Thursday, December 21, 2017

“Evliaja” i Vuçiqit për serbizimin e Preshevës!



     

         “Fanatizëm n’paç për fé,

            Atdhetar i drejt nuk je”

            Hilë Mosi (1885-1933)

IMG_1689.jpeg

Shkruan: Nehat Hyseni 


Në kushtet e realitetit skajshmërisht të hidhur, si komuniteti aktualisht më i diskriminuar në Europë, preshevarët zhvilluan fushatën intensive parazgjedhore gjatë dy javëve të kaluara dhe më 24 dhjetor do të dalin në votime, për t’ua dhënë verdiktin atyre që u besuan.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës gjënden si në “gojë të ujkut, nga agresiviteti Serbi-rus dhe antishqiptar, i cili, siç thonë preshevarët, “uji flen, por Serbia nuk flen”.

Në rrugëtimin e saj drejtë anëtarësimit në BE, me mbështetjen e fuqishme të Babës Rus, Serbia ka arritur suksese të jashtëzakonëshme që ta mbaj fuqishëm serbizmin në Kosovë dhe ta rrezikoj për vdekje shqiptarizmin në Luginë të Preshevës.

Kurse, Shqipëria gjatë kësaj kohe po e aplikon “shpikjen” e Albin Kurtit, hedhjen e tymit në Parlament dhe rrëmujën e paparë, për ta penguar zgjedhjen e prokurores, si gjënë më të rëndësishme në këtë botë, meqë ajo do vendosë se kujt do “fusë”, e kë do e kursej në arenën e gladiatorëve të establishmentit politik shqiptarë.

Ndërkaq, skena e politikbërjes kosovare gjendet para realitetit të Qeverisë në këmbë të qelqëta dhe kryeministrit që vetëdeklarohet si “macë”, si dhe një lider politik, Albin Kurti është i burgosur dhe shpallet nga bashkëpartiakja e tij si lider i m*tit.

Preshevarët, pra, të gjendur në sendviç midis makinerisë agresive serboruse dhe tymnajës e rrëmujës së vazhdueshme politike në Kosovë e Shqipëri, kërkojnë shpëtim.

Prandaj, si prej qiellit piku “shpresa” që na solli Presidenti Aleksandar Vuçiq tre vite më parë, filialën e partisë së vet, SNS-it, Shqiprim Arifin e trajnuar si agjent të vetin, për ta sjellë “ndryshimin” në Luginë të Preshevës.


“Evliaja” e Livoçit 


Mjerisht, në gjendjen e pashpresë dhe skajshmërisht të zymtë, njerëzit fillojnë të besojnë në “mrekulli”. 

Para shumë vitesh, në viset shqiptare gjithandej, por edhe tek preshevarët ishin përhapur lajmet për “evliatë”, të cilët e shihnin pacientin, pa e pyetur fare, menjëherë e diagnostikonin dhe ua gjenin “ilaçin”. 

“Evliaja” e Livoçit dhe “evlia” të tjerë asokohe ishin bërë shumë të popullarizuar, me shumë autoritet, gati hyjnor!

Njerëzit i konsideronin dhe respektonin si perëndi, apo si “të dërguar të Zotit, me fuqi dhe aftësi çudibërëse mbinjerëzore.

Kolonat e gjata të hallexhinjëve para dyerve të “evliave” ishin të pafund, madje njerëzit kalonin natën duke pritur për mos ta humbur radhën në kërkim të “shpëtimit”.

Por, për befasinë dhe dëshprimin e të gjithëve, një ditë doli lajmi se “Evliaja” e Livoçit dhe disa të tjerë u burgosën, meqë u mor vesh se paskan qenë mashtrues?!

Zhgënjimi dhe dëshprimi i popullatës dhe hallexhinjëve ishte i madh, madje I pafund. Dikujt i dhimbësej fati i keq i atyre njerëzve “hyjnorë”, por të gjithëve pikëllimin dhe dhëmbjen më të madhe atyre ua solli humbja e shpresës se më një prekje dore, dmth me një magji do merrnin fund të gjitha brengat dhe hallet e tyre.


Mrekullia e “bioenergjisë”


Pas “evliave” kaluan shumë vite dhe u paraqitë “mrekullia e dytë”, kësaj here më e sofistikuar, meqë ishte e përzier edhe me elemente shkencore të mjekësisë. 

Pra, na u paraqit mrekullia e “bioenergjisë”!

Brenda natës u zbuluan vetitë “çudibërëse” të shumë personave se kishin aftësi të shërimit të shumë sëmundjeve, pa e prekur fare pacientin.

Vazhduan kolonat e gjata të pritjes para dyerve të këtyre njerëzve për t’u shëruar me këtë “mrekulli”. 

Madje, shumë njerëz filluan të dyshojnë se edhe ata vet posedonin “aftësi” të tilla enigmatike. 

Por edhe kësaj “mrekullisë” së bioenergjisë, ashtu si “evliave”, i erdhi fundi dhe u harruan.


Në pritje të “shpëtimtarit”


Por, hallet e preshevarëve nuk pushuan.

Madje ato, pamëshirshëm, vetëm sa shtohen,pafundësisht!

 Ashtu si edhe zhgënjimet e të rinjëve se do të vijnë ditë më të mira. 

Sidomos kur u pa puna se Lugina e Preshevës edhe pas luftës së ‘99-tës në Kosovë dhe luftës së UÇPMB-së (2000-2001) mbeti nën Serbi dhe nuk u realizua deklarimi në Referendumin e 1992, as për Autonomi e as për bashkim me Kosovën, si dhe mospërfshirja e çështjes së shqiptarve të Luginës në Dialogun e Brukselit. Madje nuk u përfshinë dhe nuk u përmendën fare në Marrëveshjen e 19 prillit 2013, si dhe në atë të 25 gushtit 2015.

Zhgënjimi dhe dëshprimi i  preshevarëve akoma më shumë u shtua. Ekzodi i tyre drejtë Europës dhe Kosovës, pas viteve 199-2001, mori sërish intensitet dhe boshatisja e Luginës së Preshevës, pas gëlltitjes së Medvegjës, rrezikon gjithënjë e më shumë Bujanocin dhe Preshevën.

Në këtë situatë të vështirë dhe skajshmërisht të pashpresë, na erdhi “mrekullia” tjetër, kësaj radhe jo në mjekësi, por në politikbërjen preshevare.

Si i porositur nga qielli, nga Gjermania na erdhi vehabisti dhe selefisti islamik, i tarafit të atyre që hodhën bomba dhe bënë masakra në Bruksel, Paris, dhe po e tmerrojnë për çdo ditë e më shumë Europën më sulmet e tyre terroriste.


“Evliaja” preshevar


 Shqiprim Arifi, i cili si “evlia” na u paraqit në skenën e politikbërjes preshevare kah mesi i vitit 2015, si “mrekulli” e radhës, por jo vetëm në mjekësi ku bashkëshortja e tij bënë “çudira”, por edhe në politikë.

Ashtu siç “evlijatë” dikur sfiduan mjekësinë, e cila sipas tyre ishte e “pasuksesëshme” meqë nuk i kishte çrrënjosur të gjitha sëmundjet dhe nuk i kishte zgjidhur të gjitha hallet e tyre, Shqiprim Arifi me qortim dhe mllef e drejtoi gishtin kah partitë shqiptare të Luginës së Preshevës, si fajtore për gjendjen diskriminuese të shqiptarve në Luginë të Preshevës.

Sikur “evliaja” e shquar e Livoçit dikur, por dhe “Burdushi” sot në Kosovë, që është edhe yll mediatik, meqë bënë 

“mrekulli”, edhe Shqiprim Arifi është bërë “yll” i vërtetë mediatik në mediat e Beogradit dhe në tërë Serbinë. 

Fotografia e Shqiprim Arifit me frizurën e tij karakteristike, bukvalisht i ka uzurpuar faqet e para të gazetave serbe, me deklaratat dhe premtimet e tia pompoze, se do e “dërgoj në pension politikbërjen e vjetër 27 vjeçare” të shqiptarve të Luginës së Preshevës”.

Natyrisht se, si çdo “evlia” edhe Shqiprim Arifi ka aftësi çudibërëse, të “mrekullibërjes” dhe ka bindur shumë njerëz hallexhinjë, sidomos një pjesë të rinisë, por dhe ambasadat e shteteve demokratike në Beograd, se fajin për gjendjen e mjerë dhe diskriminuese të shqiptarve në Luginë të Preshevës, nuk e ka Serbia, por “fajin e kanë partitë e vjetra”, të cilët “nuk janë lojalë ndaj Serbisë” dhe “problemet e shqiptarve dojnë t’i zgjidhin me Tiranën e Prishtinën, e jo me Beogradin”.

 Prandaj, Referendumi, lufta e UÇMB-së dhe rrezistenca kombëtare e shqiptarve, sipas tij , ishte e gabueshme!

Shqiprim Arifi këmbëngul se Plani Aksional Lokal (2017-2021) i hartuar nga Qeveria e Serbisë në Beograd, për kolonizimin e Preshevës me kriminelë serbë të ikur nga luftërat serbe në Kroaci, Bosne e Kosovë dhe me refugjatë të tjerë, duhet miratuar. 


Stop, Planit Aksional!


Ai këtë dokument për serbizimin e Preshevës e ka nënshkruar, që shkaktoi edhe prishjen e koalicionit qeverisës APN-PVD dhe është në pritje të zgjedhjeve të 24 dhjetorit, për ta realizuar këtë projekt makabër e antishqiptar, që pretendon ndryshimin e strukturës etnike të Preshevës dhe Luginës.

Aftësia “mrekullibërëse” e Shqiprim Arifit, si “evlia” i Vuçiqit, ka premtuar se do e bëjë “popllavë” Preshevën!

Zgjedhjet e 24 dhjetorit janë shpallur si “Referendum i Dytë” i preshevarëve, përballë APN-së dhe kryetarit të saj, Shqiprim Arifit, kundër Planit Aksional të Qeverisë së Serbisë për serbizimin e Preshevës dhe partive që janë kundër.

Shpresojmë dhe urojmë që të fitoj kësaj radhe opsioni politik i udhëhequr nga femra e parë kandidate për kryetare të komunës në historinë e Luginës së Preshevës dhe ndër të rallat në mbarë Shqiptarinë, e cila do i prijë me sukses dhe dinjitet koalicionit paszgjedhor të qeverisjes së Komunës së Preshevës, në mandatin e ardhshëm katërvjeçar (2017-2021), duke stopuar dhe pamundësuar implementimin e synimeve antishqiptare e pansllaviste të SNS-it dhe regjimit të Serbisë për ndryshimin e strukturës kombëtare dhe rikolonizimin me serbë të Komunës së Preshevës.












No comments:

Post a Comment