Thursday, September 7, 2017

Agjenturat antishqiptare dhe misioni i tyre në Luginë të Preshevës (4)



Shkruan: Nehat Hyseni


Komunistët shqiptarë në përgjithësi dhe komunistët shqiptarë të Luginës së Preshevës, ishin në shërbim të plotë të pushtetit të ri të komunistëve serbojugosllavë.

Si agjentë fanatikë të regjimit të ri, komunistët shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilën ata e quajtën Luftë Nacionalçlirimtare, si dhe pas saj, ata lozën rol të tmerrshëm të spiunimit për vendndodhjen e nacionalistëve shqiptarë, që ishin kaçakë dhe ishin në ilegalitet, duke e ndihmuar KOS-in si agjenturë kriminale famëkeqe serbojugosllave, në zbulimin, arrestimin dhe likuidimin fizikë të tyre. 

Kështu, u likuidua Xheladin Kurbalia, i spiunuar nga një familjar i tij, komunist i njohur i Luginës së Preshevës. 

Pastaj, spiunët e tillë shkonin për ngushëllime, për të humbur gjurmë.

 Prandaj, motra e Xheladin Kurbalisë (Eminja), nuk i kishte pranuar! 

Raste të tilla, mjerisht, ka shumë në Preshevë dhe Bujanoc e Medvegjë.

Por, duhet theksuar se kishte edhe komunistë patriotë, të cilët nuk pranuan të jenë në shërbim të errët, si agjentë e spiunë të paskrupulltë të ideologjisë pansllaviste dhe regjimit kriminal antishqiptar, si psh. Abdulla Krashnica, i cili edhepse ishte komunist, megjithatë ka lozur një rol shumë pozitiv në shpëtimin dhe evakuimin e grave dhe fëmijve të Sopotit, pas masakrimit të 66 shqiptarve nga ky fshat i komunës së Kumanovës, në kufirin Serbi-Maqedoni, kah fundi i shtatorit 1944.

Por, Abdulla Krashnicën shumë shpejt pas këtij  rasti, pa kaluar katër muaj të plotë, do ta helmojnë dhe varroset më 15 janar 1945 në varrezat e Preshevës.

Kjo temë është jashtëzakonisht delikate, edhepse kanë kaluar mbi gjashtëdhjetë vjetë nga ajo kohë. Sepse, familjarët dhe të afërmit e tyre, me siguri se do e ndjenin keq veten. 

Qëllimi i shkrimit tim është vënia në spikamë e problematikës agjenturore antishqiptare e pansllaviste, që ka bërë krime e masakra dhe arrestime e maltretime të shumëta mbi shqiptarët, në emër të idelogjisë komuniste dhe me parullën demagogjike të "vëllazërim-bashkimit".

Një punë të shkëlqyer në përshkrimin mjaftë të detajuar e studioz të aktiviteteve dhe organizimit të lëvizjes së nacionalistëve shqiptarë të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH) dhe strehimit dhe veprimtarisë së tij në Luginë të Preshevës dhe kryetarit, Gjon Sereçit me shokë, të profesor Ibrahim Kelmendit, Limon Stanecit, Skender Kadriut, Lam Vatës, etj., i ka paraqitur në mënyrë brilante Muhamet Pirraku, në librin e tij "Mulla Idris Gjilani". Prandaj, me kënaqësi ia preferoj lexuesve të interesuar për më tepër njohuri e infirmacione të kësaj periudhe të lavdishme të rrezistencës patriotike të shqiptarve, por dhe tragjike, me shumë dhëmbje e vuajtje, por dhe me viktima të panumërta. Me intervistimin e figurave të shumëta dhe me shfrytëzim të dokumentacionit të gjërë arkivor dhe që e ka grumbulluar nga burime të ndryshme, autori ka siguruar pasqyrim voluminoz nga jeta e aktivistëve të NDSH-së në Luginë të Preshevë, për zbulimin e tyre nga agjentët e UDB-së dhe KOS-it dhe për proceset e gjykimeve farsë nga gjykatat jugosllave.

Se komunizmi ishte ideologji pansllaviste, që në trojet shqiptare dhe tek komunistët shqiptarë të Luginës së Preshevës realizohej praktikisht si serbizim, dëshmohet edhe nga fakti se shumica absolute e tyre, për ta dëshmuar devotshmërinë e tyre ndaj ideologjisë komuniste, si dhe për të fituar besimin e pushtetit dhe të udhëheqësisë komuniste, por dhe për të qenë më të kontrollueshëm nga PKJ, ata me vetëdëshirë apo për qëllime e ambicie karrieriste, martoheshin me serbe. 

Madje, kishte raste kur, edhepse ishin të martuar me shqiptare, kishin krijuar familje dhe kishin edhe fëmijë, ata e prishnin familjen, ndaheshin nga gruaja shqiptare dhe martoheshin me serbe.

Prishja e marëdhënieve midis Jugosllavisë dh BRSS-së në vitin 1948, bëri që këta komunistë shqiptarë, që deri atëherë e kishin pranuar me shumë zell e devotshmëri komunizmin si pansllavizëm dhe serbizëm, të cilët edhe ishin myslimanë, filluan ta konzumojnë edhe mishin e derrit, si dëshmi shtesë ndaj serbizimit të tyre, përveç martesave me serbe dhe performansës së tyre antishqiptare e shkombëtarizuese në orgabet e pushtetit jugosllav.

Por, me aferën e Informbyrosë së vitit 1948, kur Enver Hoxha mori anën e Stalinit dhe ia ktheu shpinën Jugosllavisë së Titos, edhepse deri atëherë kishte funksionuar si shërbëtor i devotshëm i Jugosllavisë dhe kishte kërkuar dhe madje kishte insistuar me ngulm për aneksimin e Shqipërisë si "Republikë e shtatë e Jugosllavisë".

Prandaj, prej kësaj kohe, komunistët shqiptarë filluan të shikokeshin me dyshim si spiunë të Enver Hoxhës dhe u aktuzuan si "informbyroistë", duke u gjykuar me burg të rëndë në Goli Otok-un famëkeq.

Kështu, brenda natës, këta komunistë shqiptarë filluan të këndellen, meqë nga PKJ u shpallën armiqë. 

Si viktima të ideologjisë pansllaviste e antishqiptare, që i kishin shërbyer me devotshmëri sistemit të komunistëve serbojugosllavë dhe kishin bashkëpunuar me regjimin në veprimet makabre të vrasjes e masakrimit dhe persekutimit të paskrupulltë të shqiptarve, pra, si xhelatë, tani u gjendën nëpër burgje së bashku me viktimat e tyre.

Prandaj, filluan të "këndellen"! Madje, të zhgënjyer nga keqtrajtimi, vuajtjet e persekutimet në kazamatet jugosllave, këta filluan të shndërrohen në "patriotë" dhe "nacionalistë" shqiptarë.

      (Vazhdon)




No comments:

Post a Comment