Thursday, December 8, 2016

Kosova republikë e "analfabetëve funksionalë"!


Shkruan: Nehat Hyseni

Rezultatet e testit botëror të nxënësve 15 vjeçarë "PISA" 2016 për dituri, Kosovën e radhisin pothuajse në vendin e fundit, me "77% analfabetë funksional"! 
Kjo do të thotë se vetëm 23% të nxënësve kanë "kaluar", kurse 77% kanë "ngelur", që i bie se jemi shtet i "ngelafçave".
Shyqyr zotit që u mbajt ky testim dhe "na boni sytë sabah"! Prandaj, e falemnderojmë përzemërsisht PISA-n, që jo vetëm që ma e bëri të qartë se ku jemi realisht si komb, si shtet e si shoqëri në botën e sotme. Me demek, në fund të fundit.
Por, rëndësia e PISA-s nuk konsiston vetëm në qartësimin e vendit të arsimit të Republikes së Kosovës në botë, por edhe të ekonomisë, gjyqësisë, politikës e shoqërisë sonë në përgjithësi.

Sikur të ishte mbajtur një testim i ngjash në këto sfera, rezultatet sigurisht se nuk do ishin më të mira. 
Përkundrazi, jam i bindur se do ishin edhe më katastrofale!
Tek e fundit, populli i Kosovës e tregoi me ekzodin e madh të para një viti se "Kosova e lirë dhe e pavarur" është bërë vend pothuajse i pamundur për të jetuar, duke e detyruar popullin për t'ia mësyrë madje edhe dyerve të "hasmit" shekullorë për të shpëtuar nga katandisja si është më zi e tragjike e atdheut të tyre, ku është vrarë çdo shpresë për një jetë më të dinjitetëshme dhe më të denjë, për jetë normale e civilizuese. 
Kush na e vrau shpresën?
Sigurisht se na e vranë të "merituarit", që për çdo ditë na i mbushin ekranet televizive, gazetat e mediat tjera dhe na shurdhojnë veshët e na nxijnë jetën me deklaratat banditeske për "Kosovën e lirë...", që janë bërë sheikë të Ballkanit, milionerë e madje edhe miliarderë, që para luftës ishin leckamanë e analfabetë, kurse tani janë bërë doktorë shkencash, profesorë e politikanë. 
Por, mbi të gjithat: "patriotë", që krijuan dinasti politike e pseudointelektuale, duke u pajisur vet dhe familjarët e tyre me diploma të shkollës fillore, të mesme dhe me diploma fakulteti e me magjistratura e doktoratura, pa e mësuar së paku ta shkruajnë emrin e vet pa gabime.
Pra, në "Kosovën e lirë dhe të pavarur" u krijua klasa politike ose oligarkia politiko-ekonomike e financiare, e bazuar në krim dhe metoda mafioze e kriminale të qeverisjes së këtij vendi.
Tmerri dhe fatkeqësia më e madhe e jona qëndron në faktin se pikërisht këta "analfabetë funksionalë", që ia kanë zënë frymën ardhmërisë së shqiptarve, e sidomos të rinjëve, të cilëve u ka vdekur madje edhe ajo që thonë se vdes e fundit: shpresa se ndonjëherë do të bëhet mirë.

Vuajtja shekullore e jona nga Turqia pesëqind vjet dhe nga Serbia një shekull, sa duket, nuk përfunduan me çlirimin e Kosovës nga NATO dhe rrezistenca e lufta e gjithëpopullore e shqiptarve për liri. 
Druajmë se para vetes kemi betejën ndoshta më të vështirë të historisë tonë të shumëvuajtur kombëtare: betejën me "çlirimtarët" dhe me "patriotët" milionerë që na kanē zënë frymën dhe mundësinë për ta përparuar këtë vend të bekuar.
Rasti i zgjedhjeve të jashtëzakonëshme lokale në këtë fundvit në Drenas, tregon se deri ku ka arritur papërgjegjësia, paturpësia dhe pafytyrësia kriminale dhe jomoraliteti e mosdinjiteti i kreut shtetëror të Reblikës së Kosovës.
Ato zgjedhje, në "parantezë" kishin organizimin e drekës për arsimtarët e komunës së Drenasit, me para të taksapaguesve, nga Presidenti. Në botën e civilizuar, ky quhet korruptim klasik i votës së lirë dhe shndërrim kriminal i personelit arsimorë në ithëtarë dhe besnikë të politikës, si votues e jo si edukues dhe arsimues të gjeneratave të reja, në frymën dhe moralin e demokracisë së përparuar të botës së civilizuar. Pastaj, vizitat përditëshme nëpër odat e Drenasit dhe fshatrave të tij e maskarallëqet e kryeparlamentarit dhe të kryeministrit, me refrenin dhe demagogjinë primitive të pafund "për të mirën e Kosovës", flasin qartë se deri ku e kanë katranosur, përdhosur e deklasuar ata moralin politik, kombëtar e njerëzor të "Kosovës së lirë e të pavarur"!



No comments:

Post a Comment