Friday, January 30, 2015

"Droni serb", Jabllanoviq, në Prishtinë




Shkruan: Nehat Hyseni 

"Droni shqiptar", me fotografinë e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit me flamurin kombëtar shqiptar, i lëshuar më 14 tetor 2014, mbi stadiumin e Partizanit në Beograd, në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror, e tronditi thellë Serbinë, kurse publiku në stadium desh e çmend fare!

Si duket, këto ditë Serbia, me anë të Listës Srpska, na lëshoi "dronin serb", të quajtur Jabllanoviq, i cili fyu rëndë nënat e të is zhdukurve dhe popullin e Kosovës, duke i quajtur "egërsira"!
Por, për dallim nga droni shqiptar në Beograd, që nuk shkaktoi trazira dhe dëme më të mëdha, e as shkatërrim e demolim të Beogradit, droni serb desh e kalli Prishtinën!
Natyrisht, duke e shfrytëzuar situatën e brishtë politike, ekonomike e sociale dhe apetitet për ardhje në pushtet të opozitës aktuale nëpërmes dhunës.

Ekzodi që ka kapluar Kosovën, tani ka marrë përmasa alarmante!

 Dhe, akoma nuk dihet se a ka arritur kulmin, meqë intensiteti i tij, sa vjen e shtohet gjithënjë e më tepër.
Ndërkaq, opinioni kosovar është preokupuar me këtë problem, në momentin e"vlimit" të tij.

 Madje, edhe Kuvendi i Kosovës gjatë kësaj jave debatoi dhe miratoi një Rezolutë kushtuar kësaj çështjeje.

Gjithësesi, deputetët paraqitën një mori shkaqesh të pafund, arsye të këtij ekzodi, duke padur kujdes gjithësecili që ta trantoj këtë dukuri negative, por nga i interesat dhe këndvështrimi partiak e politik i tyre. 

Prandaj, kjo Rezolutë zor se do i hyj në punë ndokujt, e aq më pak ndaljes apo zvogëlimit të tij.

Por, nuk duhet pasur shumë shkollë e dije dhe për të parë se në "Kosovën e lirë" edhe pas 16 vjet përzënieje të Serbisë dhe 8 vjet Pavarësi, jetohet keq. Madje  gjithënjë e më keq! 

Kosova si shtet është privatizuar. Partia, apo partitë që e marrin pushtetin, e konsiderojnë si të drejtë legjitime që ta masakrojnë, degradojnë e demolojnë atë, duke e kaluar Buxhetin e Kosovës në xhepa privat  të kompanive dhe individëve të tarafit të tyre politik.

Kjo nuk mëshifet fare! Bile edhe krenohen, duke e konsideruar veten "të aftë" dhe "ekspertë"! 

Kështu, komandantat e dikurshëm,  me të mbaruar lufta, u kujdesën që të marrin diploma dhe u bënë pushtetarë, e pastaj u bënë "sheikë" me pasuri marramendëse. 

Kurse, nga pozitat që kanë në pushtet dhd hajni e korrupsion, nën trysninë e ndërkombëtarve dhe opinionit, vazhdimisht i shpallin "Zero tolerancë korrupsionit!" Sic!!!

Si pasojë e garës për pasurim nga zhvatja e Buxhetit të Kosovës dhe djersës së taksapaguesve dhe popullit të Kosovës, Kosova është degraduar, sfilitur e katandisur deri në atë masë  sa që populli ka humbur çdo shpresë se diçka e mirë mund të ndodhë këtu. 

Aktualisht, në Kosovë jetojnë mirë vetëm politikanët dhe familjarët e tyre, që kanë krijuar Dinasti dhe e kanë privatizuar Kosovën. 

Nga Buxheti i Kosovës atyre u paguhen qira marramendëse dhe askush nuk e din se si i ndërtuan ata objektet, si dhe një mori mallverzimesh të tjera.

 Kurse, nga ana tjetër, kemi varfëri ekstreme në popull, pa mjete minimale për ekzistencë dhe pa kurrëfarë shprese se do bëhet më mirë. 

Andaj edhe mllefi është i pakufishëm! "Bomba sociale" kanoset të shpërthejë në rrugë! Kjo u pa në Prishtinë në protestën e 24 janarit, e sidomos në atë të 27 janarit.

Natyrisht se këtë pakënaqësi po mundohen ta artikulojnë politikisht tri partitë politike që humbën në zgjedhjet e & qershorit 2014: Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, duke i "artikuluar" kërkesat për shkarkimine Jabllanoviqit dhe me shpikjen e tyre makabre, se kinse Trepça po rrezikohet. 

Prandaj, ata dalin në rrugë për ta rrënuar, kallur e demoluar Kosovën! Për ta djegur e shkretëruar atë tërësisht dhe për të ardhur ata vet në pushtet. 

Sepse, me votë  e lirë, ata janë larg, madje shumë larg pushtetit. Paçka se me një vesh dëgjojnë Beogradin, për ta qortuar pastaj Qeverinë e Isës, sepse Isa rrenë sipas tyre, por Beogradi e flet të vërtetën!

 Prandaj edhe ngjarjet në Kosovë, si duket, kanë hyrë thellë nën kthetrat e interferferimit politik nga Beogradi dhe reflektimit praktik në rrugët e Prishtinës.
Se si do të dalim nga ky reth vicioz dhe nga ky vorbull politik, mbetet të shihet. 

Por, ajo që nuk na duhet këto ditë vlimi, kur Kosova është mbërthyer nga greva e arsimit, duke lënë vetëm më 30 janar 2015, 388.000 nxënës pa mësim, si dhe shëndetësia duke e lënë popullatën pa shërbime shëndetësore.
Pse grevat? Për patriotizëm?! Jo, jo, të nderuar, por për rroga më të mëdha, edhepse i kanë rrogat më të mëdha në rajon! 

Kurse, kolona e gjatë e të papunëve, meqë nuk kanë Sindikata dhe forma të tjera të organizimit për ta shantazhuar shtetin, ata janë të detyruar të ikin, duke rrezikuar edhe jetën, në drejtim të armikut, Serbisë dhe për të përfunduar në kampet famëkeqe, si turp i botës, gjithandej vendeve të Europës. 

Pra, Kosova na qenka e të punësuarve, të cilët madje kanë komoditetet ta shantazhojnë edhe shtetin e tyre të brishtë e të varfër.

 Kurse, të papunët, jashtë! Sepse, ata nuk mund të protestonnë. Andaj, le t'ia mbathin: kah sytë këmbët, jashtë Kosovës!!!

Është krijuar bindja se duhet me e kallë Kosovën! Madje me ia shkulë edhe themelet. Po, po!  Për ta realizuar këtë, duhet shfrytëzuar "bomba sociale".
Sa krenarë gjenden në ballë "heronjtë" e ri që manipulojnë me te, duke pretenduar aty ku atyre u duhet. 

Pra, për t'i katapultuar në pushtet!

Si mjet për ta arritur këtë, ata e përdorin dhunën. 

Andaj, do i apeloja Qeverisë dhe Policisë së Kosovës, që të mërkuren, më 4 shkurt 2015, të mos vejnë barrikada para Teatrit, as mos t'i ndjekin protestuesit, por të përqëndrohen vetëm tek objektet vitale. Të mos ia japin kënaqësinë shkatërruesve të Kosovës të manifestojnë dhunë. 

Sepse, si duket  ata pikërisht aty po e shohin shansin e tyre për arritjen e qëllimeve të tyre  politike, paçka se e shfrytëzojnë "dronin serb" Jabllanoviqin si pretekst për ta kallur Kosovën.

Thursday, January 29, 2015

Dhuna aktuale në Kosovë, për shtet apo për pushtet?




Shkruan: Nehat Hyseni

Në rrugët e Prishtinës është instaluar dhuna!
 Ky është lajmi më i rëndësishëm, që aktualisht dërgohet në mediat botërore nga Kosova. 
Skenat e tmerrëshme në rrugët e Prishtinës, këto ditë, japin një pasqyrë trishtuese të energjisë negative që e ka kapluar shoqërinë kosovare: protestuesit militantë, të cilët janë në gjendja ta kallin Kosovën dhe t'i japin ultimatum policisë dhe shtetit, sepse, sipas tyre (Albin Kurti)  pushteti na qenka rruga, sepse aty na qenka populli.

 Andaj, rrjedhimisht, atyre u takon edhe të hyjnë në Qeveri dhe ta nxjerrin Kryeministrin jashtë, e të vendosin vet rend e rregull, duke sfiduar kështu institucionin më demokratik që njeh bota sot, dmth atë të zgjedhjeve dhe votës së lirë.
Pra, porosia e protestuesve është e qartë: rruga do i zgjidhë të gjitha problemet e Kosovë!

Kurse, në rrugë ata lusin shtetin që të mos i pengoj në rrugëtimin e tyre për "Revolucionin e vonuar Demokratik" të 2007-tës në Shqipëri. 

Pra, ta kallim, rrënojmë e rrafshijmë Kosovën dhe padtaj do fillojmë nga fillimi, për ta ndërtuar "Kosovën e re"!

Sa bukur tingllon kjo dhe sikur jemi mësuar me "Shqipërinë e re", dhe me të reja. 

Sepse, kur e morën komunistat pushtetin para 70 vjetëve, gjithçka filluan "nga fillimi". Madje edhe historinë filluan ta shkruajnë nga vetvetja.

Po tani, çfarë hallesh ka Kosova dhe cila është arsyeja e vërtetë e protestave?

Së pari, duhet të shohim se kush janë organizatorët e saj, për ta pasur të qartë arsyen e organizimit të tyre.
Organizatorët e protestave aktuale në Kosovë fillimisht ishin Nënat gjakovare të viktimave të luftës me në krye zonjën Kumnova dhe organizoheshin si protestë kundër fyerjeve makabre nga ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Jabllanoviq, i cili në një deklaratë publike kundër moslejimit të vizitës së pelegrinazhit serb me rastin e festës fetare ortodokse të 7 janarit në kishën  ortodokse serbe të Gjakovës, i quajti "egërsira" (divljaci)!
Natyrisht, një deklaratë e tillë e pamatur, madje fyese dhe  fashiste, i fyu në formën më të rëndë nënat e viktimave dhe të të pagjeturve, si dhe mbarë popullin e Kosovës dhe paraqiste pretekst të arsyeshëm për të protestuar në mënyrë dinjitoze, ashtu si edhe ndodhi disa herë në Gjakovë dhe në qytete të tjera anembanë Kosovës, në shenjë mbështetjeje dhe përkrahjeje nënave gjakovare. 

Askund, në asnjërin qytet nuk u shënua asnjë eksces, dëmtim probe apo përleshjeje me policët. Përkundrazi, gjithkund ato protesta ishin të qeta dhe kishin një porosi: të shkarkohet Jabllanoviqi!

Ndërkaq, më vonë, në organizimin e protestave në Prishtinë, të shtunën, më 24 janar u kyç legalisht edhe Lëvizja Vetëvendosje në ballë të saj, kurse në "prapavi" kishte liderin e AAK Ramush Haradinajn dhe atë të Nismës Fatmir Limajn.

Pra, protestat e filluara nga nënat kundër Jabllanoviqit në Gjakovë, tani derivoi në organizim politik, nga tri parti politike opozitare dhe iu shtua edhe sllogani për Trepçën. Kërkohej "mbrojtja e 
Trepçës", sepse Qeveria e Isa Mustafës, sipas tyre ishte e gatëshme për t'ia dhënë Serbisë!
Andaj, këto parti opozitare e panë shansin ideal për ta rrënuar Qeverinë. Kuptohet, me motivacionin se po e mbronin Trepçën.

 Prandaj, në protestën e 24 janarit ara kishin në radhët e veta edhe nënat gjakovare dhe OVL, por jo edhe në protestën vandaliste të 27 janarit (të marten). Sepse, u pa puna se LVV , AAK dhe Nisma synonin ta instrumentalizonin revoltën e arsyeshme të Nënave Gjakovare dhe mllefin popullor, për interesa të tyre politike, duke synuar që ta arrijnë atë që nuk mundën ta arrijnë me ngërçin e dështuar politik gjashtëmujor me anë të koalicionit LDK, lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit 2014, për ta penguar PDK-në, e cila doli fituese e atyre zgjedhjeve, si parti e parë me 37 deputetë, LDK doli e dyta me 30. CV me 16, AAK me 11 dhe Nisma me 6 deputetë, dmth gjithsej 63 deputetë shqiptarë,  në formimin e Qeverisë "Thaçi-3".

Mirëpo, meqë koalicioni LVAN dështoi në këtë përpjekje, për shkak të pengesave në Kushtetutë, e më tepër nga (keq) interpretimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe rolit militant pro PDK të kryetarit të saj, duke pamundësuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Isa Mustafa, i cili kishte marrë gjithsej 66 vota dhe ishte zgjedhur me votat e LDK, AAK, Nisma dhe minoritetet, por jo edhe me votat e partnerit të koalicionit LVAN, Lëvizjes Vetëvendosje!

Pra, VV kishte qëndrim jokorrekt dhe të çuditshëm ndaj LDK-së dhe Isa Mustafës personalisht, duke e vënë kështu Koalicionin LVAN në pozitë të brishtë.
Situata e re, e krijuar nga pamundësimi i partisë së parë të Koalicionit LVAN, LDK-së, e cila përbënte pothuajse gjysmën e tij, dmth kishte 30, kurse VV, AAK dhe Nisma së bashku 33 deputetë.

 Në këtë situatë absurde, përfitonte vetëm AAK, e cila kishte paraqitur Ramush Haradinajn si kandidat përbpostin e Kryeministrit.

Pra, i binte që AAK të fitonte gjithçka nga Koalicioni LVAN, edhepse kishte vetëm 1/6 e 63 deputetëve të LVAN dhe 1/10 e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

 Pra, po të zgjidhej Ramush Haradinaj Kryeministër i Kosovës me reth 9% të votave të popullit, do ishte  më absurde se sa të ishte tani Ilir Meta Kryeministër i Shqipërisë, e jo Edi Rama!

Natyrisht se LDK, por edhe asnjë parti tjetër politike që do ishte në pozitë të tillë, nuk do e pranonte një situatë të tillë, që praktikisht do i zhgënjente votuesit e saj. 

Prandaj, si e vetmja zgjidhje mbeti solucioni që Isa Mustafa të kandidohej nga LVAN për postin e kryeministrit. 
Por, AAK dhe Ramush Haradinaj këtë e refuzuan, madje kategorikisht!
Atëherë, madje u deklarua personalisht nga z. Haradinaj në një tubim në Obiliq, se "LVAN nuk ekziston më"!
Kështu, tani mbeti si e vetmja zgjidhje reale koalicioni me PDK-në. 
Pikërisht këtu edhe qëndronte problemi. Sepse, LDK gjatë fushatës elektorale ishte deklaruar kategorikisht dhe kishte premtuar se "në asnjë variant nuk do bëjmë koalicion me PDK-në", AAK e shikonte si monopol të vetin që t'i ofroj koalicion PDK-së, natyrisht që Ramush Haradinaj të bëhej Kryeministër.

Në radhët e LDK-së shumë vështirë u pranua koalicioni md PDK-në, duke lënë madhe edhe pasoja përçarhehe e pakënaqësie të madje brenda saj. Por, megjithatë u votua nga shumica e konsiderueshme e saj.

Pra, tani shtrohet pyetja se cilat janë motivet reale të këtyre protestave?

Jabllanoviqi do të shkarkohet gjatë kësaj jave. 

Atëherë mbetet Trepça.

 Dhe pikërisht këtu qëndron absurdi! 
Sepse, Trepça u shpëtua në momentin e fundit nga falimentimi dhe likuidimi me votat e Koalicionit PDK-LDK, kurse nga "mbrojtësit" e saj, që tani derdhi  "lotë krokodili", Trepça do shkonte në likuidim! Edhe ate, qysh nga data 3 shkurt 2015.

 Pra, Trepça do pushonte së ekzistuari, kurse punëtorët e saj i bashkëngjiteshin armatës së madhe të të papunëve, mbase edhe ekzodit drejt Serbisë e kampeve për refugjatë tëvendeve të BE-së!

Pra, realisht kjo është e vërteta politike aktuale në Kosovë. 

Verbëria për pushtet, synon ta rrënoj shtetin e Kosovës, duke e demoluar e kallur flakë. Dhe nga flakët e djegjes së Kosovës, mbase dikush gjen shansin që të "ngrohet" politikisht?!

Aktualisht, mendoj se problem kryesor i Kosovës është gara për t'i treguar "muskujt" secili, duje dashur të tregojnë dhe dëshmojnë se sa të fuqishëm janë për ta rrënuar këtë shtet të brishtë, që mezi qëndron në "këmbë të qelqit", duke iu ekspozuar stuhive shkatërruese nga Serbia dhe nga akumulimi i  skajshëm i pakënaqësive sociale, ekonomike e politike nga mbrenda. 

Mbase, një koordinim, qoftë edhe i padëshiruar dhe i pavetëdijshëm i këtyre dy faktorëve, do mjaftonte për ta dërmuar e shkatërruar rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të shtetit që synojmë dhe dëshirojmë dhe për të cilin aq shumë sakrifica, viktima e vuajtje u shkaktuan gjatë historisë sonë të dhimbëshme e të shumëvuajtur kombëtare.

Andaj, apetitet e tepruara dhe të papërmbajtura, si dhe verbëria për pushtet nëpërmes rrugës e dhunës, e jo nëpërmes votës së lirë, duhen përmbajtur dhe duhet shndërruar energjinë negative të shkatërrimit, demolimit dhe djegjes së pasurisë së Kosovës, në vullnet dhe energji pozitive, për ta ndërtuar e përparuar atë sa më shumë për të siguruar mirëqenie dhe shtet të fuqishëm e stabil, që aq shumë e synuan gjenerata e gjenerata që u flijuan për këtë ideal!




Monday, January 19, 2015

Lapidari i UÇPMB-së të kthehet në Preshevë, ose të filloj së ndërtuari i riu!



Shkruan: Nehat Hyseni

Më 20 janar 2015 bëhen dy vjet nga heqja dhe rrëmbimi spektakolar nga xhandarmeria serbe e Lapidarit të UÇPMB-së nga platoja para Kuvendit Komunal të Preshevës. 

Atë të diele, në acarrin e egër, forca të mëdha të xhandarmerisë së armatosur "deri në dhëmb"me armatim modern dhe me autoblinda e mjete inxhenierike, në të gëdhirë, kishin okupuar Preshevën.

Trishtimi dhe zia kishin hyrê deri në palcë në çdo shtëpi shqiptare at mëngjez të kobshëm. Posa u tërhoqën xhandarmeria me Lapidarin e marrur me vete, filloi të ndihej gjallëria në rrugët e Preshevës. 
Të gjithë kishin mësyrë qendrën e qytetit dhe panë të tmerruar vendin e boshatisur të Lapidarit. 

Kështu, Lapidari i 28 Dëshmorëve të UÇPMB-së përfundoi si është më së keqi, dikund në Serbi, nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e plotë të policisë dhe xhandarmerisë serbe.
Duket e pabesueshme, por, e vërteta është se, mjerisht, Lapidari ishte krejtësisht i pambrojtur dhe paruajtur fare, nga askush prej shqiptarve, në momentin e ardhjes dhe rrëmbimit spektakolar nga xhandarmeria serbe!

 Në atë moment aty ndodhej vetëm grumbulli i gazetarëve, të cilët kujdestaronin ditë e natë për të mos u shpëtuar pa e regjistruar momentin e paralajmëruar shumë kohë më parë në medie për heqjen e Lapidarit, nga kryeministri i atëhershëm Daçiq dhe Presidenti Nikoliq, si dhe nga zêvendëskryeministri i atëhershëm, kurse kryeministri i tanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurse, "komandantët" e Luginës, në krye me kryetarin e tanishëm të KNSH-së, Jonuz Musliun, bënin gara se cili po ia kalon tjetrit me kërcnime  madje duke dalur me numra të ushtarëve që, "poqese shfaqet nevoja" do t'i angazhonin, jipnin deklarata të nxehëta, duke u kombinuar edhe me kryetarin e Konunës së Preshevës  Ragmi Mustafa  i cili madje publikisht kishte deklaruar para opinionit mbarëshqiptar në KTV se "në rast se hiqet Lapidari do të jap dorëheqje të parevokueshme"! 

Madje, ai kishte shkuar edhe më larg, duke deklaruar se "i tërë pushteti lokal do të jep dorëheqje, duke e bojkotuar pushtetin antishqiptar të Serbisë!"
Por, asgjë nuk doli nga e gjithë kjo bujë e krekosjes së tyre. Ata jo vetëm që nuk dhanë dorëheqjen e premtuar, por përkundrazi, u tallën marrëzisht me dëshmorët dhe familjarët e tyre, si dhe me ndjenjat dhe me fatin e shqiptarve të Luginës së Preshevës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe diasporës.

Sepse, askush nuk e mori mundimin më të vogël për të organizuar së paku një kujdestari modeste para Lapidarit, me muzikë patriotike e program të përshtatshëm dhe t'i jepnin karakter të organizuar turmës së madhe që si e paorganizuar, por shumë e shqetësuar dhe e brengosur, qëndronte parreshtur aty. 

Kurse, kameramanët dhe gazetarët qëndronin kot, të zhgënjyer e të mërzitur që nuk gjenin "material" atraktiv për agjencitë e tyre informative.

Retorika dhe fjalamania e mburrjet, kërcnimet  kishin arritur absurdin! 

Ultimatumi i Serbisë për zhvendosjen nga platoja dhe vendosja e tij dikund tjetër, ishte bërë temë e marathonës së nxehtë të debateve, duke ua lënë, çuditërisht, familjarëve të dëshmorëve të marrin vendimin e zhvendosjes eventuale të Lapidarit, të cilin nuk e priti Qeveria e Serbisë. 

Pra, ideja ishte që eventualisht Lapidari të zhvendosej para Shtëpisë së Kulturës, si vend i përshtatshëm ku do të kishin qasje dhe mundësi për ta parë shumë më tepër se sa para ndërtesës së Kuvendit Komunal, meqë aty gravitojnë nxënësit e Shkollës Fillore "Prof. Ibrahim Kelmendi", Të Gjimnazit "Skënderbeu", etj.

Se sa e rëndësishme ishte zhvendosja e Lapidarit para Shtëpisë së Kulturës, kjo më së miri u pa me rastin e vizitës historike të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, më 11 Nëntor 2014, me ç'rast, grumbullimi i popullit dhe pritja ishin organizuar disa orë më parë dhe transmetimi i drejtëpërdrejtë jepej nga mediet shqiprare dhe ato kosovare.

 Por, Lapidari mungonte! 

Sikur të ishte vendodur aty ky Lapidar, ky do ishte rast historik që mediat ta fokusonin pamje  tek Lapidari dhe raportuesit dhe komentatorët kishin kohë të mjaftueshme, madje të pafund  që të flitnin për Lapidarin, për Luftën e UÇPMB-së dhe për secilin nga 28 Dëshmorët e UÇPMB-së të shpalosej jeta dhe vepra e tyre heroike, para publikut aq të gjërë. 

Mjerisht, kjo nuk ndodhi! 

Madje, as që u përmendën fare! 

Pra, çështja e Lapidarit, qysh në fillim kishte filluar mbrapshtë dhe me pasinqeritet, sa duket, pa u menduar mirë e mirë dhe pa u informuar  dhe konsultuar fare as subjektet tjera politike. 

Madje, as nuk u ndoq rruga institucionale e paraqitjes dhe miratimit të vendimit nga Kuvendi Komunal. 

Prandaj edhe nuk e patëm mbështetjen e miqve ndërkombëtar, dmth të Ambasadës së SHBA, dhe të tjerëve. 

Ata madje çuditeshin me neve, se si ka mundur të na ndodhë një lëshim i tillë i politikës dhe pushtetit lokal, kur kemi mundur me kohë t'i bijmë vendimet e duhura dhe ta kishim sjellur Qeverinë e Serbisë para aktit të kryer. 

Por, jo, këto nuk ndodhën!

 Vonë, shumë vonë i ra në mend pushtetit lokal se çfarë duhet bërë.  Sepse  edhe ky pushtet nuk lejon ndërtime pa leje në komunë dhe  angazhon inspektorët komunal për të ndëshkuar me gjoba apo rrënim objektet e tilla. 

Kurse vet ky pushtet nuk kishte ndjekur procedurat dhe veprimet për ta legalizuar Lapidarin! 
Edhepse kjo ishte kompetencë e tij. 
Kurse, kur u politizua, pastaj gjithçka ishte tepër vonë. "Mbas pazarit të mulla Shaqirit", thotë fjala popullore.

Kaluan dy vjet nga heqja e Lapidarit dhe shtrohet pyetja se çfarë u bë në planin kombëtar dhe në atë ndërkombëtar, përpos deklaratave për konsum të mbrendshëm. 

Mënyra se si jemi duke u sjellur ndaj Lapidarit dhe Dëshmorëve të UÇPMB-së, pa e bërë akoma një Monografi të veçantë për 28 Dëshmorët, që do lexohej dhe mësohej edhe nëpër shkollat tona, duke iu përcaktuar së paku një orë e Dëshmorëve. Kjo nuk është bërë. 

Historia jonë e dhimbëshme duhet t'u mësohet gjeneratave të reja. 

Dëshmorët tanë nuk janë vetëm të familjarë e të tyre.

 Jo, jo, ata janë të të gjithëve neve!

 Sepse, ata u flijuan për neve, për lirinë tonë. 
Prandaj, ata janë dëshmorë dhe ata duhen dalluar e veçuar nga të vdekurit e tjerë, që nderohen e kujtohen nga më të afërmit, kurse Dëshmorët nderohen e përkujtohen me pietet nga të gjithë ne!

Nga mënyra se si sillemi ndaj të kaluarës sonë të shumëvuajtur, Dëshmorëve dhe figurave të ndritura e heronjëve të kombit, do të varet edhe fati ynë dhe ardhmëria jonë në këto trojeve tona stërgjyshore.

Andaj, uroj që ky dyvjetor i heqjes dhe grabitjes së Lapidarit të na shërbej si kthesë dhe këndellje, duke hequr dorë nga korrupsioni, keqqeverisja, zhvatja e paligjëshme e parasë publike dhe nga lakmia pas pasurimit në kurriz të fukarasë, t'i kthehemi vlerave të mirëfillta kombëtare, duke afirmuar veprën heroike të Dëshmorëve dhe duke ndërtuar unitet veprimi në interes të popullit, e jo përçarje makabre për interesa private, personale e grupore.
Urojmë që Lapidari i UÇPMB-së të kthehet dhe të vendoset pikërisht aty ku e ka vendin dhe të qëndroj madhështor,  para Shtëpisë së Kulturës në Preshevë.
 Poqese nuk ndodhë kjo në një afat prej gjashtë muajsh, duhet filluar nisma ligjore për ndërtimin e Lapidarit të ri, më të bukur dhe më impozant, artistikisht më i përkryer, që do i përshtatej më mirë ambientit arkitektonik. 

Kjo nismë medoemos duhet mos përsëritur gabimet e kakuara dhe duhet harmonizuar e mirëkoordinuar me të gjitha subjektet politike të shqiptarve të Luginës së Preshevës, me Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, si dhe me miqtë tanë ndërkombëtar.

Thursday, January 15, 2015

Antishqiptarizmi i tezës për kombin "kosovar"





Shkruan: Nehat Hyseni 

Deklarata e Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, se nuk ka dhe nuk ekziston kombi Kosovar, paraqet një qëndrim burrëror të një burrështetasi të madh, që domosdo do e radhisë atë në radhët e kolosëve të Shqiptarisë.
Zoti Nishani, kështu u dëshmua se jo vetëm që është burrështetas i madh, por dhe vizionar dhe atdhetar që do e kishin lakmi edhe shumë kombe të përparuara e moderne.
 Kjo aq më tepër se, ai mori guximin burrëror dhe kurajon e burrështetasit largpamës e vizionar kur kritikoi performansën negative të dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës, sepse nuk janë duke bërë asgjë për bashkëpunim të mirëfilltë e vëllazëror midis dy shteteve dhe se vetëm me floskula demagogjike duan t'u hedhin sy shqiptarve, duke u munduar që sa më tepër ta largojnë çdo lloj bashkëpunimi. 

Natyrisht, për t'i ruajtur pozitat e oligarkive të veta politike dhe biznesore, ku ata kanë "ujemin" e majmë dhe parajsën hyjnore të kapjes banditesk e mafioz të shtetit e pushtetit dhe sigurimit e ruajtjes së pozitës së tyre të pasurimit ekstrem të këtyre elitave, duke u shndërruar në sheikë, kurse populli gjithënjë e më i varfëruar. Ekzodet shqiptare të funshekullit XX këndej dhe andej kufirit ishin të përmasave biblike. Dhe ato ndodhnin në të njejtën ditë! Kosovës iu abrogua Kuvendi dhe autonomia më 5 korrik 1990, kurse në Shqipëri shpërtheu maskarallëku dhe tmerri i ikjes tmerruese, që zuri toplajmet në CNN dhe agjencitë tjera botërore, duke sfiduar dhe lënë krejtësisht nën hije katrahurën që po i përgatitej Kosovës nga Serbia. Kurse shqiptarët e Shqipërisë iknin si të çmendur nga regjimi i  vet. O Zot i madh!

Kurse, tani, në vitin 2015, 16 vjet pas përzënies së Serbisë nga Kosova, si dhe 7 vjet pavarësie, kemi skena të ekzodit të përmasave alarmante të ikjes drejtë Serbisë, pastaj nëpër "dynja", duke e paraqitur tërë maskarallëkun tragjik para botës së civilizuar. 

Nga kush po ik populli i Kosovës?

Nga vetvetja, ashtu si shqiptarët e viteve të 90-ta iknin nga regjimi i vet dhe nga skamja, trishtimi dhe varfëria që kishte shkaktuar regjimi i egër komunist i Enver Hoxhës, ashtu siç po ikë tani populli i Kosovës nga pasojat e keqqeverisjes së shtetit të vet "Kosovës së lirë".

Derisa pushtetarët "patriotik" prodhuan këtë tmerr që kemi sot, këta po ndihmohen edhe nga disa "teoricienë", "sociolog", "analistë", e çka jo tjetër dhe çpikën kombin "Kosovar"!

Politikanët do i kuptojmë se nuk u mjaftoj ë dy shtete shqiptare. Mbase ata do dëshironin, meqë janë nevojë, shumë më shumë shtete shqiptare.

 Sepse, do kishim shumë më tepër presidenta, kryeministra e ministra dhe fotelje pushtetare të pafund. 
Ndoshta edhe dhjetë shtete shqiptare sikur të ekzistonin nuk do i plotësonin nevojat dhe apetitet e tyre për pushtet, duke e ditur thënien e vjetër: " Albanezi tuto Komandanti"!

Ideja për kombin kosovar është çpikje makabre dhe thellësisht antishqiptare, që synon të na ringjallë praktikën e Jugosllavisë socialiste të Titos për çpikjen apo "zbulimin" e kombeve të reja. Atëbot u "zbulua" kombi Musliman për Boshnjakët, kombi Maqedon për Bullgarët perëndimorë, si dhe kombi "Jugosllav" për bashkëshortësitë e përziera dhe për karrieristat politikë që identitetin e ri nacional donin ta kapitalizonin si dëshmi luajaliteti ndaj sistemit dhe shtetit dhe përparimi në karrierën e tyre politike.
Këto projekte makabre titiste, Boshnjakëve u solli shumë të këqia dhe ishte kurth që ua nxiu jetën dhe ardhmërinë. 

Unë isha student i Fakultetit të Shkencave Politike në Sarajevë (1974-1978) dhe isha shumë aktiv dhe i zjarrtë në debate me gojë, por edhe me shkrime për gazetën tonë, në redaksi të cilës isha, "Politolog", duke paraqitur bindjet e mia se sa e dëmshme dhe e pasaktë e e pasinqertë është çështja e emërtimit të tyre si komb musliman, kur dihet se reth dy miliardê myslimanë janë në botë, por secili ka kombin  e vet. 

Unë i thoja se edhe vet jam mysliman, por me kombësi jam shqiptar, sepse kam gjuhën dhe kulturën shqiptare dhe përkatësinë fetare myslimane. Ashtu edhe muslimanët e tjerë. Atëherë, pse, vallë, ata të quheshin Muslimaë e jo Boshnjakë? Historia e mëpastajme teagjike e tregoi këtë në mënyrë trishtuese.

Pastaj, Titoja shpiku edhe kombin Jugosllav, i cili "vdiq" bashkë me vdekjen e Jugosllavisë së Titos.

Si duket, edhe projekti i Nexhmedin Spahiut e Halil Matoshit dhe të ndonjë mbështetësi tjetër, që nuk e dijmë se prej nga e kanë këtë çpikje dhe këtë zbulim të madh, e "epokal", nga  ndjenja e gjenialitetit të tyre që po i nervozojmë na shqiptarët "kokëtul" që s'po i kuptojmë, apo ndoshta nga mbështetja e politikanëve të ndryshëm, si psh e Hashim Thaçit, i cili apelonte në facebook dhe media të tjera që të deklaroheni si kosovarë. 

Apo, ruana Zot, nga ndonjë rrjetë financimi e lobimi antishqiptar që paguan para të majme për "t'i bindur shqiptarët kokëtul"?

Pra, ideja e lancuar në etrin mediatik kosovarë ka prapavi thellësisht antishqiptare, meqë propagandon dhe synon që ta mbaj sa më larg, madje ta komprometoj dhe pamundësoj bashkimin kombëtar.

Vetëm ta përkujtojmë shkrimin makabër dhe albanofob të Halil Matoshit reth polemikës midis dy akademikëve me origjinë jokosovare: Akademik Hivzi Islami, nga Lugina e Preshevës dhe Rexhep Qosja nga Mali i Zi, të cilët i quan "ndotës të ambientit kulturor të Kosovës", meqë nuk janë "kosovarë të lindur", por na qenkan "kosovarë të natyralizuar!" Sic!!! 

Prandaj, të gjithë jokosovarët: Shqiptarët e Shqipërisë, Shqiptarët e Malit të Zi, Shqiptarë e Maqedonisë, Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk janë "kosovarë"! Andaj, sipas Matoshit, "ata e ndotin ambientin kulturorë të Kosovës.

Çka rezulton nga kjo?

Pra, logjikisht, duhet kapur "fshesën" dhe t'i përzëm ata nga Kosova!
 Kështu do "pastrohej ambientin
kulturor i Kosovës" dhe do mbeteshin "kosovarët": Oliver Ivanoviqi me serbët e tij, si dhe etnitë tjera, që do siguronin "ambient të pastër kulturor".





Wednesday, January 14, 2015

Bashkimi kombëtar, obligim i shenjtë!



Shkruan: Nehat Hyseni

Sa i përket çështjes së bashkimit kombëtar, që këto ditë u riaktualizua me deklaratat e Presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani, se "qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës nuk janë duke bërë asgjë për bashkimin kombëtar".

Ky deklarim eksplicit i kreut të shtetit të Shqipërisë ka bërë jehonë të fuqishme pozitive në  opinionin mbarëshqiptar, meqë është një kritikë serioze e performansës aktuale të dy qeverive respektive, dmth të Shqipërisë e Kosovës, që aktualisht paraqiten para publikut me skena spektakolare, si ajo e 11 janarit 2014, nga e cila "u tronditën malet" por nuk lindi as miu!

Pra, vërehet shumë qartë se tubimet e tilla midis dy qeverive kanë për qëllim qetësimin e opinionit shqiptar se ato e kanë brengë realizimin e aspiratave të popullit që përfaqësojnë. 

Por, megjithatë, sjellja demagogjike e tyre nuk mundi të mos demaskohej nga ata vet. Sepse, ata e bënë "namin", duke ndarë nga 50.000 euro dy qeveritë, dmth gjithsej 100.000 euro për "vëllezërit në Luginë të Preshevës. Këtu u vërejtë qartazi dhe botërisht se sa të papërgjegjëshme, minimizuese e përbuzëse ishin dy qeveritë ndaj këtij problemi nga një lëmoshë përbuzëse që e ndanë, siç u shprehë dikush me shpoti, "sikur t'i dhurohet një fëmiu një cent dhe t'i thuhet me zemërgjërësi: ja merri këto një cent dhe ndërto pallate dhe ardhmërinë e mirëqenien tënde!"

Për të qenë absurdi edhe më i madh, ato para u vonuan aq gjatë që t'u jipen atyre, sa që as në këto momente nuk e dijmë me saktësi të plotë se a u dhanë, apo jo.
Asnjë komb i Europës sot nuk sillet me kaq fodullëk primitiv, demagogji e papërgjegjësi morale e patriotike, se sa shqiptarët dhe dy qeveritë e tyre ndaj çështjes kombëtare.

 Dhe, absurdi këtu nuk merr fund. Jo, jo, nuk merr fund!

Përkundrazi, asnjë komb tjetër në Europë sot, përveç shqiptarve (dhe serbëve ndoshta) nuk e ka më të përmbushur retorikën e vet politike me aq patetizëm (kuazi) patriotik se sa shqiptarët!

Pra, retorikë, "patriotizëm" dhe mburrje kombëtare, sa të duash, por punë hiç. Siç thotë fjala popullore: "Fjalët si Demushi, e punën si kurkushi"!

Derisa deri dje ankoheshim se "nuk po na len Serbia për t'u bashkuar me Shqipërinë, për të punuar bashkërisht dhe për të realizuar projekte të ndryshme nga lëmi ekonomik, kulturor, artistik e politik, po tani, vallë, kush po na pengon që të bashkëpunijmë pafundësisht në të gjitha sferat e jetës edhepse jemi të vetëdijshëm se bashkimi formal do implikonte shumë barriera e pengesa ndërkombëtare?

 Por ama, për bashkëpunim të mirëfilltë e vëllazëror midis nesh, nuk ka dhe nuk mund të ket kurrëfarë barrierash e pengesash të tilla, pos që varet nga vullneti ynë politik dhe dashuria ndaj vlerave kombëtare.

Pra, askush nuk na pengon! Vetëm se vetë na po e pengojmë vetveten. 

Nga Serbia u çliruam disi, duke na ndihmuar Amerika e NATO, por nga vetvetja jonë, zor se do del dikush të na shpëtoj. 

Sidomos në rethanat aktuale, dramatike do të thoja në të cilën gjendet Kosova tani, e sfilitur dhe e katandisur si është më së keqi nga korrupsioni, papërgjegjësia dhe arroganca, duke e zhgënjyer tmerrësisht popullin e vet që tani ka marrë përmasa dramatike të shpërnguljes dhe ikjes  nga "Kosova e lirë dhe e Pavarur"!

Ashtu si gjermanët dhe shumë e shumë kombe të tjera, nuk mundën të jenë të ndarë pafundësisht si komb dhe si dy shtete të ndara, madje duke e ndarë kufiri qytetin e Berlinit përgjysmë, me nur të lartë, me tel me gjemba dhe me roje e mbikëqyrje të hekurtë, as shqiptarët nuk do jenë të ndarë pafundësisht, aq më parë që tani kufijtë nga të dy anët janë në duartë tona dhe lëvizja është maksimalisht e lirë dhe e papenguar.

 Pra, ajo që duhet të bëjnë doemos dy qeveritë shqiptare dhe  të gjithë ne, është onligimi i pashtyeshëm i vendosjes së bashkëpunimit të ngushtë e vëllazërorë midis dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha sferat e jetës shtetërore, ekonomike, kulturore e politike, në interes të popullit shqiptar, duke vendosur hallka dhe ura tê fuqishme e afatgjata bashkëpunimi të ngushtë, si një organizëm i përbashkët, unik.

 Me këtë do tê vendoseshin themelet faktike të bashkimit kombëtar dhe formimit të një shteti të vetëm të shqiptarve në Ballkan.

Urojmë që kjo të ndodhë sa më parë!

Saturday, January 10, 2015

"Ka baba pare, si zalli!"





Shkruan: Nehat Hyseni

Kemi filluar moti kohë të mbjellim bindjen sa demmagogjike, aq edhe të dëmshme, se: "Duhen rritur pagat!!!"

Ai që është kundër rritjes së pagave vihet para trysnisë së sindikatave, si dhe para opinionit, duke u shpallur "i paaftë", e çka jo tjetër.

Kështu, i bie të premtojmë në shtëpi fëmijve (lexo: miletit, popullit):

" Merrni, harxhoni sa të doni, se ka baba pare si zalli"!

Pra, kështu zhvendoset boshti i rrotullimit të Kosovës reth "orbitës logjike" dhe "çmentet trajektorja" duke na qitur jashtë rrjedhave të standardeve të organizatave financiare e ekonomike që kujdesen për "shëndetin ekonomik e financiar sipas rregullave e standardeve që vlejnë për mbarë Dynjanë.

Ma thotë mendja se, megjithatë, edhe fëmija që babai (lexo: Qeverisë) "zemërgjërë" e "yxhymert" bindjen sa demmagogjike, aq edhe të dëmshme, se: "Duhen rritur pagat!!!"

Pra, kështu zhvendoset boshti i rrotullimit të Kosovës reth "orbitës logjike" dhe "çmentet trajektorja" duke na qitur jashtë rrjedhave të standardeve të organizatave financiare e ekonomike që kujdesen për "shêndetin ekonomik e financiar sipas rregullave e standardeve që vlejnë për mbarë Dynjanë.

Ma thotë mendja se, megjithatë, edhe fëmija që babai (lexo: Qeveris) "zemërgjërë" e "yxhymert"vazhdim:
don t'i "azdisë fëmijtë (lexo: të punësuarit), sikur harron hallin kryesor të Kosovës sot, se kemi probleme me papunësinë e madhe dhe tragjike, që paraqet tmerrin që na futet deri në palcë, madje i krahasueshëm edhe me kërcnimet fashizoide të Sheshelit e makinës vrastare të Sllobodan Millosheviqit, se "Do i përzëm Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemura"! ( Oteraćemo Šiptare preko Prokletija). Dhe shpërngulën mbi një milion shqiptarë nga Kosova!

Mjerisht, tani me politikat tona patriotike jemi duke prodhuar skena të tmerrëshme, që ma kanë futur trishtimin deri në palcë duke parë ekzodin, ikjen alarmante nga Kosova. Dhe e keqja më e madhe qëndron pikërisht në faktin se, miq të nderuar, kësaj radhe po ikim nga Vetëvetja. 

Derisa për çlirimin nga Millosheviqi e Shesheli na ndihmuan NATO dhe Amerika, lum miku, a ke ide fare, të lutem të më tregosh, apo kushdo që di të na tregoj se, vallë, a ka dikush në këtë Dynja që do na çliroj nga vetëvetja?

Sepse, sot premtohet rritje e pagave të reth 73000 të punësuarve që paguhen nga Buxheti i Kosovës. 

Krahasuar me rajonin, arsimtarët e Kosovës tani, pa rritjen e premtuar prej 25% e kanë më të madhe rrogën se në Serbi, Maqedoni, etj. 

Kurse, me rritjen e premtuar, madje me kërcnim shpërthimi trazirash dhe grevash dhe me kërcnime groteske të sindikalistëve Kosovarë, sikur kërcnohemi se kush më parë mund ta rrezikoj e dëmtoj më keq e më rëndë këtë Vend të Bekuar, por, mjerisht: Kokëshkretë! 

Sikur kemi filluar t'i tregojmë "muskujt" se sa mundemi të rrënojmë, e nuk e çajmë kokën fare se sa mund të ndërtojmë!

Thënien e famëshme të kolosit të politikës Botërore, Amerikanit të Madh J. F. Kennedy: "Mos pyet se ç'bëri Amerika për mua, por pyet veten se ç'bëre ti për Amerikën!!!", e kemi kthyer mbrapshtë dhe gjithënjë e më tepër na ngulfasin krekosjet e politikan(ucave) e "heronjëve" tanë duke u mburrur se "ç'po bëjnë e ç'kanë bërë për Kosovën!" 

Ndërkaq, po vërejmë villa e pasuri marramendëse, si sheikë, të politikanëve, si dhe varfërim ekstrem e trishtues të Kosovës dhe popullit të saj, që tani ikën nga "Kosova e lirë dhe e Pavarur" dhe nga "meritat" e heronjëve aktualë, madje duke rrezikuar jetën e duke na u kthyer të vdekur, qoftë në ujërat e tmerrëshme të lumenjëve apo të ngrirë nga acarri.

 Kurse ne vazhdojmë se vazhdojmë, pa e prishur fare terezinë, duke i thurrur e kënduar këngën Vetvetes!

Kurse, fjala e urtë popullote thotë: "Kush i këndon Vetvetes, e vret Këngën!"