Thursday, June 1, 2017

Asociacioni i Komunave serbe të kushtëzohet me atë Shqiptar në Preshevë

Bota Sot | 30.03.2015 13:01

 Asociacioni i Komunave serbe të kushtëzohet me ato Shqiptare në Preshevë

Lista serbe i ka bërë disa kërkesa Qeverisë së Kosovës të cilat ndërlidhen me Asociacionin e Komunave Serbe, duke kërkuar që kjo çështje të bisedohet sa më shpejt në Bruksel. 

Por, Qeveria e Kosova, një kërkesë të tillë nuk duhet ta pranoj derisa të mos krijohet një Asociacion i Komunave Shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Analisti politike, Nehat Hyseni thotë se nuk shohin asgjë të keqe për përgatitjen e propozimeve konkrete nga Lugina e Preshevës për krijimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi, si formë konkrete e realizimit të pjesës së parë të pyetjes së Referendumit për Autonomi.

“Qëndrimi i papranueshëm i Ragmi Mustafës, radikalisht do ta dobësonte pozitën negociuese e dialoguese të Kosovës dhe të BE-së në bisedimet e Brukselit, duke favorizuar opsionin e Daçiqit për ndarjen e Kosovës. Nuk kemi asnjë arsye që ne të marrim fajin për prishjen e kufijve ndërshtetërorë në Ballkan. Krijimi i Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi, si pandan i kërkesës për Asociacion të komunave serbe në Kosovë, me të njëjtat të drejta dhe obligime, pa hequr asnjë pikë e asnjë presë, paraqet realizim të plotë të parimit të reciprocitetit”, thotë Hysni për gazetën “Bota sot”.

“Deklaratat e Ragmi Mustafa kundër Asociacionit të komunave shqiptare dhe kërkesa e tij ultimative për “bashkim me Kosovën”, lidhur me heqjen eventuale të lapidarit nga Serbia, ai pati premtuar dhe deklaruar publikisht “dorëheqje të parevoukueshme”, “bojkotim të Serbisë” nga ai dhe partia e tij politike, si dhe “lëshimin e të gjitha institucioneve” dhe posteve që ata aktualisht i ushtrojnë në komunën e Preshevës. Pati edhe premtime e krekosje të tjera politike. Mirëpo, na doli se asnjërën nga këto premtime nuk i mbajti as z. Ragmi Mustafa , e as partia e tij! Kështu, ai mosdhënien e “dorëheqjes së parevokueshme” të tij si kryetar komune, si dhe të kryetarit të kuvendit të komunës e bashkëpunëtorëve të tjerë, e arsyetoi me vendimin e kryesisë së partisë së tij si “kontraproduktive” dhe “të dëmshme për momentin””, thekson ai.

Sipas tij, këtu i vuri “pikë” kësaj “meseleje”. Pra, kryesia e partisë ku ai vet është kryetar, nja 10-11 vetë, ia “lidhën kryet” kësaj pune.

Joserioziteti

“Prandaj, sipas tyre, askush nuk doli i “pabesë” dhe i “papërgjegjshëm”. Sepse, Ragmi Mustafa, si “individ” dha “dorëheqje”, por Ragmi Mustafa si kryetar partie, nuk e “miratoi” atë. E konsideroi me termin komunist të kohës së grevës së minatorve të Trepçës, kur Ali Shukria dhe Rrahman Morina i premtuan minatorëve “dorëheqjet e parevokueshme”, që ishte caktuar si kusht nga minatorët për dalje nga zgafella, ku ata ishin ngujuar, duke flijuar shëndetin dhe jetën e tyre. Por, kur minatorët u mashtruan nga premtimet e tyre dhe dolën nga zgafella, atëherë LKJ dmth. partia e tyre i refuzoi ato “dorëheqje”, meqë i vlerësoi si “kontraproduktive” dhe të papranueshme, meqë “nuk i kontribuojnë përmirësimit të situatës”, etj.”, pohon ai

Më tej Hyseni pohon se, vetë Hysamedin Azemi doli më “burrë”, e mbajti premtimin e dhënë dhe nuk e tërhoqi dorëheqjen e vet, të premtuar para minatorëve.

“Çfarë koincidence! Çfarë ngjeshmërie! Në distancë kohore prej 25 vjetësh të plota! Në kushte dhe rrethana shoqërore, sistemore e politike krejtësisht të ndryshme. Pra, na doli se “premtimet” e tilla kanë kohëzgjatje dhe vlejnë vetëm aq kohë, sa për të mashtruar opinionin dhe për të arritur efektet e pretenduara politike. Pastaj tërhiqen si të mos ketë ndodhur asgjë. Duke pasur “afat” sa ”bora në diell”. Pra, shkrihet bora, “shkrihen” edhe premtimet dhe pastaj çdo gjë vazhdon me të vjetrën. Sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Prandaj, deklaratat e z. Ragmi Mustafa nuk duhet marrë seriozisht”, thotë Hyseni.

Sipas tij, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë deklaruar në Referendumin e 1 e 2 marsit 1992 për “Autonomi Politike e Territoriale”, që do të thotë, për institucionalizimin e specifikave dhe të drejtave të tyre kombëtare, me anë të një autonomie në kuadër të Serbisë.

“Ky institucionalizim ka hasur në pengesa nga më të ndryshmet, si nga pushteti i Serbisë, po ashtu edhe nga interesat grupore e partiake të shqiptarëve të Luginës, duke pamundësuar formimin e një institucioni të përbashkët të shqiptarëve në nivel të Luginës. Është sfiduar skajshmërisht e Këshilli Kombëtar, nga të dyja palët, duke e vështirësuar dhe margjinalizuar fushëveprimin e tij nga Trupi Koordinues dhe nga Qeveria e Serbisë, por edhe nga “patriotizmat” denigruese të subjekteve të caktuara shqiptare. Ftesa e këtyre ditëve e zëvendëskryeministrit të Kosovës z. Hajredin Kuçi për paraqitjen e “propozimeve konkrete për krijimin e ndonjë asociacioni të komunave”, në mënyrë që pastaj, gjatë bisedimeve të Brukselit të paraqitet si “platformë”, për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës”, vlerëson ai.

Reciprociteti

Hyseni thotë se, nuk e kupton se çfarë problem duhet të ketë këtu? Aq më parë që shqiptarët e Luginës janë deklaruar për reciprocitet në trajtimin e barabartë të tyre me serbët e Kosovës, duke qenë decidiv: “as më pak e as më shumë se serbët e Kosovës”!

“Kurse, tani na del Ragmi Mustafa se nuk u pajtoka me këtë. Bile ai merr kurajën dhe deklarohet për tërë Luginën e Preshevës, sikur me qenë ajo pronë e tij. Natyrisht, qëndrimi personal i Ragmi Mustafës nuk është edhe qëndrim i të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Sepse, qëndrimi i tij favorizon qëndrimin e Ivica Daçiqit për ndarjen e Kosovës dhe për “shkëmbim territoresh” midis Kosovës dhe Serbisë. Bile, ai shkon edhe më larg, duke propozuar që të negociohet me Shqipërinë për ndarjen e Kosovës, duke mohuar subjektivitetin politik e shtetëror të Kosovës”, shton ai.

Ai thekson se, qëndrimi i këtillë i papranueshëm i Ragmi Mustafës radikalisht do ta dobësonte dhe do ta dëmtonte pozitën negociuese e dialoguese të Kosovës dhe të BE-së në bisedimet e Brukselit, duke e favorizuar opsionin e Daçiqit për ndarjen e Kosovës, në tavolinën e bisedimeve.

“Kuptohet se asnjë shqiptar i Luginës së Preshevës nuk është i gatshëm për t’ia dhuruar këtë “peshqesh” Daçiqit, duke e rrënuar pozitën negociuese të Kosovës dhe të shqiptarëve të Luginës ndaj Serbisë. Me këtë veprim do t’I prishnim të gjitha urat e bashkëpunimit me institucionet e BE-së dhe me SHBA-të. Pra, shqiptarët e Luginës e kanë shprehur vullnetin e vet në Referendum në opsionin “A”, d.m.th. për Autonomi., duke mos qenë kundër zgjidhjeve demokratike. Përkundrazi, askush më tepër se ne nuk është i interesuar për realizimin e reciprocitetit me serbët dhe pala Kosovare e ka mbështetjen e plotë që të luftoj për këtë, duke ia lehtësuar vetes pozitën e relativizimit dhe të kushtëzimit të kërkesave serbe me kërkesat e shqiptarëve të Luginës”, thotë Mustafa.

Kundër prishjes së kufijve

Mustafa thotë se, nuk kemi asnjë arsye që ne të marrim fajin për prishjen e kufijve ndërshtetërorë në Ballkan. Sepse, me këtë do t’ia lehtësonim pozitën Serbisë në marshimin e saj për realizimin e ëndrrës shekullore serbomadhe, për krijimin e Serbisë së madhe, duke e ndarë Bosnjën, Kosovën dhe Maqedoninë.

“Politika serbe gjithnjë ka bërë përpjekje për të na futur në këtë kurthë: të na shtyjë që ne të deklarohemi, në këtë fazë të dialogimit, se jemi për bashkim me Kosovën, për të cilën gjë, të jemi të sinqertë, as që na pyet kush dhe as që mund ta realizojmë atë aktualisht. Por ama, do t’ia fusnim thikën pas shpine Kosovës, duke ia hapur rrugën serbëve të veriut të Kosovës për ndarje nga Kosova dhe bashkëngjitje me Serbinë. Ata edhe ashtu janë të lidhur me te, por ne do t’ua lehtësonim që ta formalizojnë këtë edhe ndërkombëtarisht. Sepse, ata i kanë vendosur atje forcat e sigurisë serbe, barrikadat dhe pengesat e tjera, duke e bërë të pamundur funksionalizimin e shtetit të Republikës së Kosovës atje”.

Më tej ai pohon se, shqiptarët e Luginës së Preshevës çka kemi bërë?
A kemi organizuar struktura paralele si serbët e Kosovës? JO.
A kemi vendosur barrikada? – JO.
A kemi pamundësuar funksionimin e gjykatave? JO.
A kemi penguar funksionimin e doganave? JO.
Mos të numëroj më tepër. Sepse do të dalin shumë “JO”. Pra, nuk kemi bërë asgjë nga këto.

“Platforma” e gatshme

“Dua në fund të deklaroj se, mendoj se e ndaj mendimin e shumicës absolute të të gjithë shqiptarëve kudo që janë, pra jo vetëm të atyre të Luginës, se duhet të ulemi dhe t’i kryejmë urgjentisht dhe me kënaqësi e përkushtim detyrat që na kërkohen, duke hartuar me kujdes e pedantëri kërkesën e mbështetur në Referendum për krijimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi, si pandan i kërkesës serbe për Asociacion të komunave serbe në Kosovë, me të njëjtat të drejta dhe obligime, pa hequr asnjë pike e asnjë presë. Edhe ashtu, subjektet politike shqiptare i kanë të gatshme kërkesat e formuluara që ia dërguan këto ditë Qeverisë së Serbisë dhe, me pak punë dhe për një kohë të shkurtër, gjithçka do të jetë e gatshme”, thotë Nehat Hyseni.Bota sot

No comments:

Post a Comment