Sunday, May 21, 2017

Aventura e papërgjegjëshme dhe e dëmshme e Nexhmedin Spahiut në Beograd




Shkruan: Nehat Hyseni


Deklaratat e papërgjegjëshme dhe pjesëmarrja aventuriere e donkishoteske e Nexhmedin Spahiut në një emision televiziv në Beograd, me Ivica Daçiqin dhe komandantin e policisë serbe që komandoi njësitin dhe udhëhoqi aksionin policor serb 19 vjet më parë në masakrën e Reçakut, janë të padenja dhe meritojnë kritikë publike. 

Sepse, i tejkalojnë caqet dhe limitet e arsyes së shëndoshë njerëzore, intelektuale e kombëtare.

Pikësëpari, z. Spahiu nuk është dashur kurrësesi t'ia lejoj vetes "luksin e tepruar" që të merr pjesë në një emision, madje duke u prezentuar si profesor universiteti në Prishtinë, e jo si analist politik, ku ishte plotësisht i pabarabartë profesionalisht me një gjeneral policie dhe me një eksponent dhe pasues zyrtar e arrogant të politikës  së Sllobodan Millosheviqit në Qeverinë e Serbisë. 

Sepse, nuk kishte si të përfundoj ndryshe, pos si dekor shqiptar para opinionit serb për plasimin e dezinformatave dhe pretendimit serb për shpalljen e masakrës së Reçakut si "gënjeshtër" dhe të mikut të madh të Kosovës dhe shqiptarve, z.William Walker si "gënjeshtar dhe manipulator" që e paska "mashtruar opinionin" lidhur me këtë të ngjarje, që shërbeu si pretekst i intervenimit ushtarak të NATO-s dhe i bombardimeve të caqeve ushtarake serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Në emisionin 45 minutësh, Nexhmedin Spahiu e mori fjalën gjithsej 5-6 minuta dhe nuk dinte fare nga t'ia mbante. Ishte i hutuar plotësisht, madje, meqë e humbi fillin e mendimit, iu desht Daçiqit t'ia përkujtoj se ku kishte mbetur. 

Pra, ishte i hutuar, plotësisht i papërgatitur për këtë emision dhe, meqë nuk arriti t'i kundërpërgjigjej sadopak gënjeshtrave të tyre lidhur me masakrën e Reçakut, si dhe nismën dhe aktivitetin e tij për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Spahiu William Walkerin e paraqiti si "matuf në pension", i cili ka humbur aftësinë për punë dhe për të menduar e rezonuar drejtë.

Ndërkaq, deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, se poqese Shqipërisë nuk i hapet rruga e negocimit për anërësim në BE, shqiptarët do t'i kthehen integrimeve të vogla në Ballkan, duke aluduar në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Nexhmedin Spahiu na befasoi dhe tmerroi me përgjigjen se "Edi Rama ka qenë i droguar" kur e ka bërë një deklaratë të tillë! 

Mbase, qëndrimi i Spahiut dhe gjendja shëndetësore e tij gjatë emisionit linte përshtypjen se mund të kishte siklet të madh apo probleme shëndetësore, që mund të lidheshin me drogën apo diçka të ngjajëshme.

Njësoj u përgjigj edhe lidhur me deklarimet e Presidentit të Kosovës për bashkim kombëtar.

E vetmja "pikë e ndritur" në emision, mbase mund të merret përgjigja adekuate ndaj akuzave kundër deklaratave të Ramush Haradinajt pas lirimit të tij nga gjykata e Parisit, lidhur me atë se poqese Serbia e kërkon veriun e Kosovës, atëherë shqiptarët do të kërkonin pjesën e tyre deri në Nish.

Përgjigja e z.Spahiu ishte se nuk duhet t'i kthehemi historisë së para 20 vjetëve lidhur me veriu i Kosovës, ashtu si edhe e tërë Kosova asokohe ishte pjesë e Serbisë, si dhe historisë së para 140 vjetëve kur Nishi ishte i shqiptarve. 

Kulmi i papërgjegjësisë së z. Spahiu ishte komenti i tij lidhur me vendimin e Kuvendit të Kosovës për ndërprerjen e dialogut Kosovë- Serbi në Bruksel, pas ndalimit të Ramush Haradinajt në Francë, në bazë të aktakuzës së Serbisë në Interpol, duke e quajtur si vendim të papërgjegjshëm.

Pra, pjesëmarrja inferiore dhe e papërgatitur në emisionin e përmendur televiziv në Beograd la përshtypje të hidhur dhe la shije të keqe tek shqiptarët. 

Si e tillë, pra ishte pakrahasimisht e  dëmshme krahasuar ne pretendimet eventuale të tij për ndonjë kontribut në këtë drejtim kurrësesi nuk e ndihmon kauzën kombëtare të shqiptarve në Ballkan. Përkundrazi, me pretendimin e shqiptarizimit të tezave antishqiptare të Serbisë, si psh. atë se "në Shqipëri dhe Kosovë jetojnë dy kombe të ndryshme", vërtetë paraqet arrogancë dhe diletantizëm e papërgjegjësi ekstreme.

Sepse, teza e tij mbi të ashtuquajturin kombin kosovar, realisht paraqet "përkthim" në shqip të tezës serbe mbi ekzistimin e "dy kombeve të ndryshme të shqiptarve" në Ballkan, duke emërtuar ne Kushtetutën e parë të Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë (RFPJ-së) emërtimin "šiptari" për shqiptarët në ish Jugosllavi, dmth. në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës. 

Kurse, për shqiptarët e Shqipërisë, emërtimin "albanci". 

Pra, nevojat politike e pragmatike të Jugosllavisë socialiste të Josip Broz Titos ishin që shqiptarët e Shqipërisë dhe ata në Jugosllavi t'i paraqiste si "dy kombe" të ndryshme, ashtu siç po vepron Nexhmedin Spahiu pas vitit 1999 në Kosovë me pretendimet dhe përpjekjet e tij këmbëngulëse e aventuriere për të na bindur neve dhe opinionin ndërkombëtar me tezën serbosllave, por tani të përkthyer shqip prej tij, mbi ekzistimin e "dy kombeve të mdryshme": të shqiptarve në Shqipëri (albanci) dhe "kosovarëve" (šiptari) në Kosovë.

Pra, dallimi midis teorisë serbosllave dhe asaj të Nexhmedin Spahiut mbi ekzistimin e dy kombeve të ndryshme shqiptare në Ballkan qëndron në emërtim të ndryshëm të tyre.

Derisa e para, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera të ish Jugosllavisë i quante "šiptari", Nexhmedin Spahiu i quan "komb kosovar", duke i veçuar këta nga shqiptarët e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të zi dhe të Luginës së Preshevës.

Prandaj, kjo "teori" serbosllave e Nexhmedin Spahiut mbi "dy kombe" shqiptare, u mirëprit jashtëzakonisht mirë në Serbi. Madje, Daçiqi ia tërhoqi vërejtjen z.Spahiu se do të kundërshtohej e kritikohej ashpër në Prishtinë.

Nuk dua që të keqkuptohem se jam kundër pjesëmarrjes së intelektualëve shqiptarë në mediat serbe, e as të z. Spahiu në një emision televiziv serb në Beograd e gjithandej në Serbi. Përkundrazi!

Por, jam i mendimit se duhet parapërgatitur mirë e mirë para se të merret një vendim i tillë. Sepse, realisht, akoma nuk ekziston atmosferë normale tek ato dhe në përgjithësi tek opinioni në Serbi dhe mund t'i shfrytëzojnë pjesëmarrësit eventual shqiptarë në ato emisione vetëm si "dekor" dhe justifikim të politikave të tyre antishqiptare. 

Aq më tepër kur pjesëmarrësit e tillë shqiptarë nuk janë ekspertë dhe njohës të mirëfilltë të fushës dhe temave që janë objekt trajtimi të emisioneve përkatës.

Por, mbi të gjithat, ata duhet të jenë të përgatitur edhe psikikisht e emocionalisht për përballje të denjë me fakte e argumentim të mirëfilltë shkencor e profesional.

Përndryshe, do të lënë shijen e keqe të një aventure të papërgjegjëshme dhe të dëmshme ndaj kauzës dhe interesave tona kombëtare para opinionit antishqiptar të Serbisë, por dhe para opinionit demokratik euroatlantik miqëve tanë ndërkombëtarë.

Vërshimi i shkrimeve bombastike në faqet e para të gazetave serbe, sidomos të "shtypit të verdhë" e "bulivardesk" me deklaratat skajshmërisht të papërgjegjëshme dhe të tmerrëshme të Nexhmedin Spahiut, se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është i "droguar", etj. dëshmojnë dëmet e mëdha dhe të paimagjinueshme që i ka shkaktuar imazhit të Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe çështjes shqiptare në Ballkan.








No comments:

Post a Comment