Sunday, May 22, 2016

Me pallavra "patriotike" nuk shpëtohet Lugina e Preshevës!



Shkruan: Nehat Hyseni

Shqiptarët janë populli i fundit në kontinentin e Europës në rrugëtimin e tyre të vonuar drejt emancipimit shoqëror, ekonomik, kulturor e politik.
 Por, paradoksalisht, ata janë të parët në retorikën e tyre "patriotike", me plotë folklorizëm, zhurmë e poterë deri në qiell, por pa vepra konkrete, dhe shpeshëherë, madje nuk e bëjnë as "lavrën e minit" në veprimin pragmatik drejtë realizimit të të drejtave elementare njerëzore e kombëtare! 
Prandaj edhe gjatë shekujve Shqiptarët përjetuan fatin ogurzi që të shpërfillen nga fqinjët e tyre, të okupohen e të skllavërohen si është më zi. 
Serbët, malazezët, turqit, bullgarët, grekët e italianët, gjatë historisë bënin gara se kush më përpara dhe kush më shumë do i skllavëroj, sundoj e poshtëroj shqiptarët, duke ua ndalur rritën si popull e si komb gjatë historisë dhe duke i detyruar që të arratisen e të degdisen gjithandej nëpër botë, qoftë si ushtarë apo mercenarë, nëpër luftërat e huaja, apo si rrogëtar për të siguruar kafshatën e bukës dhe mbijetesën.
"Historia e popujve të vegjël kalon nëpër dyert e tragjedive të mëdha", thoshte i madhi Ismail Qemali, si kryeministër i Qeverisë së parë shqiptare, pas shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, meqë ishte ballafaquar me sfida të mëdha dhe me dallgë të tërbuara e vdekjepruese "të bërjes së Shqipërisë". 
Ky mision i tij patriotik hasi në pengesa, sfida e armiq nga më të ndryshmit, në përpjekjet e tia të pafund për ruajtjen nga zhbërja të shtetit të parë shqiptar, që mezi qëndronte në këmbët e tia të dobëta, duke u rrëzuar e duke u ngritur si feniksi, sa e sa herë gjatë historisë.
Por, megjithatë, fundshekulli i XX, sikur ngjalli shpresat se do i ndreq gabimet dhe padrejtësit e katrahurat e mëdha që u kishte servirur shqiptarve, që nga fillimi e deri në përfundimin e tij. 

Me avionët e NATO-s dhe me Amerikën përpara, fillimshekulli XXI e gjeti Kosovën të çliruar nga armiku shekullor, nga Serbia, kurse 17 shkurti 2008, në atë acarr të madh dimëror, ndodhi Pavarësia e Republikës së Kosovës, si shtet i dytë i shqiptarve në Ballkan.
Por, mjerisht, fundshekulli XXI nuk i solli lirinë dhe pavarësinë shqiptarve të Luginës së Preshevës, të cilët vazhduan të mbesin nën thundrrën e shtetit armik të përbetuar të shqiptarve, në Serbi. 
Madje as lufta e tyre e vitit 2000-2001 nuk i shpëtoi nga kthetrat e këtij shteti dashakeqës dhe armik të përbetuar të shqiptarve, duke i shndërruar në komunitetin më të diskriminuar në Europë.

Ky fakt dhe kjo gjendje e trishtueshme në të cilën kanë mbetur shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të rëndoj fuqishëm mbi ndërgjegjen e të gjithë shqiptarve kudo që janë, e në veçanti të dy qeverive shqiptare dhe subjekteve politike të shqiptarve të Luginës së Preshevës.
Hataja e pafalëshme që është duke ndodhur në fillimshekullin XXI me mospërfshierjen e çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës në Dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, si çështje e barabartë me atë të serbëve të Kosovës, që kërkon zgjidhje urgjente dhe kullon gjak si plagë e thellë që i është shkaktuar padrejtësisht dhe në mënyrë të pamëshirshme trupit kombëtar të shqiptarve në Ballkan. Përgjegjësia e drejtëpërdrejtë për këtë sakrifikim të shqiptarve të Luginës së Preshevës, bie drejtpërdrejtë mbi klasën politike shqiptare në përgjithësi, e sidomos mbi ndërgjegjen e klasës politike të Republikës së Kosovës, pa përjashtuar peshën e madhe të fajësisë që bie mbi subjektet politike të Luginës së Preshevës.
Republika e Kosovës e sakrifikoi Luginën e Preshevës me lehtësi të pafalëshme dhe poshtruese, duke i bërë "kurban" në Dialogun e Brukselit për qëllime të pakuptimta, ashtu si e neglizhoi me mospërfillje spastrimin etnik dhe masakrat e Greqisë fashiste mbi shqiptarët e Çamërisë, regjimi komunist i Enver Hoxhës. 
Atëbotë, shqiptarët e Çamërisë ishin masakruar barbarisht dhe ishin dëbuar me dhunë nga vatrat e tyre stërgjyshore nga Çamëria, u shpërfillën egërsisht nga Shqipëria komuniste, duke u keqtrajtuar e poshtruar në mënyrën më çnjerëzore nëpër rrugët e Shqipërisë, të zbathur, të uritur e të etur, të pastrehë e të sfilitur, pa ndihmën vëllazërore të shtetit shqiptar!

Kurse sot, në shekullin XXI, shteti i Republikës së Kosovës nuk ka siguruar as minimumin e minimumit të përkujdesjes vëllazërore ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës, duke lejuar në mënyrë qyqare që kjo pjesë e Shqiptarisë të shndërrohet në komunitetin më të diskriminuar në Europë!
 Ky turp dhe kjo sjellje kaq e padinjitetëshme e shtetit ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës konsiston në mospërfilljen e paimagjinueshme edhe 17 vjet pas çlirimit dhe tetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës:
* Me mosregjistrimin e refugjatëve shqiptarë nga Lugina nga UNHCR dhe nga Qeveria e Kosovës, kurse kanë evidencuar e regjistruar me përkushtim mbi 240.000 serbë të Kosovës, që aktualisht kanë statusin e refugjatëve;
* Shqiptarët e Luginës së Preshevës që janë dëbuar me dhunë nga Serbia, nuk janë të pajisur me dokumentacion të nevojshëm dhe figurojnë si "qytetarë të padukshëm", klandestinë, pa iu njohur statusi i refugjatëve dhe pa mundësi udhëtimi e lëvizjeje jashtë Kosovës, meqë nuk kanë mundësi të pajisen me legjitimacione dhe dokumentacion udhëtimi, edhe më keq se refugjatët aziatikë në Europë;
* Mospërfshirja e çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës në Marrëveshjen e 19 prillit 2013 dhe në atë të 25 gushtit 2015, të Brukselit dhe përkushtimi i Qeverisë së Kosovës vetëm dhe ekskluzivisht për çështjen e serbëve të Kosovës, paraqet tradhëti të pafalëshme kombëtare, ashtu si tradhëtoi dikur klasa e politikanëve komunistë të Kosovës me pranimin e stigmatizimit të shqiptarve të Kosovës, si "dhunues të serbëve" që bëni presion (pritisak) mbi serbët, duke shpikur tezën mbi "nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar", që ia hapi dyertë e masakrave të Serbisë mbi Kosovën;etj.
Andaj, është koha e fundit që Shqipëria dhe Kosova ta vejnë në rend dite çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës në Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, që do të mbahet më 3 qershor 2016, në lokalet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë. 
Definivisht, Lugina e Preshevës në Serbi do të humbet pëgjithmonë, ashtu si dikur humbi Çamëria në Greqi,
apo do të shpëtohet ajo çka ka mbetur akoma për tu shpëtuar nga kjo pjesë e Shqiptarisë?!

Por, kësaj radhe duhet lënë dhe duhet harruar "pallavrat patriotike" dhe belbëzimet e pakuptimta e mashtruese dhe duhet qasur me seriozitetin dhe sinqeritetin e duhur dhe të vendosur të kombit shqiptar në Ballkan! 
Sepse, ose do të shtrohet çështja e shqiptarve të Luginës së Preshevës në Dialogun e Brukselit, ose ky Dialog do të merr fund dhe do të shpallet si i papranueshëm nga dy qeveritë shqiptare!
Vetëm në këtë mënyrë do të shpëtohen shqiptarët e Luginës, por dhe dinjiteti dhe krenaria jonë kombëtare, duke u trajtuar si të barabartë me serbët dhe të tjerët në Ballkan!

Mendoj se nuk ka dhe nuk guxon të ket asnjë arsye serioze  për vetnënçmim dhe për moszbatim të vendosur dhe pa ekuivoke të barazisë së plotë të çështjes së shqiptarve të Luginës me atë të serbëve të Kosovë, sipas parimit të reciprocitetit dhe barazisë së plotë midis tyre!
Ky është një moment i përshtashëm historik për ta bërë këtë hap të madh dhe historik të zgjidhjes së dilemës hamletiane të çështjes së Luginës, meqë Asociacioni apo "Zajednica" serbe është stopuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si dhe nga zgjedhjet e 24 prillit 2016 në Luginë ka dalë fitues lidershipi i ri dhe premtues i kësaj pjese të Shqiptarisë, që është i gatshëm t'i shkoj deri në fund kësaj çështje, pa u stepur nga sfidat dhe pa u shërbyer me "pallavra politike" e mashtrime dhe tradhëti të pafund të biznespolitikës shqiptare, e cila pësoi humbjen dhe fiaskon e shumëpritur dhe të merituar.

Meqë shpresat e shqiptarve të Luginës së Preshevës, si asnjëherë më parë,  janë fokusuar në Mbledhjen e tretë të dy qeverive të 3 qershorit, urojmë dhe shpresojmë që të mos zhgënjehen dhe shpresojmë  se më në fund do të shohin "dritë në fund të tunelit", që ishte tepër i errët për fatin e tyre të mjerë nën thundrrën e rëndë të shtetit antishqiptar të Serbisë.











No comments:

Post a Comment