Monday, November 24, 2014

EKZODI I TË RINJËVE NGA KOSOVA, ALARM PËR TË GJITHË!




Shkruan: Nehat Hyseni 

Pamjet televizive të këtyre ditëve të shpërthimit të sërishëm të ekzodit të të rinjëve me autobusë të stërmbushur, nga stacioni i autobusëve në Ferizaj, nga Kosova ia mësyejnë drejtë Beogradit në Serbi. Kurse, prej aty shpërndahen gjithandej nëpër botë.  

 Këto pamje të braktisjes së Kosovës nga të rinjtë, që paraqesin ardhmërinë e këtij vendi, kanë shqetësuar shikuesit, janë të tmerrëshme, trishtuese dhe paraqesin zhgënjim të thellë në ardhmërinë e Republikës së Kosovës.

Derisa më parë, në kohën e regjimit të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, si dhe gjatë kohës së luftës së vitit 1999, e tërë bota mund të na kuptonte për arsyet e ikjes nga Kosova, tani e kemi shumë më të vështirë t'ua sqarojmë miqëve tanë ndërkombëtarë këtë fenomen trishtues, që është duke ndodhur në Kosovën e lirë, Sovrane dhe të Pavarur!

Sepse, të rinjtë ikin nga humbja e shpresave për një jetë më të mirë këtu, nga varfëria ekstreme e popullatës, që është duke u rritur me progresion gjeometrik.

 Kurse, nga ana tjetër, klasa politike e këtij vendi është shndërruar në sheikë të Ballkanit, me pasurimin përrallor të tyre dhe me jomoralitetin politik dhe bllokimin e shtetit e kapjen e pushtetit nga krimi, korrupsioni e papërgjegjësia.

Pra, aktualisht në Kosovë është duke ndodhur varfërimi ekstrem i popullit, nga njëra anë dhe pasurimi ekstrem i klasës politike të saj, nga ana tjetër.

Shpresat se më në fund do të ndodhë diçka e mirë, me prishjen e koalicionit LANV dhe me marrëveshjen për koalicionin PDK-LDK, sa duket, kanë hedhur vaj në zjarrin e ndezur dhe kanë shtuar edhe më tepër radhët e kolonave të braktisjes së Kosovës.

Këmbanat e alarmit duhet të ushtojnë anembanë Kosovës për mobilizimin e shoqërisë dhe klasës politike kosovare për ta zvogëluar dhe ndalur këtë dukuri trishtuese dhe ta kthejmë shpresën për një jetë më të mirë dhe më të pasur për të rinjtë dhe popullin, me politikanë më të përgjegjshëm dhe më të varfër. Ashtu si është realisht në botën e pasur, të zhvilluar dhe demokratike, që është ëndërr dhe synim i të rinjëve tanë.
 Mbase, ky do të duhej të jetë pikësynim dhe përgjegjësi edhe e klasës politike kosovare?!

Friday, November 21, 2014

"Tradhëti" apo "fitore historike" e LDK-së?


Shkruan: Nehat Hyseni

Koalicioni midis PDK-së dhe LDK-së që u negocua pas dështimit të Bllokut LANV, aktualisht ka tronditur thellë popullin e Kosovës. 

Efektet e kësaj tronditjeje janë aq shumë të fuqishme, sa që relialisht i kanë nxehur kokat e të gjithë atyre që filluan të besojnë se kishin identifikuar "të mirët" dhe "të këqinjtë" në spektrin politik të Kosovës, duke shndërruar- reduktuar "koloritin"e tij politik politik në vetëm dy ngjyra: "bardhë e zi".

Kështu, nga 10 qershori 2014, dmth. dy ditë pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, dëshprimi i thellë nga dështimi i LDK-së që nuk doli parti e parë dhe fituese të zgjedhjeve, kishte humbur shpresat dhe kishte zhgënjyer thellë votuesit dhe kreun politik të kësaj partie. 
Kryetari i saj, Isa Mustafa shënoi disfatën e dytë radhazi të LDK-së dhe të tij personale: e para ishte nga humbja spektakulare të bastionit të saj, komunës së Prishtinës,në zgjedhjet lokale të nëntorit 2013 dhe e dyta ishte humbja nga PDK e përçarë dhe e ndarë nga fraksioni "Nisma". 

Prandaj, koalicioni LAN i 10 qershorit 2014 shihej si shpëtim dhe shpresë e fundit e të mbyturit.

Ndërkaq, AAK pretendonte se me Ramush Haradinajn  e liruar nga Haga, në këto zgjedhje do të arrij rritje spektakulare, por dështoi duke u radhitur si parti e katërtë.

Kurse, Nisma e Fatmir Limajt testonte veten për herë të parë dhe arriti suksesin e pretenduar me kalimin e pragut zgjedhor dhe futjen e saj në Parlament.

Por, zhgënjimi i Lëvizjes Vetëvendosja nuk ishte më i vogël se ai i LDK-së dhe AAK-së, të cilët ishin inkurajuar nga fitorja e befasishme e komunës së Prishtinës dhe nuk mundeshin ta kuptonin kurrësesi se ai ishte Blloku PDK-AAK-LDD-AKR-VV kundër LDK-së. 

Mjerisht, sa duket, ata akoma nuk e kanë kuptuar këtë. Apo ndoshta tregojnë pasinqeritet dhe ta bindin opinionin dhe  akoma veten, si dhe ata që besojnë thellësisht se sinqeriteti është monopol i tyre. 

Prandaj, propozimi i Albin Kurtit për formimin e Bllokut LAN, u pranua menjëherë nga LDK, AAK dhe Nisma. Por, VV hezitoi dy muaj deri në bashkëngjitjen Bllokut politik që kishte propozuar vet, meqë sa duket nuk e gjente kurrësesi mënyrën se si do bëhej Albin Kurti kryeministër, ashtu si ishte bërë Shpend Ahmeti kryetar i komunës së Prishtinës, 7 muaj më parë?

Pra, Blloku LVAN paraqiste shpresën e fundit të shpëtimit të këtyre katër partive politike me emruesin e përbashkët "kundër keqqeverisjes së PDK-së dhe Hashim Thaçit ". 

Pra, të gjitga divergjencat programore, e mbi të gjitha hendekun e thellë të karaktereve politike të liderëve të tyre politik, ata e tejkaluan me mëtë formulë ideale të formimit të Bllokut LVAN, që filloi t'i ngjallë shpresat tek populli dhe tek këta liderë të zhgënjyer  ga PDK. 

Por, sa duket, synimet e popullit konsistonte në shpresat e shpëtimit nga rreziku i formimit të qeverisë "Thaçi 3", kurse liderët si mundësi për të fituar atë çka kishin humbur në zgjedhje dhe shihej si shndërrues gjenial i "humbësve" në "fitues".


Por, ato u mundën nga Hashim Thaçi dhe dështuan në maratonën pothuajse gjashtëmuajshe të rrezistimit.
Me shpërbërjen e Bllokut nga LVAN nga ambiciet joreale dhe të tepruara të partisë së katërtë, AAK-së dhe durimit triumfues të PDK-së dhe mundësisë së fundit të LDK-së për ta realizuar pretendimit dhe  premtimit gjatë fushatës për postin e kryeministrit, në mbrëmjen e 19 nëntorit 2014, përfundoi me marrëveshjen për formimin e koalicionit LDK-PDK.

Efektet shokuese për elektoratin e LDK-së, mendoj se do jenë afatshkrurtëra, duke u zvogëluar me kohë zemërimi i tyre nga fitorja e postit të kryeministrit. Kështu, parakosisht do të binden në të kundërtën të gjitha ata që u ngutën të deklarojnë se ky do të jet fillimi i fundit të LDK-së dhe Isa Mustafës. Sepse, ata që mendojnë me kokë të ftohët, racionalisht dhe jo me zemër, do të vërejnë se ndodhi pikërisht e kundërta!

Pra, LDK do e fitoj për herë të parë në historinë 15 vjeçare të pauftës, lostin e kryeministrit, që nuk e kishte arritur as në kohën e Ibrahim Rugovës, madhe as atëherë kur kishte fituar mbi 46% të votave!

 Kurse, kryetari i saj aktual Isa Mustafa do arrij kulmin e karrierës së vet politike, poqese  bëhet kryeministër. 

Pra, befasisht LDK dhe kryetari i saj, sado paradoksale që të duket nga të zemërit dhe të zhgënjyerit aktual, befasisht  u shndërrua në fituese historike të saj.

Prandaj, gjakrat gjatë kohës do të ftohen, kurse këto fakte do të mbeten, duke e kuptuar gradualisht këtë realitet të ri politik dhe efektet e qeverisjes me kryeministrinë nga LDK. 

Ndërkaq, atyre dhe të tjerë e do u mbetet obligimi t'ua sqarojnë vetes dhe të tjerë e se pse vallë na qenka tradhëti koalicioni LDK-PDK, e jo ai PDK-AAK? 

Kurse, Lëvizja Vetëvendosja gjatë kohës ndoshta do të arrij ta sqaroj se pse na qenka tradhëti koalicioni LDK-PDK dhe jo edhe koalicioni i saj i fshehur parazgjedhor kundër LDK-së për komunën e Prishtinës, si dhe shumë gjëra të tjeraidhur me morin e munguar politik të skenës politike kosovare, si dhe të asaj gjithëshqiptare.










Saturday, November 15, 2014

LVAN - terr në fund të tunelit?



Shkruan: Nehat Hyseni

Nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, kaluan pesë muaj dhe kaloi edhe java e parë e muajit të gjashtë dhe akoma nuk kemi arritur që ta konstituojmë Kuvendin e Kosovës dhe as ta formojmë qeverinë e re. 

E gjithë kjo dramë është duke ndodhur në "Kosovën e lirë", 15 vjet pas regjimit dhe policisë së Serbisë dhe pothuajse shtatë vjet pas shpalljes së Pavarësisë. 

Por, mjerisht, akoma nuk po i dijmë kufijtë e Kosovës së Pavarur e Sovrane dhe na është bërë lëmsh truri! 
Pra, nuk po e dijmë se a janë Mitrovica e veriut, Zubin Potoku, Zveçani e Leposaviqi, Kosovë apo jo,  që përbëjnë pothuajse 1/5 e territorit të këtij vendi?  

Sepse, siç e dijmë, ato nuk kontrollohen fare nga policia e Kosovës, doganierët barten me helikopterë në pikat doganore dhe aktrojnë se gjoja po e kontrollojnë qarkullimin e mallrave e kontrabandës, që paraqet parajsë për krim të organizuar në atë pjesë të "ashtuquajtur" Kosovë.

 Kjo "parajsë" e ka vënë në gjumë të thellë të vetkënaqësisë dhe hedonizmit të pafund e përallor të klasës politike të Kosovës, që nuk prajnë së derdhuri një oqean "lotësh krokodili" për "nënën Kosovë"!

Por, kjo Kosovë e shkretë, nuk mjaftohet me kaq dhe askush normal në këtë vend nuk e din se a është Kosovë Graçanica, Kllokoti dhe qytetet tjera të banuara me serbë, jashtë Kosovës së veriut dhe 1/5 së territorit të "Kosovës së lirë, sovrane e të pavarur"? 

Sepse, në të gjitha këto pjesë kryeministër është Aleksandër Vuçiq, valutë nacionale është dinari dhe nuk e di se çka u mungon tjetër të quhen Serbi, ashtu si Vranja, Prokupla, Kurshumlia dhe qytetet e tjera të Serbisë?!

Manovrat më të mëdha në histori Ruso-Serbe që po zhvillohen aktualisht në Serbi dhe në afërsi të Kosovës nuk i trazojnë askend nga "çlirimtarët e Kosovës", ashtu si pas luftës vendosja e kufirit mbi lumin Ibër, që ishte harruar fare. 

Sepse, pasi e "çliruam" Kosovën, rendi ishte që ta plaçkisnim, uzurponim e shkretëronim si është më zi! 

Kështu, prodhuam një shtet gjysmak, me një klasë politike "patriotike" që don t'ia shkulë nga themeli çdo element shtetësie, demokracie e menaxhimi të përgjegjshëm të atdheut. 

Madje, disa "intelektual(uca" u ngutën ta shpikin edhe kombin "kosovar", sepse kombi shqiptar na qenka i stërmadh dhe shteti i Kosovës superfuqi botërore! Haj medet! 
Të lumtë na për mençurinë (çmendurinë) dhe politikanët që kemi, të cilëve nuk u pushojnë lotët duke vajtuar për Kosovën dhe për fatin e këtij mileti.

Gara se kush do e shkatërroj e shkretëroj më tepër këtë vend të bekuar, sa duket, nuk ka të ndalur.

 PDK dhe Hashim Thaçi e shkretëruan e turpëruan dhe tmerruan Kosovën shtatë vjet dhe   
Koalicioni paszgjedhor që u krijua  më 10 qershor 2014, dmth dy ditë pas zgjedhjeve, midis LDK-së, AAK-së dhe Nismës, të cilit iu bashkangjit, pas shumë hezitimesh e kushtëzimesh, dy muaj pas, dmth më 10 shtator edhe Lëvizja Vetëvendosje, që krijuan mazhorancën prej 63 deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Kosovës. 

Kjo mazhorancë shqiptare kishte domethënie dhe rëndësi të madhe  për arsye se i jipte fund qeverisjes së pakicës shqiptare të PDK-së me minoritetet dhe diskriminimit e rrezikimit real të shtetzhbërjes së Kosovës dhe antishqiptarizmit që krijoi tradhëtinë më të madhe në Dialogun e Brukselit dhe Marrëveshjen monstruoze Kosovë - Serbi të 19 prillit 2013 të nënshkruar nga Thaçi e Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.

 Me këtë akt makabër, Hashim Thaçi e zhbëri shtetin, sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe e tradhëtoi Luginën e Preshevës duke e shitur në Beuksel për interesa të tij personale e partiake të kompanisë së tij antikombëtare.


Prandaj, firmimi i Koalicionit LVAN i ngjalli shpresat tek shumica e shqiptarve, duke e shikuar atë si shpresë dhe mundësi e vetme reale për t'i dhënë fund keqqeverisjes dhe antishqiptarizmit të Qeverisë Thaçi. 

Pra, shikohej si "dritë në fund të tunelit" dhe shpresë e fundit për këtë popull të shumëvuajtur.

Mirëpo, Thaçi na doli "kapuç me mëngë" dhe dëshmoi se siç nuk qitet në shpinë maca, ashtu edhe Hashim Thaçi dhe partia (kompania) e tij nuk mund të hiqen kollaj nga pushteti. 

Sepse, ishin përgatitur me kohē për ta kapur shtetin dhe institucionet aq fortë, sa që kanë filluar të na bindin se kishin hedhur themelet për krijimin e një Enver Hoxhe të ri, apo të një Putini fuqiplotë në Kosovë. 

Kushtetuesja, Presidenca dhe deputetja më e moshuar e kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, sikur ishin garancë e palëkundëshme për këtë. 

Pra, Hashim Thaçi ishte i bindur se kishte krijuar të gjitha premisat e domosdoshne për ta rrënuar parimin themelor të demokracisë parlamentare me anë të institucioneve të komanduara shtetërore nga ai personalisht, për t'i siguruar vetes mandat të përjetshëm në qeverisjen e Kosovês, ashtu si Titoja dhe Enver Hoxha dikur dhe Vlladimir Putini sot!
 LVAN gjatë kohës u dëshmua se nuk ishte në nivelin e nevojave politike të kohës, as profesionalisht, as moralisht, e as politikisht. 
Sepse, tendencat karrieriste brenda saj, sa duket rrezikojnë realisht zhbërjen dhe trënimin  e saj, si "kulla prej letre", meqë janë duke rënë në kurthin e Hashim Thaçit, duke rrezikuar të devijojnë të bëhen edhe më radikal se vet Thaçi, duke rrëshqitur në kurthin e (vetë)bindjes së tyre se: " Kosova jam unë!"

Prandaj edhe dëshprimi trishtues i popullit të Kosovës është legjitim. 
Sepse, jemi lodhur me eksperimentime dhe tendenca të ripërsëritjes së historisë trishtuese të krijimit të kulteve të personalitetit dhe "baballarëve" të kombit. 
Këtij populli dhe këtij vendi i duhet ndryshimi i
mentalitetit (keq)qeverisës, e kurrësesi rokadë personalitetesh dhe garë e papërgjegjësisë, keqmenaxhimit, korrupsionit e diktaturës në emër të "meritave" që klasa jonë politike në mënyrë patologjike dhe shizofrenike mendon se i ka dhe se kjo ua jep atyre të drejtën ta zhvatin e katandisin pafundësisht këtë nënqiell të Ballkanit dhe këtë popull të shumëvuajtur, i cili pati fatin historik të çlirohet nga armiqtë e vet shekullorë, duke i falemnderuar miqëve tanë ndërkombëtarë, në krye me SHBA-në.
 Mbase ka ardhur koha që tani të çlirohemi nga vetëvetja dhe t'i sigurojmë vetes vendin e merituar në familjen e popujve të përparuar e të civilizuar, si dhe shtetin e shoqërinë e bazuar në vlera të mirëfillta të demokracisë parlamentare.
Urojmë që e ardhmja të dëshmoj se liderët politik e dojnë Kosovën për t'i shërbyer popullit të vet, e jo për ta sunduar, shfrytëzuar e robëruar!







Wednesday, November 12, 2014

Efektet e vizitës historike të Edi Ramës në Beograd dhe në Luginë të Preshevës



Shkruan: Nehat Hyseni


Vizita e Kryeministrit shqiptar Edi Rama më 10 nëntor 2014 në Beograd, thënë troç, ishte vazhdimësi e atmosferës së ndeshjes futbollistike Serbi-Shqipëri, në stadiumin e Partizanit në Beograd.

Kësaj radhe, Edi Rama ia tha qartë Kryeministrit Vuçiq dhe serbëve në Beograd se Kosova është shtet i pavarur i pranuar nga 108 vende anëtare të OKB-së, që ia kalon madje edhe Malit të Zi.
Pastaj, Rama e përmendi edhe domosdoshmërinë e reciprocitetit midis të drejtave të serbëve në Kosovë me shqiptarët në Serbi. 

Mjerisht, këtë Thaçi nuk pati guxim e as gadishmëri e sinqeritet ta thotë në Bruksel, që e mbulon me turp dhe tradhëti kombëtare qeverisjen Thaçi gjatë shtatë vjetëve të keqqeverisjes së tij me Kosovën.

Mirëpo, Rama dështoi të kêrkoj formimin e Konsullatës shqiptare në Preshevë.
 Kjo sigurisht se do ketë pasoja të mëdha për të ardhmen e shqiptarve të Luginës së Preshevës.

Tuesday, November 4, 2014

"Rrethimi i Kalasë"




Shkruan: Nehat Hyseni 

Taktika e PDK-së dhe Hashim Thaçit kundrejt Koalicionit paszgjedhor LVAN i ngjetë shumë taktikës ushtarake që dikur e aplikonte ushtria osmane për ta thyer rrezistencën e mbrojtjes së shqiptarve nga pushtimi turko-osman.
Sidomos ishin mbreslënëse tentativat e sulltan Mehmetit Pushtuesit, në vitin 1474 dhe sidomos ai i vitit 1478 për pushtimin e Kalasë së Shkodrës.

 Meqë sulmet për ta pushtuar kalanë rezultuan me shumë viktima dhe pa sukses, ai vendosi që ta mbaj të rethuar Kalanë edhe gjatë dimrit, deri sa u thyen nga etja dhe uria mbrojtësit dhe u vetëdorëzuan.

Maratona e pritjes së formimit të institucioneve, Konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë së re, që u imponua nga performansa shtetbllokuese e PDK-së së Hashim Thaçit me institucionet e kapura shtetërore, Kushtetuesen dhe Presidenten, e pastaj edhe të deputetes më të moshuar të legjislaturës së re, deputetes Flora Brovina. 

Pra, tani PDK dhe Hashim Thaçi e kanë bllokuar shtetin e Republikës së Kosovës dhe meqë janë duke qeverisur vendin, ata janë duke bërë të gjitha makinacionet dhe të pabërat  për ta penguar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e vënë para ultimatumit këtë vend: O do e qeverisin PDK dhe Hashim Thaçi Kosovën, ose do mbetet Kosova e bllokuar nga ata!
Nga katandisja e Kosovës nga Thaçi & Company shpresojnë, sa duket, ashtu si shpresonte sulltani osman në vetëdorëzimin e shqiptarve dikur, ashtu këta shpresojnë sot se do e detyrojnë Koalicionin LVAN të thyhet nga mbrenda. 

Shpresat e tyre janë se  bllokimi i gjatë i Kosovës do të jep doemos rezultat, duke pritur që të shpërbëhet LVAN, apo edhe të depërtohet  brenda "kalasë" së LDK, duke lansuar tezën se Ramush Haradinaj nuk duhet të bëhet kryeministër, por se këtë post duhet ta ushtroj Isa Mustafa i LDK-së, meqë kjo është partia më e madhe e Koalicionit LVAN, me 30, nga 63 deputetë që i ka gjithsej ky Koalicion.

Pra, strategjia e PDK-së është që ta thyej me një veprim LDK-në dhe LVAN-in, me tezën se Isa Mustafa doemos duhet bërë Kryeministër, duke u futur në koalicion me PDK-në. 

Llogaritë e tilla mbështeten aktualisht, edhepse si zëra të vetmuar, nga disa aktivistë të LDK-së, që të mirëinformuarit e dijnë se ata ishin kundërshtarë të Isa Mustafës. 

Tani ata, me bekimin dhe ndihmesën e pakursyer të Hashim Thaçit, janë duke derdhur "lotë të krokodilit", kinse për interesa të LDK-së, meqë synojnë që Isa Mustafën ta bëjnë Kryeministër. 

Në opinion është duke u plasuar si kërkesë "për ridizajnimin e koalicionit LVAN".

Natyrisht, ky presion është ndërsyer nga Hashim Thaçi, por është i ndihmuar nga mbrenda LDK-së nga kundërshtarët e Isa Mustafës, si puna e Fatmir Sejdiut dhe mbështetësve të tij, që janë duke e pritur momentin e duhur. 
Ky koordinim i veprimeve të Hashim Thaçit me diverzantët brendapërbrenda LDK-së llogaritet se do jep efekte spektakolare, duke e shkatërruar Koalcionin LVAN dhe LDK-në, me"një të rame, dy të vrame", duke na rishpallur fituesin real të qeverisjes me vendin për mandatin 2014-2018 nga Kryeministri formal  i LDK-së dhe nga pushteti i hekurtë i PDK-së dhe Hashim Thaçit. 

Ashtu si ishte dikur koalicioni PDK-LDK dhe  tandemi Thaçi-Sejdiu.
Rezultatet e tandemit të tillë janë ndier gjatë kohë në Kosovë, meqë i mundësuan pozitën e "sulltanit" Hashim Thaçit dhe atë të servilizmit të padinjitetshëm të Fatmir Sejdiut. 

Kuptohet se pasojat e tilla nuk mund të përfundonin ndryshe, pos që sipas këshillave të Thaçit dhe grykësisë makabre të Sejdiut, t'ia jepnin grushtin vdekjeprurës partisë më të madhe në Kosovë, të Presidentit historik të Kosovës, vizionarit Dr. Ibrahim Rugovës.

Ajo që i trimëron aktualisht koalicionet e nëntokës LDK-iste me misionarët sekret të Hashim Thaçit, si duket, mund të konsistoj në vetëbesimin e tyre se kanë gjetur "formulën magjike" të suksesit të pretenduar të tyre!

Disa nga këta misionarë janë duke vepruar nga jashtë, si puna e disa PDK-istave që moti kohë kanë deklaruar me "profeci" koalicionin PDK-LDK, duke llogaritur edhe në "masonerinë" politike të ndërkombëtarëve, të cilët janë jetësisht të interesuar që ta mbyllin kapakun e "Kutisë së Pandorës" që ka filluar të shpërthej me megakorrupsionin në EULEX, që do i hapte rrugë zbardhjes së skandaleve të aleancës së mafiozëve ndërkombëtarë me ata vendorë, që ia kanë nxirë dinjitetin dhe perspektivën këtij vendi dhe këtij populli të shumëvuajtur!

Pra, Kosova aktualisht gjendet para sfidave të mëdha midis luftimit të së keqes që snellë keqqeverisja e vendit, nga njëra anë dhe mobilizimit dhe vendosmërisë për ta çuar deri në fund vendosmrinë për çrrënjosjen e së keqes, keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit të këtij vendi.

Sunday, November 2, 2014

Maratona shtetbllokuese e Kosovës



Shkruan: Nehat Hyseni

Kaluan pesë muaj nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014 dhe Kosova akoma nuk ka arritur ta konstituoj Kuvendin dhe ta formoj Qeverinë e re dhe institucionet tjera shtetërore.
Realisht, pështjellimi dhe ngërçi që ka marrë përmasa dhe karakteristika të krizës së thellë politike, ka një emër. Kjo është bllokadë politike e shkaktuar nga këmbëngulësia kokëfortë e Hashim Thaçit dhe partisë tij për ta (keq)qeverisur me këmbëngulje Kosovën edhe në mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2014-2018, edhepse nuk i ka numrat por i ka në dorë institucionet e kapura të Kosovës, nga njëra anë.

Kurse, nga ana tjetër, Koalicioni paszgjedhor LVAN është i vendosur për ta larguar nga pushteti dhe qeverisja e Kosovës dhe për ta çuar në opozitë Hashim Thaçin dhe partinë e tij, meqë ka shumicën parlamentare pre 63 deputetëve, kurse me  20 votat e minoritarëve ka gjithsej 83 deputetë. Mirëpo, nuk i ka institucionet, meqë ato janë në "kthetrrat" dhe "kanxhat" e fuqishme dhe të pamëshirëshme të Hashim Thaçit dhe partisë së tij.

Rrjedhimisht, pretendimet e PDK-së dhe të Hashim Thaçit personalisht, nuk kanë qenë asnjëherë dhe nuk janë as tani për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. 

Pavarësisht nga përshtypja e jashtëme që ishte krijuar. Përkundrazi, interesimi i tyre ka qenë për vazhdimin me qeverisjen e Kosovës. 

Prandaj, ata kërkonin koalicion me njërën nga partitë politike shqiptare, cilado qoftë ajo, vetëm e vetëm që t'ua mundësonte krijimin e numrave, dmth të mazhorancës qeverisëse. 

Kuptohet, doemos me dominim absolut të PDK-së dhe shefit të saj, Hashim Thaçit!

Pra, koalicioni i PDK-së me disa parti "xhuxhe", kishte në fillim 37 deputetë, kurse aktualisht i kanë mbetur 36, meqë deputeti I PD-sē Kelmendi deklaroi se nuk është pjesë e këtij koalicioni, pasi që nuk u pranua propozimi i tij për lejimin e shamive për nxënëse në shkollat publike të Kosovës. 

Prandaj, PDK-së i mungojnë hiç më pak se 25 vota për ta arritur shumicën parlamentare prej 61 deputetëve. Kuptohet, me 20 votat e deputetëve minoritarë.

Meqë kjo parti politike e ka pjekur mirë zanatin e blerjes së deputetëve nga radhët e partive të thera politike, ata u vetëshpallën "fitues" të zgjedhjeve qysh në mbrëmjen e 8 qershorit 2014! Të dehur nga fitorja e sërishme, ata ia vetësiguruan vetes triumfalizmin e përjetshëm, duke fjetur mbi "dafina".

Madje, bindja se përjetësia e pushtetit të tyre mbi Kosovën nuk u mëshef as gjatë fushatës parazgjedhore, e as atë mbrëmje të vonëshme të 8 qershorit. Pra, paralajmëronin ardhmërinë e "lumtur" të Kosovës, që mundoheshin ta shprehnin me "modestinë" e "Vozhdit" të tyre gjenial, se Zoti është në qiell sundues i amshueshëm i botës, kurse Hashim Thaçi dhe partia e tij janë sundues të amshueshëm të Kosovës në Tokë!

Hesapet e këtilla na dolën se ishin bërë "pa hanxhiun", meqë irrituan tërë spektrin politik të Kosovës. 
Kështu, më dhjetë qershor u formua Koalicioni midis LDK-së me 30 deputetë,  AAK-së me 11 dhe Nismës për Kosovën me 6 deputetë, dmth. gjithsej kishin 47 deputetë, që do i mjaftonin që së bashku me 20 votat e partive minoritare, të krijonin mazhorancën prej gjithsej 67 deputetëve.

Këtij koalicioni, pas shumë paralajmërimesh, hezitimesh, dilemash e kushtëzimesh, më 10 shtator 2014 iu bashkëngjit edhe Lëvizja Vetëvendosje me 16 deputetë, duke krijuar kështu mazhorancën prej 83 deputetësh, që paraqet shumicë të kualifikuar që mundëson ndryshime edhe të Kushtetutës dhe vendimmarrje, praktikisht për të gjitha çështjet më të rëndësishme.

Por, meqë PDK dhe Hashim Thaçi personalisht ishin të vendosur që me asnjë çmim të mos e lëshojnë fronin e pushtetit, ata ishin parapërgatitur me kohë për këtë, duke vendosur militantë partiakë në institucionet kyçe të Kosovës. 

Në Gjykatën Kushtetuese kishin kryetarin e saj Enver Hasanin, si dhe shefen e shtetit të Republikës së Kosovës, Presidenten Atifete Jahjaga. Kështu, ishte krijuar një "triumvirat", të cilit më vonë iu bashkëngjitë edhe militantja tjetër e kësaj partie, deputetja më e moshuar e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, Flora Brocina, të dalur nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014.

Pra, Hashim Thaçi u sigurua se i kishte në dorën e tij të fuqishme dhe në karakterin e tij të pamëshirshëm, të gjitha levat e domosdoshme, që do i mjaftonin për ta bllokuar formin e institucioneve të reja dhe konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re, duke e vënë Kosovën para ultimatumit të pamëshirshëm: Ose do ta qeverisin ata Kosovën, o ndryshe nuk bënë!

Kështu filloi "maratona" e bllokadës së shtetit të Kosovës. Pikërisht nga ata të cilët pretendonin se "e çliruan" atë?! 

Edhepse akoma nuk i është e qartë këtij populli kokëshkretë se çka dreqin bënë aeroplanat e NATO-s, që madhe edhe krevatin dhe dhomën e gjumit ia bombarduan Millosheviqit në zemër të shretit të tij në Beograd, si dhe të gjitha kazermat e Ushtrisë Serbe në Serbi e Kosovë, duke i detyruar të flejnë jashtë!
Sido që të jetë, si duket do jetë tejet vështirë të çrrënjoset bindja, mentaliteti dhe praktika e performansa qeverisëse se Kosova është pronë e tyre, se u takon vetëm atyre dhe se ky popull ka "nderin dhe fatin" që të jetë rob i tyre.
 Kurse, ata janë të gjykuar të jenë sundimtarë të përjetshëm të saj!

Logjika e tillë e mbrapshtë, në kushtet e kapjes së pushtetit, drejtësisë, institucioneve dhe shtetit ka imponuar "perandorinë" e kësaj bote nga kjo "kastë" politike.
Mjerisht, Koalicioni LVAN deri më tani  nuk arriti të gjejë zgjidhje për "çlirimin" e Kosovës nga këta "çlirimtarë" të vetëquajtur. 

Natyrisht, LVAN-in do ta fajësonin për paaftësi dhe padituri vetëm ata të cilët nuk i dijnë përmasat reale të fuqisë së pushtetit të qeverisjes së deritanishme. Por, gjithashtu edhe motivimin hamletian të Qeverisë Thaçi: "To bee, or not to bee"!!!

Sepse, të gjitha interesat e tyre janë të lidhura me pushtetin, që kanë krijuar logjikën mesjetare të kohës së sulltan Sylejmanit të Madhërishëm: "O do sundosh, o do persekutohesh!!!"
Prandaj, nuk ka asnjë dilemë se synimet dhe pretendimet këmbëngulëse të PDK-së nuk janë tek posti i Kryeparlamentarit. Jo, jo! Sepse, aty pare nuk ka. 

Paret dhe pushteti real janë në Qeveri, e cila menaxhon me "kasën" ( buxhetin) e shtetit. Ky fakt determinon luftën politike aktualisht në Kosovë.

 Por, njëkohësisht edhe paraqet vështirësi dhe sfidë reale për Bllokun LVAN reth ndarjes së posteve midis tyre.

 Sepse, me marrëveshjen LAN të 10 qershorit, për postin e kryeministrit ishte caktuar Ramush Haradinaj i AAK-së, si dhe për postin e kryeparlamentarit Isa Mustafa i LDK-së. 
Luhatja eventuale nga kjo marrëveshje, sipas llogaritjeve të PDK-së dhe Hashim Thaçit, do e prishte Koalicionin LVAN.

 Së paku ashtu presin ata. Se a do të ndodhë realisht kështu, kjo mbetet të shihet. 

Por, unë mendoj se, megjithatë LVAN ka forca, difuri dhe mbi të gjitha vullnet e vendosmëri që t'i qëndroj deri në fund betejave dhe sfidave që e presin atë në betejën e vështirë, por madhështore, që do ia kthej shpresat këtij populli të shumëvuajtur se "ka dritë në fund të tunelit" dhe se rrugëdalja do të gjëndet për largimin e kësaj keqqeverisje dhe këtij keqmenaxhimi të Kosovës!


Saturday, November 1, 2014

A u shit çështja e shqiptarve të Luginës së Preshevës në Bruksel?



Shkruan: Nehat Hyseni

Befasia e përjashtimit definitiv të çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës, apo Kosovës Lindore nga Marrëveshja për normalizimin e marëdhënieve Kosovë-Serbi të 19 prillit 2013, në Bruksel, të nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e komisioneres së lartë të Këshillit të BE-së, baroneshës Catherine Ashton, është e madhe, zhgënjyese, e papranueshme dhe definitivisht e pa kuptueshme!

Kur këtij akti makabër i shtohet edhe fakti se në reth 30 raunde bisedimesh, që kanë zgjatur të gjitha së bashku, reth 500 (pesëqind) orë bisedimesh e ballafaqimi të ekipit negociator të Kosovës dhe atij të Serbisë dhe në asnjë rast e në asnjë moment nuk janë përmendur shqiptarët në Serbi, e veçanërisht shqiptarët e Luginës së Preshevës, sikur të mos ekzistonin ata fare, kjo vërtetë është shumë vështirë të besohet, e aq më pak të kuptohet e arsyetohet!

Po të ishte gjallë ish lideri (i kompromituar) komunist i Kosovës, Rrahman Morina, do të thoshte se këtu është në pyetje "një dreq i madh"! 

Mbase, këtë "dreq të madh" mund ta dijë vetëm Hashim Thaçi dhe ekipi i tij negociator se për çka realisht bëhet fjalë?
 
Ose, thënë troç: do sqarohej arsyeja e kryetradhëtisë kombëtare të ekipit negociator kosovar dhe do hiqeshin dilemat dhe dyshimet se, a thua vallë, pse u shitë kauza e kësaj pjese të trungut shqiptarë, që jeton me shekuj në trojet e veta stërgjyshore?
Dilemat dhe dyshimet reth kësaj mjegullnaje dhe këtij misteri të pasqarueshëm politik, që nga shqiptarët e Luginës së Preshevës përjetohet si zhgënjim i rëndë, me mllef të papërmbajtur, si akt kryetradhëtie kombëtare. duhen sqaruar patjetër!
 Sepse, kjo duket aq e pakuptimtë dhe aq e pasqarueshme, kur ekipi kosovar u paraqitë si "dele e butë", e zbutur dhe stërzbutur, që bënte "amin" me shërbimin e argatit dhe shërbëtorit të përkuljes së padinjitetëshme dhe të pakusht ndaj Serbisë, duke ia mundësuar asaj marrjen e ftesës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
 Kurse, Kosova mbeti si "dele e zezë" në Europë e Ballkan, si shteti i vetëm i izoluar si në "karantin" nga bota e civilizuar dhe Europa, duke i lënë shqiptarët e Luginës së Preshevës plotësisht të pambrojtur dhe duke mos treguar minimumin elementar të ndjenjës kombëtare dhe të përkujdesjes vêllazërore ndaj tyre.

Enigma e përuljes së këtillë të Hashim Thaçit dhe ekipit të tij negociator dhe të kësaj kryetradhëtie kombëtare ndaj kësaj pjese të Shqiptarisë, paraqet makth mbytës dhe nxitë shumë dilema, se vallë pse u bë e gjithë kjo vepër antishqiptare e antikosovare?!

A thua vallë u shantazhua, u korruptua, apo ndoshta ishte i frikësuar nga diçka tjetër?

 Apo ndoshta ishte ekip joprofesional, i pa ditur dhe i paaftë për t'u sjellur konform nevojave dhe interesave tona kombëtare e shtetërore?

Kosova u kantonizua ashtu si Bosna dhe u bë shtet plotësisht jofunksional, me formimin e Asociacionit të (dhjetë) komunave serbe, që realisht paraqet formim të ekuivalencës së Republika Srpska të Bosnes.

Pra, në Bruksel u shit definitivisht sovraniteti dhe pavarësia e Republikës së Kosovës dhe u tradhëtua në formën më jodinjitoze, të papërgjegjegjëshme e gjakëftohët kauza e shqiptarve të Luginës së Preshevës?

Por, prap na risillet në mendje pafundësisht pyetja: Vallë, pse ndodhi e gjithë kjo?

Afera e megakorrupsionit në EULEX që shpërtheu këto ditë si vullkan i fuqishëm në sipërfaqe, nga  shitja e "drejtësisë" për para të majme, që sipas të gjitha gjasave, paraqet vetëm fillimin. 

Natyrisht, poqese atë nuk e mbyllë dora e hekurtë e politikës. 

Sepse, siç u deklarua në media, rrënjët e korrupsionit në EULEX janë të thella. Madje, sipas të gjitha gjasave, u paraqitën dyshime në media se ato mund të shkojnë deri tek baronesha Catherine Ashton?!
Poqese kjo del e vërtetë, do i zhgënjente keq  shqiptarët në përgjithësi, e sidomos kosovarët, në drejtësinë europiane. 

Por, hapja e "Kutisë së Pandorës" së të këqiave, punëve të pista, korrupsionit dhe mafiozllëkut të drejtësisë dhe politikës europiane në Kosovë dhe reth saj na çon më tutje në dyshimet radikale për gjithçka e keqe që ka ndodhur në Kosovë dhe reth saj.
 Pra, imponohet pyetja dhe dilema se, a thua mos është korruptuar ekipi negociator i Kosovës në Bruksel?
Apo ndoshta mund të jetë shantazhuar?

Gjithësesi, në një atmosferë pasigurie dhe dyshimi, ghithçka vehet në dyshim!
Kjo është gjendje e tmerrëshme, kur dyshohet në gjithkend e në gjithëçka nê këtë vend.
Prandaj, puna e parë e Qeverisë së re, që shpresojmë të formohet së shpejti, patjetër duhet të jetë anulimi i Marrëveshjes së 19 prillit 2013 të Brukselit, duke e çuar çështjen në Komisionin e Venedikut, për ta vlerësuar rregullshmërinë juridike konform parimeve dhe normave ndërkombëtare, si dhe formimi i grupit të pavarur të hetimeve të gjithë asaj që ka ndodhur në Bruksel.
 Shpresojmë se vetëm hetimet radikale dhe profesionale mund të na sqarojnë enigmat dhe mjegullnajês e dyshimeve të bazuara reth këtij veprimi makabër, qê e dëmtoi rëndë Kosovën dhe shqiptarët e Luginës dhe do i hapej rruga fillimit të njê faqeje të re të qeverisjes së Kosovës me "duar të pastra", duke iu dhënë grushti i merituar keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit të deritanishëm.