Tuesday, March 29, 2016

Bankrotimi politik i "Opozitës së bashkuar"?




Shkruan: Nehat Hyseni

Opozita aktuale, Lëvizja Vetëvendosje-AAK-Nisma (VAN), apo si u (vetë) quajt, Opozita e bashkuar, realisht buron nga partitë politike të cilat dolën të humbura nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014: LDK-VV-AAK-Nisma (LVAN).
Siç e dijmë, pritshmëritë nga ato zgjedhje ishin megalomane dhe utopike nga LDK, VV dhe AAK, meqë të gjitha këto parti pretendonin t'i fitonin zgjedhjet e përmendura. 
LDK llogariste se i kishte "ardhur dita" e fitores, meqë PDK ishte goditur nga përçarja dhe fraksioni I Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt (Nisma) dhe shpresonte në fitore.
 Kurse Lëvizja Vetëvendosje ishte në eufori nga fitorja e befasishme e saj në zgjedhjet e fundit lokale, meqë kishte marrë komunën e Prishtinës, që konsiderohej bastion i fuqishëm i LDK-së, e cila 14 vjetë radhazi kishte fituar dhe qeverisur kryeqendrën e Kosovës. 
Ndërkaq, AAK kishte shpresuar se ishte e forcuar kësaj radhe me lirimin e z. Ramush Haradinaj nga Gjykata e Hagës si i "pafajshëm", llogariste se ishte fuqizuar aq shumë sa t'i fitonte këto zgjedhje. 
E vetmja partia Nisma, nga të gjitha partitë tjera opozitare, ishte më realiste dhe pretendonte ta kaloj pragun zgjedhor prej 5%, që e arriti, duke fituar 6 deputetë dhe u bë parti parlamentare.
Pra, të gjitha partitë opozitare ( përveç Nismës), kishin mbivlerësuar në mënyrë ekstreme nivelin e mbështetjes së tyre nga votuesit.
 Prandaj, të gjithat edhe u zhgënjyen rënd, meqë kauza e tyre për "rrënimin e qeverisjes së keqe të PDK-së dhe Hashim Thaçit" dështoi. 
Në këtë atmosferë dëshprimi dhe zhgënjimi, në mbrëmjen e 9 qershorit 2016, dmth. një ditë pas zgjedhjeve, doli me propozimin pêr formimin e koalicionit "anti-Thaçi":LDK-AAK-Nisma, por, çuditërisht ai partinë e vet Lëvizjen Vetëvendosje nuk e përfshiu, meqë deklaroi se nevoitej pëlqimi i anëtarësisë. Kështu, ata iu bashkëngjitën bllokut opozitar më 10 shtator 2014, dmth. dy muaj pas zgjedhjeve.

Mirëpo, meqë iu pamundësua bllokut opozitar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës marrja e postit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, edhepse me 67 vota ishte zgjedhur në këtë post Isa Mustafa, atëherë LDK bëri koalicion me PDK-në dhe mori postin e kryeministrit.

Pra, opozita LVAN kishte bashkuar "humbësit" e zgjedhjeve të parakohêshme parlamentare të 8 qershorit 2014, me kauzën "anti-thaçiste", kurse brenda saj, ambicie më të mëdha kishte AAK, meqë kërkonte postin e kryeministrit, edhepse ishte parti e katërt për nga numri i fituar i deputetëve.
Koalicionin qeverisës LDK-PDK opozita e mbetur: Lëvizja Vetëvendosje-AAK-Nisma (VAN) e quajti "tradhëtar" dhe inatet e mllefi, sidomos ndaj Isa Mustafës, nuk kanë pushuar akoma dhe janë mbajtur shumë protesta të dhunëshme dhe është bllokuar dhe penguar seriozisht puna e Kuvendit të Kosovës me mjete militante e terroriste të opozitës.
Pra, opozita aktuale VV-AAK-Nisma paraqet një bashkim joparimor, "të zorit", por jo dhe bashkim partishë që kanë qëllime të përbashkëta politike, meqë ambiciet për pushtet dge dominim, brenda tyre janë tejet të mëdha.
 Sidomos është i theksuar rivaliteti Visari(Kurti)-Haradinaj, që e ka vënë në pikëpyetje funksionimin, meqë secili prej tyre pretendon pozitën e liderit të opozitës. 
Pikërisht për këtë arsye edhe u pezullua protesta e 26 marsit, një ditë para se duhej të mbahej dhe flet qartë se kjo opozitë ka divedgjenca serioze dhe për shkak të ambicieve të tepruara lideriste brenda saj vështirë se mund të lejojnë të qëndroj unike më gjatë.
Sepse, opozita përveç ambicieve megalomane, utopiste dhe karrieriste të liderve të saj, vështirë se do i sillte diçka më të mirë Kosovës, meqë është tmerrësisht e pasinqert dhe joparimore, sidomos kur flet kundër krimit dhe korrupsionit -AAK dhe Nisma-që ishin gjeneruesit më të këqinjë të këtyre dukurive negative, si dhe kundër demokracisë. 
Kurse, Lëvizja Vetëvendosja, e cila më tepër identifikohet dhe perceptohet në popull si parti e "kuqe", dmth (neo) komuniste e diktatoriale, e cila, poqese do e merte pushtetin, do e instalonte atë regjim të urryer e jodemokratik në Republikën e Kosovës, nga i cili aq shumë kanë vuajtur e janë persekutuar shqiptarët kudo që janë. Prandaj edhe duket qartë se kemi një bankrotim të pashmangshëm politik të "Opozitës së bashkuar", e cila ishte hiç ma pak joparimore se koalicioni qeverisës aktual LDK-PDK, e paaftë dhe mbase edhe e padenjë për t'i prirë shoqërisë kosovare drejtë ndryshimeve shpresëdhënëse që ajo i deklaron, reklamon e proklamon, sepse ka humbur besimin tek votuesit, madje (akoma) pa e marrë pushtetin, duke vazhduar kështu agonia dhe zhgënjimi, si dhe kolonat e braktisjes së "Kosovës së lirë dhe të Pavarur".


Sunday, March 27, 2016

Koalicioni PDK-AAK, i (pa) mundur?



Shkruan: Nehat Hyseni

Këto ditë sërish u riaktualizua ideja mbi koalicionin e mundshëm PDK-AAK, që kësaj radhe "pretendohet" nga Naim Maloku.
 Por, gjatë vikendit, më 27 mars 2016, AAK e "demanton" idenë "se mund të jetë pjesë e Qeverisë"!
Kjo lojë fjalësh e "ideshë" , ma merr mendja se e ka burimin tek nevoja e ngutëshme për pushtet, si  dhe nga humbja e shpresës së kësaj partie në "Opozitën e bashkuar", pjesë e së cilës ishte deri tani, por sa duket, shumë vështirë mund të pritet se do të jetë akoma. 

Arsyet për këtë "mëdyshje" të AAK-së, mbase u qartësuan edhe me "dorëheqjen e parevokueshme" nga anëtarësia në AAK e deputetes dhe kryetares së grupit parlamentar, figurës emblematike dhe tejet të rëndësishme të kësaj partie, zonjës Donika Kada-Bujupi, sepse ishte "zhgënjyer dhe indinjuar me qëndrimin joparimor" të kësaj partie lidhur me idenë mbi formimin e Alternativës demokratike për rrëzimin e Qeverisë aktuale dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonëshme parlamentare.
Kam përshtypjen se zonja e nderuar vonë e ka kuptuar se partitë politike në Kosovë, e aq më pak AAK, udhëhiqen nga parimet programore. Kauzë e vetme e tyre është marrja e pushtetit, prandaj për këtë ata/ato janë të gatshëm të thyejnë çdo parim, çdo program e çdo premtim.

 Kurse, siç u pa puna shumëherë deri më tani, AAK të vetmin parim dhe program politik e ka marrjen e postit të kryeministrit. Prandaj, rrjedhimisht, për këtë pretendim të saj, kjo parti është e gatëshme të thyej çdo parim, pa asnjë përjashtim!

Kjo u dëshmua edhe me koalicionin VLAN, i cili u shpërbë dhe dështoi pas gjashtë muajsh qëndrese, kryesisht për shkak të këmbënguljes së Ramush Haradinajt për tu bërë kryeministër, duke shkelur parimet e proklamuara dhe moton e këtij koalicioni: "pamundësimin e PDK-së për të qenë pjesë e qeverisjes së Kosovës, edhepse i kishte fituar zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014. 
Madje, kjo parti shkoi edhe më larg, duke i ofruar PDK-së koalicion, i cili u pengua në orët e fundit nga ambasadorja e SHBA-së, me arsyetimin që të "mos krijohej Qeveria vetëm nga krahu i luftës"(!), duke preferuar koalicionin aktual: LDK-PDK, me Isa Mustafën kryeministër.
Por, reagimi i mëvonshëm dhe akuza e kësaj partie ndaj LDK-së dhe z. Mustafa personalisht nuk ka pushuar asnjëherë deri më sot, duke e shpallur si "tradhëtar", e çka jo tjetër, si dhe fajtor për prishjen e kialicionit VLAN?!
Opinionit kosovar AAK i ka mbetur borxh t'i sqaroj se pse për LDK-në dhe Isa Mustafën ishte "tradhëti" koalicioni me PDK-në, kurse për AAK-në dhe Ramush Haradinajn nuk ishte tradhëti?! 
Prandaj, edhe protestat e Opozitës ishin të "kontaminuara" me "tradhëti" dhe joparimësi të tilla, që binin ndesh me parimet e deklaruara të saj, duke e bastardhuar kauzën e opozitës aktuale, ngjajshëm me atë të prishjes së ish koalicionit VLAN.
Pse e them këtë?
Sepse, siç po shihet edhe sot, Naim Maloku është person tepër i afërt me kreun e AAK-së dhe "ideja" apo propozimi i tij për koalicionin AAK-PDK zor se mund të jetë ide e rastit, pa konsultimin dhe pëlqimin, mbase edhe inicimin nga vet z.Haradinaj, për ta hedhur në opinion si "balon provues", si mathe të pulsit politik në momentin aktual.
Por, pse pikërisht tani na paraqitet ky "balin provues"?
Sepse, pas 7 prillit 2016, kur Hashim Thaçi zyrtarisht e merr ushtrimin e postit të Presidentit të Kosovës, sipas të gjitha gjasave, ky do jetë edhe fillimi i fundit të Qeverisë Mustafa.
 Sepse, PDK, pasi që arriti qëllimin e saj kryesor për ta marrë postin e Presidentit, meqë sondazhet tregojnë se ajo është parti e parë, do i bashkëngjitet kërkesës së Opozitës për shpallje të zgjedhjeve të jashtëzakonëshme parlamentare, të cilat llogaritë se do i fitoj me lehtësi dhe do e fitoj edhe postin e Kryeministrit dhe do e qeverisë vendin edhe më fuqishën se kurdoherë më parë!
Bindja e këtillë mbështetet edhe në dështimet e protestave të Opozitës, sidomos "grushtit vendimtar" që e mori më 26 shkurt 2016, kur nuk arriti ta shfrytëzoj pakënaqësinë ekstreme të popullit të Kosovës, që sipas disa sondazheve arrinte në mbi 80% kundër Thaçit, madje edhe të elektoratit të LDK-së dhe të disa deputetëve të saj!

Ky ishte dështim fatal i Opozitës dhe humbje definitive e shpresave të popullit në metodat dëshpruese e militante, madje edhe (pothuajse) terroriste të hedhjes së gazit lotësjellës në sallën e Kuvendit, që sa duket e ka irrituar deri në palcë popullin e Kosovës, duke forcuar bindjen se, megjithatë, edhe përkundrejtë të gjitha dobësive, të këqiave e mangësive, se koalicioni aktual qeverisës LDK-PDK është "e keqja më e vogël" e Kosovës, se sa Opozita anarkiste që realisht i ka shpallur luftë (pu) shtetit të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, koalicioni i (pa) mundur eventual PDK-AAK, ekziston bindja e fortë në popull, por edhe tek faktori ndërkombëtar , se do ishte varianti më i keq, më i rrezikshëm dhe më i padëshirueshëm i mundshëm!

Prandaj, një koalicion i tillë, edhe poqese do ekzistonte vullneti dhe dëshira e madhe e këtyre partive dhe liderëve të tyre, megjithatë kurrësesi nuk do të lejohej dhe realisht do ishte i pamundur.

Sunday, March 20, 2016

"Laramanët politikë" të Luginës së Preshevës




Shkruan: Nehat Hyseni

Aktualisht, partitë politike në Serbi, si dhe ato në Luginë të Preshevës, janë përfshirë në psikozën dhe "ethet" e garimit për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, që janë caktuar të mbahen më 24 prill 2016.

Edhepse kjo pjesë e gjeografisë shqiptare është cilësuar si "komuniteti më i diskriminuar në Europë", me tendencë degradimi të mëtejshëm dhe rrënimi e përkeqësimi të pozitës së shqiptarve edhe më tepër, edhe më zi dhe më trishtueshëm, megjithatë partitë politike shqiptare që udhëhoqën komunën e Preshevës në mbi 11 vitet e fundit: PDSH e Ragmi Mustafës në koalicion me partitë minore të Skender Destanit dhe atë të Ramiz Latifit, si dhe Partia Demokratike e Nagip Arifit me LPD-në e Jonuz Musliut dhe me "Sveti Savën", SPS-in famëkeq të Millosheviqit dikur dhe Daçiqit sot dhe me SNS-in e Aleksandar Vuçiqit, si pasues të radikalëve të Sheshelit, kanë arritur të krijojnë një fenomen "sui generis"të politikës shqiptare në këto dy komuna të banuara me shumicë shqiptare, që mbase mund të quhen"laramanë", ose "Mark-Muharremë" politikë të shqiptarve të Luginës së Preshevës.

Kush janë "laramanët"?

"Laramanë" quhen pjestarët e një feje minorene, të cilët, për nevoja të integrimit në shoqëri dhe për t'iu shmangur izolimit nga mjedisi shoqëror, deklarohen rrejshëm si pjestarë të fesë tjetër në shoqëri, kurse në shtëpi dhe familje praktikojnë fenë reale të tyre. I tillë është rasti i katolikëve të një pjese të Karadakut të Preshevës, në Mal të Zi, në pjesë të ndryshme të Kosovës, etj. 
Mua personalisht më ka rënë rasti ta vizitoj me disa kolegë të gjimnazit "Skënderbeu" të Preshevës, kishën katolike në fshatin Dunav dhe atë ditë motra e nderit që ishte nga Subotica dhe e fliste rrjedhshëm shqipen e dialektit vendor, na informoi se "kishte vdekur një person me emrin Maliq", pra me emër musliman, që kishte emrin katolik Mark, dhe se ishin të angazhuar në realizimin e shërbesave fetare të tij. 
Pra, ky person në shoqëri ishte Maliq, kurse në shtëpi, në familje dhe në kishë ishte Mark.

Kush janë "laramanët", apo "Mark-Muharremët" politikë" të Luginës?

Ndërkaq, në politikëbërjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës, "laramanët", apo "Mark-Muharremët" politikë publikisht angazhohen për programe "patriotike" radikale të shqiptarve, siç është rasti i PDSH-së së Ragmi Mustafës në Preshevë, PD-së së Nagip Arifit dhe LPD-së së J. Musliut në Bujanoc.
Derisa PDSH e R. Mustafës kishte deklaruar si "synim" ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve, që kamuflohej kinse si qëndrim radikal, "patriotik" dhe i guximshëm shqiptar, kurse më vonë u zbulua dhe u demaskua si dorë e zgjatur e Daçiqit, duke u shtruar si qëndrim zyrtar i Serbisë nga kryenegociatori serb në Dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel. 
Këtij opcioni politik serb iu bashkëngjitën edhe partitë shqiptare që qeverisin komunën e Bujanocit: PD dhe LPD, të cilët madje shkuan edhe më larg, duke krijuar koalicion qeverisës me të gjitha partitë politike serbe, kundër partive politike shqiptare: PVD dhe UDSH.
Natyrisht, me qëndrimet e tyre politike "radikale", këto parti politike shqiptare, ose "laramanët" apo "Mark-Muharremët" politikë të Luginës arrinin ta mashtronin një pjesë të votuesve shqiptarë, që u mundësoi ardhje në pushtet, pasurim marramendës personal dhe skëterrën, ambisin e degradimin politik e institucional dhe ekzodin masovik të shqiptarve, duke e boshatisur tmerrësisht Luginën e Preshevës.
Faktorët që ndikuan në këtë rrokullisje, mjerisht, ishin këta "laramanë" shpirtëshitur politikë, që me politikën dyfytyrëshe e ogurzezë antishqiptare arritën që në dekadën e fundit të shpërngulin pothuajse gjysmën e shqiptarve të Luginës, të mbyllin gjykatat në Preshevë e Bujanoc dhe t'i transferojnë në Vranjë, t'i mbyllin firmat e shqiptarve dhe t'i avancojnë e përparojnë vetëm firmat e tyre private, të kusherinjve, partiakëve e tarafëve të tyre antishqiptarë, që ia kanë zënë frymën shqiptarizmit në Luginë.
Këta "laramanë politikë", ditën ankohen dhe derdhin "lotë krokodili" se Serbia po na diskriminon, kurse me rastin e vizitës së kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në vitin 2015, kryetari i PDSH-së dhe i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, jo vetëm që nuk e kritikoi dhe denoncoi Serbinë për politikën e saj antishqiptare dhe diskriminuese ndaj shqiptarve të Luginës, por, përkundrazi, për trishtimin dhe tmerrin e paimagjinueshëm, ky e dekoroi me "Mirënjohje"  ( Zahvalnica) "për meritat dhe kontributin çështjes së shqiptarve të Preshevës"!!!

Me këtë Ragmi Mustafa e hoqi maskën e "laramanit" dhe e tregoi fytyrën e vërtetë të argatit politik të Qeverisë së Serbisë dhe të demagogut, mashtruesit dhe "matrapazit politik pa ndjenja shqiptare", siç e quajti kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kur zbuloi lojën dyfytyrëshe dhe tradhëtare të tij lidhur me Lapidarin e UÇPMB-së, premtimin e rrejshëm dhe qyqar të dorëheqjes me rastin e heqjes spektakolare nga xhandarmeria serbe, në mëngjesin e hershëm të 20 janarit 2013, duke e lënë Lapidarin plotësisht të pambrojtur. 
Madje, ata fare as që e prishën gjumin, duke qenë tërë kohën në kontakt, bashkëpunim dhe bashkëveprim me Qeverinë e Serbisë!

Organizatave ndërkombëtare: USAID (CHF) të SHB-ve, që pas luftës së UÇPMB-së të vitit 2000-2001, ka bërë investime kapitale në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, me ardhjen e PDSH-së në Preshevë dhe partive të Nagip Arifit dhe Jonuz Musliut me partitë serbe në Bujanoc, iu mbyllën dyertë dhe ata u detyruan ta mbyllin zyren e vet në Preshevë. Si koordinator i tyre që isha unë, nga viti 2001-2008, kemi realizuar projekte shumë të rëndësishme dhe ia kemi prerë rrugën korrupsionit dhe keqmenaxhimit në themel. 

Por, pushtetarët "laramanë" u kujdesën që t'i shporrin nga Lugina Amerikanët, këta miq të mëdhenjë të shqiptarve, për t'ia hapur rrugën mafiozllëkut dhe punëve të pista, duke e përdhosur e zhvatur buxhetin komunal të Preshevës dhe Bujanocit për faqe të zezë, në mënyrë kriminale e banditeske dhe duke e shtuar edhe më skamjen dhe mjerimin e shqiptarve të kësaj ane. 

Ata vepruan njësoj edhe ndaj UNDP-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, që kanë dhënë kontribut të madh ekonomik, financiar e politik për Luginën.
Me veprimin e tyre makabër "laraman"dhe thellësisht antishqiptar, këta i kontribuan mospërfshirjes së çështjes së shqiptarve të Luginës në Dialogun e Brukselit, në Marrëveshjen e 19 prillit 2013, të nënshkruar nga Hashim Thaçi, si dhe në ate të 25 gushtit 2015, të nënshkruar nga kryeministri aktual i Kosovës, Isa Mustafa.

Gjithashtu, arritën që Këshillin Kombëtar të Shqiptarve ta reduktojnë, madje ta përgjysmojnë: nga 29 këshilltarë, në 15 këshilltarë, si dhe duke ia reduktuar skajshmërisht kompetencat e mëparshme.

Andaj, nuk është për tu çuditur se pse Luginën e Preshevës e ka kapluar dhe katandisur një 
sfilitje dhe zhgënjim tragjik i të gjithë shqiptarve!

Politikbërja e shqiptarve të Luginës është shndërruar në llomotitje të pakuptimtë, kurse performansa e pushtetarëve lokalë, në zhvatje të tërbuar të vlerave materiale e kombëtare dhe në vrapim kanibalist, të pangopshëm, drejtë pasurimit të shfrenuar dhe të paligjshëm, madje edhe duke e shitur e përdhosur tmerrësisht dinjitetin, të tanishmen dhe ardhmërinë e Kosovës Lindore apo Luginës së Preshevës.
Fitohet përshtypja se apatia dhe gjendja e pa pashpresë që gjatë kohë e ka mbërthyer këtë pjesë të gjeografisë shqiptare, sikur po ia ndihmon kësaj qeverisjeje makabre që e ka ngulfatur çdo lëvizje e çdo shpresë, sado të vakët për ndaljen e ekzodit dhe boshatisjen alarmante të këtyre trojeve tona stërgjyshore.

Mbase kanë filluar të ngjallen shpresat se politika "laramane" e shqiptarve shpirtëshitur do të frenohet me zgjedhjet kokale e parlamentare të 24 prillit dhe se, më në fund, komuna e Preshevës dhe ajo e Bujanocit do shpëtohen nga kthetrat e "shqiptarve me maska" ose si kanë filluar të quhen "laramanë"  politikë, shpirtshitur, mafiozë dhe të korruptuar deri në palcë, pa moral, pa kredibiltet e pa dinjitet  njerëzor dhe kombëtar!

Friday, March 18, 2016

Polemikë me mikun "patriot"!



Shkruan: Nehat Hyseni

I nderuar mik "patriot", në Kosovë sot nuk është problem vetëm "Zajednica ", Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, rroga e vogël, etj. Jo, jo, i nderuar mik, nuk është! 

Përkundrazi, mungesa e rrogave dhe punësimit për të rinjtë dhe për pjesën më të madhe të popullit, paraqesin problemin më të madh të Kosovës sot!
Ata që po ikin nga Kosova, janë të papunë, të pashpresë dhe të paperspektivë!
Trepça, me "meritat" e "patriotëve", mashallah, rrezikon realisht të shtrohet këmbëkryq si problem dhe si temë dialogu në Bruksel!

Kush e pati këtë qëllim? Sa duket, ka rrezik real se, herët a vonë, do ia arrij këtij qëllimi ogurzi!
Pastaj, Vuçiqi do i fërkoj duart i kënaqur dhe këtë do e shënoj si fitore të tij personale e shtetërore të Serbisë.
Kurse ne kemi kënaqësinë që ta kallim Kosovën, duke dashur që edhe themelet t'ia shkulim këtij shteti të brishtë e me "paterica" dhe ta gëlltisim fare!
Sa për Jabllanoviqin, u pa puna se do e kishim lehtë, sikur ta kishim pasur këtë punë me sinqeritet dhe më devotshmëri kombëtare e shtetërore, i nderuar!
Jabllanoviqi ishte punë e vogël! Një fjalë goje. Doli Isa dhe tha: "Nuk është më ministër Jabllanoviqi, sepse fyu rëndë nënat shqiptare! Dhe kaq.
Por, i nderuar, sa me kurreshtje e padurim do doja të dëgjoj "zgjidhjen magjike": Çka bëmë pastaj?! Shpikëm "Zajednicën", Demarkacionin, etj, etj.

I nderuar mik, "patriot"! Sikur të ishte ajo që po thua se na qenka puna tek mungesa e k... tek Isa e Thaçi, pak punë. Unë do isha më lumturi në këtë Botë, sikur të ishte ashtu!
Por, i nderuar, neve si komb e si milet na mungojnë "ato", që thua ti. Madje me shekuj na kanë munguar!
E kur na mungojnë "ato" që thua ti, atëherë na duhet mendja, mençuria, dituria, maturia, e mbi të gjitha devotshmëria për shtet.
Poqese edhe kjo na mungon, na hëngri dreqi!!
Po, po, i nderuari mik "patriot"! "luftuam" dhe u dëbuam nga Kosova mbi një milion. Më tepër se gjysma e popullatës së Kosovës!
Po të mos ishte NATO dhe Amerika, a do ktheheshim?
Jo, sigurisht se jo!
Mbase do këndonim e vajtonim  për fatin tonë të zi, ashtu si pas 1878-tës, 1912-tës , etj. gjithandej të shpërndarë në të katër anët e Dynjasë!!!
A thua protesta e ka hallin t'i zgjidhë problemet, apo t'i afroj lider-ucat e humbur pranë pushtetit dhe foteleve të buta, si dhe parasë e pasurimit, që sa duket, aq shumë po u mungon?!
Mik i nderuar "patriot", nëse e ke hallin e urrejtjes dhe hedhjes së pafund të helmit mbi Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugovën, Arkitektin e Pavarësisë së Kosovës, ky është problem i yti personal, i nderuar, por jo i Kosovës!
Po, Po, Po ! Lufta na e solli! Por nuk mu përgjigje se si do ktheheshin një milion shqiptarët e shpërngulur gjithandej nëpër kampe?
Pra, si do ktheheshim një milion shqiptarë në Kosovë?
A do na kthente "Lufta", që thua ti?
Po, i nderuar, sikur të kishte kaçik ajo "Lufta" që thua ti, atëherë, pse lejoi të shpërngulemi?
Shesheli pati premtuar: "Do i shpërngulim një milion shqiptarë matan Bjeshkëve të Nemura " ("Oteraćemo milion Šiptara preko Prokletija!").
Dhe synoi ta realizoj këtë qëllim makabër, por i dështoi falë NATO-s, Amerikës dhe rrezistencës dhe sakrificës e trimërisë së këtij populli dhe dashurisë së tij për vendin! 
Apo jo, i nderuari mik "patriot"?
Ishte kështu, apo nuk ishte?

Kur u kthyem dhe si u kthyem, Ium miku "patriot", si dhe kush na ktheu në Kosovë, të lutem e të përgjërohem, na thuaj !?
Para argumentave edhe Zoti "përkulet", i nderuari mik "patriot"!!!
Duhet të mësohemi na Shqiptarët që ta dijmë çka ishte e mira dhe çka ishte e keqja e mafiozllëku dhe loja e ndyrë me vlera kombëtare.
Ashtu si nuk kishim mundur të kthehemi një milion Shqiptarët e shpërngulur e të dëbuar para tyrave e tankeve serbe në vitin 1999, po aq kemi kaçik sot për ta mbrojtur Trepçën nga Serbia, pa NATO-n, BE-në dhe Amerikën!!!
I nderuar mik "patriot", nuk i dilet zot meritave të huaja, në rastin tonë, NATO-s dhe Amerikës, jo! Sepse do na dënoj Zoti!
Dr. Ibrahim Rugova ishte i madh, pikërisht sepse kishte mendjen e ndritur dhe shpirtin e pastër, si një vizionar dhe kolos largpamës, që ka ditur të krijoj miq të mëdhenjë të Kosovës, edhe duke ditur edhe se si t'i falemnderoj ata dhe t'u shprehë mirënjohje më së miri!
Po, po, i nderuar, Rugova ishte gjenial dhe dhuratë nga Zoti për këtë popull aq të vogël, madje të vockël, të na dhuroj një njeri aq të madh, madje gjigant, me horizonte kolosale dhe vizionin që na solli Lirinë dhe Pavarësinë.
Dhe, realisht, s'kishte se si të jetë ndryshe!!!





Friday, March 11, 2016

40 vjet nga vdekja tragjike e Qenan Shaipit



       Qenan Shaipi
        (1946-1976)

Shkruan: Nehat Hyseni

Sot, më 12 mars 2016, bëhen dyzet vjet të plota nga humbja tragjike e jetës rinore të Qenan Shaipit, në krye të detyrës dhe  pa i mbushur 30 vjeç, në Kankun të Meksikës, ku ishte si raportues i parë i Radio Televizionit të Prishtinës në delegacionin e Kryetarit të RSF të Jugosllavisë, Josip Broz Titos.
Sipas "verzionit zyrtar" të pushtetit të atëhershëm,"Qenan Shaipi humbi jetën në ujërat e Karaibeve nga një sulm në zemër, të cilin nuk e mbijetoi edhe përkundrejt ndihmës së menjiherëshme profesionale mjekësore".
Ky "verzion zyrtar" mbi rethanat e vdekjes tragjike të tij, i dhënë nga shteti komunist i Jugosllavisë së Titos, nuk u besua asnjëherë deri më sot nga shqiptarët dhe familja, farefisi, miqtë e shokët e Qenan Shaipit. 
Përkundrazi, dyshimet mbi këtë vdekje enigmatike shtoheshin gjithënjë e më tepër për rethanat dhe motivet e pushtetit të atëhershëm komunist për vrasjen enigmatike të këtij të riu shqiptar nga Presheva, i cili në shkollën e mesme të ndërtimtarisë në Mitrovicë ishte përcjellur si fëmi 14 vjeçar nga familja e tij, e cila 28 vjet më parë kishte përcjellur profesor Ibrahim Kelmendin, si "kaçak" që ishte dhe komandant i forcave shqiptare të NDSH-së për mbrojtjen e kufirit-frontit të Luftës tek "Udha e Frengit"  (hekurudha), që emigroi në Australinë e largët, për të mos u kthyer kurrë!
Prandaj, Qenan Shaipi kishte marrë një urdhër të prerë nga prindërit: "Shko, mëso biri jonë dhe kurrë mos u merr me politikë, sepse neve nuk na shkon politika!"
Qenani e kryen shkollën e mesme dhe si 18 vjeçar punësohet  në KK të Preshevës, kurse një vjet e gjysëm më pas, i vazhdoi studimet në Prishtinë.

Atëbotë Kosova përjetonte "bum" të vërtetë zhvillimor politik, arsimor, social e ekonomik, pas rënies së shefit të UDB-së famëkeqe, Aleksandër Rankoviqit
në Plenumin e IV-të në Brione, në vitin 1966.
Ashtu si Amerika ishte këndellur nga Lufta e Dytë Botërore dhe në fillimvitet  e 60-ta të shekullit XX, me Xhon F. Kenedi dhe familja e tij katëranëtarëshe, me djalin, vajzën dhe me zonjën, Zhaklinën, ishte bërë model i familjes së përkryer Amerikane dhe idol e simbol i përparimit dhe mirëqenies së çdo amerikani, edhe Kosova pas vitit 1966 ishte në pozitë relativisht të ngjajshme, sidomos në aspektin e shpresave të ngjallura dhe vrullit patriotik që kishte pasuar pas nëpërkëmbjes shekullore dhe prapambeturisë kombëtare të shqiptarve.
 Klasa politike kosovare ishte personifikuar në kuadrot e reja dhe të shkolluara dhe familjet e tyre të njoma, të mbrujtura me plotë energji dhe ëndrra për një Kosovë të zhvilluar e të lirë.
Perspektiva shpresdhënëse në sytë e shqiptarve të ish Jugosllavisë personifikohej pikërisht në plejadën e politikanëve, shkencëtarve, profesorëve dhe studentëve të rinjë, inteligjentë e të zgjuar, plotë energji, vullnet dhe elan rinorë, të cilët konsideroheshin si "dritë në fund të tunelit", pas territ shekullorë të robërisë, padrejtësive dhe vuajtjeve të pafund njerëzore, sociale e kombëtare.
Qenan Shaipi ishte njëri nga ata, si djalë i ri, shumë i zgjuar dhe rrjedhë is nga një familje brilante intelektuale: stërgjyshi i tij, Osman Efendiu ishte jurist me nam dhe avokat në Vilajetin e Kosovës, kurse gjyshi Shaip Efendiu ishte gjithashtu jurist dhe punoi si gjyqëtar në Kazanë e Preshevës, i cili u dënua me vdekje nga Qeveria e Nikolla Pashiqit në vitin 1916. Ekzekutimit i shpëtoi në minutat e fundit, meqë arriti t'i shmanget arrestimit dhe iku në Anadolli të Turqisë, në Dijari Bakir, ku u ekzekutua së bashku me djalin e tij të madh, Osmanin 18-vjeçar, tre vjet më vonë, në vitin 1919, nga agjentët e qeverisë serbe të Nikolla Pashiqit.
Kurse, xhaxhai i tij, profesor Ibrahim Kelmendi, emrin e të cilit e mbanë sot me krenari Shkolla Fillore Qendrore e Preshevës, ishte komandant i forcave shqiptare, që heroikisht luftuan dhe e mbrojtën vijën kufitare te Udha e Frengit (Hekurudha) në vjeshtën e vitit 1944. Ai u detyrua që së bashku me shokët e luftës dhe idealit, Luan Gashin, Adem Gllavicën, Hysen Tërpezën, etj. u detyruan të arratisen. Profesor I. Kelmendi vdiq në Australi në janar të vitit 1979, me mallin e pashuar për atdheun, që nuk e pa më kurrë!

Kontributi kolosal i Qenan Shaipit në përparimin e vrullshëm të vendlindjes së tij Preshevës, si teknik i parë i ndërtimtarisë në Kuvendin Komunal, konsiston në: ndërtimin e urës në qendër të fshatit Rahovicë, e cila përdoret dhe është në gjendje perfekte edhe pas 45 vitesh. 
Kjo do të thotë se, ai në moshën 18 vjeçare ishte serioz, i guximshëm profesionalisht dhe i vendosur për të marrë mbi vete përgjegjësi të mëdha.
Fillet e hartimit të Planit të parë Urbanistik të Preshevës, lidhen me aktivitetin dhe kontributin direkt të tij. Kjo do të thotë se me Qenan Shaipin Presheva vendos themelet e shndërrimit të Preshevës nga kasabaja me ndërtim kaotik, në qytet urbanistik.
Pastaj, ujësjellësi i qytetit projektohet dhe fillon së ndërtuari me nisiativën dhe nën udhëheqjen e punën e palodhëshme të tij.
Vendosja e rregullit të parë të disiplinës urbanistike në komunën e Preshevës, pra, është bërë nga Qenan Shaipi, duke mos lejuar me këmbëngulje dhe vendosmëri të palëkundur zënien e rrugëve kryesore dhe të atyre dytësore të qytetit të Preshevës.
Kontributi i Qenan Shaipit 
si kryetar i Lidhjes së Studentëve të Kosovës, e sidomos për pozitën materiale të studentëve në vitet 1966-1974, sigurimin e bursave dhe kredive studenteske, vendosjen në konvikte, etj. ka qenë i madh. 
Në këtë kohë u shumëfishua numri i studentëve shqiptarë në Kosovë, që vinin nga të gjitha viset e Jugosllavisë së atëherëshme të banuara me shqiptarë: nga Maqedonia, Mali i Zi dhe nga Lugina e Preshevës. 
Artikujt dhe intervistat në "Bota e re", "Rilindja", "Zëri i rinisë", etj., flasin qartë, si dokumentacion faktografik për rolin dhe angazhimin e tij të pamohueshëm në
themelimin e Gazetës së Studentëve "Bota e re" dhe për kontributin e Qenan Shaipit nga ideja, sigurimi i parave (2 milion dinarë) nga Këshilli Ekzekutiv i Kosovës., e deri te botimi final. Artikulli i tij në faqe të parë të nr. 1 të Botës së re, do të zë vendin e merituar.
Themelimi i Universitetit të Prishtinës dhe aktiviteti i Qenanit si Kryetar i Konferencës universitare të LK-së në kontekstin e përparimit dhe mirëqenies kosovare dhe të arriturave të gjithëmbarëshme e kolosale në atë kohë, duke i vënë dalëngadalë, por sigurtë, themelet e Autonomisë dhe ato të shtetësisë së Kosovës, me miratimin e Amendamenteve  në Kushtetutën e RSFJ-së lidhur me statusin e Kosovës si dhe në nxjerrjen e Kushtetutës së parë të Kosovës, në vitin 1974.
Duhet veçuar sidomos kontributin dhe angazhimin e guximshëm, të vendosur dhe të palodhshëm të Qenan Shaipit në themelimin dhe pavarësimin e Radiotelevizionit të Prishtinës nga Radiotelevizioni i Beogradit, që ka ka qenë tejet i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejtë pavarësimit politik nga Serbia.
Ai vdiq në krye të detyrës, në rethana tejet të dyshimta, nga dora e regjimit të atëhershëm komunist të Jugosllavisë së Titos, duke lënë pas veti bashkëshorten Sebahaten në lulen e rinisë, në moshën 26 vjeçare, djalin Agonin 2,5 vjeç  vajzën Zanën 5 vjeç. 
Me vdekjen e parakohëshme dhe tragjike të Qenan Shaipit, familja, farefisi, vendlindja e tij Presheva, Kosova dhe mbarë Shqiptaria humbën këtë kuadër të aftë dhe punëtor të palodhshëm që dha kontribut të  pakontestueshëm për përparimin e Kosovës dhe të mbarë shqiptarve të ish Jugosllavisë. 
Kujtimi dhe respekti për këtë figurë të ndritur kombëtare do të mbetet i përjetshëm në kujtesën e të gjithëve dhe do të "rifreskohet" edhe më tepër me Monografinë për jetën dhe veprën heroike të Qenan Shaipit, që do të publikohet në tetor të këtij viti, me rastin e kremtimit të 70-vjetorit të lindjes së tij.