Sunday, September 10, 2017

Qeveri e krizës dhe dëshprimit



Shkruan: Nehat Hyseni


Kriza politike e Republikës së Kosovës po riciklohet gjithënjë e më tepër, duke u stërpërsërsëritur deri në pafundësi. 

Madje, çdo herë e më tepër po merr forma edhe më të rënda, që e ka lodhur e stërlodhur e demoralizuar deri në ekstrem popullin e Kosovës, e sidomos të rinjtë, të cilët kanë humbur shpresat se do të shohin "dritë në fund të tunelit" e do të bëhet ndonjëherë mirë.

Edhe ata pak optimistë që shpresonin se do të bëhet mirë, pas stërzgjatjes së krizës politike dhe bllokadës institucionale pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017, si dhe mënyrës së zgjedhjes së Qeverisë më 9 shtator, pa debat dhe me diktat politik antidemokratik, duket se i kanë humbur shpresat definitivisht dhe ia kanë mësyrë ikjes nga "Kosova e lirë".

Sidomos pas bashkëngjitjes së AKR-së me koalicionin PAN, për formimin e Qeverisë së koalicionit me Ramush Haradinajn kryeministër, realisht ky ekzod ka marrë hov edhe më të madh dhe druajmë se do të eskaloj në përmasa edhe më të mëdha e dramatike.

Si çdo krizë e stërzgjatur, edhe kriza politike kosovare, që ka marrë karakter ciklik dhe afatgjatë, ka degjeneruar në krizë ekstreme vlerash dhe në krizë të thellë morale.

Qeveria e PAN-it, e ndihmuar nga tyxhari Behgjet Pacolli, është qeveri pa parime të qarta dhe pa skrupulla morale, njerëzore e kombëtare. 

Kjo Qeveri, realisht do i ketë të gjitha karakteristikat e një qeverie antikombëtare dhe retrogarde, meqë do jetë me trup në Prishtinë, kurse me kokë në Beograd. 

Sepse, Beogradi është involvuar në politikbërjen kosovare dhe në funksionimin e shtetit të Republikës ë Kosovës edhe më keq dhe më zi se në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës e  të kohës së Azem Vllasit.

Shumë e zymtë dhe e trishtueshme ishte atmosfera politike në Tempullin e Demokracisë, në Kuvendin e "Kosovës, gjat pasditës së vonë të ditës së shtunë, më 9 shtator 2017.

Pas tre muajsh pritjeje, zhagitjeje, malverzimesh e matrapazllëqesh nga më të ndryshmet, përfunduan me pazarllëqe të pista, që nuk i bëjnë nderë këtij vendi.

 Ndjenja e trishtë që imponohet nga sjellja banditeske e kësaj klase politike, sikur na paralajmëron një ogur të zi dhe fatkeq, që na e vranë shpresën dhe ëndrrat shekullore për liri dhe sakrificave e viktimave të pafundme dhe flijimeve më sublime që i bëmë ndër shekuj për vatan, për shtet e për demokraci.

Shteti pa demokraci shndërrohet në përbindësh dhe tmerr, që vret ëndrrat për të ardhmen dhe e bënë jetën skëterrë, kurse vatanin apo shtetin për të cilin u flijuam, e bënë të padenjë për të jetuar.

Thanë se shpresa vdes e fundit! Druajmë se kjo ndodhi pikërisht më 9 shtator 2017. 

Pra, u vra shpresa nga mënyra e paskrupulltë se si shkilet e vritet demokracia, si pushtet i shumicës së popullatës shumicë të këtij vendi të bekuar, nga pakica e këtij populli dhe nga vullneti politik dhe interesat e një shteti, armik të përbetuar me shekuj.

O Zot i Bekuar! 

Pse na krijove kaq të paskrupulltë, kundër krijimit të shtetit siç i ka hije çdo populli normal mbi këtë Tokë dhe na fale aq grykësi të paskrupulltë për pushtet?!


Është krim se sa shpejt kjo klasë politike e "çlirimtarëve" i rrënoi themelet e Republikës, duke na komprometuar para botës e duke na mbajtur të izoluar nga Europa dhe bota e civilizuar dhe demokratike, në "karantinë", sikur me pasë kolerë dhe paraqesim rrezik që të mos e infektojmë botën me këtë sëmundje tonë vdekjeprurëse.

Druajmë se na presin trazira e protesta gjithëpopullore dhe se do na kthehen skenat dhe pamjet e dhunës, shkatërrimeve e demolimeve nëpër rrugët e Prishtinës, sikur ato të vitit 2014.


No comments:

Post a Comment