Sunday, September 25, 2016

Komuna e Preshevës, nga mafia e "Zahvalnicës", e deri te "Ndryshimi" dhe "Shpëtimi"




Shkruan: Nehat Hyseni

Shtatori i sivjetëm në Preshevë shënoi raportimin e udhëheqjes së re komunale nga koalicioni qeverisës midis Aleancës për Ndryshim (APN), të Shqipërim Arifit, që doli në zgjedhje me moton "Për ndryshim", dhe Partisë për Veprim Demokratik të Riza Halimit, me moton "Shpëtimi".
 Pra, komuna e Preshevës, në mandatin katërvjeçar 216-2020 qeveriset me moton: "Ndryshimi-Shpëtimi", që realisht shprehë nivelin e mjerueshëm dhe gjendjen e pashpresë në të cilën ishte katandisur e katranosur kjo komunë e banuar me reth 95% shqiptarë, që pas luftës dhe bombardimeve të NATO-s të vitit 1999 dhe luftës së UÇPMB-së të 2000-2001-shit, megjithatë, së bashku me Bujanocin dhe Medvegjën, mbetën në Serbi.
Gjendja e trishtueshme dhe tmerrësisht e padurueshme shoqërore, ekonomike, sociale e politike  kishte shkaktuar trauma të mëdha socio-psikologjike dhe kaos e zhgënjim të thellë gjatë qeverisje dymbëdhjetë vjeçare të koalicionit qeverisës të të ashtuquajtur "Zahvalnicës", që udhëhiqej nga PDSH e Ragmi Mustafës, me "satelitët" e vet kontraverzë e sahanlëpirës të BDL-së së Skender Destanit dhe fraksionit të tij, BD-së së Ramiz Latifit, kishte shkaktuar humbje të shpresës për jetë normale dhe të dinjitetëshme dhe shpërngulje të përmasave biblike të shqiptarve të kësaj ane.
Filozofia politike e koalicionit të "Zahvalnicës" konsistonte në deklarimet verbale ultranacionaliste shqiptare, që në prapavi dhe në prapaskenë kishte realizimin e skenarit serbomadh të spastrimit etnik të Kosovës Lindore apo Luginës së Preshevës nga shqiptarët dhe serbizimin e kësaj pjese të banuar me shumicë shqiptare që nga periudha iliro-romake, për të cilat dëshmojnë qartë gjetjet dhe monumentet e lashta arkeologjike, si Kalajaja e Preshevës, "Kacipupi" në Rahovicë dhe një mori artefaktesh arkeologjike të gjetura në këtë trevë.

Kjo filozofi politike antishqiptare e Serbisë realizohej me performansën e tmerrëshme e makabre të koalicionit shqipfolës të "Zahvalnicës" së Ragmi Mustafës & Company me një (kuazi) radikalizëm kinse kombëtar, duke deklaruar vazhdimisht se janë "për bashkim me Kosovën", që në esencë ishte një argatllëk i kamufluar i idesë serbomadhe të "Naçertanije-s" së Garashaninit, pastaj të "kasapit të Ballkanit", Sllobodan Millosheviqit dhe pasuesit të tij, Ivica Daçiqit, për ndarjen e Kosovës.
"Zahvalnica" shqipfolëse e Preshevës, pra, ishte realizatore e idesë shoviniste serbomadhe e antishqiptare të Serbisë për ndarjen e Kosovës, që mbështetej në nxitjen e emocioneve kombëtare të shqiptarve, me skandale të ndryshme politike, si psh. :
- skandali me Lapidarin e UÇPMB-së dhe grabitjen spektakulare të tij më 20 janar 2013 nga xhandarmeria e Serbisë, 
- skandali me veprimtarinë e importimit klandestin dhe më pas të pakoordinuar të importimit të librave shqip nga Kosova, premtimin e rrejshëm dhe pastaj mohimin e dorëheqjes së Ragmi Mustafës dhe tarafëve politikë të tij, 
- shpalljen e dyshimtë dhe komprometuese të Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi, 
- skandali me Interspeedin serb në "Zonën C" të kufirit Serbi-Maqedoni në Preshevë, 
- skandalet me refuzimin e partneritetit dhe këshillave e rekomandimeve të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, si dhe të miqëve tanë ndërkombëtarë në krye me Ambasadën e SHBA-ve në Beograd, 
- abuzimin maksimal me buxhetin komunal dhe me paranë publike të takaapaguesve, 
- refuzimin dhe pengimin me motive të dyshimta e antishqiptare të themelimit të Këshillit Nacional të Shqiptarve të Kosovës Lindore apo Luginës së Preshevës, 
- skandalin me privatizimin apo gllabërimin e dyshimtë të "Metalit" dhe "Kristalit", nga firma private e kusherinjëve të Ragmi Mustafës, 
- privatizimi ekstrem i komunës së Preshevës nga tri-katër firma private, të afërm të Ragmi Mustafës, abuzimi me tendera dhe shfrytëzimi i buxhetit komunal për blerje dhe korruptim të votës së lirë të qytetarëve, degradimi ekstrem i arsimit shqip dhe kulturës shqiptare në Luginë, e në veçanti në Preshevë, etj.
Është e pafund lista e skandaleve dhe abuzimeve e veprimtarisë antishqiptare të koalicionit mafioz, grabitqar, korruptiv, zhvatës e antikombëtar të "Zahvalnicës", që i hapën rrugën e fitores së koalicionit "Ndryshimi-Shpëtimi".  Sepse, shqiptarët e Preshevës donin me të vërtetë ndryshime, për të shpëtuar nga vorbulla e pashpresë dhe nga gjendja e tmerrëshme në të cilën ishin katandisur.
Por, kaluan reth katër muaj nga 29 maji 2016, kur u instalua qeverisja e re komunale. Raportimi nga 100 ditëshi i qeverisjes aktuale nga kryetari i Komunës Shqipërim Arifi dhe nga zëvendëskryetari Xhemal Mehmeti para mediave lokale karakterizohej me pasqyrimin e gjendjes katastrofale, kaotike e banditeske në të cilën e kishin gjetur komunën e Preshevës, si dhe abuzimet e pafund të pronës publike, veprime e performansës skajshmërisht abuzive të administratës komunale.
Por, nuk mund të anashkalohet edhe përshtypja e mungesës së njohurive elementare të vetadministrimit lokal nga kryetari Arifi dhe zëvendëskryetari Mehmeti.

E para e punës, obstrukcioni dhe ikja qyqare e kryetarit të mëparshëm Ragmi Mustafës dhe mosparaqitja e tij në procedurën zyrtare dhe ceremoninë e dorëzim-pranimit të detyrës së kryetarit, nuk ishte bërë transparente në masë të duhur dhe me kohë në media, për të marrë denimin e merituar para opinionit lokal, mbarëkombêtar dhe para miqëve tanë ndërkombëtar.

Pastaj, gjendja e gjetur, që gojarisht u deklarua nga Arifi dhe Mehmeti si "katastrofale", edhe pas 100 ditëve të qeverisjes së re, nuk ishte faktuar dhe nuk ishin marrë masat e nevojëshme dhe të domosdoshme për adresimin e abuzimeve dhe për vënien para drejtësisë dhe përgjegjësisë ligjore e penale të abuzuesve.

Nuk e kemi të qartë se a është bërë ky lëshim evident, me pasoja të rënda, nga mosdia apo qëllimisht ky lëshim i rëndë nga qeverisja e re?!

Pse nuk u angazhua një Agjencion i auditimit, që ka shumë të tillë në Serbi, për të bërë auditimin profesional detal të mënyrës së menaxhimit të buxhetit komunal dhe parasë publike nga qeverisja e "Zahvalnicës" dhe që të gjeturat e tyre mbi shkeljet e rënda ligjore e abuzive, të paraqiten me akuza para drejtësisë?
Këtë përgjigje ia kanë borxh popullit dhe votuesve të vet koalicioni aktual APN-PVD, e që nuk e kanë bërë deri më tani. 

Natyrisht, kjo sjellje e Arifit dhe Mehmetit ka lënë shije dhe disponim të pakëndshëm tek votuesit. 
Por, mbi të gjithat, ka krijuar një huti dhe dyshim se a është bërë nga mosdia, apo, mozomakeq, nga mosdashja?
Këtë sqarim ata duhet ta bëjnë sa më parë dhe, patjetër të kërkojnë falje publikisht. 

Përndryshe, në të kundërtën do të krijojnë dyshime dhe mosbesim në aftësin dhe sinqeritetin e tyre për mirëqeverisje e prosperitet të kësaj komune, si dhe do e dëmtoj rëndë imazhin e tyre politik para opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar.

Një auditim i jashtëm profesional dhe i paanshëm politikisht, do të krijonte premisa të qarta të performansës aktuale politike dhe përgjigje më të mirë dhe brilante ndaj obstruksioneve e shtirjeve demagogjike të  "Zahvalnicës", si opozitë në seancat e Kuvendit Komunal dhe forumet-trupat punuese të Kuvendit, kinse për mbrojtje të ligjshmërisë, procedurave demokratike etj., nga këshillëtarët të cilët janë "kapo" të krimit, abuzimeve ligjore e financiare, pasurimit të paligjshëm dhe shumica prej tyre do e kishin vendin në burg, e jo në kuvend. 
Me këtë do ndahej përfundimisht qeverisja komunale nga krimi dhe abuzimet ligjore, në të mirë të qytetarëve, si dhe do i hapej rruga prosperitetit, efikasitetit e qeverisjes së mirëfilltë ligjore, joabuzive e jokorruptuese.

Andaj, kjo punë duhet bërë sa më parë dhe mosveprimi eventual në këtë drejtim len përshtypjen trishtuese se edhe kjo qeverisje e re do vazhdij me avazin e keqqeverisjes mafioze e abuzive të "Zahvalnicës" aq të urryer nga preshevarët.

Nga ana tjetër, ky "skanim" i gjendjes do e qartësonte edhe pozicionin pikënisës të qeverisjes "Ndryshimi-Shpëtimi", që do e bënte më të qartë për publikun rezultatin krahasues dhe do shërbej si pikë reference për sukseset dhe mossukseset eventuale të qeverisjes së re.
Ndërkaq, sa i përket shpalosjes së ideve të tyre për zhvillimin ekonomik, ata përmendën se kanë biseduar dhe janë në fazë të realizimit të marrëveshjes për  hapjen e dy fabrikave, që do të punësojnë reth 100 punëtor në vitin 2016, si dhe të dy fabrikave të tjera në vitet e ardhëshme. Por, fitohet përshtypja se këta po sillen, siç u theksua nga disa gazetarë në konferncë për shtyp, sikur të ishte formuar komuna tani dhe sikur këta ia fillonin nga e para. Pa e përmendur fare Planin zhvillimor të financiar nga CHF-USAID, kirse i hartuar nga IMSP e Beogradit, nën udhëheqjen e profesoreshës me famë europiane, Prof.dr. Edita Kastratoviqit, që "Zahvalnica" e kishte futur në sirtar.
Tri gjëra themelore duhet theksuar në veçanti nga ky Plan:
1. Trajnimin e administratës komunale të Preshevës, si njëra nga dhjetë komunaf e Europës Juglindore, dhe paisja me çertifikatë mbi standardin ISO 9001,
2. Domosdoshmërinë e formimit të Zonës Industriale në "zonën C" në kufi, dhe
3. Formimin e "Zonës së lirë doganore".

Me rrëzimin "revolucionar" nga pushteti të Riza Halimit në vjeshtën e vitit 2005, u stopuan edhe shumë projekte të tjera, si psh. formimi i Universitetit në Preshevë, me partneritet  publiko-privat, Fakultetit të Mësuesisë, si fakultet publik, etj., si dhe dalëngadalë iu mbyllën dyert bashkëpunimit me USAD-in dhe me Ambasadën e SHBA-ve dhe të miqëve të tjerë ndërkombëtarë, për t'ia hapur rrugën mafisë së tij plaçkitëse, banditeske e antishqiptare.
Prandaj, qeverisja e re duhet urgjentisht ta zhvendosë lokacionin, nga Çukarka, ku e vendosi "Zahvalnica" e Ragmi Mustafës, në lokacionin e "Zonës C", ku është paraparë në bashkëpunim me USAID-in amerikan. 
Kjo mbetet një detyrë imediate e koalicionit të ri!
Në fund, koalicionit të ri qeverisës APN-PVD, në krye me Kryetarin e Komunës, Shqipërim Arifin, Zëvendëskryetarin Xhelal Mehmetin, Kryetaren e Kuvendit, Ardita Sinanin, Armend Aliun dhe të tjerët, i uroj suksese, transparencë të plotë, efikasitet dhe ekpertizë kompetente e profesionale, si dhe vullnet e sinqeritet në punën e tyre fisnike e kombëtare, në shërbim të mirëfilltë të popullit të kësaj pjese me rëndësi të madhe e të pafund kombëtare shqiptare.

Sunday, September 18, 2016

Rethi vicioz i destruktivitetit të politikbërjes kosovare, si sfidë!


Shkruan: Nehat Hyseni

Synimin shekullor të shqiptarve kudo që janë dhe saktificat e flijimet e pafund për të qenë të "mosmvarëm", siç thoshte kryetari i parë i Shqipërisë londineze, Ismail Qemali, si dhe "Kosovën e lirë dhe të Pavarur sot, paradoksalisht, po e sfidojnë pothuajse të gjitha subjektet politike të Kosovës!
Kuptohet, dikush më shumë e dikush më pak.
 Por, asnjëri subjekt politik i Kosovës nuk përjashtohet nga energjia negative dhe destruktiviteti shteshkatërrues i tyre, duke sfiduar, penguar e rrezikuar realisht, në mënyrë të pandërprerë e në kontinuitet shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, duke krijuar kështu rrethin vicioz të vetëdëmtimit, vetëkomprometimit dhe të vetëshkatërrimit të themeleve të këtij shteti më të ri dhe më të brishtë në botë.
Kjo tendencë dhe ky synim vetëshkatërrues, mjerisht, është duke na përcjellur pothuajse në çdo hap e në çdo veprim të historisë tonë kombëtare, që nga Rilindja jonë (e vonuar) Kombëtare e gjysmës së dytë të shekullit XIX, e deri më sot.

Derisa dikur mendonim se mungesa e shkollimit dhe edukimit në gjuhën tonë, ishte "fajtore" e krijimit të rethanave dhe veprimeve antishqiptare e antikombëtare të tradhëtarëve si puna e Esat Pashë Toptanit, dikur, si dhe të komunostëve "shpirtshitur" gjatë periudhës së Jugosllavisë së Titos, si puna e Sejdo Bajramoviqit, Rrahman Morinës, Hysamedin Azemit dhe të tjerëve, sot ky veprim makabër antishtetëror e antikombëtar është realitet i trishtueshëm shoqëror e politik në "Kosovën e lirë dhe të Pavarur".
Ky realitet i trishtueshëm na krijohet e riprodhohet nga të gjitha partitë politike të Kosovës sot, madje pothuajse pa asnjë përjashtim!

Pse është duke ndodhur kështu?

Sepse, ashtu si vepronin forcat reaksionare dikur në krye me Haxhi Qamilin, si dhe tradhëtia ordinere e Esat Pashë Toptanit me shokë, në Shqipëri, si dhe e komunistëve shqiptarë këndej e andej kufirit shqiptaro-shqiptar, ashtu janë duke ndodhur tradhëtitë dhe veprimet antikombëtare, gjatë dhe pas luftës së vitit 1999, e deri në ditët e sotme.
Edhepse jemi të vetëdijshëm të gjithë, që nga foshnjat në djep e deri te më pleqtë e Kosovës, se ky Vend i Bekuar nuk mund të çlirohej kurrën e kurrës pa aleatët tanë ndërkombëtarë, në krye me SHBA-të, synimet dhe veprimet e padenja dhe makabee për t'i marrë meritat për "çlirimin" e Kosovës, nuk kanë pushuar asnjëherë deri më sot. 

Kjo garë e përgjakëshme për monopolizimin e "meritave të luftës", jo vetëm që nuk ka pushuar asnjëherë gjatë kësaj periudhe të shtetndërtimit apo të shtetshkatërrimit të Republikës së Kosovës, por është shtuar edhe më tepër, madje duke na e "përkujtuar" këtë "fakt" edhe nga mikrofonat e Parlamentit të Kosovës, sa herë që i nevoitet për t'i treguar "meritat" për të kaluarën dhe "muskujt" politikë e shtetëshkatërrues të Kosovës, duke bërë garë se kush e kush më tepër ka fuqi destruktive për t'ia vënë flakën këtij vendi dhe institucioneve shtetërore e shoqërore të tij. 

Pra, qëllimi i garës politike midis koalicionit qeveritar dhe opozitës është demonstrimi i destruktivitetit që pozita dhe opozita aktuale janë të afta që ta bëjnë, si rrugë dhe si mënyrë e vendosjes apo madje edhe të imponimit të vullnetit, agjendës dhe interesave e (kuazi) ideologjive të tyre politike, ekonomike e shoqërore ndaj spektrit politik kundërshtar.

Koalicioni qeverisës aktual, LDK-PDK, që është duke e qeverisur Kosovën, me disa përjashtime të vogla, që nga '99-ta, në këtë rrugëtim politik, ka arritur që ta institucianilizoj krimin e organizuar, korrupsionin, hajninë dhe banditizmin poshtrues në të gjitha nivelet e shoqërisë, me qëllim të pasurimit individual e grupor, "sipas meritave", duke e shndërruar Republikën e Kosovës në shtetin më të komprometuar, më të padinjitet, më të korruptuar e më të kriminalizuar në Europë, si dhe duke e shndërruar këtë vend në shtetin më të izoluar në Europë, kurse kosovarët në geto të mbyllur hermetikisht, siç ishin dikur getot hebreje në Gjermaninë hitleriane, pa të drejtë lëvizjeje pa viza në Europë.
Kurse, tani e dy vite më parë, problemi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, na ka dalë si "armë" politike të të dy taborreve apo palëve: të pozitës dhe opozitës.
Qeveria aktuale, e drejtuar formalisht nga Isa Mustafa, kurse e udhëhequr realisht nga Presidenti Hashim Thaçi dhe nga Kryeparlamentari dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, derdhin "lotë krokodili" për miratimin e Marrëveshjes së nënshkruar nga kryeministri Isa Mustafa, më 25 gusht 2015 në Bruksel, pa njoftuar dhe pa konsultuar asnjë subjekt politik të Kosovës, sikur të ishte padishah mesjetar i Turqisë osmane, e jo kryeministër modern i Republikës së Kosovës.
Kjo Marrëveshje e 25 gushtit 2015, e nënshkruar nga Isa Mustafa, mbështetet plotësisht dhe kryekëput në Marrëveshjen e 19 prillit 2013, të nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm dhe Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçit, që paraqet kulmin e tradhëtisë ordinere kombëtare:
- sepse mundëson krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që paraqet rrezik real dhe bazë për formim të një entiteti autonom shtetëror serb, brenda shtetit të Republikës së Kosovës, dhe
- përjashtimit të plotë dhe mospërfshirjes së çështjes së shqiptarve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, apo Kosovës Lindore (Luginës së Preshevës) në këto Marrëveshje, duke e shkelur rënd parimin e reciprocitetit midis tyre me serbët e Kosovës dhe duke i  tradhëtuae dhe duke i lënë ata të papërfillur e të pambrojtur, nën regjimin antishqiptar të Serbisë.

Prandaj, është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës të merr vendim mbi anulimin e Marrëveshjes së 19 prillit 2013, të nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Marrëveshjes së 25 gushtit 2015, të nënshkruar nga Isa Mustafa.
 Kurse, z. Thaçi dhe z. Mustafa urgjentisht ta tërheqin nënshkrimin e tyre nga këto marrëveshje, të kërkojnë falje para popullit të Kosovës dhe para të gjithë shqiptarve dhe t'i nënshtrohen vullnetarisht përgjegjësisë historike e kombëtare para popullit e para Zotit.
Ndërkaq, opozita aktuale e Republikës së Kosovës paraqet problem në vete, meqë përbëhet nga dy parti politike: AAK dhe Nisma, të cilat i rëndon bindja e votuesve kosovarë se janë hiç më pak se pozita aktuale të diskredituar, të korruptuar dhe "deri në fyt" të përfshirë në krim, hajni, reket, korrupsion dhe keqqeverisje dhe perceptohen se nuk paraqesin alternativë shpresëdhënëse për të tashmen dhe për të ardhmen e Kosovës. 
Demagogjia "patriotike" e  opozitës nuk akceptohet nga populli si zgjidhje. Përkundrazi!

LDD e akademik Nexhat Dacit, u shua si parti politike, e me te edhe shpresat se mund të bëj diçka të mirë për Kosovën.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje paraqet tregim në vete, meqë paraqet një mishmash rrebeluesish që përfshinë pjesëtarë të të gjitha ideologjive e bindjeve politike: prej socialistëve, komunistëve e enveristëve të bindur, e deri tek anarkistët radikalë, që janë të gatshëm dhe të disponuar kurdoherë për
të hedhur gurë, koktejë mollotovi, gaz lotësjellës, helm e spreje helmues dhe për ta shkatërruar pronën dhe pasurinë e institucionet publike, private e shtetërore, por jo edhe për shtetndërtim,mirëqenie e prosperitet të Republikës së Kosovës. Realisht, besohet e dyshohet se VV është më meritore për skenën aktuale politike, meqë:
- sfidojnë dhe synojnë ta minimizojnë, reduktojnë, madje edhe përjashtojnë impaktin politik dhe partneritetin strategjik me SHBA-të dhe BE-në, duke këmbëngulur kundër formimit të Gjykatës Speciale, etj., si dhe duke i bërë shërbime dhe favore, në mënyrë implicite  krimit të organizuar dhe mbajtjes në pushtet kriminelëve dhe të korruptuarve nga radhët e koalicionit aktual LDK dhe PDK-së, si dhe qeverisë antishqiptare të Serbisë, me veprimet e pamatura të tyre kundër serbë e të Kosovës.
Pra, politikbërja aktuale kosovare, realisht gjendet në një reth vicioz keqqeverisjeje e destruktiviteti politik e praktik, me krim të organizuar e me kriminelë në pushtet, që pa ndihmën e partnerëve tanë strategjikë ndërkombëtarë, vështirë se do të paramendohej mirëqenia dhe prosperiteti dhe ndërtimi i demokracisë së mirëfilltë dhe progresit.
 Ashtu si nuk mundëm ta fitojmë lirinë, sa duket, nuk do të mund ta ndërtojmë as ardhmërinë të vetëm e të izoluar nga miqtë tanë ndërkombëtarë dhe nga bota që na rethon.

Prandaj, nuk na mbetet tjetër rrugë dhe alternativë, por të mobilizohemi me vendosmëri e atdhedashuri të dalim nga ky reth vicioz makabër i destruktivitetit, krimit politik dhe keqëqeverisjes dhe ta largojmë të keqen në mesin tonë, si dhe ta ndërtojmë ardhmërinë tonë të lumtur, në mesin e familjes së kombeve me demokraci të mirëfilltë dhe mirëqenie në Europë.