Saturday, September 16, 2017

Sfidat e Qeverisë Haradinaj dhe perspektiva e dyshimtë e koalicionit PANA-"Lista Srpska"


Shkruan: Nehat Hyseni


Kryeministri Ramush Haradinaj dhe qeveria e tij, si rezultat i Koalicionit PANA-"Lista Srpska", do të mbahen në mend për mbështetjen minimale nga Kuvendi i Kosovës, në seancën e 9 shtatorit 2017, si dhe për kredibilitetin e munguar moral dhe besimit të popullit shumicë, dmth shqiptarve të Republikës së Kosovë.

Pra, kjo Qeveri u krijua me mbështetjen e pakicës shqiptare të Koalicionit PANA dhe "Listës Srpska", dmth. me bekimin e Beogradit. 

Prandaj, në sytë e shqiptarve të Kosovës dhe mbarë shqiptarisë, dramaciteti i ndërprerjes së seancës nga Kadri Veseli, për t'i pritur si "shpëtimtarë" deputetët e "Listës Srpska" nga konsultimi i tyre me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd, dmth nga kryeqyteti i shtetit që e konsiderojmë "armik". 

Realisht, autoriteti i Ramush Haradinajt tek shqiptarët, për shkak të ecurisë së tij fanatike dhe pa skrupulla drejtë postit të kryeministrit, aktualisht është në pikën më të ulët, dmth minimal te shumica e shqiptarve të Kosovës. 

Rrugëtimi jo i lavdishëm i z.Haradinaj drejt këtij posti,

bashkë me Koalicionin PANA-"Lista Srpska" dhe krahëpërkrahë me PDK-në dhe Kadri Veselin, që kohë më parë i quante si "e keqja e Kosovës", në sytë e popullit shumicë të Kosovës, por edhe tek të gjithë shqiptarët kudo që janë, ka krijuar shije të hidhur dhe të papëlqyer deri në ekstrem. Madje edhe votimi i Qeverisë së tij në Kuvendin e Kosovës u bë në limitet e "vijës së kuqe" të minimumit prej 61 votash nga 120 deputetë, në sallën e boshatisur dhe zgjedhjen e bojkotuar nga shumica e deputetëve shqiptarë.

I vetëdijshëm për mungesën drastike të fuqisë politike, kryeministri Haradinaj, sapo e filloi punën i tregoi "muskujt" fizikë, duke e shkelmuar derën e zyres së ministrave, duke e shkatërruar atë plotësisht. Natyrisht, këtë demonstrim të forcës së tij fizike, kryeministri Haradinaj e kishte shoqëruar edhe me të sharë "allashqiptarçe" me nanë e robë..."

Qeveria Haradinaj, që nga mbledhja e parë shkarkoi kryetarin e komisionit z.Murat Mehaj, për të cilin thuhet se është njeri i Hashim Thaçit dhe emëroi Shpejtim Bulliqin nga LDK-ja, kryetar të komisionit për demarkimin e kufirit shtetëror midis Republikes së Kosovës me Malin e Zi, i cili ishte përkrahës dhe njihet si njeri i z. Haradinaj.

Mbase, z. Haradinaj me këtë gjest kishte për qëllim që të përballet me sfidën e tij të parë politike, që e kishte shfrytëzuar si kauzë patriotike dhe bashkë me Vetëvendosjen dhe një pjesë të deputetëve të LDK-së e të PDK-së, kishin arritur ta bllokojnë miratimin e Marrëveshjes për Demarkacionin, që ishte caktuar nga Unioni Europian, si kusht për liberalizimin e vizave. 

Madje, bllokimi i kësaj pike të rëndësishme kishte arritur që ta bllokoj punën e Parlamentit dhe me propozimin formal të Nismës dhe me përkrahjen e PDK-së dhe Vetëvendosjes, arritën ta shpërndajnë Kuvendin e Kosovës, ta rrëzojnë Qeverinë e Zisa Mustafës dhe t'i shpallin zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017.

Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është sfida kryesore e Qeverisë Haradinaj. 

Sepse, qëndrimi i tij partiak e personal bie ndesh me atë të BE-së dhe të SHBA-ve. 

Ky fakt ia "përkujtoi" njëri nga gazetarët gjatë një konference për mediat, që i solli nervozë të konsiderueshme kryeministrit Haradinaj dhe sjellje arrogante, të padenjë për postin e lartë shtetëror që ushtron aktualisht.

Mbase, pikërisht çështja e Demarkacionit mund ta ndajë AAK-në dhe z.Haradinaj nga Koalicioni PANA-"Lista Srpska" dhe së bashku me "Nismën" e Fatmir Limajt të bashkohen me Vetëvendosjen dhe LDK-në dhe të krijojnë koalicionin e madh: VV (32) + LA (27) + AAK (11) + Nisma (7) = mazhorancën prej 77 deputetëve shqiptarë.

Kurse, së bashku me opozitën (20), do e krijonin mazhorancën më të madhe qeverisëse, prej 97 deputetësh, në historinë politike të Republikës së Kosovës, që nga paslufta e vitit 1999 e deri më sot.

Rrjedhimisht, PDK do të mbetej në opozitë dhe do të realizoheshin objektivat politike dhe premtimet e fushatës parazgjedhore të Vetëvendosjes dhe të LA-së, si dhe do të shpërbëhej Koalicioni PANA-"Lista Srpska", që realisht është i urryer nga populli shumicë i Kosovës, meqë varet nga diktati politik i Beogradit.





No comments:

Post a Comment