Tuesday, June 21, 2016

A do të merr fund "pallavropolitika" e (mos) bashkëpunimit të sinqert e vëllazëror midis Shqipërisë dhe Kosovës me Luginën e Preshevës?



Shkruan: Nehat Hyseni

Lugina e Preshevës përfshinë tri komunat e banuara me shqiptarë në Serbi: Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, me 1250 km2 dhe reth 60.000 shqiptarë të mbetur aktualisht, nga mbi 100.000 që ishin dikur, që pas Luftës së vitit 1999 dhe konfliktit të armatosur të UÇPMB-së në Luginë të vitit 2000-2001, mbeti nën Serbi.
Derisa Kosova, falë bombardimeve të vendosura dhe të suksesshme të NATO-s, në krye me SHBA-në dhe vendet demokratike botërore, si dhe luftës së armatosur dhe qëndresës heroike të popullit të Kosovës, ia doli që ta heq qafe regjimin antishqiptar e primitiv të Serbisë, që e kishte okupuar dhe terrorizuar,masakruar e diskriminuar atë që nga vjeshta e vitit 1912.
Kështu, u krijuan në realitetete shoqërore e politike, me kushte diametralisht të ndryshme midis Kosovës, e cila ishte çliruar nga Serbia dhe Luginës së Preshevës, e cila kishte vazhduar të mbetet nën thundrrën e egër antishqiptare të Serbisë.
 Madje, egërsia dhe urrejtja shekullore e regjimit serb ndaj shqiptarve, ishte shtuar edhe më tepër, duke e shfryrë tërë mllefin e tyre të tërbuar antishqiptar, në këta pak shqiptar të Luginës që fatëkeqësisht, iu janë nënshtruar terrorizmit shtetëror, ushtarak, policor, administrativ e kulturor të përmasave gjenocidale, duke i shndërruar ata në komunitetin, aktualisht më të diskriminuar në Europë.
Pasojat nga ky realitet i hidhur, mbase edhe i trishtueshëm, janë katastrofale!
Shpërngulja masovike e shqiptarve nga kjo trevë, ka marrë përmasa biblike dhe fshatra të tërë janë boshatisur e janë shkret shtëpitë, pronat dhe varret e tyre stërgjyshore. 

Mungesa e investimeve shtetërore, si dhe pamundësimi i zhvillimit të papenguar e normal të biznesit privat, përveç atyre që i janë lojal dhe servilë, në mënyra të ndryshme, sekrete dhe demagogjike regjimit serb. 
Arsimi shqip mezi funksionon, pa tekste dhe mjete mësimore. 
Bankat komerciale, shumica prej tyre janë mbyllur në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, duke e vështirësuar  edhe më tepër qarkullimin e lirë të parasë dhe duke e reduktuar skajshmërisht zhvillimin ekonomik. 
Gjykatat janë mbyllur në këto komuna dhe janë transferuar në Vranjë. 
Simbolet kombëtare shqiptare nuk shikohen me sy të mirë nga regjimi serb. 
Gjuha shqipe nuk respektohet fare në organet shtetërore të Serbisë në Luginë. 
Gjithashtu, struktura nacionale e të punësuarve në organet shtetërore len shumë për të dëshiruar, etj., mos t'i numërojmë me radhë, sepse është e pafund lista e formave dhe llojeve të diskriminimit të shqiptarve në Serbi.
Në këtë gjendje dhe situatë të papranueshme të kësaj pjese të gjeografisë shqiptare, nevoitet më shumë se kurdoherë më parë ndihma dhe bashkëpunimi i ngushtë vëllazëror i shqiptarve të kësaj pjese të Shqiptarisë me Republikën e Kosovës dhe Shqipërinë.
Ky bashkëpunim, mjerisht, është larg, madje tepër larg nga nevojat dhe mundësitë reale për një gjë të tillë.
Mbase është koha që, udhëqja e re e dalur nga zgjedhjet e 24 prillit 2016 të bëj një kthesë vendimtare në këtë drejtim!

Sepse, "biznespolitika" e kaluar mbështetej kryesisht në matrapazllëqe kankulanteske dhe mafioze në vizitat Shqipërisë dhe Kosovës, për interesa të firmave sponzoruese të Ragmi Mustafës & company.
 Prandaj, ata mjaftoheshin me fotografimin dhe me paraqitjen në televizion dhe media të tjera, duke thurur disa fjali të rrejshme "patriotike" dhe pastaj uleshin e bënin biznesin prej së mbari me institucionet respektive në Tiranë e Prishtinë, për llogari private. 
Fodëllëku dhe arroganca e paturpësia e tyre ogurzezë, shkonte deri aty sa që ata nuk gjetën asnjë fjalë falënderimi për mbështetësit dhe protestuesit kosovarë për Luginën e Preshevës, por iu shtruan drekave luksoze të forcave politike kosovare që e kishin lënë Luginën jashtë dialogut të Brukselit dhe agjendës politike të qeverisjes dhe performansës së tyre politike. 
Kjo pafytyrësi e pashembulltë politike e (anti)kombëtare e një pjese të lidershipit të Luginës së Preshevës, nuk guxon të përsëritet!
Prandaj, bashkëpunimi i Luginës së Preshevës me Kosovën dhe Shqipërinë, pikësëpari duhet mbështetur në kornizën dhe parimet e interesave gjithëkombëtare, duke respektuar spektrin e gjithëmbarshëm politik të tyre,   opozitën dhe shoqërinë civile e institucionet kulturore, arsimore, administrative, sportive, etj., e jo vetëm mazhorancën qeverisëse, siç veprohej deri më tani.
Pastaj, praktika e delegacioneve megalomane, që ishin joserioze, joproduktive dhe tragjikomike të liderucave të pafund, të çdo lagjeje, duke krijuar mishmash, huti dhe parada të budallallëqeve ordinere, siç ishte rasti i para dy-tre vjetësh me rastin e vizitës së tyre në Tiranë dhe në Beograd.

Si duhen organizuar vizitat në Tiranë, Prishtinë dhe Beograd, si dhe ambasadave të miqve tanë ndërkombëtarë?
Gjithësesi në mënyrë sa më efikase, produktive dhe fitimprurëse e të dobishme për shqiptarët e Luginës. Andaj, në delegacion duhet të jenë: kryetari i komunës së Preshevës, Bujanocit, si dhe zëvendëskryetari i komunës së Medvegjës, kryetari i KNSH-së, si dhe kryetari i Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë, poqese zgjidhet në atë funksion kandidati shqiptar i Luginës. 
Kjo do të thotë se delegacioni nuk do të ket më tepër se pesë anëtarë, e jo si dikur që arrinte deri në 13 e më shumë  anëtarë, duke i shndërruar ato vizita në cirkus dhe duke u bërë gaz i botës.

Cila do ishte agjenda e bashkëpunimit të mirëfilltë, Luginë e Preshevës-Tiranë-Prishtinë?

Agjenda e bashkëpunimit të mirëfilltë, të sinqertë e vëllazëror, duhet të jetë e qartë, e fokusuar në problemet jetike të shqiptarve të Luginës së Preshevës, prioriteti i të cilës duhet identifikuar dhe përcaktuar saktësisht sipas rëndësisë, peshës dhe urgjencës së problematikës përkatëse, në sinkroni dhe sinergji e koordinim të plotë të lidershipit të Luginës. 

Kurrësesi nuk duhet lejuar vizitat pa agjendë të paracaktuar, ku delegacioni zakonisht paraqitej si një orkestër i ç'akorduar, që prodhonte kakofoni shurdhuese e shterpe të defilimeve demagogjike të bashibozukëve të papërgjegjëshëm e  analfabetë, të nivelit më të ullët të mundshëm e kompromitues të përfaqësimit të kësaj pjese të Shqiptarisë, siç ishte situata e vizitave reth Lapidarit të UÇPMB-së, marrjes së vendimit unik për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare, etj. 
 Atyre u nevoitej kohë maratonike që ta merr fjalën secili veç e veç dhe nuk linin hapsirë dhe kohë të nevojshme për këshillat e nikoqirëve.
 Pastaj, kur ktheheshin nga ato takime, secili e interpretonte vizitën në mënyrë të ndryshme nga tjetri, duke e shtuar edhe më tepër konfuzionin dhe tensionet politike, si dhe pakënaqësinë dhe dëshprimin dhe zhgënjimin e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare me lidershipin e papërgjegjshëm, arrogant e demagogjik të Luginës.
Agjenda kryesore e vizitave të lidershipit të Luginës së Preshevës në Tiranë, Prishtinë, si dhe në Beograd dhe me ndërkombëtarët, duhet të përfshijë:
* Kërkesën unanime, të vendosur dhe të palëkundur për përfshirjen e çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës në Dialogun e Brukselit, si të barabartë me atë të serbëve të Kosovës;
* Insistimin për realizimin e plotë të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për Luginën e Preshevës, të 6 qershorit 2013;
* Fokusimin në problemet reale dhe konkrete të arsimit, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, punësimit, etj., si dhe me formimin e premtuar të Fondit për zhvillim të Luginës;
* Disiplinën dhe përgjegjësinë për artikulimin dhe prezentimin e problemeve, por edhe për zbatimin e suksesshëm të  rekomandimeve dhe këshillave e detyrave që rezultojnë nga ato takime, për secilën çështje konkrete, si dhe për angazhimin e përgjithshëm të pushteteve lokale në këto tri komuna në realizimin e politikave përkatëse;
* Vend të rëndësishëm në ato takime duhet të ket edhe pozita e studentëve shqiptarë në Shqipëri e Kosovë, si dhe gjendja e shqiptarve të Luginës atje;
* Hapja e konsullatës shqiptare dhe të zyres së Kosovës në Luginë, do ishte "conditio sine qua non" (kusht i domosdoshëm) për zbatimin e politikave përkatëse dhe për ndihmë efikase të Shqipërisë dhe Kosovës për Shqiptarët e Luginës së Preshevës, etj.

Shpresojmë se po vijnë ditë më të mira të bashkëpunimit të mirëfilltë vëllazëror dhe të mbështetjes e ndihmës institucional e shtetërore të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për Luginën e Preshevës.
Pallavropolitika demagogjike e antikombëtare, si dhe mospërfillja, mossinqeriteti e mosbashkëpunimi i sinqertë e vëllazërorë midis Luginës së Preshevës dhe Shqipërisë e Kosovës, duhet të merr fund definivisht, duke ia hapur rrugën një etape të re të perspektivës së mirëfilltë e shpresëdhënëse të kësaj pjese të Shqiptarisë, për një të ardhme më të sigurtë dhe më të lumtur, në vatrat e tyre stërgjyshore, të trashëguara "den baba den"!

Sunday, June 5, 2016

Analizë e shkurtër mbi (mos) realizimin e Rezolutës për Luginën e Preshevës



Shkruan: Nehat Hyseni

Para tre vjetësh, pikërisht më 6 qershor 2013, me nismën e deputetit të atëhershëm të LDK-së, Lutfi Hazirit dhe pas debatit tërëditor të 31 majit, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi këtë:
"Rezolutë e Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Nr. 04-R-011, të 6 qershorit 2013:
“1. Qeveria e Republikës së Kosovës të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë, me kujdesin dhe interesimin shtetëror për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë lidhur me të drejtat e tyre civile, politike dhe etnike;
2. Qeveria e Republikës së Kosovës të ketë më shumë përkujdesje dhe trajtim më të mirë për qytetarët shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të cilët janë shpërngulur në Kosovë duke iu garantuar të drejta të plota dhe të barabarta;
3. Qeveria e Republikës së Kosovës të hapë një zyre në Prishtinë dhe në Gjilan për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me qëllim mbrojtjen dhe përmirësimin e gjendjes
dhe atyre të cilët janë shpërngulur nga atje sipas normave ndërkombëtare;
4. Të krijohen lehtësi të qarkullimit, shkollimit, afirmimit kulturor, pajisjeve me dokumente përkatëse si dhe lehtësi tjera, duke përfshirë suspendimin e taksës diskriminuese;
5. Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkon nga institucionet ndërkombëtare dhe institucionet relevante që të liroj të burgosurit politikë duke përfshirë të ashtuquajturin
grupin e Gjilanit që janë viktima të një procesi të montuar politik;
6. Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkoj reciprocitet të plotë me të drejtat e serbëve
pakicë në veri të Kosovës;
7. Kuvendi i Republikës së Kosovë mbështet nismën e themelimit të një Universiteti Publik në gjuhën shqipe dhe fton përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të marrin nismë
ligjore;
8. Kuvendi i Republikës së Kosovë mbështet themelimin e fondit zhvillimor për Preshevë,
Bujanoc dhe Medvegjë me iniciativën e Qeverisë së Kosovës dhe në koordinim me
institucionet ndërkombëtare dhe evropiane;
9. Kuvendi i Republikës së Kosovës fton Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera
ndërkombëtare që të angazhohen dhe të bëjnë presion për detyrimin e Republikës së Serbisë që të respektoj të gjitha të drejtat që dalin nga Konventat ndërkombëtare;
10. Qeveria e Republikës së Kosovës të themelon grupin ndërministror për implementim që përfshin edhe vizitën e mundshme të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane dhe Ministrisë për Integrim Evropian”.

Por, sa nga kjo Rezolutë është realizuar deri tani?

Poqese bëjmë një analizë të hollësishme, pikë për pikë, atëherë do të konkludojmë se:
Pika 1. "...kushtëzimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, me kujdesin e saj për të drejtat e shqiptarve të Luginës, realisht nuk ka ndodhur deri më sot.
 Asnjë kushtëzim ndaj Serbisë me realizimin e të drejtave të shqiptarve të Luginës, nuk është bërë, meqë për serbët e Kosovës janë siguruar standardet më të larta të të drejtave të tyre kolektive dhe individuale, kurse shqiptarët e Luginës janë bërë aktualisht komuniteti më i diskriminuar në Europë.
Pika 2. Sigurimi i të drejtave të barabarta të shqiptarve të Luginës në Kosovë, gjithashtu nuk është realizuar, meqë një pjesë e madhe e refugjatëve apo  e shqiptarve të shpërngulur nga Lugina në Kosovë, nuk janë pajisur me dokumenta qëndrimi, identifikimi e pronësie, si dhe asnjëri prej tyre nuk është regjistruar si refugjatë, as nga Qeveria e Kosovës, e as nga UNHCR-i. 
Prandaj, ata sot janë të diskriminuar edhe në Kosovë dhe trajtohen si qytetarë "të padukshëm", pa mundësi lëvizjeje jashtë dhe me probleme të panumërta brenda Kosovës!
Pika 3. ka të bëj me hapjen e zyrave të shqiptarve të Luginës në Gjilan dhe në Prishtinë, por nuk është realizuar akoma dhe nuk janë hapur akoma këto zyre.
Kurse, pika 4 ka të bëj me heqjen e taksës kufitare dhe për krijimin e lehtësive në shkollim e arsim, është realizuar  pothuajse plotësisht.
Pika 5. ka të bëj me lirimi e të burgosurve politikë dhe është realizuar pothuajse plotësisht.

Pika 6. Parimi i reciprocitetit të pozitës dhe të drejtave e lirive të shqiptarve të Luginës së Preshevës me atë të serbëve të Kosovës, që paraqet njërën nga pikat më të rëndësishme, deri tani nuk është realizuar, madje nuk është bërë asnjë hap sado i vogël në këtë drejtim, edhepse shqiptarët e Luginës së Preshevës janë tejet shumë, madje jetësisht të interesuar për ta realizuar këtë parim kyç dhe themelor, të realizimit të të drejtave kolektive e individuale, sipas standardeve që aplikohen për serbët në Republikën e Kosovës.
Pika 7. Themelimi i një universiteti publik në gjuhën shqipe në Luginë, me mbështetje nga Kosova, mjerisht, akoma nuk ka ndodhur dhe nuk është zhvilluar kurrëfarë aktiviteti në këtë drejtim.
Pika 8. Formimi i Fondit Zhvillimor për Luginën, gjithashtu nuk ka ndodhur deri më sot dhe përveç 100.000 (njëqindmijë) eurove që i ndanë dy qeveritë në mbledhjen e parë, të mbajtur në Prizren, për Maternitetin në Preshevë, nuk kanë ndarë më asnjë cent. Vlen të theksohet se Qeveria e Kosovës ka premtuar se në katër vitet e ardhëshme do të ndaj shumën prej 450.000 (katërqind e pesëdhjetë mijë) eurove për Luginën.
Pika 9. Detyrimi i Serbisë për të respektuar të drejtat e shqiptarve të Luginës, nuk është realizuar dhe nuk ka ndodhur deri më sot, meqë ata nuk janë përfshirë fare në dialogun e Brukselit.
Pika 10. Formimi i Grupit ndërministror për mbikëqyrjen e implementimit të kësaj Rezolute për Luginën e Preshevës, nuk është realizuar, meqë nuk është formuar akoma ky grup. Kurse, disa vizita të zyrtarve të Kosovës në Luginë,  kanë filluar të realizohen.
Pra, e pamë se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka realizuar as 10% të obligimeve të veta të parapara me këtë Rezolutë.
Pritshmëritë dhe shpresat tona të mëdha ishin se çështja e Luginës së Preshevës do të shtrohet në agjendën e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, Shqipëri-Kosovë. 

Por, mjerisht, kjo çështje nuk ndodhi dhe çështja e shqiptarve të Luginës nuk është futur asnjëherë në agjendën e asnjërës nga tri mbledhjet e deritanishme të dy qeverive. Kurse, Lugina e Preshevës po boshatiset nga shqiptarët me hapa shumë të shpejtë, duke i lënë shkret pronat, shtëpitë dhe vatrat e tyre stërgjyshore.

Friday, June 3, 2016

Pse u anashkalua Lugina?


Shkruan: Nehat Hyseni

Pse nuk pati takim paraprak midis lidershipit të ri të Luginës së Preshevës, të dalur nga zgjedhjet e 24 prillit me kryeministrin  Shqipërisë, Edi Ramën dhe me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën, para mbledhjes së dy qeverive, më 3 qershor 2016, në Prishtinë, nuk dihet.
 Së paku zyrtarisht nuk kemi kurrëfarë njoftimi apo informate. 
Por, kjo heshtje absolute dhe ky anashkalim (i dyanshëm), nga Shqipëria e Kosova, si dhe nga Lugina e Preshevës, realisht paraqet shqetësim të madh për preshevarët dhe për mbarë shqiptarët, kudo që janë, meqë pritshmëritë nga kjo mbledhje e dy qeverive, ishin të mëdha. 

Të gjitha shpresat e shqiptarve të Luginës janë të mbështetura tek vëllezërit tanë në Shqipëri e Kosovë, për ndihmë vëllazërore e institucionale, për tejkalimin e gjendjes tejet të rënd dhe diskriminuese në të cilën gjendet kjo pjesë e Shqiptarisë. 

Boshatisja alarmante e Medvegjës, malësisë së Bujanocit dhe Karadakut të Preshevës dhe jo vetëm, nuk ka të ndalur. 
Lugina është shndërruar në një organizëm të sëmurë, me hemoragji (gjakderdhje) të pandalëshme, që rrezikon perspektivën dhe ardhmërinë e shqiptarve në këto troje të tyre stërgjyshore, që kërkon mada të menjëherëshme, të vendosura e radikale, për tu ndalur dhe për t'u shëruar sa më parë plagët e rënda që shkaktojnë ikjen e shqiptarve nga vatrat e tyre shekullore. 

Pa ndihmën e sinqert dhe të vendosur të Shqipërisë dhe Kosovës, shpëtimi i Luginës së Preshevës, nga kjo gjendje e rrezikëshme dhe e pashpresë, nuk mund të merret me mend.

Kurse, përveç deklaratës eksplicite të ministres Tahiri, se "çështja e shqiptarve të Luginës së Preshevës duhet patjetër të futet në agjendën e mbledhjes së 3 qershorit 2016, sepse ata kanë mbetur të pambrojtur dhe si jetimë...", prononcim apo deklarim tjetër, sa di unë, nuk ka pasur nga asnjëra palë.
Të gjithë e kuptojmë se lidershipi i ri i Luginës së Preshevës akoma nuk është akomoduar si duhet në detyrën e tyre të qeverisjes për mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2016-2020. 
Mbase edhe mund të jenë të preokupuar me gëlqerosjen e zyrave dhe ndërrimin e inventarit, që mbase edhe mund të "mos i pëlqej ngjyra" apo modeli, apo "aroma e paraardhësve" të tyre.
 Por, megjithatë, punët, obligimet dhe detyrat e tyre e reja, nuk presin!
Evenimentet dhe ngjarjet e rastet politike e rëndësishme shoqërore, nuk presin!
Madje, as nuk mund të kthehen!

Çdo ditë e çdo orë e minut, duhet shfrytëzuar me syçeltësi, zgjuarsi e gadishmëri të plotë. 

Sepse, t'i shërbesh popullit është detyrë fisnike dhe hyjnore, që nuk e kanë fatin dhe mundësinë e tillë ta kenë të gjithë. 
Kurse, ju që e fituat besimin e popullit me premtimet që i dhatë. 
Tani është koha që ato të realizohen, meqë çdo zhagitje, neglizhencë apo mospërfillje, mund të na kushtoj shtrejtë. 

Sepse, edhe në politikë, ashtu si në futboll dhe në lojrat e tjera sportive, rastet dhe shanset e humbura, shpeshëherë ikin në pakthim, ashtu si uji që kalon nën urë dhe nuk kthehet kurrë!