Friday, September 15, 2017

Lufta për karriga


Shkruan: Nehat Hyseni


Qeveria Haradinaj u krijua nga koalicioni PANA-Lista Srpska,  pas krizës politike që zgjati tre muaj dhe siç thotë populli, "me qykë të zorit" e për faqe të zezë.

Kjo Qeveri u krijua si uzurpatore e pushtetit, me makinacione politike e juridike nga më të ndryhmet, si dhe me kredibilitet e mbështetje të munguar nga populli shumicë i Kosovës.

 Por, si qeveri dhe mazhorancë uzurpatorësh, ata tani kanë filluar të krijojnë skandale në garën e tyre për uzurpimin e karrigave se kush do të ulet më afër kryeministrit gjatë mbledhjeve të Qeverisë, duke uzurpuar karrigat se kush është më i zoti të ngjitet sa më lartë në pushtet dhe t'i tregoj "muskujt" politikë, por edhe fizikë para të tjerëve. 

Pra, avazi i shtyerjes "me brryla" drejtë pushtetit paraqet sëmundje morale që e karakterizon tarafin politik aktual, që do ta qeverisë Republikën e Kosovës në mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2017-2021.

Përballja e Fatmir Limajt (Nisma) dhe Enver Hoxhajt (PDK) për karrigë në mbledhjen e Qeverisë, tregon se salla e mbledhjeve të Qeverisë shumë lehtë mund të shndërrohet në "ring", si arenë e ballafaqimit të tyre fizik dhe psiqik dhe si shpërthim i pakontrolluar i emocioneve, epsheve dhe ambicieve të tyre të paskrupullta për pushtet.

Para se të fillonte  mbledhja e parë e Qeverisë Haradinaj, z. Hoxhaj ka shkuar më herët në sallën e mbledhjeve dhe është ulur në karrigën e z. Limaj dhe nuk e ka lëshuar më. 

Kjo gjë e paska nervozuar z.Limaj dhe e paska lëshuar mbledhjen demonstrativisht, në shenjë revolte. 

Pastaj, z.Limaj ka urdhëruar shërbimin e protokollit që të mos e lejojnë në të ardhmen një gjë të tillë, por të ulet secili "aty ku e ka vendin".

Në anën tjetër, para kësaj mbledhje, kryeministri Haradinaj, i nervozuar për vonesën e ardhjes në punë të ministrave të Qeverisë tij, kishte shkelmuar dhe ndarë për gjysmë derën e mbyllur të zyres.

Kur kemi parasysh se ky është vetëm fillimi dhe java e parë e punës së kësaj Qeverie, që shënoi shumë skandale, duke filluar me skandalet me gazetarë dhe po përmbyllet me luftën për karriga, pritshmëritë janë se mund të kemi shumë surpriza në të ardhmen, që do e bëjnë të bujëshme dhe "dinamike" skenën e politikbërjes kosovare.



No comments:

Post a Comment