Sunday, September 24, 2017

Zgjedhjet lokale të 22 tetorit si testim për zgjedhje të reja parlamentare?!


Shkruan: Nehat Hyseni


Zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017, realisht, ishin pasojë e ambicieve të tepruara e megalomane, politike e karrieriste të Kadri Veselit, si lider i ri i PDK-së, i cili erdhi në krye të kësaj partie, meqë Hashim Thaçi, me votat e LDK-së, në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, më 26 shkurt 2016, u zgjodh President i Kosovës për mandatin pesëvjeçar 2016-2021.

 Sapo u zgjodh Hashim Thaçi President, LDK ishte e panevojëshme. Kurse, Kadri Veselit nuk i mjaftonte posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, por synonte pushtetin elkzekutiv, aty ku janë paratë, dmth  "kuletën" e shtetit, postin e kryeministrit.

Këto ambicie, kryeparlamentari Veseli i arsyetonte me retorikë "patriotike", kinse Qeveria e Isa Mustafës nuk ishte e aftë dhe e guximëshme  për marrje të "vendimeve të mëdha"!

Por, "pazari i shpisë", nuk i doli në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, PDK-së dhe Kadri Veselit, meqë pësuan rënie drastike.

Ndërkaq, zgjedhjet lokale të 22 tetorit, sa duket, Vetëvendosjes dhe LDK-së do t'i shërbejnë si matje apo testim i fuqisë së tyre elektorale, por edhe si sinjal i fortë e indikator real për fatin e Qeverisë Haradinaj dhe të koalicionit PANA-Lista Srpska.

Prandaj, angazhimi i partive politike në fushatën parazgjedhore për këto zgjedhje lokale do të jetë shumë më i madh. 

Madje, kryeministri Haradinaj e filloi këtë fushatë në mënyrë krejtësisht të çuditëshme dhe të papranueshme për një shtet normal dhe për njē demokraci deri diku të konsoliduar. Haradinaj po sillet si pronar dhe patron i Kosovës, që tani i ka mbetur vetëm edhe fitorja nëpër komuna dhe do e shpallë pushtetin e tij absolut si mbret i Kosovës, duke harruar i shkreti se sa e brishtë është mazhoranca që e solli atë në pushtet. 

Për më tepër, jeta e Qeverisë së tij është e lidhur dhe e varur tmerrësisht nga disponimi i shtetit armik të Republikës së Kosovës. 

Mjafton një "tërmet" politik minimal dhe Qeveria Haradinaj do të rrëzohet menjëherë. Sidomos gara lokale me PDK-në, si rivale e saj në disa komuna, por dhe nga zbythja e Qeverisë Haradinaj në planin ndërkombëtar, me tërheqjen e kandidaturës së Republikës së Kosovës për pranim në Interpol, dështimi më se i sigurtë i Demarkacionit dhe formimi i premtuar i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, zor se do të mbulohen me kinse forminin e Ushtrisë së Kosovës, me premtimin e ndryshimit të vetëm një germe, nga FSK, në FAK.

Pritshmëritë janë se Vetëvendosja do i fitoj dhjetë komuna dhe, mbase, do e rikonfirmoj veten si partia më e madhe e Kosovës. 

Poqese ndodhë kjo realisht, atëherë Ramush Haradinaj dhe Qeveria e tij duhet t'i paketojnë plaçkat!

Kurse, Kuvendi i Kosovës ose do të krijoj mazhorancë të re qeverisëse, ose do të shpërbëhet dhe do të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare, në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm kalendarik.



No comments:

Post a Comment