Monday, September 25, 2017

Si dhe pse u shkarkua kryetarja Ardita Sinani nga Qeveria e Serbisë?



Shkruan: Nehat Hyseni


Kryetarja e Komunës së Preshevës, zonja e nderuar Ardita Sinani (PVD), u shkarkua nga ky post me vendimin e Qeverisë së Serbisë, të 15 shtatorit 2017, dhe në vend të saj u caktua "Organi i Përkohshëm", me Shqiprim Arifin (APN), si kryetar.


"Hillary Clinton" e Luginës së Preshevës


Zgjedhja e zonjës Ardita Sinani në postin e Kryetares së Komunës së Preshevës, më 10 mars 2017, bëri jehonë dhe publicitet jashtëzakonisht të madh, të paparë ndonjërë më parë në historinë politike të Preshevës, si në shtypin dhe mediat shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, poashtu edhe në mediat rajonale e europiane. 

Disa media franceze, si dhe mediat e Europës Juglindore, Ardita Sinanin e quajtën "Hillary Clinton" e Luginës së Preshevës.

Pra, zgjedhja e merituar e zonjës Sinani ishte një veprim i qëlluar dhe paraqiti surprizë jashtëzakonisht pozitive, meqë ishte e vetmja grua kryetare e Komunës edhe në tërë Serbinë dhe ishte një leksion i mirë afirmativ edhe për emancipimin e femrës shqiptare dhe barazinë e saj në shoqëri, si vlerë e pretenduar europiane, sidomos nga popujt e Ballkanit.


Kryetarja e parë femër në historinë e Luginës së Preshevës


Zonja Ardita Sinani është kryetarja e parë shqiptare në historinë e Luginës së Preshevës apo Kosovës Lindore, dmth. Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si komuna të banuara me shumicë shqiptare në Serbi, ashtu siç është zonja Mimoza Kusari-Lila, kryetare e parë grua, e komunës së Gjakovës, në Kosovë.

Përndryshe, Ardita Sinani, ka lindur 15 nëntor 1980, në Preshevë. 

Profesoreshë dhe eksperte e shkëlqyer e ekonomisë 


Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Preshevë, kurse në Fakultetin Ekonomik- dega Menaxhment dhe Informatikë, në Prishtinë, ka diplomuar me sukses të shkëqyeshëm në vitin 2003.

Punoi fillimisht si profesoreshë në gjimnazin e  komunës së Bujanocit, pastaj në administratën komunale të Preshevës udhëhoqi sektorin e zhvillimit ekonomik dhe tregoi aftësi të jashtëzakonëshme sidomos në bashkëpunim me USAID-in dhe me Programin e CHF-së, si dhe me Grupin EEE, për identifikimin  e prioriteteve zhvillimore dhe implementimin e suksesshëm të tyre në Komunën e Preshevës.


Kontributi i madh për Grupin EEE të CHF-it 


Gjithashtu, zonja Ardita Sinani ka dhënë kontribut të madh edhe reth hartimit të Planit Afatmesëm zhvillimor të Komunës së Preshevës për periudhën 2008-2015, si dhe në trajnimin e suksesshëm të stafit të administratës komunale për certifikimin me ISO standardin 9001, si njëra nga dhjetë komunat e Europës Juglindore, që u financuan nga USAID-CHF-i, kurse u realizuan nga IMSP nga Beogradi, nën udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e përkushtuar dhe me kompetencë të lartë profesionale të Prof. Dr. Edita Kastratoviq.

Unë, si koordinator që isha i Grupit EEE të CHF-it 2002-2008, si dhe stafi i zyres tonë në Preshevë, por edhe Drejtoria e USAID-it (CHF) në Beograd, shprehë me konsideratë të lartë falemnderime dhe mirënjohje të sinqertë për kontributin e çmuar të zonjës Ardita Sinani, si eksperte brilante e ekonomisë dhe si bashkëpunëtore e shkëlqyeshme dhe maksimalisht korrekte dhe e përkushtuar.


Zbulimi i krimit dhe korrupcionit


Ardita Sinani, si eksperte e shkëlqyer dhe si pedagoge, që nga dita e parë në postin e kryetares së komunës së Preshevës, bëri kthesë radikale në qeverisjen lokale.

Menjëherë angazhoi ekspertë të fushës financiare për të parë obligimet e komunës ndaj ndërmarrjeve kontraktuese, si dhe gjendjen e realizimit të punëve të kontraktuara në terren.

Rezultatet ishin alarmante! Qeverisja e papërgjegjëshme nëntëmujote e APN-së dhe Shqiprim Arifit kishin abuzime të pafund dhe keqpërdorime e makinacione korruptive nga më të ndryshmet. 

Vetëm me një tender, ata synonin reth 220 mijë euro t'i përvetësonin në mënyrë abuzive! 

Pra, rezultoi se Shqiprim Arifi kishte udhëhequr një bandë kriminale dipas ligjeve të mafisë e "nëntokës"!

Meqë zbardhja dhe zbulimi i këtyre abuzimeve kishte marrë drejtimin e duhur, Shqiprim Arifi, me mbështetjen direkte të Presidentit të Serbisë, dy muaj pas shkarkimit të tij, më 10 maj 2017, në Leskovc, Aleksandar Vuçiqi e lavdëron dhe e ngritë në qiell Shqiprim Arifin, pikërisht në kohën kur ishin zbuluar dhe kur ishte bërë zbardhja e krimeve të tij, nga institucionet kompetente.


Bllokada me mbështetje të Qeverisë së Serbisë


Prandaj, u bë e qartë se kryetarja Ardita Sinani, në luftën e saj të pakompromis, kishte përballë Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Qeverinë e udhëhequr nga e preferuara e tij, Ana Bërnabiq.

Gjatë kësaj kohe, mbledhjet e Kuvendit Komunal ishin shndërruar në ferr të vërtetë!

Shqiprim Arifi dhe banda e tij nuk respektonin asnjë procedurë reth ecurisë së mbledhjeve, duke nxitur e provokuar me ngulm konflikte dhe gjakderdhje me pasoja të paimagjinueshme.

Pra, u pa puna se Serbia kishte aleatin apo agjenturën e vet politike në këtë komunë, që do të bllokonte deri në pafundësi zhvillimin e demokracisë dhe ecurinë normale të funksionimit të pushtetit lokal.


Misioni antishqiptar


Diverzioni antishqiptar i Qeverisë së Serbisë mori epilogun me shkarkimin e kryetares së komunës Ardita Sinanit, me vendimin e 15 shtatorit 2017, dhe me emërimin e Organit të Përkohshëm nga premierja Ana Bërnabiq, me Shqiprim Arifin si kryetar të këtij organi, si dhe me vendosjen e raportit diskriminues 3:2, në favor të pakicës APN-SNS, me 11, kundër shumicës me 27 këshillëtarë të PDSH-PVD-së.

Kështu Qeveria e Serbisë e stopoi luftën kundër krimit e korrupsionit në komunën e Preshevës dhe e riinstaloi njeriun e besueshëm të vet nga radhët e shqiptarve të kësaj treve.

Pra, Qeveria e Serbisë me anë të APN-së dhe Shqiprim Arifit si person i besueshëm i Serbisë, me mision special në Luginë të Preshevës është instrument për realizimin e projekteve antishqiptare serbe, që nga "Naçertania" e Garashaninit e deri në ditët e sotme, sa duket, nuk kanë hequr dorë nga synimet dhe pretendimet e tyre makabre për spastrimin etnik të Luginës së Preshevës nga shqiptarët.







No comments:

Post a Comment