Sunday, April 24, 2016

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të diskriminuar nga Serbia e të harruar nga Kosova e Shqipëria




Shkruan: Nehat Hyseni 

Në kohën kur shpërngulja dhe ekzodi i shqiptarve nga Kosova Lindore, apo Lugina e Preshevës, ka marrë përmasa alarmante dhe rrezikon realisht praninë e shqiptarve në trojet e tyre stërgjyshore në territoret që aktualisht kanë mbetur nën Serbi, të dielën, më 24 prill 2016, në Serbi dhe në Luginë të Preshevës mbahen së bashku, zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale.
Ndërkaq, në komunën e Medvegjës mbahen vetëm zgjedhjet parlamentare, meqë zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale atje janë mbajtur më 13 shtator 2015.
Zgjedhjet parlamentare i kanë bojkotuar të gjitha partitë politike shqiptare përveç Partisë për Veprim Demokratik dhe Unionit Demokratik të Shqiptarve, të cilat kanë organizim të mirëfilltë në këto tri komuna në Serbi, të banuara me shqiptarë: në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Karakteristikë e veçantë dhe paradoks të llojit të vet paraqet bojkotimi i zghedhjeve parlamentare të Serbisë nga partitë shqiptare të PD-së së Nagip Arifit dhe LPD-së së Jonuz Musliut në komunën e Bujanocit me arsyetimin demagogjik dhe kontravers, kinse për "motive patriotike", kurse në pushtetin lokal të Bujanocit ata ishin në koalicion me të gjitha partitë politike serbe: me SNS-in e Aleksandar Vuçiqit, SPS-in famëkeq të Millosheviqit dhe pasusit të tij, Ivica Daçiqin, me "Sveti Savën", etj. 
Pra, me të gjitha partitë politike serbe, kundër koalicionit të partive politike shqiptare PVD-UDSH!
Kurse, në komunën e Preshevës zgjedhjet parlamentare i bojkoton koalicioni qeverisës komunal: PDSH-BDL-BD, të cilët bënë bujë me dhënien e Mirënjohjes famëkeqe (Zahvallnicës) Kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, "për merita ndaj shqiptarve", me çka i irritoi dhe i fyu e i provokoi e komprometoi rëndë të gjithë shqiptarët, si dhe popujt demokratik dhe viktimat myslimane të gjenocidit serb në Srebrenicë dhe mbarë botën demokratike dhe miqtë e partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë.
Pra, paradoksi i bojkotimit të zgjedhjeve parlamentare në Serbi qëndron në faktin se ato bojkotohen nga partitë politike shqiptare që bashkëpunojnë ngushtë me Serbinë dhe bashkëqeverisin në pushtetin lokal me të gjitha partitë politike serbe, madje edhe me ato më ekstremet dhe më antishqiptaret, që kanë pas veti një histori dhune, masakrash e gjenocidi ndaj myslimanëve në Bosne, në Kroaci, e sidomos ndaj shqiptarve në Kosovë dhe në Luginë të Preshevës.

Prandaj, është  qartë se ky bojkotim është joparimor dhe ka motive koniunkturale, grupore, klanore e personale, e aspak kombëtare, madje thellësisht antishqiptare. Sepse, po të bashkohej vota e të gjithë shqiptarve të Luginës, do të fitoheshin tre deputetë shqiptarë, e jo vetëm një ose shumë vështirë, dy deputet që aktualisht munden të fitohen.

Copëzimi apo parcelizimi i votës së shqiptarve të Luginës së Preshevës është në dëm të shqiptarve dhe i shërben politikës antishqiptare të Serbisë. 
Ky copëzim ka ndodhur edhe për faktin se në garat për pushtetin lokal në këto zgjedhje garojnë hiç më pak se nëntë parti politike shqiptare, të cilat bëjnë ndërskamca e fyerje të mëdha midis veti.
Pushteti lokal në Preshevë dhe në Bujanoc, edhepse idhëhiqej nga partitë e përmendura shqiptare, megjithatë ka shënuar mangësi dhe keqqeverisje e gabime të mëdha. 
Korrupsioni, familjarizmi dhe nepotizmi ekstrem, tenderomanizmi korruptiv dhe zhvatja e buxhetit komunal për agjenda korruptive e kriminale dhe kalimi i paligjshëm dhe krimnal i parasë dhe pasurisë publike në xhepa dhe llogari private, shpresohet të ndërpritet me këto zgjedhje, si dhe të kthehet perspektiva dhe shpresa për një jetë më dinjitoze dhe shpresëdhënëse. 

Sepse, shqiptarët në Serbi diskriminohen shumëfish: nga pushteti qendror antishqiptar i Beogradit, por edhe nga "hijenat" dhe bandat politike kriminale të partive politike shqiptare që veprojnë publikisht si "patriotë", kurse në fakt bashkëpunojnë dhe janë servilë ndaj Serbisë, për interesa të bizneseve personale e familjare të tyre, që shpërblehen dhe mbështeten nga regjimi antishqiptar i Beogradit, në situatën kur Prishtina dhe Tirana zyrtare janë pothuajse indiferente dhe të painteresuara fare për gjendjen dhe fatin e kësaj pjese të Shqiptarisë. 

Korruptimi i votës së shqiptarve, sidomos në Preshevë dhe Bujanoc nga investimet korruptive të votës në asfaltime vend e pavend, me punësime mediokrësh dhe lënien jashtë të kuadrove të aftë dhe ekspertëve, etj. me përdorimin e pasurisë dhe parasë publike për ta blerë votën dhe për t'i fituar edhe këto zgjedhje nga pushtetmbajtësit aktualë, paraqet rrezik real dhe sfidë të madhe për shqiptarët e kësaj ane.
Ndryshimi i kësaj gjendje të padrejtë, diskriminuese e kriminale pritet që të ndodhë realisht.
 Në të kundërtën, poqese nuk ndryshohet ky pushtet i korruptuar e kriminal, shqiptarët do të zhgënjehen thellë dhe shpresat e ëndrrat e vrara e të rrënuara të tyre për një jetë më të mirë në këtë pjesë të gjeografisë shqiptare do ta shpejtinin edhe më tepër shpërnguljen dhe boshatisjen e këtyre trojeve të tyre stërgjyshore.

No comments:

Post a Comment