Friday, May 13, 2016

Protesta e 14 majit: "për Ramushin", apo "për Kosovën"?!



Shkruan: Nehat Hyseni 

Në Kosovë Zoti ka qenë duarlirë, zemërgjër, apo si themi popullorçe, "i yxhymert"!
Mbase ndokush do të kundërshtoj, meqë për shumicën e kosovarëve, siç u pa puna me ekzodin, ky vend duket "i nemur", i padenjë dhe i padëshirueshëm për të jetuar!
Por ama, pa marrë parasysh këtë fakt, dmth që populli është i zhgënjyer në "Kosovën e lirë dhe të Pavarur", duke iu shteruar gjithënjë e më tepër shpresat utopike se "do të bëhet mirë", tani iu kanë qasur sporteleve për t'u pajisur me pasaporta biometrikë dhe për të pritur sekondat kur do të hapen dyertë e largimit nga Kosova, me hyrjen në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave. 
Pra, populli i Kosovës aq shumë e don vendin e vet, sa që i ka mbetur merak që ta shoh vendlindjen e vet nga metropolat europiane, qoftë edhe nga kampet e refugjatëve, apo duke bredhur kot rrugëve, meqë punësimi në vendet e BE-së, sa duket, do jetë "mollë e ndaluar" për kosovarët.
Jo jo, lexues i dashur, nuk e ndërruam temën e këtij shkrimi. 

Rri pa merak se, të siguroj se nuk e ngatërruam fillin e bisedës apo muhabetit! 
Pra, duhet, megjithatë ta falemnderojmë të Madhin Zot se na ka falur me shumë zemërgjërësi politikanë, të cilët çdo gjë që bëjnë, e bëjnë "për Kosovën": edhe kur hanë bukë e pijnë raki, (pardon) kafe, edhe kur flejnë dhe kur zgjohen, edhe kur ëndërrojnë, syçelë apo symbyllur, ata ëndërrojnë vetëm për Kosovën, edhe kur grabisin, pasurohen, kryejnë krime, vrasin, vjedhin, terrorizojnë, etj., ata këtë e bëjnë "për Kosovën" dhe vetëm për Kosovën!
Prandaj, me plotë gojën e falemnderojmë Zotin për këta politikanë që na ka falur, të cilët, për dallim nga politikanët europianë, të cilët janë "jopatriotë" dhe "egoistë", këta politikanët tanë janë e kundërta e tyre. 
Madje, kjo vlen për të gjithë politikanët tanë, pozitën dhe opozitën, pa asnjë përjashtim!

Pozita, nga goja e Kryeministrit Mustafa deklaron se korrupsioni  në Kosovë dhe në institucionet e sajë "është percepcion", ose thënë popullorçe: "veç po na duket"! 
Kurse, sipas tij, "pa të drejtë Kosova po stigmatizohet, ose thënë shqip: po njolloset"!

Ndërkaq, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pothuajse simultanisht dhe në sinkroni të plotë me Kryeministritn, solemnisht deklaron se "politika do të dekriminalizohet", duke e vazhduar më tutje "sqarimin" se aty nënkupton se "për kriminelët nuk do të ket vend në institucionet e Kosovës"! 
Por, problemi qëndron në atë se Presidenti dhe Kryeministri nuk na sqaruan se, a thua, vallë, a u besojnë ata vet fjalëve të tyre? 

Apo, nuk na sqaruan se çka duhet të bëjë, e si duhet të veproj ky popull "kokëshkretë" i Kosovës: Vallë, a t'u besoj veshëve të vet se çfarë po dëgjon nga politikanët, apo t'u besoj syve se çka po shohin në realitetin e hidhur të përditshmërisë dhe gjendjes së mjerueshme e kriminale të politikbërjes kosovare?!

Kjo është pyetje madhore që e ka trullosur e katranosur këtë popull kokëshkretë, duke e vënë në siklet e në dilemë e huti  katastrofale, për faktin se i janë "përzier kabllat" e i janë ngatërruar nocionet, duke mos kuptuar e duke ngatërruar populli, se ruana Zot, nuk ka mundësi që politikanët t'i kenë ngatërruar këto nocione elementare, që larg qoftë, mund ta çojnë këtë vend të bekuar në dreq të mallkuar e do ta katandisin mozomakeq!
 Urojmë që këto "pshtjellime" të sqarohen nga ky popull "kokëshkretë" deri në hapjen e kufijve, se në të kundërtën do e marrim në qafë edhe Europën!

Por, do të ishim të padrejtë dhe mosmirënjohës poqese nuk do e falemnderonim Zotin edhe për  Opozitën që na ka falur. 
Sepse, kjo Opozitë, ashtu si edhe Pozita, madje edhe më tepër, kujdeset se cili do jetë Kryeministri i ardhshëm i Kosovës?
 Kjo çështje është tejet e rëndësishme, madje edhe më e rëndësishme se vet Kosova!
 Po, po, mos u çuditni: posti i Kryeministrit për Opozitën aktuale është më i rëndësishëm se ardhmëria e Kosovës! Prandaj, duke qenë e vetëdijëshme për këtë "fakt", Opozita edhe u prish mes veti, dmth për postin e Kryeministrit, paçka se zgjedhjet e ardhëshme parlamentare janë shumë larg.
Jo, jo, jo! Lexues i nderuar, u keqkuptuam, ose më saktësisht: më keqkuptove! Po, po, sepse, në mos gabohem, ti i nderuar lexues e (keq) kuptove se, Opozita na qenka e etur për pushtet e për postin e Kryeministrit?!
Si ka mundësi të ndodhë ky keqkuptim dashakeqës?!
Këtë mund ta keqkuptojnë vetëm "tradhëtarët" dhe shpirtëshiturit e dashakeqët e Opozitës (pardon), Kosovës! Dreq o punë, se si i ngatërrojmë termat e nocionet e politikbërjes jo vetëm me Pozitën, por edhe me Opozitën?! 
Sepse, Opozita, lexues i nderuar, nuk lufton për interesa të veta, por lufton vetëm "për Kosovën"! 
Ashtu si edhe Pozita, prandaj edhe këta janë të gatshëm dhe këtë e kanë dëshmuar katërcipërisht deri më tani se Opozita aktuale është e gatëshme që ta djegë e kallë Kosovën, duke mos e kursyer madje as Kuvendin apo Parlamentin e saj, duke hedhur vezë, spreja të ndryshëm, ujë e gaz lotsjellës me bollëk.
 Po pra, "ta kallim Kosovën për Kosovën", sikur të ishte "bari i savanës", ku pas djegjes së barit të vjetër, del i riu!
Prandaj, Opozita "patriotike" e djeg, dhunon e shkatërron Kosovën dhe bota "idotike" (pardon: demokratike) e keqkupton atë, si dhe shumica e popullit të Kosovës e keqkupton Opozitën kosovare, ashtu si e keqkuptuan edhe prishjen dhe shpërbërjen e saj për postin e Kryeministrit dhe për ndarjen e pushtetit midis veti, madje pa u shpallur dhe pa u dukur fare në horizont zgjedhjet e jashtëzakonêshme parlamentare.
Prandaj, në Protestën e caktuar për 14 maj nga AAK dhe Nisma (s) duhet dalur medoemos, paçka se këta u "tradhëtuan" nga Vetëvevendosja. 
Sepse, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, me Protestën e 14 majit 2016, (nuk) dëshirojnë që t'i tregojnë "muskujt" politikë. 

Por, këtë ata nuk e bëjnë për pushtet, e aq ma pak (s) e bëjnë për postin e Kryeministrit për Ramush Haradinajn dhe për pushtet, por e bëjnë "për Kosovën"! 
Prandaj, ata nuk e kanë deklaruar moton: "Për postin e Kryeministrit", e as "për pushtet!"
Përkundrazi, motoja e Protestës së 14 majit është deklaruar: "Kundër Zajednicës!" dhe "Kundër demarkacionit!"
 Kjo do të thotë, sipas Opozitës, se motoja e këtyre protestave do të jetë: "Për Kosovën!"
Prandaj, varësisht nga ajo se si i "lexon" porositë e protestave populli i Kosovës, e aq më tepër se si u beson atyre realisht, se a janë "për pushtet", dmth për Ramushin dhe Fatmirin apo "për Kosovën", do të varet edhe niveli i mbështetjes popullore dhe masiviteti e niveli i mbështetjes popullore të kësaj proteste.

No comments:

Post a Comment