Monday, May 9, 2016

Mos e zhgënjeni popullin, se do e fyeni Zotin!


Shkruan: Nehat Hyseni

Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare të 24 prillit 2016, dy ditë më vonë, dmth. më 26 prill u hartua Marrëveshja e koalicionit qeverisës për pushtetin lokal në komunën e Preshevës, midis APN-së me 11 dhe PVD-së me 10 këshilltarë, nga 38 këshilltarë të KK të Preshevës, duke e lënë në opozitë PDSH-në e Ragmi Mustafës dhe sponzorëve të tij, që për 12 vjet rrjesht e rjepën buxhetin komunal me tendera të dyshimtë e korruptivë, si dhe me forma të tjera të "akrobacioneve" dhe makiacioneve abuzive të vjwedhjes dhe keqpërdorimit të parasë dhe pasurisë publike. 

Çdo abuzim dhe konflikt interesi dhe çdo "formulë" e shkeljes apo anashkalimit të ligjit, larg syve të publikut, taksapaguesve të kësaj komune  të banuar reth 95% me shqiptarë, konsiderohej si "aftësi" nga tarafi qeverisës i pushtetit lokal, që i kishte caktuar vetes për detyrë elementare: "shpërblimin" e sponzorëve që i sollën në pushtet, duke "investuar" kapitalin dhe paratë e tyre në "biznespolitikë", që iu kishte premtuar se do u dhjetëfishohej e qindfishohej me "fitoren" e pushtetit lokal. 

Ato "investime" të sponzorëve të përmendur, që e mbajtën në pushtet Ragmi Mustafën me "satelitët" e tij bashkëqeverisës, shkonin në:
- Blerjen dhe korruptimin e votës së lirë të qytetarëve të kësaj komune, duke shpërndarë miell, vaj, sheqer, deterxhente dhe artikuj të tjerë, me maune ose "shlepera" nëpër lagjet e të varfërve dhe skamnorëve të Preshevës me rethinë;
- Me "asfaltimet korruptuese" të votuesve nëpër lagjet e ndryshme të qytetit të Preshevës, madje edhe duke hedhur asfalt nëpër ara e nëpër baltë e nëpër "qorrsokaqe", duke korruptuar dhe duke blerë kështu votën e mëhallëve të tëra ose të pjesëve të tyre, duke e shpenzuar buxhetin komunal të komunës së Preshevës për korruptimin dhe blerjen e votës së tyre;
- Duke paguar paga ose rroga fiktive për pjesëtarë të lagjeve të caktuara, të cilët madje nuk jetojnë dhe nuk punojnë në Preshevë dhe figurojnë vetëm në listën e rrogave të punëtorëve të komunës së Preshevës. Pra, ata nuk kishin vend pune dhe punonin gjetiu, kurse paguheshin nga djersa e taksapaguesve preshevarë, me të vetmen detyrë që të siguronin votat e lagjeve të tyre. Kjo ishte njëra nga format e kundërligjëshme dhe mafioze të abuzimit të buxhetit komunal për qëllime kriminale të shit-blerjes së votës së lirë dhe pushtetit. Rastet e tilla dihen mirëfilli me emër dhe mbiemër dhe ata duhet të hetohen nga mazhoranca e re qeverisëse APN-PVD dhe të vihen sa më parë para drejtësisë;
- Tenderët i jipeshin vetëm firmave të përmendura dhe sponzoruesve të Ragmi Mustafës. Andaj, duhet bërë urgjentisht, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit Komunal, auditimin e plotë të Administratës Komunale, në mënyrë që të bëhet një zx"prerje" e gjendjes faktike të pushtetit dhe buxhetit komunal, në mënyrë që mazhoranca e re qeverisëse të startoj nga "zeroja", pa marrë mbi vete abuzimet, marifetllëqet, vjedhjet, korrupsionin, shkeljet ligjire e procedurale dhe keqpërdorimet e ndryshme, që konsiderohet se janë të panumërta. Ky proces duhet të kryhet me transparencë të plotë para publikut dhe taksapaguesve, duke hetuar ekzaktësisht firmat konkrete përfituese të tenderëve, emrat e tyre dhe abuzimet eventuale dhe rezultatet dhe gjendjen e punimeve të realizuara;
- Të hetohen punësimet në të gjitha nivelet në komunën e Preshevës, në organizatat dhe ndërmarrjet publike dhe shoqërore, që financohen nga buxheti, si dhe të vihen para drejtësisë të gjithë abuzuesit, pa marrë parasysh pozitën dhe përkatësinë e tyre etnike, politike apo sociale, ekonomike e lokale;
- Veçanërisht të hetohet fakti: Pse Plani Strategjik për Zhvillimin Ekonomik, e financuar nga USAID (CHF), u fut në "sirtar" dhe u fsheh nga publiku?
- Duhen hetuar "arsyet" e zhvendosjes së lokacionit të Zonës Industriale, si dhe raportet servile dhe "allishverishet" e pushtetit lokal të Ragmi Mustafës me firmën në kufi, "Interspeed-in" nga Beogradi: çfarë shërbimesh dhe me çfarë kushte kreu administrata komunale për këtë firmë, të cilë komuna e reklamoi dhe promovii nëpër billborde si "shpresë" dhe si premtim për punësimin e 700 (shtatëqind) punëtorëve. Sa u punësuan? Si dhe të hetohet se a ndikoi dhe eventualisht, si ndikoi kjo firmë në bashkëpunim me Ragmi Mustafën, në ndryshimin e lokacionit të caktuar me Strategjinë e përmendur, të Zonës Industriale, nga kufiri dhe "Korridori 10", dmth nga qendra atraktive, në periferinë pasive, në fshatin ?!

Populli i Preshevës ka të drejtë legjitime të mësoj dhe hetoj për shumë dyshime dhe paqartësi e "hije", madhe edhe për "errësirat" e pushtetit lokal në periudhën e kaluar.
 Kurse, mazhoranca qeverisëse APN-PVD, për periudhën katërvjeçare 2016-2020, ka për obligim që këtë ta siguroj me transparencë dhe përgjegjësi të plotë para votuesve që i sollën në pushtet dhe para popullit të Preshevës. 
Sepse, tek e fundit, ky edhe ishte premtimi i tyre para popullit, që sa duket, i bindi ara për t'ua dhënë votën. 
Aleanca për Ndryshim dhe kryetari i saj, Shqipërim Arifi, gjatë fushatës premtuan se do e realizojnë ndryshimin dhe se abuzimet dhe abuzuesit do i hetojnë dhd do i vejnë para drejtësisë!
Kurse, Partia për Veprim Demokratik, kësaj radhe kishte moton: "Ne jemi shpëtimi"!

Se a do të realizohen ndryshimet e shumëpritura, si dhe a do të shpëtohet vërtetë Presheva, kjo varet pikërisht nga ky koalicion qeverisës, të clët populli i votoi, sepse u besoi se vërtetë do e bëjnë këtë, dmth. se "do e ndryshojnë dhe shpëtojnë Preshevën"!

Poqese eventualisht hamenden dhe "ndryshojnë rrugë", duke u arsyetuar e duke fajësuar të tjerët, atëherë populli do të zhgënjehet thellë dhe do t'i mallkojë si asnjëherë më parë. 

Kurse, fjala e urtë popullore thotë: " Poqese e zhgënjeni popullin, ju do e fyeni Zotin"!

No comments:

Post a Comment