Thursday, November 26, 2015

A do të ket dhunë për Ditën e Flamurit në Kosovë?



Shkruan: Nehat Hyseni

Pritjet tona për skenarin e mundshëm për të shtunën, 28 Nëntorin 2015, dmth për Ditën e Flamurit, pa marrë parasysh tensionet politike aktuale dhe deklaratat "e xehëta" të Zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi dhe të Kryeparlamentarit Kadri Veseli, megjithatë, shpresojmë se nuk do të eskaloj në skenar të dhunës, siç ishte rasti më 24 janar 2015, kur pati dhunë dhe kaos të tmerrshëm nëpër rrugët e Prishtinës si dhe gjithandej nëpër Kosovë.

Shpresojmë se ekscese dhe dhunë nuk do të ket, përveç manifestimit të "patriotizmit" dhe pakënaqësisë së akumuluar të opozitës me fjalime e diskutime "të nxehëta" e "heroike", ashtu si ndodhi më 27 janar 2015. Por, emocionet e tensionet politike u shfrynë pa dhunë.

Tani, sa duket, për dallim nga protestat e mëparëshme, nuk do t'i kemi dy, por tri "palë konfrontuese" rivale për pushtet dhe për interesa partiake, klanore dhe personale, dmth pozitë-opozitë-antigjykatë speciale.

Derisa opozitën e përbëjnë: VV, AAK, Nisma, kurse pozitën: PDK-LDK, kurse "Antigjykata Speciale" përfshinë nga të gjithë nga pak e më së tepërmi nga PDK, si "klientelë" e mundëshme e Gjykatës Speciale, që personifikohen me performansën kontraverze të Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit.
Prandaj, pozita dhe kryeministri Mustafa, shpresoj se në asnjë mënyrë nuk janë të interesuar për të krijuar probleme dhe për ti ngritur tensionet të shtunën, me rastin e protestave në Ditën e Flamurit. Sidomos pas qortimit publik të kancelares Angela Merkel, e cila ishte sponzorizuese, madje edhe insistuese e hapur për zgjedhjen e Isa Mustafës kryeministër të Kosovës. 

Gjithashtu, LDK dhe Isa Mustafa janë më të interesuarit për formimin e Gjykatës Speciale dhe kësaj here, ma merr mendja se Isa Mustafa do ti rrezistoj presionit nga prapaskena të Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit për ngritje tesdionesh politike, si dhe për kaos e dhunë më 28 Nëntor 2015.
Dhuna më 28 Nëntor i konvenon vetëm kundërshtarve të Isa Mustafës.
Kacafytja dhe përballja eventuale e Policisë së Kosovës me demostrantët apo protestuesit, automatikisht do i "faturohej" Kryeministrit Mustafa, që do t'i krijonte përparësi relative dhe fuqi politike shtesë Hashim Thaçit, meqë qëndrimi kontraverz i Kadri Veselit, nga përparësia absolute në fillim, tani e tutje gjithënjë e më tepër po kthehet si bumerang dhe në disfavor të Veselit.
Prandaj, raportet brenda PDK-së po kthen gjithënjë e më tepër në favor të Thaçit, duke e shfajsuar atë gjithënjë e më tepër nga diverzioni politik brenda koalicionit qeverisës, kundër Isa Mustafës.

Kurse, opozita do të përpiqet që ta kapitalizoj turmën popullore të kremtuesve të Ditës së Flamurit, duke i "konvertuar" të gjithë ata, apo shumicën prej tyre në "protestues kundër Zajednicës dhe Demarkacionit".

Pra, ka shumë kalkulime politike që po manifestohen si "kauza" politike, që ia kanë mësyrë si të tërbuar, për "arsye patriotike", duke synuar marrjen e pushtetit me çdo kusht. Madje edhe duke e rrënuar shtetin e Republikës së Kosovës, ose të "Republikës së dytë" të Isës e Hashimit, dhe për ta vendosur "Republikën e tretë" të Albinit.
Pra, lufta për pushtet është duke kërkuar "qime në vezë", për të gjetur disi "arsye patriotike" për të protestuar dhe për të ardhur disi në pushtet dhe për të shpëtuar disi nga pozita e padurueshme e të qenit jashtë pushtetit, në opozitë, si "peshku në zall", pa tendera, e pa "të mirat" që i sjellë pushteti.

Wednesday, November 25, 2015

Spektakli i paralajmëruar i "republikave të Kosovës" për Ditën e Flamurit?!




Shkruan: Nehat Hyseni



Kremtimi i Festës së Flamurit, më 28 Nëntor 2015, sipas paralajmërimeve të opozitës, nuk do të jetë i zakonshëm!

Në vend të kremtimit të 103 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, do të ketë protestë të opozitës, për "arsye patriotike", që kësaj radhe i bie kundër formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ose "Zajednicës ", që opozita në krye me Albin Kurtin, faktikisht, kurse me Triumviratin: Visar Ymerin, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limën, formalisht, si dhe me "Demarkacionin" e Ramushit, si "arsye patriotike shtesë", ia kanë mësyrë demolimit dhe shkatërrimit të shtetit të Republikës së Kosovës.

Kjo kauzë e rrënimit të këtij shteti, siç paralajmëron opozita, bëhet, gjithashtu, "për arsye patriotike"! 
Sepse, sipas ideologut të opozitës, Albin Kurtit, dhe pasuesve të tij, Triumviratit të lartëpërmendur, kësaj radhe shkatërrimi i shtetit të Republikës së Kosovës, pa i mbushur akoma shtatë vjet nga lindja apo themelimi i tij, më 17 shkurt 2008, do t'ia lironte vendin formimit të "Republikës së Tretë" të Albin Kurtit. 

Pra, gjithënjë sipas paralajmërimeve pompoze të opozitës, do të ndodhë "shpëtimi i Kosovës" me Parajsën mbi këtë tokë e mbi këtë dhé, që do të na siguronte "Mesia" i Kosovës, apo pronari dhe ideologu i "Republikës së Tretë", Albin Kurti, i pasuar besnikërisht nga Triumvirati.

Prandaj, kjo ngjarje e madhe, madje madhështore, dmth ky "spektakël"do të realizohet pikërisht në Ditën më të Madhe të Shqiptarisë, në Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë!
Kështu, i bie që kësaj radhe do të kemi festë të dyfishtë: Rrënimin e shtetit të Republikës së Kosovës, si një "ndërtesë e vjetër dhe e kalbur" dhe si burim i të gjitha të këqiave dhe fatkeqësive, në një anë, si dhe vënien e themeleve të "Republikës së Tretë" të Albin Kurtit, si burimin e të gjitha "të mirave" dhe Parajsës së Demokracisë, mbi këtë tokë e mbi këtë Dhé?!

Në marshin e parakalimit solemn mbi mbeturinat e fundit dhe mbi rrënojat e Republikës së (Dytë) Kosovës, pritet të qëndroj triumfalisht Albin Kurti, krah për krah, apo i pasuar nga Triumvirati dhe turma e ekzaltuar, si dikur Ismail Qemali, me faktin se po "ndërtojnë", apo po e ndërrojnë historinë, në këtë nënqiell, si dhe shumë gjëra të tjera, që aktualisht askujt nuk i është e qartë. 

Me rëndësi është se tani e tutje, dmth kremtimi i 104 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, me gjasë, do të zëvendësohet, në fillim vetëm nga kosovarët, e më vonë edhe nga të gjithë Shqiptarët, me kremtimin e Njëvjetorit të "Republikës së Tretë"!
Ndërkaq, pozita qeverisëse e Kosovës do të deklaroj, mbase,  si edhe shumë herë deri më tani, nga goja e Kryeministrit Mustafa se "nuk do të ndërroj asnjë fermë nga Marrëveshja për Zajednicën dhe Demarkacionin?!" , duke i treguar "muskujtë" e Republikës së Dytë (të Isës e Hashimit), si dhe shumë herë deri tani nëpër rrugët e Prishtinës, ndaj "Republikës së Tretë" (të Albinit dhe Triumvirati t)ë të Kosoëvës, duke krijuar atmosferë "impozante" të dhunës dhe shkatërrimit të Kosovës.
Kurse, ne që nuk do të jemi as për shkatërrimin e Republikës së Dytë të Isës e Hashimit, e as për Republikën e Tretë të Albinit, por për kremtimin, si deri më tani, të Ditës së Flamurit, ose sivjet të 103 Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, sipas të gjitha gjasave, kësaj radhe nuk do të kemi vend në sheshet e Prishtinës. 
Por, i tërë populli i Kosovës do të bëjmë sehir nga shtëpitë dhe banesat tona, duke shikuar "ndeshjen e shekullit", me demek spektaklin me plotë tym, gazësjellës, topa uji, hedhje gurë mbi Policinë e Kosovës, dëmtim e shkatërrim të pafund të pronës publike e private, thyerje xhamash të ndërtesën e Kuvendit dhe atë të Qeverisë së Kosovës, të lënduar, lotë e piskama, të pozitës e opozitë, si dhe skenat e duelit të "ndërrimit të Republikave"?!
Mbase, këto skena të "spektaklit demoktatik" në rrugët e Prishtinë dhe, mos thashtë Zoti edhe në qendrat tjera anembanë Kosovës, do ta "impresionin" botën demokratike që na ndihmoi ta krijojmë "Republikën (e Dytë) e Kosovës, kurse tani "komandantët" tanë, mbase do t'ia dalin vetëm, pa ndihmën e miqëve tanë ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, do t'ia dalin që rrënojnë nga themeli atë, dhe pa ndihmën e tyre, ta ndërtoj "Republikën e Tretë" të Albin Kurtit & Company?!

Saturday, November 21, 2015

"Burgosja" e librave për nxënësit shqiptarë të Luginës


Shkruan: Nehat Hyseni

Serbia e Aleksandar Vuçiqit, edhe 16 vjet pas çlirimit dhe pothuajse tetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në raport me shqiptarët dhe Kosovën, mbetet  e njejtë me atë të Millosheviqit.

Këtë e vërteton katërcipërisht edhe reagimi (i paradokohshëm) primitiv i kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndaj kërkesave të shqiptarve të Luginës së Preshevës për zhbllokimin e reth 105000 (Njëqind e pesë mijë) librave të dërguara nga Qeveria e Kosovës, dedikuar reth 6000 nxënësve të shkollave fillore të Kosovës Lindore, se ato qenkan të bllokuara në Terminalin doganor të Preshevës për shkak se aty na qenka paraqitur, sipas Vuçiqit, "Adem Jashari si hero"!
Prandaj, këto libra na qenkan "burgosur" qe dy muaj dhe nuk mund të arrijnë në destinacion, dmth nuk mund të arrijnë në duartë e nxënësve filloristë dhe mësuesve të tyre.

Ndërkaq, librat e Serbisë për nxënësit serbë në Kosovë, në të cilat thuhet se "Kosova është Serbi" dhe figurojnë përmbajtje të urrejtjes antishqiptare e antikosovare deri në çmendi, qarkullojnë lirshëm në kufi, pa formiar Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Arsimit kurrëfarë komisioni për vlerësimin e përshtatshmërisë edukativo-arsimore e ideologjike për t'u përdorur brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga nxënësit dhe mësimdhënësit serbë.

Madje, ministri i arsimit të Kosovës, z. Arsim Bajrami pati deklaruar me krenari e mburrje se, më në fund, ishte "vendosur parimi i reciprocitetit midis nxënësve shqiptarë të Luginës së Preshevës apo Kosovës Lindore me nxënësit serbë në Kosovë".
Por, natyrisht, ndodhi e kundërta. Librat për nxënësit serbë të Kosovës, kjo ministri as që mori mundimin t'i kontrolloj dhe të jep vlerësimin se me ato libra çfarë përmbajtjesh shoviniste, helmuese, antishqiptare e raciste kanë ato, që janë të stërmbushura me dezinformata kuazishkencore dhe me gënjeshtra të tërbuara, fund e krye antishqiptare e antishtetërore, në të cilat Pavarësia dhe Sovraniteti i Republikës së Kosovës, as që përfillet dhe nuk përmendet fare, por Kosovën e trajton si pjesë të Serbisë. 

Madje, në ato tekste shkollore nuk gjykohet as politika gjenocidale dhe fashiste e Millosheviqit në Kosovë!

Dhe ato libra vazhdojnë t'i helmojnë kokat e njoma të nxënësve serbë dhe të mësuesve të tyre, pa kurrëfarë pengesash brenda territorit të Republikës së Kosovës, tani, 16 vjet pas "largimit" të Serbisë nga Kosova dhe tetë vjet pas shpalljes së Kosovës shtet i Pavarur dhe Sovran!

Friday, November 20, 2015

Maskarallëqet shtetrrënuese në Republikën e Kosovës



Shkruan: Nehat Hyseni

Maskarallëqet shtetrrënuese në skenën politike aktuale të Kosovës, kanë marrë përmasa të paimagjinuara të rrënimit të imazhit të këtij shteti të brishtë dhe më të ri në Europë.

Gjykata Speciale, si duket, paraqet "mollë sherri" në sfondin (sekret) politik dhe në prapaskenat e politikbërjes aktuale në Kosovë.

 Kurse, "Zajednica" e Vetëvendosjes dhe Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, si "bajrak" politik i AAK-së dhe Ramushit, paraqesin demagogjinë më të madhe dhe më primitive politike që njeh Kosova që nga viti 1999.

Sepse, të dyja këto çështje do të vinin në Kuvendin e Kosovës dhe aty do të zhbëhej nënshkrimi i kryeministrit Mustafa. Madje, "Zajednicën" Presidentja Jahjaga e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetushmërisë dhe deri në janar 2015 kjo çështje është politikisht dhe administrativisht "e ngrirë". 
Ka gjasa reale që të mos "kaloj" në këtë Gjykatë dhe të mos vij fare në Kuvend për shqyrtim.

Por, të gjithë e dijmë se këto çështje, dmth Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe Demarkacioni, janë çështje institucionale, që janë duke u (keq)përdorur në mënyrën më kriminale të mundëshme nga opozita më minore në historinë e këtij shteti të brishtë.

Për të qenë paradoksi edhe më i madh, ky kaos politik po i konvenon edhe mazhorancës ose pozitës qeverisëse aktuale, e sidomos PDK-së, për "të blerë kohë", duke e shtyrë sa më shumë marrjen e vendimit mbi formimin e Gjykatës Speciale dhe funksionalizimin e saj. 

Meqë prej PDK-së do të ketë, sa duket, më së shumti "klientelë" të Gjykatës Speciale, kjo ma sqaron sjelljen enigmatike dhe çoroditëse të kryeparlamentarit të shumëpërfolur Kadri Veselit.

Prandaj, mund të konkludojmë se të gjitha maskarallëqet e opozitës dhe arroganca e patolerueshme e pozitës, kanë një emrues të përbashkët: pushtetin dhe shmangjen e formimit të Gjykatës Speciale, duke u mëshefur nën petkun e kundërshtimit të "Zajednicës" dhe Demarkacionit, të cilën e konsiderojnë si "trampolinë" të katapultimit të tyre në pushtetin aktual, apo në ushqimin e pretendimeve të tyre për fitore të poenave politikë drejtë marrjes eventuale tê pushtetit në zgjedhjet e jashtëzakonëshme apo të rregullta parlamentare. 

Sepse, të gjitha partitë politike të Kosovës e kanë shumë të vështirë mbijetesën politike jashtë pushtetit, dmth në opozitë, si "peshku në zall". Prandaj, mezi presin të gjejnë "arsye patriotike" për ta rrënuar pozitën nga pushteti, zakonisht duke derdhur në mënyrë dhe forma primitive e demagogjike"lotë krokodili" për fatin e Kosovës, për t'u instaluar ata vet në pushtet si "shpëtimtarë" të saj.
Në fakt, kjo klasë politike e ka shtyrë përtej çdo parashikimi afatin e caktuar nga BE dhe vendet e Quintit për formimin e Gjykatës Speciale dhe akoma përpiqen që ta shtyjnë formimin e saj, duke e komprometuar skajshmërisht aftësinë tonë shtetformuese dhe perspektivën e gjithëmbarshme të Kosovës në proceset demokratike e integruese europiane e botërore.

Friday, November 13, 2015

"Kosovarët" dhe shqiptarët sipas Halil Matoshit





Shkruan: Nehat Hyseni 

Në vigjilie të ndeshjes historike të futbollit, midis përfaqësueses së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, të premten, më 13 nëntor 2015, në orën 14:00, në Prishtinë, në emisionin debativ "Klik" të TV 21, Halil Matoshi sërish na e "sqaroi" domosdoshmërinë e formimit të kombit "kosovar".

Mjerisht, Halil Matoshi  e ndien veten se është bashkëkombas i Oliver Ivanoviqit & Company, meqë janë "kosovarë", ashtu si edhe romët e lindur nē Kosovë, egjiptianët, boshnjakët, goranët dhe të gjitha farët e miletet që jetojnë në Kosovë, sipas tij janë "kosovarë"!

Kurse, shqiptarë e Kosovës Lindore, të Malit të Zi, Maqedonisë,Shqiperise, etj. nuk janë "kosovarë".

 Madje, sipas Matoshit, ata (lexo: shqiptarët) "e ndotin hapsirën kulturore kosovare", për çka e kam pasur unë një reagim vitin e kaluar.

Pra, Halil Matoshi me tarafët e vet don ta ndajnë "shapin prej sheqerit", dmth të dihet se kush janë "kosovarë", e kush shqiptarë në Kosovë. 

Kuptohet, këtë ai e bën "për nevoja të sigurisë", duhet ruajtur Kosova nga shqiptarët, prandaj "kosovarët" (serbët, malazezët, romët, etj.) duhen të organizohen që t'i dëbojnë shqiptarët, sepse ata mund ta "ndotin hapsirën kulturore", politike dhe shoqërore të Kosovës. 
Pra, Kosova, sipas Halil Matoshit, do të jetë e lumtur dhe e përparuar vetë duke e krijuar kombin hibrid "kosovar", ashtu si dikur e pati krijuar Josip Broz Tito kombin "jugosllav". 
Por, me shpërbërjen e Jugosllavisë humbi ky komb, ashtu siç do të humbin edhe përpjekjet sizifiane të Halil Matoshit dhe shokëve të tij ideologjik për krijimin e kombit "kosovarë", duke përfunduar kështu një histori të dëmshme dhe faqezezë nga gjysmëanalfabetët e gjysmë të qytetëruarit si puna e Halil Matoshit dhe tarafit të tij, që ditën lexojnë diçka ndokund dhe në mbrëmje dalin në tv dhe na terrorizojnë me "idetë" që u vijnë aty për aty, kurse në emisionet tjera i bijnë pishman për gjithë çka kanë thënë më parë.