si gjyshi i tij Shaip Efendia me të birin Osmanin, gjashtëdhjetë vjet para tij, që u vranë nga regjimi i Nikolla Pashiqit.

Kjo e vërtetoi faktin se të gjitha regjimet sllave ishin antishqiptare dhe gjakëpirëse ndaj kuadrove dhe intelektualëve shqiptarë.

Edhepse kaloi një vit nga humbja e nënës dhe gjyshes tonë të dashur, dhëmbja e pikëllimi për te nuk na pakësohen e zvogëlohen, si dhe kujtimet e shumta që na ka lënë neve bijëve të saj, si dhe nipave e mbesave, që aq shumë i deshti, si dhe mbarë familjes e farefisit.

Malli i pa shuar, kujtimet dhe krenaria për te do të na mbeten të përjetëshme!

Zoti i Madhëruar e shpërbleftë në Xhenet!






Saturday, October 15, 2016

Lugina e Preshevës midis "patriotizmit" verbal dhe pragmatizmit politik



IMG_2539.JPG

Shkruan: Nehat Hyseni


Zgjedhjet lokale të 24 prillit 2016 të Serbisë, sollën ndryshime radikale në Luginë të Preshevës. 

Ky ndryshim konsiston jo vetëm në ndryshimin e klaneve të pushtetmbajtësve lokalë, por paraqet edhe përmbysje të kakofonisë politike, zhurmëmadhe e shurdhuese të biznespolitikës në Preshevë e Bujanoc, që ditën trumpetonte patriotizëm, kurse natën hartonin e kurdisnin plane me kumbarët e tyre politikë të pushtetmbajtësve antishqiptarë të Serbisë.

Kjo simbiozë e veprimit politik në "dy binarë", në fakt ishte ogur i zi dhe paraqiste realisht mallkim të pafund, që mbështetej në instrukcionet sekrete të qarqeve serbe dhe joshte politikanët shqipfolës të Luginës së Preshevës për realizimin e Planit Sekret të Qeverisë së Serbisë pas përfundimit të konfliktit të armatosur të UÇPMB-së dhe Marrëveshjes së Konçulit,  në vitin 2002. 

Pikërisht, kjo ishte koha kur Serbisë i nevoitej performansa politikbërëse shqiptare në Luginë, që publikisht do të proklamonte kinse "program shqiptar", që do dukej nga jashtë si program nacionalist shqiptar "radikal", mundësisht të dukej sa më antiserb: për ndarjen e Kosovës, me motivacion kinse për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën. 


Kjo ishte një formulë brilante për krijimin e hutisë dhe mjegullnajës dhe joshjes politike tek një pjesë e konsiderueshme e votuesve  shqiptarë, për realizimin e strategjisë së Qeverisë së Serbisë për ndarjen e Kosovës, dmth të veriut të Kosovës dhe "shkëmbimit të territoreve" me Luginën e Preshevës.


Autor i kësaj ideje ishte kryeministri i atëhershëm i Serbisë, pasuesi i Sllobodan Millosheviqit, Ivica Daçiqi, i cili këtë "propozim" të tij e shtroi edhe në Dialogun Kosovë-Serbi, që atëbotë udhëhiqej nga baronesha Catherine Ashton, në Bruksel.

Kurse, protagonist shqiptar i kësaj ideje serbomadhe ishte PDSH e Ragmi Mustafës me satelitët e vet politikë: BDL-në e Skender Destanit, me RD-në e Ramiz Latifit dhe me për një kohë të shkurtër edhe me partinë e "luftës" të Orhan Rexhepit, në Preshevë. 

Kurse, në Bujanoc eksponentë të saj ishin PD e Nagip Arifit dhe partia e "luftës", PPD e Jonuz Musliut. 

Pra, Lugina e Preshevës për një kohë të gjatë i ishte ekspozuar djallëzisë së tmerrëshme antishqiptare të Serbisë, që shfrytëzonte dhe manipulonte ndjenjat dhe synimet patriotike të shqiptarve, me performansën dhe bashkëpunimin sekret të politikbërësve shqipfolës të Luginës së Preshevës, që shpërbleheshin me kredi të buta, grante e mbështetje ekonomike e financiare nga Serbia për firmat sponzoruese të kësaj politike makabre.


Si pasojë e drejtëpërdrejtë e kësaj  politike antishqiptare të Qeverisë së Serbisë, bizneset e shqiptarve në Preshevë dhe Bujanoc u shkatërruan pothuajse plotësisht, kurse firmat sponzoruese të PDSH-së së Ragmi Mustafës dhe Nagip Arifit me satelitët e tyre, jo vetëm që mbijetuan, por ato u forcuan e u rritën radikalisht. 


Praktikisht, të gjitha shpresat e shqiptarve të Luginës së Preshevës u shuan dhe filloi ekzodi marramendës i tyre, duke i lënë shkret pronat, pasuritë dha varret e stërgjyshërve të vet. 


Shpresat e shqiptarve të Luginës, sikur kanë filluar të kthehen me fitoren e forcave të reja politike dhe me përmbysjen e kësaj politike makabre antishqiptare në Preshevë e Bujanoc, që manipulonte tmerrësisht me ndjenjat patriotike të shqiptarve, që me djallëzi i vente në interes të platformës politike antishqiptare të Serbisë, me qëllim të pasurimit të tyre të paligjshëm e mafoz.

Ata për këtë qëllim shpikën e kurdisën një mori skandalesh politike në dëm të shqiptarve dhe për interesa të Serbisë, si dhe mohuan bashkëpunimin e mirëfilltë e vëllazëror me Kosovën e Shqipërinë dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë.


Takimet e lidershipit të ri të shqiptarve të Luginës së Preshevës më 13 tetor 2016, në Beograd me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe më 14 tetor 2016, në takimin e tyre të përbashkët me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me atë të Shqipërisë, Edi Ramën, saktësisht dy vjet pas hedhjes së "dronit" famoz në mdeshjen Serbi-Shqipëri në Beograd, u dakorduan për zgjidhjen e shumë problemeve të tyre, si psh për lejimin e teksteve mësimore nga Shqipëria, të Kembrixhit dhe Oksfordit, në gjuhën shqipe, për nxënësit shqiptarë të Luginës, si dhe u arrit marrëveshja që Qeveria e Serbisë t'i lejoj donacionet e huaja për Luginën, duke u obliguar që të merr pjesë me 50% të vlerës respektive.

Fillimisht, Qeveria e Serbisë do e mbështesë donacionin e Gjermanisë prej 100.000 (njëqind mijë) eurosh për renovimin e sallës së edukatës fizike në Shkollën fillore "Ibrahim Kelmendi " në Preshevë. Kjo shumë paraqet dyfishin e ndihmës së Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës për Maternitetin në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë.

Presim që edhe Turqia ta ndihmoj Luginën me grante e donacione dhe me investime të rëndësishme, që u biseduan në takimin e Zëvendëskryetarit të Komunës së Preshevës, Xhelal Mehmetit me Presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan.


Pra, në këto takime u shënua një kthesë radikale, që është rezultat edhe i frymës së re të politikës shqiptare të Luginës së Preshevës, duke iu qasur me sinqeritet e devotshmëri dhe transparencë të plotë, pa kalkulime e pa takime sekrete e të dyshimta me qarqet antishqiptare të Serbisë për përfitime personale, siç veprohej deri më tani.


Andaj, të gjithë shqiptarve të Luginës së Preshevës i përgëzojmë për këto suksese politike, praktike e jo verbale, që do t'ua kthejnë shpresën për një jetë më të mirë, më të dinjitetëshme e më të begatëshme në këtë pjesë të gjeografisë gjithëshqiptare.


Sepse, kësaj radhe, për herë të parë në histori, nga goja e një kryeministri të Serbisë u tha se"Shqiptarët dhe Serbët janë dy kombet më të mëdha në Ballkan"! 

Prandaj, definitivisht edhe Serbisë i është e qartë se ardhmëria e kësaj pjese të Europës nuk mund të merret me mend pa respektimin e vullnetit politik dhe interesave reale të Shqiptarve!








Sunday, October 9, 2016

Duke pritur "Ndryshimin" dhe "Shpëtimin" e Preshevës




Shkruan: Nehat Hyseni


Koalicioni qeverisës APN-PVD, ose "Ndryshimi" dhe "Shpëtimi" instaluan një praktikë të re të raportit me publikun, që aplikohet gjithandej sidomos në në nivelin qeverisjes shtetërore, e më rallë në pushtetet lokale.


Kjo praktikë demokratike e llogaridhënies dhe transparencës më të përkushtuar ndaj publikut dhe votuesve, gjithësesi është përshëndetur dhe përkrahur nga populli i Preshevës, i cili në këtë veprim sheh një ogur të mirë dhe shpresëdhënës për një qeverisje të suksesshme të pushtetit vendor në mandatin 2016-2020.

Në konferencën për shtyp me këtë rast të kryetarit të komunës së Preshevës, Shqipërim Arifit, si dhe në emisionin releviziv të kryetarit të komunës së Bujanocit, Shaip Kamberit, vërehej qartë fryma e re e pushtetit vendor në këto dy komuna të banuara me me shumicë shqiptare, që aktualisht janë në Serbi. Sidomos binte në sy entuziazmi dhe dëshira e zjarrtë e këtyre pushtetarëve të ri në komunën e Preshevës për "hapjen e fabrikave" dhe vendeve të reja të punës, e që realisht, siç theksoi qartë kryetari i komunës së Bujanocit, z. Kamberi, se "detyrë e as kompetencë e pushtetit lokal nuk është hapja e fabrikave, por krijimi i kushteve administrative e politike për biznesin".

Sido që të jetë puna, vërehej një dëshirë e zjarrtë e z. Arifi për "hapa spektakolarë" dhe për të treguar se "historia e vërtetë" fillon me te dhe asgjë e vlefshme nuk ka ndodhur në këtë komunë para tyre. 

Andaj, nuk mund të mëshifej megalomania euforike që realisht lexohej e kuptohej si mospërvojë e mosdije, se sa si një "revolucion demokratik" që me çdo kusht trumpetohej e premtohej gjatë fushatës parazgjedhore, që realisht e solli Alternativën për ndryshim në pushtet, në një afat rekord.


Sa duket, votuesit e Luginës së Preshevës, dmth në Bujanoc e sidomos në Preshevë ishin stërngopur e irrituar me arrogancën plaçkitëse e mafioze e banditeske të PD-së së Nagip Arifit në Bujanoc dhe të Ragmi Mustafës me satelitët e tij në Preshevë, prandaj edhe ishin të uritur dhe të disponuar që t'i besojnë premtimeve të tyre, që për hirë të së vërtetës, një pjesë e madhe e atyre premtimeve, ishin megalomane dhe utopiste.

Por, ajo që bie në sy, ishte "Kundërkonferenca" për shtyp e 27 shtatorit 2016 dhe reagimi kapriçioz, tekanjoz e banditesk i Ragmi Mustafës, si kokë e krimit dhe "plaçkitjes patriotike"  e dallaverave, mallverzimeve e abuzimeve, 12 vjet me radhë në pushtetin vendor të Preshevës, i cili nuk hezitoi që kryetarin e tanishëm të komunës së Preshevës ta quaj "sharllatan"!


Në stilin e tij të "oratorisë pa pikë e pa presje", ose siç thonë preshevarët "dond e kurrëkund hiç", duke ngatërruar terma e fraza vend e pa vend, Ragmi Mustafa paraqiti "brengën" e tij se "në duar të kujt ka mbetë komuna e Preshevës", pa iu trembur syri fare, ose siç themi ne, "pa ujë në sy", na derdhi "lotë krokodili" për fatin e kësaj komune e të këtij pushteti lokal.


Natyrisht, Ragmi Mustafa këtë paturpësi e shprehi pasi që, i "ka marrë erë" pushtetmbajtësve të ri, të cilët në Raportin e 100 ditëshit e parë të qeverisjes, nuk kishin nuk kishin identifikuar dhe adresuar e faktuar abuzimet e pushtetit lokal në 12 vitet e kaluara, madje, siç theksoi kryetari Arifi, ata shumë dokumenta reth abuzimeve nuk kishin arritur t'i gjejnë! Natyrisht, kjo nuk është detyrë e kryetarit të komunës. 

Por shija e keqe e kësaj pune është krijimi i bindjes se z.Arifi, sa duket, nuk ka arritur t'i mësoj se cilat janë realisht detyrat, kompetencat dhe obligimet e tij si kryepushtetar vendor i Preshevës. 

Pasojë e drejtëpërdrejt e mosangazhimi të një agjencie auditimi, që me kompetencë e profesionalizëm do e kishte kryer zbardhjen e të gjitha abuzimeve e keqpërdorimeve dhe që fajtorët të vihen para drejtësisë. 

Kjo nuk është bërë dhe frazat e fajësimit të pushtetmbajtësve të mëparshmit nga këta të tanishmit, normalisht se pa u dëshmuar e faktuar, duken joserioze, sharllatane dhe joproduktive. 

Si pasojë e këtij lëshimi amatoresk dhe të papërgjeghshëm të tyre, opozita ose abuzuesit dhe autorët e veprimeve kriminale janë trimëruar dhe janë egërsuar aq keq, sa që me arrogancë, sharje e fyerje të paskrupullta e bllokojnë vazhdimisht, në mënyrë banditeske siç ishte rasti i Seancës së gjashtë të Kuvendit Komunal, ku u arrit kulmi i destruktivitetit të tyre që realisht ka bllokuar punën e pushtetit ligjvënës apo legjislativ të komunës së Preshevës.

Gjithësesi se përgjegjësia për mosefikasitetin dhe mossuksesin e mbarëvajtjes së pushtetit vendor i faturohet opozitës destruktive e tekanjoze, por në instancë të fundit i faturohet koalicionit aktual qeverisës APN-PVD, kryetarit Arifi dhe PVD-së dhe kryetarit të saj, Riza Halimit, nënkryetarit të komunës Xhelal Arifit dhe kryetares së Kuvendit, Ardita Sinanit dhe të tjerët.


Askush nga këta nuk mund të arsyetohet para popullit duke ia hedhur fajin opozitës. 

Sepse, tek e fundit, këta e kanë marrë votën e qytetarëve me premtimet se do ta "ndryshojnë" gjendjen e padurueshme dhe se do ta "shpëtojnë" këtë komunë. Kurse, në 100 ditët e para të qeverisjes së tyre, nëse vlerësojmë se "dita e mirë shihet në mëngjez", nuk kemi vërejtur se, realisht, diçka e tillë ka filluar dhë se është duke ndodhur?!