Me
rastin e zgjedhjeve Parlamentare të 8 qershorit 2014, Shoqata e
Qytetarëve të Luginës së Preshevës, edhe pse janë mbi 30.000 votues
shqiptarë të kësaj ane që jetojnë, punojnë e veprojnë në Kosovë, nuk ka
paraqitur Listë zgjedhore për të kandiduar në këto zgjedhje si
Inisiativë Qytetare, apo për t’u shndërruar në parti politike, për t’i
përfaqësuar politikisht interesat e tyre.
Andaj, ftojmë të gjitha
subjektet dhe partitë politike të Kosovës që, poqese e dëshirojnë votën
tonë, të paraqesin strategjinë dhe planet e tyre praktike për t’i
ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës, konform Rezolutës së
Kuvendit të Kosovës për të Drejtat e Shqiptarve në Preshevë, Bujanoc dhe
Medvegjë, Nr.04-R-011, të 6 qershorit 2013, të nënshkruar nga kryetari i
Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Jakup Krasniqi, që përcakton
obligimet e Qeverisë së Kosovës:
“1. Qeveria e Republikës së Kosovës
të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë, me kujdesin dhe interesimin
shtetëror për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë,
Bujanoc dhe Medvegjë lidhur me të drejtat e tyre civile, politike dhe
etnike;
2. Qeveria e Republikës së Kosovës të ketë më shumë
përkujdesje dhe trajtim më të mirë për qytetarët shqiptarë të Preshevës,
Medvegjës dhe Bujanocit, të cilët janë shpërngulur në Kosovë duke iu
garantuar të drejta të plota dhe të barabarta;
3. Qeveria e
Republikës së Kosovës të hapë një zyre në Prishtinë dhe në Gjilan për
qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me qëllim mbrojtjen dhe
përmirësimin e gjendjes dhe atyre të cilët janë shpërngulur nga atje
sipas normave ndërkombëtare;
4. Të krijohen lehtësi të
qarkullimit, shkollimit, afirmimit kulturor, pajisjeve me dokumente
përkatëse si dhe lehtësi tjera, duke përfshirë suspendimin e taksës
diskriminuese;
5. Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkon nga
institucionet ndërkombëtare dhe institucionet relevante që të liroj të
burgosurit politikë duke përfshirë të ashtuquajturin grupin e Gjilanit
që janë viktima të një procesi të montuar politik;
6. Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkoj reciprocitet të plotë me të drejtat e serbëve pakicë në veri të Kosovës;
7.
Kuvendi i Republikës së Kosovë mbështet nismën e themelimit të një
Universiteti Publik në gjuhën shqipe dhe fton përfaqësuesit politikë dhe
institucionalë të marrin nismë ligjore;
8. Kuvendi i Republikës
së Kosovë mbështet themelimin e fondit zhvillimor për Preshevë, Bujanoc
dhe Medvegjë me iniciativën e Qeverisë së Kosovës dhe në koordinim me
institucionet ndërkombëtare dhe evropiane;
9. Kuvendi i
Republikës së Kosovës fton Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera
ndërkombëtare që të angazhohen për detyrimin e Republikës së Serbisë për
të respektuar të gjitha të drejtat që dalin nga Konventat
ndërkombëtare;
10. Qeveria e Republikës së Kosovës të themelon
grupin ndërministror për implementim që përfshin edhe vizitën e mundshme
të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane dhe Ministrisë për
Integrim Evropian”.
Mjerisht, edhepse është obligim dhe detyrim
Kushtetues i Qeverisë për ta zbatuar në tërësi këtë Rezolutë,
megjithatë, u hoq vetëm taksa diskriminuese, e cila i plaçkiti mbi 30
milion euro nga këta shqiptarë të shkretë, të cilët mbetën jashtë
Kosovës pa fajin e tyre, për t’i lejuar për të hyrë në Kosovë.
Kurse, të gjitha pikat e tjera nuk u përfillën fare nga Qeveria e z. Hashim Thaçi!
Prandaj,
i bëjmë thirrje të gjithë votuesve shqiptarë me origjinë nga Lugina, që
t’i votojmë vetëm ato forca politike që premtojnë realizimin me
përpikmëri të kësaj Rezolute, si kusht për përmirësimin e pozitës
skajshmërisht të papranueshme, të papërfillshme dhe të pashpresë në të
cilën jemi katandisur nga keqqeverisja dhe mospërfillja e deritanishme!
Urime dhe suksese në këto zgjedhje!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe të gjithë shqiptarët, kudo që janë!
No comments:
Post a Comment