Tuesday, June 30, 2015

Tragjikomedia në Parlametin e Kosovës


Shkruan: Nehat Hyseni

Kryefjala e opinionit dhe politikbërjes kosovare viteve të fundit është bërë domosdoshmëria e formimit të Gjykatës Speciale, e cila do të merrej me gjykimin dhe denimin e krimeve të pretenduara të pjestarëve të UÇK ndaj serbëve, gjatë vitit 1998-1999, në Kosovë, sipas Raportit të Dik Martit.
Pra, kjo Gjykatë Speciale do të merrej me krimet e pretenduara të shqiptarve ndaj serbëve të Kosovës. 

Ky fakt len përshtypje të hidhur sepse nuk merr në shqyrtim fare viktimat shqiptare nga kriminelët serbë, që janë mbi 12000 (dymbëdhjet mijë) dhe mbi 1600 të pagjetur akoma, edhepse kanë kaluar 16 vjet të plota nga mbarimi i luftës së ushtrisë dhe paramilitarve serb mbi popullatën e pafajshme shqiptare. 

Ky projekt gjenocidal i Serbisë, që daton që nga "Naçertania" e Garashaninit dhe të Ivo Andriqit, Vaso Çubrilloviqit dhe të tjerëve, gjatë historisë së shekullit XIX dhe XX, u shndërrua në Program politik të Serbisë, për dëbimin e shqiptarve nga trojet e tyre shekullore dhe spastrimin etnik nga shqiptarët. 

Shteti serb përdori metoda nga më të pabesueshmet, duke i masakruar shqiptarët dhe duke ushtruar vazhdimisht dhunë dhe terror ndaj shqiptarve, ashtu si veproi edhe gjatë kohës së Millosheviqit dhe Luftës së '99-tës.
Por, Serbia asnjëherë nuk u ndëshkua gjatë historisë për këto krime makabre e gjenocidale ndaj shqiptarve. 
Përjashtim bën vetëm lufta e fundit, ku Serbia u bombardua nga NATO në tërë territorin e saj. 

Madje edhe rezidenca e kryetarit të Serbisë, "kasapit të Ballkanit", u bombardua dhe u shkatërrua tërësisht, duke e detyruar ate që ta shpëtoj kokën, duke u futur në "birë të minit" dhe duke e ndërruar vendin vazhdimisht, për ta shpëtuar kokën! 

Pra, për herë të parë në histori, Serbia u ndëshua fizikisht për politikën e saj shfarosëse ndaj shqiptarve! 
Kjo gjë ishte e pabesueshme për Serbinë dhe Millosheviqin. 
Kurse, më vonë u themelua Gjykata e Hagës, për krimet e luftës në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, e cila i dënoi shumë kriminel serbë, e midis tyre edhe Sheshelin dhe Millosheviqin, të cilët u ekstraduan nga vet shteti i Serbisë.
Ndërkaq, tani, 16 vjet pas përfundimit të kësaj lufte, nga ndërkombëtarët, dmth nga Bashkësia Europiane dhe nga SHBA, është shtruar domosdoshmëria për votimin dhe miratimin e vendimit nga Kuvendi i Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale. 
Sepse, në të kundërtën, këtë Gjykatë do e themeloj Këshilli I Sigurimit i OKB-së, me propozimin e "vëllaut të madh" të Serbisë- Rusisë.

Fillimisht, dmth. në prill të vitit të kaluar, kjo nismë nuk u kundërshtua nga deputetët e Kuvendit dhe u votua me 85 vota "pro".
Mirëpo, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 8 qershorit 2014 dhe maratonës gjashtëmujore për formimin e qeverisë së re dhe formimit të mazhorancës parlamentare, opozita (VV, AAK, Nisma) ndryshoi qëndrimin e vet, edhepse më parë kishte votuar për themelimin e saj. 
Atyre iu bashkëngjitën në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, më 26 qershor 2015 edhe disa deputetë të PDK-së, 13 prej tyre, qoftë duke votuar "kundër" (7), dhe dy abstenime, kurse katër prej tyre nuk erdhën fare në këtë mbledhje.

Pra, PDK e Hashim Thaçit ishte faktori kyç që prodhoi dështimin e mbledhjes së 26 qershorit, ku 75 votat "pro" nuk mjaftuan, meqë nevoiteshin minimalisht 80 vota. Dmth. Mungonin edhe 5 vota për t'u miratuar amendamenti në Kushtetutën e Kosovës, si neni 126, që do i hapte rrugën formimit të Gjykatës Speciale.

Por, mjerisht, kjo nuk ndodhi!

Shtrohet pyetja: Pse dështoi votimi?

Nuk duhet shumë analiza për këtë çêshtje. Sepse, ky dështim ka një emër: PDK-në dhe Zëvendëskryeministrit
të Kosovës dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçit.

Pra, në këtë mënyrë Hashim Thaçi don t'i tregoj "muskujt" e vet politik, duke "dëshmuar" se sa i rëndësishëm akoma është ai dhe se pa "kontributin" e tij nuk mund të zgjidhet asnjë çështje e rëndësishme politike në Kosovë. 

Kështu, Hashim Thaçi para ndërkombëtarve don të dëshmoj se, edhepse nuk është kryeministër, megjithatë, ai është "politikani nr. 1" aktualisht në Kosovë. 
Prandaj, të gjithë duhet ta respektojnë, por edhe ta shpërblejnë për "meritat" që ka ai realisht në politikbërjen kosovare.

Këtë e dëshmon edhe paraqitja e tij në media me deklaratën se mund të mbahet së shpejti një mbledhje e Kuvendit të Kosovës, ku do të votohej dhe miratohej vendimi për formimi  e Gjykatës Speciale. 

Natyrisht, ai aludon në faktin se nga 13 deputet të PDK-së do t'i bind së paku pesë prej tyre që të votojnë "pro" dhe puna do të kryhej. 

Hashim Thaçi nuk e çanë kokën fare se, edhepse kjo nuk êshtë përcaktuar decidivisht në Rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës dhe as në Kushtetutë se një vendim i marrë në Kuvendin e Kosovës, që është rregull i përgjithshëm juridik që zbatohet gjithkund në botën demokratike, nuk mund të vihet në rend të ditë pa kaluar së paku gjashtë muaj.

Është krijuar një situatë e papërgjëshme, joserioze dhe tragjikomike nga vet Hashim Thaçi dhe Partia e tij, që mund t'i sjellë ose jo poenat e pretenduar politik. 

Por, Kosovës dhe ardhmërisë së këtij shteti të brishtë dhe popullit të saj, pa dyshim se do t'i sjellë dëme dhe tragjedi të mëdha.









Monday, June 1, 2015

A duhet që BDI-ja të tërhiqet nga Qeveria e Maqedonisë?



Shkruan: Nehat Hyseni

Situata dramatike e shqiptarve të Maqedonisë, e krijuar pas masakrës në Lagjen e Trimave, në qendër të Kumanovës, më 9 e 10 maj 2015, për shumicën e shqiptarve të Maqedonisë dhe të Luginës së Preshevës dhe kreut politik të Kosovës, ishte e pritur moti kohë. 

Sepse, moti kohë flitej e përflitej se një pjesë e komandantëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) të Maqedonisë, nuk ishin të kënaqur me "ndarjen e pushtetit", apo të "kulaçit" politik e ekonomik midis shqiptarve sipas "meritave të luftës, turfullisnin ata, ngado që silleshin. 

Prandaj, sipas tyre, duhej bërë rindarja e pushtetit midis shqiptarve, me moton se "shqiptarët janë të shtypur" dhe se "kjo gjendje poshtruese e shqiptarve nuk durohet më".
Prandaj, ata vendosën që ta fillojnë luftën për "çlirimin e shqiptarve" (lexo: për pushtet), me pretendime që t'u kthehet "taxhia" e dikurshme nga pushteti i Maqedonisë.

Për këtë qëllim, ata iu për përveshën punës dhe u vendosën jo më larg se mu në qendër të Kumanovës, kuptohet, në Lagjen e banuar kryesisht me shqiptarë. Dhe aty "tradhëtuan"! 
Me demek, Policia dhe ushtria maqedone I zuri në gjum!

Pra, edhepse moti kohë "zihej e përzihej" situata në Kumanovë dhe BDI e Ali Ahmetit kishte njohuri të hollësishme, meqë ishin këta komandantë shokë të Luftës e të paqes (lexo: tenderave) të tij dhe Qeverisë së Maqedonisë dhe të "hises shqiptare" të pushtetit në te. 

Sepse, formula e pushtetit të shqiptarve në Maqedoni, pak a shumë është sipas rregullit të instaluar me vite, ku "shqitarët në Maqedoni votojnë, kurse komandantët e gëzojnë pushtetin". 

Ndërkaq, sa për popullsinë e shkretë shqiptare mbetet rruga e gurbetit, turpit dhe e kijametit në jetë!

Pra, skena politike shqiptare në Maqedoni është e mjerë dhe primitive e banditeske, ku "patriotizmi" shqiptar ka kuptimin e manipulimit të masave popullore shqiptare gjatë votimeve për pushtetin e elitave dhe bandave politike Shqiptare. 

Këtë fakt e vërteton edhe gjendja paradoksale e ruajtjes së Qeverisë nazi-fashiste të Nikolla Gruevskit, nga BDI e Ali Ahmetit! Sepse, poqese tërhiqet nga koalicioni i Qeverisë VMRO-BDI, "do të shkatërrohet Maqedonia dhe do të rrezikohet rajoni", pohon Ali Ahmeti! Mashallah!!!

Natyrisht, e vërteta qëndron në faktin se PDSH e Menduh Thaçit, me padurim presin të hyjnë në Qeveri. Pra, kjo është gjendja aktuale politike e shqiptarve në Maqedoni aktualisht. 

Dhe nuk ka asnjë shenjë apo shpresë se do lindë një lëvizje apo parti e re politike që do e ndryshojë këtë mendësi makabre politike të shqiptarve në Maqedoni.

 Sepse, edhe poqese do çliroheshin (mrekullisht) shqiptarët nga maqedonët atje, atyre do I duhej bërë edhe një luftë të re drejtë lirisë, kësaj radhe kundër uzurpatove banditesk të pushtetit nga elitat shqiptare. 

Tek e fundit, këtë e vërtetoi situata e historisë më të re të Kosovës, ku shqiptarët u çliruan nga pushteti nazi-fashist I Serbisë, por rrugëtimi I shqiptarve drejtë lirisë dhe jetës së dinjitetshme, akoma nuk ka mbaruar. 

Këtë e vërtetojnë edhe kolonat e gjata të kosovarëve, ashtu si edhe të shqiptarve të Maqedonisë dhe të Kosovës lindore, drejtë perëndimit dhe kampeve të turpshme të refugjatëve gjithandej në Europë.