Monday, May 16, 2016

Shqipëria dhe Kosova ta miratojnë një Rezolutë për shpëtimin e Luginës së Preshevës!


Shkruan: Nehat Hyseni

Dramaciteti i situatës së vështirë të shqiptarve të Luginës së Preshevës, në veçanti të atyre të Medvegjës, Malësisë së Bujanocit dhe Karadakut të Preshevës, ka marrë përmasa alarmante, me pasoja reale vdekjepruese e gjenocidale, që rezultuan me shpërnguljen masive të shqiptarve të kësaj ane në përmasa biblike. 
Mbi 90% e tyre tani më janë shpërngulur me dhunë dhe me masa sistematike represioni psiqik, fizik, policor e administrativ që shteti i Serbisë është duke ushtruar në kontinuitet, mbi këtë komunitet shqiptar, para syve e veshëve të botës demokratike dhe para opinionit mbarëshqiptar dhe para syve e veshëve të mbyllur të dy shteteve shqiptarë në Ballkan. 
Policia e Serbisë, me anë të "kontrolleve në terren", me të cilat edhe më keq se OZNA dhe UDB-ja famëkeqe e Jugosllavisë së dikurshme, sistematikisht është duke i shlyer nga evidenca shqiptarët e Luginës së Preshevës që nga vititi 1999, duke u pamundësuar atyre të pajisen me dokumenta personale, pronësore e pasurore, meqë, sipas këtyre "kontrolleve në terren", policia e Serbisë na paska konstatuar se këta persona "nuk banojnë këtu", që do të thotë se nuk gjenden në shtëpitë apo banesat e pronat e veta në momentin e "verifikimit policor" të vendbanimeve të tyre?! (Sic!!!)
Sipas kësaj na del se në Serbi shqiptarët duhet të qëndrojnë në "arrest shtëpiak", se përndryshe, i mori dreqi dhe humbin statusin e banorëve në shtëpi dhe në pronë të vet, të trashëguar me mija vite, "den baba den!" 
Pra, shqiptarët automatikisht "shlyhen nga evidenca" administrative dhe për shtetin e Serbisë shpallen "persona inekzistentë"?! 
Kjo do të thotë se ata shqiptarë Serbia i shlyen nga evidenca shtetërore, paçka se pronat e tyre, shtëpitë, trojet, arat, livadhet, pyjet, kopshtet, asetet dhe pasuritë e ndryshme të tyre janë aty! 
Për këtë Serbia nuk "lodhet" dhe nuk çanë kokën fare se pronat ekzistojnë, por pronarët e tyre, meqë policia na paskësh konstatuar se në momentin e të ashtuquajturit "kontroll në terren", që i përngjanë racioneve fashiste e gjenocidale të nazifashizmit, kryejnë detyrat e shtetit "demokratik" të Serbisë, në realizimin e "Planit sekret" të Serbisë për spastrimin etnik të Preshevës, Bujanocit, Medvegjës, Beogradit, Novi Sadit dhe qyteteve të tjera të Serbisë, ku jetojnë me shekuj shqiptarët, që është i bazuar në Programin famëkeq dhe fashist të Vasa Çubrilloviqit të vitit 1938, për masat represive që duhej marrë Mbretëria e Jugosllavisë e Karagjorgjeviqëve, që u sfidua dhe dështoi nga Lufta e Dytë Botërore. 
Por, i njejti program gjenocidal antishqiptar u nënshkrua fhe u lejua edhe nga Jugosllavia e Titos, e cila ia la duartë e lira kryeudbashit fashist, Aleksandër Rankoviqit, që me "aksionin e çarmatosjes së shqiptarve", arriti t'i shpërngulë mbi gjysëm milioni shqiptarë në Turqi. 
Ndërkaq, Sllobodan Millosheviqi dhe radikali fashist, i vetëquajturi "Vojvoda çetnik", Vojisllav Shesheli, me Ushtrinë dhe paramilitarët serbë, arritën që reth një milion shqiptarë gjatë vitit 1999 t'i shpërngulin nga Kosova, ose siç pohonte Shesheli: "Matanë Bjeshkëve të Nemura"! (Preko Prokletija).
"Plani sekret" i Qeverisë së Serbisë që aktualisht është duke u zbatuar "në heshtje" dhe i papenguar nga askush, është vazhdimësi dhe në kontinuitet e planeve serbe të së kaluarës, për arritjen e qëllimit definitiv të politikës gjenocidale e nazifashiste të Serbisë ndaj shqiptarve, që realisht u sfidua me çlirimin e Kosovës në vitin 1999.
 Tani iu kanë qasur me tërë forcën spastrimit etnik të Luginës së Preshevës edhe për rëndësisë së madhe gjeostrategjike e gjeopolitike që ka rajoni i Luginës për Serbinë dhe për Ballkanin e Europën, për shkak të Korridorit Dhjetë, i cili përfshinë Superstradën dhe Hekurudhën (reth 2400 km), që kalon nëpër këtë territor dhe lidhë Europën me Ballkanin dhe me Azinë.
 Kështu, derisa para njëzet vitesh, vetëm në Luginë të Preshevës jetonin mbi 100.000 (njëqind mijë) shqiptarë, aktualisht kanë mbetur më pak se 60.000 (gjashtëdhjetë mijë), kurse në Beograd dikur jetonin mbi 20.000 shqiptarë, kurse aktualisht kanë mbetur më pak se 4000 (katër mijë), si dhe në qytetet e tjera të Serbisë, jashtë Luginës së Preshevës, ku jetonin mbi 60.000 (gjashtëdhjetë mijë), aktualisht kanë mbetur vetëm disa qindra shqiptarë.
Pra, Serbia është duke kryer sistematikisht spastrimin etnik nga shqiptarët me metoda të sofistikuara gjenocidale të aparatit shtetëror represiv e antishqiptar, në heshtje e qetësi trishtuese, pa u trazuar e pa u ndëshkuar fare nga bota demokratike dhe nga dy shtetet shqiptare në Ballkan! 
Madje, si për ironi tragjikomike, ky proces është duke ndodhur paralelisht me zhvillimin e Dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, kushtuar pozitës së serbëve në Kosovë, pa e përmendur dhe pa e përfillur gjendjen alarmante të shqiptarve në Serbi, që janë cilësuar si komuniteti më i shtypur dhe më i diskriminuar në Europë, të cilëve madje as librat shqip nhk u lejohen, si dhe statusi i shtetasve të Serbisë u rrëmbehet, duke i shpërngulur me dhunë dhe duke kryer procesin e spastrimit etnik me dhunë dhe me masa represive antishqiptare e anticivilizuese, që dikur aplikonte nazifashizmi ndaj hebrejve në Europë!
Prandaj, Republika e Kosovës dhe Shqipëria nuk duhet dhe nuk guxojnë kurrësesi të rrijnë duarkryq, duke anashkaluar dhe duke i mbyllur sytë ndaj kësaj katrahure antishqiptare. Përkundrazi, ato duhet ta ngrisin lartë zërin për mbrojtjen e komunitetit shqiptar në Serbi, sidomos tani, para mbajtjes së Mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, më 3 qershor 2016, në Prishtinë, ku do duhej të miratohej një Rezolutë e përbashkët dhe të përcaktoheshin obligimet shtetërore, institucionale e vëllazërore të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, për shpëtimin e Luginës së Preshevës:
* Me hapjen e Konzullatës Shqiptare dhe Zyrës së Republikës së Kosovës në Luginë;
* Hapjen e Zyrës së Luginës në Gjilan dhe Prishtinë, si dhe në Tiranë;
* Themelimin e Fondit për zhvillimin ekonomik të Luginës, për administrimin e të cilit do të kujdeseshin Konzullata Shqiptare dhe Zyra e Republikës së Kosovës në Luginë, në koordinim me KNSH dhe me  komunën e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës;
* Që çështja e shqiptarve të Luginës të inkorporohet në Dialogun e Brukselit, si e barabartë, sipas parimit të reciprocitetit me atë të serbëve të Kosovës; 
* Të merret vendimi mbi themelimin e Universitetit Shqiptar në Luginë, që do financohej nga Shqipëria dhe Kosova dhe do funksiononte sipas kurrikulave të përbashkëta gjithëkombëtare; etj.
Shpresojmë se kësaj radhe dy qeveritë shqiptare do t'i qasen më seriozisht, me përkushtim e përgjegjësi shtetërore, institucionale e vëllazërore miratimit të kësaj Rezolute për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të shpëtohet kjo pjesë e Shqiptarisë nga realizimi ogurzi i Planit sekret të Serbisë, për ta shndërruar këtë pjesë të Shqiptarisë në "Çamëri të Dytë", në shekullin XXI në Ballkan!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe Shqipërinë!
Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët, kudo që janë!


No comments:

Post a Comment