Monday, December 16, 2013

Viti 2013, i mbrapshtë për shqiptarët e Luginës së Preshevës

Poqese bëjmë rekapitulimin në këtë fundvit për sukseset, gabimet dhe dështimet politike të Luginës së Preshevës, atëherë “bilanci politik” sigurisht se do të na del një rezultat katastrofal, i shkaktuar nga dështime, teke, huqe e skandale të shumta.
Sa duket, viti ’13, që u cilësua si vit “ters”, për shkak të numrit 13 si “baksëz”, në Luginë qysh në ditët e para të fillimvitit, filloi me situatë të tensionuar politike rreth Lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, që ishte vendosur para ndërtesës së Kuvendit të Komunës në Preshevë, të cilin xhandarmeria serbe e hoqi në mënyrë spektakulare, në orët e hershme të mëngjesit të së dieles së 20 janarit. Ky Lapidar ishte vendosur pa siguruar lejen adekuate dhe, mjerisht, dyshojmë se ishte pjesë e lojës së pasinqertë politike të kryetarit të komunës së Preshevës, z.Ragmi Mustafa, i cili kërcnohej se poqese hiqet nga Qeveria e Serbisë, ai “do të jipte dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet” dhe se pozita qverisëse e klomunës “do t’i ndërpriste e të gjitha raportet me Serbinë”! Kurse, “komandantët” e UÇPMB-së premtonin “mbrojtje me luftë”. Por, na doli se të gjitha këto kishin qenë premtime të pasinqerta dhe joserioze, ose siç thotë populli donin ta “trembnin harushën me shoshë”. Ndodhi ajo që askush nuk mund ta besonte: premtimet boshe të kryetarit të komunës dhe partisë së tij, duke mos dhënë fare dorëheqjet e premtuara publikisht në RTV “Koha” të Kosovës, si dhe “komandantët” i kishte zënë gjumi dhe askush nga ata as “lavrën e minit” nuk e bëri për mbrojtjen apo vendosjen e kujdestarisë pranë Lapidarit. Shikuar nga ngjarjet e mëpastajme, Lapidari na del si punë shumë e dyshimtë, me qëllim të shmangies së vëmendjes së opinionit shqiptar nga bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, midis kryeministrit Thaçi dhe Daçiqit, me ndërmjetësimin e Komisioneres së lartë të Këshillit të BE-së, Baroneshës Catherine Ashton, që ishin para finalizimit. Ky qëllim u arrit plotësisht. Pra, Lugina e Preshevës nuk u përmend fare në tavolinën e bisedimeve, në asnjë takim, apo raund bisedimesh në Bruksel dhe nuk u përfshi në Marrëveshjen e nënshkruar më 19 prill 2013 nga Kryeministrat Thaçi e Daçiq dhe nga Baronesha Catherine Ashton. Se kjo gjë nuk ishte e rastit dhe e paplanifikuar mirë e mirë edhe nga disa politikanë shqiptarë të Luginës, në koordinim implicit me Qeverinë e Serbisë dhe me kryeministrin Daçiq, na dëshmoi reagimi i ashpër i Ragmi Mustafës kundër propozimit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, z. Hajredin Kuçi për formimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi, si pandan dhe kundërpërgjigje e shqiptarve të Luginës ndaj propozimit të Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Anti-institucionalizmi si sfidë/Natyrisht se këto veprime politike kishin histori më të gjatë, meqë vepronin me vendosmëri dhe vullnet të paparë kundër çdo forme të institucionalizimit të faktorit shqiptar në Serbi si faktor unik. Kështu ata vepruan kundër formimit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në vitin 2010, duke bërë luftë të egër dhe të pa kompromis, e herë-herë edhe të tmerrshme. Fatmirësisht, ata u mundën nga vota shumicë e popullit në zgjedhjet e 6 majit 2010. Por, ata nuk pushuan kurrë në veprimet e tyre diverzive kundër këtij institucioni të vetëm të shqiptarëve në Serbi., duke u ndihmuar edhe nga shumë politikanë destruktivë dhe antishqiptarë të Serbisë. Të dërrmuar nga stërkamshat dhe konfliktet midis vetit, lider(ucat) politikë të Luginës, të mbështetur për muri nga veprimet e xhandarmerisë serbe me rastin e heqjes së Lapidarit, mbajtën mbledhjen e Këshilltarëve shqiptarë të kuvendit komunal të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si institucion joformal, duke anashkaluar tërësisht Këshillin Nacional si institucion i njohur nga ndërkombëtarët dhe nga Qeveria e Serbisë. Duhet theksuar se në atë mbledhje nuk u miratua Platforma e përbashkët e veprimit të shqiptarëve të Luginës, por u miratua një material i pasistemuar profesionalisht, që ishte konfuz dhe nuk jepte një pasqyrë të thuktë të gjendjes dhe masave e aktiviteteve që do të propozoheshin për tejkalimin e saj. Ishte një përshkrim i gjerë dhe i pa fokusuar, si dhe metodologjikisht i papranueshëm. Pra, u hartua sa për “sy e faqe”, pa i adresuar problemet, dukuritë dhe bartësit e aktiviteteve, si dhe institucionet që duhej njoftuar.
Është e pafalshme sjellja mospërfillëse edhe e partive politike, që nuk këmbëngulën domosdoshmërisht k që ky institucion të jet bartës i aktiviteteve kombëtare për shqiptarët e Luginës. Ata e arsyetuan këtë si “lëshim pe” dhe si kompromis, me qëllim të krijimit të unitetit veprues të faktorit politik shqiptarë në Luginë, duke hequr kështu dorë nga përfshirja e KNSH në këtë proces. Ky është gabim i pafalshëm, meqë i kontribuoi defaktorizimit të shqiptarëve në Serbi, si dhe mospërfshierjes së tyre në Dialogun e Brukselit, meqë KNSH paraqet të vetmin institucion unik të shqiptarve të Luginës të pranuar nga institucionet ndërkombëtare dhe nga Qeveria e Serbisë, si dhe nga Prishtina dhe Tirana zyrtare. Por, mjerisht, ky institucion kombëtar nuk pranohet nga partite politike shqiptare që udhëheqin aktualisht komunën e Preshevës, si dhe nga ata të komunë komunës së Bujanocit!
Humbja e kredibilitetit politik/Nuk duhet të harrojmë faktin se Kryeministri i Kosovës shfryu mllef të paparë kundër disa liderëve politik të Luginës, të cilët ishin të pasinqertë dhe jepnin deklarata e premtime të mëdha për dorëheqje nga të gjitha postet politike poqese hiqet Lapidari, kurse nuk mbajtën premtimet. Edhe shqiptarët e Luginës ishin të zhgënjyer me këta liderë të pamoralshëm, që gënjyen opinionin pa fije turpi e morali njerëzorë e kombëtar. Autoriteti i liderëve shqiptarë të Luginës, e sidomos e atyre që jepnin premtime megalomane i shtoi në mënyrë drastike kolonat e shpërnguljes së shqiptarëve të kësaj ane, duke i lënë bosh trojet dhe pasuritë e tyre stërgjyshore.
Lugina e Preshevës në vitin 2013 e humbi në mënyrë të kobshme dhe të pakthyeshme shansin historik për t’u përfshirë në Dialogun e Brukselit, ku do të trajtohej sipas parimit të reciprocitetit me serbët e Kosovës, edhe pse të gjitha partite politike shqiptare ishin deklaruar për këtë parim.
Madje, të gjithë e potenconin këtë në çdo publik dhe në çdo deklaratë politike lidhur me statusin e Luginës dhe atë të serbëve të Kosovës. Akoma ka mbetur si enigma e pashpjegueshme dhe e paqartë fakti se si veprohej në “dy binarë” nga disa parti politike shqiptare të Luginës, të cilat ishin në koordinim të përkryer, madje edhe të sinkronizuar me Daçiqin lidhur me ndarjen e Kosovës, duke vepruar kështu kundër Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, si dhe kundër BE-së dhe miqve tanë ndërkombëtarë., duke u bërë kështu më “katolikë se Papa” me “radikalizmin” e dyshimtë të tyre.
Ndërprerja e dialogut të (pa)filluar/Moskoordinimi i faktrorit politik të Luginës kishte krijuar situatë tragjikomike, duke u renditur si një ekip futbolli të gjithë lider(ucat), që i ngjanin një orkestri të çakorduar, që prodhonte një kakofoni politike skajshmërisht të dezorientuar në hapësirë dhe kohë. Natyrisht, s’kishte si të jet ndryshe edhe rezultati. Gjendja e shqiptarve të Luginës është më e keqe se kurrë më parë. Komuna e Preshevës kthehet në situatën e vitit 1947. Pa gjykata dhe pa “nam e nishan” të kompetencave që i kishte dikur pushteti lokal në Preshevë dhe Bujanoc. Kurse garniturat udhëheqëse e pushtetit lokal as që e prishin tymin. Ata janë pasuruar nga politika dhe tenderomania e zhvatja e papërgjegjëshme e parasë publike, ku Serbia nuk u përzihet fare. Përkundrazi, ua ka lënë në duar “sovranitetin” e plotë në këtë drejtim. Tani krijohet përshtypja se kemi një fije dinjiteti e morali politik, meqë, më në fund u vendos që t’i thuhet Stop! Dialogut, të cilin, sinqerisht, unë nuk e kam vërejtur se ka filluar fare! Përveç disa takimeve dhe fotografimeve me Daçiqin dhe Vuçiqin, nga të cilët nuk u mor vesh kurrë se çka është konkluduar, përpos “cakarritjeve” dhe “heroizmave” të ndonjerit prej tyre për “çështje morali” të ministres Çitaku.
Pra, shqiptarët e Luginës as që janë të përgatitur seriozisht për Dialog të mirëfilltë me Serbinë, meqë u mungon koordinimi dhe bashkëpunimi i mirëfilltë dhe i sinqertë me Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, si dhe me faktorin ndërkombëtarë. Disa prej tyre komunën e shikojnë si mjet zhvatjeje, kurse veprimin politik si mënyrë pasurimi dhe mbrojtjeje të interesave të firmave që janë sponsorizuese të tyre. Analiza e sukseseve dhe dështimeve politike të Luginës nuk do të ishte e plotë poqese nuk do t’i përfshinim veprimet e pasinqerta dhe manipulative të Qeverisë së Kosovës dhe Kryeministrit Hashim Thaçi që tradhëtinë e tij ndaj Luginës për mospërfshierjen, bile edhe mospërmendjen fare të Luginës në Dialogun e Brukselit, që nuk do t’ia falë historia, u mundua ta “mbulojë” me vizitën e ministrit të arsimit, të mbetur në tentativë, si dhe me vizitën e realizuar të ministres Çitaku dhe teksteve shkollore që ajo i dhuroi, pa siguruar kurrëfarë leje paraprake. Prandaj edhe fundi ishte i pritur. Shija e hidhur e këtij veprimi të Qeverisë së Kosovës krijohej edhe nga fakti se ky veprim u bë gjatë fushatës zgjedhore, duke llogaritur në votën e shqiptarëve të Luginës sidomos në Gjilan dhe Prishtinë.
Urojmë që në vitin 2014 të mos na përsëriten gabimet e vitit 2013. Sepse, nuk do të na falë historia!