Sunday, September 25, 2016

Komuna e Preshevës, nga mafia e "Zahvalnicës", e deri te "Ndryshimi" dhe "Shpëtimi"




Shkruan: Nehat Hyseni

Shtatori i sivjetëm në Preshevë shënoi raportimin e udhëheqjes së re komunale nga koalicioni qeverisës midis Aleancës për Ndryshim (APN), të Shqipërim Arifit, që doli në zgjedhje me moton "Për ndryshim", dhe Partisë për Veprim Demokratik të Riza Halimit, me moton "Shpëtimi".
 Pra, komuna e Preshevës, në mandatin katërvjeçar 216-2020 qeveriset me moton: "Ndryshimi-Shpëtimi", që realisht shprehë nivelin e mjerueshëm dhe gjendjen e pashpresë në të cilën ishte katandisur e katranosur kjo komunë e banuar me reth 95% shqiptarë, që pas luftës dhe bombardimeve të NATO-s të vitit 1999 dhe luftës së UÇPMB-së të 2000-2001-shit, megjithatë, së bashku me Bujanocin dhe Medvegjën, mbetën në Serbi.
Gjendja e trishtueshme dhe tmerrësisht e padurueshme shoqërore, ekonomike, sociale e politike  kishte shkaktuar trauma të mëdha socio-psikologjike dhe kaos e zhgënjim të thellë gjatë qeverisje dymbëdhjetë vjeçare të koalicionit qeverisës të të ashtuquajtur "Zahvalnicës", që udhëhiqej nga PDSH e Ragmi Mustafës, me "satelitët" e vet kontraverzë e sahanlëpirës të BDL-së së Skender Destanit dhe fraksionit të tij, BD-së së Ramiz Latifit, kishte shkaktuar humbje të shpresës për jetë normale dhe të dinjitetëshme dhe shpërngulje të përmasave biblike të shqiptarve të kësaj ane.
Filozofia politike e koalicionit të "Zahvalnicës" konsistonte në deklarimet verbale ultranacionaliste shqiptare, që në prapavi dhe në prapaskenë kishte realizimin e skenarit serbomadh të spastrimit etnik të Kosovës Lindore apo Luginës së Preshevës nga shqiptarët dhe serbizimin e kësaj pjese të banuar me shumicë shqiptare që nga periudha iliro-romake, për të cilat dëshmojnë qartë gjetjet dhe monumentet e lashta arkeologjike, si Kalajaja e Preshevës, "Kacipupi" në Rahovicë dhe një mori artefaktesh arkeologjike të gjetura në këtë trevë.

Kjo filozofi politike antishqiptare e Serbisë realizohej me performansën e tmerrëshme e makabre të koalicionit shqipfolës të "Zahvalnicës" së Ragmi Mustafës & Company me një (kuazi) radikalizëm kinse kombëtar, duke deklaruar vazhdimisht se janë "për bashkim me Kosovën", që në esencë ishte një argatllëk i kamufluar i idesë serbomadhe të "Naçertanije-s" së Garashaninit, pastaj të "kasapit të Ballkanit", Sllobodan Millosheviqit dhe pasuesit të tij, Ivica Daçiqit, për ndarjen e Kosovës.
"Zahvalnica" shqipfolëse e Preshevës, pra, ishte realizatore e idesë shoviniste serbomadhe e antishqiptare të Serbisë për ndarjen e Kosovës, që mbështetej në nxitjen e emocioneve kombëtare të shqiptarve, me skandale të ndryshme politike, si psh. :
- skandali me Lapidarin e UÇPMB-së dhe grabitjen spektakulare të tij më 20 janar 2013 nga xhandarmeria e Serbisë, 
- skandali me veprimtarinë e importimit klandestin dhe më pas të pakoordinuar të importimit të librave shqip nga Kosova, premtimin e rrejshëm dhe pastaj mohimin e dorëheqjes së Ragmi Mustafës dhe tarafëve politikë të tij, 
- shpalljen e dyshimtë dhe komprometuese të Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi, 
- skandali me Interspeedin serb në "Zonën C" të kufirit Serbi-Maqedoni në Preshevë, 
- skandalet me refuzimin e partneritetit dhe këshillave e rekomandimeve të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, si dhe të miqëve tanë ndërkombëtarë në krye me Ambasadën e SHBA-ve në Beograd, 
- abuzimin maksimal me buxhetin komunal dhe me paranë publike të takaapaguesve, 
- refuzimin dhe pengimin me motive të dyshimta e antishqiptare të themelimit të Këshillit Nacional të Shqiptarve të Kosovës Lindore apo Luginës së Preshevës, 
- skandalin me privatizimin apo gllabërimin e dyshimtë të "Metalit" dhe "Kristalit", nga firma private e kusherinjëve të Ragmi Mustafës, 
- privatizimi ekstrem i komunës së Preshevës nga tri-katër firma private, të afërm të Ragmi Mustafës, abuzimi me tendera dhe shfrytëzimi i buxhetit komunal për blerje dhe korruptim të votës së lirë të qytetarëve, degradimi ekstrem i arsimit shqip dhe kulturës shqiptare në Luginë, e në veçanti në Preshevë, etj.
Është e pafund lista e skandaleve dhe abuzimeve e veprimtarisë antishqiptare të koalicionit mafioz, grabitqar, korruptiv, zhvatës e antikombëtar të "Zahvalnicës", që i hapën rrugën e fitores së koalicionit "Ndryshimi-Shpëtimi".  Sepse, shqiptarët e Preshevës donin me të vërtetë ndryshime, për të shpëtuar nga vorbulla e pashpresë dhe nga gjendja e tmerrëshme në të cilën ishin katandisur.
Por, kaluan reth katër muaj nga 29 maji 2016, kur u instalua qeverisja e re komunale. Raportimi nga 100 ditëshi i qeverisjes aktuale nga kryetari i Komunës Shqipërim Arifi dhe nga zëvendëskryetari Xhemal Mehmeti para mediave lokale karakterizohej me pasqyrimin e gjendjes katastrofale, kaotike e banditeske në të cilën e kishin gjetur komunën e Preshevës, si dhe abuzimet e pafund të pronës publike, veprime e performansës skajshmërisht abuzive të administratës komunale.
Por, nuk mund të anashkalohet edhe përshtypja e mungesës së njohurive elementare të vetadministrimit lokal nga kryetari Arifi dhe zëvendëskryetari Mehmeti.

E para e punës, obstrukcioni dhe ikja qyqare e kryetarit të mëparshëm Ragmi Mustafës dhe mosparaqitja e tij në procedurën zyrtare dhe ceremoninë e dorëzim-pranimit të detyrës së kryetarit, nuk ishte bërë transparente në masë të duhur dhe me kohë në media, për të marrë denimin e merituar para opinionit lokal, mbarëkombêtar dhe para miqëve tanë ndërkombëtar.

Pastaj, gjendja e gjetur, që gojarisht u deklarua nga Arifi dhe Mehmeti si "katastrofale", edhe pas 100 ditëve të qeverisjes së re, nuk ishte faktuar dhe nuk ishin marrë masat e nevojëshme dhe të domosdoshme për adresimin e abuzimeve dhe për vënien para drejtësisë dhe përgjegjësisë ligjore e penale të abuzuesve.

Nuk e kemi të qartë se a është bërë ky lëshim evident, me pasoja të rënda, nga mosdia apo qëllimisht ky lëshim i rëndë nga qeverisja e re?!

Pse nuk u angazhua një Agjencion i auditimit, që ka shumë të tillë në Serbi, për të bërë auditimin profesional detal të mënyrës së menaxhimit të buxhetit komunal dhe parasë publike nga qeverisja e "Zahvalnicës" dhe që të gjeturat e tyre mbi shkeljet e rënda ligjore e abuzive, të paraqiten me akuza para drejtësisë?
Këtë përgjigje ia kanë borxh popullit dhe votuesve të vet koalicioni aktual APN-PVD, e që nuk e kanë bërë deri më tani. 

Natyrisht, kjo sjellje e Arifit dhe Mehmetit ka lënë shije dhe disponim të pakëndshëm tek votuesit. 
Por, mbi të gjithat, ka krijuar një huti dhe dyshim se a është bërë nga mosdia, apo, mozomakeq, nga mosdashja?
Këtë sqarim ata duhet ta bëjnë sa më parë dhe, patjetër të kërkojnë falje publikisht. 

Përndryshe, në të kundërtën do të krijojnë dyshime dhe mosbesim në aftësin dhe sinqeritetin e tyre për mirëqeverisje e prosperitet të kësaj komune, si dhe do e dëmtoj rëndë imazhin e tyre politik para opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar.

Një auditim i jashtëm profesional dhe i paanshëm politikisht, do të krijonte premisa të qarta të performansës aktuale politike dhe përgjigje më të mirë dhe brilante ndaj obstruksioneve e shtirjeve demagogjike të  "Zahvalnicës", si opozitë në seancat e Kuvendit Komunal dhe forumet-trupat punuese të Kuvendit, kinse për mbrojtje të ligjshmërisë, procedurave demokratike etj., nga këshillëtarët të cilët janë "kapo" të krimit, abuzimeve ligjore e financiare, pasurimit të paligjshëm dhe shumica prej tyre do e kishin vendin në burg, e jo në kuvend. 
Me këtë do ndahej përfundimisht qeverisja komunale nga krimi dhe abuzimet ligjore, në të mirë të qytetarëve, si dhe do i hapej rruga prosperitetit, efikasitetit e qeverisjes së mirëfilltë ligjore, joabuzive e jokorruptuese.

Andaj, kjo punë duhet bërë sa më parë dhe mosveprimi eventual në këtë drejtim len përshtypjen trishtuese se edhe kjo qeverisje e re do vazhdij me avazin e keqqeverisjes mafioze e abuzive të "Zahvalnicës" aq të urryer nga preshevarët.

Nga ana tjetër, ky "skanim" i gjendjes do e qartësonte edhe pozicionin pikënisës të qeverisjes "Ndryshimi-Shpëtimi", që do e bënte më të qartë për publikun rezultatin krahasues dhe do shërbej si pikë reference për sukseset dhe mossukseset eventuale të qeverisjes së re.
Ndërkaq, sa i përket shpalosjes së ideve të tyre për zhvillimin ekonomik, ata përmendën se kanë biseduar dhe janë në fazë të realizimit të marrëveshjes për  hapjen e dy fabrikave, që do të punësojnë reth 100 punëtor në vitin 2016, si dhe të dy fabrikave të tjera në vitet e ardhëshme. Por, fitohet përshtypja se këta po sillen, siç u theksua nga disa gazetarë në konferncë për shtyp, sikur të ishte formuar komuna tani dhe sikur këta ia fillonin nga e para. Pa e përmendur fare Planin zhvillimor të financiar nga CHF-USAID, kirse i hartuar nga IMSP e Beogradit, nën udhëheqjen e profesoreshës me famë europiane, Prof.dr. Edita Kastratoviqit, që "Zahvalnica" e kishte futur në sirtar.
Tri gjëra themelore duhet theksuar në veçanti nga ky Plan:
1. Trajnimin e administratës komunale të Preshevës, si njëra nga dhjetë komunaf e Europës Juglindore, dhe paisja me çertifikatë mbi standardin ISO 9001,
2. Domosdoshmërinë e formimit të Zonës Industriale në "zonën C" në kufi, dhe
3. Formimin e "Zonës së lirë doganore".

Me rrëzimin "revolucionar" nga pushteti të Riza Halimit në vjeshtën e vitit 2005, u stopuan edhe shumë projekte të tjera, si psh. formimi i Universitetit në Preshevë, me partneritet  publiko-privat, Fakultetit të Mësuesisë, si fakultet publik, etj., si dhe dalëngadalë iu mbyllën dyert bashkëpunimit me USAD-in dhe me Ambasadën e SHBA-ve dhe të miqëve të tjerë ndërkombëtarë, për t'ia hapur rrugën mafisë së tij plaçkitëse, banditeske e antishqiptare.
Prandaj, qeverisja e re duhet urgjentisht ta zhvendosë lokacionin, nga Çukarka, ku e vendosi "Zahvalnica" e Ragmi Mustafës, në lokacionin e "Zonës C", ku është paraparë në bashkëpunim me USAID-in amerikan. 
Kjo mbetet një detyrë imediate e koalicionit të ri!
Në fund, koalicionit të ri qeverisës APN-PVD, në krye me Kryetarin e Komunës, Shqipërim Arifin, Zëvendëskryetarin Xhelal Mehmetin, Kryetaren e Kuvendit, Ardita Sinanin, Armend Aliun dhe të tjerët, i uroj suksese, transparencë të plotë, efikasitet dhe ekpertizë kompetente e profesionale, si dhe vullnet e sinqeritet në punën e tyre fisnike e kombëtare, në shërbim të mirëfilltë të popullit të kësaj pjese me rëndësi të madhe e të pafund kombëtare shqiptare.

No comments:

Post a Comment