Monday, December 16, 2013

Viti 2013, i mbrapshtë për shqiptarët e Luginës së Preshevës

Poqese bëjmë rekapitulimin në këtë fundvit për sukseset, gabimet dhe dështimet politike të Luginës së Preshevës, atëherë “bilanci politik” sigurisht se do të na del një rezultat katastrofal, i shkaktuar nga dështime, teke, huqe e skandale të shumta.
Sa duket, viti ’13, që u cilësua si vit “ters”, për shkak të numrit 13 si “baksëz”, në Luginë qysh në ditët e para të fillimvitit, filloi me situatë të tensionuar politike rreth Lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, që ishte vendosur para ndërtesës së Kuvendit të Komunës në Preshevë, të cilin xhandarmeria serbe e hoqi në mënyrë spektakulare, në orët e hershme të mëngjesit të së dieles së 20 janarit. Ky Lapidar ishte vendosur pa siguruar lejen adekuate dhe, mjerisht, dyshojmë se ishte pjesë e lojës së pasinqertë politike të kryetarit të komunës së Preshevës, z.Ragmi Mustafa, i cili kërcnohej se poqese hiqet nga Qeveria e Serbisë, ai “do të jipte dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet” dhe se pozita qverisëse e klomunës “do t’i ndërpriste e të gjitha raportet me Serbinë”! Kurse, “komandantët” e UÇPMB-së premtonin “mbrojtje me luftë”. Por, na doli se të gjitha këto kishin qenë premtime të pasinqerta dhe joserioze, ose siç thotë populli donin ta “trembnin harushën me shoshë”. Ndodhi ajo që askush nuk mund ta besonte: premtimet boshe të kryetarit të komunës dhe partisë së tij, duke mos dhënë fare dorëheqjet e premtuara publikisht në RTV “Koha” të Kosovës, si dhe “komandantët” i kishte zënë gjumi dhe askush nga ata as “lavrën e minit” nuk e bëri për mbrojtjen apo vendosjen e kujdestarisë pranë Lapidarit. Shikuar nga ngjarjet e mëpastajme, Lapidari na del si punë shumë e dyshimtë, me qëllim të shmangies së vëmendjes së opinionit shqiptar nga bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, midis kryeministrit Thaçi dhe Daçiqit, me ndërmjetësimin e Komisioneres së lartë të Këshillit të BE-së, Baroneshës Catherine Ashton, që ishin para finalizimit. Ky qëllim u arrit plotësisht. Pra, Lugina e Preshevës nuk u përmend fare në tavolinën e bisedimeve, në asnjë takim, apo raund bisedimesh në Bruksel dhe nuk u përfshi në Marrëveshjen e nënshkruar më 19 prill 2013 nga Kryeministrat Thaçi e Daçiq dhe nga Baronesha Catherine Ashton. Se kjo gjë nuk ishte e rastit dhe e paplanifikuar mirë e mirë edhe nga disa politikanë shqiptarë të Luginës, në koordinim implicit me Qeverinë e Serbisë dhe me kryeministrin Daçiq, na dëshmoi reagimi i ashpër i Ragmi Mustafës kundër propozimit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, z. Hajredin Kuçi për formimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi, si pandan dhe kundërpërgjigje e shqiptarve të Luginës ndaj propozimit të Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Anti-institucionalizmi si sfidë/Natyrisht se këto veprime politike kishin histori më të gjatë, meqë vepronin me vendosmëri dhe vullnet të paparë kundër çdo forme të institucionalizimit të faktorit shqiptar në Serbi si faktor unik. Kështu ata vepruan kundër formimit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në vitin 2010, duke bërë luftë të egër dhe të pa kompromis, e herë-herë edhe të tmerrshme. Fatmirësisht, ata u mundën nga vota shumicë e popullit në zgjedhjet e 6 majit 2010. Por, ata nuk pushuan kurrë në veprimet e tyre diverzive kundër këtij institucioni të vetëm të shqiptarëve në Serbi., duke u ndihmuar edhe nga shumë politikanë destruktivë dhe antishqiptarë të Serbisë. Të dërrmuar nga stërkamshat dhe konfliktet midis vetit, lider(ucat) politikë të Luginës, të mbështetur për muri nga veprimet e xhandarmerisë serbe me rastin e heqjes së Lapidarit, mbajtën mbledhjen e Këshilltarëve shqiptarë të kuvendit komunal të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si institucion joformal, duke anashkaluar tërësisht Këshillin Nacional si institucion i njohur nga ndërkombëtarët dhe nga Qeveria e Serbisë. Duhet theksuar se në atë mbledhje nuk u miratua Platforma e përbashkët e veprimit të shqiptarëve të Luginës, por u miratua një material i pasistemuar profesionalisht, që ishte konfuz dhe nuk jepte një pasqyrë të thuktë të gjendjes dhe masave e aktiviteteve që do të propozoheshin për tejkalimin e saj. Ishte një përshkrim i gjerë dhe i pa fokusuar, si dhe metodologjikisht i papranueshëm. Pra, u hartua sa për “sy e faqe”, pa i adresuar problemet, dukuritë dhe bartësit e aktiviteteve, si dhe institucionet që duhej njoftuar.
Është e pafalshme sjellja mospërfillëse edhe e partive politike, që nuk këmbëngulën domosdoshmërisht k që ky institucion të jet bartës i aktiviteteve kombëtare për shqiptarët e Luginës. Ata e arsyetuan këtë si “lëshim pe” dhe si kompromis, me qëllim të krijimit të unitetit veprues të faktorit politik shqiptarë në Luginë, duke hequr kështu dorë nga përfshirja e KNSH në këtë proces. Ky është gabim i pafalshëm, meqë i kontribuoi defaktorizimit të shqiptarëve në Serbi, si dhe mospërfshierjes së tyre në Dialogun e Brukselit, meqë KNSH paraqet të vetmin institucion unik të shqiptarve të Luginës të pranuar nga institucionet ndërkombëtare dhe nga Qeveria e Serbisë, si dhe nga Prishtina dhe Tirana zyrtare. Por, mjerisht, ky institucion kombëtar nuk pranohet nga partite politike shqiptare që udhëheqin aktualisht komunën e Preshevës, si dhe nga ata të komunë komunës së Bujanocit!
Humbja e kredibilitetit politik/Nuk duhet të harrojmë faktin se Kryeministri i Kosovës shfryu mllef të paparë kundër disa liderëve politik të Luginës, të cilët ishin të pasinqertë dhe jepnin deklarata e premtime të mëdha për dorëheqje nga të gjitha postet politike poqese hiqet Lapidari, kurse nuk mbajtën premtimet. Edhe shqiptarët e Luginës ishin të zhgënjyer me këta liderë të pamoralshëm, që gënjyen opinionin pa fije turpi e morali njerëzorë e kombëtar. Autoriteti i liderëve shqiptarë të Luginës, e sidomos e atyre që jepnin premtime megalomane i shtoi në mënyrë drastike kolonat e shpërnguljes së shqiptarëve të kësaj ane, duke i lënë bosh trojet dhe pasuritë e tyre stërgjyshore.
Lugina e Preshevës në vitin 2013 e humbi në mënyrë të kobshme dhe të pakthyeshme shansin historik për t’u përfshirë në Dialogun e Brukselit, ku do të trajtohej sipas parimit të reciprocitetit me serbët e Kosovës, edhe pse të gjitha partite politike shqiptare ishin deklaruar për këtë parim.
Madje, të gjithë e potenconin këtë në çdo publik dhe në çdo deklaratë politike lidhur me statusin e Luginës dhe atë të serbëve të Kosovës. Akoma ka mbetur si enigma e pashpjegueshme dhe e paqartë fakti se si veprohej në “dy binarë” nga disa parti politike shqiptare të Luginës, të cilat ishin në koordinim të përkryer, madje edhe të sinkronizuar me Daçiqin lidhur me ndarjen e Kosovës, duke vepruar kështu kundër Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, si dhe kundër BE-së dhe miqve tanë ndërkombëtarë., duke u bërë kështu më “katolikë se Papa” me “radikalizmin” e dyshimtë të tyre.
Ndërprerja e dialogut të (pa)filluar/Moskoordinimi i faktrorit politik të Luginës kishte krijuar situatë tragjikomike, duke u renditur si një ekip futbolli të gjithë lider(ucat), që i ngjanin një orkestri të çakorduar, që prodhonte një kakofoni politike skajshmërisht të dezorientuar në hapësirë dhe kohë. Natyrisht, s’kishte si të jet ndryshe edhe rezultati. Gjendja e shqiptarve të Luginës është më e keqe se kurrë më parë. Komuna e Preshevës kthehet në situatën e vitit 1947. Pa gjykata dhe pa “nam e nishan” të kompetencave që i kishte dikur pushteti lokal në Preshevë dhe Bujanoc. Kurse garniturat udhëheqëse e pushtetit lokal as që e prishin tymin. Ata janë pasuruar nga politika dhe tenderomania e zhvatja e papërgjegjëshme e parasë publike, ku Serbia nuk u përzihet fare. Përkundrazi, ua ka lënë në duar “sovranitetin” e plotë në këtë drejtim. Tani krijohet përshtypja se kemi një fije dinjiteti e morali politik, meqë, më në fund u vendos që t’i thuhet Stop! Dialogut, të cilin, sinqerisht, unë nuk e kam vërejtur se ka filluar fare! Përveç disa takimeve dhe fotografimeve me Daçiqin dhe Vuçiqin, nga të cilët nuk u mor vesh kurrë se çka është konkluduar, përpos “cakarritjeve” dhe “heroizmave” të ndonjerit prej tyre për “çështje morali” të ministres Çitaku.
Pra, shqiptarët e Luginës as që janë të përgatitur seriozisht për Dialog të mirëfilltë me Serbinë, meqë u mungon koordinimi dhe bashkëpunimi i mirëfilltë dhe i sinqertë me Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, si dhe me faktorin ndërkombëtarë. Disa prej tyre komunën e shikojnë si mjet zhvatjeje, kurse veprimin politik si mënyrë pasurimi dhe mbrojtjeje të interesave të firmave që janë sponsorizuese të tyre. Analiza e sukseseve dhe dështimeve politike të Luginës nuk do të ishte e plotë poqese nuk do t’i përfshinim veprimet e pasinqerta dhe manipulative të Qeverisë së Kosovës dhe Kryeministrit Hashim Thaçi që tradhëtinë e tij ndaj Luginës për mospërfshierjen, bile edhe mospërmendjen fare të Luginës në Dialogun e Brukselit, që nuk do t’ia falë historia, u mundua ta “mbulojë” me vizitën e ministrit të arsimit, të mbetur në tentativë, si dhe me vizitën e realizuar të ministres Çitaku dhe teksteve shkollore që ajo i dhuroi, pa siguruar kurrëfarë leje paraprake. Prandaj edhe fundi ishte i pritur. Shija e hidhur e këtij veprimi të Qeverisë së Kosovës krijohej edhe nga fakti se ky veprim u bë gjatë fushatës zgjedhore, duke llogaritur në votën e shqiptarëve të Luginës sidomos në Gjilan dhe Prishtinë.
Urojmë që në vitin 2014 të mos na përsëriten gabimet e vitit 2013. Sepse, nuk do të na falë historia!

Sunday, October 13, 2013

Tri karakteristikat e fushatës zgjedhore të 3 nëntorit 2013

Risi e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 3. nëntorit 2013, sa kam mundur të vërej, janë kryesisht tri karakteristika që e veçojnë nga fushatat e mëparëshme: 1. PDK hyn kësaj radhe e ndarë në fraksione, në krye me dy nga figurat më kryesore të kësaj partie: Fatmir Limajn dhe Jakup Krasniqin. Sa do të reflektojë kjo në rezultatet zgjedhore, mbetet të shihet. Por, ka gjasa reale që PDK ta humbë Malishevën dhe Drenasin, si bastione të saj, si dhe Gjilanin, Lipjanin dhe Vitinë. Sepse, edhe në këto komuna kishte zhvillime përçarëse, që shprehin qartë "lodhjen" e PDK-së në pushtet dhe zhgënjimin e elektoratit me performansën e saj korruptuese, klienteliste, si dhe me dështimet e parreshtura deri në rrezikimin, mispërfilljen, përdhosjen dhe erozionin e rrezikshëm të pavarësisë dhe integritetit territorial të Republikês së Kosovës me zmbrapsjet e parreshtura dhe të pafund ndaj serbëve të Kosovës dhe Serbisë. Sidomos dështimi ndaj ndalimit të liderëve të lartë të Serbisë, më 7.tetor në Bruksel që të bëjnë fushatë në Kosovë, duke ardhur të papenguar, sikur të ishte Kosova akoma provincë e Serbisë, e jo shtet i pavarur! Deklaratat kontradiktore të z. Thaçi për të na shitur humbjet katastrofale dhe inferioritetin e tmerrshëm ndaj Serbisë, si "fitore", më në fund e kanë bindur opinionin kosovarë, por edhe elektoratin e PDK-së, në përmbajtjen kontradiktore dhe demagogjike, që s'kanë të bëjnë fare me realitetin politik në Kosovë. Rasti i para ca ditëve i dorëheqjes së deputetit të PDK-së nga Gjilani, z. Nijazi Idrizi, nga të gjitha angazhimet partiake në te, për shkak të "mënyrës së qeverisjes dhe performansës së PDK-së", tregon qartë se, më në fund është "mbushur kupa" dhe se kjo parti është në perëndim të karrierës së vet politike. Pra, është krijuar bindja se kjo parti është e gatëshme që gjithçka u fitua në luftë me gjakun dhe flijimet e sakrificat e bijëve dhe bijave më të mirë të këtij kombi, i ka vënë në rrezik real me paaftësinë, naivitetin politik dhe inferioritetin e patolerueshëm ndaj Serbisë në dialogun e Brukselit, duke e vënë në pikëpyetje serioze pavarësinë e shpallur më 17 shkurt 2008, si dhe integritetin territorial të shtetit të Republikës së Kosovës. 2. LDK në këto zgjedhje lokale është duke treguar shenja të zgjimit nga letargjia e gjatë, pas humbjes së Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugovës. Kjo parti politike ka kaluar një kohë të gjatë si e "pa kokë", meqê pasuesit e prijësit legjendarë, Ibrahim Rugovës, ishin të një niveli jokredibil, që "nuk ia mbushnin syrin" popullit, kurse disa prej tyre, madhe paradoksalisht mendonin se "dijnë më shumë" se prijësi i tyre dhe nga mendjemadhêsia e kobëshme e tyre, që në esencë ishte filozofi kryekëput jorugoviste, shkaktuan dëme dhe përçarje të mëdha. Pra, nuk po them "antirugovistë"! Sepse, nga lartësia e vizionit dhe filozofia politike e Rugovës, këtyre figurave që e pasuan ate në poste, por kurrësesi jo edhe në vizion dhe filozofi politike, e pësoi LDK në Kuvendin e gjashtë, duke përfunduar me rrahje karrigash dhe me ndarje mêdysh, duke u ndarë LDD si parti e veçantë, e cila ishte pasojë e sjelljes uzurpatore të kreut të atëhershëm të LDK-së, e cila në stilin e diferencimit të dikurshëm të LKJ-së, e uzurpoi tërësësht këtë parti, duke e devalvuar garën partiake që ishte zhvilluar me fushatë zgjedhore partiake midis Fatmir Sejdiut dhe Nexhat Dacit për kryetar të LDK-së. Në fakt, kjo ishte e para fushatë në historinë e Kosovës për kreun partiak dhe ndër të rallat në rajon, që ishte e frymëzuar nga garat Amerikane për nominim partiak të Presidentit të SHBA-së. Por, mjerisht, nuk pati sukses! Arsyeja e këtij mossuksesi qëndronte pikërisht në faktin se pasuesit e Rugovës, siç e thashë edhe më lartë, ishin "jorugovistë". Dhe kjo u pa jo vetëm te ata, por edhe te djali i tij. Ata donin ta shfrytëzonin Ibrahim Rugovën jo si vizion dhe filozofi politike, por, mbase, si "aset" ose pronë apo pasuri politike me të cilën mund të veprojnë si "padron" të veprës dhe figurës politike e kombëtare të Rugovës. Kështu, Fatmir Sejdiu bëri koalicion me PDK-në, me çka e shkatërroi këtë parti politike, me performansën e tij komprometuese, që kishte synime pushtetore që aspak nuk përkonin me frymën rugoviste. Ndërkaq, në këto zgjedhje, LDK i êshtë kthyer figurës, jo vetëm me vendosjen e shumëpritur të shtatores në sheshin që mban me krenari emrin e tij, por edhe me kthimin e vizionit politik të Ibrahim Rugovës. Elektorati "rugovist", i cili padrejtësisht ishte i privuar për një kohë të gjatë nga mungesa e ofertës serioze, kishte bojkotuar vazhdimisht zgjedhjet duke abstenuar nga votimet. Kësaj radhe, ka gjasa reale që ata të dalin në votime dhe t'i japin epilogun e shumëpritur të këtyre zgjedhjeve. 3. Risi e tretë e këtyre zgjedhjeve është paraqitja e "Partisë së Fortë" në garën për Prishtinën. Kjo "parti" politike na paraqitet me ofertën e parodizimit të skajshëm të zgjedhjeve, duke i ironizuar në mënyrë shumë të veçantë dhe origjinale, me përqeshjen mjaftë inteligjente dhe vetëbesuese të garës zgjedhore. Karakteristikë e tyre është paraqitje joserioze dhe parodike e problemeve serioze të komunës së Prishtinës dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi, për dallim nga disa nga partitë tjera politike, të cilat na paraqiten me paraqitje serioze, por me premtime joserioze, joreale dhe të parealizueshme, bëjnë përpjekje për ta bindur popullin për t'ua dhënë votat.

Friday, October 11, 2013

Inferioriteti ndaj Serbisë, si “europianizëm”?

Udhëheqësia aktuale e Republikës së Kosovës, inferioritetin e saj me Qeverinë e Serbisë, si dhe midis serbëve të Kosovës dhe shqiptarve të Luginës,  mundohet ta plasojë në opinion si “europianizëm”, sjellje “demokratike” etj., duke u munduar që ta bindë opinioni, se kjo është rruga e duhur dhe e pa alternativë. Duhet ta ngrisim lartë zërin për vëllezërit tanë shqiptarë, kudo që janë, me krenari dhe pa u ndrojtur, ashtu si veprojnë edhe kombet e përparuara dhe demokratike europiane, gjermanët, francezët, italianët, pse jo edhe serbët, etj. me bashkëkombësit e tyre kudo që janë, duke e konsideruar këtë si obligim shtetërorë, moral e civilizues.


Takimi i liderëve politikë të shqiptarve të Luginës së Preshevës më 10 tetor 2013 në Beograd me Kryeministrin e Serbisë  Ivica Daçiq, nuk dha përgjigje lidhur me çështjet kyçe që e ngarkojnë situatën politike dhe gjendjen e rëndë  ne arsimin shqip, gjendjen katastrofale ekonomike, për Lapidarin e UÇPMB-së etj.
Fitohet përshtypja se gjërat u kapën “nga bishti”, duke përcaktuar takimin e parë të ardhshëm me ministren e shëndetësisë, e cila, edhepse është e rëndë dhe me probleme, ajo nuk figuronte në agjendën e prioriteteve të partive politike shqiptare të Luginës.
Ndërkaq, Daçiqi në mënyrë ultimative, në stlin “merre ose leje”!  (uzmi ili ostavi!), u tha atyre troç, pa i “lëvizur qerpiku” se cilat të drejta është e gatëshme Serbia t’ua lejoj shqiptarve të Luginës, si dhe cilat do t’i shtypë me anë të makinerisë represive të shtetit serb.
Pikërisht ashtu veproi Daçiqi edhe me Hashim Thaçin në takimin e 7 tetorit 2013 në Bruksel, ku e vuri para aktit të kryer Thaçin: “ose do të hyjë e dal në Kosovë sa herë të dëshiroj, ose do t’i ndërprej bisedimet në Bruksel”!
Epilogu dihet. Si gjithmonë, Hashim Thaçi është ai që lëshon pe, si edhe shumë e shumë herë më parë, duke e “lëpirë” atë që pak ditë më parë e kishte “pështyrë”.
Pra, edhepse  z.Thaçi kishte deklaruar se liderët e Serbisë nuk mund të hyjnë në shtetin e Republikës së Kosovës për të bërë fushatë politike për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, ashtu si Kosova nuk bënë fushatë në zgjedhjet e Serbisë. Madje, Hashim Thaçi as që guxon, apo ndoshta nuk don(?), që t”i vizitoj vëllezërit e tij shqiptarë në Luginë të Preshevës, ashtu si vepron Daçiqi dhe liderët serbë në Kosovë, duke i vizituar vëllezërit e vet serbë në çdo skutë të Kosovës.
Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj nuk janë të aftë, apo nuk kanë vullnet të mjaftueshëm politik(?) që ta realizojnë parimin e reciprocitetit midis qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë, si dhe të kryeministrave të tyre, duke pranuar rolin e inferioritetit dhe nënshtrimit. Andaj edhe ka pamundësuar realizimin e deklaruar dhe të proklamuar si pretendim nga të gjitha partitë politike të shqiptarve të Luginës së Preshevës për vendosjen e reciprocitetit të plotë midis tyre dhe serbëve të Kosovës, sipas parimit” “as më pak, e as më shumë se ata”.
Këtë inferioritet, udhëheqësia aktuale e Republikës së Kosovës mundohet ta plasojë në opinion si “europianizëm”, sjellje ” demokratike” etj., duke u munduar që ta bindë opinionin e gjërë, e në rend të parë atë kosovarë dhe mbarëshqiptarë, se kjo është rruga e duhur dhe e pa alternativë.
Sa duket, i vetmi “europianizëm” qeveritarve kosovarë është inferioriteti ndaj Serbisë dhe serbëve të Kosovës, si dhe mosinteresimi ndaj vëllezërve të tyre shqiptarë në Luginë. Kurse, shkeljet e Ligjit, korrupsionin, krimin e organizuar, trafikimet me njerëz dhe substanca narkotike dhe dukuritë e tjera negative që shënojnë rritje të vazhdueshme, nuk i përmendin fare.
Pra, ne do të jemi më pranë Europës jo duke ia kthyer bërrylin vëllezërve tanë dhe në anën tjetër duke mos e luftuar krimin. Përkundrazi, përkujdesja ndaj vëllezërve të një gjaku, të një gjuhe e një flamuri është obligim dhe virtyt që çmohet në të gjitha nivelet e opinionit demokratik në Europë dhe në botë, ashtu si dënohet në të gjitha vendet me demokraci të zhvilluar  krimi dhe mospërfillja e rendit dhe Ligjit.
Pra, poqese vërtetë e dëshirojmë dhe synojmë sinqerisht Unionin Europian, që edhe Kosova të bëhet anëtare s familjes së madhe të demokracisë europiane e botërore, nuk duhet të turpërohemi që jemi shqiptarë, me përkatësi fetare e civilizuese që realisht kemi, duke u krenuar me vlerat tona kombëtare, si kontribut vlerave dhe civilizimit europian e botërorë, si dhe duke u kujdesur me përkushtim dhe mburrje që t’i avancojmë ato, si dhe duke i luftuar dukuritë negative në mjedisin tonë.
Por, mbi të gjitha, duhet ta ngrisim zërin lartë për vëllezërit tanë shqiptarë, kudo që janë, me krenari dhe pa u ndrojtur, ashtu si veprojnë edhe kombet e përparuara dhe demokratike europiane e botërore, gjermanët, francezët, italianët, pse jo edhe serbët, etj. me bashkëkombësit e tyre kudo që janë, duke e konsideruar këtë si obligim shtetërorë, moral e civilizues.

Sunday, September 29, 2013

Aksioni “100 shtëpi për Luginën”


Shkruan: Nehat Hyseni

RTK organizoi me sukses më 28.09.2013 mbrëmjen “Gala” për ndihmë familjeve të vafëra të shqiptarve në Luginë.
Poqese llogaritet vlera mesatare për ndërtimin dhe kompletimin e një shtëpie për familjet e varfëra në Luginë të Preshevës kushton 15000 (pesëmbëdhjetë mi) euro, atëherë na del se në mbrëmjen gala nē RTK më 28.09.2013 u premtuan 1,5 milion euro, që i bie 100 shtëpi x 15000 = 1, 5 milion euro.
Pra, poaq sa pretendohej nga Aksioni “100 shtëpi për Luginën”.
Por, poqese llogarisim taksat kufitare që plaçkiten nga shqiptarët në Luginë që ishin 13 milion euro për 8,5 muaj, i bie se për vitin 2013 do të jenë reth 18 milion euro.
Kurse për vitin 2012, sipas raportimeve të Portalit preshevacom ishte reth 15 milion euro. Kjo i bie se për dy vjet janë marrë 33 milion euro : 15000 euro për një shtëpi =  2.200 shtëpi. Ose, reth 1.100 shtëpi për një vit!

Pra, nga taksat kufitare, poqese mblidhen në një fond, shqiptarët e Luginës do të mund të ndërtonin reth 100 shtëpi në muaj.
Andaj, propozojmë që  33 milion eurot  në emër taksës kufitare, Qeveria e Kosovës t’ia kthej Luginës ato para të plaçkitura, që do të shfrytëzoheshin për kthimin e shqiptarve të shpërngulur, që jetojnë nëpër podrume dhe kushte poshtruese dhe ndërtesa publike në Kosovë dhe gjithandej në Europë e botë.
Duke llogaritur se 2.200 familje shqiptare x 5 anëtarë = 11.000 shqiptarë do të ktheheshin.
Ajo që bien në sy ishte fakti se mbi 90% të donatorve në mbrëmjen Gala, ishin nga Lugina dhe vetëm reth 10% nga Kosova dhe viset tjera.
Pra, mjerisht, mund të konkludojmë se kontributin më të madh për shndërrimin e Luginës së Preshevës në “Çamëri” është duke e dhënë pikërisht Qeveria e Kosovës, për llogari të një apo dy firmave private të sigurimit, pronarë të të cilave janë familjarë të ngushtë të qeveritarëve.
Poqese e krahasojmë situatën me serbët e Kosovës, të cilët Serbia nuk i plaçkitë, por përkundrazi, jep para “me thes” për ata, atëherë mund të konkludojmë se sa larg jemi na shqiptarët nga dashuria për Kombin dhe Atdheun!
Mos ta përmendim se sa e rëndë dhe e mjerueshme është gjendja e arsimit, cultures dhe sigurisë për këtë pjesë të Shqiptarisë, që është duke i braktisur trojet e veta stërgjyshore.

Saturday, April 6, 2013

Shoqata e Qytetarëve të Luginës së Preshevës përgëzon Hazirin për rezolutën

I nderuari z.Haziri,
Duke uruar për miratimin e Rezolutës për Luginë me një shumicë të qartë, SHQLPK në Prishtinë ju është mirënjohëse dhe ju falënderon përzemërsisht për angazhim tuaj dhe për nismën Tuaj që rezultoi me suksesin e arritur me miratimin e saj.
Duke uruar që mbështetja institucionale e Kosovës, gur themeli i së cilës u vendos me sukses në mbledhjen e sotme, më 6 qershor 2013, të Kuvendit të Kosovës, urojmë që të pasoj me themelim të suksesshëm të zyrave në Prishtinë e Gjilan, si dhe në implementimin e suksesshëm të Rezolutës për ndihmën dhe mbështetjen vëllazërore të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Gjithashtu, urojmë që të vazhdojnë aktivitetet për hapjen e zyrave të Kosovës në Luginë, efekti dhe rëndësia e të cilave do të ishte shumë më e madhe, për ndihmën e arsimit dhe kulturës shqiptare atje, si dhe për një zhvillim dhe siguri më të madhe dhe për ndaljen e shpërnguljes së shqiptarëve prej trojeve të tyre stërgjyshore.
Me respekt,
SHQLPK- Prishtinë
Nehat Hyseni, kryetari