Wednesday, September 27, 2017

Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi neglizhojnë hyrjen e Misionit sekret rus në Kosovë?!



Shkruan: Nehat Hyseni


Agjenturat serbo-ruse janë fuqizuar sërish në Ballkanin Perëndimor, dmth në Kosovë, Maqedoni, në Luginë të Preshevës, në Mal të Zi dhe në Shqipëri.

Diktatori i Rusisë, ish KGB-isti apo "UDB-ashi" sipas fjalorit tonë politik, është i vendosur që ta rikthej Perandorinë pansllaviste ruse në trojet shqiptare në Ballkan, duke pretenduar që ta sfidoj ndikimin amerikan në këto troje.

Ngjarjet kriminale të agjentëve rusë para dy vitesh në Mal të Zi dështuan në përpjekjen për ta rrëzuar qeverinë malazeze të Gjukanoviqit, të njohur si proamerikane dhe vendosjen me dhunë të regjimit prorus të serbëve të Malit të Zi.

Gjithashtu edhe në Maqedoni, ngjarjet e dhunëshme në ndërtesën e Parlamentit, me rastin e zgjedhjes së kryetarit të parë shqiptar të Kuvendit të Maqedonisë, z.Talat Xhaferi ishin vepër e agjentëve serbë e rusë.

Meqë shqiptarët janë vlerësuar si populli më proamerikan në rajon dhe në botë, agjenturat proruse janë të mbështetura nga nacionalistët dhe shovinistët e kriminelët serbë e maqedonë, si dhe nga partitë e tyre nacionaliste e antishqiptare, nga Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit, DSS-i i Vojisllav Koshtunicës dhe nga partitë tjera shoviniste.

 Mjerisht, edhe partitë në pushtet në Serbi, si psh. SNS-i i Presidentit Aleksandar Vuçiq, SPS-i i Sllobodan Millosheviqit i pasuar nga Ivica Daçiqi, etj., si dhe VMRO e Nikolla Gruevskit në Maqedoni, janë dëshmuar si agjentura pansllaviste ruse në Ballkan.

"Sihariqi" i pabesueshëm ndodhi edhe në Republikën e Kosovës, sidomos pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit dhe formimit të Qeverisë Haradinaj dhe koalicionit qeverisës PANA-Lista Srpska, të varur nga Beogradi dhe Moska.

Askush, madje as më skeptikët nuk kanë mundur ta besonin kohë më parë se do të ndodhë që ecuria e mbledhjeve të Kuvendit do të varet nga konsultimet e Listës Srpska me Beogradin dhe Moskën!

Pra, ky është bërë realitet i hidhur i atyre që deri dje kishin përdorur retorikën politike dhe ndërtuan karriera politike dhe morën pushtetin pikërisht me "patriotizmin" dhe me  floskulat e pallavrat e tyre "nacionaliste".

Lufta e egër për pushtet, sa duket ia ka rrënuar shanset dhe mundësitë reale Republikës së Kosovës dhe kanë sfiduar rënd ëndrrat tona shekullore për t'u bërë shtet.

Kështu, aktin makabër të nënshkrimit nga Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe Branimir Neshiq, shefi i zyrës rajonale për OJQ-Ballkan si “mision humanitar rus”, të një "Memorandumi bashkëpunimi", me pretendimin, kinse "për të ndihmuar serbët e Kosovës". 

Ky Mision rus, pra, është i kamufluar pas emërtimimit si  "organizatë humanitare", sipas këtij memorandumi dhe pretendon se "do t'i ndihmojë serbët e Kosovës, në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe asistencës sociale". 

Natyrisht se nuk kemi as më të voglin dyshim se ky "mision humanitar", realisht, mund të përdoret edhe si mision spiunazhi, meqë financohet direkt nga fondet Moskës. Sepse,

Rusia dhe Serbia kanë vepruar njësoj edhe me "Qendrën Humanitare Ruse" në qytetin e Nishit. 

Ndërkaq, reagimet dhe kundërshtimet nga Qeveria amerikane ishin njëkohësisht edhe akuza të drejtpërdrejta ndaj Rusisë dhe Serbisë, se kjo qendër nuk kishte të bënte me aktivitete humanitare, por "po vepronte si një qendër e Shërbimit sekret rus, për të penguar interesat amerikane në Ballkan". 

Me rastin e nënshkrimit të këtij "Memorandumi", që u realizua së bashku me shefin e Zyrës serbe për Kosovën, u tha se "misioni humanitar rus punon me ndihmën dhe mbështetjen e  Rusisë", që siç e dijmë,  është e udhëhequr nga pretendimet pansllaviste dhe nga dora e hekurt e diktatorit Vlladimir Putin.

Edhepse këtë ngjarje të tmerrëshme kundër sovranitetitetit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës e publikuan të gjitha mediat lokale e rajonale, megjithatë mungoi reagimi zyrtar i Qeverisë, Presidencës dhe Kuvendit të Kosovës?!

Sa duket, ata janë të zënë me "punë më të mëdha", reth fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, të cilat, sa duket, sipas tyre janë vlerësuar si më të rëndësishme se sovraniteti dhe siguria e këtij vendi!



No comments:

Post a Comment