Saturday, July 22, 2017

Rugovizmin duhet mbrojtur nga manipulatorët!



Shkruan: Nehat Hyseni


Deputetja Teuta Rugova, e bija biologjike e Presidentit historik, Dr.Ibrahim Rugovës dëshmoi këto ditë, ashtu si kohë më parë edhe vëllai i sajë, Ukë Rugova se përveç lidhjes biologjike me të atin, asgjë tjetër nuk i bashkon.

Përkundrazi!

Këta vetëm sa e dëmtojnë dhe synojnë që ta rrënojnë nga themeli trashëgiminë politike e morale të kolosit të politikbërjes shqiptare në fundshekullin XX dhe në fillimshekullin XXI.

Kjo na kujton fjalën e urtë dhe kuptimplotë të Lekë Dukagjinit, se "nga Skenderi del Beteri", si dhe se "nga Beteri del Skenderi"!

Prandaj, na rezulton se figurën historike të Presidentit Ibrahim Rugova duhet ruajtur e duhet mbrojtur me vendosmëri dhe devotshmëri të plotë, gjithënjë dhe kudo nga vet trashëgimtarët e tij biologjik dhe nga matrapazët politik, që figurën e Babait shpirtëror e moral të Kosovës dhe të mbarë Shqiptarisë, me arrogancë të madhe dhe paturpësisht synojnë ta denigrojnë, kompromitojnë dhe ta shesin për interesa të tyre meskine, kontrabanduese e të ulëta, në emër të "Rugovizmit"!

Këta janë faqja e zezë dhe turpi i Kosovës!

Asnjëri nga ata, si i biri, poashtu edhe e bija e Presidentit Rugova, nuk ishin për faqe të bardhë dhe nuk u dëshmuan si deputet në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, mbase është koha e fundit të ndahet "shapi prej sheqerit" dhe të distancohemi qartë dhe pa ekuivoke, për ta ndarë dhe për ta ruajtur trashëgiminë politike e morale të figurës së Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugovës nga këta manipulues e kalkulantë të pacipë dhe nga këta manipulatorë të pandreqshëm.

Edhepse unë personalisht dikur kam qenë pro angazhimit politik të trashëgimtarve biologjik të Presidentit Rugova, sidomos të djalit të tij të madh, Mendim Rugovës, si dhe kam votuar për kandidaten Teuta Rugova për deputete, sjellja e fundit e pamoralëshme dhe e turpëshme ndaj besimit tonë, lidhur me krijimin e Qeverisë së re të dalur nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017, na ka zhgënjyer dhe na ka trishtuar tmerrësisht.

Kjo sjellje e tyre dhe gënjeshtra e pafytyrësia e tyre dhe manipulimi me "Rugovizmin", për interesa personale, për hesape dhe pazare të pamoralëshme politike na i ka hapur sytë si kurrë më parë për moralin e munguar të tyre politik, si dhe se këta, mjerisht, nuk kanë asgjë të përbashkët me vizionin dhe me filozofinë politike e morale të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugovës dhe me "Rugovizmin"!


No comments:

Post a Comment