Monday, May 8, 2017

Josip Broz Tito dhe shqiptarët në RSFJ



Shkruan: Nehat Hyseni


Në vitin 1944, me rastin e takimit të Kryeministrit të atëhershëm të Britanisë së Madhe, Winston Churchill me J.B.Titon në Napoli të Italisë, ai  i kishte thënë Titos: "Në fund gjëja më e rëndësishme është: pushteti, pushteti dhe sërish pushteti"!

Pra, s'ka dyshim se J.B.Tito e donte shumë, madje e adhuronte pushtetin!

"Sa më shumë që mplakej Tito, aq më shumë e pëlqente pushtetin", thotë historiani slloven nga Triesta e Italisë, Jozhe Pirjevec, autor i biografisë më të plotë për Josip Broz Titon, që është botuar në gjermanisht, sllovenisht, kroatisht, serbisht, italisht, e së shpejti pritet edhe botimi në anglisht.

Por, sa i përket "dashurisë" së Titos ndaj pushtetit, duhet thënë se nga kjo mani për pushtet, sa duket, kanë vuajtur dhe vazhdojnë të vuajnë të gjithë, ose së paku shumica e burrështetasve botërorë, e sidomos ata të sistemeve totalitare, dmth të diktaturave komuniste të ish kampit socialist, si psh: Stalini, Fidel Kastro, Enver Hoxha, etj. dikur dhe Kim Jong Un i Koresë së Veriut sot, si dhe diktatorë të tjerë të Lindjes së Afërt dhe asaj të Mesme.

Pra, si çdo pushtetmbajtës edhe Tito, në rend të parë e kishte preokupim, pra, pushtetin, dmth synonte të mbetej në krye të shtetit të Jugosllavisë.

RSFJ ishte "shtet i komplikuar"

RSFJ ishte shtet tejet i komplikuar, meqë përfshinte shumë kombe dhe popuj me kulturë, tradita dhe nivele të ndryshme të zhvillimit, me specifika e dallime të shumta religjioze, gjuhësore, kulturore, ekonomike, historike, etj.

Vështirësitë me të cilat ballafaqohej Tito në udhëheqjen e këtij shteti të "komplikuar", si federatë apo bashkësi shtetërore e gjashtë republikave dhe dy krahinave automome në kuadër të Serbisë, pa dyshim se ishin të mëdha. 

J.B.Tito është i lindur në vitin 1892, në qytezën Kumrovec të krahinës së Zagorjes së Kroacisë, në kufi me Slloveninë, nga nëna sllovene dhe babai kroat. 

Por, Tito, megjithatë, anonte nga identiteti i tij kroat!

Ndërkaq, ai si katolik që ishte, udhëhoqi shtetin me përbërje shumicë ortodokse.

 Nga gjashtë republikat e RSF të Jugosllavisë, tri republika e "gjysëm", dmth: Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe pothuajse gjysma e Bosnes ishin ortodoksë. 

Kurse, Sllovenia dhe Kroacia dhe reth 20% e Bosnes, ishin katolikë.

Në fakt, kjo përbërje religjioze dhe nacionale, ishte element përcaktues e determinues edhe i orientimit politik, gjeopolitik e gjeostrategjik të secilës republikë dhe krahinë të RSFJ-së.

Tito ishte antisovjetik dhe antirus i bindur

Republikat dhe kombet ortodoksë, ishin të prirur pas BRSS-së dhe Stalinit, që dominohej nga Rusia. 

Kombet ortodokse i konsiderojnë rusët si "vëllezër të një gjaku", që ia komplikonte shumë punët Titos, sidomos gjatë konfliktit me Informbyronë e Stalinit në vitin 1948.

Duhet thënë se esenca e atij konflikti të Titos me Stalinin ishte edhe ideologjike, me zanafillë qysh nga LDB, në vitin 1941, lidhur me luftën Gjermano-Ruse, të cilën Stalini e cilësonte si luftë "patriotike", ndërsa Tito e vlerësonte si luftë "ideologjike", midis nazizmit hitlerian dhe socializmit.

Por, konflikti i Titos me Stalinin dhe prishja e marrëndhënieve midis RFPJ-së dhe BRSS-së kishte edhe karakter gjeopolitik dhe gjeostrategjik.

Sepse, sovjetikët dëshironin t’i merrnin portet jugosllave, si enklava në Adriatik, që vërtetohet nga gjetjet e autorit të përmendur të biografisë së Titos në arkivat amerikane, sepse arkivat ruse për atë periudhë akoma nuk janë hapur.


Daljen e Serbisë në det dhe qasjen e tyre në portet e Adriatikut e kanë kërkuar sovjetikët deri në vdekjen e Titos.

 Por, këtë vazhdojnë ta synojnë edhe sot e kësaj dite edhe rusët, në krye me diktatorin pansllavist, Vladimir Putinin.


Si president i Jugosllavisë, Tito e dinte fare mirë dhe e kishte plotësisht të qartë se, nëse do t’ua jepte këto baza sovjetikëve, sovraniteti i shtetit të RSF të Jugosllavisë do të merrte fund.


Andaj, e vetmja përgjigje e arsyeshme e tij ishte ruajtja e sovranitetit territorial të RFPJ-së dhe të pavarësisë së tij nga paternalizmi i BRSS-së dhe Stalinit dhe "JO" e famëshme e Titos ndaj Stalinit, në vitin 1948, bëri jehonë shumë të madhe në botë, brenda kampit socialist, e sidomos në republikat ortodokse të Jugosllavisë.


Orientimi euro-antlantik i Titos

Ndërkaq, Sllovenia dhe Kroacia, si republika katolike, kishin frikë dhe urrejtje ndaj rusëve dhe ortodokësve dhe ishin të orientuar kah perëndimi, ose siç themi tani, kah agjenda euro-atlantike.

Edhepse përkatësia fetare në socializëm nuk kishte ndonjë rol të rëndësishëm, meqë ideologjia komuniste dhe shteti socialist ishin "ateistë", megjithatë, përkatësia fetare edhepse nuk praktikohej në mënyrë institucionale e shtetërore, ajo ishte thellë e ngulitur në jetën private dhe në bindjet e besimet dhe në zemrat e njerëzve.

Gjithësesi, Stalini dhe sovjetikët (rusët) asokohe frikësoheshin se modeli jugosllav i socializmit, që ishte më demokratik dhe më liberal, se do të gjente mbështetës në vendet e Paktit të Varshavës: në Poloni, Hungari, Çekosllovaki, e gjithëkund.

Prandaj, në shtator të vitit 1971 në Washington, sipas autorit Pirjevec, u përpilua një skenar, i cili parashihte që në rast se Moska pushton Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, atëherë SHBA-të do të kërkonin nga Kombet e Bashkuara të dërgonin trupa të armatosura paqeruajtëse në Slloveni dhe Kroaci.

 Në dokument thuhet: "Këtë aksion Kombet e Bashkuara duhet ta imponojnë me arsyetimin e qartë se SHBA dhe NATO, nëse nuk do të ketë intervenim nga OKB, nuk do të kenë zgjidhje tjetër përveç se të sigurojnë pavarësinë e kroatëve dhe sllovenëve", që kanë orientim euro-atlantik, ose properëndimor.

Orientimin e qartë euro-atlantik të Titos, edhepse ishte lider komunist, e vërtetojnë edhe vizitat e tia të shpeshëta vendeve perëndimore. 

Kështu, në vitin 1978 Tito i vizitoi për herë të tretë SHBA-të, dhe me këtë rast, Këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Jimmy Carter, i impresionuar nga paraqitja karizmatike e Titos, tha: "Bashkë me SHBA-të dhe Bashkimin Sovjetik, Jugosllavia është protagonistja e vetme në arenën ndërkombëtare"!

Kurse, Ministri i Jashtëm amerikan Henry Kissinger për J.B.Titon, thotë: "Fytyra e tij qesh, por sytë e tij jo"! 


Çështja e Kosovës


Në pyetjen e një profesori amerikan George W. Hoffman, në vitin 1978, dmth dy vjet para vdekjes së Titos, se cili kishte qenë momenti më i vështirë në karrierën e tij të gjatë politike, J.B.Tito ishte përgjigjur: 

"Bindja e serbëve për t’i pranuar krahinat autonome të Kosovës dhe Vojvodinës"!

Gjithashtu, Tito ishte i bindur se gjendja në Kosovë "do të shpërthente". Që në vitin 1976 ai i tha gazetares Darja Janekoviç: "Atje do të shpërthejë së pari"!

Meqë Tito e kishte të qartë se shqiptarët e Kosovës ishin të vendosur të luftonin kundër hegjemonizmit serb, kështu që demonstratat e vitit 1981, me gjasë na del se, me të vërtetë, qenë të pashmangshme!

Që nga mesi i viteve ’70, Tito besonte se këtë "shpërthim" po e mbështeste edhe Tirana "me agjentët e vet në Kosovë".

J.B.Tito ishte i mendimit se Kosova duhet të bëhet Republikë në kuadër të Jugosllavisë, por  thoshte se: "Kjo nuk ishte e mundshme, sepse serbët këtë nuk do ta duronin"!

Pra, edhe përkundrejtë bindjeve personale dhe politike të tij se Kosova "duhej të bëhej republikë në kuadër të Federatës së atëherëshme Jugosllave", megjithatë, ai ishte realist në politikë dhe e dinte fare mirë disponimin politik të serbëve dhe se ata nuk do ta lejonin dhe kurrësesi nuk do ta pranonin një gjë të tillë.

Për fatin e keq të Kosovës dhe të shqiptarve, asokohe në kreun shtetëror, për t’i shpëtuar rrethimit sovjetik, disa politikanë të nivelit të lartë në Beograd mendonin se "duhej sulmuar Shqipëria në mënyrë preventive për të mbajtur shpinën të sigurt," (Pirjevec), sepse mendohej se "Bashkimi Sovjetik do të sulmonte edhe nga Shqipëria"!

 Frika e tillë u shtua sidomos pas marshimit të trupave sovjetike në Afganistan, në vitin 1979.

Nuk mund të mohohet fakti se Tito, realisht, ua kishte frikën aktivistëve nacionalistë shqiptarë, sidomos atyre në diasporë dhe grupeve të ndryshme "marksiste-leniniste" në vendet e Europës Perëndimore.

Sipas autorit Pirjevec, në shtator të vitit 1975 shqiptarët dhe ustashët kishin përgatitur një atentat kundër Titos. Sulmi do të kryhej gjatë një panairi në Zagreb, me ç’rast ishte paraparë që Titos do t’i dorëzohej "Urdhëri i Heroit të Popullit". Por, kur shërbimet sekrete sovjetike i informuan jugosllavët për planin e atentatit, protokolli i vizitës u ndryshua në çastin e fundit.

 Në fakt, bombat eksploduan, por prej tyre u thyen vetëm xhamat e një filiali të "Zagrebačka banka", në kryeqytetin e Republikës së Kroacisë, në Zagreb.

Për këtë ngjarje asokohe nuk raportuan fare mediat dhe nuk u informua publiku lidhur me te, nga frika se do të "rrezikohej shteti".

Kushtetuta e vitit 1974 ishte përpjekja e tij e fundit për të shpëtuar Jugosllavinë.

Ka shumë supozime se kush ka qëndruar pas demonstratave të vitit 1968 dhe 1981 në Kosovë, por ishte i pakomtestueshëm fakti se pakënaqësit sociale e politike ishin akumuluar së tepërmi asokohe dhe mjaftonte vetëm një shkas për të shpërthyer ato si vullkan në sipërfaqe.

Lidhur me qëndrimin e Titos ndaj Kosovës dhe të drejtave dhe lirive kombëtare të shqiptarve në RSF të Jugosllavisë, ekzistojnë mendime dhe bindje të ndryshme. Kryesisht mendohet se Tito ishte relativisht tolerant ndaj shqiptarve dhe Kosovës dhe se ishte për barazi të plotë të tyre me të gjithë popujt e tjerë në atë shtet shumëkombësh.

Bindja e tillë argumentohet dhe u dëshmua edhe nga ngjarjet që pasuan, pas vdekjes së Titos, më 4 maj 1980. Demostratat e 1981-shit në Kosovë, aksioni i ushtrisë dhe policisë jugosllave e serbe në Kosovë, diferencimi famëkeq ideo-politik, rrënimi i autonomisë dhe të institucioneve të KSA të Kosovës, e tjera.

Pas vdekjes Titos, me shpejtësi të rrufeshme ngriti kokë nacionalizmi dhe hegjemonizmi serbomadh në krye me Sllobodan Millosheviqin dhe e filloi luftën për shkatërrimin e Jugosllavisë, fillimisht në Kroaci, pastaj në Bosne dhe përfundoi me bombardimet e NATO-s dhe me çlirimin e Kosovës nga Serbia më 12 qershor 1999.






No comments:

Post a Comment