Zeqirja Ejupi - Zeqa
(1954 - 2017)
"Emrin e Rilindjes deri sa të jem gjallë s'e kam ndërmend ta hjekë nga kioska, edhepse disa herë më kanë bërë presion që ta heq!" (Zeqirja Ejupi -Zeqa)
Me dhëmbje të madhe e morëm lajmin e hidhur se sot, më 23 maj 2017, ndërroi jetë miku jonë i madh, simboli i "Rilindjes" dhe "ikona e Preshevës".
Zemra e njeriut që e gjithë Presheva e ka njohur dhe e ka dashur përzemërsisht, pushoi së rrahuri ditën e martë.
Në moshën 63 vjeçare, Zeqirja Ejupi - Zeqa, pas një vuajtje të gjatë me sëmundjen e zemrës, u transferua në amshim.
Me dhëmbje të madhe i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, farefisit, miqëve dhe shokëve të tij të shumtë.
Ngushëllime të gjithë shqiptarve të Luginës së Preshevës, shokëve e shoqeve dhe kolegëve të tij nga ish kolektivi i "Rilindjes dhe të gjithë dashamirëve të gazetave, revistave, të lajmit dhe fjalës shqipe!
Zeqirja Ejupi-Zeqa ishte "ikonë" e Çarshisë së Preshevës.
Si punëtor i "Rilindjes", Zeqa i shërbeu me dekada publikut preshevarë, intelektualve dhe rinisë, duke i përballuar në mënyrë stoike, sypatrembur e me guxim dhe vendosmëri të paluhatëshme, sfidat dhe vështirësitë e ndryshme në sigurimin e shtypit ditor, gazetave e revistave në gjuhën shqipe nga Prishtina.
Kiosku i vetëm "Rilindjes", në qendër të Preshevës, ishte dhe mbeti një "dritare" dhe lidhje intelektuale e shpirtërore e Preshevës me Prishtinën dhe Kosovën.
Mbi dyzet vjet, Zeqa me devotshmëri, përkushtim të pashoq dhe me sakrifica të mëdha e furnizoi Preshevën me gazeta, revista libra dhe me shtypin ditor, duke u detyruar shpeshëherë sidomos pas vitit 1999 t'i fusë "kaçak", dmth pa lejen e Serbisë.
Për këtë arsye Zeqa shumë herë ishte maltretuar, rrahur dhe ftuar shpeshë në "biseda informative" në polici.
"Duhej bajagi njëfarë trimërie këtu, sepse duhej të furnizohej Lugina e Preshevës me gazeta shqipe. Bile shpeshëherë ka ndodhur që kemi hangër dajak, sepse dihet dikush dëshironte që Luginën ta mbante në terr informativ", thoshte Zeqa.
Për kontributin dhe punën e tij të palodhëshme, si dhe për misionin patriotik prej militanti ndaj shtypit shqiptar, Zeqirja Ejupi në vitin 1982 është shpërblyer nga Redaksia e “Rilindjes” me mirënhoje, duke e vlerësuar lartë kontributin e tij të madh kauzës kombëtare.
Vdekja e parakohëshme e Zeqës na pikëlloi pafundësisht shumë!
Zeqirja Ejupi-Zeqa do të mbetet i pavdekshëm në kujtimet tona!
Kiosku i tij i "Rilindjes" do të mbetet si përmendore që do të na kujtoj me mburrje dhe krenari, Zeqën si figurë që la gjurmë të pashlyeshme me dekada të tëra në jetën preshevare.
Krenaria për veprën e lavdishme jetësore të Zeqirja Ejupit-Zeqës, për të cilën e falemnderojmë pafundësisht shumë, duhet t'i shërbej si ngushëllim e shërim më i mirë i dhëmbjes dhe pikëllimit të madh familjes, miqëve dhe shokëve e dashamirëve të shumtë të tij.
Lavdi e pafund i qoftë jetës dhe veprës së lavdishme, madhështore e krenare të Zeqirja Ejupit-Zeqës!
I lehtë i qoftë dheu i vendlindjes së tij të dashur, Preshevës, që aq shumë e deshti!
Zoti i Madhëruar e shpërbleftë me Xhenet!
No comments:
Post a Comment