Miratimi i vendimit për formimin e
Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës, me votat e “krahut të luftës”
(PDK,AAK), të ndihmuar nga LDK dhe të tjerë, nga shumëkush shikohet si
“fillim i fundit” të karrierës politike të Hashim Thaçit & Company.
Bindja e këtillë, që ka filluar të
qarkulloj gjithandej në opinionin politik në Kosovë, mbështetet në
faktin se, sipas bindjes së tillë, Thaçi me angazhimin e tij pë
thmeleimin e Gjykatës Speciale për Kosovën e ka “prerë degën” në të
cilën qëndron edhe vet.
Sepse, kjo Gjykatë, sipas të gjitha
gjasave, do t’i përfshijë bashkëpunëtorët dhe bashkëluftarët më të
ngushtë të tij. Pikërisht ashtu si u shprehë miku i madh i shqiptarve
dhe Kosovës, James Rubbin, vitin e kaluar në “Sheshin 21”, me rastin e
marrjes së Mirënjohjes për kontributin e dhënë të tij për çlirimin e
Kosovës. Ai deklaroi qartë atëherë, se ka ardhur koha që të tërhiqet nga
pushteti “krahu i luftës”, siç deklaroi Rubbin: “në kulmin e
autoritetit që gëzojnë”. Por, çuditërisht, askush nuk e mori seriozisht
këshillën e tij!
Natyrisht se ky zyrtar i lartë
Amerikan shprehte qëndrimin zyrtar të SHBA-së, të cilin Rubbin na e
përcolli në formë shumë të përshtatshme dhe miqësore. Fitohej përshtypja
se pushtetarët tanë e ndienin veten më të mençur dhe më të fuqishëm se
Amerika. Prandaj edhe “nuk ia varën” fare!
Askush nuk u thellua ta pyes veten se, vallë, pse ky mik i madh i yni na këshilloi kështu?
Sigurisht se Administrata Amerikane e
përcjellë ecurinë e gjërave dhe performansën e pushtetarëve tanë, madje
deri në detajet më të imta. A nuk ishte dëshmi për këtë zbulimi I
telefonatave dhe afera “Pronto”, ku iu bë me dije të gjithëve se
përgjohen e përcillen deri në detaje, pa asnmjë përjashtim. Prandaj, ata
janë të informuar mirë e saktë për gjithçka ka ndodhur në Kosovë dhe
reth saj, si para Luftës, gjatë dhe pas saj.
Se nuk ishte gjithçka në rregull dhe
pastër gjatë Luftës dhe pas saj, këtë e dijnë të gjithë, si i thonë
fjalës “edhe guri e druni” e dijnë këtë. Kjo madje u pa edhe gjatë
votimit të paradokohshëm të ligjit mbi veteranët e luftës, ku deputetët e
Kuvendit të Kosovës i ndanë luftëtarët e lirisë sipas interesave
partiake, pra bi baza politike. Atë që nuk e bëri as armiku në luftë, e
bënë pushtetarët tanë, tani në paq.
Dikush mund të bëjë, me të drejtë
vërejtje se, gjithkund në luftë ndodhin vrasje, vuajtje, sakrifica,
shkretërim dhe humbje pasurie e jete. Ashtu siç e dijmë se ka
përjashtime. Madje paradoksale. Pra, se dikush jo vetëm që nuk
varfërohet e masakrohet në Luftë, por del nga ajo i pasur, madje edhe
milionerë!
Prandaj, edhe Kosova nuk ishte
përjashtim nga ky rregull makabër dhe i pashkruar. Madje, dalin edhe
“patriota” edhe milionerë! Sepse, “ujku don mjegull”. Dhe ata që janë
“ujq”, dijnë ta shfrytëzojnë këtë formulë magjike: “hem patriotë, e hem
milionerë”!
Ashtu ishte në luftën e Kroacisë,
pastaj edhe më tepër në luftën në Bosne. Por, ashtu ishte edhe në Serbi
gjatë dhe pas luftës së Kosovës, ku u paraqit e ashtuquajtura “Plaçkitje
Patriotike”, duke u krijuar milionerë serbë matrapazët e ndryshëm dhe
vagabondat e kriminelët ordinerë, si puna e Arkanit, Sheshelit,
Veselinoviqit dhe tarafit të tyre.
Ata u pasuruan dhe u bënë milionerë e
miliarderë, me “punën patriotike” të tyre për “t’i ndihmuar dhe
mbrojtur vëllezërit” e tyre serbë nga “armiqtë shqiptarë”.
Në emër të këtij “patriotizmi”, këta
kriminelë serbë tmerruan bashkëkombasit e tyre në very të Kosovës, duke
u shetitur dhe gjuajtur vend e pa vend nga kallashnikovët dhe armatimi
tjetër i tyre. Ata krijuan “mbretërinë” e tyre mafioze në atë pjesë të
Kosovës, duke vendosur pastaj edhe barrikadat famëkeqe dhe duke i dalur
zot jo vetëm tokës, por edhe njerëzve (serbë) atje.
Qeveria e Millosheviqit kishte
krijuar banda kriminale paramilitarësh, të cilët i financonte dhe
mbështeste për të masakruar popullsinë e pafajëshme dhe të pambrojtur,
në Kroaci dhe Bosne, e pastaj edhe në Kosovë.
Por, u paraqitën edhe banda
kriminale nga radhët e kroatëve në Kroaci dhe të boshnjakëve në Bosne,
si “mbrojtës” të polullatës së vet, të cilët fillimisht, madje u
infiltruan edhe në pushtet.
Mjerisht, edhe Kosova nuk mund të
themi se ishte përjashtim nga ky “regull”, kur në “mjegullën” e luftës u
paraqitë profiterë e kriminelë të ndryshëm që e shfrytëzuan rastin që
në emër të luftës së drejtë për liri, kryen krime makabre dhe e dëmtuan
rëndë imazhin e luftës sonë të drejtë dhe të shenjtë për liri e
pavarësi.
Nuk munguan as vrasjet misterioze të
kundërshtarëve politikë, dhunimet e masakrimet, që e komprometuan rëndë
imazhin e UÇK-së në popull, duke humbur besimin tek një pjesë e madhe e
tyre.
Formimi i Gjykatës Speciale pikërisht
ka për mision pastrimin e imazhit të luftës së shenjtë për liri, nga
kriminelët dhe matrapazët e ndryshëm të cilët u infiltruan në pushtet,
në emër të “meritave të luftës”.
Kështu do të ndahet “shapi prej
sheqerit”, duke i ngritur edhe më lartë, ashtu si e meritojnë figurat
emblematike të luftëtarëve të lirisë, që u flijuan për lirinë tonë,
veprimtarëve idealistë që vepruan e kontribuan palodhshëm për lirinë dhe
pavarësinë e Kosovës.
Andaj, Gjykata Speciale pritet se do
ta spastroj skenën tonë politike dhe do t’i jep fund definitivisht
praktikës që kriminelët ta udhëheqin shtetin e Kosovës, duke e ngulfatur
me korrupsion marramendës që ia ka zënë frymën zhvillimit normal dhe të
gjithanshëm të vlerave të mirëfillta të shoqërisë sonë, lirisë dhe
demokracisë.
No comments:
Post a Comment