Friday, June 2, 2017

A (s) do të liberalizohen vizat për kosovarët në vitin 2016?




Shkruan: Nehat Hyseni

"Sihariqi" për liberalizimin e vizave për kosovarët në vitin 2016, sot u kumtua në të njejtën  kohë me mohimin e tij! Pastaj, "vulën" ia vuri dilemave dhe lajmeve kontradiktore, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, duke deklaruar se "Raporti" për Kosovën është "pozitiv", mirëpo Kosova duhet plotësuar edhe 8 kushte apo pikë për të fituar kosovarët për udhëtim pa viza në vendet e BE-së.
Frustrimi ekstrem i Hashim Thaçit me rastin e publikimit të lajmit fillestar se Kosova nuk do ket liberalizim vizash edhe në vitin 2016, paraqet bllofin e tij politik të radhës. 
Sepse, ai na ka "premtuar" qe katër-pesë vjet e më tepër, gjatë fushatave parazgjedhore, se "liberalizimi i vizave do të ndodhë së shpejti", natyrisht, poqese votohet PDK. Dhe ky premtim rindodhi disa herë, si dhe votimi i partisë së tij nga votuesit e mashtruar.
Por, populli dhe votuesit e PDK-së kot pritën realizimin e atyre premtimeve (lexo:mashtrimeve) elektorale dhe liberalizimi nuk ndodhi se nuk ndodhi, deri më sot. 
Katër-pesë vjet pritjesh të kota dhe zhgënjimesh kaluan pas premtimit të pandërprerë, ashtu si dhe marrja e votave nga PDK dhe Hashim Thaçi, në bazë të atyre premtimeve të kota e mashtrimeve të qeverisjes së Kosovës nga z. Thaçi. 

Liberalizimi i vizave nuk ndodhi edhe kësa here dhe nuk dihet me siguri se kur do të ndodhë realisht, meqë u dashka të plotësohen edhe 8 kushte shtesë, nga të cilët supozohet se do të jetë zhdukja e korrupsionit me ndryshime "kirurgjikale" në sistemin e prokurimit në Kosovë, ku do duhej zëvendësuar personat partiak në organet e prokurimit në të gjitha instancat, me persona jopolitikë, dmth jopartiakë. Qëllimi i këtyre ndryshimeve do ishte mdërprerja e praktikës së deritanishme të dhënies së përqindjes prej 10% e deri në 30% e më tepër nga operatorët ekonomikë për marrjen e tenderëve nga autoritetet kontraktuese, ku fjalēn kryesore e kanë personat e fuqishëm politikë, të emëruar nga partitë politike, kryesisht të koalicionit aktual të qeverisjes së Kosovës.

"Frustrimi" i tërbuar dhe thirrja e Thaçit për protesta kundër BE-së është personale dhe nuk ka të bëjë fare me ndonjë kauzë kombëtare apo shtetërore të Kosovës, por vetëm me interesat e tij personale e partiake, që pretendon se u tradhëtuan nga BE. 

Jo, jo! Kurrësesi jo! Mos të mashtrohemi dhe mos të bijmë në trukun dhe mashtrimin politik të tij të radhës se ai, kinse na qenka "befasuar" nga ky "lajm i hidhur"! Sepse, secili njeri normal i këtij vendi e din, prandaj edhe Thaçi vet, se Kosova është duke paguar një kosto të lartë të rrënimit të imazhit të saj, me maskarallëqet kriminale në Kuvendin e Kosovës, të keqmenaxhuara nga Veseli dhe Thaçi, si dhe koston e imazhit të rrënuar në botën demokratike dhe tek miqtë tanë ndërkombëtarë,  me ryshfetin dhe korrupsionin enorm, që rezultuan me mospranimin e Kosovës në UNESCO para pak kohësh, si dhe tani me mosliberalizimin e vizave.

Ky dështim i madh i Kosovës i atribuohet në rend të parë kryediplomatit dhe Zëvendëskryeministrit aktual të Kosovës, Hashim Thaçit personalisht. Dhe, e keqja më e madhe është se Hashim Thaçi synon postin e Presidentit të Kosovës, që nga prilli i vitit 2016, dmth pas tre muajsh. 

Prandaj, vlerësimi negativ i tij nga BE dhe dështimet e tij diplomatike në Dialogun e Brukselit dhe nënshkrimin famëkeq e të turpshëm të Marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013, në Bruksel, që ishte skajshmërisht i dëmshëm dhe i papranueshëm, meqë e bëri shtetin e Kosovës skajshmërisht jofunksional, duke u siguruar serbëve të Kosovës të drejta e liri etnike mbi të gjitha standardet ndërkombëtare, kurse shqiptarët e Luginës së Preshevës i injoroi dhe tradhëtoi paturpësisht!

Nuk u komprometua Republika e Kosovës vetëm në planin e politikës së jashtëme në vitin 2015, të udhëhequr nga Ministri i punëve të jashtëme, z. Hashim Thaçi, e që rezultoi me mospranimin në UNESCO dhe mosliberalizimin e vizave, por edhe në politikën e mbrendëshme, ky dështim është akoma edhe më i madh!

Atëherë, çfarë të mire, vallë, do i siguroj Hashim Thaçi poqese zgjidhet President i Kosovës, në politikën e jashtëme, si dhe çfarë stabiliteti politik, vallë, do i sillte ai si figurë (dez) integruese që është, në politikën e brendëshme të Republikës së Kosovës?

Prandaj, ky do ishte pakë a shumë një sqarim racional i sjelljes ekscentrike dhe të çuditëshme, të frustruar, nervoze e të pakontrolluar të Hashim Thaçit kohëve të fundit.

Kurse, tek qytetarët e Kosovës është ngulitur trishtimi se kjo gjendje e çmendur në politikën e brendëshme dhe kaosi në punën e Kuvendit të Kosovës dhe denigrimi dhe rrënimi i imazhit të Republikës së Kosovës, me zgjedhjen eventuale të Hashim Thaçit President, do zgjasnin pafundësisht, duke marrë madje hov edhe më të vrullshëm drejtë ambisit
edhe më të tmerrshëm!

Prandaj, Hashim Thaçit e Isa Mustafës nuk i përket të çirren e të piskasin vend e pa vend, si dhe ta thërrasin popullin e Kosovës kundër BE-së, por duhet ta ulin kokën dhe të punojnë për t'i përmbushur sa më parë 8 kushtet e caktuara nga BE dhe të ndizet drita jeshile për liberalizimin e vizave edhe për kosovarët.

No comments:

Post a Comment