Thursday, June 1, 2017

I nderuari Akademik Hivzi Islami!


Letër përgëzimi dërguar Akademik Hivzi Islamit, me rastin e emërimit për kryetar të Komisionit shtetëror për matjen e territorit të Republikës së Kosovës 

I nderuari Akademik Hivzi Islami!

Ju përgëzoj dhe admiroj për kurajon intelektuale e kombëtare dhe për vendosmërinë Tuaj prej atdhetari dhe Shqiptari të Madh, për t'i hyrë një pune jashtëzakonisht sfiduese dhe për t'u vënë në ballë të një detyre tepër të rëndësishme, por dhe delikate, në krye të Komisionit shtetëror për matjen korrekte, profesionale dhe shkencore të territorit të Atdheut tonë të dashur, Republikës së Kosovës.

Ju, i nderuari Akademik Islami, me këtë akt Tuajin burrëror, keni dhënë shembullin më të mirë të një Rugovisti të devotshëm, të cilit nuk i pengojnë sharjet, kërcënimet dhe përbaltjet nga ambiciet e etura për pushtet e pasuri, duke e rrezikuar mirëqenien e këtij populli dhe ardhmërinë e këtij vendi.
Me matjen precize e kompetente që do i bëni territorit të Atdheut do të dëshmoni se çdo pllëmbe të Republikës së Kosovës do i dalim zot, por dhe nuk do kërkojmë asnjë pllëmbë tokë të huaj!

Kush i trembet kësaj matjeje dhe kësaj të vërtete, që nuk ka të bëjë vetëm me demarkacionin e kufirit me shtetin mik të Malit të Zi, por, ndoshta edhe më tepër me atë të demarkacionit të kufirit shumë më të gjatë me Serbinë armike?
Si do të mund t'i kërkojmë shteteve fqinje territor, pa e ditur mirë dhe ekzaktësisht se a na kanë me të vërtetë borxh territor fqinjët tanë, cilido qoftë prej tyre, dhe nëse na kanë, duhet dëshmuar e argumentuar në mënyrë serioze, kompetente e profesionale nga ekspertët tanë, por dhe në bashkëpunim edhe me ekspertët e fqinjëve tanë, ekzaktësisht si qëndron puna.
 Nëse eventualisht Republikës së Kosovës i kanë marrë territor, me punën e këtij Komisioni, ekspertët më eminent që i kemi, në mënyrë ekzakte do ta konstatojnë atë dhe do e bindin popullin e Kosovës dhe opinionin ndërkombëtar se si qëndron puna dhe cila është e vërteta realisht, si dhe do i hapin rrugën faktorit politik për negociata apo me arbitrazhë ndërkombëtare të zgjidhet definitivisht ky problem. 
Vetëm në këtë mënyrë do të qetësohen zërat dhe do të zbuten gjakërat. 
Pra, vetëm me heqjen e dyshimeve në bazë të punës vetmohuese e profesionale do të dalim faqebardhë para vetes dhe para miqëve tanë ndërkombëtarë, të cilëve u kemi aq shumë borxh për lirinë dhe pavarësinë që po e gëzojmë, do të ruhen e kultivohen raportet e mira me shtetet fqinje, si dhe do të na hapet rruga për heqjen e izolimit fatkeq nga Bashkimi Europian, si vendi i vetëm europian që detyrohemi të aplikojmë për viza për udhëtime në Europë.
 Ata që me vetëdie të plotë dhe me dashakeqësi e pengojnë zgjidhjen e këtij problemi madhor, 
të tillët kanë probleme me vetveten dhe me dashurinë e tyre të sinqertë për shtetin e Republikës së Kosovës, meqë janë verbuar nga apetitet e tyre të pafrenueshme për pushtet!

Respekt dhe mbështetje të pafund!
Ju priftë e mbara në këtë detyrë fisnike dhe në këtë shërbim të shenjtë për Atdheun, Republikën e Kosovës, për sovranitetin territorial dhe për ardhmërinë e saj të lumtur në botën e përparuar demokratike.

Me respekt,
Mr. Nehat Hyseni, 
Kryetar i SHQLPK-së

Prishtinë, më 25 janar 2017



 

No comments:

Post a Comment