Friday, September 8, 2017

Agjenturat antishqiptare dhe misioni i tyre në Luginë të Preshevës (5)



Shkruan: Nehat Hyseni


Pas konsolidimit të pushtetit socialist të komunistëve, si dhe prishjes së marrëdhënieve me Perandorinë pansllaviste, BRSS-në e Stalinit, Jugosllavia socialiste e J.B.Titos filloi fushatën e spastrimit nga stalinistët ose "Informbyro-istët", me fokus të veçantë kundër komunistëve dhe kuadrove shqiptare.

Agjentët dhe shërbëtorët e deridjeshëm shqiptarë të regjimit antishqiptar, u shndërruan në viktima dhe të përndjekur e të persekutuar të sistemit.

Ndërkaq, komunisti serb, Aleksandar Rankoviqi, në vitin 1953 u zgjodh Nënkryetar i Republikës, dmth zëvendës i shefit të shtetit, J.B.Titos dhe pas pak u emërua edhe Ministër  i Punëve të Brendëshme dhe themeloi UDB-në famëkeqe.

Meqë J.B.Tito kishte ripërtrirë Marrëveshjen me Turqinë për shpërnguljen e shqiptarve, rifilloi edhe zbatimi i Elaboratit famëkeq të Vaso Çubtloviqit për spastrimin etnik të shqiptarve.

Kështu, në vitin 1956 startoi aksioni i mbledhjes së armëve, apo i "çarmatosjes" së shqiptarve nga UDB-ja, i cili, së bashku me aktivitetin agjenturor të spiunëve, shfrytëzoi edhe komunistët dhe hoxhallarët shqiptarë për nxitjen e shpërnguljes së shqiptarve në Turqi.

Detyrë e imamëve shqiptarë ishte që xhamitë anembanë trojeve shqiptare t'i shndërronin në qendra agjenturore të propagandës dhe të lavdërimit e glorifikimit të Turqisë si shtet mysliman dhe si "parajsë" mbi tokë, që obligonte të gjithë që të shpërnguleshin sa më parë dhe "mos me ndejtë ndër shka", por "me shku në Turqi e me rujtë dinin edhe imanin".

Prandaj, shqiptarët e Luginës së Preshevës, që janë të myslimanë, i nxitnin që të regjistroheshin si "turqë elhamdurilah!"

Kështu, për pak kohë numri i turqëve u dhjetëfishua!

Pra, me ose pa dashje, shumica e hoxhallarëve dhe imamëve shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin gjysëmanalfabetë e fanatikë, ishin vënë në shërbim të dreqit të mallkuar, dmth të regjimit antishqiptar dhe i kontribuan shumë shpërnguljes masovike të shqiptarve në Turqi në vitet e pesëdhjeta e të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar.

Kurse, detyrë e komunistëve shqiptarë ishte, meqë ata ishin të punësuar në administratën shtetërore, në gjykata, polici, etj., që ta ndihmonin këtë aksion me "ndihmën" e tyre ndaj shqiptarve për rregullimin e "vesikave", dmth dokumentacionit për shpërngulje.

 Është i njohur për shqiptarët e Luginës së Preshevës aktiviteti tejet negativ e antishqiptar i avokatit shqiptar nga një fshati Golemidoll i Preshevës (Abdullah), në këtë drejtim.

Administrata komunale, e sidomos shërbimi i ofiqarisë kishin urdhër nga UDB-ja që kërkesat e palëve për rregullimin e dokumentacionit për shpërngulje, të shqyrtohen e të miratohen me prioritet dhe urgjentisht, pa i lënë fare të pritnin. 

Një ish ofiqar shqiptar, tani në pension, nga një fshat i Kumanovës, gjatë bisedës në një tubim, tregoi se palët shqiptare nga ofiqarët maqedonë atje zhagiteshin me muaj e vite për një çertifikatë të lindjes apo kurorëzimit. 

Kurse, në Preshevë ishte ofiqari serb dhe ka luajtur rol tejet negativ dhe kundër shqiptarve, duke ua regjistruar gabimisht me alfabetin cirilik dhe duke ua deformuar qëllimisht emrat dhe mbiemrat shqiptarve, duke u sjellur atyre komplikime, telashe e probleme nga më të mdryshmit.

 Por, kur ishte fjala për shpërngulje, dokumentacioni dhe certifikata e kërkuar rregullohej aty për aty, brenda pak minutash.

UDB-ja kishte shtrirë rrjetin e agjentëve provokatorë midis shqiptarve, të cilët shtireshin nëpër ndeja, tubime e shengje"patriotë" dhe nxisnin të shprehnin ankesat dhe ndjenjat patriotike, si dhe gjuanin me armë nëpër dasma të parët, pastaj të tjerët nxiteshin t'i zbulomin armët s tyre, të cilat i kishin pa leje dhe i spiunonin dhe denonconin në polici. Natyrisht se arma pastaj u konfiskohej dhe denoheshin me denime e gjoba drakonike.

Shqiptarve më të vjetër të komunës së Bujanocit u kujtohet sigurisht UDB-ashi famëkeq, Bahtijari dhe zullumet e tij dhe dhunën e të këqiat e vuajtjet e shumëta që ua solli ai. Kurse, në komunën e Preshevës ishte Kankarashi si UDB-ash gjithashtu në zë të zi dhe u solli shumë vuajtje preshevarve. 

Aq shumë ishte zhvilluar asokohe rrjeti i agjentëve dhe spiunëve të panumërt në popull, sa që çdokush prej secilit, qoftë edhe nga familja e ngushtë, ruheshin, sepse kishin humbur besimin dhe druheshin prej njëri-tjetrit se mos spiunoheshin.

Me rënien Aleksandër Rankoviqit dhe makinerisë agjenturore të UDB-së, në korrik të vitit 1966, shqiptarët përjetojnë një liri dhe hov të madh në shkollim dhe liri kombëtare.

Vlen të përmendet një fakt interesant, që kishte ndodhur asokohe. 

Pas rënies së UDB-së dhe Ramkoviqit, agjentët dhe spiunët e deriatëhershëm shqiptarë, për t'i shpëtuar gjykimit të popullit, filluan të paraqiten si "patriotë" dhe, edhenuk kishin vënë kurrë kapuç, ata i vunë plisat dhe "flakë" qitnin nga goja për "shqiptarizëm". 

Populli i injoronte të tillët dhe i quante me përbuzje "bellokapca", për shkak se e përdormin plisin kombëtar për t'i kamufluar veprimet e dikurëshme makabre si agjentë e spiunë të UDB-së.

Me rënien e Rankoviqit dhe me ndaljen e presioneve dhe dhunës, u ndal edhe shpërngulja e shqiptarve për Turqi.

Kurse, me miratimin e Kushtetutës së RSFJ-së të vitit 1974, shqiptarët fituam të drejta dhe liri kombëtare shumë më të mëdha. 

Shkollimi i hovshëm i shqiptarve që pasoi, atyre ua hapi sytë dhe i vetëdijësoi për padrejtësitë që u ishin bërë atyre si komb, si dhe për ngecjen zhvillimore. Kështu, shpërthyen pakënaqësitë dhe revolta kombëtare shqiptarve në Demostratat e 28 Nëntorit 1969, që ia hapën perspektivën zhvillimore, sidomos me hapjen e Universitetit të Prishtinës në vitim 1970, si dhe me miratimin e Amendamenteve Kushtetuese dhe me fitoren e së drejtës që edhe Kosova të ketë Kushtetutën e vet, si dhe bëhet "element konstituiv" i Federatës Jugosllave.

Por, zhvillimi i hovshëm dhe liritë e të drejtat e shqiptarve do t'i pengojnë shumë nacionalistëve dhe shovinistëve serbë, të cilët do t'i keqpërdorin deri në ekstrem Demostratat e vitit 1981 të studentëve në Kosovë dhe do i shfrytëzojnë ato për ta denoncuar politikën e deriatëherëshme të LKJ-së për kinse "liritë dhe të drejtat e mëdha" ose të "tepruara" kombëtare të shqiptarve që kishin shkaktuar demostratat e studentëve shqiptarë të Universitetit të Prishtinës.

Prandaj, ato demostrata u shpallën si "armiqësore" dhe me termin komunist, "kundërrevolucionare", si dhe u imoponua vlerësimi zyrtar se nuk ishin rezultat i gjendjes së vështirë ekonomike të studentëve dhe të shqiptarve në përgjithësi si komb. Përkundrazi, parulla dominuese e demostrantëve "Kosova Republikë", jo vetëm që u shpallë si parullë "armiqësore e kundër revolucionare", por së shpejti u shpallë edhe si parullë "nacionaliste e irredentiste", që do të thotë si kërkesa "për bashkim me Shqipërinë" dhe se ishin "kundër sovranitetit territorial të RSFJ-së", "kundër vëllazërim-bashkimit", kundër Titos, etj.

Pra, u pa puna se pakënaqësia e shqiptarve me ngecjen zhvillimore të Kosovës, u keqpërdor nga qarqet antishqiptare serbe dhe u aktivizuan agjenturat shoviniste që i shfrytëzuan ato si pretekst për rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe për reduktimin drastik të të drejtave të shqiptarve.

Lidhja e Komunistëve e Kosovës u shndërrua në agjenturë serbomadhe dhe në vegël të verbër të Serbisë, me fushatën e egër të "diferencimit ideopolitik" që filloi nga Universiteti e deri te nivelet më të ulëta dhe në ekonomi, administratë, etj. 

Paralelisht me te, u shpikë edhe "presioni" dhe "shpërngulja e serbëve dhe malaziasve me presion nga nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar", etj.

Pra, pas 15 vjetësh lirie relative dhe të drejtash që u fituan nga rënia e Rankoviqit në vitin 1966, pas vitit 1981 u rikthye, madje u tejkalua dhe u shtua edhe më tepër dhuna shtetërore ndaj shqiptarve, si dhe survejimi, spiunimi dhe persekutimi i kuadrove të shkolluara shqiptare. 

Sistemi i agjentëve dhe spiunëve të UDB-së u ringjallë edhe më zi se më parë, sidomos me ardhjen e Sllobodan Millosheviqit dhe me vendosjen e regjimit të tij fashist, që së shpejti do t'i rrënoj themelet e Jugosllavisë së J.B.Titos dhe shpërbërjen e tij me luftërat e përgjakëshme që do të pasojnë në Kroaci e Bosne dhe do të përfundojnë me luftën dhe bombardimet e NAtO-s dhe çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Në fokus të organeve policore dhe partiake ishte inteligjenca shqiptare dhe institucionet arsimore, sidomos Q.A. "Skënderbeu" në Preshevë, që rezultoi me ndërrimin e emrit në "25 Maji" dhe me përjashtimim e pothuajse gjysmës së profesorëve më të mirë dhe drejtorin Riza Halimi nga puna, të cilët në vitet e nëntëdhjeta, ishin pionerë të organizimit të pavarur politik të shqiptarve të Luginës së Preshevës nga qendrat e vendosjes në Leskovc dhe Beograd.















E341D2EB-7EF4-46A2-B099-B370EF02A412-1-1024x768-oriented.png


No comments:

Post a Comment