Saturday, April 29, 2017

Maqedonia në udhëkryq, rrezikon hapjen e"Kutisë së Pandorës"!


Shkruan: Nehat Hyseni


Pas dhunës së ushtruar në ndërtesën e Kuvendit të Maqedonisë, më 27 prill 2017, që pasoi si reagim i dhunshëm 

kundër zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryetar të parë shqiptar në historinë parlamentare të këtij shteti problematik në Ballkan.

Kjo dhunë dhe ky kaos që mbretëroi për disa orë, e që e transmetuan mediat vizive "live", na bëri dëshmitarë të gjallë të aktit të tentativës për puç dhe për bankrotim të shtetit të Maqedonisë, me ç'rast vet Presidenti Georgi Ivanov ishte në shërbim të grushtshtetit dhe të rrënimit të institucioneve qendrore të shtetit të Maqedonisë, për interesat dhe qëllimet politike të VMRO-së së Nikola Gruevskit dhe agjenturave pansllaviste dhe misioneve serbo-ruse në Ballkan.

Zgjedhjet parlamentare të 2016-tës, nuk rezultuan me prodhimin e një mazhorance të mjaftueshme të asnjë subjekti apo partie politike. 

Prandaj, koalicionet u imponuan si domosdoshmëri.

Njëkohësisht, ky rezultat zgjedhor, domosdoshmërisht e vuri skenën politike në udhëkryq politik, që krijoi krizën e stërgjatur politike si pasojë e paaftësisë, mosgadishmërisë dhe frikës për gjetjen e rrugës së duhur të spektrit politik maqedon, në rend të parë, por në prapaskenën enigmatike edhe të spektrit shqiptar, me Lëvizjen "Besa", që është tejet kontradiktore dhe u tregua tmerrësisht kolaboracioniste, në momentet dramatike, me qarqet ekstremiste dhe fashiste të VMRO-së, duke mos e votuar kandidatin shqiptar, Talat Xhaferin, për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë.

Se agjenda e tyre politike është vërtetë e paqartë, tejet enigmatike dhe e dyshimtë, u pa puna e tyre edhe pas shpërthimit të dhunës, se asnjërit nga pesë deputetët e Lëvizjes "Besa", në gjithë atë rrëmujë e hallakamë, ku u lënduan shumë deputetë dhe iu rrezikua jeta seriozisht. 

Kurse, këtyre zotërive nuk u mungoi as "qimja e kresë"!

Madje, ata nuk u vërejtën fare në atë rrëmujë, neqë ishin "të përkdhelurit" e huliganëve dhe dhunuesve maqedonë, që u siguruan atyre mbrojtje dhe evakuim, pa pësuar fare "asnjë therrë në këmbë". 


Pra, "ra kjo dekë e u pamë", thotë fjala e urtë popullore!


 Se a është vërtetë, siç po dyshohet me të madhe dhe po vërehet ashiqare, Lëvizja "Besa", si "kali i Trojës" brenda kampusit të partive politike shqiptare, kjo sigurisht se do të bëhet më e qartë në të ardhmen, ashtu siç u pa puna edhe e "binjakes" së saj politike, APN-së në Luginë të Preshevës, me të cilën "lindën" në të njejtën kohë, kanë të njejtën agjendë dhe mision politik, të njejtat burime enigmatike të financimit dhe, madje në zgjedhje korrën "sukses" identik.

Pra, thyerja politike në kampusin politik maqedon midis VMRO-së, ekstremiste, të dhunëshme dhe ne elemente të qarta të urrejtjes së tërbuar antishqiptare e fashiste dhe LSDM-së, që synon Maqedoninë si shtet relativisht të barabartë me shqiptarët dhe të tjerët, duke paguar një kosto të konsiderueshme politike e morale dhe duke u përballur e ballafaquar me ekstremizmin e dhunshëm dhe me presionin pansllavist serbo-ruso-maqedon.

Maqedonia është shndërruar në arenë luftimi të hapur midis presionit rus të diktatorit Putin, në bashkëpunim me qarqet ekstremiste serbe dhe sllavomaqedonase, përballë koalicionit apo aleancës politike maqedono-shqiptare, që aktualisht ka krijuar mazhorancën qeverisëse me kampusin politik të shqiptarve, që mbështetet nga BE dhe SHBA.

Lufta e pashpallur, "nën rrogoz" midis Rusisë pansllaviste të Putinit, që aktualisht e mbështetë dhe nxitë destruktivitetin dhe dhunën e ekstremistëve e shovinistëve sllavomaqedonas të prirë nga VMRO-DPMNE e Nikola Gruevskit dhe President it Georgi Ivanov, nga njëra anë, dhe BE-së e SHBA-së për influencë dhe ndikim politik në Ballkan, që mbështesin koalicionin qeverisës të LSDM-së me partitë politike të shqiptarve, në realitetin politik të Maqedonisë manifestohet si "luftë hamletiane" për ekzistencën ose jo, "për jetë ose vdekje", të këtij shteti të brishtë në Ballkan, që shumica kanë filluar moti kohë ta quajnë si "krijesë artificiale"?!

Shthurrja dhe prishja e këtij shteti multietnik, i cili padrejtësisht mban emërtim nacional e jo qytetar, që është duke shkaktuar probleme me fqinjët, ngërthen në vete rrezikun real të hapjes së "Kutisë së Pandorës" dhe shpërthit eruptiv të pretendimeve të kombeve, prandaj edhe të shqiptarve, për të jetuar në një shtet.



No comments:

Post a Comment