Sunday, May 8, 2016

Cila është Strategjia e duhur qeverisëse (2016-2020) e koalicionit APN-PVD në Preshevë?



Shkruan: Nehat Hyseni

Mazhoranca e krijuar nga koalicioni paszgjedhor APN-PVD, për qeverisjen e pushtetit lokal në komunën e Preshevës në mandatin katërvjeçar 2016-2020, nga shumica e qytetarëve të komunës së Preshevës u përjetua si çlirim nga kthetrat e mafisë së "biznespolitikës" preshevare në krye me Ragmi Mustafën dhe klientelën e tij banditeske, që për 12 vjet radhazi e kishin shkretëruar e mjeruar Preshevën si është më zi!

Praktikisht, komuna e Preshevës ishte e privatizuar nga disa firma private të kushërinjëve dhe bashkëpartiakëve të tij. Këto pesë (5) firma private, gjatë periudhës dymbëdhjetvjeçare të qeverisjes së PDSH-së së Ragmi Mustafës me "satelitët" servilë e minorë, BDL-në e Skender Destanit dhe ne BD-në e dêshtuar të Ramiz Latifit, "lulëzuan", duke e shumëfishuar, dhjetëfishuar e qindëfishuar kapitalin e tyre, si dhe kapacitetet e tyre tregëtare, financiare e prodhuese, që e monopolizuan ekonominë e komunës së Preshevës, duke i falimentuar e mbyllur me dhjetëra e qindra firma private të shqiptarve të Preshevës dhe Bujanocit dhe duke i lënë pa punë dhe pa mjete ekzistenciale me mijëra punëtorë shqiptarë, të cilët u detyruan të shpërngulen nga Lugina dhe të arratisen gjithandej nëpër kampet për refugjatë në Europë, në Turqi, në Amerikë e Australi dhe duke i lënë shkret dhe të mbyllura si fantazmë, shtëpitë dhe tokat e tyre stërgjyshore.
 Ekzodi i shqiptarve të Luginës së Preshevës, gjatë kësaj periudhe të qeverisjes mafioze të "biznespolitikës" në krye me Ragmi Mustafën dhe Nagip Arifit, ia ka arritur që ta boshatisë Medvegjën me mbi 90%, kurse komunën e Bujanocit, sidomos fshatrat e Malësisë së Bujanocit dhe ato të Karadakut të Preshevës, kanë përjetuar të njejtin fat me komunën e Medvegjës dhe aty janë zhdukur nga faqja e dheut apo kanë mbetur të pabanuara dhe pa shqiptarë, si fantazma ku nuk ndëgjohet zë njeriu dhe shenja jete. 
Kjo pjesë e trojeve shqiptare është boshatisur fare, falë politikës "patriotike" të PDSH-së së Ragmi Mustafës në Preshevë dhe Nagip Arifit në Bujanoc, të cilët qeverisnin sipas "formulës magjike": shit patriotizëm radikal, kinse duke "mos e pranuar Serbinë", si dhe duke lobuar për ndarjen e Kosovës dhe për idenë serbomadhe e antishqiptare të kryetarit të SPS-it famëkeq dhe Kryeministrit të atëhershëm të Serbisë, Ivica Daçiqit, kurse ishin argatë të devotshëm dhe në shërbim të firmave të kusherinjëve të tyre me të njejtin mbiemër, të cilat u rritën "sipas progresionit gjeometrik" gjatë periudhës 12 vjeçare të qeverisjes së tyre në Preshevë, e diçka më pak të Nagip Arifit me Jonuz Musliun, në Bujanoc. 
Pra, gjatë kësaj periudhe ndodhi "simultanisht" mbyllja e qindra firmave shqiptare dhe hedhja në rrugë e mijëra punëtorëve, si dhe "suksesi" dhe "lulëzimi" i njëkohësishëm i firmave sponzoruese të PDSH-së së Ragmi Mustafës në Preshevë dhe të PD-së së Nagip Arifit në Bujanoc. 
Vetëm tarafët e tyre fituan jo vetëm të drejtën e ekzistencës dhe mbijetesës në këtë pjesë të Shqiptarisë, por edhe të rritjes marramendëse të tyre, duke i vrarë e shkatërruar ekonomikisht firmat e shqiptarve të Luginës së Preshevës.
Në fillim, ata e kishin "halë në sy" USAID-in dhe programin e tij të CHF-së, që ishte dhe është njëkohësisht investuesi më i madh ndërkombëtar në Luginë, duke ia mbyllur zyrat e tyre, të cilat i kishim hapur me shumë mund e përkushtim në periudhën pas konfliktit të armatosur në Luginë, apo Luftës së UÇPMB-së në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në periudhën 2000-2001., që vepruan me shumë sukses deri në vitin 2008.
 Në këtë periudhë, fjatë cilës kam qenë unë Koordinator i EEE grupit të CHF-së, kemi realizuar me sukses një mori projektesh infrastrukturore në këto tri komuna të banuara me shqiptarë, si dhe në sanimin e pasojave të Luftës së vitit 1999, sidomos në fshatrat e Karadakut të Preshevës dhe në Malësinë e Bujanocit, që ishin të banuara 100% me shqiptarë, si dhe për komunën e Medvegjës.

Gjithashtu, investimet në blegëtori dhe në suportimin e mbështetjen me grante të ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe të firmave "start-up", ishin të mëdha. 
Sidomos vlen të veçohen qumështoret e komunës së Preshevës e Bujanocit dhe mbështetja e bujqëve me dhurimin e lopëve qumështore të racave të avancuara gjermane e holandeze, i kontribuan sadopak ndaljes së shpërnguljes së shqiptarve nga fshatrat e përmendura, meqë iu mundësua që të siguronin të ardhura të konsiderueshme për jetesë, nga grumbullimi dhe shitja e garantuar e qumështit.
Me nisiativën e grupit EEE të CHF-së, ne siguruam atëbotë financimin e hartimit të Planit afatmesëm të zhvillimit të komunës së Preshevës, të realizuar nga Instituti për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme (IMSP) nga Beogradi, me drejtoreshën dhe udhëheqësen e këtij Projekti, Prof. Dr. Edita Kastratoviq. 
Gjithashtu, Grupi EEE arritëm që komuna e Preshevës të jetë përfituese e Projektit për Certifikimin me ISO Standard 9001, për administratën komunale, si njëra nga dhjetë komunat e Europës Juglindore. Procesin e trajnimit të administratës komunale dhe të stafit menaxherial të saj, për gjashtë muaj rrjesht e financoi USAID (CHF) dhe e menaxhoi dhe udhëhoqi profesionalisht IMSP me mikeshën e madhe të shqiptarve, Prof. Dr. Edita Kastratoviqin në krye.
Në këtë Plan Afatmesëm të Zhvillimit Ekonomik, ne kishim paraparë formimin e Zonës së Lirë Ekonomike, që ishte dhe është në kompetencë të Qeverisë së Serbisë, por lobimi ishte intensiv, me mbështetje të fuqishme morale, politike, infrastrukturore e financiare të USAID-it dhe Ambasadës Amerikane në Beograd, që na e lehtësonte aktivitetin dhe lobimin tonë në Qeverinë e Serbisë dhe në ministritë e resorëve përkatës. 

Prandaj, aktiviteti i ynë ishte atëbotë tejet intensiv dhe entuziastë, që mbështetej fuqishëm nga pushteti lokal i komunës së Preshevës, në krye me Kryetarin e Komunës Riza Halimin, si dhe ambasadat e shteteve mike të shqiptarve.
 Për këtë arsye, USAID-i (CHF) e kishte shpallur Grupin EEE të USAID (CHF) në Preshevë si grupin më të suksesshëm në Serbi, si dhe kishte ndarë Mirënjohje për mua personalisht, si Koordinator i Grupit EEE (2001-2008), për angazhimin, sukseset e arritura dhe për kontributin e dhënë. 

Madje, në shenjë respektimi dhe mirënjohjeje e suporti, Drejtori i USAID-it në Republikën e Kosovës, z. Ken Yamashita dhe Drejtori i USAID-it në Beograd, e vizituan Komunën e Preshevës dhe me Grupin EEE organizuam drekë pune, me ç'rast i  dhuruam dhurata modeste, por domethënëse e dinjitoze,  "Dasmën Kosovare" dhe Statujën e Skënderbeut.
Pra, siç po shihet, në Preshevë dhe në Luginë, me  idekada, pothuajse që nga momenti i vendosjes së pluralizmit, ishin instaluar dy rryma kryesore të  politikbërjes: 
1. Rryma institucionale, që ishte në bashkëpunim të ngushtë me Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe me ambasadat e shteteve mike në krye me atë të SHBA-ve, e udhëhequr nga Partia për Veprim Demokratik dhe kryetari Roza Halimi, dhe
2. Rryma "refuzuese", apo jobashkëpunuese sidomos me organizatat ndërkombëtare, në rend të parë vepronin kundër USAID-it dhe Programit të saj të CHF-it, që ishin bartës të investimeve në Luginë të Preshevës në periudhën pas konfliktit të armatosur të vitit 2000-2001., në krye me Partinë Demokratike Shqiptare. Sidomos gjatë udhëheqjes së Ragmi Mustafës, i cili ishte marionetë apo kukull e disa firmave private, të dominuara nga firma d kushërinjëve të tij, ku kishte punuar edhd vet më parë si punëtor, kjo rrezistencë kundër ndërkombëtarëve me kohë u ashpërsua egërsisht. Kulmi i arrogancës së tyre rrebeluese ndaj ndërkombëtarëve arriti me bllokimin e realizimit të Projektit të trajnimit të stafit menaxhues dhe të administratës komunale për certifikim me standardin ISO 9001, gjatë vitit 2005-2006, me zhagitjen ekstreme të miratimit të Planit afatmesëm zhvillimor, që ishin financuar nga USAID (CHF) dhe ishin identifikuar e miratuar nga Grupi EEE. Natyrisht se pengesë kryesore në këtë "marshim rrebelues" të tyre ishte Riza Halimi. Prandaj, ata organizuan komplotin kundër tij. Investuan kapitalin e sponzorëve të ndryshëm dhe të dyshimtë dhe me rrëzimin e Riza Halimit si kryetar komune, iu hap dera "biznespolitikës" mafioze në Luginë dhe së shpejti u mbyllën zyret e CHF-it dhe të organizatave e donatorëve të tjerë, për t'i lëshuar rrugë mafisë dhe tenderomanisë plaçkitëse dhe pasurimit banditesk të "biznespolitikanëve".

Cilat ishin pasojat e "revolucionit" mafioz të Ragmi Mustafës?

Menjëherë pas rrëzimit të Riza Halimit nga pushteti lokal i Preshevës:
* Zonës Industriale iu ndërrua lokacioni, nga "Zona C" në kufirin me Maqedoninë, përskaj "Korridorit 10", ku ishin pronat publike të Komunës së Preshevës, në lokacionin e fshatit Çukarkë, dmth. larg nga kjo rrugë ndërkombëtare. Andaj, mendoj se njëra nga deryrat dhe obligimet e para të mazhorancës APN-PVD, duhet të jetë kthimi i Zonës Industriale në lokacionin pranë "Zonës C" në kufi, meqë do ishte më atraktiv për bizneset vendorë, e sidomos për joshjen e investitorëve të huaj.
* U mbyllën zyrat e USAID-it (CHF-it), UNDP-isë dhe investimeve e granteve të huaja dhe aktiviteteve të tyre në komunën e Preshevës;
* Projekti i CHF-it për rregullimin e Qendrës së qytetit të Preshevës, u devijua e masakrua si është më keq, duke u keqpërdoruar paratë e buxhetit dhe donatorëve, që përfunduan në xhepat privatë dhe në konton e "biznespolitikës". Prandaj, koalicioni APN-PVD, duhet urgjentisht ta korrigjoj këtë masakër, që e ka shëmtuar pamjen e qendrës dhe ia ka humbur identitetin arkitektural qytetit të Preshevës;
* Gjykatat u transferuan nga Presheva, në Bujanos e Vranjë. Ato duhet të kthehen në Preshevë!;
* Universiteti që duhej hapur asokohe në Preshevë, në lokacionet e Shtëpisë së Kulturës, u stopua akoma pa filluar;
* administrata komunale është mbushur me bashibozukë e analfabetë, prandaj duhet spastruar dhe vendosur ekspertë e profesionistë; etj.
Këto ishin vetëm disa nga "masakrat" dhe dëmtimet katastrofale që i janë shkaktuar komunës së Preshevës nga qeverisja mafioze e biznespolitikës së Ragmi Mustafës & Company, të cilët pushtetin komunal e kishin keqkuptuar: jo si shërbim ndaj qytetarëve, por si pasurim të tyre dhe familjarëve e tarafëve të vet politikë.
 Ata e kishin (keq) kuptuar pushtetin lokal si marifet të gjetjes së formulës së kalimit të pasurisë dhe parasë publike, buxhetit komunal etj., në xhepa privatë. 
Realisht, ata këtë e bënë me shumë pasion e vendosmëri gjatë periudhës dymbëdhjetvjeçare të shkretërimit, masakrimit e degradimit të komunës së Preshevës, që shkaktoi humbjen e shpresës së qytetarëve për ardhmërinë e kësaj pjese të Shqiptarisë, duke i braktisur me lotë në sy trojet e veta stërgjyshore.
Andaj, mazhorancës së re qeverisëse APN-PVD, në mandatin katërvjeçar 2016-2020, i mbetet shumë punë për të bërë dhe për të përmirësuar e ndërtuar gjithçka është rrënuar e shkatërruar në 12 vitet e keqqeverisjes banditeske e mafioze dhe që sa më parë të ata vihen para drejtësisë dhe të turpërohen e dënohen para historisë, në mënyrë që sa më shpejtë të kthehet bashkëpunimi dhe raportet vëllazërore me Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë dhe shpresa e popullit për një jetë më të mirë.


No comments:

Post a Comment