Saturday, April 2, 2016

Si u korruptua dhe si u shit vota e qytetarve në Luginë të Preshevës?




Shkruan: Nehat Hyseni

Biznesi më fitimprurës ndër shqiptarët, veçanërisht në Luginë të Preshevës, pa dyshim se është shit-blerja e votës së lirë të qytetarve-votuesve të saj.
Ky biznes fitimprurës me kohë është sofistikuar dhe përsosur shumë, pikësëpari nga nevoja e shmangjes së dënimeve ligjore, meqë shit-blerja e votës është sanksionuar me ligj, në të gjitha sistemet demokratike të botës, si vepër kriminale dhe trajtohet si vepër penale, që dënohet nga tre muaj e deri në dhjetë vjet burg të rëndë. 
Natyrisht se edhe me ligjet e Serbisë kjo vepër kriminale është trajtuar kështu dhe në të kaluarën ka pasur aktvendime gjyqësore të shumta me denime përkatëse, sipas peshës së krimit.  
E gjithë kjo është bërë me qëllim të sigurimit të votës së lirë dhe verdiktit të qytetarve për të zgjedhurit e preferuar të popullit për të qeverisur me pushtetin, në të gjitha nivelet, nga ai vendor, deri tek niveli qendror.
Rëndësia e madhe që i jipet mbrojtjes së votës së lirë,gjithandej në sistemet demokratike në botë, konsiston në faktin se përfaqësimi besnik i vullnetit politik të popullit paraqet "kontratën shoqërore" publike të votuesit me të zgjedhurit, që paraqet bazën e demokracisë së mirëfilltë bashkëkohore dhe garancën e qeverisjes së mirë, të përgjegjëshme dhe transparente të institucioneve të zgjedhura, me punët publike që bëhen "në emër të popullit", në bazë të fitimit të besimit nga vota e lirë.
Prandaj, çdo deformim, korruptim, devijim apo shit-blerje, mashtrim dhe formë tjetër e përdhosjes së votës së lirë, me të drejtë trajtohet si "vepër e rëndë penale", meqë e devijon vullnetin e lirë të qytetarve: "Vox populi-vox Dei est!" (Zëri - vota- e popullit, zëri i Zotit është!) dhe paraqet gurëthemelin e demokracisë bashkëkohore.
Por, edhepse Serbia vjedhjen dhe korruptimin e votës së lirë e ndëshkon, pak a shumë, rreptësisht, kur është fjala për Luginën e Preshevës ajo bëhet "e verbër" dhe e "shurdhët", duke toleruar, madje herë-herë edhe duke stimuluar devijimin e votës së lirë, duke e shtuar kështu diskriminimin dhe destruimin e egër ndaj shqiptarve, meqë u imponon atyre udhëheqësit e pa-dëshiruar dhe të pa-votuar!

Janë të shumta rrugët dhe mënyrat perfide se si e arrin këtë qëllim antishqiptar Serbia, duke i zgjedhur shqiptarët "laramanë", dmth. qē publikisht deklarohen "patriotë", kurse veprojnë në zbatimin e urdhërave dhe detyrave të Serbisë, si vijon:
- kërkesat (e Ragmi Mustafës) për "ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi", 
- grabitja e Lapidarit të pambrojtur të UÇPMB-së, me të cilin u ndalua edhe Memoraili i dëshmorëve të UÇPMB-së në Rahovicë;
- zhvendosja e lokacionit të Zonës Insustriale nga "Zona C" në kufi, si qendër qarkullimi, në periferi në fshatin Çukarkë, që ishte në kundërshtim me Planin afatmesëm të zhvillimit ekonomik të Komunës sē Preshevës, të sponzoruar dhe të financuar nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID-CHF);
- moshapja e Zonës së lirë ekonomike, gjithashtu të inicuar dhe sponzoruar mga USAID-i (CHF) dhe i detajuar në Planin e përmendur Afatmesëm të Zhvillimit Ekonomik;
- mbyllja e Zyrës së USAID-it (CHF-së)ty në Preshevë në vitin 2008, duke përfunduar kështu bashkëpunimin e suksesshëm me SHBA-në nga periudha 2001-2008; 
- mospërfshirja e shqiptarve të Luginës së Preshevës në Dialogun e Brukselit dhe në Marrëveshjen Kosovë-Serbi të 19 prillit 2013, si dhe në atë të 15 gushtit 2015;
- mbyllja e Prokurorisë dhe Gjykatës themelore në Preshevë dhe Bujanoc;
- rritja e papunësisë së shqiptarve të Luginës në reth 80%;
- rritja e moszhvillimit dhe prapambeturisë ekonomike në mbi shtatë herë (700%) nën mesataren e Serbisë(?!);
- përvetësimin e fondeve publike dhe buxhetit komunal me dhënien e tenderëve firmave private të familjarëve dhe militantëve partiakë, që e shkretëruan dhe degraduan deri në absurd këtë rajon të banuar me shqiptarë;
- korrupsionin marramendës, që ua ka zënë frymën shqiptarve, të cilëve komuna e Preshevës dhe ajo e Bujanocit e Medvegjës mundohen t'ua shesin edhe ajrin, për fitime dhe llogari të firmave private të pushtetmbajtësve aktualë, që formalisht udhëhiqen nga "pronarë" të tjerë;
- mbylljen e bizneseve dhe ngulfatjen e tyre nga firmat gllabëruese të pushtetmbajtësve aktualë, si "peshqi të mëdhenjë" të Luginës, që kanë rritur nën sponzorimin dha "grazhdin" e Serbisë, që i hajnë dhe shkatërrojnë pamëshirshëm "peshqit e vegjël", të pa mbështetur dhe të diskriminuar nga Serbia dhe nga eksponentët e tyre të pushtetmbajtësve lokalë në Preshevë e Bujanoc;
- shpërnguljen masovike të shqiptarve dhe boshatisjen e trojeve të tyre stërgjyshore;
- shlyerjen nga evidenca të shqiptarve të dëbuar dhe të shpërngulur nga dhuna, presioni dhe të atyre për nevoja ekonomike, për shkollim e punësim, etj. 
Pra, janë të shumta, madje të pafund format dhe mënyrat perfide se si pushtetmbajtësit shqiptarë të Luginës së Preshevës i shërbejnë kauzës së Serbisë, duke i dëmtuar dhe detyruar shqiptarët që të shpërngulen dhe t'ia lëjnë Serbisë pronat dhe truallin e tyre stërgjyshor. 
Kuptohet se për këtë ata shpërblehen nga Serbia, në forma të ndryshme, që në sipërfaqe manifestohen si "firma të suksesshme", që mundohen t'i mbulojnë lidhjet me pushtetarët.
 Mjerisht, kjo është e vërteta e errët dhe denigruese tek shqiptarët e Luginës, që janë lënë nën "rahmetin" e Serbisë!

Si e fituan votën e shqiptarve këta "peshqi të mëdhenjë" të Luginës, që janë pasuruar dhe pasurohen duke i shërbyer
Serbisë?
Duke e keqpërdorur buxhetin komunal:
* në asfaltimin e rrugëve në lagjet e rivalëve politikë, madje duke ua marrë edhe këshilltarët e atyre zonave,
* me punësimin e personave nga lagjet e caktuara, duke paguar rroga për vendet e punës dhe postet fiktive, madje edhe për personat që jetojnë e punojnë jashtë;
* duke e degraduar administratën komunale në nivel diletantësh e analfabetësh, me zëvendësimin e ekspertëve dhe profesionistëve me militantë partiakë;
* me blerjen e kryetarve të komisioneve dhe anëtarve të vendvotimeve;
* me blerjen e votave në lagjet e varfëra me para në dorë familjarëve, ose me shpërndarje të "ndihmave" materiale me miell, vaj, lëngje, sheqer, etj.;
me kërcnime se do ua përjashtojnë të afërmit dhe familjarët nga puna;etj.
Pra, përdoren forma të ndryshe korruptimi të votës së lirë dhe presioni ndaj qytetarve shqiptarë, me bekimin e pushtetit dhe për interesa të Serbisë.
Këto janë forma dhe mënyra kriminale të "fitimit" të pushtetit nga pushtetmbajtësit servilë të Luginës, që natë e ditë punojnë për Serbinë dhe në dëmë të shqiptarve, duke e korruptuar e vjedhur me mënyra e forma perfide, mafioze e kriminale votën e lirë dhe duke devijuar vullnetin politik dhe interesat kombëtare të shqiptarve të Luginës së Preshevës, që kanë mbetur të jetojnë nën regjimin antishqiptar të Serbisë dhe nën mëshirën dhe "merhametin" e "mafisë shqiptare" që e ka grabitur pushtetin lokal në Preshevë e Bujanoc me votën e vjedhur, të korruptuar e të kriminalizuar, që Prishtina dhe Tirana zyrtare i shikojnë me indiferentizëm të pakuptueshëm dhe, gjithsesi, të  dëmshëm e të patolerueshëm!

No comments:

Post a Comment