Tuesday, January 9, 2018

Albin Kurti: djaloshi me gomar, Gavroshi apo Çe Gevara kosovar?



IMG_1668.jpeg

Shkruan: Nehat Hyseni 


Mjaftoi vetëm një “sms” i pakujdesshëm i deputetes Aida Dërguti, si aktiviste e dalluar e Lëvizjes Vetvendosje, që të shpërthej në sipërfaqe e tërë dufëllima dhe era e keqe e kësaj partie politike, që ishte grumbulluar gjatë tërë kohës së ekzistencës së saj në skenën e politikbërjes kosovare.

Pra, Aida i kishte dërguar një “sms” disa aktivistëve të tjerë të VV-së, me rastin e arrestimit të Albin Kurtit dhe Donika Kadës-Bujupi, ku e shprehë tërë bindjen e vet politike, morale e njerëzore ndaj themeluesit dhe liderit shpirtëror të partisë së saj, duke e quajtur “m**t”!

Kështu, nga kjo pakujdesi e saj, më padashje doli në shesh dhe eksplodoi si bombë e kurdisur, realisht e gjithë energjia negative, e akumuluar vite me radhë, brenda kësaj partie, e cila gjatë kohë ishte e ndarë në dy pjesë: “pro” dhe “kundër” Albin Kurtit.

Pra, sms-i i Aida Dërgutit ishte vetëm “maja e ajsbergut” në një mal problemesh që zienin brendapërbrenda Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Kush është realisht Albin Kurti?

Kjo pyetje ka filluar të na imponohet sidomos kohëve të fundit, dmth pas postimit të deputetes së Vetëvendosjes nga Vushtrria. 

Realisht, ne e njohim Albin Kurtin si një djalosh rebel, i cili dikur shetitej me një gomar me kravatë, që e tërhiqte për kërpeshi rrugëve të Prishtinës, si në cirk. 

Ky djalosh i ngjante më tepër një palaçoje, që zbaviste kalimtarët, duke i argëtuar dhe duke i bërë të qeshnin me këtë parodi të përditshmërisë së zymtë të politikbërjes kosovare.

Gjithësesi, porosia e këtij defilimi sheshit të Prishtinës me gomarin më kravatë, kishte një mesazh të fuqishëm, që lehtësisht deshifrohej nga gjithësecili kalimtar i rastit: gomari me kravatë aludonte në klasën politike kosovare të akomoduar në pushtet, por që ishte e pa ditur, e pashkolluar, pakulturuar e paedukuar deri në idiotësi, që i kishte rënë hise ta qeverisë vendin, të cilin disa me keqdashje apo me humor të zi, po e quajnë “Zululand”!

Ky djalosh me kaçurrela, me një këmishë të guzhvatur sikur t’ia kishte përtypur gomari, në zymtësinë e politikbërjes mesjetare të gangsterizmit primitiv, shikohej me një simpati të pafshehur, por gjithënjë në rritje, nga publiku kosovar. 

Ishte simpatik dhe joshës, por dhe revolucionar, si Gavroshi i Viktor Hygos në romanin “Të mjerët”, i cili mezi priste ndonjë tollovi, për të ngarendur për t’ia gjetur vendin e duhur guralecëve që mbante me kërcnim, vendosmëri vrastare dhe me tërbim për t’i vendosur në funksion politik për realizimin e Vizionit të tij Madhor, drejtë realizimit të Projektit për “Republikën e Tretë”, duke thyer solemnisht xhamat, apo duke i larë me ngjyrë të kuqe muret e mdërtesës së “Republikës së Dytë”! 

Më vonë, Albin Kurti, apo djaloshi i dikurshëm me gomarin me kravatë, që e shetiste më aq zell e përkushtim rrugëve të Prishtinës, i sofistikoi metodat e veprimit politik, duke i ngjarë gjithënjë e më tepër Gavroshit rrebel, që hidhte zjarr nëpër barrikadat e revolucionarëve parisien, kurse Albini duke hedhur gaz lotësjellës në Parlament.

Gavroshi i Viktor Hygos e kishte idol Mariusin, si ideator që mbante fjalime të zjarrëta para turmave revolucionare, që ishin të armatosur dobët, me guraleca e me vendosmëri serioze për rrënimin e regjimit dhe për vendosjen e pushtetit revolucionar.

Por, për dallim nga Gavroshi, i cili i mbeti besnik me sinqeritet e devotshmëri deri në fund prijësit dhe idolit të tij, Mariusit, Albini i ndajti rrugët me Adem Demaçin, si idol të dikurshëm të tij, në momentin kur ai u akomodua në shijimin e privilegjeve, komoditetin dhe luksin e pushtetit të “çlirimtarëve”, në krye me Hashim Thaçin.

Por, rrugëtimi i Albin Kurtit drejtë “Republikës së Tretë” nuk pushoi. 

Në këtë rrugëtim e sipër, Albin Kurti fatin e tij politik e bashkoi me disa të rinjë ambicioz, të arsimuar e të shkolluar, por që në zgjedhjet e para që morën pjesë, u zhgënjyen, meqë nuk arritën të fitojnë as 3% nga pragu prej 5% që ishte i domosdoshëm për të hyrë në Parlament.

Prandaj, të zhgënjyer se “nuk mundën ta ruajnë votën”, ata u arsyetuan se iu vodh vota.

Ky grupim politik, i udhëhequr nga dy kryesues: Shpend Ahmeti dhe Ilir Deda, këtë parti e quajtën FER (“Fryma e re”) dhe mbështetej haptas nga Ambasada e SHBA-së dhe kishte simpatinë pafshehur të ambasadave të vendeve të tjera të fuqishme demokratike.

Humbja e zgjedhjeve të para ishte edhe fundi i FER-it. 

Ilir Deda u fut në Presidencë, si këshilltar politik i Atifete Jahjagës, kurse Shpend Ahmeti iu bashkua “Vetëvendosjes”, pa kurrëfarë kushti. 

Thjeshtë, FER-i u shkri plotësisht në “Vetëvendosje”! Pa e ruajtur asnjë shenjë dhe as më të voglin simbol të tij?!

Shpend Ahmeti, si djalosh I shkolluar dhe i mbushur me ambicie politike, ishte i bindur se rrugëtimi drejtë pushtetit në skenën e egër të politikbërjes kosovare është i pamundur pa militantizëm dhe pa militantë që janë të gatshëm që ta ruajnë votën më çdo çmim te kutitë e votimit, ishte i vetëdijshëm se Lëvizja “Vetëvedosje” ishte terreni ideal, ku kishte me tepri prirje dhe gatishmëri për militantizëm e dhunë, me bollëk.

Prandaj edhe iu bashkëngjit pa kushte.

 FER-i i solli Vetëvendosjes fitoren në Prishtinë dhe i forcoi maksimalisht radhët e saj, duke arritur që në zgjedhjet e jashtëzakonëshme parliamentare të 11 qershorit 2017, e nxorri VV-në si partinë më të madhe, me 32 deputetë në Parlamentin e Kosovës. Ky ishte kulmi i suksesit të saj. Por, njëkohësisht ishte edhe fillimi i fundit të saj, meqë viti 2017 shënoi një sallto mortale: “kravatizimin” e lidershipit politik të Vetëvendosjes.

Albin Kurti në paraqitjen e parë në publik, ishte një senzacion i plotë, që askush më parë as që mund ta imagjinonte.

Djaloshi i dikurshëm, pra, që e shetiste dikur gomarin me kravatë, tani vet kishte vënë kravatë?!

Qytetarët e Kosovës e morën me humor të mirë këtë punë. Mbështetëdit e VV-së e arsyetonin dhe e mbështesnin këtë metamorfozë radikale në “lukun” e Albinit dhe shokëve të tij.

Por, doli se gjithçka u prishë nga “sms-i” famoz i Aida Durgutit dhe zbulimin e saj ”epokal” se Albin Kurti na qenka m*t! Edhe atë, pikërisht në vigjilie të zgjedhjeve brendapartiake. Natyrisht, llogaritej që mos të kandidonte Albin Kurti për postin e kryetarit të Vetëvendosjes, por këtë t’ia linte dikujt nga taborri i ish FER-it. Mbase Shpend Ahmeti’s apo ndokujt tjetër.

Meqë nuk ndodhi kështu, pasuan dorëheqjet zinxhirore nga kryesia dhe nga të gjitha postet partiake në Lëvizjes Vetëvendosje, duke filluar nga kryetarin aktual i saj, Visar Ymeri, pastaj Dardan Sejdiu, Shqipe Pantina dhe anëtarë të tjerë të kryesisë dhe veprimtarë të shquar të VV-së. Por, asnjë i prej tyre nuk dha dorëheqje nga posti i deputetit.

Kjo na bënë të besojmë se do të kemi së shpejti një “Vetëvendosje” me Albin Kurtin kryetar, si dhe një parti tjetër, FER apo “VV e Re”, ose diçka të ngjajshme, me Shpend Ahmetin apo ndokend tjetër nga taborri i tij, si kryetar të kësaj partie të re në skenën e vjetër të politikbërjes kosovare?!

Mbetet për t’u parë se a do të parspëlqej Albini ndonjë post në Qeverinë e Rambos, ashtu si Çe në Qeverinë e Kastros, si shpërblim për meritat e votimeve që do të pasojnë këto ditë në Kuvendin e Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale dhe Demarkacionin e kufirit më Min e Zi, apo do t’i kthehet zanatit të protestave në rrugë, për realizimin e idealit të tij për “Republikën e Tretë”, ashtu siç ju kthye dikur Çe Gevara Luftës Revolucionare në malet e Bolivisë?



 

No comments:

Post a Comment