Monday, September 4, 2017

Faruk Veliu dhe Agron Boriçi, dy figura madhështore të Luginës së Preshevës



Shkruan: Nehat Hyseni


Faruk Veliu është i biri i filantropit dhe kontribuesit të madh e patriotit Abullah (Haxhi) Veliut, në shtëpinë historike të të cilit, të mirënjohur si "Villa Letafet" (1936), është hapur në shkurt të vitit 1945, shkolla e parë shqipe në Luginë të Preshevës.

Kurse, nipi i tij, djali i motrës së tij, Fetanetes, Agron Boriçi është i biri i arsimtarit të gjuhës shqipe, Nexhat Boriçit nga Shkodra, i cili, si zogist dhe djathtist e demokratbi përbetuar, pas Luftës së Dytë Botërore kishte ikur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe kishte gjetur strehim në Preshevë, ku punoi deri në vdekjen e tij të herëshme, me mallin e pashuar për Shkodrën e tij të dashur.

 Kisha nderin dhe krenarinë që edhe unë të isha nxënës i tij dhe kur rastësisht përmendej gjatë orës Shqipëria dhe sidomos Shkodra, ai nuk përmbahej dot dhe emocionohej e shkrehej në vaj.

Dajë e nip, këto dy figura të mëdha, Faruk Veliu dhe Agron Boriçi, me largimin e tyre të hershëm nga jeta, kanë lënë një boshllëk të madh në jetën shoqërore, arsimore e kulturore dhe po i po i mungojnë shumë Luginës së Preshevës!

Zotëri Faruku ishte një personalitet i gjithanshëm dhe univerzal dhe në secilin segment të jetës ishte brilant: si intelektual i mirëfilltë, pedagog i i shkëlqyer, patriot e arsimdashës, si drejtor dhe si kolegë i dashur dhe si arsimtar i adhuruar nga nxënësit. 

Gjithashtu ishte i mirënjohur si sportist i dalluar, sidomos në hendboll.

 Si sot më kujtohen brohoritjet e publikut dhe golat e mrekullueshëm që i shënonte i ndjeri në ndeshjet qê zhvilloheshin në terrenet sportive të Shkollës Fillore "15 Nëntori" (tani: "Profesor Ibrahim Kelmendi").

Por, mbi të gjithat, i madhi Faruk Veliu shkëlqente në skenën e teatrit "Abdulla Krashnica", si aktor brilant, në regji të Nexhati Rexhepit e të Agron Boriçit. 

Sidomos mbetet i paharruar dramatizimi gjenial i romanit "Një natë e turbullt" nga Agron Boriçi, ku ai arriti që një roman ideologjik të kohës ta shndërroj në një dramë-tragjedi të jetës reale preshevare dhe të sakrificave kombëtare e tragjedive familjare të shqiptarve të Preshevës, që asokohe e pësuan nga okupatorët bullgarë e sllavo-komunistë. 

Agron Boriçi me këtë dramë i dha shpirt jetës preshevare gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kurse aktorët si Faruk Veliu dhe të tjerët i "ngjallën" tragjeditë e kalvaret jetësore të asaj kohe, që me skenografinë  e papërsëritshme artistike e profesionale të Prof. Sabedin Hetemit, e bënë publikun preshevar që të mishërohet dhe të bashkëndjejë ngjarjet deri në përlotje dhe qarje me zë  të këtij publiku artdashës e patriotik të Preshevës. 

Përveç dramatizimit të romanit të përmendur, Agron Boriçi u mor edhe me regji të një numri të madh dramash dhe me aktrim, duke e ngritur kështu në piedestal Teatrin Amator "Abdulla Krashnica" të Preshevës, që gjatë veprimtarisë së palodhëshme gati 40 vjeçare, arriti të korrë suksese kulminante, që u kurorëzuan me shpërblime e çmime të vlefëshme mbarëkombëtare, por dhe shtetërore e ndërkombëtare, me shfaqje të panumërta të dramave të shumëta nëpër skenat teatrore dhe shtëpitë e kulturës në mbarë Shqiptarinë dhe në rajon, madje edhe në Europë.

Por, Agron Boriçi, i cili me profesion ishte dhe punonte si inspektor sanitar në komunën e Preshevës, shkroi edhe shumë drama, si dhe tregimin sarkastik të mirënjohur "Sherri i Preshevës në derë të Stambollit", ku i shpalosë aftësitë e tij prej mjeshtri të përkryer prej shkrimtari me kulturë të gjërë dhe me talent të spikatur, por dhe me ndjenjë të stërholluar të karakterit dhe jetës, sherreve dhe të veçantive të mentalitetit të preshevarëve.

Nip e dajë, Agroni dhe Faruku do të bashkëpunonin shumë në skenën preshevare në një mori dramash, që me nostalgji e admirim i përkujtojmë dhe na emocionojnë deri në përlotje e mallëngjim, sa herë që i kujtojmë.

Ngjarjet e vitit 1999 shënuan ndryshime dramatike në jetën e të shqiptarve, por dhe të preshevarëve, në veçanti. 

Sepse, pos traumave dhe tragjedive tê përjetuara gjatë vitit 1999 dhe Luftës së UÇB-së  2000-2001, preshevarët pësuan një ekzod masovik drejtë Kosovës, kryesisht në Prishtinë dhe drejtë shteteve të Perëndimit. 

Faruk Veliu, edhepse ishte i mirëpritur e i respektuar jashtëzakonisht mirë në Prishtinë, ai megjithatë e përjetoi tepër rëndë këtë zhvendosje dhe shpërnguljen nga Presheva e tij e dashur. I mungonte "çdo gurë e dru", thoshte i ndjeri dhe mallëngjehej e i dridhej mjekrra nga emocionet.

Pushonte së foluri dhe druhej se të shpërthente në vaj. 

Eh, thoshte Faruku, "lezeti i Preshevës nuk është askund!"

"Po më mungon çarshia, po më mungon shoqëria, që kur të dalë nga shtëpia e rrugës deri në çarshi, të përshëndetem me pleqë e të ri" thoshte i mallëngjyer dhe i emocionuar maksimalisht i ndjeri Faruk Veliu.

 Pastaj, merrte frymë thellë dhe ofshante. 

Kjo skenë përsëritej në ndejat tona pothuajse të përditëshme në Prishtinë, në lokalin "Afërdita", përball Kuvendit të Kosovës, në afërsi të së cilës vinte Faruku në dyqanin tim dhe pastaj vazhdonim ndejën në kafene. 

"Po e hjekim mallin e Preshevës", thoshte me mallëngjim e nostalgji të zjarrtë, edhepse i rënduar dukshëm dhe i lodhur nga sëmundja e avancuar, që shihej se po e bënte të veten.

Faruku ishte edhe këngëtar i mrekullueshëm dhe bënte atmosferë të paharrueshme në ndejat e shumta në kafenetë e Preshevës. 

Sidomos mbeten të paharrueshme ndejat dhe ahengjet e shumta me Agronin dhe shoqërinë e vjetër.

Kur bashkohej edhe nipi i tij, arsimtari Isuf Ijsufi, i cili ishte këngëtar i shkëlqyeshëm dhe hokatar i madh dhe njihej për veprën e tij "antologjike", si autor i "Tefterit të budallëve të Preshevës", ku e fuste secilin person që bënte ndonjë gaf të rastësishëm. 

Aty e kishte futur veten në krye, meqë thoshte se pasi e kishte shtëpinë përskaj lumit, të gjithë banorët përskaj lumit i kishte futur në "Tefterin" e tij, pasi që "lumi është i ograisur", thoshte ai. (Hahahaaa)

Natyrisht, meqë edhe unë e kam shtëpinë përskaj lumit, patjetër që ma kishte rezervuar vendin e "merituar" në "Tefterin" e tij "të famshëm"! (Hahahaaa)

Barcoletat dhe të qeshurat, kënaqësitë e pafund i kujtoj me nostalgji e mall të papërshkrueshëm.

Herën e fundit, të ndjerin Faruk Veliu e kam takuar në udhëtimin e paharrueshëm me makinë nga Presheva për Prishtinë, së bashku me bashkëshorten e tij dhe motrën e nderuar. 

U ndalëm në lokalin pranë çezmës, përball liqenit të Badovcit. 

Ishte një pasdite e vonë e shtatorit të vitit 2001, sa më kujtohet.

Meqë sëmundja e tij kishte avancuar dukshëm, megjithatë z. Faruku ishte përplotë optimizëm dhe dashuri për jetën.

 Kthimi i tij nga Amerika, ku kishte qenë për kurim të sëmundjes së tij të pashërueshme, sikur e kishte mbushur me shpresë dhe bindje se ia kishre dalur ta mund sëmundjen.

Kështu, i ndihmuar nga e shoqja për të dalë nga makina, na u drejtua me bindje dhe seriozitet 

të madh: "e munda të keqen në Amerikë, ia dola!"

Pastaj, në atmosferën e këndëshme vjeshtore, ai e nxorri një CD me këngë të vjetra qytetare, sa më kujtohet shkodrane, që ia kishte dhuruar miku ynë i përbashkët, profesori i muzikës Adnan Ymeri, dhe e luti kamarierin që ta lëshoj për ta dëgjuar. 

Zëri i Bik Ndojës nuk e besoj se kishte jehuar ndonjëherë më bukur e më këndshëm se atë ditë, i shoqëruar me përcjelljen me plotë ngazëllim e entuziazëm nga zërat tanë të mallëngjyer e të emocionuar maksimalisht.

Faruk Veliu dhe nipi i tij Agron Boriçi, pra, kanë qenë dy figura të mëdha, që kanë dhënë kontribut të madh për kulturën kombëtare të shqiptarve të Luginës së Preshevës.

Ata i kanë dhënë shije të veçantë jetës kulturore e çarshisë preshevare.

Kujtimi me mall dhe respekt të pafund, do të jetë i përjetshëm për jetën dhe veprën e tyre të lavdishme patriotike e madhështore!

No comments:

Post a Comment