Tuesday, April 26, 2016

Fundi i "plaçkitjes patriotike" të mafisë së "biznespolitikës" shqiptare në Luginë të Preshevës?



Shkruan: Nehat Hyseni 

Zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale në Serbi dhe në Luginë të Preshevës, që u mbajtën të dielën, më 24 prill 2016, rikonfirmuan SNS-in e Aleksandar Vuçiqit si fituese të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, si mazhorancë me 131, nga gjithsejt 250 deputetë të Parlamentit të Serbisë. 

Kurse, shqiptarët e Luginës së Preshevës fituan vetëm një, nga tre deputetë të mundshëm, dmth fituan 0,43% nga reth 1,25% që mund t'i fitonin realisht, poqese do ishin të gjitha, dmth nëntë (9) partitë politike shqiptare, të bashkuar.

Madje, në këto zgjedhje parlamentare ndodhi edhe turpi dhe krimi i pabesueshëm: PDSH e Ragmi Mustafës me "satelitët" e vet në Preshevë, si dhe PD e Nagip Arifit dhe LPD e Jonuz Musliut në Bujanoc e Medvegjë, refuzuan listën Shqiptare "Ardita Sinani" dhe votuan për SNS-in e Aleksandar Vuçiqit dhe disa për listën e Zukorliqit në zgjedhjet parlamentare!

Kështu, këto parti shqipare, të cilat, "për arsye patriotike" pamundësuan zgjedhjen e tre deputetëve të mundshëm. 

Prandaj, shqiptarët e Luginës së Preshevës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të 24 prillit 2016, fituan vetëm një deputet shqiptar nga lista PVD-UDSH të Ardita Sinanit, si bartëse e listës.
Pra, është kjo një disfatë e radhës e shqiptarve në Luginë të Preshevës, që dirigjohen nga Serbia hiç më pak se 25 vjet, një çerekshekull të plotë, sipas formulës "magjike": "refuzim i Serbisë" zyrtarisht dhe pazarllëk për shitjen e kauzës dhe fatit të shqiptarve "privatisht". 
Kurse, rezultati praktik i këtij pazarllëku të paskrupullt, të pashpirt e ogursi i kësaj mafie politiko-ekonomike është krijimi i "sheikëve të Luginës", si dinasti ekonomiko-politike të familjarëve të pushtetmbajtësve shqiptarë të Luginës së Preshevës.

 Si kundërshpërblim
për këtë "shërbim" të tyre, ata janë lejuar nga Serbia për tu pasuruar në mënyrë banditeske e kriminale dhe kanë ndërtuar dinasti në fshatrat dhe venbanimet e tyre, që preshevarët po e quajnë "Qytezë Pejton" e Dinastisë së Ragmi Mustafës & Company, në   fshatin Zhunicë të Preshevës, si dhe të Nagip Arifit & Company në fshatin Tërnoc, në komunën e Bujanocit, që u ngritën dhe u zhvilluan të mbështetur fuqishëm 25 vjet nga qeveritë e Serbisë, me zhvatjen e buxhetit komunal në kontot dhe xhepat privatë të këtyre "bossave politikë" të biznespolitikës shqiptare në Luginë të Preshevës. 
Këta biznespolitikanë "patriotë" e mafiozë, jo vetëm që nuk u penguan dhe ndëshkuan nga Serbia për veprimtarinë e tyre të paligjshëme e kriminale, që ka krijuar pasuri përrallore të tyre që shtrihet jo vetëm në Luginë të Preshevës, Kosovë e Shqipëri, por gjithandej edhe në Ballkan dhe më gjërë!

Cilat ishin format konkrete të zbatimit të formulës "magjike" të kësaj mafie politiko-ekonomike të biznespolitikës shqiptare në Luginë të Preshevës?

Mafia politike e biznespolitikës shqiptare në Preshevë, e kryesuar nga kryemafiozi Ragmi Mustafa dhe në komunën e Bujanocit, nga Nagip Arifi dhe Jonuz Musliu, të cilët:

1. Mbështetën politikën serbomadhe për ndarjen e Kosovës, të prirë nga kryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Serbisë dhe pasuesi i Sllobodan Millosheviqit, Si dhe kryetar i SPS-it, Ivica Daçiqi. Kjo politikë tradhëtare dhe thellësisht antishqiptare e Ragmi Mustafës me mbēshtetësit mafioz të tij e udhëheqësisë së pushtetit lokal nga Bujanoci, refuzonin me këmbëngulje, madje kategorikisht Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, si dhe qëndrimin e pretë të miqëve tanë ndërkombëtarë në krye me SHBA-të, për "tërësinë dhe unitetin territorial e mosndarjen e Kosovës"! Kurse e mbështetnin kauzën e Ivica Daçiqit, të cilën ai, si kryenegociator i palës serbe, e shtroi si propozim në Dialogun e Brukselit, për "shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë".Pra, "kali i Trojës" i politikbërjes serbe ishte futur fuqishëm si "pykë e Nasradinit" brendapërbrenda politikbërjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës, duke sfiduar tmerrshëm krahun tjetër politik të politikbërjes së shqiptarve të Luginës, të cilët i respektonin sugjerimet e Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe të miqëve tanë ndërkombëtarë, për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare. Madje, paradoksalisht, kjo mafi politike e biznespolitikanëve të përmendur, që me shpejtësi marramendëse pasuroheshin nga "plaçkitja patriotike" e buxhetit komunal në Preshevë e Bujanoc, akuzonte palën tjetër si "tradhëtarë"!
2. Në kohën kur zhvillohej intensivisht dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel dhe bëheshim përpjekje intensive për përmirësimin e pozitës diskriminuese të shqiptarve të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa, i mbështetur nga Nagip Arifi dhe Jonuz Musliu, në mënyrë klandestine dhe të parregulltë dhe as pa lëshuar lejen e ndërtimit nga pushteti lokal që ata udhëhiqnin, vendosën Lapidarin e UÇPMB-së para ndërtesës së Kuvendit Komunal në Preshevë, të punuar nga një mjeshtër serb i Vllasotincës, nga rethina e Leskovcit në Serbi. Pastaj, nuk e mvrojtën fare dhe ia lejuan Serbisë që ta grabis pa kurrëfarë rrezistence, duke ia mundësuar Serbisë që ta ndaloj edhe Memorialin e Dëshmorëve në fshatin Rahovicë të Preshevës.
3. Shpallja e "Zajednicës shqiptare në Serbi", ishte sihariqi i radhës që e bënë "Triumvirati" Mustafa-Arifi-Musliu në vitin 2015, gjithashtu pa konsultuar fare partitë tjera të shqiptarve të Luginës dhe as Kosovën e Shqipërinë dhe ndërkombëtarët. Prandaj, ky bllof i rrezkshëm dhe antishqiptar i tyre, dështoi akoma pa filluar, meqë nuk u përkrah nga askush.
Këto ishin vetëm disa nga "truqet" antishqiptare të këtyre mafiozëve politikë të Luginës së Preshevës, që udhëhiqnin pushtetin lokal në Preshevë dhe Bujanoc, të cilët, më në fund, pas 12 vitesh, në zgjedhjet lokale të 24 prillit, me votën e lirë të shqiptarve  humbën në mënyrë spektakulare. 
Humbën pikërisht ashtu si e merituan! Me votën e shqiptarve.

Mbase, me humbjen e merituar të tyre, erdhi koha që të vihen para drejtësisë dhe gjyqit popullor të shqiptarve të kësaj ane për "plaçkitjet patriotike" dhe për maskarallëqet, pisllëqet e flliqësirat e mafiozllëqet politike dhe për pasuritë kriminale, si dhe për vjedhjet e paskrupullta të tyre. Mbase, do të nevoitej të formohet një Gjykatë Speciale për Luginën e Preshevës, e cila do i hetoj krimet e tyre ekonomike e politike, sipas standardeve të BE-së dhe botës së zhvilluar e demokratike.
Me humbjen e kësaj mafie politike në Preshevë dhe Bujanoc, që mbështetej fshehurazi, por fuqishëm dhe parezervë nga Serbia, shqiptarve të Luginës së Preshevës do t'i kthehet shpresa për një jetë më të mirë dhe për zvogëlimin dhe ndaljen e shpërnguljes, që ka marrë përmasa alarmante.
 Gjithësesi, llogarisim në një mbështetje dhe bashkëpunim më aktiv me Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, si dhe me ambasadat e SHBA-së, me BE-në dhe miqtë e partnerët tjerë ndërkombëtarë, për një jetë më të sigurt, për liri qytetare e kombëtare dhe për një zhvillim më të hovshëm ekonomik, arsimor e politik të kësaj pjese të Shqiptarisë.





Sunday, April 24, 2016

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të diskriminuar nga Serbia e të harruar nga Kosova e Shqipëria




Shkruan: Nehat Hyseni 

Në kohën kur shpërngulja dhe ekzodi i shqiptarve nga Kosova Lindore, apo Lugina e Preshevës, ka marrë përmasa alarmante dhe rrezikon realisht praninë e shqiptarve në trojet e tyre stërgjyshore në territoret që aktualisht kanë mbetur nën Serbi, të dielën, më 24 prill 2016, në Serbi dhe në Luginë të Preshevës mbahen së bashku, zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale.
Ndërkaq, në komunën e Medvegjës mbahen vetëm zgjedhjet parlamentare, meqë zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale atje janë mbajtur më 13 shtator 2015.
Zgjedhjet parlamentare i kanë bojkotuar të gjitha partitë politike shqiptare përveç Partisë për Veprim Demokratik dhe Unionit Demokratik të Shqiptarve, të cilat kanë organizim të mirëfilltë në këto tri komuna në Serbi, të banuara me shqiptarë: në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Karakteristikë e veçantë dhe paradoks të llojit të vet paraqet bojkotimi i zghedhjeve parlamentare të Serbisë nga partitë shqiptare të PD-së së Nagip Arifit dhe LPD-së së Jonuz Musliut në komunën e Bujanocit me arsyetimin demagogjik dhe kontravers, kinse për "motive patriotike", kurse në pushtetin lokal të Bujanocit ata ishin në koalicion me të gjitha partitë politike serbe: me SNS-in e Aleksandar Vuçiqit, SPS-in famëkeq të Millosheviqit dhe pasusit të tij, Ivica Daçiqin, me "Sveti Savën", etj. 
Pra, me të gjitha partitë politike serbe, kundër koalicionit të partive politike shqiptare PVD-UDSH!
Kurse, në komunën e Preshevës zgjedhjet parlamentare i bojkoton koalicioni qeverisës komunal: PDSH-BDL-BD, të cilët bënë bujë me dhënien e Mirënjohjes famëkeqe (Zahvallnicës) Kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, "për merita ndaj shqiptarve", me çka i irritoi dhe i fyu e i provokoi e komprometoi rëndë të gjithë shqiptarët, si dhe popujt demokratik dhe viktimat myslimane të gjenocidit serb në Srebrenicë dhe mbarë botën demokratike dhe miqtë e partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë.
Pra, paradoksi i bojkotimit të zgjedhjeve parlamentare në Serbi qëndron në faktin se ato bojkotohen nga partitë politike shqiptare që bashkëpunojnë ngushtë me Serbinë dhe bashkëqeverisin në pushtetin lokal me të gjitha partitë politike serbe, madje edhe me ato më ekstremet dhe më antishqiptaret, që kanë pas veti një histori dhune, masakrash e gjenocidi ndaj myslimanëve në Bosne, në Kroaci, e sidomos ndaj shqiptarve në Kosovë dhe në Luginë të Preshevës.

Prandaj, është  qartë se ky bojkotim është joparimor dhe ka motive koniunkturale, grupore, klanore e personale, e aspak kombëtare, madje thellësisht antishqiptare. Sepse, po të bashkohej vota e të gjithë shqiptarve të Luginës, do të fitoheshin tre deputetë shqiptarë, e jo vetëm një ose shumë vështirë, dy deputet që aktualisht munden të fitohen.

Copëzimi apo parcelizimi i votës së shqiptarve të Luginës së Preshevës është në dëm të shqiptarve dhe i shërben politikës antishqiptare të Serbisë. 
Ky copëzim ka ndodhur edhe për faktin se në garat për pushtetin lokal në këto zgjedhje garojnë hiç më pak se nëntë parti politike shqiptare, të cilat bëjnë ndërskamca e fyerje të mëdha midis veti.
Pushteti lokal në Preshevë dhe në Bujanoc, edhepse idhëhiqej nga partitë e përmendura shqiptare, megjithatë ka shënuar mangësi dhe keqqeverisje e gabime të mëdha. 
Korrupsioni, familjarizmi dhe nepotizmi ekstrem, tenderomanizmi korruptiv dhe zhvatja e buxhetit komunal për agjenda korruptive e kriminale dhe kalimi i paligjshëm dhe krimnal i parasë dhe pasurisë publike në xhepa dhe llogari private, shpresohet të ndërpritet me këto zgjedhje, si dhe të kthehet perspektiva dhe shpresa për një jetë më dinjitoze dhe shpresëdhënëse. 

Sepse, shqiptarët në Serbi diskriminohen shumëfish: nga pushteti qendror antishqiptar i Beogradit, por edhe nga "hijenat" dhe bandat politike kriminale të partive politike shqiptare që veprojnë publikisht si "patriotë", kurse në fakt bashkëpunojnë dhe janë servilë ndaj Serbisë, për interesa të bizneseve personale e familjare të tyre, që shpërblehen dhe mbështeten nga regjimi antishqiptar i Beogradit, në situatën kur Prishtina dhe Tirana zyrtare janë pothuajse indiferente dhe të painteresuara fare për gjendjen dhe fatin e kësaj pjese të Shqiptarisë. 

Korruptimi i votës së shqiptarve, sidomos në Preshevë dhe Bujanoc nga investimet korruptive të votës në asfaltime vend e pavend, me punësime mediokrësh dhe lënien jashtë të kuadrove të aftë dhe ekspertëve, etj. me përdorimin e pasurisë dhe parasë publike për ta blerë votën dhe për t'i fituar edhe këto zgjedhje nga pushtetmbajtësit aktualë, paraqet rrezik real dhe sfidë të madhe për shqiptarët e kësaj ane.
Ndryshimi i kësaj gjendje të padrejtë, diskriminuese e kriminale pritet që të ndodhë realisht.
 Në të kundërtën, poqese nuk ndryshohet ky pushtet i korruptuar e kriminal, shqiptarët do të zhgënjehen thellë dhe shpresat e ëndrrat e vrara e të rrënuara të tyre për një jetë më të mirë në këtë pjesë të gjeografisë shqiptare do ta shpejtinin edhe më tepër shpërnguljen dhe boshatisjen e këtyre trojeve të tyre stërgjyshore.

Friday, April 22, 2016

Sharllatanizmi i opinionistëve të "Click"-ut në RTV21


Shkruan: Nehat Hyseni

Emisionin debativ "Click" të R TV21, të udhëhequr nga moderatori Leart Hoxha, e përcjell shumë shpeshë. 
Ky emision, me siguri se ka arritur ta tërheq vëmendjen dhe interesimin e publikut me analizat që i bëjnë "të përherëshmit" Halil Matoshi, Dugagjin Gorani dhe Driton Selmanaj me mysafirë të ndryshëm.
Ata trajtojnë tema të ndryshme të aktualitetit politik të Kosovës dhe, me ju thënë të drejtën, mendoj se shquhet për qasje të sinqert dhe kritike, shpeshëherë edhe deri diku profesionale, ndaj fenomeneve politike e shoqërore nga aktualiteti kosovar, shqiptar, rajonal dhe më gjerë, që e bënë atë njërin ndër emisionet televizive më të shikuara kosovare, kurse TV21, si medium serioz dhe kredibil.

Mirëpo, meqë temat politike e shoqërore që i trajton janë nga më të ndryshmet, kurse opinionistët të përhershëm, edhepse mysafirët ndryshojnë, megjithatë, ndodhë që e humb seriozitetin e nevojshëm, meqë u mungojnë informacionet e domosdoshme dhe kompetenca e njohuritë minimale për temat që trajtojnë.

Mbase, i tillë ishte edhe emisioni i të enjtës, më 21 prill 2016, kur flitej për Zgjedhjet lokale dhe parlamentare të 24 prillit 2016, me fokus në Luginë të Preshevës. 
Shihej ashiqare se Halil Matoshi dhe Nexhmedin Spahiu nuk kishin informacione elementare dhe se nuk iekishin përcjellur fare fushatën parazgjedhore në Luginë. 
Madje, shihej qartë se nuk kishin fare njohuri, madhe as më elementare për shqiptarët e Luginës. 
Prandaj, ata "ia futnin kot" shifrave dhe nuk pritonin as të jipnin këshilla e "nasihat" se çka duhet të bëjnë shqiptarët e Luginês dhe ata të Maqedonisë.
Së pari, nuk është e vërtetë se partitë politike shqiptare të Luginës i bojkotojnë zgjedhjet dhe "nuk e ndjekin rrugën institucionale", siç deklaronin ata. 
Sepse, asnjëherë, asnjëra parti politike shqiptare nuk i ka bojkotuar zgjedhjet lokale, por disa parti i kanë bojkotuar herë pas here vetëm ato parlamentare dhe zgjedhjet për Këshillin Nacional të Shqiptarve, të 6 qershorit 2010.
Prandaj, fjala është vetëm për bojkotimin e zgjedhjeve parlamentare nga partitë politike të prira nga Ragmi Mustafa, të cilat në vitin 2015 ia dhanë Mirënjohjen (Zahvallnicën) famoze e të turpshëme kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Prandaj, analiza dhe debati i zhvilluar në emision, në mungesë informacioni dhe njohjeje të situatës politike në Luginë të Preshevës, ishte kuturu, që më shumë fuste paqartësi se sa që realisht sqaronte diçka.
 Madje, edhe numri i shqiptarve atje, u përgjysmua nga opinionisti i përhershëm, Halil Matoshi, 25000-30000, kurse realisht janë reth 62000 shqiptarë në Luginë të Preshevës.
Pastaj, u tha se shqiptarët mund t'i marrin pesë deputetë, poqese do të shkonin me "listë unike" në zgjedhje.
 Kjo nuk është e vërtetë, sepse, numri i deputetëve për parlamentin e Serbisë varet nga numri i përgjithshëm  e daljes në votime në nivel të Serbisë, që pjestohet me numrin e deputetëve të parlamentit, 250, që sillej nga 12-16 mijë vota të nevojshme për një deputet. 

Kurse, z. Matoshi thotë se në Serbi jetojnë 25-30 mijë shqiptarë, që i bie të ket maksimalisht reth 20 mijë votues, që do të thotë se shqiptarët nuk do të mund të fitonin më shumë se një edhe sikur të dilnin 100% në zgjedhje!

Atëherë, vallë, prej nga na i nxorri z. Matoshi 5 deputetë?

Pra, kjo flet qartë për qasjen kuturu dhe sharrllatanizmin e tij ndaj problemeve të Luginës së Preshevës, pa u thelluar në njohjen elementare të realitetit etnik, politik e shoqëror atje.

Kurse, këshillat e z. Spahiu për lista unike të shqiptarve në zgjedhje lokale do ishin absurde! 
Sepse, realisht do e pengonte dhe pamundësonte garën shumëpartiake për pushtetet lokale në komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe demokracinë.
Pra, qasja ndaj problemeve të shqiptarve të Luginës së Preshevës kërkon seriozitet e përkushtim, e jo dhënie leksionesh e këshillash kuturu, pa u informuar për rethanat dhe problemet atje, duke "ia futur kot", e duke dezinformuar e çorientuar edhe më tepër opinionin kosovar dhe atë gjithëshqiptar për Luginën e Preshevës, ashtu si bënin në fund të viteve të 90-ta mediat e Shqipërisë për situatën në Kosovë, kur sugjeronin bashkimin e partive shqiptare në protestat e opozitës serbe në Beograd. Sidomos na irritonte "këshilla gjeniale" e gazetarit Bujar Muharremi dhe kolegëve të tij, sipas të cilëve, me rrëzimin e Millosheviqit, do të zgjidheshin edhe problemet shekullore midis shqiptarve dhe serbëve!
Dëmet nga kjo qasje sharrllatane dhe skajshmërisht e papërgjegjëshme janë shumëfish të mëdha.
 Andaj, do ishte mirë që, poqese nuk kemi synime të sinqerta dhe dashuri të mirëfilltë vëllazërore dhe informacione minimale për atë pjesë të Shqiptarisë, do ishte mirë, që së paku, mos t'i dëmtojmë dhe çorientojmë edhe më tepër ata.

Thursday, April 21, 2016

Dyshohet se edhe verën e vitit 2017 do e presim pa viza!


Bota Sot | 21.04.2016 15:55 • Diana Bunjaku
Dyshohet se edhe verën e vitit 2017 do e presim pa viza!

Nehat Hyseni analist politik tha se liberalizimi i vizave për Kosovën, sipas të gjitha gjasave, nuk pritet që të ndodhë së shpejti. Ai ka thënë se lëvizja e qytetarëve të Republikës së Kosovës drejtë vendeve të BE-së, nuk pritet të ndodhë në vitin 2016, madje sipas tij, dyshohet se edhe verën e vitit 2017 do e presim pa viza.

“ Bashkimi Evropian, Kosovën e ka radhitur pas Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Turqisë. Kështu, pritja e stërzgjatur e liberalizimit të vizave, që praktikisht ka filluar të "numëroj së prapthi" nga viti 2010, mbase i ngjet pritjes së kotë, utopike, si pritje "beketiane", duke pritur Godonë, i cili assesi të arrij”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij, është i trishtueshëm fakti se vendet e BE-së, sidomos ato pesë vende që nuk e kanë njohur akoma Kosovën, numërojnë shkaqe dhe arsyetime të ndryshme për këtë refuzim të liberalizimit të vizave për Kosovën, madje edhe me "klauzolë" apo kushte shtesë, që ka të bëjë me riaktivizimin e vënies së vizave, po qesë paraqitet një numër i madh i refugjatëve azilkërkuese ekonomikë nga Kosova për vendet e BE-së.

“ Duhet theksuar se pritshmëritë e Kosovës për liberalizimin e vizave gjatë viteve, kanë pasur kryesisht karakter fushate të subjekteve politike kosovare, që kanë abenë të papërgjegjshme dhe kanë dhënë premtime të rrejshme dhe kanë nxitur shpresa të rrejshme tek qytetarët e Kosovës, me qëllime përfitimesh politike”, ka thënë Hyseni.

Ai ka thënë se është mbivlerësuar, madje se është fetishizuar rëndësia e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj, që realisht paraqet rrezik të madh që, me rastin e liberalizimit eventual të vizave për Kosovën, ta përjetojmë euforinë popullore për udhëtim drejtë BE-së dhe azilkërkimit ekonomik, që e përjetuan viset e Serbisë dhe të Maqedonisë të banuara me shqiptarë.

“ Atëbotë u përjetua një eksod i paparë, marramendës, kryesisht i shqiptarëve, drejt Gjermanisë, Zvicrës, Anglisë dhe vendeve tjera të BE-së, duke rrezikuar që t'u rivendosen sërish vizat. Prandaj edhe është paraparë klauzola për rikthimin e regjimit të vizave të gjitha vendeve që synojnë liberalizimin e vizave. Por, mendoj se përfitimet e Kosovës dhe qytetarëve të saj do të jenë shumë më të vogla dhe të papërfillshme krahasuar me pritshmëritë dhe shpresat euforike që janë të pranishme gjatë kohë në Kosovë, që kanë krijuar bindjen artificiale se me liberalizimin e vizave do të zgjidhen si me "shkop magjik" të gjitha hallet, problemet e brengat e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Hyseni.

Tuesday, April 19, 2016

Tre vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes për formimin e "Zajednicës"



Shkruan: Nehat Hyseni 

Ditën e marte, më 19 prill 2016, u bënë tre vjet të plota nga nënshkrimi i Marrëveshjes famëkeqe mbi "normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi",  midis kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit, kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Komisioneres së lartë të BE-së, baroneshës Catherine Ashton, pa përfshirjen e serbëve të Kosovës dhe shqiptarve të Serbisë. 

Kjo Marrëveshje makabër kishte pikësynim themelor sigurimin e statusit dhe pozitës së serbëve si minoritet të Kosovës mbi të gjitha standardet e njohura ndërkombëtare mbi minoritetet. 
Njëkohësisht, me këtë Marrëveshje kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje, faktikisht ka nënshkruar kapitulimin e Republikës së Kosovës para Serbisë dhe ndërkombëtarve, meqë u dakordua që për çështjet e brendëshme të Kosovës të dialogohet, madje edhe të negociohet në Bruksel!
 Praktikisht, frytet e Luftës së armatosur dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, me veprimet e pamenduara dhe kapitulanteske të z. Thaçi, u hodhën në ujë dhe u shkelën pamëshirshëm, duke mos treguar aspak respekt për gjakun e derdhur të dëshmorëve për liri dhe pavarësi! 
Ky veprim i padinjitetshëm dhe i papërgjegjshëm i tij ka sjellur pasoja të pariparueshme për Kosovën dhe për Luginën e Preshevës, që sa duket, vëshirë se do riparohen ndonjëherë, meqë në dialogun e Brukselit dhe në Marrëveshjen e përmendur, çështja e shqiptarve të Luginës së Preshevës nuk përmendet fare! Sikur të mos ekzistonin ata mbi këtë dhe?!

Prandaj, ky akt është cilësuar nga shqiptarët, kudo që janë, si tradhëti kombëtare, që duhet zhbërë sa më parë!

Sepse, kjo Marrëveshje që përmban 15 pika, ka përcaktuar obligimin që të themelojë një Asociacion  të komunave me shumicë serbe (Zajednicën) në pikat 1 deri në 6., që nga studiuesit dhe njohësit e të drejtës ndërkombëtare dhe nga politikologë eminentë është vlerësuar si Republikë Serbe brenda Republikës së Kosovës, që do e bëjë Kosovën si shtet tmerrësisht jofunksional dhe joefikas, meqë ia sfidon sovranitetin dhe funksionimin unik të sistemit politik, juridik, ekonomik, bankar, të mbrojtjes, sigurisë, arsimit, kulturës, etj. 
Me këtë Asociacion të komunave me shumicë serbe, sfidohet nga themeli shtetësia e Republikës së Kosovës.
Me pikat 10-11 të kësaj Marrëveshje parashihet 
të themelohet një Panel gjyqësor i veçantë në pjesën veriore të Kosovës, me çka sfidohet funksionimi i sistemit unik gjyqësor në Republikën e Kosovës, meqë parasheh pavarësi të madhe të sistemit gjyqësor në komunat me shumicë serbe, si në procedurën e zgjedhjes së gjyqëtarëve, poashtu edhe në funksionimin e gjykatave në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.

Ristrukturimi i strukturave policore në veri të Kosovës është përcaktuar në pikat 7,8 dhe 9, ku parashihet gjithashtu pavarësi e madhe nga Policia e Kosovës, si në zgjedhjen e kuadrit policir, ashtu edhe në kierarkinë komanduese dhe fushëveprim.
Edhepse palët obligohen të arrijnë marrëveshje për dy çështje të rëndësishëm të Kosovës, energjetikën dhe telekomunikacionin ( pika 13), si dhe për si dhe që  asnjëra nga palët të mos e pengoj tjetrën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare (pika 14), megjithatë Serbia e pengoi Kosovën për anëtarësim në UNESCO, si dhe agjiton fuqishëm kundër njohjeve të Republikës së Kosovës, etj.
Pra, Marrëveshja e Brukselit e 19 prillit 2016, si dhe ajo e 25 gushtit 2015, e nënshkruar nga kryeministri Isa Mustafa, e sfidojnë dhe cenojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sovranitetin e saj, funksionimin e sistemit unik politik, gjyqësor, doganor, sistemit policor, arsimit, kulturës, sistemit ekonomik dhe shtetëror.
 Prandaj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se ka mangësi, të cilat doemos duhen korrigjuar në këto Marrëveshje.
Pasojat e rënda të këtyre Marrëveshjeve antikosovare dhe antishqiptare po i vuan populli i Kosovës, zhvillimi I gjithëmbarëshëm i së cilës është duke lënguar e duke çaluar rënd. 
Pasojat negative të tyre po i vuajnë, madje edhe më keq, shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët janë lënë pamëshirshëm në duartë e regjimit antishqiptar e fashist të Serbisë, pa kurrëfarë mbështetje institucionale e shtetërore  nga Kosova dhe shqipëria dhe janë vlerësuar si komuniteti aktualisht më i diskriminuari në Europë. 

Pra, Marrëveshja e 19 prillit 2016 dhe ajo e 25 gushtit 2015, duhen korrigjuar dhe ndryshuar konform vendimit të Gjykatës Kushtetuse të Kosovës dhe nevojave shtetërore e domosdoshmërisë së funksionimit unik e efikas të shtetit të Republikës së Kosovës, në interes të popullit shumicë, shqiptarve dhe minoriteteve, sipas të gjitha standardeve dhe normave moderne europiane.





Monday, April 18, 2016

Mbi "ujqit" dhe gjurmët e tyre në "Kosovën e lirë dhe të pavarur"




Shkruan: Nehat Hyseni

Politikbërjen e Republikës së Kosovës, 17 vjet pas çlirimit nga Serbia, dhe tetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, e karakterizon një zmbrapsje apo zbythje permanente, e pandalëshme, e pakufizuar dhe e pafund ndaj Serbisë! 
Kjo rrokullisje dhe ky ambis është duke ndodhur pamëshirshëm me "Kosovën e lirë, Sovrane dhe të Pavarur", ku dinjiteti i saj shtetëror dhe Sovraniteti i saj nuk përfillen nga Serbia dhe nga minoriteti serb i Kosovës, në kohën kur "komandantët" udhëheqin me këtë shtet të përdhosur, të poshtruar e të degraduar në mënyrë të pashembulltë në Kontinentin e Vjetër (Europë), të cilës, sa duket, vetëm territorialisht apo gjeografikisht i përkasim. 
Kurse, në pikëpamje kulturore, ekonomike, e sidomos politike, jemi shumë, mbase tepër shumë larg saj. 
Madje, jemi të vetmit në Europë të izoluar dhe të getoizuar!
Pra, e gjithë kjo katrahurë e ky degradim dhe poshtrim është duke na ndodhur në kohën apo periudhën e pavarësisë, kur "ujqit" tanë politikë po pasurohen në mënyrë marramendëse. 
Këta "ujqë", në agun e lirisë ishin leckamanë, të uritur, të zgjebosur e të mjerë, kurse tani janë shndërruar në "bossa" dhe "sheikë", të shtetit të tyre që pamëshirshëm e leckosën, zgjebosën e poshtruan, kurse këta qyrramanë u pasuruan dhe "aristokratizuan", me villa, biznese e luks marramendës!

Kryeministri Mustafa e quan këtë si një "percepcion" të rrejshëm, që do të thotë se "po na duket" se po shofim korrupsion e keqmenaxhim, kurse, sipas tij, "çdo gjë është në rregull" dhe se partnerët tanë ndërkombëtarë dhe populli i Kosovës vetëm "po shohin ëndrra me sy çelë"! 
Prandaj, me lehtësi trishtuese e poshtruese u nëshkrua tradhëtia e Kosovës dhe shqiptarve të Luginës së Preshevës, më 19 prill 2013 nga Hashim Thaçi, si dhe ajo e 25 gushtit 2015, në Bruksel, nga Isa Mustafa, duke ia hapë dyertë qëllimeve antishqiptare, antikosovare e djallëzore dhe pretendimeve makabre të Serbisë që t’i bartë në Bruksel edhe "çështjet teknike", por dhe çështjet e brendëshme të Kosovës, duke u arsyetuar kinse po angazhohet "kundër izolimit dhe getoizimit të serbëve të Kosovës"?
Takimet e jashtëzakonshme të grupit të ekspertëve të Prishtinës dhe Beogradit, që do të mbahen nesër në Bruksel, janë caktuar me kërkesê të palës serbe, me qëllim të sfidimit dhe moszbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për mosnjohjen e letërnjoftimeve të lëshuara nga institucionet dhe strukturat paralele serbe, si dhe për ndalimin e hyrje-daljeve në Kosovë me ato legjitimacione.

Njëkohësisht, Serbia pretendon që ta ruaj praninë e vet institucionale dhe politike sa më gjatë në veri të Kosovës, duke bllokuar zbatimin e ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës në atë pjesë të territorit të Kosovës, duke e cenuar rënd sovranitetin dhe duke pretenduar për ta kompromituar pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Për këtë qëllim, Serbia ka instrumentalizuar egërsisht dhe në mënyrë të paskrupullt serbët e Kosovës, për qëllime të fëlliqëta dhe për nevoja politike të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe lokale, të caktuara për 24 prill 2016, që do të mbahen edhe në Kosovë.
 Ndërkaq, zgjedhjet e Kosovës nuk janë shtrirë asnjëherë tek shqiptarët në Serbi: në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe në Beograd e qytete tjera të Serbisë, ku jeton një numër i konsiderueshëm i shqiptarve.
Pra, siç po shihet për ditë e më tepër, më qartë dhe pamëshirshëm Kosova po degradohet dhe poshtrohet liria, pavarësia dhe sovraniteti dhe demokracia, si dhe standardi dhe mirëqenia e popullit.
Kurse, klasa politike, "ujqit", paradoksalisht po pasurohen e forcohen?!
Vallë, a nuk po i shohin Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Mustafa pasuritë prrallore dhe villat e luksin aristokratik si "gjurmë" të "ujqëve" që e shkaktuan këtë varfërim, shkatërrim e komprometim të paskrupullt të Kosovës së pasluftës.

Sunday, April 17, 2016

"Peshku n'deti e fërterja n'zjarr"!




Shkruan: Nehat Hyseni

Edhepse aktualisht askush nga vendorët dhe ndërkombëtarët nuk mund ta thotë, mbase edhe nuk mund ta dijë, se kur do të mbahen dhe a do të mbahen zgjedhje të parakohëshme parlamentare, apo do të pritet viti 2018 për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare në Kosovë, megjithatë, opozita e thyer dhe e dështuar, e sidomos AAK e Ramush Haradinajt dhe Nisma e Fatmir Limajt, kanë deklaruar koalicion parazgjedhor.
Është pakë si e panatyrëshme që të ndodhin përgatitje aq të ngutëshme parazgjedhore, për zgjedhjet që nuk duken fare në horizont, pse siç thotë populli: "peshku në deti, kurse fërterja (tigani) në zjarr"!
Fillimisht, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që "Opozita e bashkuar", dmth VV-AAK-Nisma, ta formojnë listën e përbashkët parazgjedhore dhe Alternativën, që do të përfshinte, përveç këtyre tri partive politike, edhe subjekte nga shoqëria civile, pra si listë e zgjëruar, të dominuar nga VV, pa përfshirë dhe pa rezervuar Ramush Haradinajn si kandidat të përbashkët për kryeministër.

Prandaj, pikërisht për këtë shkak, ashtu si ndodhi në vjeshtë të vitit 2014 me prishjen e koalicionit të atëhershëm opozitar "anti PDK", LVAN, pak a shumë, për të njejtat arsye u prish tani pjesa e mbetur pa LDK-në e atij koalicioni, dmth koalicionti VAN.
Atëbotë u fajësua LDK dhe Isa Mustafa për lidhjen e koalicionit qeverisës me PDK-në dhe Hashim Thaçin, duke i shpallur tradhëtarë, si dhe duke u betuar se nuk do i lejojnë të qeverisin në qetësi, me organizim të protestave ekstremisht të dhunëshme, duke ia "qitur tymin" edhe Parlamentit të Kosovës me hedhjen e gazit lotësjellës dhe dhunën fizike e psiqike të paparë të opozitës që e ushtronin aty.
Por, edhe kësaj meseleje, sa duket i erdhi fundi, meqë opozita "falimentoi" para protestës së paralajmëruar për 26 mars, e cila u anulua befasisht, një ditë para mbajtjes së saj.
Por, kësaj radhe, edhepse fajësia për prishjen e këtij koalicioni opozitar hidhej si topi i pingpongut, nga njëra anë në tjetrën, megjithatë u kuptua se Ramush Haradinaj e ndjeu veten të rrezikuar, meqë në "listën e përbashkët" nuk i ishte rezervuar karriga e kryeministrit. 
Prandaj, ky koalicion u prish!

Por, kësaj radhe, edhepse AAK dhe Ramush Haradinaj ishin fajtorët real të prishjes së tij, ashtu siç ishin shkaktarët e drejtpërdrejtë të koalicionit LVAN, kësaj radhe nxituan që ta fajësojnë Lëvizjen Vetëvendosje, se "don ta shuaj AAK-në si parti"?!
Nisma mbeti në krah me AAK dhe deklaroi koalicion parazgjedhor.
Kurse, Lëvizja Vetëvendosje paralajmëroi koalicion parazgjedhor me AKR-në e Behgjet Pacollit, duke formuar kështu dy krahë të opozitës aktuale dhe me pretendim që të mos e pranoj dështimin politik me prishjen e koalicionit VAN, duke u përpjekur që t'ia nisë nga e para për krijimin e numrave aq të nevojshëm për arritjen e foteles apo karrigës qeverisëse.
Por, edhe sikur të shpallen sot zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare, partitëVV, AAK e Nisma dhe liderët e tyre e dijnë se do e përjetonin humbjenn e radhës, duke ia siguruar fitoren edhe më bindëse PDK-së. 

Prandaj, ata nuk e kanë me sinqeritet këtë kërkesë.
Sepse, ky koalicion qeverisës LDK-PDK ka për obligim t'i kryej disa detyra të rëndësishme dhe t'i çoj ato deri në fund, si psh. formimin dhe funksionalizimin e Gjykatës Speciale dhe ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, formimin dhe funksionalizimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si dhe një mori obligimesh e detyrash thera urgjente.
Natyrisht, duke qenë e vetëdijëshme opozita për faktin se PDK-së do i levërdisnin zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare edhe për faktin se do e bllokonte edhe për disa muaj formimin e Gjykatës Speciale dhe gjykimin e shumë "peshqëve të mëdhenjë" nga radhët e saj, si dhe për faktin se me ato zgjedhje do i rikonfirmohej fitorja PDK-së, kërkesa e tyre për zgjedhje na del se është e pasiqertë dhe tentativë për krijim të imazhit të rrejshëm mbi fuqinë e munguar dhe dështimet e tyre politike, si dhe për presione të imponimit të dialogut politik pozitë-opozitë dhe për përfitime eventuale politike nga ai "dialog", duke e vënë tiganin në zjarr, edhepse peshku aktualisht  noton i patrazuar në det.

Thursday, April 14, 2016

Pushteti absolut i Hashim Thaçit, i (pa) shmangshëm?





Shkruan: Nehat Hyseni

Me zgjedhjen e Hashim Thaçit President të Republikës në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, më 26 shkurt 2016, Ministria e Punëve të Jashtme, me vendimin e Kryeministrit Mustafa, sipas propozimit të PDK-së dhe z. Thaçi personalisht, iu besua Petrit Selimit.
Pra, kjo ministri është e PDK-së, që do të thotë se, edhepse z. Thaçi formalisht e ka lëshuar këtë post, si dhe atë të Zëvendëskryeministrit, megjithatë "hija" e tij politike dhe vendimmarrëse ka mbetur aty fuqishëm. 
Prandaj, çfarëdo vendimi i Petrit Selimit duhet shikuar si vullnet politik dhe si urdhër i Hashim Thaçit.
Andaj edhe vendimi i Petrit Selimit lidhur me vizitat e zyrtarve serbë në Kosovë, i cili bien ndesh me atë të Kryeministrit Mustafa dhe të Qeverisë së Kosovës, ma merr mendja se duhet shikuar dhe kuptuar në këtë kontekst.
Sepse, me zgjedhjen e Hashim Thaçit President, që është bërë me votat e LDK-së dhe me angazhimin e vendosur dhe të përkushtuar të Isa Mustafës, Hashim Thaçi i ka arritur të gjitha objektivat politikë.
 Kjo do të thotë se LDK si parti politike dhe Isa Mustafa si kryetar i LDK-së dhe si kryeministër, praktikisht PDK-së dhe Hashim Thaçit i janë të panevojshëm. 
Mbase edhe të padobishëm dhe të dëmshëm!
Kjo i bie se, LDK dhe Isa Mustafa me zgjedhjen e Hashim Thaçit President, e "kanë kryer misionin e vet", si "limon i shtrydhur që duhet hedhur në shportën e mbeturinave". 
Tani e tutje, Hashim Thaçit dhe PDK-së i mbetet si objektiv kryesor rrëzimi i Kryeministrit Mustafa dhe prishja e koalicionit aktual PDK-LDK, që do bëhej me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Objektivisht, Hashim Thaçi si President i Kosovës do e merrte me kënaqësinë më të madhe vendimin mbi shpalljen e këtyre zgjedhjeve, poqese nuk do kishte pengesa nga Ambasada e SHBA-ve dhe nga Brukseli, meqë do pengoheshin shumë procese dhe "detyra" të pa kryera të këtij koalicioni: formimi i Gjykatës Speciale, etj.
Paradoksalisht, tani e tutje, interesat e PDK-së shkëputen plotësisht me atë të LDK-së dhe lidhen kryekëput me ato të opozitës, madje më së tepërmi me ato të Lëvizjes Vetëvendosje, së paku për çështjet kryesore: kundër formimit të Gjykatës Speciale, e cila supozohet se do e dëmtoj më së tepërmi PDK-në dhe lidershipin e saj, pastaj do plotësohej edhe kërkesa e opozitës për rrëzimin e Qeverisë Mustafa. 
Praktikisht, tani e tutje, të gjithë do të jenë kundër LDK-së, opozita, qoftë e ndarë apo e bashkuar me PDK-në dhe Hashim Thaçin në prapaskenë, i cili do jepte "mesazhin e unitetit", duke u bashkuar në mënyrë të paekspozuar, të tërthortë, implicite në krijimin e piramidës shtetërore të dominuar nga pushteti i tij absolut, duke krijuar një mazhorancë që do e ndryshonte edhe Kushtetutën e Kosovës, për ta përligjur atë pushtet me fuqizimit absolut të rolit të Presidentit, ngjashëm me atë si veproi Presidenti aktual i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, dikur Sllobodan Millosheviqi në Serbi, Millo Gjukanoviqi në Mal të Zi, etj.
Pra, pak a shumë kjo do ishte e ardhmha politike e Kosovës, poqese nuk ndodhë diçka e paparashikueshme që do i prishte ëndrrat dhe planet politike të Hashim Thaçit dhe PDK-së.
Si hap i parë, që mund të "lexohet" e kuptohet mbase edhe si mesazh politik është vendimi i Petrit Selimit për ta kundërshtuar dhe për ta sfiduar Kryeminstrin Muatafa dhe Qeverinë e tij, me një "akt patriotik"!
Me këtë Hashim Thaçi si President i Kosovës jep mesazh të qartë, se tani e tutje, "Kosova jam unë!"
Ky "mesazh" paraqet edhe fillimin e fundit të asaj "kashore" pushteti të LDK-së dhe ngritje në piedestal i të gjithëfuqishmes PDK-së , si dhe të Presidentit Hashim Thaçi, për të cilën, paradoksalisht, punoi dhe do të punojnë aq shumë VV dhe Albin Kurti, por edhe AAK e bashkuar me Nismën.
Mjerisht, në skenën e brendëshme politike të Kosovës, aktualisht nuk shohim ndonjë forcë politike serioze dhe ndonjë sfidë reale që do i del në rrugë si pengesë reale PDK-së dhe Hashim Thaçit, në vendosjen e pushtetit të tyre absolut në Republikën e Kosovës. 
Kurse, sa i përket miqëve dhe partnerëve tanë strategjik ndërkombëtarë, kjo mbetet të shihet.


Monday, April 11, 2016

Atifete Jahjaga si lidere politike, shpresë dhe "dritë në fund të tunelit"?



Shkruan: Nehat Hyseni

Në lëmshin e ngatërruar të gjendjes  aktuale politike që mbase duket e pashpresë në Kosovë, është krijur bindja se është vështirë të shihet rrugëdalje dhe "dritë në fund të tunelit".
Moti kohë skena politike kosovare është reduktuar dhe ngushtuar skajshmërisht, me shuarjen e disa partive politike, si psh. të partisë ORA të Veton Surroit, pastaj partisë FER të Shpend Ahmetit dhe Ilir Dedës, etj. 

Këto parti përfaqësonin kryesisht elektoratin urban, sidomos shtresën e qytetarisë së vjetër të qendrave kosovare, me koncentrim të veçantë në Prishtinë, Gjakovë, Prizren, Pejë, etj.
 Por, për shkak se Veton Surroi e personalizoi skajshmërisht, kjo parti dështoi në përpjekjen për ta kaluar pragun elektoral dhe ndikohej tepër nga ambiciet ekplicite të liderit të saj për postin e Presidentit të Kosovës. 
Situatë të ngjajshme kishim edhe me partin FER, që mbështetej haptas edhe nga Ambasada e SHBA-ve. Kurse, LDD e Nexhat Dacit u shua si parti politike e cila përfaqësonte LDK-istat "e inatosur",  meqë lideri i saj identifikohej kryekëput me këtë parti, ose më saktë: partinë e identifikonte me vetveten.
Kështu, tani kemi shtresa të shoqërisë kosovare, pra kryesisht të asaj qytetare, të papërfaqësuar politikisht. 

Prandaj, kjo shtresë shoqërore kryesisht i bojkoton zgjedhjet parlamentare dhe shumë pak merr pjesë në ato lokale. 

Ky vakuum politik është i pranishëm gjatë kohë në Kosovë dhe në zgjedhjet e fundit lokale të 5 nëntorit 2013, në Prishtinë u pêrcaktua për Lëvizjen Vetëvendosje, si revoltë ndaj LDK-së së dominuar nga llapjanët e udhëhequr nga hamitovitët.

Tani, me skadimin e mandatit të Presidencës së zonjës Jahjaga, e cila njihet si person me të kaluar të pastër, jokriminele dhe të pakorruptuar dhe me zgjedhjen e Hashim Thaçit President, nga PDK, e cila njihet si parti me mendësi dominante drenicake, që mbanë mbi supe fajësinë për krime dhe korrupcion e keqqeverisje, shpresat e kësaj shtrese të papërfaqësuar qytetare janë kthyer kah figura e zonjës Jahjaga.
Gjithashtu, miqtë strategjik ndërkombëtarë në krye me SHBA janë të orientuar kah luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe keqqeverisjes së pushtetmbajtësve aktualë, duke kërkuar një alternativë dhe një mundësi tjetër për ndryshimin e gjendjes aktuale të politikbërjes kosovare. 

Shpresë e vetme reale në këto momente dramatike të skenës së zymtë politike në Kosovë aktualisht është figura e pastër politike e ish-Presidentes Jahjaga, që të vihet në ballë të organizimit të këtyre shtresave shoqërore, si një lidership i vërtetë shpresëdhënës e shpëtimtar, duje formuar një parti të re politike që do jetë bartëse e kthesës së madhe politike të shumëpritur në Kosovë, që do e tejkaloj kaosin politik aktual dhe armiqësitë ekstreme pozitë-opozitë.
Sidomos do ishte me interes të madh formimi i kêsaj force të re politike në tejkalimin e hendekut dhe çarjes së reezikëshme politike që do e krijoj formimi i Gjykatës Speciale, klientelë e së cilës supozohet se do jenë pikërisht lidershipi politik aktual dhe komandantët e dikurshëm të luftës, që kanë bërë krime në luftë dhe në paqë, që ua kanë zënë frymën demokracisë, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit të gjithëmbarshëm të Republikës së Kosovës dhe integrimit të saj në strukturat euroatlantike dhe në BE.

Sunday, April 10, 2016

Hashim Thaçi u inaugurua si President, apo si "Mbret" i Kosovës?



Shkruan: Nehat Hyseni

Shpenzimi i padhimbshëm dhe i papërgjegjshëm i parasë publike dhe  megalomania groteske e politikanëve të shteteve të vogla dhe miniaturale, si rregull, na paraqitet si sindrom dhe si sfidë e papërballueshme, që në shumicën e rasteve arrinë efektin e kundërt. 
Duke u përpjekur që ta tregojnë "madhështinë" e tyre personale, qoftë edhe në shtetin e vockël, këta politikanë
shpeshëherë bëjnë shpenzime të tepruara dhe të paarsyeshme .
 Sepse, meqë nuk ia arrijnë që ta "rrisin" shtetin e tyre të vogël e të sfilitur nga apetitet e pangopëshme të zhvatjes së shtetit, ata përpiqen ta paraqesin "madhështinë" e tyre personale, duke bërë gjithçka për ta bindur vetveten dhe të tjerët se psh. Kosova është e vogël, por e ka Hashim Thaçin & Company, politikanë të "mëdhenjë" dhe gati sa nuk na rrjedhin lotët nga dëshprimi për këtë "padrejtësi", që e përjetojnë si "pafatësi".
Ceremonia inauguruese e 8 prillit 2016 e Presidentit Thaçi jo vetëm se tregoi papërgjegjshmëri dhe megalomani të tepruar, por ai e sfidoi edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe sistemin e demokracisë parlamentare të saksionuar në te, duke pretenduar (mbase) sistemin presidencial. 
Madje, pati të atillë që këtë ceremoni e cilësuan si "mbretërore", kurse z. Thaçi më shumë si "Mbret", e jo si President, madje të zgjedhur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, e jo nga vota e lirë dhe e drejtpërdrejtë popullore.

Në këtë përpjekje për t'u treguar sa më i madh, që si sebep (shkas) e mori inaugurimin e vet si President, megjithatë, Hashim Thaçi arriti të kundërtën.
 Pra, ai dëshmoi se, përkundrejtë shpenzimit të një milioni euro nga taksapaguesit e këtij shteti më të varfër në Europë, arriti efektin e kundërt, meqë dëshmoi sa i papranueshëm është në politikën ndërkombëtare, duke ardhur vetëm dy presidentë shtetesh: Presidentja e Kroacisë, zonja Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe Presidenti i Shqipërisë, z.Bujar Nishani. 

Derisa për Presidenten kroate nuk dihet se a erdhi për kolegen e saj z.Jahjaga, meqë këto dyja ishin të vetmet presidente në Ballkan? 
Kurse, Presidenti Nishani do vinte për çdo president kosovar. 

Prandaj, sa duket, Hashim Thaçi nuk mund të lavdërohet as për pjesëmarrjen e këtyre dy presidentëve, nga reth dyqind shtete dhe shefa shtetesh në botë.
Ky fakt i zgjedhjes së Presidentit Thaçi si person që nuk është i çmuar dhe i pranueshëm sot në botë flet mjaftë për zymtësinë dhe izolimin që e pret Kosovën në pesëvjeçarin e ardhshëm 2016-2021. 
Kurse, poqese rizgjidhet, atëherë Kosova deri në vitin 2016 do thellohet edhe më zi në izolim ndërkombëtar, si dhe zhvillimi i demokracisë dhe zhvillimit ekonomik i saj do të pësoj dëme dhe ngecje të pariparueshme.
Por, gjithësesi duhet llogaritur se Gjykata Speciale mund t'i përmbysë gjërat, pa kursyer dhe pa përjashtuar askend, madje as Presidentin e sapozgjedhur Thaçi, sado që paraqitet me aq pompozitet dhe me ceremoni megalomane të inaugurimit, meqë është deklaruar se " nuk do ketë të paprekshëm".
Përkundrazi, sfidat e performansës së tij si President, sipas të gjitha gjasave, do të jenë të mëdha dhe të shumënduarshme, si në (pa) aftësinë për ndërtimin e unitetit politik në vend, ashtu edhe në përgjigjen ndaj presionit të miqëve tanë ndërkombëtarë për dekriminalizimin e politikës, si dhe për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, që pengojnë integrimin e shtetit dhe shoqërisë kosovare në familjen e demokracisë europiane.

Friday, April 8, 2016

Republika apo "Mbretëria" e Kosovës?




Shkruan: Nehat Hyseni

Manifestimi pompoz, madje megaloman, në ambient të hapur në qendër të Prishtinës dhe pranë përmendores së Skënderbeut, i inaugurimit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, më 8 prill 2016, paraqet një mesazh sui generis për Republikën e Kosovës, si dhe për (ar) miqtë e saj ndërkombëtarë.
Përshtypja d është se mesazhi i parë ka të bëjë me pretendimet e z.Thaçi se: gjithçka fillon me te në Kosovë!

Këtë porosi ai e jep me (vet) organizimin e këtij evenimenti megaloman të inaugurimit të tij si President, si dhe me deklarimin se ai ishte "protagonist i të gjitha evenimenteve, ngjarjeve dhe proceseve të çlirimit dhe bërjes së Kosovës shtet sovran dhe të pavarur".
 Me demek, i bie se figura qendrore politike e kombëtare e Kosovës na del se është Hashim Thaçi! 
Kurse, Presidenti Historik, Dr.Ibrahim Rugova, Adem Jashari dhe familja e tij e martirizuar, si dhe e tërë historia e shumëvuajtur dhe e sakrificës shqiptare të Kosovës vihet me (pa) dashje, nën hijen "madhështore" të "Shkëlqesisë së Tij", Hashim Thaçit.
Jo vetëm për shkakun se për herë të parë u organizua ceremonia e inaugurimit të Presidentit të Kosovës, por edhe për herë të parë në historinë e Kosovës u përdorë atributi "Shkëlqesia e Tij", që nuk është përdorur asnjëherë më parë: as nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova dhe nga pasuesit e Tij, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe Atifete Jahjaga, duke simbolizuar (mbase) tendencën e të kuptuarit apo të shndërruarit të funksionit të Presidentit në Mbret, kurse Republikës në "Mbretëri" të Kosovës.
Pra, asnjëherë nuk i ka rënë ndërmend askujt në Kosovë që Rugovën apo presidentët tjerë t'i quajnë "Shkëlqesi", por as presidentët e fuqishëm të shteteve më të mëdha dhe më të fuqishme botërore, madje me sistem presidencial, e jo parlamentar, siç është SHBA dhe shtetet tjera demokratike në botën bashkëkohore.
 Pra, asnjëherë nuk kemi parë e dëgjuar që, psh. Barak Obama, qoftë në lajme apo në evenimente të ndryshme (ndër) kombëtare të cilësohet "Shkëlqesia e Tij", ashtu si shumë homologë të tij në botën demokratike.
Prandaj, akti i (vet) cilësimit të Hashim Thaçit me atributin "Shkëlqesia e Tij", asocion pamëshirshëm në aktin e (vet) shpalljes së Ahmet Zogut "mbret të shqiptarve" dhe të "Mbretërisë së Shqipërisë" në vitin 1928, dmth 88 vjet më parë!
Atëbotë Shqipëria ishte vend skajshmërisht i varfër dhe i varur tmerrësisht nga Itala.
 Por, kjo nuk e pengoi Zogun të shpallet mbret, ashtu si tani, në Kosovën e varfër, të sfilitur e të përçarë skajshmërisht, që është  komprometuar e diskredituar fare në sytë e botës, me korrupsionin ekstrem, me keqqeverisje skandaloze, me skandale dhe me performansë komprometuese të lidershipit politik, madje edhe të "gardianëve" të Kushtetutës, Fatmir Sejdiut, Behgjet Pacollit dhe së fundi Hashim Thaçit me lojrat e pafund me Gjykatën Kushtetuese si "gardiane" të interesave partiake, grupore e personale me (keq) interpretimet e Kushtetutës së Kosovës, si akt më të lartë juridik të Republikës së Kosovës.
Nuk duhet harruar faktin se funksioni themelor i Presidentit, madje edhe i mbretërive parlamentare sot në botë është "sigurimi i stabilitetit dhe unitetit politik të shtetit", që ka të bëjë sidomos me bartjen e pushtetit, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në shtetet përkatëse.
Prandaj, mandati i Presidentit në demokracitë parlamentare (jo presidenciale) është më i gjatë se ai i parlamentit (4 vjet), dmth 5 vjet në Republikën e Kosovës, por në disa shtete madje ësht 6 dhe 7 vjeçar.
Në fjalimin e gjatë reth gjysmë orësh të Presidentit Thaçi, nuk dëgjuam se si do e realizoj ai funksionin themelor të tij, dmth. të "sigurimit të unitetit dhe stabilitetit politik të vendit", dhe si do të hiqet Kosova nga top-lajmet e televizioneve dhe mediave të tjera në botë me skenat makabre të kaosit, gazit lotësjellës, "koktejve të molotovit", gjuajtjes me gurë dhe dëmtimit të aseteve publike e pronës private dhe a do t'i kthehet stabiliteti e qetësia Republikës së Kosovës?
 Kjo mbetet të shihet, në mandatin e tij pesëvjeçar 2016-2021.
Por, edhepse Presidentja Atifete Jahjaga në mandatin e saj 2011-2016 kishte shumë mangësi në politikën e brendëshme, meqë nuk kishte parti politike, megjithatë ajo luajti një rol integrues, me faktin se, edhepse nuk "adhurohej" nga asnjëra parti politike, megjithatë, ajo nuk urrehej nga opozita, siç është rasti i Hashim Thaçit.
Ndërkaq, në politikën e jashtëme të Republikës së Kosovës, dmth. në arenën ndërkombëtare, Presidentja Jahjaga, sipas mendimit të shumicës absolute në Kosovë, "shkëlqeu" dhe ishte "jashtëzakonisht e suksesshme".
Prandaj, pritshmëritë për performansën e z. Thaçi si President në periudhën e ardhëshme pesëvjeçare janë kryesisht jopremtuese dhe pesimiste, meqë në politikën e brendëshme ka krijuar anomizitet dhe hendeqe politike që i atribuohen keqqeverisjes shtatëvjeçare të Qeverisë së Kosovës, krimit të orfanizuar, korrupsionit marramendës, etj. Kurse, në politikën e jashtme, dmth. në planin ndërkombëtar, z. Thaçi është edhe më i kontestuar dhe më i papranueshëm se në Kosovë që do e determinojnë suksesin e tij.
 Sidomos është problematik formimi i Gjykatës Speciale, që pritet të ndodhë së shpejti dhe paraqet sfidë të madhe për Presidentin Thaçi dhe për shokët e bashkëpartiakët e deridjeshëm të tij.

Monday, April 4, 2016

Si po terrorizohen nxënësit dhe arsimtarët e shkollës fillore "Prof. Ibrahim Kelmendi" të Preshevës?!





Shkruan: Nehat Hyseni

Kontrabandimi dhe korruptimi i votës së lirë të qytetarve të komunës së Preshevës në 12 vitet e fundit, ka krijuar rethana të tmerrëshme dhe të papranueshme të shkatërrimit dhe zhbërjes së qenies shqiptare në këtë pjesë të gjeografisë shqiptare.

Ky shkatërrim ka marrë përmasa alarmante në komunën e Preshevës, sidomos me diskriminimin racist të nxënësve të shkollës fillore "Prof. Ibrahim Kelmendi", që është shkolla më e madhe në Luginë të Preshevës dhe përfshinë filloristët e qytetit dhe katër paralele të ndara.

Ndërtesa e qendrës është shkatërruar deri në atë masë sa që rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetën e nxënësve dhe arsimtarve të kësaj shkolle. 

Trafikimi dhe keqpërdorimi mafioz i këtyre parave të ndara nga Qeveria për këtë shkollë, sipas kritereve në bazë të numrit të nxënësve dhe vjetërsisë së objektit shkollor, si dhe kushteve mësimore, nga kryetari aktual i komunës, Ragmi Mustafa, janë keqpërdorur për korruptimin e votës së lirë të qytetarve, me vjedhjen e parave  të dedikuara për këtë shkollë, duke asfaltuar disa rrugë të qytetit, si psh. te mahalla e Berberëve dhe ajo e Karaponxhëve, pastaj në rrugën e Gjilanit, te mahalla e Mutishve dhe ajo e Shehhalilëve, duke e blerë madje edhe këshilltarin e PVD-së nga kjo njësi, i cili kaloi në PDSH-në e Ragmi Mustafës.

Krejtë kjo katrahurë dhe blerje mafioze e votës dhe pushtetit nga Ragmi Mustafa është bërë, pra, duke i vjedhur paratë e fëmijve dhe arsimtarve të shkollës fillore "Prof. Ibrahim Kelmendi", siç u pa edhe nga intervista televizive e TV Preshevës, me drejtoreshën e kësaj sholle, zonja Besa Sahiti.

Pra, paratë e dhëna për të siguruar një rrogë për vendin e punës fantom nga kjo njësi zgjedhore, si dhe asfaltimet e përmendura, u morën nga këta fëmijë, madje duke ua rrezikuar seriozisht shëndetin dhe jetën atyre nxënësve dhe mësimdhënësve të shkretë. 

Nga fotografitë që i kemi parë shumë herë, si dhe nga deklaratat e drejroreshës, arsimtarve dhe nxënësve, shihet gjendja trishtuese dhe rënqethëse e rënies së pllafonit (tavanit), që i ka shpëtuar Zoti që nuk kanë ndodhur në atë moment nxënësit apo arsimtarët, sepse do kishin ndodhur tragjedi të mëdha me viktima të panumërta! 

E dijmë se edhe Policia ka evidentuar situatën e paradokohëshme, por nuk janë marrë masa përkatëse për sabimin e gjendjes.

Ndërkaq, i mbetet në ndërgjegje bashkëveprimi kriminal i personave dhe qytetarve të këtyre mahallave të Preshevës dhe të njësive të tjera zgjedhore, që u korruptuan dhe ia shitën votën Ragmi Mustafës, duke ia ndihmuar kështu degradimit të Preshevës dhe rrezikimit të hetës së fëmijve tanë në shkolla!
Zoti na ruajti dhe shpëtuam pa viktima të nxësve në të kaluarën, por u rrezikua rëndë shëndeti dhe kushtet e punës së fëmijve tanë, nga veprimi kriminal i Ragmi Mustafës, por edhe nga votat e korruptuara to që ia mundësuan pushtetin vrasësve të fëmijve tanë.

 Prandaj, për gjendjen e tyre të vështirë dhe, mos dhashtë Zoti të ketë viktima nga rreziku permanent që i kanoset nxënësve të kësaj shkolle të Preshevës, bashkëfajtorë do të jenë edhe të gjithë ata që u mashtruan dhe korruptuan nga këta mafiozë politikë.
 Ishalla i ruan Zoti këta fëmijë, sepse ky asfalt do jetë i mallkuar!
Mbase, do jetë e mallkuar edhe dora e atyre që ua shitën votën, duke e shitur kështu edhe sigurinë, mirëqenien dhe ardhmërinë e fëmijve tanë!

Saturday, April 2, 2016

Si u korruptua dhe si u shit vota e qytetarve në Luginë të Preshevës?




Shkruan: Nehat Hyseni

Biznesi më fitimprurës ndër shqiptarët, veçanërisht në Luginë të Preshevës, pa dyshim se është shit-blerja e votës së lirë të qytetarve-votuesve të saj.
Ky biznes fitimprurës me kohë është sofistikuar dhe përsosur shumë, pikësëpari nga nevoja e shmangjes së dënimeve ligjore, meqë shit-blerja e votës është sanksionuar me ligj, në të gjitha sistemet demokratike të botës, si vepër kriminale dhe trajtohet si vepër penale, që dënohet nga tre muaj e deri në dhjetë vjet burg të rëndë. 
Natyrisht se edhe me ligjet e Serbisë kjo vepër kriminale është trajtuar kështu dhe në të kaluarën ka pasur aktvendime gjyqësore të shumta me denime përkatëse, sipas peshës së krimit.  
E gjithë kjo është bërë me qëllim të sigurimit të votës së lirë dhe verdiktit të qytetarve për të zgjedhurit e preferuar të popullit për të qeverisur me pushtetin, në të gjitha nivelet, nga ai vendor, deri tek niveli qendror.
Rëndësia e madhe që i jipet mbrojtjes së votës së lirë,gjithandej në sistemet demokratike në botë, konsiston në faktin se përfaqësimi besnik i vullnetit politik të popullit paraqet "kontratën shoqërore" publike të votuesit me të zgjedhurit, që paraqet bazën e demokracisë së mirëfilltë bashkëkohore dhe garancën e qeverisjes së mirë, të përgjegjëshme dhe transparente të institucioneve të zgjedhura, me punët publike që bëhen "në emër të popullit", në bazë të fitimit të besimit nga vota e lirë.
Prandaj, çdo deformim, korruptim, devijim apo shit-blerje, mashtrim dhe formë tjetër e përdhosjes së votës së lirë, me të drejtë trajtohet si "vepër e rëndë penale", meqë e devijon vullnetin e lirë të qytetarve: "Vox populi-vox Dei est!" (Zëri - vota- e popullit, zëri i Zotit është!) dhe paraqet gurëthemelin e demokracisë bashkëkohore.
Por, edhepse Serbia vjedhjen dhe korruptimin e votës së lirë e ndëshkon, pak a shumë, rreptësisht, kur është fjala për Luginën e Preshevës ajo bëhet "e verbër" dhe e "shurdhët", duke toleruar, madje herë-herë edhe duke stimuluar devijimin e votës së lirë, duke e shtuar kështu diskriminimin dhe destruimin e egër ndaj shqiptarve, meqë u imponon atyre udhëheqësit e pa-dëshiruar dhe të pa-votuar!

Janë të shumta rrugët dhe mënyrat perfide se si e arrin këtë qëllim antishqiptar Serbia, duke i zgjedhur shqiptarët "laramanë", dmth. qē publikisht deklarohen "patriotë", kurse veprojnë në zbatimin e urdhërave dhe detyrave të Serbisë, si vijon:
- kërkesat (e Ragmi Mustafës) për "ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi", 
- grabitja e Lapidarit të pambrojtur të UÇPMB-së, me të cilin u ndalua edhe Memoraili i dëshmorëve të UÇPMB-së në Rahovicë;
- zhvendosja e lokacionit të Zonës Insustriale nga "Zona C" në kufi, si qendër qarkullimi, në periferi në fshatin Çukarkë, që ishte në kundërshtim me Planin afatmesëm të zhvillimit ekonomik të Komunës sē Preshevës, të sponzoruar dhe të financuar nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID-CHF);
- moshapja e Zonës së lirë ekonomike, gjithashtu të inicuar dhe sponzoruar mga USAID-i (CHF) dhe i detajuar në Planin e përmendur Afatmesëm të Zhvillimit Ekonomik;
- mbyllja e Zyrës së USAID-it (CHF-së)ty në Preshevë në vitin 2008, duke përfunduar kështu bashkëpunimin e suksesshëm me SHBA-në nga periudha 2001-2008; 
- mospërfshirja e shqiptarve të Luginës së Preshevës në Dialogun e Brukselit dhe në Marrëveshjen Kosovë-Serbi të 19 prillit 2013, si dhe në atë të 15 gushtit 2015;
- mbyllja e Prokurorisë dhe Gjykatës themelore në Preshevë dhe Bujanoc;
- rritja e papunësisë së shqiptarve të Luginës në reth 80%;
- rritja e moszhvillimit dhe prapambeturisë ekonomike në mbi shtatë herë (700%) nën mesataren e Serbisë(?!);
- përvetësimin e fondeve publike dhe buxhetit komunal me dhënien e tenderëve firmave private të familjarëve dhe militantëve partiakë, që e shkretëruan dhe degraduan deri në absurd këtë rajon të banuar me shqiptarë;
- korrupsionin marramendës, që ua ka zënë frymën shqiptarve, të cilëve komuna e Preshevës dhe ajo e Bujanocit e Medvegjës mundohen t'ua shesin edhe ajrin, për fitime dhe llogari të firmave private të pushtetmbajtësve aktualë, që formalisht udhëhiqen nga "pronarë" të tjerë;
- mbylljen e bizneseve dhe ngulfatjen e tyre nga firmat gllabëruese të pushtetmbajtësve aktualë, si "peshqi të mëdhenjë" të Luginës, që kanë rritur nën sponzorimin dha "grazhdin" e Serbisë, që i hajnë dhe shkatërrojnë pamëshirshëm "peshqit e vegjël", të pa mbështetur dhe të diskriminuar nga Serbia dhe nga eksponentët e tyre të pushtetmbajtësve lokalë në Preshevë e Bujanoc;
- shpërnguljen masovike të shqiptarve dhe boshatisjen e trojeve të tyre stërgjyshore;
- shlyerjen nga evidenca të shqiptarve të dëbuar dhe të shpërngulur nga dhuna, presioni dhe të atyre për nevoja ekonomike, për shkollim e punësim, etj. 
Pra, janë të shumta, madje të pafund format dhe mënyrat perfide se si pushtetmbajtësit shqiptarë të Luginës së Preshevës i shërbejnë kauzës së Serbisë, duke i dëmtuar dhe detyruar shqiptarët që të shpërngulen dhe t'ia lëjnë Serbisë pronat dhe truallin e tyre stërgjyshor. 
Kuptohet se për këtë ata shpërblehen nga Serbia, në forma të ndryshme, që në sipërfaqe manifestohen si "firma të suksesshme", që mundohen t'i mbulojnë lidhjet me pushtetarët.
 Mjerisht, kjo është e vërteta e errët dhe denigruese tek shqiptarët e Luginës, që janë lënë nën "rahmetin" e Serbisë!

Si e fituan votën e shqiptarve këta "peshqi të mëdhenjë" të Luginës, që janë pasuruar dhe pasurohen duke i shërbyer
Serbisë?
Duke e keqpërdorur buxhetin komunal:
* në asfaltimin e rrugëve në lagjet e rivalëve politikë, madje duke ua marrë edhe këshilltarët e atyre zonave,
* me punësimin e personave nga lagjet e caktuara, duke paguar rroga për vendet e punës dhe postet fiktive, madje edhe për personat që jetojnë e punojnë jashtë;
* duke e degraduar administratën komunale në nivel diletantësh e analfabetësh, me zëvendësimin e ekspertëve dhe profesionistëve me militantë partiakë;
* me blerjen e kryetarve të komisioneve dhe anëtarve të vendvotimeve;
* me blerjen e votave në lagjet e varfëra me para në dorë familjarëve, ose me shpërndarje të "ndihmave" materiale me miell, vaj, lëngje, sheqer, etj.;
me kërcnime se do ua përjashtojnë të afërmit dhe familjarët nga puna;etj.
Pra, përdoren forma të ndryshe korruptimi të votës së lirë dhe presioni ndaj qytetarve shqiptarë, me bekimin e pushtetit dhe për interesa të Serbisë.
Këto janë forma dhe mënyra kriminale të "fitimit" të pushtetit nga pushtetmbajtësit servilë të Luginës, që natë e ditë punojnë për Serbinë dhe në dëmë të shqiptarve, duke e korruptuar e vjedhur me mënyra e forma perfide, mafioze e kriminale votën e lirë dhe duke devijuar vullnetin politik dhe interesat kombëtare të shqiptarve të Luginës së Preshevës, që kanë mbetur të jetojnë nën regjimin antishqiptar të Serbisë dhe nën mëshirën dhe "merhametin" e "mafisë shqiptare" që e ka grabitur pushtetin lokal në Preshevë e Bujanoc me votën e vjedhur, të korruptuar e të kriminalizuar, që Prishtina dhe Tirana zyrtare i shikojnë me indiferentizëm të pakuptueshëm dhe, gjithsesi, të  dëmshëm e të patolerueshëm!

Friday, April 1, 2016

Mos e shitni votën, mos e shitni ardhmërinë!




Shkruan: Nehat Hyseni

Monotonia trishtuese dhe zhgënjimi i thellë që i ka kapluar shqiptarët e Luginës së Preshevës, sidomos gjatë dhjetëvjetëshit të fundit, si dhe ekzodi i përmasave biblike që ka boshatisur këto troje stërgjyshore të shqiptarve, paradoksalisht, sikur trazohet nga zhurma shurdhuese dhe entuziazmi euforik i fushatës parazgjedhore që e ka mbërthyer këtë pjesë të gjeografisë shqiptare, për zgjedhjet parlamentare e lokale të 24 prillit 2016.
Gjatë dekadës së fundit, sipas statistikave (jo) zyrtare, Lugina e Preshevës është boshatisur nga shqiptarët reth 30-35%, që i bie se nga reth 100.000 ka rënë në reth 62.000 shqiptarë, në këto tri komuna në Serbi, të banuara me shqiptarë.
Medvegja pothuajse ka mbetur fare pa shqiptarë: nga reth 5000, që kishte dikur, tani kanë mbetur vetëm 10% , ose reth 500, dmth mbi 90% e shqiptarve janë "avulluar" dhe shpërngulur. 

Situatë e ngjajshme është edhe me Malësinë (Karadakun) e Bujanocit dhe të Preshevës, që janë boshatisur pothuajse krejtësisht dhe kanë mbrtur shkret shtëpitë dhe pronat e shqiptarve, kurse xhandarmeria dhe ushtria serbe kontrollon edhe "cicërimat e zogjëve"! 

Kurse, moti kohë këtu nuk ndihet vaji i foshnjave dhe bërtimat dhe buzëqeshjet e fëmijve dhe duken si një paralajmërim ogurzi i një Çamërie të dytë në këtë pjesë të truallit shqiptar!

Por, në këtë pjesë të shqiptarisë, ku gjithënjë e më pak flitet, këndohet e vajtohet shqip, Serbia ka krijuar "entitetin më të diskriminuar në Europë", duke i shtypur e keqtrajtuar shqiptarët e mjerë si është më së keqi, edhe më zi se në kohërat më të liga në historinë e shumëvuajtur të shqiptarve. 
Tani shqiptarët e mbetur nën Serbi e kanë shumë më vështirë se kurdoher, meqë këtij shteti "kasap" të Ballkanit i kanë mbetur më pak shqiptarë dhe tehu i urrejtjes dhe mllefit të shfrenuar antishqiptar është fokusuar tek ky "grusht" i vogël i tyre, duke ua ndaluar librat shqip, gjykatat themelore dhe prokurorinë në Preshevë, ndalimin e flamurit dhe simboleve kombëtare, masakrimin e kompetencave dhe përgjysmimin e numrit të këshilltarve nga 29, në vetëm 15 të kuvendit të KNSH-së, shkretërimin ekonomik dhe krijimin e papunësisë me mbi 80%, rënien e të ardhurave kombêtare për kokë banori në nivelin mbi 7 (shtatë)herë, dmth 700% nën mesataren serbe! 

Pra, të gjitha këto të zeza Serbia ua bërë shqiptarve të Luginës së Preshevës, duke mos u ngopur në shfryrjen e mllefit dhe urrejtjes patologjike antishqiptare. 
Kurse, Prishtina dhe Tirana zyrtare janë pothuajse plotësisht indiferente dhe nuk bënë as "lavrën e minit" për ta futur çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës në Dialogun e Brukselit, si çështje të barabartë me atë të serbëve të Kosovës. 
Për këtë akt mbase do i gjykoj historia!
Por, jo vetëm kaq! Prishtina dhe Tirana zyrtare mbajnë përgjegjësi para brezave të tanishëm dhe të ardhshëm, meqë nuk kujdesen fare për unifikimin politik e veprues të shqiptarve të Luginës, si dhe për ndihmë msteriale e zhvillimore, duke ia lënë terrenin e lirë të veprimit destruktiv e denigrues Serbisë, tek shqiptarët e përçarë në 8 parti politike, që në të shumtën e rasteve e luajnë "vallen" e Serbisë dhe ditën shesin parulla demagogjike "patriotike" shqiptare dhe pastaj punojnë për Serbinë. 
Kurse, Serbia këta i shpërblen materialisht dhe ligjërisht, duke u mundësuar atyre "lulëzim" të bizneseve dhe pasurisë, kurse të tjerët duke i shkatërruarr, shkretëruar e djegur.

Egjithë kjo katrahurë e shqiptarve, sidomos në 10-12 vitet e fundit, ka ndodhur kur në pushtet lokale në Preshevë ishin shqiptarët, si dhe në vitet e fundit edhe në Bujanoc, ku madje shqiptarët bënë premtime patriotike dhe në fund bënë koalicion me serbët, kundër shqiptarve, duke i zëvendësuar pastaj drejtorat shqiptarë, me serbë!

Në Preshevë ishte PDSH me satelitët e saj në pushtet dhe Ragmi Mustafa, kryetar komune, kur Lapidari i UÇPMB-së u hoq e u përdhos turpshëm dhe këta as që bënë përpjekjen më të vogël për ta mbrojtur.

Pastaj, gjatë kohë Ragmi Mustafa na e shiti politikën antishqiptare e serbomadhe të SPS-it famëkeq dhe të Daçiqit për "ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve" me Serbinë, si politikë "patriotike" shqiptare. 
Pra, ashtu si dikur kishte vepruar Rusia me futjen e mbi 50.000 "hoxhallarve" rusë, për ta prishur fenë islame, Serbia tani me marifet e perfiditet po na i "futë" liderët politikë "laramanë", të cilët veprojnë kinse si "patriotë" shqiptarë për interesa të Serbisë, që ua shpërblenë Serbia duke ua mbështetur e suportuar atyre firmat dhe bizneset në Preshevë dhe Bujanoc me kredi e forma tjera.
Prandaj, nuk ishte e rastit dhe për tu befasuar shellja e Ragmi Mustafës, i cili Kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiq e dekoroi me "Mirënjohje" (Zahvalnica), madje në kohën që ai u gjuajt nga boshnjakët me gurë në Srebrenicë. 
Me këtë Ragmi Mustafa e hoqi definitivisht maskën e (kuazi) "patriotit" shqiptarë dhe i doli fytyra e vërtetë dhe e ahitur proserbe, për interesa dhe përfitime materiale. 

Me dhënien e kësaj "Mirënjohje" Vuçiqit, Ragmi Mustafa, për interesa serbe, i çoi botës porosinë se Vuçiqi na paska "merita për shqiptarët e Luginës?!"
Pra, kjo dyftyrësi politike antishqiptare, poqese ekziston një vetëdie dhe mendësi minimale kombëtare, duhet ndëshkuar nga votuesit dhe ata nuk duhet të bijnë pre e vlerjes së votës me para, miell, deterxhente dhe mjete të tjera që i përdorin për korruptim të votës, për ta shitur ardhmërinë e vet. 
Kësaj radhe, PVD në këto zgjedhje ma del si e reformuar, pa kryetarin e saj, Riza Halimin në listat zgjedhore, llogaritet se do del fituese dhe së bashku me UDSH dhe Alternativën Demokratike, sipas të gjitha gjasave, do e qeverisin komunën e Preshevës në mandatin 2016-2020. 

Edhepse prognozimet janë sfiduese, megjithatë, sipas meje, rezultatet e zgjedhjeve lokale të 24 prillit 2016, mbase, pak a shumë do duken si vijon:
PVD  -    13  këshilltarë
PDSH   -    10.   këshilltarë
Alternat.-    7.    këshilltarë
UDSH.   -    3.    këshilltarë
BDL.      -     2.    këshilltarë
LDP.       -     1.    këshilltar
BD.         -     1.    këshilltar
Serb.       -    1.    këshilltar
_____________________________
Presheva. = 38.  këshilltarë
_____________________________

Edhe në Bujanoc parashihen ndryshime dhe përfundim i etapës së errët i keqqeverisjes makabre dhe antishqiptare, duke i çuar në opozitë pushtetmbajtësit e korruptuar aktualë, si të humbur dhe të turpëruar, si dhe duke e çliruar politikbërjen dhe fatin e shqiptarve të Luginës së Preshevës nga servilizmi dyfytyrësh dhe poshtrues të lakmitarëve tenderomanë, të pamoralshëm dhe të padinjitet, që shesin fytyrën dhe ardhmërinë e shqiptarve të Luginës së Preshevës për interesa të firmave të tyre private që janë duke ua pirë gjakun dhe duke ua zënë frymën shqiptarve të kësaj ane.