Friday, June 3, 2016

Pse u anashkalua Lugina?


Shkruan: Nehat Hyseni

Pse nuk pati takim paraprak midis lidershipit të ri të Luginës së Preshevës, të dalur nga zgjedhjet e 24 prillit me kryeministrin  Shqipërisë, Edi Ramën dhe me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën, para mbledhjes së dy qeverive, më 3 qershor 2016, në Prishtinë, nuk dihet.
 Së paku zyrtarisht nuk kemi kurrëfarë njoftimi apo informate. 
Por, kjo heshtje absolute dhe ky anashkalim (i dyanshëm), nga Shqipëria e Kosova, si dhe nga Lugina e Preshevës, realisht paraqet shqetësim të madh për preshevarët dhe për mbarë shqiptarët, kudo që janë, meqë pritshmëritë nga kjo mbledhje e dy qeverive, ishin të mëdha. 

Të gjitha shpresat e shqiptarve të Luginës janë të mbështetura tek vëllezërit tanë në Shqipëri e Kosovë, për ndihmë vëllazërore e institucionale, për tejkalimin e gjendjes tejet të rënd dhe diskriminuese në të cilën gjendet kjo pjesë e Shqiptarisë. 

Boshatisja alarmante e Medvegjës, malësisë së Bujanocit dhe Karadakut të Preshevës dhe jo vetëm, nuk ka të ndalur. 
Lugina është shndërruar në një organizëm të sëmurë, me hemoragji (gjakderdhje) të pandalëshme, që rrezikon perspektivën dhe ardhmërinë e shqiptarve në këto troje të tyre stërgjyshore, që kërkon mada të menjëherëshme, të vendosura e radikale, për tu ndalur dhe për t'u shëruar sa më parë plagët e rënda që shkaktojnë ikjen e shqiptarve nga vatrat e tyre shekullore. 

Pa ndihmën e sinqert dhe të vendosur të Shqipërisë dhe Kosovës, shpëtimi i Luginës së Preshevës, nga kjo gjendje e rrezikëshme dhe e pashpresë, nuk mund të merret me mend.

Kurse, përveç deklaratës eksplicite të ministres Tahiri, se "çështja e shqiptarve të Luginës së Preshevës duhet patjetër të futet në agjendën e mbledhjes së 3 qershorit 2016, sepse ata kanë mbetur të pambrojtur dhe si jetimë...", prononcim apo deklarim tjetër, sa di unë, nuk ka pasur nga asnjëra palë.
Të gjithë e kuptojmë se lidershipi i ri i Luginës së Preshevës akoma nuk është akomoduar si duhet në detyrën e tyre të qeverisjes për mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2016-2020. 
Mbase edhe mund të jenë të preokupuar me gëlqerosjen e zyrave dhe ndërrimin e inventarit, që mbase edhe mund të "mos i pëlqej ngjyra" apo modeli, apo "aroma e paraardhësve" të tyre.
 Por, megjithatë, punët, obligimet dhe detyrat e tyre e reja, nuk presin!
Evenimentet dhe ngjarjet e rastet politike e rëndësishme shoqërore, nuk presin!
Madje, as nuk mund të kthehen!

Çdo ditë e çdo orë e minut, duhet shfrytëzuar me syçeltësi, zgjuarsi e gadishmëri të plotë. 

Sepse, t'i shërbesh popullit është detyrë fisnike dhe hyjnore, që nuk e kanë fatin dhe mundësinë e tillë ta kenë të gjithë. 
Kurse, ju që e fituat besimin e popullit me premtimet që i dhatë. 
Tani është koha që ato të realizohen, meqë çdo zhagitje, neglizhencë apo mospërfillje, mund të na kushtoj shtrejtë. 

Sepse, edhe në politikë, ashtu si në futboll dhe në lojrat e tjera sportive, rastet dhe shanset e humbura, shpeshëherë ikin në pakthim, ashtu si uji që kalon nën urë dhe nuk kthehet kurrë!

No comments:

Post a Comment